Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/03/21

Kohët i gëdhendni në këngë..!


Nga Xhevahir Cirongu


(Me sharki e çifteli, mjaltë e këngë për ty Shqipëri !

Dervish Shaqa

Koha ecën me hapin e saj..! Bashkë me atë, edhe ne rrugëtojmë të kapur fort dorë për dore deri aty sa vjen një ditë e i themi lamtumirë! Para se t’i themi asaj lamtumirën e fundit, ajo na këshillon që kohën e madhe të Jetës ta shijojmë e ta gëzojmë; sepse koha që ne jetojmë na fton në oazin e madh të magjishmes Lirijetës për ta jetuar me ndershmëri atë. Ajo na bën me flatra mendimesh që ngjiten deri në qiellin e kaltër me yje të ndritshëm jetdhënës. Ne, si qenje njerëzore, të vetdijshëm për ato ç’ka bëjmë rreth botës që na rrethon, ajo që na lind e rrit, kjo që na fal frymarrje e tinguj kur flasim, ajo që na frymëzon e jep forcën e shkëmbinjve , por mbi të gjitha në shpirtin tonë Koha – Jetë na jep edhe fjalën e shkruar e tingullin e këngës ! Prandaj duhet të ecim me hapin e hohës, se kështu edhe kur largohemi prej saj një ditë, me gjurmët e mirësisë që lëm aty, Koha – Jetë na mban përgjithmonë të gjallë në gjirin e saj. Të dish ta vlerësosh kohën që jeton, sepse vetëm një herë vjen tek ne ajo, dhe kur Kohën- Jetë e vlerëson dhe i jep dimesionet e vlerat e duhura asaj; natyrisht, edhe ajo të jep vlera jete der në përjetësi, pavarsisht se jemi larguar fizikisht prej asaj kohe që na lindi. Të tillë njerëzjanë të rrallë që koha i vendos në peidestalin e saj. Ata i bën që të jenë gjithmonë në lëvizje në Kohë – Jetë edhe pas vdekjes si yjet që ndriçojnë në qiell. I tillë ishte dhe mbeti rapsodi i këngës popullore Dervish Shaqa.

Kanë kaluar 31 vite, pikërisht atë ditë të datës 11 prilli të vitit 1985, kur rapsodi ndaloi këngën për t’i thënë fjalën e lamtumirës Sharkisë e Çiftelisë aq të dashur; me të cilat u rrit e u thinj nëpër kohët plot tallaze , e me mjalitin e këngës që ai i këndonte me gjithë shpirt nënës Shqipëri; shëronte plagët e gjakosura të shpirtit të tij. I digjej shpirti, i bëhej copa – copa, sepse shikonte atdheun të gllabëruar nga shovinistët fqinjë ballkanas e ata perndimorë, të cilët me kthetrat e tyre po i zinin frymën tokës shqiptare.

