Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/11/17

Merita Rexha Tërshana/ Në Pianodrom për të promovuar muzikën shqiptare


Pas koncertit duo për violinë e piano të mbajtur këto ditë  në Universitetin e Arteve, pianistja Merita Rexha Tërshana rrëfen emocionet e të luajturit muzikë dhome si një homazh për mjeshtrin e madh të violinës, Ibrahim Madhi. Një kënaqësi që e ndau me një prej violinistëve më të mirë në Europë, Klajdi Sahatçi. Ajo rrëfen se pjesëmarrja e saj në dy edicionet e Festivalit “Pianodrom” ka qenë për të promovuar muzikën shqiptare
merita rexhaNuk kishte mënyrë më të mirë për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për një violinist të shquar si Ibrahim Madhi, sesa një duo koncertante për violinë e piano si ajo e mbrëmjes së 3 nëntorit. Një mbrëmje magjike e cilësoi publiku që kishte mbushur sallën e madhe të Universitetit të Arteve. Një shenjë mirënjohjeje jo vetëm në emër të festivalit maratonë “Pianodrom” që ka nisur më 24 tetor dhe e ul siparin më 9 mars, por edhe një nderim personal i bërë nga një studente e pedagogut të shquar, si pianistja Merita Rexha Tërshana, e zhytur në emocionet e së shkuarës kur kujtonte 10 vitet si koncertmaestër në klasën e profesor Ibrahim Madhit. “Mund të them që shumë gjëra të rëndësishme se si të luash në muzikë dhome i kam mësuar nga ai. Ka qenë jo vetëm një violinist brilant, por dhe një pedagog shumë i përgatitur. E konsideroj si një nga themeluesit e shkollës së violinës në Shqipëri”, – thotë  Merita pas koncertit, duke shtuar se përveç kënaqësisë që luajti në krah të një prej violinistëve të shquar të Europës si Klajdi Sahatçi, dhe një shok i hershëm i Liceut, ishte edhe përgjegjësia për ta sjellë në mënyrë sa më dinjitoze, veçanërisht premierën  “Rapsodi koncertante” e kompozuar nga Aleksandër Peçi si homazh për Ibrahim Madhin. “Interpretimet e tij të koncerteve të Mendelsohnit apo të Brahmsit, regjistrimet me orkestrën e harqeve të Institutit të Arteve janë dinjitoze e koha nuk ua ka zbehur vlerën, përkundrazi. Është bukur të kujtosh një artist që ka dhënë për këtë vend, nëse e bën këtë me muzikë është edhe më bukur. Nga bisedat që kemi bërë, e di që edhe Klajdi ndan të njëjtin mendim me mua për prof. Ibrahimin”.
Publiku pati mundësi të shijonte gërshetimin e muzikës shqiptare me atë botërore, ndërsa mbrëmja nisi me “Romancë” nga Tonin Harapi, “Scherzo” nga Feim Ibrahimi, si dhe një premierë “Rapsodi koncertante” nga Aleksandër Peçi.
Në pjesën e dytë të mbrëmjes duoja luajti sonatën për violinë dhe piano të Richard Strauss-it, që siç e gjykon Merita, ishte një vepër shumë impenjative për të dy artistët. “Por që na dha shumë kënaqësi duke e luajtur dhe shpresoj dhe publikut. Mendoj se ishte vërtet një koncert shumë i mirë”, – vijon ajo.
Një koncert që e ribashkoi profesionalist me një shok të shkollës së mesme, me të cilin njihet kur ishte 14 vjeç, por që zgjedhjet e karrierës i vendosën në drejtime të ndryshme: Merita në Tiranë, ku përveç karrierës si pianiste jep mësim në Universitetin e Arteve, ndërsa Klajdi me një karrierë europiane, fillimisht në Itali si koncert-maestër në orkestrën e La Scala-s, dhe aktualisht koncert-maestër në orkestrën Tonhalle të Zurihut dhe njëherazi profesor në Konservatorin e Zvicrës italiane në Lugano.
“Jemi marrë vesh shumë mirë, që në provën e parë e deri në koncert. Puna me një koleg që i mendon gjërat si ty është shumë e kollajshme dhe sjell vetëm kënaqësi.
Koncerti u ideua nga prof. Peçi, president i Festivalit Pianodrom, që ka filluar më 14 tetor e do zgjasë deri në mars. Më vjen shumë mirë që përveç veprave të rëndësishme të repertorit botëror, Pianodrom promovon muzikën shqiptare, që luhet jo vetëm nga ne shqiptarët por dhe nga pianistët e huaj që vijnë të ftuar”, – tregon Merita, e cila ka qenë pjesë e këtij festivali që në edicionin e tij të parë ku ka luajtur solo në një recital “Stinët” e Çajkovskit, si dhe vepra të kompozitorëve shqiptarë.
“E veçanta sivjet qe futja e disa timbreve të tjera përveç pianos, duetet me violinë ose violonçel, si në rastin e duetit tim me Klajdin. Publiku i muzikës klasike është gjithmonë një publik i kultivuar. Më vjen shumë mirë që shikoj gjithnjë e më shumë njerëz të rinj, sidomos studentë që vijnë në koncerte. Kjo është optimiste”, – vijon ajo duke shtuar se nga puna me studentët në Universitetin e Arteve vëren talente që po lindin në fushën e pianos. “Kam studentë shumë të mirë që më japin sadisfaksion”. Merita zbulon se ka edhe një tjetër koncert në datën 24 nëntor në kuadër të këtij festivali, me Anita Tartarin, Eni Dibra Hoffmann dhe Ina Petrollarin, nën tingujt e  muzikës së kompozitorit Tonin Harapi.
Festivali maratonë i cili zhvillohet për të dytin vit në Tiranë, ka mbledhur në këtë edicion të dytë yje të pianos nga Gjermania, Italia, Austria, Rusia, Zvicra, Çekia, Malajzia, Sllovakia, Kroacia dhe Shqipëria. Janë gjithsej 28 premiera koncertale, 12 evenimente teorike dhe master class, 128 vepra shqiptare, 152 vepra të trashëgimisë botërore, me të cilat “Pianodrom” i prezantohet publikut deri më 9 mars.

