2016-04-16

Deputetja Voltana Ademi bën kallëzimin. “I thuaj kryetarit të mos flasë shumë për mua, se do i ketë punët keq”






Partia Demokratike denoncon publikisht një kërcënim që Emiljano Shullazi i ka bërë pak ditë më parë kreut të PD-së, Lulzim Basha. Mesazhi kërcënues i Shullazit për kryetarin e PD-së nuk ka mbërritur përmes celularit, siç u njoftua fillimisht gjatë ditës së djeshme, por përmes një deputeteje të forcës së tij politike, saktësisht Voltana Ademit. Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme tha se Shullazi ka dalë nga një lokal dhe i ka prerë rrugën deputetes Voltana Ademit, të cilës i ka kërkuar t’i çojë mesazh kryetarit Lulzim Bashës që t’i japë fund sulmit ndaj tij. Nga ana tjetër, edhe prokuroria konfirmoi se kallëzimi i PD-së për Emiljano Shullazin, ishte bërë nga deputetja demokrate Voltana Ademi, e cila ishte dhe ajo që mori drejtpërdrejt mesazhin kërcënues të Emiljano Shullazit për Bashën. Kallëzimi në fjalë vjen pesë ditë pas dy atentateve që kanë ndodhur në Tiranë, në datën 5 janar, ku objektivi në një prej tyre ishte personazhi Emiljano Shullazi. Në atentatin tjetër sërish objektiv ishte shoku i tij, Pajtim Serjani, ndërsa çështjet po hetohen të ndara.

Deputetja
“Unë kam qenë në shoqërinë e një shoqeje, kur më është afruar një person që nuk e njihja më parë. Ai m’u prezantua me emër: ‘Jam Emiljano Shullazi dhe kam një mesazh’. Menjëherë i kam thënë se ‘unë nuk merrem me këto punë’. Ai ka insistuar se mesazhi ishte për kryetarin e Partisë Demokratike. ‘I thuaj kryetarit të mos flasë shumë për mua, se do i ketë punët keq. Të mos ma përmendë më emrin’, më tha, ndërsa më pas u largua”

Kallëzimi i deputetes
Mesditën e djeshme, në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, është paraqitur deputetja Voltana Ademi, ku ka kërkuar të bëjë një denoncim penal. Përfaqësuesja e Partisë Demokratike ka kërkuar që të takohet me kreun e kësaj akuze, prokurorin Eugen Beçi, ndërsa pak çaste më vonë, para një oficeri të policisë gjyqësore ka përpiluar edhe denoncimin. Ademi pretendonte se disa ditë më parë, në një lokal në Tiranë, i është afruar një person, duke iu prezantuar. “Unë kam qenë në shoqërinë e një shoqeje, kur më është afruar një person që nuk e njihja më parë. Ai m’u prezantua me emër: ‘Jam Emiljano Shullazi dhe kam një mesazh’. Menjëherë i kam thënë se ‘unë nuk merrem me këto punë’. Ai ka insistuar se mesazhi ishte për kryetarin e Partisë Demokratike. ‘I thuaj kryetarit të mos flasë shumë për mua, se do i ketë punët keq. Të mos ma përmendë më emrin’, më tha, ndërsa më pas u largua”, mësohet se ka deklaruar në prokurori deputetja Ademi, para hetuesit të çështjes.

Hetimet e prokurorisë

Menjëherë pas këtij kallëzimi, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se kanë filluar verifikimin e kallëzimit të deputetes Ademi. Prokuroria ka kërkuar më shumë informacione për vendndodhjen e ligjvënëses, ndërsa ka marrë të dhëna se lokali ndodhet në zonën e Tiranës së Re. Prokuroria i ka kërkuar informacione Policisë së Tiranës për të shkuar në vendin në fjalë, ku do të merren deponimet e kamerierëve dhe personave që ndodheshin në atë çast. Gjithashtu, në pyetje do të merret edhe shoqëruesja e Ademit, e cila është identifikuar me emër dhe do të konfirmojë nëse deputetja ka marrë apo jo ndonjë “kërcënim”. Burimet nga Krimet e Rënda thanë se, në varësi të materialeve që do të sjellë policia, do të vendosin nëse do të fillojnë apo jo ndonjë procedim penal ndaj shtetasit Emiljano Shullazi. Madje, gjatë kësaj kohe, nuk përjashtohet mundësia që ai të merret në pyetje, për të vërtetuar nëse mes tij dhe Ademit ka pasur apo jo ndonjë bisedë.

