Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/24

Prof.Dr.Begzad Baliu -ISMET AVDI QORRAJ (1968-1989)






Prof.Dr.Begzad Baliu
Në biografinë e një dëshmori zakonisht identifikohet një datë, një vit apo një ngjarje e caktuar me të cilën ai ka fituar përjetësinë. Të tjera momente dhe ngjarje, janë ato që i dallojnë biografitë e tyre dhe me të cilat krijuesit nxiten të shkruajnë biografitë e tyre apo frymëzohen të shkruajnë tekste të gjinive dhe llojeve të ndryshme letrare për ta. Ismet Avdi Qorraj është njëri prej atyre dëshmorëve, në jetën e të cilit nuk është vështirë të identifikosh edhe disa shenja përcaktuese për biografinë e tij prej dëshmori.



Ismet Qorraj lindi në fshatin Carrabreg të Ulët të Deçanit, më 21.01.1968, në një familje të varfër, por me traditë atdhetare. Viti i lindjes së tij (1968), më parë se sa kujtesën për ndryshimet politike që ishin shfaqur në Kosovë, në familjen e tij kujtohej për vrragët që kishte lënë një periudhë e gjatë e sundimit rankoviqist, ndërsa shumë prej tyre i kishte realizuar nën hijen e miteve sakrale dhe politike të lidhura ngushtë me emrin e mitit të Stefan Dushanit, të ringjallur gjatë shekullit XX në emrin e qytetit të tij, Deçanit dhe të institucioneve fetare të ruajtura rreth tij. Pasi mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në Deçan, Ismeti i vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe. Ismeti po rritej në frymën e një rizgjimi kombëtar, në të cilën gjuha shqipe e rilindur pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe hyrjes së literaturës shqipe nga Tirana shfaqej në plan të parë. Veprat e karakterit letrar dhe historik njëkohësisht Ismet Qorrajn e mbanin të lidhur me zhvillimet historike dhe aktuale të popullit të tij. Temat e mëdha të karakterit nacional që sillnin botimet nga Tirana, si ato për Mic Sokolin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Rilindjen Kombëtare,  të cilat Ismeti i lexonte me dashuri dhe i komentonte mes shokësh, nxiteshin edhe prej kujtimeve familjare, madje të prejardhjes së babait dhe nënës së tij.
Kujtimet ishin nga më tragjiket. Ato të trashëguara nga babai në Deçan dhe ato të treguara nga nëna e lindur në krahinën epike të  Rugovës. Në netët e gjata të dimrit dhe në odën e familjes sa e sa herë kishte dëgjuar kallëzimin e babait Avdi Qorrajt, se si mezi i kishte shpëtuar masakrës në Tivar, më 1945 dhe për më tej kishte mësuar nga pleqtë e familjes së gjerë, se si çetnikët e Savë Batarës kishin masakruar më 1912 tërë fshatin Carrabreg, në mesin e të cilëve kujtimet në oda dhe epizmi në këngët historike flisnin gjallërisht për vrasjen e Osë Qorrajt, sepse kishte bërë rezistencë legjendare ‘për të mos e ndërruar kombin dhe fenë’.
Edhe kujtimet e nënës Zade, bijë e familjes së Xhemë Sadrisë nga fshati Malaj i Rugovës, nuk i mungonin më pak. Prej tregimeve të heshtura të saj kishte mësuar se si çetnikët e kishin masakruar fshatin dhe tërë familjen e Xhemë Sadrisë. I kishte dëgjuar kujtimet e saj mes legjendash dhe dhimbjesh të pafundme për breza të tërë familjarësh të djegur e të vrarë ndër stinë e mote të trishta. Një shekull i tërë kolonizimesh të fshatrave, përndjekjesh të bashkëfshatarëve dhe jetës nën hijen e xhandarëve.   
Të gjitha këto ngjarje tragjike të lidhura me ngulfatjen që kishte pllakosur Kosovën nga viti 1981 e këtej, tanimë e kishin bindur Ismetin se, pa liri nuk ka kuptim as jeta. Kishte dhjetë vjet që Kosova ishte kthyer në një gjykatore të madhe dhe në një burg të zi. Për një të ri si Ismeti që kishte më shumë ëndrra se sa vite jete, Kosova ishte një dramë e madhe, jashtë të cilës nuk mund të qëndronte as ai. Përkundrazi, me vrullin djaloshar që i vlonte në shpirt e në zemër, ai jo vetëm nuk mund të merrte rolin e arrivistit, sikur shprehej bashkëfshatari i tij Jusuf Gërvalla, a të indiferentit, por pretendonte të merrte një rol të fuqishëm për të lëvizur përpara zhvillimet kombëtare, e ky rol para se gjithash projektohej në rolet e identifikuara të bardëve kryengritës të kombit, në rolet e identifikuara nga kallëzimet e babait dhe të nënës.