Shpallet fituesi i logos së 200-vjetorit të lindjes së Jeronim De Radës


Logo fituesePas organizimit te Konkursit Kombëtar për realizimin e “Logos së 200-vjetorit të lindjes së poetit arbëresh, Jeronim De Rada”, Galeria Kombëtare e Arteve ka shpallur dje logon fituese kushtuar  figurës së poetit, publicistit, folkloristit, filologut, mësuesit dhe themeluesit të letërsisë dhe kulturës arbëreshe. Në konkursin e zhvilluar në datat 10 tetor deri më 30 tetor u paraqitën 20 pjesëmarrës, ku juria u ballafaqua me prurje të larmishme. Pasi selektoi 5 punime, ajo shpalli fitues Elsi Kongon. Punimi i tij artistik simbolizon dhe përcjell gjurmën e pashlyeshme që ka lënë poeti në letrat dhe kulturën shqiptare, duke e përcjellë atë në shekujt e historisë sonë.
Vlera monetare me të cilën vlerësohet ky punim fitues është njëqind e tetëdhjetë mijë lekë. “Kjo logo është shenja e kurorëzimit të një viti aktivitetesh dhe do të shoqërojë publikimet për Jeronim De Radën, aktivitete të cilat kulmojnë në muajin nëntor, kur finalizohen aktivitetet kushtuar poetit arbëresh”, – është shprehur z. Artan Shabani, drejtor i GKA-së, njëkohësisht anëtar i jurisë. Konkursi për “Logon e 200-vjetorit të lindjes së poetit arbëresh, Jeronim De Rada” realizohet vetëm dy muaj përpara mbylljes së vitit 2014, të shpallur si “Viti De Rada”.

Ali Pashë Tepelena/ Kriminel nga pasioni apo etja për pushtet?