Denoncimi i PD-së

Partia Demokratike, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm Arben Ristani, deklaroi se Edi Rama i ofroi të gjitha lehtësitë Emiljano Shullazit në lidhje me ngjarjen e fundit kriminale. Nga selia blu, në një dalje publike për mediat, Ristani tha se kreu i bandës kriminale, Emiljano Shullazi, përfitoi nga favoret e krijuara prej Edi Ramës dhe pas përplasjes së përgjakshme me të vrarë e të plagosur, ai lëvizte i lirë nëpër baret e Tiranës. “Të gjitha këto shkojnë përtej mundësive të një banditi. Këto janë rrethana që Emiljano Shullazit ia krijoi Kryeministri i vendit sipas paktit kriminal. Cila është marrëveshja që ke ti z. Rama me Emiljano Shullazin? A e lirove ti atë nga burgu, për të shërbyer porositë e tua politike, kërcënimet ndaj opozitës? A e lirove ti Shullazin që të kërcënojë kryetarin e opozitës, siç edhe ai veproi pak orë pasi doli nga ambientet e policisë? Je sot z. Rama përballë këtyre pyetjeve, që janë padyshim jo vetëm akuzat, por edhe provat për lidhjen organike që ti ke me këtë bandë”, u shpreh Ristani. Ai shtoi më tej se Partia Demokratike, publikisht, në sytë e të gjithë qytetarëve të paralajmëron, se Edi Rama është dhe do të mbahet drejtpërdrejt përgjegjës për kërcënimet që ky bandit i bën opozitës dhe kryetarit të opozitës. Ristani deklaroi se nuk ka tjetër përgjegjës veç Kryeministrit dhe garantoi se kjo përgjegjësi do të mbahet prej tij deri në fund.

Laboratori Kriminalistik nuk ekzaminon gëzhojat dhe armët







Dy pistoletat dhe 31 gëzhojat e kalibrave të ndryshëm, që u sekuestruan në dy ngjarjet e 5 janarit, ku u shënuan dy atentatet te Rruga e Kavajës dhe te Qafa e Kasharit, ende nuk janë ekzaminuar nga Laboratori Qendror Kriminalistik në Ministrinë e Brendshme. Lajmi mësohet për gazetën “Shqip” nga burime të sigurta në Policinë e Shtetit, të cilat konfirmuan se dje, kur kishin kaluar gjashtë ditë nga ngjarjet e dhunshme që tronditën Tiranën, provat e sekuestruara në vendngjarje ishin ende të paprekura nga ekspertët.

Specialisti

Ende nuk dihet zyrtarisht se cili është shkaku se përse nuk ka filluar ekzaminimi i gëzhojave dhe armëve të mbledhura në vendngjarjen ku u vra 42-vjeçari Artur Baze dhe u plagos efektivi i policisë, Roland Meta, si dhe në vendin ku u plagos Emiljano Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani, porse burimet e mësipërme japin të dhëna plotësuese, të cilat mund të japin një ide se përse kjo nuk ka ndodhur. Referuar burimeve, prej disa ditësh në këtë laborator nuk po duket “njeriu kyç”, ose thënë ndryshe specialisti i caktuar për ekspertizën laboratorike dhe balistike të gëzhojave dhe armëve. Mendohet se ai ndodhet jashtë shtetit, për shkaqe që nuk dihen nëse kanë lidhje me punën, pra ndonjë trajnim ose vizitë pune apo është atje për motive personale, por ajo çka është e sigurt mbetet fakti që pistoletat dhe gëzhojat ende nuk janë prekur. Në rrugë zyrtare, Policia e Shtetit, këto ditë ka thënë vetëm se armët janë dërguar në laborator për ekspertizë, por nuk ka sqaruar nëse kjo ekspertizë ka nisur apo jo. Nga ana tjetër, edhe prokurorët që po merren me këtë çështje konfirmojnë për gazetën se ende nuk ka mbërritur ndonjë përgjigje nga Laboratori Kriminalistik, çfarë hedh dyshime të forta që puna për ekspertizën ende nuk ka nisur.

Laboratori

Referuar praktikave të mëhershme, për precedentë të ngjashëm, ky laborator ka arritur që në një kohë rekord të nxjerrë përgjigje të sakta rreth armëve apo gëzhojave të sekuestruara në vendngjarje të ndryshme. Në fakt, ky laborator, vetëm pak ditë më parë është transferuar nga zyrat pranë Ministrisë së Brendshme tek ambientet pranë Gardës së Republikës, ku janë instaluar edhe aparaturat përkatëse, për t’ua lënë vendin zyrave të reja të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Prej muajsh, në fakt është vënë re një mungesë e theksuar profesionalizmi në drejtimin e këtij laboratori, ku janë hedhur dyshime edhe mbi ekspertizat për ngjarjet në Lazarat apo ngjarje të tjera.

Armët

Si praktikë pune, 31 gëzhojat dhe dy armët duhet të ekzaminoheshin, për të nxjerrë nëse armët janë përdorur ndonjëherë më parë në ngjarje të tjera, si dhe nga çfarë armësh kanë dalë gëzhojat e gjetura në të dyja vendngjarjet, ndonëse paraprakisht me sy të lirë, sipas burimeve, dallohet që u përkasin pistoletave dhe kallashnikovëve. Nga ana e saj, Policia e Tiranës, në dy komunikimet zyrtare me median është shprehur se “në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një krehër pistolete dhe një krehër automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore”, ndërsa në komunikimin e parë, u tha se “në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 9mm, 3 copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pistoletë m-54, një armë zjarri “Bereta”, si dhe automjeti me targë AA417 KU”. Ky mjet rezulton në pronësi të një kompanie industriale në rrugën “Islam Alla”, ndërsa mjeti “Golf 4″, me të cilin udhëtonte Emiljano Shullazi, me targa AA 629 HR, i përkiste një shtetasi nga Rrushbulli i Durrësit. Ndërkaq, në komunikimet zyrtare, Policia e Tiranës nuk ka përmendur ndonjë detaj rreth ecurisë së hetimeve ndaj personave të dyshuar për atentatin që iu bë Emiljano Shullazit, e cila deri më tani mbetet ngjarje e pazbardhur, për të cilën janë dërguar në laborator 24 gëzhoja të llojeve të ndryshme. Deri tani dihet vetëm se gëzhojat mund t’u përkasin armëve të llojeve kallashnikov dhe pistoleta, por pritet një përgjigje zyrtare e analizave balistike, për të dhënë një konkluzion më të qartë.

