Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/09/23

Bekë Balaj : Ata që tkurrin territorin e Kosovës, do mallkohen nga gjaku i derdhur për këtë vend


Image result for beke balaj nga strellci
          Bekë Balaj

Ata që tkurrin territorin e Kosovës, do mallkohen nga gjaku i derdhur për këtë vend
Nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe deklaratave bajate me sloganin tanimë të njohur se, “Kosova nuk humbë as edhe 1 cm² territor nga ai i vitit 1974”, me shtynë që për hir të opinionit të gjerë dhe sensibilizimit të tij, të sqaroj disa fakte të njohura, por që Komisionit Qeveritar për demarkacion, nuk i mjaftojnë dhe nuk duan ti dëgjojnë, por përpiqen ti mjegullojnë.

Është e vërtetë se Kosova nuk humbë vetëm 1cm² territor nga ai i vitit 1974, por nëse vija kufitare vendoset ku pretendon Mali i Zi, humbë me mija hektar (100-200 km²). Kjo më përngjanë në sloganin e vitit 1989-1990, kur nga disa politikan të kohës thuhej se, Kosova nuk humbë asgjë me ndryshimin e Kushtetutës të vitit 1974, e dihet mirë se çka humbi dhe si rrodhet ngjarjet më vonë. Unë në këtë shkrim do të përpiqem më pak fjalë të jap disa sqarime, për opinion, dhe atë vetëm për bjeshkën e Zhlebit, e pjesërisht edhe Ishtedimit, meqenëse këto territore i njoh mirë, sidomos atë të Zhlebit që nga vitet 1947 e gjer më tani.

Këto bjeshkë i kemi trashëguar që nga koha e Perandorisë Osmane (gjysma e shek. XIX) dhe janë shfrytëzuar nga banorët e 30 fshatrave të komunës së Pejës, Deçanit dhe Istogut, në të gjitha periudhat.

Pas luftës se II-të Botërore, konkretisht në vitet 1946/47, është vendosur vija kufitare në mes Republikës së Malit të Zi dhe Kosovës si Provincë në kuadër të Republikës së Serbisë, me pikë kufitare referente të “Kulla e Zhlebit”, që është pika më e lartë mbidetare në rrugën Pejë-Kullë-Rozhajë, dhe gjendet përafërsisht në largësi të njëjtë nga vendbanimet Rozhajë-Radavc. Me vendosjen e kësaj vije kufitare nga bjeshka e Zhlebit dhe Ishtedimit, kanë mbet disa qindra hektar territor në anën e Malit të Zi, por që janë shfrytëzuar lirshëm nga banorët e Kosovës që kanë pas tëbanat (stanet) në atë territor, kuptohet duke paguar taksat në Rozhajë.

Njëjtë edhe banorët që kishin tëbanat (stanet) në territorin e Kosovës, paguanin taksat në N.P. të Pejës. Pra, bjeshka e Zhlebit dhe Ishtedimit janë administruar pjesërisht nga Peja, pjesërisht nga Rozhaja, varësisht si i ka ndarë vija kufitare.
Këta kufij kanë qëndruar të pandryshuar që nga vendosja e tyre në vitet 1950, 1963, 1974 etj, pavarësisht ndryshimeve Kushtetuese që kanë ndodhur, vetëm në aspektin juridiko-legjislativ dhe politikë, por pa prekur asnjëherë kufijtë përkatës (jo territorial).


Argumentet që dëshmojnë për vijën kufitare të Kulla:

1. Harta që disponon Komisioni vëzhgues i komunës së Pejës.

2. Harta e nxjerrë në Mal të Zi që tregon territorin e Zhlebit të administruar nga Mali i Zi deri të Kulla.

3. Ndërtimi i rrugës Pejë-Kullë-Rozhajë (Pejë-Kullë nga Kosova, ndërsa Kullë-Rozhajë nga Mazi i Zi).

4. Mirëmbajtja e rrugës deri të Kulla, gjithnjë nga Kosova, kurse anën tjetër përtej Kullës nga Mali i Zi.

5. Ndërtimi i transmetuesit të valëve nga RTP (Radio Televizioni i Prishtinës).

6. Ndërtimi i linjës largpërçuese të rrymës elektrike, gjithnjë Kosova deri të Kulla, tutje Mali i Zi, që edhe sot për nga konstruksioni dallohen shtyllat në këtë anë dhe në atë anë të kufirit.

7. Pagesa e taksave për kullota, lëndë drusore dhe lëndë ndërtimi në N.P. në Pejë, që edhe tani mund të dëshmohen në çdo moment me dëftesa përkatëse dhe me aktvendime gjyqësore të Gjykatave Komunale të Pejës dhe Deçanit.

8. Pyllëzimi i qindra hektarëve me fidanë bredhi nga Shkalla deri të Kulla, në vitet 1979/80 e më vonë nga ana e Ndërmarrjes Pyjore nga Peja.

Ndërmarrja Pyjore nga Peja, jo vetëm që ka administruar, i ka menaxhuar dhe i ka shfrytëzuar këto prona, por edhe ka kultivuar në territorin në fjalë, që dëshmohen me qindra dokumente që gjenden në zyrat e kësaj ndërmarrje.

9. Nxjerrja e “bosave të barit” në lëndinat në afërsi të Kullës, e që i përkasin territorit të Kosovës, për stadionin futbollistik në Pejë.

10. Pyllëzimi i bjeshkës së Zhlebit që gjendët në territorin e Malit të Zi nga ana e Rozhajës vetëm deri në kufi me Kosovën (të Kulla) pas vitit 2001-2002.

11. Vendosja e doganës së Malit të Zi në largësi nga kufiri me Kosovën për 5-6 km sipas Marrëveshjes së Kumanovës të qershorit të vitit 1999, e që pas afërsisht dy viteve i është afruar 400-500 m në afërsi të Kullës, e ku gjendet edhe tani, pra në territorin e Malit të Zi.

Të gjitha këto veprimtari që u përmendën më lartë, që ka edhe të tjera që kanë ndodhur në periudhën në fjale sipas Komisionit tonë Qeveritarë për demarkacion nuk janë argumente të mjaftueshme, por kërkojnë diçka që nuk ekziston. Botërisht dihet se ushtria, policia dhe administrate e Jugosllavisë (Serbi-Mali i Zi), pas luftës së vitit 1999, ka plaçkitur të gjithë dokumentacionin origjinal katastral dhe pas bisedimeve të zhvilluara mes palëve Kosove-Serbi në prani të faktorit ndërkombëtarë, kanë pranuar që ti kthejnë vetëm kopjet e përpunuara që mund të jenë edhe të falsifikuara, e që Komisioni ynë Qeveritar, më shumë u beson atyre sesa fakteve të gjalla qoftë në popull, qoftë në terren, qoftë dokumenteve të përmendura.

 P1130830.JPG
 
Komisioni “i nderuar” i përbërë prej njerëzve me tituj akademik, për tre vite rresht nuk arritën të sigurojnë së paku një dokument që do tu përshtatej atyre, e kjo është e kuptueshme se dokumentet nuk gjinden në zyre ku punojnë ata, por në zyre të ndërmarrjeve që u përmenden më lartë, në arkivat komunale dhe shtetërore, si në Kosovë dhe jashtë saj, në enciklopedi të gjitha Republikave të ish Jugosllavisë, por edhe në popull. Aq më keq që si profesionist të fushave në gjeografi dhe gjeodezi, nuk e paskan njohtë territorin e 10-11 mijë km² territor të Kosovës, gjë që nuk besoj sepse nuk dyshoj në aftësitë e tyre, por që ato aftësi po i përdorin për të manipuluar opinionin e gjerë, meqenëse siç duket kjo vij kufitare është parapërcaktuar nga udhëheqësit (politikanët) tonë dhe Malit të Zi, me bekimin e Faktorit Ndërkombëtarë, për ti kënaqur apetitet e Malit të Zi, ndërsa Komisioni ka shërbyer vetëm si “mashë” për të mos e prekur zjarrin me dorë.

Sa u përket portaleve që përdorin për tu arsyetuar se banorët e disa fshatrave si: Dubovik, Rashiq etj; kanë kërkuar ndihmën e kryetarit të Rozhajës është e vërtetë, por për territorin që është administruar nga Rozhaja, prandaj mos të përpiqen, siç thotë populli “me la m.... me sh... “ sepse nuk ka lum që i pastron.
Ata që tkurrin territorin e Kosovës, do mallkohen nga gjaku i derdhur për këtë vend
Pra, nëse kufijtë vendosen aty ku pretendon Mali i Zi, atëherë ne Kosovarët për më shumë se 60 vite i paskemi shfrytëzuar “pronat e huaja”, pronat e atyre që kurrë nuk i kanë pas, përveç në kohën e okupimit të viteve 1913-1915, dhe historikisht dihet se çfarë gjenocidi ka ushtruar Mali i Zi në popullatën e Dukagjinit në atë periudhë.