Një roman që qarkullonte në sallonet e Parisit që prej 1900-ës, vjen për herë të parë i përkthyer në gjuhën shqipe. I shkruar nga Aleksandër Duma, libri “Ali Pashë Tepelena, krime famëkeqe” na ofron një ndërthurje të letërsisë me historinë, duke sjellë detajet më të vogla të arsyeve që e bënë Ali Pashën, mizor dhe të pamëshirshëm. 
Në libër vijnë të gjitha krimet famëkeqe të “Luanit të Janinës” që dogji dhe masakroi fshatra të tërë por edhe  gratë me ndikim në jetën e tij, Hankoja, e ëma, Emineja gruaja e parë, Zyjbedja gruaja e të birit që Ali Pashai e përdhunoi, robina e bukur Vasiliqi që u shndërrua në gruan e tij apo Shanishaja, motra që kishte të njëjtën etje për gjak si vetë Pashai, e cila e shoqëroi të vëllain besnikërisht në të  gjitha krimet e tij…
Ali_Pasha_Tepelena,_Oil_paint_of_Agim_SulajDuket sikur mizoria e tij zë fill në formën  e një hakmarrjeje. Ajo për të çuar në vend amanetin e së ëmës, Hankos, e cila mallkoi dy fshatrat, Kardhiqin dhe Hormovën, burrat e të cilëve përdhunuan për një muaj rresht atë dhe të bijën, Shanishanë. Ali Pashë Tepelena si shpagim masakroi dhe dogji dy fshatrat.  “Pas një ore makabre, një heshtje ogurzezë ra mbi vendin e mbushur me kufoma. Aliu ndaloi çdo lloj riti varrimi, dhe vendosi mbi portë një mbishkrim me shkronja ari; informonte pasardhësit se 600 kardhiqiotë u sakrifikuan në kujtim të nënës së tij, Hankos”- rrëfehet në libër. Pastaj mizoria e tij shndërrohet në etje të pafundme për pushtet, ndërsa autori Aleksandër Duma shkruan se sundimi i Pashait të Janinës i kalonte hapësirat e  Suedisë dhe Norvegjisë të marra së bashku, por lakmia e tij nuk kishte fund. Ashtu si edhe lakmia për gratë e bukura. E para ishte Emineja,  gruaja e tij e parë e cila sikur arriti t’ia shfrenonte disi epshet e me të cilën pati dy djem. Emineja gjeti vdekjen nga egërsia e Ali Pashës.  Pas vdekjes së saj krimi dhe pasioni ecnin në të njëjtën rrugë me Pashain. Pastaj ishte Vasiliqia, gruaja e tij e bukur të cilën e mori peng pasi i vrau të atin. Por duket se ajo që ka një ndikim të madh në jetën e pashait mizor ishte e motra, Shanishaja e cila shpërfaqte një etje për gjak njësoj si Aliu, e për të cilën vetë pashai me krenari do të dallonte ngjashmëritë…Ajo vriste dhe masakronte pa iu dridhur qerpiku, burra e gra. Aliu dhe Shanishaja, me duart shtrënguar, mbi eshtrat e së ëmës, u betuan se do t’i përmbushnin porositë e lëna nga Hanko në shtratin e vdekjes.“Kur klithmat e vdekjes reshtën në atë shesh të shndërruar në varr masiv, ato filluan të dëgjoheshin në qytet. Vrasësit u shpërndanë mëhallëve të qytetit dhe pasi goditën gra e fëmijë, i mblodhën për t’i dërguar në Libohovë. Në çdo ndalesë të këtij udhëtimi tmerrues, viktimat e mjeruara dhunoheshin mizorisht. Më në fund, ata arritën në destinacion, ku i priste një triumfatore e pamëshirshme si Shanishaja. Ashtu siç ndodhi në Hormovë, ajo urdhëroi që grave t’u rruanin kokat. Tufat e flokëve të tyre ajo i futi në një dyshek, mbi të cilin shtrihej e qetë. Më pas urdhëroi që t’i zhvishnin dhe u tregoi gjithë gëzim masakrën e dikurshme të burrave, baballarëve, vëllezërve dhe bijve të tyre. Pasi u ndie e lumtur për fatkeqësinë e tyre, sikur të mos mjaftonte me kaq, ajo urdhëroi që gratë kardhiqiote të çoheshin herë pas here për të kënaqur epshet e ushtarëve”. Të gjitha këto rrëfime për jetën e Ali Pashë Tepelenës vijnë të përmbledhura në 100 faqe, të shkruara nga Aleksandër Duma në vitin 1862, 40 vjet pas vdekjes së Ali Pashës. Pikërisht atëherë ky francez nisi të shkruante një histori për të.“Ky libër është një zë i munguar në lëmin e botimeve për Ali Pashën, figura e të cilit përgjatë 50 viteve ka qenë pak e njohur, shpesh kontradiktore. Hapja e arkivave pas viteve ‘90 kanë sjellë dokumente e shënime të cilat kanë zbuluar por dhe kanë vendosur mjegull mbi shumë ngjarje të  shekullit të XIIX”, – thotë Alda Bardhyli, redaktorja e librit, i sjellë në shqip nga botimet “Sara’s”. I nisur të bënte një biografi të pashait shqiptar, Duma nuk i është shmangur dot shkrimtarit. Libri është një prozë ku ndërthuret letërsia me historinë, imagjinata me faktet, për të dhënë një përshkrim deri në detajet më të vogla të arsyeve që e bënë Ali Pashën, mizor dhe të pamëshirshëm