Në mars të vitit 1989 kishte nisur së shpërthyeri një revoltë popullore, si një vullkan i zjarrtë, i cili e kishte burimin në 700-800-900 metra thellësi të minierës së Trepçës, ku minatorët vetëm një muaj më parë bënë grevën e urisë për tetë ditë me radhë dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën, për ta bindur botën se Kosova është e robëruar dhe robërinë s’do ta durojë më. Ishte viti i kryqëzimeve dhe i përplasjeve të mëdha, që tejkalonin përmasat e Kosovës, por që më parë se sa në hapësirën jugosllave përpiqeshin të shpërthejnë në duart e shqiptarëve. Ishte viti kur serbët përpiqeshin të rikthejnë një gjendje të tejkaluar në fund të viteve ’60, kur shqiptarët përpiqeshin të sendërtojnë ëndrrat e tyre historike të lara me gjak në vitin 1981, ndërsa mes tyre republikat veriore përpiqeshin të çliroheshin nga etnocentrizimi dhe etnofashizimi serb, duke ia lidhur duart asaj me Kosovën.
Me 28 mars 1989 Serbia po shënonte festueshëm ndonës me tanka dhe me gjak e hekur ditën e aprovimit të kushtetutës ushtarako- policore, me të cilën edhe de jure suprimohej çdo element i Autonomisë së Kosovës, kurse tërë Kosova ishte bërë barrikadë në përleshje fyta-fyt me xhelatët serbo-çetnikë, për t’ju treguar atyre që ëndrrën për Perandorinë e Car Dushanit e kanë të kotë.
Për katër orë rresht populli i gozhdoi radhët e policisë duke u barikaduar në kundërshtim të vendimeve të tilla, të cilat edhe njëherë Kosovën po e kthenin nën hijen e xhandarit serb. Kishin dalë në rrugë të gjithë, të rinj e të moshuar, burra e gra, shkollarë e punëtorë, bujq e intelektualë, pa përjashtim dhe si një. Me vendosmëri e brohoritje sikur përpiqeshin të gjithë, por në kundërshtimin e të ndërhyrjeve ushtarako-policore dalloheshin më të rinjtë. Pas disa orësh, forcave policore serbe ju erdhën përforcime të reja, të cilat hapen zjarr mbi popullin e paarmatosur. Mes popullit, por gjithnjë në radhët e para gjendej edhe Ismeti dhe kolegët e tij kryesisht i së njëjtës moshë. Plumbat e shkrepur nga policia e goditën Ismetin për vdekje, por ai nuk kthehej prapa. Fjalët e tij të fundit drejtuar shokëve ishin:
Përpara shokë, se shqiptari nuk tërhiqet përpara plumbave të armikut!
Ja vdekje - ja liri!
Pikërisht si në veprat letrare e historike, të cilat i kishte lexuar në bankat e Gjimnazit dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Ismeti dhe kolegët e tij u hodhën përpara si në betejë, ndonëse plumbat përshkonin trupin e tyre të njomë. 
Ishte ora 15 e 30 minuta. Rrugët e Deçanit u lanë me gjakun e popullit shqiptar të kësaj ane. Qyteti i zgjuar me vrullin e popullit duarthatë, po ngrysej ende pa rënë mirë muzgu i mbrëmjes, më parë se çdo ditë tjetër. Vullneti i një populli të tërë po shtypej me tanke, me plumba e me zjarr. Rrugët e tij, sheshet e tij ishin larë me gjakun e martirëve të lirisë: Agim Kuklecit, Salih Hadërgjonajt, Mujë Mehmetajt dhe Ismet Qorrajt.
Në varrimin e Ismet Qorrajt, në ndarjen e fundit nga martiri i lirisë, populli u betua me Besa-besë si në kohët e lavdishme të Lëvizjes së Madhe të tij, si në kohën e Haxhi Zekës, se gjaku i martirëve do të shpaguhet ditën e çlirimit të Kosovës. Babai Avdiu, nënë Zadja me të nëntë fëmijë (katër djemtë dhe pesë vajzat), bashkë me popullin mbaheshin krenar që Ismetin ia falën Kosovës.
Por, Ismeti nuk ishte vetëm asnjëherë.
Trimi i mirë,- thoshin shkrimtarët që ai i kishte shumë përzemër, - me shokë shumë! I tillë ishte Ismeti.
As vdekjen dhe martirizimin nuk e dëshironte vetëm!
As lavdinë, vetëm për vete!
Prishtinë, mars 1995[1]