Sali Berisha: Ja lidhjet e Ramës me Shullazin




Ish kryeminsitri Sali Berisha ka renditur disa detaje të ngjarjeve të tre netëve më parë në Tiranë, për të faktuar, sipas tij se kryeministri Edi Rama ka lidhje me bandën e Emiljano Shullazit. “Ky akt kriminal akuzon rende Ramen dhe tregon lidhjet e tmerrshme te tij me krimin dhe me kete bande, si kryetari defakto i saj. Ne kete gjendje, Rama i zbuluar me lakuriq se ne plazhet e botes, vrapoi dje me terbim te gjeje nje gjethe fiku per te mbuluar turpet e tij. Ai zgjodhi per te tille padine penale dhe civile ndaj Edi Palokes, vetem e vetem se, ne emer te opozites, ai i beri dje publikisht Rames disa pyetje per lirimin e Shullazit dhe qe atij i ngecen keqas ne fyte”, shkruan Berisha.

Statusi i Berishës

Nuk mbulohesh dot me gjethe fiku Edvin! Ti je kaput meduze e bandes dhe bandave te krimit ne kete vend!

Te dashur miq. Tre nete me pare, Tirana u terrorizue nga nje krim serial i bandes se qeverise Shullazi, u pergjaken Rruga e Kavajes, Rruga D Hila dhe, rrethe 20 minuta me vone, edhe autostrada ne dalje te Tiranes.
Dje, policia e shtetit policor, qe ka burgosur me urdher te Rames per energji adoleshenten qe rriste tre jetim se nuk kishte para per te paguar energji apo qe kishte marre ne komisariat edhe femije pese vjecar me te emen, po per kete shkak, liroi me nderime te vecanta mekembesin e qeverise ne banden Shullazi, Emilianon. Ky akt kriminal akuzon rende Ramen dhe tregon lidhjet e tmerrshme te tij me krimin dhe me kete bande, si kryetari defakto i saj. Ne kete gjendje, Rama i zbuluar me lakuriq se ne plazhet e botes, vrapoi dje me terbim te gjeje nje gjethe fiku per te mbuluar turpet e tij. Ai zgjodhi per te tille padine penale dhe civile ndaj Edi Palokes, vetem e vetem se, ne emer te opozites, ai i beri dje publikisht Rames disa pyetje per lirimin e Shullazit dhe qe atij i ngecen keqas ne fyte.
Tani me duhet t’i them zotit Rama, jo me pyetje retorike por troç dhe direkt se, ti je caput meduze, pra koka e meduzes te kesaj bande dhe krimit te organizuar sepse :

1-Ti je koka e meduzes te kesaj bande dhe krimit ne Shqiperi sepse dje, Policia e PS me urdher nga lart, liroi pa asnje arsye ligjore por vetem duke pergenjeshtruar vehten dhe manipuluar provat, kreun e bandes Shullazin. E beri kete akt kriminal per llogari te Edi Palokes apo te Edi Rames? Kete cdo shqiptar e ka tashme te qarte.

2- Policia e Partise Socialiste nisi publikisht manipulimin e ngjarjes, qe naten e pare te krimit serial, kurse Didi, ky vrases i PS, pergenjeshtronte Policine e Tiranes, reporteret e mediave ne teren dhe vet spitalin e Traumes, qe deklaronin ne unison se Shullazi eshte i plagosur dhe gjendet ne spital. Didi i PS deklaronte me zyren e tij se, Emili i PS nuk eshte i plagosur. E bente kete mashtrim Didi per llogari te Edi Palokes apo te Edi Rames qe donte me cdo kusht qe Emili i Partise te dilte i palagur? Kete e ka te qarte cdo qytetar.

3-Ti je kreu i meduzes te bandes dhe krimit te organizuar ne kete vend dhe Shullazi aty eshte vetem Ergysi yt sepse, me urdher nga lart, Policia PS pa asnje prove, fakt apo argument, deklaroi dje se ngjarjet e para tre neteve nuk lidheshin njera me tjetren. Pra, policia mashtroj duke thene se Shullazi nuk ishte nisur per Tirane, per shkak se banda e tij u pergjak ne Rrugen e Kavajes, por tek vinte ne Tirane per nje dore letra apo dicka tjeter, ai ishte viktime e nje atentati, prite kundra tij. E beri kete trillim per llogari te Palokes, qe ti frikacak, e nderove me padine civile dhe penale apo te Edi Rames qe ka perdor banden kunder opozites? Kete çdo shqiptar e di.