Me këtë marrëveshje siç pretendon Mali i Zi, vetëm në vijën Kullë-Shkallë me gjatësi mbi 5 km, Kosova humbë mija hektarë: bjeshkën e Zhlebit dhe Ishtedimit në tërësi, dhe pjesë të Seinovës, pa llogaritur anën kah Rugova. Njëkohësisht përvetëson edhe pikat strategjike shumë të rëndësishme: majën e Rusolisë dhe podin e Hamshorit që gjendet vetëm disa qindra metra afër Jabllanicës së madhe të Podgurit.

Fjala e urtë popullore thotë: “Uji lëvizë kurse inertet mbesin” (por varet çfarë inertesh, të dobishme apo të dëmshme). Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, nëse e ka pranuar faktin ashtu siç u cek më lartë, le ta bajnë me shëndet turpin dhe tradhtinë që do tua lënë brezave të tyre trashëgim. Meqenëse në Kabinetin Qeveritarë ka ministra dhe zëvendës ministra që shumë mirë i njohin këto fakte, por që heshtin nga frika qe mos ti humbin postet, prandaj mos të përpiqen të na bindin që tu besojmë të pavërtetave.

Në emër të të gjithë banorëve të komunave Pejë, Deçan dhe Istog, që kanë protestuar disa herë që nga viti 2008 për këtë çështje, i bëj apel Kryetarit të Parlamentit të Kosovës dhe të gjithë Deputetëve pa dallime partiake, që mos të votojnë “shitjen apo faljen” e territorit në fjalë, sepse do ti ndëshkoj “nëma” apo mallkimi i popullit të shkretë, që ua ka dhënë votën për ti udhëhequr dinjitetshëm e jo për ti mashtruar, dhe mallkimi i prindërve dhe fëmijëve qe kanë humbur më të dashurit e tyre, për këtë tokë që po tkurret dhe cungohet vazhdimisht. Po ashtu i bëj apel edhe Presidentes së Kosovës, që mos ta nënshkruaj një akt të tillë të turpshëm, sepse historia është e pamëshirshme dhe do tu çmoj ashtu siç keni vepruar dhe do të veproni.

(Autori është veteran i arsimit nga Strellci i Ulët i KK Deçanit dhe njohës i mirë i vijës kufitare me Malin e Zi)

Kimete Berisha : Gra të neveritshme!

Gra të neveritshme!
Po, mos moj Albulena. A s'e sheh veten qysh po dukesh primitive, agresive, vulgare, banale, e çoroditur, si e arratisur nga azili i çmendisë.
Një damë, një zonjë, një luftëtare dhe një revolucionare nuk gjuan me vezë, si amviset e dëshëruara kur u "digjen" pallaqinkat.
Një luftëtare e vërtetë secilën fjalë, secilin argument e ka një armë të fuqishme, që rrëzon për toke.
Sepse, gjuha thyen eshtra. Jo vezët. Vezët nuk thyejnë eshtra, përveç nëse pulat ia dalin t'ia fusin nga një vezë nën sqetulla Kryeministrit.
Edhe, diçka. Ti bashkë me Donikën (e cila të ngrehte për krahu si zhele) prej sotit e keni rehabilituar Kryeministrin, ia keni marrë mëkatet, ia keni "pastruar" dhe ia keni bërë një maskë të dobishme lëkurës së tij, sepse s'ka maskë më e mirë për lëkurën e fytyrës sesa të bardhtë dhe të kuqtë e vezës.
Çka po doni? Ta turpëroni Kryeministrin!
Veza nuk shërben për të turpëruar njerëzit.
Nuk turpërohet "viktima", por gjithmonë turpërohet agresori.
Nuk gjuhet njeriu me vezë ja "kajsh nanën".
Definitivisht, pula është më e vjetër se "voja"!

Prof.Dr.sc. Eshref Ymeri : Në pritje të ndryshimeve kushtetuese

Në pritje  të ndryshimeve kushtetuese

U bë kaq kohë që politikanët në krye të hierarkisë pushtetore dhe opozita po flasin për ndryshime kushtetuese. Nuk e dimë konkretisht se çfarë nenesh të Kushtetutës do të preken në këto ndryshime të pritshme dhe çfarë nenesh do të shtohen. Politikanët, në bashkëpunim me juristët, do ta thonë vetë fjalën e tyre.Ndërkohë janë dëgjuar zëra, sipas të cilëve ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me referendum. Këtyre zërave dëshiroj t’ju them se edhe votimi me referendum nuk e zgjidh problemin, sepse votimi në vendin tonëështë shndërruar në një ritual formal, pas përfundimit të të cilit gjithçka ndjek hullinë që u intereson klaneve më të fuqishme politike që kanë pushtetin ose që synojnë ta marrin atë me se s’bën përmes blerjes së votës.

Gjithsesi, ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme dhe duhen bërë për faktin se disa gjëra janë mahisur keq. Unë këtu dëshiroj të prek disa çështje, të cilat me siguri që janë tërësisht jasht vëmendjes së politikanëve dhe të juristëve në procesin e përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese.
Së pari, le të ndalemi në një fakt konkret.

Kushtetuta e tanishme, të cilën majtistët e hodhën në referendum në vitin 1998, nuk ka asnjë nen që të përcaktojë se kush duhet të jetë në krye të komuniteteve fetare në vendin tonë. Projektkushtetuta e vitit 1994 e kishte një nen të tillë. Por ajo nuk fitoi në referendumin e atij viti, se Partia Socialiste u ra kambanave në të gjitha udhëkryqet e vendit që ajo të mos votohej, sepse, sipas propagantës majtiste, kishte “rrezik” që Presidenti Berisha të behej “mbret”. Dhe shumica e popullit votoi kundër. Në Projektkushtetutën e vitit 1998, të cilën majtistët shqiptarë e përgatitën me ndihmën e “vyer” të këshillëtarëve grekë, nuk figuronte më neni i projektit të vitit 1994 që bënte fjalë për krerët e komuniteteve fetare që duhet të jenë me prejardhje, me shtetësi dhe me gjak shqiptari. Në votimin e asaj Projektkushtetute, votuesit e krahut të djathtë nuk morën pjesë, sipas thirrjes që u bëri Partia Demokratike. Pra, vendi u bë me një kushtetutë majtiste, e cila, me heqjen e nenit të lartpërmendur, krijoi kushte që në krye të komuniteteve fetare mund të caktoheshin edhe të huaj. Si përfundim, gjatë një periudhe më shumë se 23-vjeçare, kishën ortodokse të Shqipërisë po e qeveris një i huaj, Anastas Janullatosi, i cili vjen nga një vend me një qëndrim tradicionalisht armiqësor ndaj vendit tonë dhe që asnjëherë nuk i ka reshtur pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, për çka kanë deklaruar fare shkoqur presidentët grekë Stefanopulos dhe Papulias, sa herë që ka rënë fjala për Korçën dhe për Himarën, duke anashkaluar faktin që trojet tona etnike shkojnë deri në Artë e në Prevezë.

Çdo prift ortodoks shqiptar që është brumosur me ndjenjat e shqiptarisë, normalisht, duhet të jetë i bindur që në këtë periudhë 23-vjeçare të drejtimit të kishës nga një i huaj, ai mund të kishte përfunduar 5 universitete për të mësuar artin e drejtimit të Kishës Ortodokse Fanoliane dhe për të marrë përsipër postin e Kryepeshkopit Shqiptar. Por Janullatosi nuk ka dashur qëllimisht që një prift ortodoks shqiptar të ngrihet deri në një post të tillë. Kjo për faktin se ai ndodhet në Shqipëri me një mision të pastër politik. Nuk e di se cila është arsyeja që klasa politike e Tiranës ka mbajtur qëndrime antikombëtare në raport me Janullatosin. Janullatosi ishte në krye të administrimit të situatës për zhvarrimet e Kosinës për blerje eshtrash të vdekurish shqiptarë për mbushjen me to të varrezave që u ngritën në jugun e Shqipërisë në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Dhe Tirana zyrtare bëri sehir. Jo vetëm kaq, por, paraprakisht, parlamenti shqiptar pati votuar për ngritjen e atyre varrezave që kanë ndotur truallin e Shqipërisë së Jugut. Ai votim përbën një faqe turpi në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Megjithatë, edhe pas zhurmës që u bë në shtyp për zhvarrimet e Kosinës, Janullatosi e shpërfilli tërësisht Tiranën zyrtare dhe shkoi e u konsultua me kryeministrin Karamanlis. Kjo për faktin sepse të ashtuquajturën kishë ortodokse të Shqipërisë ai e konsideron filial të kishës ortodokse greke. Prandaj edhe autoritetin e Tiranës zyrtare ai nuk e njeh në raport me kishën ortodokse që drejton në vendin tonë.