[1] Tekst i rishkruar mbi biografinë e librit të Avdi Gjatës, Resul Bedos, Bajram Kurtit, Begzad Baliut, GJAKU I LIRISË (1981-1995) vëllimi I, KMDLNJ, Prishtinë, 1996, f. 65-66.

[1] Tekst i rishkruar mbi biografinë e librit të Avdi Gjatës, Resul Bedos, Bajram Kurtit, Begzad Baliut, GJAKU I LIRISË (1981-1995) vëllimi I, KMDLNJ, Prishtinë, 1996, f. 65-66.

KU MBETE TRIM?




Shkurta (Musa) Januzi

(Vushtri)

KU MBETE TRIM?

(Ismet Qorraj)

Herën e fundit të pashë në rrugë
Teksa thërrisje për liri, paqe, pëllumba
Të pashë krahë për krahë me shokë
Tek vërshonit kundër furtunës me plumba

Buzëqesha kur i ngrive lart nga dy gishta
Të duarve të krijuara për laps, dituri
M'u bë zemra mal, sikur morra krahë
Për ju që trima që të paepur qëndronit  në shi

Për katër orë rresht të përcolla pa nda
Teksa burrërisht mbroje tokën amë
Guximin e kishe të rrënjosur në zemër
E gurët e tokës, të vetmet armë

Por ç'mu err shikimi në një çast
Zbarkuan gjakatarët, ty nuk te pashë më
Kot kërkova me muaj e vite
Që në mes të thirrjeve, të dëgjoj dhe tëndin zë

Të thirra emrin fort, ndërkohë që rrugët u zbrazën
E dheu u pa, me gjak të njomë mbuluar
E gënjeva veten se s'desha ta pranoja
Se aty po thahej dhe gjaku yt i kulluar

Kot prita në ankth, ti nuk erdhe
Ndaj bashkë me erërat ulëriva: Ku mbete trim?
Para meje u shfaqën burrat me arkivol mbi supe
Dhe reflektimin tënd e pashë në çdo shikim

Dhe u thava në çast, u bëra shkrumb
Në këtë qytet, unë më i vjetri plep
Se nuk më bëri shpirti ta shihja në varr
Djalkën që bashkë me erën, e patëm përkëdhelë që në djep

Në mesin e plumbave, breshërit, gazit
Të morrën, të tretën nga ne okupatorët
Të pashpirtët, katilët se kuptoin dot
Se nuk vdesin asnjëherë trimat, dëshmorët

Nuk shuhet heroi nga plumbi, por vetëm gjallëron
Jeton në kujtime, këngë e poezi
Frymon bashkë me erën, malin dhe lumin
Dhe me mua plepin e moçëm që iu bëra kornizë, tëndes fotografi


AI, I RIU PLEQNAR (Dëshmorit Ismet Qorraj)


Mentor ThaqiMusa Jupolli 
 
Mentor Thaqi & Musa Jupolli

AI, I RIU PLEQNAR

(Dëshmorit Ismet Qorraj)

M.Thaqi

Më the vëlla poet, atë ditë n´Llap e Gallap
Jehonën djaloshare nga Dukagjini e ndjeve
The se ishte gjëmim moti
I kthjllët qielli, loti lum të rrodhi

M.Jupolli

28 marsi i vitit 1989
Nga trupi i trimit muarëm ngjyrë
Me shkronja kuqezi
N'ideal t'Atdheut emrin LIRI shkruam
M.Thaqi
Lotin nga gazi kimik e thau plumbi e tymi
Mbolle shekullin e Ri
Shekulli ynë ... për Dardani ... ...