4-Ti je kreu i meduzes te bandes Shullazi dhe i krimit te organizuar ne teresi sepse dje, Policia e PS per ta bere edhe me te besueshem mashtrimin e vet dhe per ta nxjerre edhe me te paster, me te lare Emilin e PS, per te justifikuar lirimin e tij , deklaroi te kunderten e asaj qe kishte deklaruar tre dite me rradhe, se ngjarja e Qaf Kasharit ka ndodhur 15 minuta para ngjarjes ne Rrugen e Kavajes. Kjo behej per te nxjerre super te lare Shullazin e qeverise, pra per te faktuar se ai nuk po vinte ne Tirane sepse atij iu godit banda, por po vinte per nje dore letra me Sajmirin e tij apo per te kthyer ndonje borxh mbasi ne makinen e tij, pervec gezhojave te revolverit, u gjenden 7 mije euro, mijra dollare dhe qindra mijera lek. E beri kete policia e PS per llogari te Edi Palokes apo te Edvinit ne krye te PS? Kete çdo njeri, pervec teje qe mbulohesh me gjethe fiku, e dine shume mire.

5- Ti je kreu i meduzes sepse, per te mjergulluar ngjarjen, policia arrin sa te komunikoj dhe me te vdekur. Ajo u tha dje shqiptareve se, atentatori i vrare kishte ndermend te vriste kater persona. E beri kete, pra mori ne pyetje te vdekurin policia e PS per llogari te Edi Palokes apo te Edvin Kristaq Rames? Kete cdo polic e di.

6-Edvin, ti je koka e shemtuar e meduzes sepse, per te mbrojtur vehten, lidhjet tuaja me banden dhe krimin, nxjerr papagajt dhe papagushkat tuaja qe perdhosin apo kane shnedruar studiot televizive ne lavamane apo tualete te qeverise, duke deklaruar ne mbrojtje tende se, nuk prishe katin e pare te nderteses dhe nuk preke katin e dyte se banonte nje familja (papagushka nr 1), apo se Shullazi i Partise nuk eshte plagosur (papagalli nr 4), e madje dhe me shume. Ata ne percartjen e tyre mjerane, per te mbrojtu ty, vjellin per publikun ne studjo e debate televzive, iluzionet e mendjes tende te semure, sipas te ciles Riformato i yti dhe Belushkes mori urdher nga Berisha per te hedhur ne Divjake rroten e avionit te droges, ( papagalli nr 1). E bejne kete papagajt e tu per llogari te Edi Palokes apo te kryeministrit rrote avioni? Kete e di dhe çdo femije!!

Si perfundim, lidhjet e Edi Rames me krimin dhe bandat jane te tmerrshme, te pazgjidheshme dhe mjerisht me pasoja katastrofale per vendin dhe stabilitetin e tij! Vetem largimi i tij, me protesta mbare popullore, do te shpetojne Shqiperine!

Dyshimi i hetuesve: Mbetje baruti në duart e Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit




Atentatet

Pritet ekspertiza. “Viktimat” shkuan në spital 60 minuta pas ngjarjes

artur baze_1Policia dhe prokuroria ia kalojnë njëra-tjetrës vendimin për lirimin nga burgu të Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, tha se vendimi për të mos proceduar penalisht “viktimat” e atentatit në zonën e quajtur Qafa e Kasharit në Tiranë ka qenë e prokurorit. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se policia ka pasur shumë dyshime për veprimet e Shullazit dhe Danit, madje nuk i arrestuan në flagrancë këta persona. Deri më tani, policia tha se ka sekuestruar një krehër pistolete dhe një kallashnikovi pranë vendit të ngjarjes, përpos gëzhojave të shumta. Por, te Qafa e Kasharit nuk është gjetur armë. Prokuroria ka dyshime se midis automjetit tip “Golf”, ku udhëtonin Shullazi e Dani dhe mjetit tjetër që i ndiqte, ka pasur shkëmbim zjarri. Madje, “viktimat” i janë kundërpërgjigjur breshërisë së armëve të dala nga mjeti “Porche”. Por, policia tha zyrtarisht se në vendngjarje nuk janë gjetur armë zjarri. Prokuroria ka kërkuar një sërë ekspertimesh, si për gëzhojat, por edhe për dyshimin se në duart e Shullazit dhe Danit ka pasur mbetje baruti.


Ekspertimet

Prokurori i çështjes, Kol Hysenaj, ka urdhëruar policinë shkencore të kryejë një sërë ekspertimesh për ngjarjen te Qafa e Kasharit, pasi ka shumë dyshime. Në laborator janë dërguar një sërë gëzhojash, pistoletash dhe kallashnikovi, si dhe një krehër pistolete e kallashi. “Janë dy lloje gëzhojash, të cilët po ekspertohen, për të parë se nga janë qëlluar. Gjithashtu janë dërguar edhe krehrat e kallashit dhe pistoletës. Po presim përgjigjet”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Ndërkohë, nga ana tjetër, hetuesit kanë marrë nga duart e Shullazit dhe Danit disa kampionë, duke i dërguar sërish në laborator. “Kemi dyshime se në duart e dy personave që ndodheshin në automjetin tip “Golf” janë gjetur faktorë plotësues të qitjeve me armë zjarri. Por, ende nuk kemi një përgjigje nga laboratori kriminalistik në Ministrinë e Brendshme. Nisur edhe nga dinamika e ngjarjes, dyshojmë se edhe këta persona kanë qëlluar me armë zjarri. Megjithatë, në automjet nuk janë gjetur armë të tilla”, pohojnë burimet nga akuza. Tashmë, çdo dyshim i ngritur, shkon në favor të Shullazit dhe Danit, ndaj të cilëve nuk mund të ngrihen akuza me aludime, por vetëm me prova. Akuza thotë zyrtarisht se po pret këto ekspertime, për të vendosur nëse do të ngrejë apo jo akuzë ndaj këtyre personave, por nga ana tjetër thekson se i kërkon policisë të rikrehë edhe njëherë vendin e ngjarjes, për ndonjë armë të mundshme. Akuza ka kërkuar edhe tabulatet telefonike të “viktimave”, për të parë edhe thirrjet telefonike para dhe pas atentatit.