Qëndrimi skandaloz që mbajti Janullatosi ndaj Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, të cilën donte ta shndërronte forcërisht në kishë, nuk i ngjalli kurrfarë shqetësimi Tiranës zyrtare, edhe pse me vendim të të tria shkallëve të gjyqësorit ajo ndërtesë duhej të vazhdonte të mbetej vatër kulture, kundër pretendimeve të Janullatosit. Pra, edhe në këtë rast Tirana zyrtare vazhdoi të bënte sehir, derisa kryetari i Bashkisë së Përmetit u detyrua të vepronte forcërisht, duke thirrur në ndihmë policinë private.

Në kundërshtim me ndjenjat atdhetare të çdo shqiptari të ndershëm, Janullatosi, në gusht të vitit 2014, në Kolkondas të Fierit organizoi një meshë të posaçme në nderim të Kozmait të Etolisë, armikut të betuar të gjuhës shqipe dhe të kombit shqiptar. Dhe Tirana zyrtare përsëri bëri sehir.
Edhe në rastin e së ashtuquajturës kishë e Shën Thanasit në Dhërmi dhe të zhurmës që u ngrit rreth saj, Janullatosi, me qëndrimin që mbajti, e vërtetoi me fakte se nuk e njeh autoritetin e Tiranës zyrtare, por shkoi me vrap dhe u këshilluar më kryeministrin grek Cipras.

Ka edhe shembuj të tjerë që vërtetojnë se Janullatosi ka mbajtur qëndrime antishqiptare, e megjithatë Tirana zyrtare ka vazhduar të bëjë sehir, në vend që Janullatosin ta largonte menjëherë nga Shqipëria. Madje duhej ta kishte larguar që në vitin 1999, kur, që nga Moska, ai deklaroi për pozicionimin e tij përkrah serbëve, kundër popullit shqiptar të Kosovës. Asokohe Presidenti Meidani, me një dekret të posaçëm, duhej ta kishte larguar menjëherë Janullatosin nga Shqipëria. Nuk e di se cila ishte arsyeja që Presidenti Meidani nuk veproi.

Para do kohësh, me rastin e zhurmës që u bë për të ashtuquajturën kishë e Shën Thanasit në Dhërmi, zotëria Sokol Kondi kishte botuar në gazetën “Mapo” një analizë mjaft interesante në mbrojtje të interesave tona kombëtare. Analiza titullohej:

“Qëllimet ekspansioniste dhe “megalloidea” e Janullatosit në Shqipëri”.
Në atë analizë ai shkruante:
“Janullatosi bën mirë të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste dhe ultranacionaliste me sfond verio-epiriot nëse nuk ka ndër mend që të shpallet “non-grata” dhe t’i jepet ultimatum të largohet brenda 24 orësh nga vendi, sikurse bëri kryeministri i madh patriot i shqiptarëve Pandeli Evengjeli (ortodoks!) në vitin 1920 me një biçim Janullatosi të kohës që donte t’i bindte me zor korçarët se ishin grekë” (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës“Mapo”. 25 gusht 2015).

E përshëndes zotin Sokol Kondi për këtë qëndrim prej shqiptari të vërtetë ndaj Janullatosit. Por problemi është se në krye të ngrehinës politike shqiptare, nuk ka burra shteti që të kenë këllqet e Kryeministrit të dikurshëm Pandeli Evangjeli. Me rastin e zhurmës që bëri Janullatosi për kishë-gërmadhën e Shën Thanasit në Dhërmi, Kryeministri Rama deklaroi:

“Do ta rindërtojmë kishën, ishte djepi i gjuhës shqipe, grekët s’kanë të drejta mbi besimin tonë” (Citohet sipas: “Kryeministri që u thotë grekëve të vërtetën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 01 shtator 2015).

Po në këtë faqe, lexova edhe reagimin e specialistit të së drejtës ndërkombëtare, e intelektualit dhe nacionalistit të shquar Abdi Baleta:
“Më në fund, një kryeministër shqiptar u thotë grekëve të vërtetën në sy”.

Edhe unë e përshëndes deklaratën e Kryeministrit Rama. Por kush na siguron se nuk ka rrezik që ajo të mbetet thjesht në kuadrin e retorikës? Sepse duhet vepruar me hapa konkretë. Posti i Kryepeshkopit të Kishës Fanoliane i duhet kthyer sa më shpejt që të jetë e mundur një prifti shqiptar, me shtetësi, me prejardhje dhe me gjak shqiptari. Unë mendoj se këtë problem e zgjidh përfundimisht vendosja e atij nenit të lartpërmendur, të cilin majtistët shqiptarë e hoqën nga kushtetuta që votuan në vitin 1998. Majtistët shqiptarë duhet ta kuptojnë një herë e mirë se Kisha Ortodokse Fanoliane, Janullatosin e ka peshqesh prej tyre gjatë këtyre 23 vjetëve, pikërisht prej kushtetutës së tyre të vitit 1998 që e hodhën në votim, duke shpërfillur alternativën e djathtë. Prandaj asokohe kishte shumë të drejtë zoti Baleta që atë kushtetutë e pati etiketuar si pushtetutë.

Veç kësaj, në kushtetutë, në nenin që duhet të shtohet për drejtuesit e komuniteteve fetare që duhet të jenë me shtetësi, me prejardhje dhe me gjak shqiptari, duhet të theksohet edhe diçka tjetër: në Shqipëri nuk lejohet që pranë komuniteteve fetare të punojnë klerikë të huaj, të çfarëdo feje qofshin.

Së dyti, sipas kushtetutës majtiste, parlamenti shqiptar përbëhet prej 140 deputetësh. Në kushtet e një varfërie të skajshme ku është katandisur vendi ynë, vallë a nuk duhet shkurtuar numri i deputetëve të tanishëm dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ai të zbresë deri në 80 deputetë? Sepse 60 deputetë më pak në parlament, do të thotë miliarda lekë të kursyera brenda njëmandati parlamentar. Ne jemi vend i vogël. Nga më shumë se 5 milionë banorë të vendit tonë, gati gjysma e tyre e kanë braktisur atdheun dhe çdo muaj vazhdon largimi i tyre. Në këto kushte, kur brenda vendit kanë mbetur 2,5 apo rreth 3 milionë banorë, a është e udhës që ne të kemi në parlament 140 deputetë? Kjo më duket absurde. Qeveria Rama bëri një reformë për ristrukturimin e pushtetit vendor dhe komunat e bashkitë i shkurtoi nga 309 në 61. Bëri shumë mirë se në këtë mënyrë u shkurtua armata e njerëzve parazitë që merrnin rroga pa bërë asgjë dhe u çliruan fonde të konsiderueshme për t’u shfrytëzuar për lehtësimin e varfërisë. Por e njëjta gjë duhet bërë edhe për ristrukturimin e parlamentit, numri i deputetëve të të cilit, sipas këndvështrimit tim, duhet të zbresë në shifrën 80. Izraeli ka një popullsi prej 7 milionë banorësh (përjashtuar diasporën), pra, më shumë se dyfishin e popullsisë së vendit tonë, dhe në parlament ka të zgjedhur gjithsej 120 deputetë. Çlirimi i fondeve kolosale nga shkurtimi i numrit të deputetëve, do të ndikonte në rritjen e pensioneve të ulëta, në shtimin e përkrahjes sociale dhe në uljen e taksave për biznesin e vogël, çka do të bënte të mundur reduktimin e nivelit të varfërisë në shkallë vendi. Është e turpshme për klasën politike që qeveris vendin dhe është poshtëruese për shtresat në nevojë të vendit tonë që Shqipëria, edhe një çerek shekulli pas ndërrimit të sistemit, të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i kontinentit evropian. Ky fakt të bën të dyshosh se klasa politike që ka qeverisur vendin gjatë këtyre 25 vjetëve, ose është një klasë kriminale qëi ka mbushur mendjen vetes se në pushtet ajo mund të qëndrojë sa më gjatë, duke pasur një popull sa më të varfër, që rri e vështron qeverinë në dritë të syrit për kotheren e bukës, ose ajo është një klasë në shërbim të të huajve, të cilët i kanë caktuar si misionvarfërimin e vazhdueshëm të popullit, në mënyrë që ky ta braktisë vendinmasivisht, për t’u shpëtuar vargonjve të varfërisë, me qëllim që Shqipëria të mos ngrihet kurrë më këmbë, ashtu siç u ka interesuar tradicionalisht shovinizmit evropian dhe fqinjëve tanë grekosllavë.