M.Jupolli

Ismet djali
Legjendë e Dardanisë
Sot hero i poezisë
Në gramatikën tone
Sa me mallë të përkujtojmë

M.THaqi

Qëlloi, shëmtoi ... vjelli helm hegjemonia
Mbi ëndërrat e mia
po a vritet Liria, a zmprapset rinia

M.Jupolli

Sa bukuri ka vendëlindja jote Ismet Qorraj
Aq lule syri do shkruajmë për Ty
Sa fjalë që fole për Atdhe
Aq ngrohtësi shpirti do të dhurojmë Ty
Sa trokiti liria në zemër tënde
Aq poema Arbërie do t'i kushtojmë TY
Sa kujtesë malli i prindërve Tu
Biografi në bibliotekën tone
Aq vargje me zë të lartë do t'i recitojmë

M.THaqi

më pyete, kush është Ismeti i Qorrajve të Gashit
Emrin ia lexove në Kronikë Dëshmorësh
N' Enciklopedi Arbërorësh
Përgjegja ime ishte ajo e jote
Përgjigje me pohim koke ... me bekim toke ...

M.Jupolli

Hëna e pa lotin e Valbonës
Para se aurorë e parë e ditës
Dielli ndriti male e fusha
Për Atdhe në përqafim
Lyrë në frymëzim
Penë e premtuar
Himn me Flamur në dorë
Një zë erdhë nga qielli
Nobelizmi i djalit të Ri
Ismet Qorraj i Avdisë
Krenaria e Çarrabregut
Deçan e tërë Arbëria
Lulet më të bukura ujitën
Për flamurtarin e Lirisë
Lot e varg i Dardanisë
Në krah të Shqiponjës pikturuam
Pamjën tënde t'Hujnishme
Dashurinë O atdhetar që kem për Ty
O Hero i Shqipërisë


(Mentor Thaqi, Villingen-Schwenningen-Gjermani Musa Jupolli, Paris – Francë)


2015/03/23

BURRAT VDESIN NË MARS





MIGENA ARLLATI

BURRAT VDESIN NË MARS


Moti këndohet “Kënga e marsit” këtyre anëve,
se marsi dhe pranvera vijnë bashkë me të kuqen e gjakut,
nuk rreshtin minatorët, studentët e punëtorët
Kosova ka plot njerëz që i dalin zot.

Turma dridh malet, kërkon “Liri-Demokraci”,
“Kosova Republikë” thërret një popull i tërë,
nuk ka pranga që dëshirën për liri të prangosë
pëllumbat e bardhë ndjellin veç paqe dhe shpresë.

Por hija e zezë shtrihet mbi krena
hesht burri i dheut, fjalën ia mori qielli,
me zërin e jetës kënga e vdekjes jehoi
me gërma të arta historia emrin lart ia përjetësoi.

Ngrehu o Ismet Qorraj hej trim
se burrat kanë prapë luftë për të bërë,
i duhen Kosovës djemtë në ballë
trima me këmishë që ka ba veç nji nanë.

E morën një pas një plumbat
siç vriten trimat në kraharuar tej për tej,
e shpuan ndër deje, gjaku flamurin vërshoi
mbi krahë shqiponjash në historinë e re parakaloi.

Plumbat dhe pëllumbat shkojnë e vijnë në ajër
të parët marrin jetë, të dytët parandjejnë lirinë,
se liria pa plumba për shqiptarët qenka e vështirë
me këngë në gojë vdesin këta bij.

Dhe marsi ja ku vjen prapë mes nesh
toka mbushur lule, mbjellë me dëshmorë,
një jetë që kishin e dhanë për ne,

djemtë më të mirë lulegjak mbeten prore!