Në spital pas 60 minutash

Policia thotë se Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani janë paraqitur në spital 60 minuta pas atentatit te Qafa e Kasharit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, tha se informacioni në sallën operative ka ardhur rreth orës 20:30, ku në vendin në fjalë ka pasur të shtëna me armë zjarri e për pasojë një mjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar jashtë rrugës. “Prokurori ka shkuar në vendngjarje. Policia është sinjalizuar se në Spitalin Ushtarak është paraqitur i plagosur me armë zjarri Emiljano Shullazi, 36 vjeç, i shoqëruar nga Gilmando Dani, 36 vjeç, i cili ishte i dëmtuar në kokë nga dalja jashtë rruge e mjetit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, me automjetin tip ‘Volksvagen Golf’, me targa AA 629 HR, kanë qenë duke u kthyer nga Fushë-Kruja në drejtim të Tiranës dhe, sipas të dhënave paraprake, rreth orës 19:30 janë qëlluar me breshëri armësh zjarri nga një mjet tjetër dhe për pasojë kanë humbur kontrollin e mjetit e kanë dalë nga rruga. Në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një krehër pistolete dhe një krehër automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore. Deri tani, për zbardhjen e rrethanave të të dy ngjarjeve, motiveve dhe autorëve të tyre janë shoqëruar në polici 32 shtetas”, tha Çipa. Ai është pyetur edhe për lirimin e Shullazit, teksa pohoi se “grupi hetimor, i kryesuar nga prokurori, referuar tërësisht provave materiale të gjetura në vendngjarje, nuk e ka parë të arsyeshme të procedojë me arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë dhe në vijim prokuroria do të vendosë për ecurinë e mëtejshme të këtij hetimi”. Në lidhje me akuzat politike, Çipa theksoi se institucioni që drejton nuk merret me komente politike, ndërsa i bëri thirrje që ta lënë të bëjë detyrën. s. ç.

Deklaratat
Tahiri: Lëreni policinë rehat
Artan Didi: Nuk jam hetues
Përveç deklaratës së kryepolicit të Tiranës, Ardian Çipa, ngjarja e Rrugës së Kavajës u komentua edhe nga kreu i dikasterit blu, Saimir Tahiri, i cili kërkoi që policia të lihej e qetë, ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, nuk pranoi të fliste rreth saj. Mes të tjerave Tahiri, në rrjetin social “Facebook”, shkruante dje, se “Policia e Shtetit është në krye të detyrës në luftë kundër paligjshmërisë dhe krimit. Koha e kriminelëve të paprekshëm që mbroheshin nga pushteti, ka mbaruar një herë e mirë”. Duke iu referuar akuzave të Partisë Demokratike, ai u përgjigjet: “E shkatërruan, politizuan dhe kriminalizuan Policinë e Shtetit, e tani mendojnë se vazhdon njëlloj siç bënin vetë. Janë mësuar të mbajnë anën e krimit, jo të shtetit e as të ligjit. Lëreni Policinë rehat të bëjë punën, lëreni të luftojë paligjshmërinë dhe kriminalitetin”. Ndërkaq, Didi u shpreh se “këto janë probleme që janë në hetim e sipër. Unë jam drejtori i përgjithshëm, nuk jam as drejtuesi i grupit hetimor dhe as prokuror”.

Misteri i 7 mijë eurove, 3 mijë dollarëve dhe 450 mijë lekëve në makinën e Shullazit



Sekuestrimi

Policia: Dyshojmë për gjobëvënie, të hënën ndërroi tri makina

Mësohet se Golf-i me të cilin udhëtonin Shullazi dhe Dani ishte në pronësi të një personi nga Rrashbulli i Durrësit, i cili është marrë në pyetje

Atentati i dështuar ndaj Emiljano Shullazit ka ngritur të tjera pikëpyetje për drejtësinë, e cila e ka person me precedentë penalë, madje është mbajtur për një kohë të gjatë në vëzhgim. Pas plagosjes në vendin e quajtur “Qafa e Kasharit”, policia ka kontrolluar automjetin tip Golf 4 me targa AA 629 HR, me të cilën udhëtonin Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, teksa ata deklarojnë se po ktheheshin në Tiranë, pas një vizite në Fushë-Krujë.

Agjentët e parë të policisë, që kanë kontrolluar këtë mjet, kanë gjetur shuma të mëdha parash. Kartëmonedhat ishin shpërndarë në të gjithë mjetin, në sediljet e para apo në ato pas, ndërsa disa prerje kishin dalë jashtë tij. “Në automjetin tip Golf 4, që doli jashtë rruge në autostradën Tiranë-Durrës, është gjetur një shumë prej 7 mijë eurosh, 3 mijë dollarësh dhe 450 mijë lekësh. Këto kartëmonedha ishin të shpërndara në të gjithë mjetin, ndërsa u sekuestruan si provë materiale”, pohojnë burimet nga policia.

