Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/05

Libri i Aleksandër Meksit, autobiografi e shoqërisë shqiptare

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe njëri nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit dhe themelimit të PD-së, ka botuar librin “Rrugë e vështirë” në dy vëllime.
Libri i profesor Aleksandër Meksit është një vlerë e shtuar në memorien kombëtare, pasi ngjarje dhe zhvillime të një periudhe mjaft dinamike dhe shumë të diskutuar vijnë përmes një narrative të përkorë por edhe të sinqertë. Pavarësisht lidhjes emocionale me ngjarjet, njerëzit, datat etj., profesor Meksi ka shkruar si një dëshmitar që i dhemb shtrembërimi apo interpretimi i asaj që ka ndodhur
Ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe njëri nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit dhe themelimit të PD-së, ka botuar librin “Rrugë e vështirë” në dy vëllime.
Vëllimi i parë i këtij libri ka shkrime dhe intervista, ndërsa vëllimi i dytë sjell një shënim me nuancë humori “Për njerëz dhe libra”. Duke lexuar titullin “Rrugë e vështirë” tingëllon si autobiografi e autorit, por në të vërtetë ajo është një autobiografi e gjithë shoqërisë shqiptare, me tranzicionin, problemet politike dhe ekonomike dhe ato kulturore. Një pjesë e shkrimeve të botuara në këto dy vëllime të Aleksandër Meksit janë shkrime dhe intervista të botuara në shtypin e përditshëm, që kanë ardhur në formën e reflektimeve, jo vetëm në kohën e duhur, por edhe për kohën që do të pasojë. Pjesa e intervistave të botuara nga gazetarë të mediave të ndryshme, rrëfen qartë se mendimi i politikanit dhe studiuesit Aleksandër Meksi kërkohet si për të vënë pikën mbi “i” në problemet e mëdha që shfaqen në Shqipëri dhe ato të udhëheqjes së vendit. Meksi është një nga politikanët më të njohur shqiptarë.
Dy kulmet e jetës së tij politike kanë qenë kur ishte Kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1992–1997 dhe në Dhjetor 1990, ku mori pjesë në themelimin e Partisë Demokratike. Profesor Aleksandër Meksi dallohet gjithashtu edhe për studimet e tij në lëmin e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore. Ish-kryeministri Meksi është shprehur se “këto dy dhjetëvjeçarë të tranzicionit kanë qenë të mbushur me ndodhi nga më të ndryshmet, me vështirësi e suksese, përparime e dështime, me pritshmëri e zhgënjime. Kjo përmbledhje synon të hedh dritë për këto vite. Kam shkruar e kam folur shumë herë më tepër se çka paraqitet këtu. Po kështu, në shtypin tonë mund të gjejnë dhe shkrime që lidhen me punën dhe mendimet e mija edhe ato mund të vlejnë për të vlerësuar qëndrimin tim për problemet që trajtohen në këtë vëllim, sigurisht duke marrë parasysh kohën kur janë shkruar”. Vëllimi i parë i librit përfshin 57 shkrime dhe 5 intervista, shumica e të cilëve janë botuar në organe të ndryshme të shtypit shqiptar në një hark kohor prej rreth 17 vitesh.
Ish kryeministri shprehet se “në përzgjedhjen e tyre ka synuar të paraqesë disa prej problemeve më të rëndësishme të politikës dhe shoqërisë sonë, që e kanë preokupuar dhe për të cilat ka shprehur mendime vazhdimisht përpara publikut dhe që janë ende aktuale”. 

