“Zhurnal plus”: Çdo dite fotografitë tuaja janë të pranishme nëpër gazeta, revista dhe portale duke u kombinuar me ndonjë deklaratë tënden dhe duke e komentuar në variante të ndryshme. Te shqiptarët më shumë komentohen të pasmet e tua të ububushme sesa muzika që krijoni. Si do ta komentonit këtë gjë?
Mujaj: Unë personalisht mendoj se kur dikush posedon diçka të veçantë,p.sh. zërin e bukur, artin shpirtëror akoma jo shumë të konsumuar, dukje shumë femërore me vija të theksuara, rrethi fillon dhe xhelozon sa që mund të shpërthejë në forma të ndryshme duke bërë ca intriga ,disa histori të rrejshme, të gjitha këto bëhen me një qellim: për t`i ikur të vërtetës që dikush përveç pamjes posedon edhe cilësi të tjera dhe ka arritur me muzikën e saj të imponohet në arenën muzikore ndërkombëtare, gjë që është cekur vetëm një herë në media, dhe tjetra është se unë çdo gjë e kam arritur vetë dhe jam shumë krenare që nuk kam nevojë ta falënderoj askënd përveç Zotit.
“Zhurnal plus”: Do të donit që të njiheshit më shumë si këngëtare, apo se seks simbol?
Mujaj: Për t’u njohur si seks simbol nuk duhet të bësh asgjë, faktikisht lind si e tillë, dhe jam përpjekur ta mënjanoj këtë imazh deri vonë! Po, pasi arti ka lindur me mua dhe posedoj zërin, për mua është më mirë të më dëgjojnë...
“Zhurnal plus”: Emri juaj artistik me të cilin prezantoheni në qarqet e huaja artistike është Dyana Dyà. Pra, çfarë synimesh ka Shkëndije Mujaj dhe çfarë Dyana Dyà?
Mujaj: Shkëndije është emri im privat që u mundova ta ruaj, po ishte shumë vonë,sepse në Kosovë vetëm sa e kisha hedhur në treg një album shqip që titullohej ‘Plus Minus’ .... Kurse po të më kërkoni me emrin tim artistik, Dyana Dyà, vetëm ne Amazon do t`ju dalin mbi 70 rezultate të këngëve të mia.
“Zhurnal plus”: Në Facebook janë mbi 70 profile dhe faqe me emrin tënd. Ju gëzon apo ju nervozon ky fakt dhe a do të donit që të gjithë fansat tuaj të përqendrohen në një faqe që do ta kontrollonit ju.
Mujaj: Unë më herët nuk kam pasur ndonjë profil apo ndonjë faqe në Facebook. Kur shkova në Dubai të gjithë më pyesnin për fan-pagen në Facebook, sepse numrin e celularit nuk e jepja. U detyrova të hap edhe unë një profil ku i vura edhe fotografitë e mia që i kisha bërë në Dubai. Dikush që jetonte në Itali hapi një faqe me emrin tim dhe më bëri edhe mua administratore. Vërshuan miqtë në profilin tim dhe fansat te faqja. Por, papritmas ajo faqe, që tani ka mbi 50 mijë fansa, u rrëmbye nga hakerat dhe më nuk kam qasje në të. Dyshoj se menaxhohet pa lejen time nga Shoëbizi Shqiptar. Pastaj edhe një profil privat m`u rrëmbye dhe m`u bënë publike fotografitë private. Kështu më doli situate nga kontrolli dhe më është dashur të plotësoj çdo ditë formularë për të raportuar faqet dhe profilet falso me emrin tim, po seriozisht edhe me këtë gjë u lodha.
“Zhurnal plus”: Babain e keni doktor shkencash dhe autor librash. Sa e lidhur jeni me familjen dhe sa janë të kënaqur ata me ju?
Mujaj: Jam aq shumë krenare me babin tim dhe këshillat e tij më kanë ndihmuar shumë në jetë. Ndoshta kam qarë fshehurazi kur ma ka ndaluar ndonjë gjë, po tani jam krenare që kam dëgjuar fjalët e tij dhe e falënderoj shumë. Sa krenohen me mua duhet t`i pyesni ata, kurse unë jam e gatshme të bëj çdo sakrificë për ta.
“Zhurnal plus”: Si ishte për ju viti 2012 dhe si mendon se mund të jetë 2013 -ta. Kur do mund t`u shohim në ndonjë koncert apo mbrëmje në Shkup, Tetovë etj?
Mujaj: Po kam dëshirë një ditë të vij në Shkup, edhe Tetovë, pse jo? Kurse, viti ishte ashtu siç e ka shkruar Zoti , dhe nuk ka mundësi të jetë ndryshe. Falënderoj Zotin për gjitha të mirat. Njëkohësisht kërkoj mëshirë për gjithë njerëzimin gjithmonë tek Zoti për gabimet tona që i bëjmë, me vetëdije apo pa vetëdije. Po ashtu edhe gjatë vitit shpresoj të bëjmë vepra edhe më të mira që të fitojmë kënaqësinë e Zotit e për të tjerat nuk mendoj fare, sepse unë jam e bindur që ne bëjmë plane dhe kaderi qesh me ne dhe vazhdon punën, prandaj thashë inshallah me kënaqësinë dhe me vullnetin e tij arrijmë ato çka ne na duken të mira.
“Zhurnal plus”: Çdo ditë del ndonjë thashetheme për ju, si për të gjithë Vipat. Si ndjehesh kur lexon gjëra të pavërteta?
Mujaj: Unë gjithmonë i jam mbështetur Zotit, sepse ai është i pa të meta dhe ia din nijetin secilit, ndërsa ne jemi robër që gabojmë çdo ditë. Shpifja është shumë gjë e keqe tek Zoti, kështu që ata që trillojnë e din edhe për çfarë arsye e bëjnë këtë gjë dhe sipas atij nijeti do ta paguajnë dënimin.
“Zhurnal plus”: Zhaku paralajmëron botimin e një libri ku flet për shumë gjëra që kanë ndodhur në Vip Shpija… por edhe për thashetheme të Albana Osmanit në hotel për Shkëndije Mujajn, për lidhjet e saj me sheikë, dhe trajtimin si lodër seksi të këngëtares nga producentët dhe drejtuesit e “VIP Shqipja”…Si do ta komentonit?
Mujaj: Unë nuk e kam lexuar librin dhe nuk di fare çka ka shkruar, kur ta lexoj do ta them mendimin tim. (Intervistoi E.Neziri)