Në shpirtin tim ende loton edhe loti (Poemë për Ismet Qorrajn,dëshmor)


Image result for gani xhafolli

Nga Gani Xhafolli

Në shpirtin tim ende loton edhe loti

(Poemë për Ismet Qorrajn,dëshmor)

Motra e tij më tha një ditë me bore
Kur u vra vëllau im Ismeti
Zemrën time e mbuloi loti…
Pranverë pa lule ishte marsi
Nënëlokja  ja puthi plagën
Babë Avdiu ja puthi dorën
Në Çarrabreg
Pesë motrat ja puthën Flamurin
Mbi fytyrë
Nipi ,në një cope Guri e nisi poemën
Ismeti shumë e donte Lirinë
Shpeshëherë ka pije ujë
Në Malajt të Rugovës
Tek kroni I Xhemë Sadrisë
E donte një vajzë nga Kosova
Të bukur si Hana…
***
Nana Zade deri në vdekje të saj
Ja ruante unazën
Me shqiponjë
Kur u vra ishte 21 vjeç
Mbi Deçan kishte shumë sorra të zeza djhe
Korba.
II
Një natë motra e Madhe u tha
Yjeve
Ismeti shumë e donte Shqipërinë
Dhe Krujen e Gjergjit
Shumë e urrente Kalin e Trojës
Shumë e donte Toplicën dhe Mollën e Kuqe
Në njerën veshkë I ridhte Drini I Bardhë
E në zemër kishte edhe Drinin e Zi
Hëna çdo natë ja puth Përmendoren
Që bëjnë dritë dhe Lulet
Loti I Nanës e shpon edhe Gurin
I thane edhe pemët
Nga Përmendorja e tij u shfaq
Një Dritë
Të nesërmen një ylber
Mbi Përmendore Dielli mori ma shumë bukuri
III
Me 28 mars ’89 të gjitha Pishat ishin
Të lagura në Deçan
Me 27  mars  ’89 u vra Sevdat Berisha në  Prishtinë
Shumë  copa Dielili ju këputeën Ilirisë
Shumë nana dëshmoresh I lagu loti I mërzisë
IV
Ismeti kur e përqafojë Nanë Zadën
Tha si Jusuf Gërvalla:
Nanë nuk ta due LOTIN
Edhe nëse vritem
Përqafoje një pemë në oborr
Në vend meje
Unë pa Diell nuk kthehem
Atdheut I duhet pushka
Jusuf Gërvalla u vra
Ismeti,Agimi,Salihu,Muja u vranë…

V
Thashë kur isha në Çarrabreg
Ismeti u bë pemë
Mbi degë pushon Dielli
Nuk di a ka diçka ma bukur
Lum Nana që ja fali Djalin Lirisë
I thashë Bjeshkëve të Çarrabregut
Një Yll duhet ta ketë emrin Ismet
E  Dielli emrin Adem
E Hëna emrin Marigonë
Atdheu mori bukuri edhe nga gjaku
Shumë Lule dhe shumë pemë ka Dardania
Motra K. e rritë një Lule Dritë
Në Velani
Përmendorëve u duhen Lule dhe Rreze
Edhe katër ushtarë i ka Nëna Zade e ndjerë
Më këmishë të Zemrave e veshin
Pranverën me Lule Gjaku
Dhe me Lule të Lirisë

Pranverë ,21 mars 2015

E Hana edhe  pesë  motra 

Buzëqeshje ylberi (I. Qorraj)





Nga Agim H. Berisha

Buzëqeshje ylberi


(I. Qorraj)
Malet kurrizdalë
Dhe me zjarrmi
Malet kishin plagë
Ç’dridhej
Shekulli hijerëndë
Nga zëri i lirisë
Ti
Shkëmb Dukagjini
Lulebozhure
Edhe një gjekëtimë
E Bjeshkëve të Nëmuna
Ti
Etje
Në buzët e stinëve

Kujtesë
Buzëqeshje ylberi
Në sytë tanë

Lulëkuqet e marsit

Aishe Qorraj


Lulëkuqet e marsit

(Ismet Qorraj)

Për Ty është nder të shkruaj,
Dy shkronja në shenjë kujtimi,
E vlerësuar ishte koha,
Trimi dallohej pikërisht aty.
Marsi na sjell dhembje,
Lirinë e njomur me gjak na kujton,
Duhet ta pyesim veten,
A ju dalim hakut ne që tani po e gëzojmë,
Juve që me gjak e shtruat rrugën,
Lulëkuqe të marsit.
A të kujtojmë rininë tuaj,
A t’i vajtojmë plagët e trupit,
A të krenohem me vigjilencën tuaj
Për Ty meteor  i pashuar
Lavdia e kombit jeni ju vet,
Martir – hero pusho i qetë,

Pluhuri i harresës mbi varrin tënd kurrë nuk do të bjerë!!!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...