Flutura Açka, kësaj radhe me përmbledhjen 'Ftesë për flirt'

Shkrimtarja Flutura Açka gati përmbledhjen poetike “Ftesë për flirt”, një libër midis erotikës dhe sociale. Ende pa dalë libri, ajo është cilësuar si lirike erotike e brishtë, e pabindur…A do të përsëritet historia si me librin e poetes Rita Petro?! Flutura Açka shprehet se libri është erotikë dhe jo erotikë pornografike, dhe dalja e botimit të tij është shtyrë prej muajsh nga zhurma e “Vrimës”
Flutura Açka është nga shkrimtaret më aktive, si autore, por edhe e angazhuar në debatet sociale e politike në vend, duke mos qëndruar indiferente në situata që shpesh kanë përfshirë jo pak në debate mediatike. E vendosur shpesh “jashtë” këtij sistemi ku jetojmë, Açka ka ndërtuar në njëfarë mënyre edhe letërsinë e saj. Rasti i fundit, romani “Kukullat”. Por, te ky rrëfim totalisht kontroverse, shkrimtarja heq “make up”-in e njerëzve pas ekranit përmes një kirurgjie letrare mbi realitetin. “Mua më është dashur shumë të shkëputem nga Flutura për të zbuluar atë pjesën që është dhimbja njerëzore e gruas që ne nuk e kuptojmë. S’e kuptojmë këtë realitet kaq të zymtë, e injorojmë dhe në harrojmë se këto pjesë janë bashkë me jetën. Shkruaj për gruan që po plaket dhe në fakt nuk ka jetuar. Kjo është tema që më ka shqetësuar”. Kjo është një çast nga gjithë bisturia e shkrimtares, për ta perceptuar pse në këtë fillim vit ajo bën gati një botim të ri, të quajtur “Ftesë për flirt”. Është përmbledhje poetike midis erosit dhe gjendjes, si rezistencë femërore.
Erdhëm me një parantezë të gjatë për të pritur mbi arsyet e Açkës mbi këtë vëllim poetik, që mund të jetë flirt erotik, që iu ndodh përditë grave shqiptare, por mund të jetë ftesë për flirt politik, që ju ndodh përditë burrave të politikës shqiptare, por dhe çfarëdo tjetër situatë që e vendos qenien tonë në lëkundjet morale, asaj që është e erës së hershme, të mirës e së keqes.
Duke tejkaluar këto marrëdhënie Açka thotë për “Mapon”, se “ftesa” e saj “për flirt” ka kuptim shumëdimensional. Një pjesë janë poezi erotike, këmbëngul të thotë se janë “erotike e jo pornografike”, si ajo e “Vesit të burrit”, poezi e publikuar në 2008.
Botimin e ka pasur gati për panairi e librit që u mbajt në nëntor 2015, por e shtyu duke parë që poezitë e koleges së saj, poetes Rita Petro bënë shumë zhurmë duke “e detyruar” ta shtynte për në janar të këtij viti, 2016-ën. “…”A shkruan poezi më”, më pyesin shpesh miq e gazetarë. “Po, shkruaj, por i hedh rrotull, s’di se ku, nëpër rrëmujën time të letrave. Sa poezi mbase do të mbesin harruar nëpër blloqëza. Këtë fat mund të kenë edhe tregimet e mia; ngaqë poezinë dhe tregimin e shkruaj me dorë. Por këtë radhë vendosa t’i kthehem dashurisë sime të parë. Nuk është aq pa drojë kjo tufë poezish të përmbledhura në këtë libër që do ta prezantoj së shpejti. Kjo, sepse poezia është aq e brishtë dhe aq ‘e pabindur’, sa ç’është edhe e paqtë”, – mbërrin në këtë dalje të re Açka në rikthimin si poete.
Por libri është i ndarë mes erotikës dhe sociales. Një cikël të saj është prezantuar për herë të parë në revistën letrare, “Poeteka”, në numrin e 35. Për këtë poezi, botuesi i saj Arjan Leka është shprehur se si një grua e fortë, që shkruan një roman denoncues si “Kukullat”, ka brenda saj edhe një lirikë erotike kaq të brishtë.
“Të jesh lexues poezie, është fat, sepse jo të gjithë janë. Por të jesh autor poezish, është bekim. Çfarë do të na mbesë nga kjo rrekje? Kur shkruajmë poezi, nuk e mendojmë, sepse shkruajmë siç ndiejmë…”, shkruan Açka duke na dhënë për botim dy poezi nga përmbledhja “Ftesë për flirt”. Për të kaluar në një tjetër atmosferë, Açka na lë poezinë “Aht..”, që flitet me një frymë. E pakuptueshme fillimisht, por poetja e shpjegon me frymëmarrjen e durimit me gjithë “Aht-in e këtij kombi durimshumtë!”