Shanishaja, motra mizore e Ali Pashait 
aldexandre dumasNë të njëjtën kohë, motra e tij, Shanishaja, shfaqi në sytë e Aliut një guxim të mahnitshëm. Pavarësisht se ç’mund të thuhej, ajo kishte bërë qëndresë ndaj trupave armike dhe vazhdonte të komandonte forcat e saj në kështjellën e Libohovës. Popullata vendase, të cilën ajo e kishte shtypur mizorisht, e donte të vdekur, por askush nuk guxonte ta sulmonte. Njerëzit besëtytë besonin se fantazma e nënës së saj, me të cilën Shanishaja kishte një komunikim të mistershëm, e vëzhgonte vazhdimisht për ta mbrojtur. Fantazma kërcënuese e Hankos, siç thuhej, u ishte shfaqur disa banorëve të Tepelenës, duke iu tundur para syve kockat e kardhiqiotëve mjeranë dhe duke kërkuar mes rënkimesh ndëshkimin e viktimave të tjera. Dëshira për hakmarrje i kishte shtyrë disa burra trima të sfidonin këto rreziqe të panjohura, por dy herë rresht, një kalorës i veshur me të zeza i kishte paralajmëruar që të sprapseshin, dhe i kishte ndaluar që të vinin dorë mbi atë grua, të cilën vetëm Perëndia kishte të drejtë ta ndëshkonte; dhe në të dyja rastet ata ishin larguar me bisht ndër shalë. Por nuk kaloi shumë kohë dhe këta trima, të turpëruar nga ajo lloj frike, tentuan ta sulmonin sërish Shanishanë. Këtë herë erdhën të veshur me rroba në ngjyrë të gjelbër. Në fenë myslimane ngjyra e gjelbër është ngjyra e profetit. Këtë herë asnjë i huaj misterioz nuk i ndaloi dhe ata iu ngjitën malit duke përgjuar për ndonjë paralajmërim të mbinatyrshëm. Asnjë zhurmë nuk e trazoi heshtjen, përveç blegërimës së deleve dhe klithjeve të zogjve grabitqarë. Sapo iu afruan kështjellës së Libohovës, ata u bënë gati t’i kapnin rojat në befasi, duke besuar se aty kishte shumë prej tyre. Ngadalë u afruan, ashtu siç bëjnë gjahtarët kur gjurmojnë një dre. Kishin arritur te porta kryesore dhe morën masat që ta shpërthenin, kur papritur ajo u hap vetë. Ja ku ishte Shanishaja që qëndronte e vetme përpara tyre, me një karabinë në dorë dhe pistoleta në brez, ndërsa si rojë kishte dy qen të mëdhenj.
  • Ndaloni në vend, ju që guxoni të futeni këtu! – u thirri ajo. – As jeta ime e as thesari im nuk do të jetë ndonjëherë në mëshirën tuaj. Të bëjë ndonjëri nga ju edhe një hap të vetëm pa lejen time dhe toka poshtë këmbëve tuaja do t’ju gllabërojë. Katër tonë barut janë vendosur në këto bodrume. Pavarësisht qëllimit tuaj, unë do t’ju fal, ndonëse jeni njerëz të ndyrë. Madje do t’ju jap edhe këta thasë të mbushur me flori; besoj se kaq para i kompensojnë humbjet që ju kanë shkaktuar armiqtë e vëllait tim. Largohuni menjëherë pa thënë asnjë fjalë e mos guxoni të më shqetësoni përsëri! Një njeri si unë di të përdorë edhe mjete të tjera për t’ju shkatërruar, përveç barutit. Jeta nuk ka asnjë vlerë për mua! Mos e harroni këtë! Por malet tuaja janë ende në komandën time dhe mund të bëhen varret e grave dhe fëmijëve tuaj. M’u hiqni sysh!
Ajo heshti, ndërsa vrasësit e shastisur ia mbathën me të katra. Pak kohë më pas, nëpër male ra murtaja. Shanishaja u kishte dhënë ciganëve rroba të infektuara dhe epidemia përhapej kudo ku ata shkonin. – Eh, sa ngjajmë! – thoshte Aliu me krenari kur dëgjoi për bëmat e motrës së tij.