Këngëtari rapsodist si Dervish Shaqa janë të rrallë, ndoshta vetë Koha – Jetë i lind për të përjetësuar vetë kohën e ngjarjet historike ku edhe vet rapsodi i këngës popullore e jetoi atë. Nuk është rastësi, por një mrekulli natyrore lindja e krijuesit e këngëtarit Dervish Shaqa, pikërisht në vitin e shalljes së Pavarsisë më 1912. Ai lindi atje në fshatin Llukë të Epërme të Deçanit, ku janë zhvilluar ngjarje historike që kanë ngelur përjetësisht në memorjen e historisë së kombit tonë. Rapsodi i këngës popullore, i cili i këndonte me aq zjarr e ngrohtësi që i buronin nga shpirti, frymëzimin e kishin te legjendat e historitë e treguara nga të afrmit nëpër shekuj që luftonin për lirinë e pavarsinë e atdhut. Ishte Dervish Shaqa që jetoi dhe përjetësoi me këngët e tija, me tingujt e sharkisë e të çiftelisë ngjarjet historike nëpër dekada të popullit tonë të shekullit XX- të. Në këngët e kënduara prej tij, frymon tingulli i jetës dhe i dashurisë për atdheun, për heronjtë, vendlindjen, njerëzit që sakrifikuan edhe me jetën e tyre për lirinë e atdheut. Ai i këndon Azem e Shote Galicës, Isa Boletini e Bajram Curri…! Në sofrat e gëzimeve familjare, ndonse i vogël në mosh, Dervish Shaqa merrte sharkinë e këndonte si një bilbil me sytë që vështronin bjeshkëve të larta të mbuluara me qeleshen e bardhë të borës. Ishte viti 1956, kur së bashku me shokun e tij Demush Neziri, lën fshatin e lindjes dhe lotin e mallit në kosovë, e vendosen me banim në kodrat e fshatit Rrashbull në Durrës. Një vit i acart politik, por tashmë Dervish Shaqa kishte kaluar në lumin e jetës edhe shumë ngjarje të tjera të dhimbshme për fatet e atdheut e të kombit tonë. Ai u rrit me ngjarjet e kbshme fatzeza me coptimin e tokave shqiptare nga politikat shoviniste që ndoqën shtetet ballkanase e perndimore ndaj vendit tonë. Në rrugëtimin e jetës Dervish Shaqa kaloi e provoi midis të tjerave edhe dy luftrat më çnjerëzore që provoi njerëzimi: Luftën e Parë e të Dytë botërore. La kullat e gurta të Dukagjinit, lodrat e fëmijërisë e këngët e rinisë atje në Llukën e Eprme, dhe prapë me valët e detit shpirtëror ai s’u nda këngës, por këndoi deri në çastet e fundit të jetës për atdheun, lirinë edhe në durrësin e mikpritjes. Me inisiativën dhe përkushtimin që e karakterizonte, Dervish Shaqa së bashku me një grup shokësh formuan grupin e rapsodëve në fshatin Rrashbull, që më von u bë i njohur në shqipëri e në diasporë, me prezencën e repertorit aq të pasur folklorik të kënduar me mjeshtëri . Grupi i rapsodëve të çiftelisë të Rrashbullit, me në krye Dervish Shaqa, merr pjesë për herë të parë në vitin 1968 në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Kënga, tashmë ishte bërë pjesë e jetës e s’mund ta ndante dot atë prej vetes këngëtari virtuos siç ishte dhe mbeti i tillë Dervish Shaqa. Edhe hijenat e regjimit komunist, s’e mposhtën dot këtë njeri me shpirt të madh artisti, sepse ai kishte lindur bashkë me këngën për ti kënduar lirisë, atdheut e heronjëve të tij. Këngët e grupit të rapsodëve me çifteli të Rrashbullit gjenden edhe në arkivat e Radiotelevizori Shqiptar, ato ruhen si thesare të kulturës të kombit tonë. Në këngët e kënduara të rapsodit të talentuar Dervish Shaqa me Demush Neziri, tashmë pas kaq vitesh kur i dëgjojmë, na japin frymëzim e jetëbardhësi të cilat kanë ndërthurje si një gërshet prej bore e ngjajnë si lulet e zambakëve të liqenieve të Lurës. Këtë e shpreh bukur kënga me titull ‘’ Moj e mira porsi bora! ’’. Këngët e Dervish Shaqes, frymëzuan edhe këngëtarët e tjerë siç ishte Fatime Sokoli etj, rapsodë që këndonin me sharki e çifteli. Te këngët e Dervishit dhe grupit të Rrashbullit, gjeti frymëzimin edhe i madhi kompozitori Tish Daija me kompozimin e këngës ‘’Fest të madhe ka sot Shqipëria’’. Rrapo Toska mësues nga Berati, por edhe mësuesi e gazetari Devollit Kadri Tarelli, Bajram Gashi e Fadil Berisha, japin vlerësimet e tyre për këngëtarin Dervish Shaqa, duke e cilësuar ‘’Një ishull i kosovës në mes të Shqipërisë’’ apo ’’ Luan i skenës’’ etj. Megjithatë, Koha – Jetë bën të vetën. Ka plot 31 vjet që Dervish Shaqa është larguar fizikisht mga kjo botë, por ai la pas këngën e do kujtohet në breza. Kënga është e përjetshme, i tillë mbetet edhe rapsodi i çiftelisë Drevish Shaqa, sepse kohën e ngjarjet historike ai i gëdhendi përjetësisht në këngë.

Gjuha!


Image result for kadri tareli poezi

Gjuha jote, gjuha ime!
bëhet lesh, kur s’ka dhe qime.
Kur ze e llap prapa shpine
Edhe gurin e bën thërrime.

Kocka s’ka e kocka thyen,
Ca i lan dhe ca i lyen.
Dikujt shpirtin ia gërryen,
Si bishë, dikë e shqyen.

Në kuvend, nëpër fjalime,
Qimen tra e trarin qime,
kur i bie vetëm një vrime
për grurë, na japin hime.

Gjuha, këngë për rini,
Psherëtin, o ngre stuhi.
Diku ndez një yll të ri,
Diku zjarrin e bën hi.

Tek syri, shkrep dashuria,
Në zemër, fole mirësia.
Gjuha i bashkon të dyja
I ngjit lart tek perëndia.

Me ninulla rritet fëmija,
Në lahutë u gdhend trimnia.
Në fjalë lidhet burrnia.
Me gjuhë përcillet ditunia

Poeti vargun ka pasuri,
I urti fjalë me porosi:
Atdheu, kombi ka liri,
Kur gjuhën gjejmë, unë e ti.

Kadri Tarelli

Durrës më: 21. 03. 2018.