Botohet në frëngjisht një nga tregimet e romanit "Angelus Novus" të Bashkim Shehut

Është libri i katërt i botuar në Francë nga ky autor.
Një tregim brenda romanit "Angelus Novus" të Bashkim Shehut, përkthyer në frëngjisht nga Élisabeth Chabuel, botohet si libër më vete në Francë, me titullin “Gracka”, nga Shtëpia Botuese "Éditions Imprévues", e cila ka interes të veçantë për letërsinë shqipe.
Është libri i katërt i botuar në Francë nga ky autor. 
Personazhi i gjithëpranishëm i këtij romani është Historia, e cila me fuqinë e saj të përbindshme e të verbër, sjell shkatërrimin e jetëve të panumërta. Përballë Historisë, pohohet tragjikisht vlera e papërsëritshme e çdo historie të veçantë njerëzore. Është një nga temat e parapëlqyera të këtij autori, dhe në romanin "Angelus Novus" gjejmë një trajtim më të thelluar të saj.
Shkrimtari Bashkim Shehu, i cili jeton në Spanjë, por në kohë të fundit është gjithnjë e më shpesh në Tiranë, është autor edhe i një vistër veprash të tjera: Rrethi, roman, 2002, Orfeu në Zululandën e Re, roman, 2003, Udhëkryqi dhe humnerat, roman, 2003, Mulliri që gëlltiste shpirtra, novela, 2004, Gjarpri dhe heronj të tjerë, roman, 2004, Angelus novus, roman, 2005, Hija e gurit, tregime të zgjedhura, 2006, Mozart, me vonesë, roman, 2009, Loja, shembja e qiellit, roman, 2013. 

Kthehen librat e humbur të Konicës, së shpejti edhe një monografi

Librat e gjetur prej bibliotekës së Konicës bartin etiketën e famshme “Ex Libris” dhe autografe dedikuese të autorëve për vetë Konicën, të cilat janë edhe një e veçantë identifikuese e kësaj biblioteke të famshme. Studiuesi Agron Alibali së shpejti do të botojë edhe një monografi për Faik Konicën.
Biblioteka e Faik Konicës, që ende konsiderohet e humbur, numëron rreth 2000 tituj.
Disa nga librat e tij janë gjetur në SHBA falë pasionit, punës kërkimore shumëvjeçare të studiuesit Agron Alibali.
Kolekionisti i sjell në Tiranë në përgjigje të amanetit të vetë Konicës për t’ia besuar Bibliotekës Kombëtare. Janë disa nga librat e ccmuar të tij si: “Popolo, lingua e letteratura albanese” e Gaetano Petrotës, edicioni luksoz i “Lahutës së Malcis” dhuruar po me dedikim latinisht nga vetë Gjergj Fishta, i shndërrojnë këto libra në bartës afektesh të shumëfishta, të cilave u shtohen edhe ato të bashkohësisë sonë. 

"Interesi im për Konicën u nxit gjatë kohës që studioja në Shkollën e Drejtësisë së Universitetit të Harvardit në vitin 2000. Në bibliotekën e famshme të universitetit pata rastin të takohem me botimin e plotë të revistës së famshme “Albania”. Në raftet me koleksionin e pasur të librave shqip gjeta dhe historinë e Shqipërisë së Ndoc Nikajt. Brenda bleut të rrallë ishte një kartë e shkruar nga dora e Faik Konicës, ku ai komentonte me mprehtësi për mënyrën e botimit. Ndërkohë që kisha filluar të koleksionoj libra të rralla shqip, të gjetura në bibliotekat e brezit të vjetër të shqiptarëve në Boston, raportet e sekretares personale Charlotte Graham të Konicës më tërhoqën veçanërisht vëmendjen, sidomos pohimi i prerë se Konica kishte lënë gojarisht si amanet që biblioteka e tij e rrallë t’i lihej trashëgim Bibliotekës Kombëtare në Tiranë" thotë mes tjerash Alibali. 