Unë shpreh publikisht dëshirën time që shtresa e intelektualëve shqiptarë, veçanërisht intelektualët që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në mjetet e informimit masiv dhe në jetën akademike universitare, si edhe mjaft intelektualë të shquar në emigracion dhe në diasporë, ta thonë hapur fjalën e tyre për domosdoshmërinë e shkurtimit të numrit të deputetëve deri në shifrën e lartpërmendur.

Së treti, në ndryshimet kushtetuese që u bënë në pranverën e vitit 2009, u vendos që zgjedhjet parlamentare të bëhen sipas sitemit proporcional. Ky sitem e vërtetoi në praktikë se është i dështuar. Ai u dha kompetenca të pakufizuara kryetarëve të partive, i shndërroi ata në feudalë pushtetplotë, çka krijoi kushte për lulëzimin e dukurisë së servilizmit të paimagjinueshëm në radhët e anëtarësisë së partisë para kryetarit të saj. Sepse nuk mund të ndodhte ndryshe, për faktin se listën e kandidatëve për deputetë e përgatit kryetari i partisë dhe askush nuk kuturis ta kundërshtojë se pastaj mbetet jashtë listës. Si përfundim, populli nuk voton për kandidatin që dëshiron, por voton për partinë. Dhe kryetari i partisë i shpërndan kandidatët për deputet në rang vendi sipas midesë së vet. Prandaj është e domosdoshme të bëhen ndryshimet përkatëse në kushtetutë, duke kaluar në sistemin mazhoritar dhe atje të thuhet konkretisht se emrat e kandidatëve për deputetë duhet të vinë nga strukturat e bazës së partisë, ku, ashtu siç veprohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paraprakisht të garojnë disa kandidatë të partisë në zonën zgjedhore, derisa të dalë në listën përfundimtare ai që ka marrë ma shumë vota si kandidat për deputet në strukturat e partisë në bazë. Vetëm në këtë mënyrë do të shmanget servilizmi që po lulëzon aq shëmtueshëm para kryetarit të partisë.

Së katërti, në kushtetutë duhet të shtohet një nen i posaçëm, ku të thuhet qartazi, se çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë nuk mund ta ushtrojë një mandat më shumë se dy herë, qoftë deputet, qoftë kryeministër, qoftë ministër, qoftë drejtor, qoftë kryetar bashkie, qoftë kryetar komune, qoftë kryetar partie e kështu me radhë. Praktika e deritanishme ka vërtetuar se mandatet e tejzgjatura janë shpërdoruar, me to është abuzuar, mbajtësit e tyre për vite me radhë, janë shndërruar në feudalë, në vjedhës skandalozë të fondeve publike, çka ka bërë që të rritet në mënyrë të ndjeshme niveli i varfërisë së qytetarit të thjeshtë. Shtesa e një neni të tillë në kushtetutë, do të krijojë mundësi që populli të shpëtojë nga pushteti i oligarkëve politikë që i janë bërë si gjellë e thartuar.

Shpresoj në mirëkuptimin e lexuesve të nderuar dhe iftoj dashamirësisht ta thonë fjalën e tyre me peshë në mjetet e informimit masiv për të katër problemet që shtrova më lart, të cilat, në këndvështrimin tim, janë mjaft të mprehta.

Tiranë,20 shtator 2015

2015/09/21

Në vazhdim të përgjigjes së një pyetjeje

Image result for eshref ymeri


Nga Prof.dr. Eshref Ymeri


Në disa faqe internetitë datës 20 shtator 2015 ishte botuar analiza e zotërisë Rexhep Shahu, me titull “Ku janë 200 mijë varre ushtarësh serbë në Shqipëri!?”. Në analizën e vet ai i kishte dhënë një përgjigje shteruese kësaj pyetjeje, të cilën e lexova me shumë kërshëri
Në vazhdim të analizës së tij, po mundohem të them diçka, si përgjigje shtesë ndaj pyetjes në fjalë.
Ato varret e “200 mijë serbëve të vrarë” në Shqipëri, pavarësisht se nuk ekzistojnë, do të shpiken. Mund të hamendësohet se kryepeshkopi serb Irinej mund të ndërmarrë ndonjë pelegrinazh në zonat e Kukësit dhe të Dibrës për blerje eshtrash të të vdekurve shqiptarë që janë varrosur s’dihet se kur dhe për t’i paraqitur në publik si eshtra ushtarësh serbë. Sepse Irinej e ka të çelur shtegun në biznesin e tregtimit të eshtrave në Shqipëri. A nuk e filloi Janullatosi biznesin e blerjes së eshtrave të të vdekurve të Kosinës në Përmet? I mbushi arkat me eshtra shqiptarësh të vdekur dhe deklaroi se ato janë eshtra ushtarësh grekë që qenë vrarë në luftën italogreke. Dhe mandej filloi ngritja e varrezave, e manastireve dhe e memorialeve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, të cilët në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në përplasjen me trupat italiane, patën kryer krime të rënda kundër popullit shqiptar në jug të vendit. Dhe Tirana zyrtare, mbarë klasa politike shqiptare, e përfaqësuar në parlament, rrinte e bënte sehir, sikur Shqipëria e Jugut nuk ishte trualli i saj amtar. Madje parlamenti në fjalë, pa asnjë votë kundër, pati votuar për ngritjen e atyre varrezave në Këlcyrë e gjetiu, a thua se ishte fjala për ndonjë territor të huaj. Ky ishte një akt i lartë tradhtie që kreu parlamenti shqiptar ndaj truallit amtar. Sepse ato varreza, manastire dhe memoriale i duhen shovinizmit grekokaragjoz dhe kishës shoviniste greke, për t’u treguar bashkëkombasve të tyre edhe pas 2 mijë vjetësh se Shqipëria e Jugut është tokë greke, se atje ka një dëshmi të gjallë: janë varrezat, manastiret dhe memorialet që janë ngritur dy mijë vjet më parë. Sepse grekët dhe serbët, punojnë me perspektiva mijëravjeçare, nuk punojnë si shqiptarët dhe si politikanët mercenarë që kanë në krye, sipas parullës: puno sot, ha sot. Jo, grekët dhe serbët ecin në jetë sipas parimit: puno sot që të hashë edhe pas dy mijë vjetësh. A nuk ka deklaruar kryepeshkopi serb Irinej se “ne do të kthehemi në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh”?!
Pra, edhe serbët duan të vënë në jetë në Shqipërinë e Veriut të njëjtin skenar që zbatoi Athina shoviniste në Shqipërinë e Jugut përmes Janullatosit, emisarit të saj politik në Tiranë: të ngrenë varreza, të ndërtojnë manastire dhe memoriale në nderim të ushtarëve agresorë serbë, në mënyrë që t’u thonë breznive të tyre pas dy mijë vjetësh se Shqipëria e Veriut është tokë serbe, çka dëshmohet nga prania atje e varrezave, e manastireve dhe e memorialeve serbe. Qëllimi është i njëjtë edhe për grekët, edhe për serbët: në Evropën Julindore nuk ekziston komb kompakt shqiptar, por edhe nëse ekzistojnë ca të ashtuquajtur shqiptarë, ata duhen asimiluar apo duhen detyruar të largohen për në dhera të huaj.
Veç kësaj, serbët, duke e pasur në xhep klasën politike qeverisëse shqiptare, me shpikjen e varrezave për ushtarët serbë në Shqipërinë e Veriut, kërkojnë të arrijnë edhe një objektiv tjetër: t’u vënë kapak masakrave të përbindshme që kanë kryer në Kosovë gjatë një periudhe mbinjëshekullore, të mos kërkojnë ndjesë para opinionit publik ndërkombëtar për ato masakra, të mos paguajnë dëmshpërblime për të gjitha ato shkatërrime që bënë gjatë viteve të luftës së fundit dhe mandej t’u thonë mbarë shqiptarëve:
“Edhe ne kemi vrarë shumë shqiptarë, edhe ju keni vrarë shumë serbë. Tani jemi të larë, s’kemi ç’i kërkojmë ndjesë njëri-tjetrit”.
Pra, masakrave dhe shkatërrimeve mbinjëshekullore që serbët kanë kryer kundër shqiptarëve, Beogradi kërkon t’u vërë kapakun sipas asaj fjalës së urtë: “më rrove, të rrova, brisku është i berberit”.
Dhe Beogradi s’e ka të vështirë t’i arrijë objektivat e veta në Shqipërinë e Veriut, ashtu siç nuk e pati të vështirë Athina t’i arrinte në Shqipërinë e Jugut. Sepse mercenarizmin e klasës politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, e ka të siguruar me kohë e me vakt.