Merger, portrete që shpërbëhen

1799017_938756412819025_8512730722876182746_o


Tridhjetë e dy portrete në dimensione mbireale, në lastra transparentë, duket sikur qëndrojnë pezull në hapësirën e Galerisë “Zeta” dhe duket sikur në zymtësinë e tyre të veshur në artin grafik flasin për një rrugëtim, një rrugëtim i përditshmërisë që përfundon në një bashkim, nga ka marrë edhe emrin ekspozita “Merger” e çelur më 3 nëntor dhe që do qëndrojë e hapur për dashamirësit e artit viziv deri më 12 nëntor. Autorja, artistja e re, Dorina Elmazi rrëfen se kjo  ekspozitë e parë personale është vazhdim i projektit të diplomës, por e rikonceptuar dhe rikompozuar në formë instilacioni. Elmazi zbulon se për realizimin e këtij cikli portretesh ka punuar me teknikën e gërvishtjes me bisturi dhe spraj të zi. Subjektet janë njerëz të një rrethi që përbën të përditshmen e saj; të  afërm, miq, kolegë, pedagogë, njerëz që kanë drejtime të ndryshme në jetë, por që i bashkon arti në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi) dhe pikëtakohen diku me autoren. “Portretet  janë sjellë grafikisht, sepse unë kam studiuar degën e Grafikës në Universitetin e Arteve. I  zhvesh nga elementi i ngjyrës dhe fokusohem më tepër tek forma, shikimi, tiparet që i bëjnë personat të dallueshëm dhe të identifikueshëm si karaktere unike. Pjesa ku jam fokusuar më tepër dhe ajo që synoj të shpreh më shumë në një portret janë sytë, shikimi, komunikimi përmes tyre, dinamika që përcjellin, e që përforcohet dhe nga teknika e përdorur”, – thotë Elmazi. E ka titulluar ‘Merger’, që do të thotë njehsim, shkrirje, e që përftohet falë elementit të transparencës duke lejuar në këtë mënyrë që portretet të përzihen mes tyre, duke projektuar imazhe të tjera të reja, shpesh deri në shpërbërje, deformim, tjetërsim duke marrë dhe dhënë mes tyre.