"Enver Hoxha" i Blendi Fevizut edhe në anglisht


Libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën do të flas edhe anglisht. Kështu ka njoftuar vetë gazetari i njohur dhe autori i librit. “”Enver Hoxha” publikohet në Londër në përkthimin në anglisht, dhe sipas Fevizut I.B.Tauris ka mbaruar botimin dhe e hedh në treg këto ditë.
Me poshtë dy nga vlerësimet e librit për tregun anglishtfolës të cilat i ka postuar vet Fevizu:
 
Puna e Blendi Fevziut është e jashtëzakonshme. E shkruar si një novelë krimi, bazuar në akses të pakrahasuar në arshivat e shtetit Shqiptar, që më parë kanë qënë të mbyllura, libri është I detyrueshëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë Europën komuniste dhe mënyrën se si lindnin dhe mbijetonin diktaturat. Fevziu ia del mbanë në mënyrë brilante për të kapur torturat e regjimit 41 vjecar të Hoxhës, dhe I jep zë shumë zërave që Hoxha kish mbytur. Jo vetëm kjo, por duke pasur parasysh dhe historikun e Hoxhës, Fevziu na ndihmon të kuptojmë pse rruga e Shqipërisë në demokraci është kaq e vështirë. Kjo biografi është një arritje e madhe.
(Rober Austin Shkolla e Aferave nderkombetare – Universiteti i Torontos – Kanada)
Bazuar në burime arkivore, orale të publikuara ose jo, Enver Hoxha I Blendi Fevziut është një rrefim tërheqës dhe realist I jetës dhe kohës të diktatorit Stalinist të SHqipërisë si dhe vendit që ai udhëhoqi me dorë të hekurt për katër dekada. Ky libër ëshë një kombinim mjeshtëror I biografisë dhe historisë.
(Nicolas Pano profesor i historise ne Universitetin e Ëestern Illinoisit USA)

Massimo Cacciari: Vdekja e artit ka kuptim pozitiv dhe jo negativ

Shoqëria e konsumit na bën budallenj – thotë Adorni, ndërsa Hegelit thekson se përballë artit të kohës sonë është e pamundur të qëndrosh duke u lutur, por ndoshta është i mundur një veprim edhe më i thellë: të reflektosh duke qeshur. Komedia – tragjedia midis Beketit dhe Bekonit si një dëshirë që publiku t’i afrohet dhe ta kuptojë artin. Arti bashkëkohor, si arti i reflektimit ecën nga paraqitja ironiko-tragjike e mosmarrëveshjeve midis nostalgjisë së veprës së subjektit dhe rezultatit të kërkimit të tij, përmes eksperimenteve heroike të avangardave historike që t’i japin zgjidhje deri në dorëzimin ironiko-komik, deri tek vepra si mohim i veprës, tek arti si vdekje e artit, tek arti që nuk mund të çojë përtej vetes, tek arti që nuk plotësohet tek pafuqia e operari-t të vet që të shprehë atë kënaqësi, apo pajtim të subjektit me botën e vet, që edukimi estetik dukej se ia siguronte. Artit që zbarzet kenotikisht. Një rezultat i tillë, vërtet tragjikomik, mbërrin përmes së qeshurës së madhe jokonstruktive të çdo forme apo tregimi, e Qeshur drejt çdo logoje projektuese