Agjencioni Floripress


REXHEP SHAHU


Po thuhet, sipas një ekspozite fotografike patriotike të çelur këtë mes shtatori në Tiranë, në Galerinë e Arteve, se para 100 vitesh, në Shqipëri kanë humbë jetën 200 mijë ushtarë serbe!
Vini re 200 mijë ushtarë serbë. A thua kaq të tmerrshëm në dhunë paskan qenë shqiptarët! Kaq të fortë e të fuqishëm paskan qenë shqiparët dhe dimri e uria e tyre sa me vra e me mbytë e me i lanë të vdekur 200 mijë ushtarë serbë. Thua ku janë varrosë kaq shumë ushtarë serbë…

Kjo sipas një episodi që në historiografinë serbe quhet si “Tërheqja e Madhe” dhe sipas tyre kanë humbur jetën në Shqipëri rreth 200 mijë serbë, kryesisht nga uria dhe ftohti.
Ndoshta është e vërtetë, krejt e vertetë. Ndoshta kanë qenë 400 mijë, ndoshta një milionë ushtarë serbe, dy a tre milionë.

Kujtohet me bujë në Tiranë tash kjo ngjarje që besoj se është e shpikur, për me na pajtue me serbët, pasi po thonë se ka nisë vera e pajtimit shqiptaro – serb apo nisi vjeshta e pajtimeve shqiptaro-serbe. Dhe ky pajtim me serbët që don ta bëjë Tirana, i lyer pak në kokë edhe me ambasador serb në Tiranë, i lyer në kokë edhe me pak kryeministra, me pak artistë të shpikur amatorë, duke e fshirë kërkesën e zëshme e të pazëshme shqiptare se pajtimi mund e duhet të ndodhë por serbët t’i kërkojnë një ndjesë të madhe e të thellë Kosovës, duke harruar se tagrin e pajtimit e të faljes e ka Kosova dhe jo Tirana e cila në asnjë rrethanë nuk ka shpatulla ta mbajë Kosovën në supe.

Pajtimi do të ndodhë e duhet të ndodhë mes shqiptarëve e serbëve si dy popuj të dënuar të bashkëjetojnë, por është e pafisme, për të mos thënë fjalë tjetër, që të ftohen shqiptarët të vajtojnë për serbët, për 200 mijë ushtarë serbë që paskan lënë kockat nëpër Shqipëri para 100 vitesh. Shqiptarët vajtojnë për veten e tyre dhe nuk ka të drejtë askush të na vejë në rrjesht e të na detyrojë të vajtojmë për ushtarët e humbur serbë. Kemi ç’të vajtojmë shqiptaërt e humbur edhe në luftën e fundit shqiptaro-serbe. Apo pajtuesve të mëdhej nuk u bëhet vonë për shqiptarët e humbur nëpër Serbi, për shqiptarët e masakruar prej serbëve dhe serbet nuk tregojnë as varret masive ku kanë groposur civilë shqiptarë.

Pajtuesit e mëdhej që duan benefice politike për pajtimin e madh shqiptaro – serb mos të përgjërohen, mos të shpenzojnë para të madhe për ekpozita pajtimi, për ekpozita mëshire për 200 mijë ushtarët e humbur serbë nëpër Shqipëri, të fotografuar bile edhe nga një fotograf rus, sepse nuk kanë qenë civilë serbë, gra e fëmijë serbe, por ushtarë serbë, nga ato që kanë masakruar gra e fëmijë shqiptarë siç masakruan edhe në luftën e fundit, jo para 100 vitesh por para vetëm 16 vitesh.

Ekspozitën e bujshme në Tiranë për me marrë mindilat e me vajtue 200 mijë ushtarët serbë që vdiqën nëpër Shqipëri, edhe pse të fotografuar nga një fotograf rus, e bën të mjerë dhe të shpëlarë ushtari serb Kosta Novakoviq në ditarin e tij Katër muaj nëpër Shqipëri në vitin 1913. Shkëlqimi i dhunës e mizorisë serbe në vitin 1913, si përfundoi me vdekjen e 200 mijë ushtarëve serbë dy vjet më vonë? Eh!

Por unë kot po pyes, kur paskan vdekë 200 mijë serbë, sa serbë kanë mbetë gjallë?
Sa ushtarë serbë paskan pasë mësy Shqipërinë para 100 vitesh?

Për me vdekë 200 mijë ushtarë, sipas disa teorive ushtarake (me të thënë e kam këtë), duhet të kenë qenë këtu mbi dy milionë ushtarë serbë, që të vdisnin 10 përqind e tyre. Ose me pak, qe të vdisnin 6 përqind e tyre, aq sa thuhet se pranon një ushtri t'i vriten ushtarë.

Sa ka qenë forca ushtarake e Serbisë para 100 vitesh. Nuk besoj se është sekret dhe e paditur. Serbia ka arkiva dhe bota ka arkiva për Serbinë, siç ka për Shqipërinë, ani se shqiptarëve nuk u bie në mend për ato arkiva, se qeveritë tona duan të na bindin se jeta dhe historia jonë nis me ta.
Sa ushtarë ka pasë gjithsej Serbia para 100 vitesh. Sa fronte lufte ka pasë dhe a gjithë trupat e veta i ka mësy drejt Shqipërisë. Sa ushtarë i kanë mbetë Serbisë pasi i kanë vdekë 200 mijë trupa ushtarake në Shqipëri. Sa milionë njerëz ka pasë Serbia para 100 vitesh, kur paska pasë aq shumë ushtri, sa 200 mijë me i vdekë në Shqipëri? A po flitet për Serbinë apo për Kinën? A po flitet për luftë mbrojtëse ku mund të luftojnë edhe macet e shtëpisë apo po flasim për lufte pushtuese e sulmuese larg tokave e trojeve serbe. Pyetjet s'kane fund.

A kanë qenë të gjallë këto 200 mije ushtarë serbë që kanë vdekë, apo kanë qenë të vdekur e kanë ardhë të vdekur. A i pruni Drini e Mati xhenazet e tyre drejt detit Adriatik-ëndrrës serbe.
Edhe një pyetje tjetër, a kanë qenë njerëz, ushtarë, apo kanë qenë pensionistë serbë me bileta të prera për vdekje?

Apo mos kanë qenë miliongona e kanë ardhë me tren për me u varrosë në Shqipëri e me e shpallë pas 100 vitesh Shqipërinë si varrezë serbe?

Ani, dam s'a kanë, dam s'a ba, shtojini edhe nja 50 mijë a 100 mijë ushtarë serbë të vdekur se nuk bëhet nami. Serbë janë në fund të fundit dhe na rritet nami, fama e lavdia që kemi 200 mijë varre serbësh në Shqipëri. Le të vijnë serbët e ta plugojnë me martela tokën tonë me gjetë eshtrat e 200 mijë ushtarëve të tyre të vrarë e të mbytur nga dimri e uria në Shqipëri.

Ky zmadhimi i qëllimshëm i shifrave sig a serbët si nga shqiptarët të bën me vjellë pa futë gishtat në gojë, të bën me vjellë e me nxjerrë zorrë e mushkëri.

E kur thonë se shqiptarët janë sjellë mirë me to. Jo po harrojnë të thonë se shqiptarët u kanë pre edhe nga një dash sejcilit e i kanë dhënë sejcilit nga një krye berri.

Për me e betonizue e për ta bërë të çeliktë urrejtjen shqiptaro - serbe janë kujdesë me kohë serbët por edhe shqiptarët.

Beteja më e madhe shqiptaro - serbe në fytyrë të tokës është bërë në Lumë në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Më falni për këtë mburrje labçe, por një kolonjar i ditur tha, kur përmend emrin Lumë, më thahet goja. Edhe pse e kanë varrosë me urrejtje e zell të madh edhe në tekstin e Historisë tonë të përkthyer nga rusishtja, nuk u varros kjo betejë, kjo lavdi e qëndresë e Lumës. Luma ngriti digën e qëndresës shqiptare disa kohë në nëntor – dhjetor 1912 dhe u ngrit flamuri në Vlorë, pa u lejuar serbët që të mbërrinin në Vlorë para ngritjes së flamurit shqiptar.