Agim Baçi:Kur jeta është sa një natë


(Shënime për romanin “Nata e Sofie Kondilit” e Koço Kostës)
agim-baci_933427Të flasësh për letërsinë e vendit tënd është pak e vështirë, për këdo pjesëtar të fushës së studimit, pasi nuk është aspak e lehtë që të shmangesh nga raportet që kemi me të shkuarën e përbashkët si bashkëqytetar me autorin dhe ngjarjet që ai përshkruan. Ky lloj leximi, në rastin më të mirë është fragmentar, dhe në rastin më të keq, mbetet një lexim lokal, në kufijtë e provinciales. Personalisht, edhe pse e di që është thuajse e pamundur t’i shmang këto elemente, e rëndësishme ka qenë lidhja e letërsisë vetëm me Njeriun dhe Njerëzoren, me atë që e bën të gjithëlexueshme një libër. Pra, tek një libër duhen parë se çfarë e fut atë në një kohë tjetër, që nuk është vetëm fasha e kohës sonë dhe që nuk është fasha jonë e njohjeve dhe e jetës sonë. Letërsia e vërtetë nuk i ka këta kufij, ose i kalon këta kufij dhe leximet përmes kohës personale apo vendit ku jeton nuk kanë ndonjë mbijetesë. Autorë të njohur në botë nuk vijnë për ne as me njohjen e tyre personale e as vetëm me gjykimet e bashkëkohësve. Ata vijnë në gjykimin universal, duke bërë me lexuesin një prerje horizontale për shqetësimin njerëzor dhe vertikale për këndvështrimin e gjithsecilit.
Nëse do ta shihnim pikërisht kështu librin e Koço Kostës, “Nata e Sofie Kondilit” do të thoshim fillimisht se nuk është një roman dashurie, por një roman për dashurinë. Sofie Kondili është për një natë edhe Madamë Bovari, edhe Helena e Trojës, por edhe një grua që jeton diku në Tiranë, Romë, Berlin apo Nju Jork. Dhe fshati ku Koço Kosta vendos të ekzekutojë ‘një natë sa një jetë’ është një fshat i përbotshëm, që mund të jetë gjithkund dhe kurdo. Kristofor Kutulli, partizani që ka ndaluar bashkë me çetën e tij për një natë në fshatin që ishte mbështetës i “Ballit”, bëhet bashkë me Sofie Kondilin “Ata të dy”, si një sagë e novelës “Ata të dy dhe të tjerë” (1986), që e bëri Koço Kostën të njihej në letërsinë shqipe si thyesi i barrierave dogmatike.
Kosta vendos të udhëtojë për një kohë dashurie në një sfond ku shumë lexues mendojnë se ka vetëm luftë. Por si për të na thënë që edhe në atë kohë, si në çdo kohë tjetër, njerëzit dashuronin, meditonin, mendonin dhe jepeshin drejt së pamundurës së ëndërruar. Sepse e gjitha kjo ka kohën e vet, në një sfond “kohë pa kohë dhe vend pa vend”, që është edhe traseja më e sigurt për trenin letrar, sepse është një shinë që ka shumë stacione lexuesish, por asnjëherë një fund.
Koço Kosta na vjen si një leksion për të na shkundur, duke na zbritur nga froni i mendimit se shumë gjëra i bëjmë ne për herë të parë. Vjen me vulën e letërsisë që na tregon se asgjë nuk kemi shpikur, vetëm se i kemi ndryshuar vend, kohë, mënyrë, por jo kuptim.
nata-e-sofie-kondilit-koco-kostaSofie Kondili është një vajzë e martuar që dëshiron t’i japë kuptim fjalës Grua. Për këtë i duhet një Burrë. Ai me të cilin është martuar nuk e ka fituar dot këtë status. E ka emrin Delesh, por është deledash, me “organin sa një thua”, ku nuk arrin dot të shkrepë burrërinë e të shprehë në shtatin e një femre kalimin e ylberit drejt mrekullisë së një gruaje.
Ndërsa Kristofori është një riosh, partizan, i fejuar, që ëndërron dashurinë, por që nuk i reziston dot bukurisë që i valëvitet nga hiret e Sofies. Është si një puhizë, që i vjen ëmbël, i heq fjalët, i zbut kundërshtimin, i merr zërin e pastaj e bashkon në “kufirin e kohës tjetër” atje ku zëri i vetëm vjen nga “burimi i jetës”, atje ku ëndrra ndal sepse është diçka më përtej se ajo, është në kufirin e së pandalshmes së dëshiruar.
I gjithë ky udhëtim në një mëkat-dashuri vjen si një amok. Si një meditim përpara vdekjes, ku jeta të vjen si pasqyrë, ku duhet të ndalësh për t’i bërë pyetje vetes se ku ka mbetur ora jote e kuptimit. Janë tik-take si një testament.
Ai ka ëndërruar, mendon për të fejuarën Lenicë, por ka parë veç kaun teksa bënte dashuri.
Ajo ka ëndërruar, ka parë si në terr prindërit në çastin intim, ka përgjuar kuajt në një “vallëzim të çuditshëm”, por është gjendur përballë pamundësisë për të përjetuar “ylberin”.
Nuk e kanë menduar aspak atë që mund t’u ndodhë. Por në një natë u vjen jeta si e tërë. U vjen si pasqyrë, ku duhet të shihen e të thyejnë të pamundurën.
Të tjerët janë Ashtusi, Komandanti, Komisari, një plak, një plakë, një që vëzhgon, dhe kujtimet që vijnë si sfondi për t’i dhënë kornizën pikturës. Por janë atje, anonimë, siç mund të mbeten të tillë të gjithë ata që nuk jetojnë me kuptim. Ose që dëshirave të tyre nuk u japin emër. Ose që në jetën e tyre, të vetmen gjë që kanë ditur të bëjnë, është të dëgjojnë për të tjerët. Dhe Kosta vjen dhe e këput këtë vesh, si një metaforë, ndaj asaj që nuk duhet të jetë pjesë e jona- të merremi me atë që nuk na përket, që nuk është e jona, apo edhe më keq, që mund të shërbejë në ndëshkimin e dikujt. Janë ata që nuk kanë jetë, por kacavirren pas jetës së të tjerëve, si kërmij lëpijnë nga sekondat e tjetrit, nga jeta e tjetrit. Dhe jo pak herë bëhen vendimmarrës, për të ndëshkuar ata që jetojnë. Sepse ata nuk e durojnë dot Jetën, por ndihen më të zotë për vdekjen. Sepse e tillë është jeta e tyre.
Nuk ka urrejtje në atë roman. As për fatkeqët që jetojnë pa kuptim. As për ata që jetojnë përmes të tjerëve. As për ata që nuk kanë zë. Por përfundojnë me një emër justifikues- Ashtusi. Që mirësinë e tyre e mund mungesa e guximit, e mund pamundësia për të qenë në momentin e duhur ai që duhet të thotë të vërtetën. Dhe të tillë përfundojnë në detin e anonimit, si një kokrrizë rëre, që nuk ka kuptim kurrë e vetme, e as që njihet kur është me të tjerë.
“Nata e Sofie Kondilit” është jo një roman dashurie, por një roman për dashurinë! Pa kohë të veçantë, e puthur me kohën universale, fshatin universal dhe dëshirën që na mbart për t’i dhënë kuptim vetvetes.
Mund të ketë shumë përkime të tjera në atë rrëfim pothuajse 600 faqesh, lexim që na bën të rishikojmë se si kemi shkruar ne për kohën e Luftës së Dytë Botërore, për mungesën e gjithçkaje jetësore në përshkrim për atë kohë. Ka aty damarë lokalë e kombëtarë të zakoneve, mendimeve e personazheve, që madje nuk kanë mundur dot as sot të marrin zgjidhje mes palëve që nuk u kuptuan aspak për të ardhmen e Shqipërisë. Por, jashtë etnografisë letrare, romani “Nata e Sofie Kondilit” ka vendin e tij në detin e Letrares, ndaj dhe duhet parë si i tillë. Të tjerat janë kohëshkurtra, të padukshme qartësisht për Njeriun!