Përgatiti për botim Arjan Kallço
Përse zgjodhët Beketin dhe Bekonin?
Massimo Cacciari:  Të dy autorët janë figura kyçe të kulturës që ta kuptojmë gjithë artin bashkëkohor, sepse Beketi e çon në pasoja ekstreme arsyetimin që vjen nga bashkëpunimi i tij me Xhojsin, ndërsa Bekoni interpreton në aspektin dramatik konkluzionin e rrymës ekspresioniste në kundërshtim me atë abstrakte.
Do të ndaleni në konceptin e vdekjes së artit?
Massimo Cacciari: Vdekja e artit ka kuptim pozitiv dhe jo negativ. Më shumë sesa vdekje duhet thënë fund, përmbushje e idesë së artit që duhet të bazohet tek ideja e estetikës, e kënaqësisë, e bukurisë që është dhe ideja e Hegelit. Përkundrazi, arti bashkëkohor është i mendjes, i ironisë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do të thotë kërkime, eksperimente, aventura. Një arti i gjithi eksperimental, intelektual që punon rreth konceptit.
Në të vërtetë, herë pas here, flitet për vdekjen e artit, veçanërisht aty nga fundi i viteve ’70, kur pas shumë rrymash eksperimentale, dukej sikur arti nuk arrinte të thoshte asgjë të re?  
Massimo Cacciari: Ka mbi dy shekuj që arti ka vdekur. Një farë ideje për artin mori fund me Romanticizmin. “Vdiq” sepse nuk ka më veprimtari që ne i quajmë artistike. Është i ndryshëm arti i Beketit dhe Bekonit. Avangardë pas avangarde çojnë në përmbushjen radikale të kësaj idesë së tyre, që nuk ka të bëjë fare me artin e mëparshëm, edhe pse përsëriten, saqë të përzihet në stomak.
Prof. Cacciari ju keni shkruar se artit bashkëkohor i duhet mohuar çdo bukuri, menjëhershmëri, harmoni. Ai që nuk di të marrë pjesë me të qeshurën ndaj  këtij arti, kurrë nuk mund ta kuptojë dhe dojë. Një e qeshur që lidhet me dimensionin tragjik?
Massimo Cacciari: Komikja dhe tragjikja lidhen mes tyre dhe ky dimension është shumë i fortë te Beketi. Kur shohim Duke pritur Godonë, edhe mund të qeshim. Kjo ndodh edhe kur e lexojmë Kafkën: paraqitja e jothelbësores absolute, e asaj që s’ka qëllim është komike, por mund të jetë dhe tragjike. Tragjiken që mund ta shkaktojë e qeshura. Kjo është paraqitja artistike sot dhe nga kjo, afëria midis komedisë dhe tragjedisë.
Por e qeshura që ngjallin disa vepra të avangardës, duhet pëlqyer apo mëshiruar?
Massimo Cacciari: Nuk mund të ketë të qeshur për kënaqësi, sepse autori nuk qëndron më lart. Një e qeshur për mëshirë, po.
Dyshamp i dha një goditje të madhe artit, jemi ende në kohën dyshampjane?
Massimo Cacciari: Po, nëse marrim në konsideratë intelektualët e mëdhenj të artit bashkëkohor.  Pranohet loja, prandaj nuk mund t’i japësh asnjë kuptim të përcaktuar veprës. U vizatua një ermeneutikë e pafund. Studimi është eksperimentimi i një kulture alternative. Kështu prezantohet objekti dhe është e gabuar ta interpretosh Dyshampin në paraqitjen e objektit (ëc)… jashtë kontekstit. Problemi është prania e pastër e sendit, por çfarë është sendi, ky është misteri.
Arti mbaroi së qëni nevoja më e lartë e shpirtit?
Massimo Cacciari: Nuk ka qenë kurrë. Arti paraqiste nevojat më të larta të shpirtit, kur ishte i lidhur me një dimension fetar, me impenjimin politik…
Besoj se kemi mbetur tek Transavangarda e Bonito Olivës e themeluar mbi konceptin e Nomadizmit. Ku jemi sot?
Massimo Cacciari: Në vitet ’80 në Bienalen e Venecias ishte e rëndësishme ekspozita e Transavangardës, e organizuar nga vetë Oliva. Është stina e fundit që ka kuptim me atë të Artit të varfër. Tani jemi në fazën e përsëritjes, citimit, reflektimit. Arti që përtyp vetëveten. Janë fakte të pashmangshme të evolucionit të artit, por as nuk mund të flitet për evolucion të artit, si të filozofisë. Ka forma të ndryshme të filozofisë dhe artit.
Po Bienalja e fundit e Venecias?
Massimo Cacciari: Është më e keqja e mohimit të vetëvetes, e parë tashmë, e lodhur, pa ironi. E plasaritur.