Kënga jonë shqipe thotë se ne në Lumë kemi vra 12 mijë ushtarë serbë dhe u kemi shkaktue deme kolosale, kemi shpartallue e nxjerrë jashtë luftimi një divizion ushtarak serb. Ndërkohë Luma ka ngritë në luftë me ligjin e saj nga 7 ne 70 gjithë njerzit. Sa luftëtarë lumjanë e dibranë e hasjanë duhet të mblidheshin me u përballë me një ushtri më të motorrizuar dhe t’i vrisnin asaj ushtrie 12 mijë trupa? Kur kemi vra 12 mijë, duhet të kenë qenë edhe 100 mijë më shumë që kanë ikë me shkue me tregue se çfarë na gjeti në Lumë, apo jo.

Por në fakt nuk ka qenë gjithë armata serbe e drejtuar për Shqipëri 12 mije trupa. Kjo shifra 12 është hedhur poshtë nga studiuesit dhe më konkreti për atë betejë është Sali Onuzi, i cili e lartëson atë betejë si më të lavdishmen në trojet shqiptare, por e zhvesh nga hiperbola e dëmshme.

Ndërkohë që urrejtja jonë e çoi numrin e ushtarëve të vrare serbë në 12 mijë, serbët e çuan shifrën e të vrarëve të tyre në 18 mijë ushtarë serbë të vrarë në zjarrin e ferrit në Lumë. Ata, serbët e kanë më të madhe urrejtjen. Ne me çifteli këndojmë 12 mijë, serbët me gusëll vajtojnë 18 mijë.

Kështu edhe kjo shifra 200 mijë ushtarë serbë të vrarë e të vdekur në Shqipëri, megjithë bujarinë e shqiptarëve dhe trajtimin e mirë që u paskan bërë serbëve, siç po thuhet, me duket se bie ere të keqe kjo shifer. Ani, rrini mbi të, lexojeni mire, merrini erë, mësojeni përmendësh, kendojuani tuajve, shtoni zero sa t'u teket, pune e madhe, trimëria jonë nuk njeh masë, fama dhe lavdia jonë s'ka qiell, mashtrimi që i bëjmë vetes, historisë dhe brezave s'ka kufi.

Mund të përfitohet në mënyra më fisnike, mund të ketë masë në dashuri e urrejtje, se mjafton të thuash të dua e s'ka nevojë të thuash të dua shumë, mjafton të thuash të urrej e s'ka nevojë të thuash të urrej shume.

Ata që nuk kanë qenë trima në kohën e duhur, nuk mund ta kompensojnë mungesën e trimërisë së tyre as të të parëve të tyre as të atdheut të tyre, nuk mund të mbulojnë asgjë, nuk mund të fitojnë asgjë sepse para se të fitojmë pasuri, duhet të japim llogari te dera e varrit. Këtë po harrojme përditë e përnatë.

Unë ndoshta po prashis në det, ndoshta jam jerm, por hajde mbushma mendjen se kjo nuk është rrena më e madhe që kam dëgjuar qe 100 vjet. Pike.

2015/09/20

Gjuha shqipe, gjallesa më e rëndësishme e jona


Nga Besi BEKTESHI



 1 vit më parë Letra e drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, zoti Edi Rama, nga gjuhëtarë, historianë, shkrimtarë si dhe botues në sensin e mos keqpërdorimit të gjuhës shqipe është në këtë drejtim e drejtë. Është e qartë se në 23 vite, si shumë e shumë rrumpallizma ekonomikë dhe politikë, por dhe financiarë dhe kulturorë, artistikë dhe në trashëgimi, në sport dhe media, ka pasur dhe në përdorimin e gjuhës. Banaliteti, zhargonizmat dhe importi nganjëherë pa moral e kanë depersonalizuar pikërisht gjuhën tonë të përveçme dhe krenari kombëtare. Ne, nuk kemi më të madhe krenari kombëtare se sa gjuhën tonë krejtësisht të veçantë dhe që na ngjit në lartësitë e mëdha indo-europiane, por dhe na lidh në mos na vendos në krye me popujt më të vjetër të këtij kontinenti. Nënshkruesit të cilët janë: Emil Lafe (gjuhëtar), Jorgji Gjinari (gjuhëtar), Xhevat Lloshi (gjuhëtar), Valter Memisha (gjuhëtar), Kristina Jorgaqi (gjuhëtare), Rami Memushaj (gjuhëtar), Hajri Shehu (gjuhëtar), Thoma Dhima (gjuhëtar), Nexhip Mërkuri (gjuhëtar), Mustafa Karapinjalli (gjuhëtar), Albert Riska (gjuhëtar), Kiço Blushi (shkrimtar), Nasi Lera (shkrimtar), Preng Cub Lleshi (shkrimtar), Moikom Zeqo (shkrimtar), Kristo Frashëri (historian), Pëllumb Xhufi (historian), Petrit Ymeri (botues), Naim Zoto (botues), Shpëtim Çuçka (përkthyes) padyshim janë shumë të nderuar, por besoj dhe kuptoj qartë se e kanë pasur shumë me Këshillin Ndërakademik. Zotit Rama ata i thonë kështu: Krijimi i gjuhës së shkruar të përbashkët përbën një nga arritjet më madhore të kombit shqiptar.

Njësimin e gjuhës letrare shqipe Kongresi i Drejtshkrimit e pa në thelb - dhe ky është vështrimi i vetëm me të vërtetë shkencor - si parakusht të kulturimit të jetës së shoqërisë dhe si shtytës kryesor të qytetërimit të vendit. Ky njësim nuk qe thjesht zgjedhje e një luleje mes disa lulesh, por përzgjedhje e kristalizim i një sistemi, i cili, më mirë se cilido tjetër, kishte arritur të përfaqësonte gjithçka të mirë të krijuar e të ruajtur me mund e flijim në të shkuarën, dhe, krahas kësaj, vetë prirjen e natyrshme të çdo gjuhe të lëvruar për të ecur drejt begatimit të mëtejshëm e për të marrë pas në këtë rrugë brezat e rinj të një populli. Kjo u arrit duke përgjithësuar në mënyrë shkencore gjithë përvojën e shkrimit dhe të përpunimit të gjuhës shqipe, gjithë frymën e përpjekjeve për të arritur në një gjuhë letrare të njësuar, si thelb i konvergjencës së kombit shqiptar. Shqipja e njësuar e sanksionuar nga ky Kongres dhe e pranuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha gjymtyrët e kombit, u bë mjeti i shprehjes së mendimit shkencor, i ligjërimit të shkruar të të gjitha fushave e stileve, i ligjërimit të folur publik dhe i komunikimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të trojeve etnike, të diasporës dhe të mërgatës. Duke parë këtë rritje cilësore dhe shtrirje të gjuhës letrare, mund të thuhet pa mëdyshje se në rrjedhën e përpjekjeve për gjuhën e njësuar nuk ka arritje më të madhe se Kongresi i Drejtshkrimit. Parimet dhe vendimet e tij - parë me paanësi, largpamësi, qytetari dhe atdhetari - përbëjnë një themel të shëndoshë, të palëkundur e të pazëvendësueshëm për zhvillimin e gjuhës, rrjedhimisht për ngritjen kulturore dhe forcimin e bashkëveprimit e të bashkëpunimit kombëtar. Padyshim që Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është arritja më e madhe sipas meje mbas Komitetit të Stambollit dhe përpjekjeve të Rilindasve tanë për gjuhën shqipe dhe jam i qartë për këtë por...!? Por fjalia “Shqipja e njësuar e sanksionuar nga ky Kongres dhe e pranuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha gjymtyrët e kombit, u bë mjeti i shprehjes së mendimit shkencor, i ligjërimit të shkruar të të gjitha fushave e stileve, i ligjërimit të folur publik dhe i komunikimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të trojeve etnike, të diasporës dhe të mërgatës” sipas meje është pak “gojëmbyllëse” dhe e tepruar në moralistikën politike, duke parë kohën dhe regjimin kur është bërë ky Kongres. Dakord, nëqoftëse i shkojmë kësaj logjike besoj se arrijmë të mbyllim modelin e “gjallesës” në Gjuhën e Mrekullueshme Shqipe, për të cilën ka meritë të madhe jete pikërisht Kongresi i vitit 1972. Mbas 42 viteve dhe sidomos mbas 23 viteve mos kujdes dhe jo përdorim të mirë (jam krejtësisht dakord me letërpërpiluesit e rëndësishëm) e para nuk është marrë në analizë jeta e gjuhës sonë, jeta mbas 1972-shit, suksesi, dhe në fakt mirëqenia e kësaj jete ndër shqiptarë. Po pse e quaj jetë, gjallesë, gjuhën shqipe. Po ajo ka arritur të jetojë dhe e pa shkruar si ndër kombe të tjera. Ajo, është gjallesa më e madhe dhe e famshme shqiptare, dhe për këtë përkulem me shumë e shumë respekt. Por nëqoftëse njerëzit e rëndësishëm të letrës për zotin Rama “mbyllin ciklin e zhvillimit të saj” te vitit 1972, mund të them se po bëjnë për nga rëndësia, po të njëjtin gabim që bëjnë ato që i japin përditë goditje gjuhës tonë me transformimin e saj, me standartin alogjik dhe “zhargonian”, me dialektizmin që superon standartin etj., etj.