Por, nisur edhe nga kjo shumë parash, policia dyshon se ato mund të jenë marrë si pasojë e ndonjë gjobëvënie të mundshme në Fushë-Krujë, ku Shullazi dhe Dani deklaruan se ishin. Dëshmia e tyre ende nuk është marrë e mirëqenë, pasi policia po verifikon disa prova të tjera, si pronësia e automjetit apo edhe paratë e gjetura. Mësohet se Golf-i ishte në pronësi të një personi me origjinë nga Rrashbulli i Durrësit, i cili është marrë në pyetje për fatin e automjetit. Ende nuk dihet dëshmia e tij, nëse ishte apo jo e vjedhur.

Policia ka marrë të tjera dëshmi apo informacione operative për lëvizjet e Shullazit ditën e hënë. Nga të dhënat mësohet se ai ka ndërruar tri automjete. “Kemi marrë informacione se Emiljano Shullazi ka ndërruar ditën e hënë tri automjete. Ai është mbajtur në vëzhgim nga strukturat e policisë për një kohë të gjatë, kjo edhe për shkak të së kaluarës së tij”, pohojnë burimet policore, të cilat shtojnë se ka dyshime se Shullazi dhe Dani mund t’u kenë vendosur gjoba biznesmenëve të ndryshëm në disa qytete të Shqipërisë. Megjithatë, deri më tani, ka vetëm dyshime dhe pa asnjë fakt, teksa provat e gjetura në automjet do të ndihmojnë hetuesit për ndonjë të dhënë me tepër.

Dëshmia e policit para kolegëve: E qëllova se na drejtoi armën



Vrasja me dashje?

Policia referoi materialet në prokurori për Metën me akuzën e vrasjes për vetëmbrojtje. Ndërkohë, mësohet se prokuroria diskutoi dje aktet dhe me shumë mundësi do të kërkojë sot masën e arrestit burg pa afat për oficerin për vrasje me dashje

Hetimet

Roland Meta: I thashë ‘ndal policia!’, por ai nxori pistoletën dhe më qëlloi. Pas plagosjes, reagova

Dy plumbat e gjetur në trupin e viktimës Artur Baze alias Arjanit Sterio kishin dalë nga pistoleta e Metës

Të dhëna
Seanca – Pamundësia e transportimit të Metës në gjykatë ka detyruar drejtësinë t’i komunikojë sot akuzën në shtratin e spitalit, ku 37-vjeçari ka probleme nga dy plumbat
Dëshmia – Atentatori ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar mbi Pajtim Serjanin. Në këtë moment i kam thënë ‘ndal policia!’. Ai më qëlloi dy herë, ndërsa unë reagova duke qëlluar mbi të
Rekrutimi – Roland Meta është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor 2007, detyrë që e mban edhe sot

Sokol Çobo

ngjarrja ne TiranePrania e një efektivi të Policisë së Shtetit në atentatin e së hënës në Rrugën e Kavajës ka ngjallur mjaft dyshime për drejtësinë, e cila ende nuk ka vendosur se çfarë akuze do të ngrejë për Roland Metën. Policia ka dërguar disa materiale në prokurori për këtë oficer, i cili mbeti i plagosur me dy plumba, duke e akuzuar për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes. Nga ekspertimet ka dalë se dy plumbat në trupin e viktimës Artur Baze alias Arjanit Sterio kishin dalë nga pistoleta e Metës. Ndërkohë, gazeta “Shqip” mësoi se dje, grupi hetimor i kryesuar nga prokurori Fation Bunjaku, ka diskutuar këto akte, duke ndryshuar edhe akuzën ndaj këtij efektivi. Prokuroria do të kërkojë masën e arrestit me burg pa afat, duke e akuzuar për vrasje me dashje. Duket se policia dhe prokuroria kanë diskordanca për provat që rëndojnë ndaj efektivit të plagosur, ndërsa do të jetë gjykata e cila do të vendosë për fatin e 37-vjeçarit. Nga ana tjetër, sot, Gjykata e Tiranës do të zhvillojë masën e sigurisë, por ajo do të kryhet në Spitalin Ushtarak. Pamundësia e transportimit të Metës në gjykatë ka detyruar drejtësinë t’i komunikojë akuzën në shtratin e spitalit, ku 37-vjeçari ka probleme nga dy plumbat, ku njëri e ka prekur në shtyllën kurrizore. Megjithatë, gjendja e tij dje u stabilizua, aq sa hetuesit e çështjes i morën edhe një rrëfim për ngjarjen e 5 janarit.