Nasi Lera: Për librat jam bërë edhe “hajdut”

Nasi Lera është një burrë, paqen e të cilit nuk e lexon më në asnjë portret. Shkrimtar dhe përkthyes, ai e përcjell këtë urti dhe mungesë pretencioziteti edhe në këto përgjigje për MapoLibrin.
nasi lera-Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj…
Libri më i vjetër që kam në bibliotekën time është romani Kasollja i shkrimtarit spanjoll Vasko Ibanez, përkthyer nga Fan S. Noli dhe botuar para 80 vitesh. Libraria ku e kam blerë në qytetin tim, në Korçë, ka vite që është prishur, porKasollja e ka ruajtur të freskët dhe të dhimbshme në kujtesën time. Sepse libri është vetëm kujtesë.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Vetëm nga autori, sepse suksesi i një libri nuk varet nga zhanri, por nga forca e krijuesit.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Kam një bibliotekë, për mendimin tim, të pasur, por ajo do të më dukej e varfër sikur të mos më intrigonte me librat që presin për t’u lexuar. Unë nuk mund të shkruaj po të mos kem mbi tryezën e punës disa libra që ma bëjnë të lehtë dhe të bukur procesin krijues.
-Libri i parë që keni lexuar…
Për fat të mirë ka qenë Aventurat e Tom Sojerit, Aventurat e Çipolinos. Dhe që nga ajo kohë, isha vetëm tetë apo nëntë vjeç, Mark Tueni dhe Xhani Rodari më kthejnë në fëmijërinë time për të harruar të tashmen.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Babai im ishte shofer dhe nuk kishte lexuar ndonjë libër, por paret për të blerë libra nuk m’i kurseu asnjëherë. Unë blija çdo libër të ri, falë dashurisë që kishte për librin babai im.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
Me shokët e klasës dhe të mëhallës kur isha në gjimnaz, ndërsa kur isha student, me shokët e kursit dhe të konviktit.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Jo vetëm kartë anëtarësimi por edhe distinktivin “Miku i vogël i librit”. Është dekorata më e bukur që kam marrë në jetën time.
-Sa shpesh shkonit në bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Dikur, kur isha nxënës në fillore dhe në shtatëvjeçare, por që herët më pushtoi dëshira për ta pasur librin tim, për të pasur bibliotekën time. Nga kujtimet më të bukura që kam nga qyteti im, nga Korça dhe nga prindërit e mi, janë ato që lidhen me librin. Dëshira për të pasur bibliotekën time, më çoi një pasdite te një marangoz i vjetër, i cili njihej me babanë. Ai më bëri një bibliotekë të vogël, pranë së cilës kaloja dhe kohën më të madhe.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër dhe përse? 
Jo vetëm një libër, dhe sa më shumë që merrja, aq më i lumtur isha. Mua më mjaftonte kënaqësia ime dhe nuk doja t’ia dija për mërzinë apo trishtimin që u shkaktoja të tjerëve, atyre që nuk ua ktheja librin. Kështu në bibliotekë kam një botim voluminoz të Heminguejt në rusisht, romanin Idioti të Dostojevskit po në rusisht, një vëllim me tregime dhe novela të shkrimtarit amerikan Irvin Shou dhe…Kur i shoh në bibliotekë janë shumë. Përmenda vetëm hapat e mi të parë si “hajdut” që kishte për parim: “Vjedhja e librit nuk quhet vjedhje”. Ajo vërtet nuk quhet vjedhje, por një emër duhet ta ketë.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Kam humbur shumë. Kur erdha student në Tiranë, ata që ishin më të vegjël se unë dhe që e dinin se në shtëpi kisha libra, shkonin dhe i luteshin (ose shtireshin sikur luteshin) nënës që t’iu jepte librat që “u duheshin për në shkollë dhe që do t’i kthenin sapo t’i lexonin”. Nëna ua jepte duke mos e ditur se libri që merret për t’u lexuar harrohet për t’u kthyer.
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Më kujtohet që ne i quanim “Libra të verdhë”. Ata quheshin kështu ngaqë koha kishte vepruar mbi letrën, kurse ne mendonim se ata ishin zverdhur ngaqë i kishin ndaluar. Mendimi se ishin libra të ndaluar ngjallte më shumë se po të mos quheshin të tillë, kureshtjen. Disa tituj që tani kur i sjell në mendje nuk mund të mos vë buzën në gaz: Kompania e bretkosave, Rrethi i kuq, Alen Pinkertoni, Bija e mallkuar, Ura e psherëtimave, por çuditërisht, mes tyre fusnim edhe fashikujt e romaneve Tre musketierët, Konti i Monte Kristos. Duke lexuar ato, ne ndjeheshim më të rritur, sepse po sfidonim një rrezik, një kërcënim, të cilin e përfytyronim krejt ndryshe nga sa ishte në realitet.
-Dhurimi i librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
E vlerësoj shumë si rit, megjithëse nuk e di sa i përhapur është tani, kur dhurimi nënkupton jo një libër, kur mund të ketë dhe njerëz publikë apo “të fuqishëm” që ta shohin me përbuzje apo si tallje dhurimin e një libri.
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Gjithmonë kam lexuar në tryezën e kuzhinës, kur isha fëmijë, pastaj në një tryezë të vogël te këndi im i leximit dhe tani, më pëlqen që të lexoj edhe shtrirë, para se të fle.
-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Lexoj në rusisht, italisht dhe frëngjisht.
-Çfarë po lexoni këto ditë?
Po lexoj romanet, dhjetë të tillë, të botuar në një libër të vetëm, të Patrik Modianos.
-Mbani shënime kur lexoni?
Jo, nuk mbaj.
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo vetëm librat më përfaqësues?
Gjithmonë më ka pëlqyer letërsia e mirë, e shpalosur në prozë apo në poezi. Kur ndodh që të jem i mërzitur, kap një libër me poezi dhe e lexoj. Poezia i jep një lloj muzikaliteti jetës sime, është njëlloj si të dëgjosh Nocturn-et e Shopenit. Proza shpesh më shton edhe më tepër brengën apo trishtimin. Ka autorë që më pëlqen të lexoj edhe veprën që ai nuk e ka përfunduar dot (Heminguej, Kamy, Sartri), ndërsa ka autorë që mbetem te vepra më përfaqësuese e secilit prej tyre.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Lista është e gjatë, shumë e gjatë, fillon me Homerin dhe mbaron me…Modianon, meqenëse jam duke e lexuar. Dikur, nuk e mbaj mend sa vjeç isha, kam lexuar një thënie të Pushkinit: “Nuk ka libra të këqij, ka lexues të këqij.
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Më duket një pyetje që është përtej dashurisë dhe nderimit që kam për librin.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
Po të ndodhesha edhe vetë në Arkën e Noes, do hidhja në det Noen për të shpëtuar sa më shumë libra.
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
Po më bëni një pyetje që zbulon kujtesën time të zbehtë, të dobët. Në vend të një maksime, po sikur të jap një këshillë: Duaje librin, se mund të të tradhtojnë dhe të të lënë në baltë të gjithë, libri nuk të braktis kurrë…
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
Ka ndonjë të keqe sikur të them dy? Jo? Atëherë:
Vargu i parë: Ca pika shiu ranë mbi qelq… (Ismail Kadare).
Vargu i dytë: Mos harro Barbara,
Atë ditë binte shi pareshtur në Brest… (Zhak Prever)
A nuk i ka thënë me vete secili prej nesh këto vargje, pa e ditur se ato janë vargjet e para të një poezie?
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Knjaz Mishkini i romanit Idioti dhe Nik Adamsi i tregimeve të Heminguejt.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Kam shumë libra me autografe, të gjithë më duken të natyrshëm.