Akademik Mehmet Kraja: Kadare ktheu në personazhe Esat Mekulin dhe Azem Shkrelin

Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë

Gjatë qëndrimit sado të shkurtër në Kosovë në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja kishte marrë me vete imazhe dhe mbresa, të cilat nuk do t’i shlyheshin aq shpejt. Ai e kishte njohur ambientin kosovar. Në mënyrë të veçantë atë të Prishtinës. E kishte parë nga afër si funksiononte ky komunitet i shqiptarëve, çfarë synonte dhe cilat ishin preokupimet e tij. Kishte pasur takime dhe njohje me njerëz të ndryshëm, veçmas me të tillë që i përkisnin shtresës intelektuale. 

Ndonjë vit më vonë, ndërsa mund të ketë dëgjuar dhe lexuar se çfarë ndodhte me këta njerëz, tashmë miq të tij; si ishin përfshirë ata në një proces të egër të diferencimit politik; pra, në një rrethanë të këtillë, Kadareja do të ketë ndërtuar pa ndonjë vështirësi të madhe konstruktin rrëfimor të romanit “Krushqit janë të ngrirë”. Në të vërtetë, romani është mbështetje e përballjes së suksesshme dhe jashtëzakonisht dinjitoze të inteligjencies kosovare me aparaturën e egër represive të pushtetit dhe, në këtë pikë, romani përfshin një dimension më të gjerë të konfliktit të përjetshëm të shtetit represiv me atë shtresë të popullsisë, e cila ndryshe quhet ndërgjegje njerëzore. Në Kosovën e vitit 1981, kjo përplasje ishte e ashpër dhe gjithëpërfshirëse.
Në qendër të rrëfimit të tij, Kadareja vendos një galeri personazhesh imagjinare, por që, disa prej tyre, krijojnë ngjashmëri të qartë me personat realë. Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë. Mirëpo, ashtu siç ndodh rëndom në letërsi, imanenca e rrëfimit romanor e çon autorin në shqyrtime dhe përplotësime imagjinative. Teuta Shkreli është kirurge në spitalin e Prishtinës. Ajo, në procesin e diferencimit, akuzohet për përfshirje në tri çështje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me demonstratat: Kush e shtoi numrin e shtretërve në spital, në repartin e kirurgjisë, një natë përpara demonstratave? Kush i angazhoi autoambulancat për bartjen e të plagosurve? Kush e zhduku librin e të vdekurve? Ky është, si të thuash, rrafshi dokumentar i romanit.
Por Kadareja, i cili shquhet për imagjinatë shpërthyese, nuk mund ta linte rrëfimin vetëm në suaza të ndodhive reale. Përballë çiftit Shkreli dhe personazheve të tjera të kësaj kategorie, ai vendos kundërpeshën e tyre, njerëzit e sigurimit, të UDB-së, të cilët situatën e krijuar në Kosovë e shohin si mundësi për ringjalljen e kohëve të errëta, në radhë të parë, të periudhës së Rankoviçit. Fitorja morale e Teuta Shkrelit mund ta ngazëllejë lexuesin, por në këndvështrimin e shkrimtarit ajo nuk i davarit retë e errëta mbi Kosovën e viteve të ardhshme. Mitet dhe legjendat vrastare, nga studimet etnografike të Martin Shkrelit, tashmë kanë dalë në dritë të diellit dhe kanë marrë forcën e shfaqjes reale. Mbyllja e romanit është rrëqethëse: Si te Skorsa, Kadareja zbret në varrin pa gjurmë të Shpend Brezftohtit dhe që andej sjell imazhin e një vdekjeje që gllabëron dhe tret trupin e një viktime të pafajshme. Kjo vdekje duket sikur pret në pusi kohë të reja dhe viktima të reja. 

Me këtë roman, Kadareja i jep Kosovës një mbështetje të fortë letrare, krahas mbështetjes politike. Mbështetja e tij letrare është esenciale: Kosova, në njërën nga situatat e saj më të rënda, bëhet subjekt i veprës të tij. Botimi i romanit në Tiranë, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, më një anë dhe, më anën tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm serb dhe jugosllav. Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën. Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...