Dëshmia e Metës

Para një grupi hetimor të Prokurorisë së Tiranës, Roland Meta, ka shpjeguar për disa minuta përfshirjen e tij në atentatin në Rrugën e Kavajës, ku ai u plagos. Ai ka pranuar se ka qëlluar me armë zjarri një person, i cili më vonë është identifikuar si Artur Baze alias Arjanit Sterio. “Unë kam qëlluar personin në fjalë. Më drejtoi armën dhe nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër”, mësohet se ka deklaruar Meta, ndërsa ka shpjeguar se në vendin e ngjarjes është ftuar nga një shoku i tij. “Unë nuk kam qenë në detyrë, por me vete kisha armën e punës. Isha në shoqërinë e disa personave, disa prej të cilëve nuk kisha njohje. Me njërin prej personave në tavolinë kam pasur shoqëri. Gjatë kohës që po qëndronim në ambientin në fjalë, na është afruar një person i dyshimtë. Ai lëvizte me hapa të shpejtë, teksa na u afrua drejt tavolinës sonë. Atentatori ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar mbi Pajtim Serjanin, duke e plagosur. Në këtë moment i kam thënë ‘ndal policia!’, dhe kam nxjerrë armën e punës. Ai më qëlloi me shpejtësi dy herë, ndërsa disa çaste më vonë e kam qëlluar. Autori u largua nga vendi ku qëndroja unë bashkë me personat e tjerë dhe e kam ndjekur për një moment. Ai ka qëlluar sërish në atë gjendje. Gjithçka e kam kryer për vetëmbrojtje. Nuk e kisha parë kurrë më parë personin që na u afrua”, – mësohet se ka deklaruar për prokurorët Roland Meta, nga Spitali Ushtarak.


Versioni i policisë

Dëshmia e Metës përputhet edhe me versionin e policisë për ngjarjen te Rruga e Kavajës, ndërsa tashmë do të mësohen edhe provat e mbledhura nga prokuroria, e cila ka ngritur paraprakisht akuzë tjetër ndaj 37-vjeçarit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, në një konferencë për shtyp, tha dje se policia është njoftuar në orën 19:45 për ngjarjen te Rruga e Kavajës. Në këtë vendngjarje u sekuestruan një sërë gëzhojash të kalibrave të ndryshëm si dhe një pistoletë “Beretta”. “Nga rrethimi i vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, në rrugën ‘Him Kolli’, në një distancë rreth 1 kilometra është gjetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio (Artur Baze), 42 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet paraprake është marrë informacion se në Spitalin Ushtarak ka shkuar i plagosur Pajtim Serjani, 32 vjeç, ndërsa në një spital privat në Tiranë ka shkuar i plagosur me armë zjarri punonjësi i policisë, Roland Meta. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është arritur të saktësohet se rreth orës 19.40, viktima, Arjanit Sterio ka tentuar të vrasë me armë zjarri Pajtim Serjanin, Roland Metën dhe dy persona të tjerë. Pasi ka plagosur me armë Serjanin, punonjësi i policisë ka reaguar duke i bërë thirrje ‘ndal policia!’. Në këtë moment, vrasësi ka reaguar duke plagosur punonjësin e policisë, i cili edhe në këto kushte i është përgjigjur me shkëmbim zjarri, duke e plagosur rëndë. Arjanit Sterio është përpjekur të largohet dhe rreth 1 km më larg ka mbetur i vdekur”, tha Çipa. Ai theksoi se grupi hetimor, i kryesuar nga një prokuror i Tiranës, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Roland Meta për veprën penale ‘Vrasje, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme’. “Punonjësi i policisë, Roland Meta, është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor të vitit 2007, detyrë që e mban edhe sot”, – theksoi Çipa. Mësohet se një verifikim për këtë punonjës po e bën edhe SHKB-ja, për të parë lidhjet e Metës me personat që ishin në shoqërinë e tij, disa prej të cilëve me precedentë të mëparshëm kriminalë dhe shokë të Emiljano Shullazit.

CV-ja

Cili ishte Arjanit Sterio, ose Artur Baze, 42-vjeçari me banim në Laprakë dhe i deportuar nga Greqia