Arlinda Dudaj: Nuk jam penduar për asnjë libër

Ka guxuar me “Vargjet Satanike” dhe para këtyre është ‘përkëdhelur’ me “Kurbanin” e Edi Ramës. Flet për librat e lexuar dhe ata të botuar siç flet një vajzë e vogël për kukullat: si diçka që i përket vetëm asaj…
arlinda dudajCili është libri ose librat që ka në proces ose prag botimi DUDAJ?
Dudaj vjen në këtë pragpanair me një sërë titujsh të rinj,veç “Vargjeve Satanike” të Salman Rushdie, edhe “Koha mplaket me ngut” nga Antonio Tabucchi, “Gjuha sekrete e luleve” nga Vanessa Diffenbaugh, “Dashuria është një defekt i mrekullueshëm” nga Graeme Simsion, “Diçka e shkruar”, një libër për jetën e Pasolinit nga Emanuele Trevi, “Askush nuk flet për gjëra të jashtëzakonshme” nga Jon McGregor, “Shënimet e një gruaje” nga Teodor Keko etj., etj.
A ka DUDAJ politikat e veta të botimit, në kuptimin e prirjeve për këtë apo atë lloj literature, dhe cilat janë ato?
Sigurisht që çdo shtëpi botuese ka politikat e veta, në kuptimin që përpiqet të fusë poshtë çatisë së vet autorët që ata që bëjnë politikat, i preferojnë. Një botues profesionist duhet medoemos të jetë edhe një lexues cilësor, që di ta shijojë letërsinë. Sa më përket mua, unë përpiqem ta diversifikoj atë çka botoj. Domethënë, prirem të qëmtoj letërsi të bukur nga çdo vend i botës, çdo vend ka mundësi të na sjellë diçka të re e letërsia është mënyra më e mirë e përçimit. Kështu që kjo mund të quhet një nga politikat. Prandaj nën strehën e shtëpisë sonë mund të gjendet letërsi e çmuar nga çdo vend, Anglia, Amerika, Italia, Franca, Portugalia, Kanadaja, Spanja, Suedia etj.
Cili është ai libër apo ai lloj libri që si lexues ju fal kënaqësi, por si botues ju mërzit shumë?
Nuk ekziston një i tillë, nëse një libër apo autor me deh si lexuese, nuk më mërzit aspak as si botuese. E vetmja gjë që mund të shpreh është të them: “Sa do të doja ta kisha botuar unë!”
A ka një treg të librit në Shqipëri dhe sa i deformuar është ai?
Ka një treg sigurisht dhe ndër vite ka pasur shumë probleme, një nga të cilët për shembull është e drejta e autorit. Qëllonte që nëpër librari qarkullonin dhe dy libra të të njëjtit shkrimtar e titull, dhe një të ishte pa të drejtë e tjetri me, ose edhe të dy së bashku pa të drejtë. Kjo vërtet ka qenë një dukuri shumë e shëmtuar që me kalimin e kohës është përmirësuar disi. Pastaj është dhe problemi i rrjeteve të librarive që janë shumë të pakta, disa probleme janë edhe të ne botuesve gjithashtu. Megjithatë duket që pak nga pak profesionalizmi po fiton pikë.
Cili është libri më i suksesshëm që ka botuar DUDAJ?
Të gjithë librat që ka botuar “Dudaj” kanë qenë produkt i një përkushtimi dhe dëshire për të qenë në duart e lexuesit, nëse suksesin do e masnim dhe me shifra, atëherë disa nga ata shkrimtarë që kanë shitur më shumë kopje kanë qenë Dan Brown, Edi Rama, Rudina Xhunga, Roberto Saviano, Stieg Larsson…po ka dhe të tjerë.
Cili është libri për të cilin jeni penduar që e keni botuar?
Nuk ka asnjë të tillë, edhe pse para se ta botoj një libër e mendoj gjatë… mund edhe të mos ketë pasur suksesin që ka merituar, po kjo nuk më jep kurrfarë pendese. Ndonjëherë edhe libri ka fatin e vet, ashtu si njerëzit, po edhe nëse ka qenë një libër i pafat, kjo s’më bën të pendohem që e kam botuar.
Cili është ai libër që nuk mund të rrini pa e botuar, jeni matur, por për njëmijë arsye (ndoshta financiare) nuk e keni bërë ende?
Nga natyra jam shumë këmbëngulëse, dhe në rast se mendoj që një libër duhet botuar, atëherë nuk do të lë gur pa lëvizur që kjo gjë të ndodhë. Kështu për shembull ndodhi dhe me ‘Vargjet Satanike’. Shumë veta më kanë thënë, ‘lëre at punë, ç’të duhet’. Por nuk u ndala, e vendosa dhe e bëra. Në fakt çdo punë ka sfidat e veta e mua më pëlqen t’i ndërmarr.
Gara letërsi e huaj/letërsi shqipe duket se është fituar nga e para. Pse shqiptarët vazhdojnë të parapëlqejnë autorët e huaj? Apo autorët shqiptarë janë një peizazh i cunguar?
Kam përshtypjen që në vende të vogla si tonat, letërsia e huaj mbizotëron mbi atë vendase. Vetëm në rast se autorët shqiptarë do të hapin ndonjë epokë të re të të shkruarit në mënyrë origjinale, apo të zhvillojnë ndonjë zhanër të ri, siç për shembull ka ndodhur edhe në Suedi, apo vende të tjera nordike, që kanë zhvilluar letërsinë e verdhë, e cila është shumë e suksesshme dhe e parapëlqyer në gjithë botën. Shqipëria ka kaq shumë histori e stof për të shkruar, mjaft që të zhvillohet në mënyrë origjinale, e suksesi është aty.
Panairi i Librit është në prag. Cilët do të jenë titujt dhe autorët me të cilët DUDAJ do mundohet të lërë gjurmë?
Përveç atyre që përmenda më lart, tituj të cilët do të jenë të pranishëm në stendat e panairit, ne do të kemi dhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj që i botojmë rregullisht, si Salman Rushdie, Oriana Fallaci, Jose Saramago. Të gjitha botimet e përkthyera nga i mirënjohuri Ardian Klosi, si librat e Oliver Schmitt, Franz Kafka, Heinrich Boll. Gjithashtu dhe një libër i një shkrimtari francez, Romain Puertolas, me një titull shumë të lezetshëm “Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Fakirit që mbeti i mbyllur në një dollap të Ikeas”.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...