Puna shkon deri te ashpërsia, me të cilën me sa duket, personalitetet e shqetësuar nga veprimtaria e Këshillit Ndërakademik i bën të shprehen kështu: Dhe për çështjen e madhe të mbrojtjes dhe lëvrimit të shqipes letrare në përputhje me vendimet historike të Kongresit të Drejtshkrimit ia vlen të bëhet çdo përpjekje dhe të mobilizohet e gjithë shoqëria. Këtu nuk ka vend për liberalizma naivë, as për eksperimentime teorish të ndërtuara në rërë. Nuk na lejohet të shkelim e të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedashës, që me punën ngulmuese dhe diturinë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmi me vlerë të paçmuar. E në fund ka dhe diçka tjetër që thotë: Është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta. Ndërhyrjet në të jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti "të diturish", por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është pronë vetjake e askujt, ajo u përket të gjithë shqiptarëve të sotëm dhe jo vetëm këtyre, por edhe atyre që kanë jetuar para nesh, edhe atyre që do të vijnë pas nesh. Kur flasim për shqipen, mjafton të kujtojmë emrat e atyre që lëvrimit dhe studimit të saj i kushtuan jetën, të atyre që e lartësuan në shkallën e një gjuhe letrare të admirueshme. Kjo duhet t'i bëjë përdhosësit e shqipes të largohen nga rruga e tyre. Por shteti nuk ka përse ta lërë këtë në dorë të ndërgjegjes së askujt.
Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur "ndërakademik" ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe! Zoti Kryeministër! Jemi të bindur se koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe! Historia do të na gjykojë të gjithë për sa do t'i përgjigjemi detyrës ndaj atdheut.

E kuptohet tashmë qartë se problemi është pikërisht “Këshilli Ndërakademik” për të cilin propozohet qartë dhe pastër për tu “larguar” nga rruga e tyre. Tani këtu ka paksa problem, dhe si gjithmonë politika do ti bëjë gjërat për faqe të zezë. Shqiptarët nuk dalin dot nga modelet e dikurshme dhe nga zënkat e përgjithshme. Sot unë jam shumë i qartë se “ata (shqiptarët) nuk do të bëhen bashkë si në vitin 1972” sepse e para vetëm diktaturat e bëjnë këtë gjë shpejt, dhe e dyta, në një liri të tillë, ku dhe më i humburi bën akademikun, nuk mund të qullosësh asgjë normalisht. Por qeverisë nuk mund ti lësh një barrë të tillë, sepse është më tepër se sa i takon asaj. Standarti i shqipes është tashmë, dhe qeveria nuk ka asnjë mënyrë devijimi, ajo në këtë standart do të veprojë (gati shkrova operojë, por u vetëkorrigjova) dhe padyshim, që ky është drejtimi, por lufta e ashpër që mban llogoret dhe fillon të përdorë “fjalë të mëdha” dhe terma të rënduar me cilësime nuk bëjnë zgjidhjen, por vetë problemin.

Prandaj them se gjuha shqipe është gjallesë. Ajo duhet përsosur ashtu sikundër Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972- shit mori përsipër dhe e bëri realitet, por sipas meje (dhe jo vetëm unë) nëqoftëse kanë kaluar 42 vite nga ky Kongres i jashtëzakonshëm (dhe ai ka pasur suksesin e tij në standartizim), si gjuhëtarët, akademikë, shkrimtarë, historianë, duhet të përballen me të sotmen e folur dhe shkruar në Shqipëri, por dhe troje shqiptare, apo dhe etninë shqiptare kudo ku ajo flet dhe shkruan gjuhën tonë. Këtë tani, nuk ka letër, dhe nuk mund të ketë njeri në botë që e mohon. As qeveria nuk mund të kapet në “leqe” në këtë pikë. Realiteti i gjuhës së folur dhe shkruar sot, dhe jo thjesht sikundër e shikon dikush në raportin e të folmes-folurës dhe të shkruarës gegë dhe toskë, sigurisht nuk mund të mohohet. Ky realitet, kërkon një qasje të lartë shkencore dhe akademike, dhe në asnjë mënyrë nuk është problem i qeverisë Rama. Kjo qeveri po mundohet të shkruajë më mirë dhe më qartë, por dhe më në standart letrat e saj, por ajo nuk mund të jetë modeli ku duhet të “dalë kunji”, sepse thjesht nuk bën, nuk ka pse të futet në këtë “kurth të vogël” dhe të pa nevojshëm!

Vetëm për hatrin e Këshillit Ndërakademik, nuk mund të ndëshkohet lëvrimi, jetësimi, mirëqenia, modernizimi, dhe sidomos vijimi i standartizmit të Gjuhës Shqipe. Kongresi i ‘72-shit nëqoftëse shikohet se një produkt që do të mbetet i pa lëvizur, dhe që nuk merr parasysh kohën, zhvillimin shoqëror dhe demografik, që nuk e di gjuhën shqipe si gjallesën më të madhe shqiptare në ato pjesë të jashtëzakonshme jetësore që kemi, besoj se i bie shumë rëndësia dhe normalisht kthehet në dogmë. Tutela e gjuhës, mbase kërkon diçka dhe mbas, e nuk mund të jetë “vetëm propozimi i firmëtarëve që i thotë qeverisë shkri Këshillin ndërakademik”!? Ky në fakt do të ishte një propozim, dhe duhet parë si një diçka që nuk ndan, por bashkon. Përndryshe do të nisë lufta e kotë dhe e paprinciptë e ndarjes krahinore, e ndarjes politike medemek djathtas majtas, dhe e zakonit aspak normal dhe i errët shqiptar për fat të keq, që luftën e shikon me modelin antagonist shqiptar-shqiptar!?

E fundit, sa do që një qeveri të drejtojë dhe të bëjë punën e saj, në modelet akademike dhe shkencore ndjehet vulnerabël dhe kur ka plotësisht të drejtë dhe për këtë është qartësisht e nevojshme për një organ tutele dhe mirëkujdesje për gjuhën dhe padyshim në studim të saj nga mosha e vogël, sipas meje deri në vitin e fundit të gjimnazit. Ky mund të jetë një propozim dhe reformë, dhe për këtë kërkohet organizëm gjithëpërfshirës e me sa të mundet akademizimi të mbrohet nga politika, pikërisht duhet sa më pak politikë. Kjo, dhe është e vështirë, dhe prandaj them, kujdes me rëndimin që mund ti bëhet asaj me ngarkesa që pastaj shkaktojnë ballafaqim të ashpër të cilin ne shqiptarët e kemi si një model jete, por që i shkaktojmë vetes shumë e shumë telashe.

“Fjalori i gjuhës shqipe”