Atentatori, dyshohet për dy ngjarje të tjera

Arjanit Sterio, 42-vjeçari i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e 5 janarit, në Rrugën e Kavajës, duket se ka të kaluar të pasur kriminale, pasi CV-ja e tij, ndonëse e pakonfirmuar zyrtarisht, mbetet e mbushur me të dhëna që i përkasin botës së krimit. Nga burimet policore, deri më tani është sqaruar vetëm momenti kur Sterio, i cili tashmë njihet si Artur Baze, ishte paguar për të vrarë personat ndaj të cilëve u bë atentati, ku shënjestër duket se ishte Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit, por u qëllua për vdekje nga efektivi i policisë, Roland Meta, i cili, sipas burimeve zyrtare nga uniformat blu e kishte paralajmëruar për ndalim me shprehjen “ndal policia!”. Familjarët e tij e tërhoqën pardje trupin e pajetë nga morgu i Tiranës, teksa burime pranë Mjekësisë Ligjore thanë për gazetën “Shqip” se ai kishte një plumb në kokë dhe të tjerë në trup. Nga ana tjetër, për sa kohë ka qëndruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, Arjanit Sterio, nuk ishte skeduar asnjëherë zyrtarisht nga Policia e Shtetit, pasi emri i tij, si dhe ai i ndryshuar në Artur Baze, nuk rezulton në asnjë dosje policore. Por, referuar burimeve, mësohet se ai dyshohet të jetë implikuar si përgjegjës direkt në dy ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri, pa specifikuar për çfarë bëhet fjalë. Për shkak se nuk ka pasur prova që e lidhnin me këto ngjarje, ai nuk është proceduar kurrë. Nga ana tjetër, mësohet se 42-vjeçari, i lindur dhe rritur në Çorovodë, rreth viteve 2004-2005 ishte deportuar nga Greqia, pasi kishte kaluar kufirin ilegalisht, ndërsa ende mbetet i paqartë i gjithë aktiviteti i tij në shtetin grek. Autoritetet e policisë dhe drejtësisë së palës greke nuk u kanë përcjellë homologëve shqiptarë ndonjë dosje rreth tij, por ende nuk dihet nëse është ndaluar apo dënuar ndonjëherë në shtetin fqinj. Megjithatë, mes të dhënave të pakta që disponohen rreth këtij personazhi që doli në skenë vetëm kur u gjet i vrarë, dihen vetëm dy gjeneralitetet e tij, fakti që është i martuar dhe ka një djalë 10 vjeç dhe që banon në rrugën “Pandi Dardha”, në Laprakë të Tiranës. Të gjithë personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë thanë se nuk e njihnin 42-vjeçarin dhe nuk e kishin takuar ndonjëherë më parë, ndërsa mbeten gjithashtu misterioze të dhënat rreth lidhjeve të tij, me porositësit e atentatit. Grupi hetimor ka administruar edhe dëshmitë e familjarëve të tij, prej të cilave nuk është grumbulluar ndonjë e dhënë e rëndësishme, pasi ata pretendojnë se njeriu i tyre i afërt nuk ka pasur ndonjë konflikt. Të paqarta mbeten edhe lidhjet mes tij dhe personave të cilëve do t’u bënte atentat, pasi askush prej tyre nuk pranoi ndonjë njohje të mëparshme me të. Me t’u tërhequr nga morgu i Tiranës, trupi i pajetë i 42-vjeçarit është përcjellë për në banesën e fundit, nga familjarët e tij. Tashmë, grupi hetimor, duket se do ta arkivojë dosjen rreth këtij personazhi, pasi të dhënat rreth tij janë sa të vakëta, aq edhe të padobishme tashmë. G.Mullai


Viktima

Policia po gjurmon të kaluarën e atentatorit, ndërsa aktualisht dihen vetëm dy gjeneralitetet e tij, fakti që është i martuar dhe ka një djalë 10 vjeç dhe që banon në rrugën “Pandi Dardha”, në Laprakë të Tiranës

Rama t’i japë Shullazit zyrë në qeveri

Rama t’i japë Shullazit zyrë në qeveri

Partia Demokratike sërish ka hedhur akuza ndaj kryeministri Edi Rama dhe ministrit trë Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje me Emiljano Shullazin.

E në fakt PD-ja ka shkuar edhe më tej duke i sugjeruar Ramës që “Shullazit ti japë një zyrë në qeveri’.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka denoncuar sot sërish alibinë që ka ndërtuar qeveria për Emiliano Shullazin, për përplasjen e përgjakshme me armë në mes të Tiranës. Ristani i bën thirrje prokurorisë të bëjë transparencë e të hetojë me profesionalizëm për interesin më të lartë publik

“Eshtë e qartë se qeveria, Edi Rama e Ministri i tij, kanë vendosur të mos bëjnë zë për një nga ngjarjet kriminale më të rrezikshme të kohëve të fundit, përplasjen e përgjakshme të bandave në mes të Tiranës”, tha Ristani.

Sipas tij, “teksa heshtin, dhe nuk bëjnë transparencë, është e dukshme, se nga ana tjetër, qeveria po jep gjithë ndihmën e nevojshme për të lehtësuar rrethanat e bandës me të cilën ka lidhje, me të cilën bashkëpunon”.

“Eshtë fakt tani i pranuar edhe nga zyrtarët se kemi një alibi për Emiliano Shullazin, i cili sipas policisë është gjetur i pastër, i paarmatosur.

Të gjithë të dhënat tregojnë të kundërtën. Raportimi në media, informacionet që dalin nga burime të policisë dhe gjithë rrethanat e ngjarjes janë krejt të kundërta me ato që nxjerr Ministri i Brendshëm.

Çdo kush e ka kuptuar sot se Ministri i Brendshëm drejtpërdrejt dhe Kryeministri në distancë, po dezinformojnë qëllimisht që banda kriminale dhe kreu i saj, tia hedhin paq, pa asnjë orë burgu.

Partia Demokratike duke e konsideruar qeverinë dhe krerët e Policisë si të përfshirë në këtë histori, në asistencë të vazhdueshme ndaj bandës kriminale, i kërkon Prokurorisë që të zbardhë ngjarjen e të nxjerrë përgjegjësitë.

Transparenca mbi këtë krim të rëndë në mes të qytetit, është me rëndësi të jashtzakonshme publike, dhe për interesat e qytetarëve.

Prokuroria është në thirrje për të vendosur ligjin, e fuqinë e Kushtetutës, të shkelmuar deri tani nga qeveria e Kryeministri për interesa kriminale.

Nëse banda kriminale e kreu i saj për shkak të lidhjeve që ka me Ministrin e Kryeministrin, i shpëton ligjit edhe pas ngjarjes së fundit me përleshje të përgjakshme e me viktima, atëherë kanë rënë të gjitha garancitë për rend e siguri publike në vend.

Nëse kjo ndodh, Emiliano Shullazin nuk duhet ta kërkojmë më në Rrugën e Kavajës, por në zyrat qendrore të qeverisë”, tha gjatë deklaratës së tij, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...