“Fjalori i gjuhës shqipe”, i botuar më 2006, me rreth 48 000 fjalë, i hartuar nga Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Thanas Feka, Valter Memisha, Artan Goga. Fjalori ka një numër më të madh fjalësh se fjalorët e mëparshëm, por vëllimi i tij fizik është zvogëluar nëpërmjet trajtimesh leksikografike të një fjalori të vogël: sinteza më të mëdha kuptimore që ngjeshin strukturat kuptimore të fjalëve, gërshetimi i tipit leksemor me atë çerdhor në fjalë me prejardhje të drejtpërdrejtë fjalëformuese. Ky fjalor i ri i gjuhës shqipe ruan e pasuron vlerat e gjithë fjalorëve të mëparshëm, mbush zbrazëtitë e tyre me fjalë e kuptime, veçanërisht të 10-15 viteve të fundit, plotëson sistemin e shënimeve për përdorimin e fjalëve, thjeshton shpjegimet në përshtatje me përdoruesit e tij etj. Një drejtim tjetër i punës së Departamentit të leksikologjisë dhe të terminologjisë ka qenë hartimi i fjalorëve të veçantë e specialë, si fjalorë frazeologjikë, sinonimikë etj.
1. “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, 1999, me rreth 12.000 njësi, i hartuar nga Jani Thomai. Ai zgjidh në parim e në sistem çështjen e identitetit të njësisë frazeologjike gjuhësore, duke e dalluar atë nga njësitë më të afërta, si sintagmat gramatikore (në qoftë se…, me përjashtim të…), nga sintagmat e figurshme (prapa krahëve, nën rrogoz…), nga shprehjet e figurshme letrare, nga proverbat e fjalët e urta etj. Fjalori përcakton prerë kufijtë e njësisë frazeologjike në shqipe, ku nis e ku mbaron si strukturë, e kjo lidhet me parafjalët a me lidhëzat, me trajtat e shkurtra përemërore (me krahë hapur, si kofini pas së vjeli, i mbush kokën…), me gjymtyrët e përhershme e të mundshme të njësive frazeologjike, me disa kategori gramatikore, si shquarsia a numri për emrat, koha e foljes etj. (i jap udhë diçkaje: “e zgjidh diçka” dhe i jap udhët dikujt: “e përzë dikë”). Ky fjalor e trajton gjithë lëndën leksikografikisht në mënyrë modelore, por sipas veçantive të frazeologjisë, me ngurosje strukturore dhe me idiomatikë të kuptimeve leksikore. Po ashtu, fjalori jep në mënyrë sa më të plotë, por të thukët, kuptimet e njësive frazeologjike, duke e zhvendosur qendrën e rëndesës te vlerat emocionuese-shprehëse, që janë më të mëdha se te fjalët sinonime (krhs. fut hundët dhe ndërhyj, e solli kokën dhe erdhi, e theu qafën dhe iku…).
Ilustrimi me shembuj të zgjedhur plotëson ndonjë zbrazëti të shpjegimeve dhe jep përdorimin e gjallë të njësive frazeologjike. Detyra e parë e më kryesore e punës mbi këtë fjalor ka qenë ndërtimi i korpusit të frazeologjisë shqipe me shpjegime. Ky korpus zgjidh njëherë sistemin e frazeologjisë gjuhësore të shqipes e mund të shërbejë edhe për hartimin e fjalorëve të tjerë frazeologjikë njëgjuhësh a dygjuhësh me vëllime të ndryshme, për fjalorët shpjegues etj. Për një fjalor të tillë, më shumë se për një fjalor fjalësh, kanë nevojë shkrimtarët, publicistët, përkthyesit, ata që mësojnë gjuhën shqipe, gjuhëtarët krahasimtarë, madje edhe folkloristët ose psikologët që duan të zbulojnë mendësinë popullore dhe etnokulturën, të ngjizura historikisht në struktura frazeologjike. Fjalori ka si hyrje një studim të gjerë, që ndrion sistemin konceptor për frazeologjinë dhe shtron parimet teorike e kriteret praktike leksikografike të këtij fjalori.
2. “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, i botuar më 2004, me rreth 29.000 fjalë, i hartuar nga Jani Thomai, Miço Samara, Hajri Shehu, Thanas Feka. Përmban vetëm fjalë sinonimike, me ndarje kuptimore, me shpjegime të ngjeshura e me shembuj nga letërsia artistike, nga publicistika, nga folklori, nga ligjërimet e folura popullore etj. Fjalori bën shtresimin e sinonimeve sipas përdorimit, sipas fushave e sipas vlerave të mbishtresuara, duke dhënë shpjegime e shënime plotësuese që dallojnë njësitë normë nga fjalët krahinore të ngushta a të vjetruara. Sinonimet grupohen te fjala kryesore në vargun sinonimik, kurse fjalët e tjera, sipas rastit, referohen te kjo fjalë kryesore. Fjalori prihet nga një Hyrje, në të cilën shpjegohet koncepti për sinoniminë leksikore dhe për fjalorin sinonimik, si edhe jepen parimet e kriteret e ndërtimit të këtij fjalori. Por sistemi teorik për sinoniminë përshkon gjithë lëndën e fjalorit, makrostrukturën e mikrostrukturën e tij, përzgjedhjen e fjalëve, raportet leksiko-semantike ndërmjet tyre, bashkësinë e diferencat, veçoritë e përdorimit etj. Kështu, vetë fjalori mëton të jetë jo thjesht një vepër gjuhësore praktike, por edhe një “traktat” teorik në mungesë të studimeve për sinoniminë leksikore në gjuhën shqipe. Departamenti i leksikologjisë dhe i terminologjisë ka në pronësi të vet edhe Kartotekën e leksikut të shqipes (KLSH), e cila u themelua më 1955. Ajo u ndërtua që t’u shërbente detyrave që duhej të zgjidhte leksikografia shqipe.

FJALOR ARABISHT-SHQIP (Rreth 70 000 fjalë dhe shprehje)



SULEJMAN TOMÇINI

FJALOR ARABISHT - SHQIP

(Rreth 70 000 fjalë dhe shprehje)

INSTITUTI SI-IQIPTAR I MENDIMIT DHE I QYTETËRIMIT ISLAM

Titulli: Fjalor arabisht - shqip

Autor: Sulejman Tomçini

Redaktorë të gjuhës shqipe: Prof. Dr. Enver Hysa, Prof. Dr. Hajri Shehu

Korrektura: Sulejman Tomçini

Redaktor i gjuhës arabe: Alban Kodra

Përkujdesja grafike: Alban Kodra

Botues: Dr. Ramiz Zekaj

Faqe: 1154


Botim i pestë

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC)

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Fjalor arabisht - shqip: (rreth 70000 fjalë dhe shprehje)/ Sulejman Tomçini ; red. në shqip e arab. Enver Hysa, Hajri Shehu, Alban Kodra. - Tiranë : AI1TC, 2009. 1154 f.; 19.6 x 27 cm

Tit. edhe teksti edhe me germa arabe

ISBN: 978-99956-713-4-1

Tiranë – 2013




PASQYRA E LËNDËS

Fjala e botuesit VII

Parathënia e autorit X

Shkurtime XII

Treguesi alfabetik XIII

Fjalori 1-1117

Emërtime gjeografike . 1118 -1133





Botimi më i ri i Fjalorit Arabisht-Shqip plotëson mozaikun e fjalorëve të gjuhëve lindore në gjuhën shqipe. Fjalori është i shoqëruar me shpjegime të hollësishme dhe me barasvlerësit përkthimorë dhe përbën një nga botimet e para të këtij lloji në tregun e botimeve shqipe. Autori i tij është Sulejman Tomçini, një diplomat i njohur karriere, me përvojë të gjatë pune në vendet arabe (Algjeri, Egjipt, Arabi Saudite) dhe në sektorin e gjuhës arabe në Radio-Televizionin Shqiptar. Ai i ka nisur studimet e larta për gjuhën arabe në vitet gjashtëdhjetë në Moskë, por për arsye politike të kohës i përfundoi ato në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Për përgatitjen e këtij fjalori autori është këshilluar me shumë fjalorë të tjerë të botuar në vendet arabe, në Moskë dhe në Shqipëri.

Një fjalor i këtyre përmasave botohet për herë të parë në Shqipëri. Me gjithë vonesën prej disa dhjetëvjeçarësh, kjo vepër i vjen gjuhësisë shqiptare në një moment të volitshëm e të dobishëm, i vjen në një kohë kur duhen parë me një sy vlerësues e kritik lidhjet e vjetra dhe të reja të arabishtes me shqipen, si dhe prurjet e gjuhës arabe në shkencat tona humane. Ajo përcakton, në një farë mënyre, edhe nivelin me të cilin duhet të përballet gjuhësia jonë bashkëkohore në momentin që do t'u rikthehet kontakteve dhe komunikimit me gjuhët e lindjes.

Ky fjalor paraget leksikun dhe frazeologjinë e gjuhës standarde arabe. Ai mbështetet në leksikun që gjendet në tekstet e librave, gazetave, revistave dhe letrave anembanë botës arabe, që nga Iraku deri në Marok. Ky leksik përdoret, gjithashtu, në fjalimet zyrtare publike, në radio e televizion, si dhe në ceremonitë fetare.

Morfologjia dhe sintaksa e arabishtes së shkruar është në thelb e njëjtë për të gjitha vendet arabe. Ndryshimet në leksik kufizohen kryesisht në lëmin e termave të veçantë. Kështu gjuha standarde vazhdon, ashtu siç dhe ka bërë përgjatë shekujve në të shkuarën, të sigurojë unitetin gjuhësor të botës arabe. Ajo siguron një mjet komunikimi që mbulon hapësirën e gjerë gjeografike me dialekte të shumta lokale dhe gjerësisht të ndryshme. Në të vërtetë, ajo u jep popujve arabë të shumë vendeve ndjenjën e identitetit dhe vetëdijen e trashëgimisë së tyre të përbashkët...

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...