“Ora e gjyshit” dëshmi e një përvoje të gjatë krijuese


Image result for dan ibrahimi

Shkruan: DAN IBRAHIMI


“Ora e gjyshit” dëshmi e një përvoje të gjatë krijuese

Abdullah Troshupa tashmë nuk është emër i panjohur sidomos në letërsinë tonë të re për fëmijë. Ai tashmë ka një përvojë krijuese të vlefshme e cila shpërfaqet me ngritje cilësore nga libri në libër. Duke lexuar librin në dorëshkrim, “Ora e gjyshit”, autori e konsideron si një libër për fëmijë dhe të rinj. Pa modesti mund të them që kjo përmbledhje shënon jo vetëm një numër sasior në botimet e Troshupës, por edhe një ngritje cilësore në pikëpamje të ndërtimit të stilit që ka si veçanti jo vetëm figurat stilistike, gjuhën e pastër pa barbarizma, por edhe tematikat përkatëse me qëllim të formimit të shëndoshë të gjeneratave të reja.
Autori i ka ikur klasicizmit poetik duke na ofruar një përmbledhje poetike që plotësisht mund të përfshihet në kuadër të letërsisë moderne për fëmijë.
Vihet re që vargu i lirë pa rimë në shumicën e poezive të Troshupës ka një melodi të brendshme, një thellësi mendimi preokupues dhe një mjeshtri ndërtimi që u përshtatet atyre që u dedikohet, fëmijëve dhe të rinjve. Unë do të thosha, hiq pjesën e parafundit që është për fëmijë, libri mund të lexohet këndshëm edhe nga moshat e tjera, madje edhe nga ata që kanë kritere të larta leximi.
Libri “Ora e gjyshit” është i ndarë në pesë cikle: ”Udha e baltosur”, “Në vesh më foli era”, “Harta e hapur”, “Ora e gjyshit” dhe “Plagët e shpirtit”, sipas motiveve përkatëse. Cikli i parë është ndërtuar kryesisht mbi tematikën e dhembjes së plagëve kombëtare siç është tragjedia e shqiptarëve në sanxhakun e Nishit, që vazhdon të ndjehet edhe sot sidomos te pinjollët e të ashtuquajturve “muhaxhir”. Në këtë cikël posaçërisht do ta veçoja poezinë “Trishtim vjeshte” në të cilin tema e trajtuar zhvillohet në tipin e rrëfimit të tragjedive të antikitetit. Megjithëse është thënë që poezia nuk e duron formën rrëfimtare, unë mendoj që në poezinë e Abdullah Troshupës na vjen e këndshme dhe emocionuese.
Nëse në ciklin e parë autori na vjen përmes dhembjes kombëtare mbi tragjeditë nga pushtimet dhe shfarosjet e trojeve tona, në ciklet “Në vesh më foli era” dhe “Harta e hapur”, përmes lirikave shohim autorin, dromcat e ndjesive të tija rinore sa të bukura po aq edhe të sinqerta. Aty kuptojmë që edhe ai si gjithë të tjerët i kishte dhe i ka adhurimet, dështimet, realizimet dhe kujtimet mbi to.
Cikli “Ora e gjyshit”, titull që i është vënë edhe librit me plotë të drejtë, vë në spikamë autorin si një njohës të shkëlqyer të botës së fëmijëve. Ai më së miri i di kërkesat e fëmijëve sa i përket poezisë. Si një mësimdhënës me përvojë të ndritshme, dhe si një krijues po ashtu me një bagazh të rëndësishëm, Abdullah Troshupa di si ta ngjallë kërshërinë dhe imagjinatën e fëmijës.
Cikli përmbyllës i librit “Plagët e shpirtit”, një cikël që më shumë u përshtatet të rinjve dhe gjeneratave të tjera, sërish na e shpërfaqë botën e ndjesive të bukura te vet autori.
Fare në fund do të thosha që autori i dramës të suksesshme, “Cigareshitësja” së fundi me përmbledhjen poetike “Ora e gjyshit” na e zgjon kërshërinë edhe në fushën e poezisë, sidomos me stilin unik të tij.
Dan Ibrahimi,

Abdullah Troshupa, “ORA E GJYSHIT” PRISHTINË, 2017

Fotografia e LidhjaeShkrimtarëve E Kosovës

Shkruan: ALI ALIDEMAJ

POEZI TË FRYMËZUARA NGA JETA
Abdullah Troshupa, “ORA E GJYSHIT”PRISHTINË, 2017

Libri me poezi i Abdullah Troshupës, i cili këto ditë doli nga shtypi, ka një titull simbolik dhe interesant dhe sjell risi e freski duke i orientuar lexuesit e rinj në rrugën e bukur dhe të vështirë të artit poetik.
Poeti përmbledhjen e vargjeve e fillon me poezinë “Jeta në vargje” faqe 7 , e cila u paraprinë cikleve të këtij vëllimi, autori shfaq pikëpamjet e veta për krijimtarinë në veçanti dhe për poezinë në përgjithësi.
Troshupa i përmbahet me besnikëri thënies së Ali Asllanit që vjershën s`e bën ritmika, por zemra, pra edhe poezitë e Troshupës dalin nga zemra , shpirti. Poezitë e këtij libri për poetin janë mburojë kundër sulmeve, të jetës dhe pasqyrojnë të vërtetën në art dhe në jetë, prandaj kanë vlera estetike.
Poezisë së Troshupës do t`i qasemi nga aspekti tematik-kështu që kemi të bëjmë me poezi biografike për fëmijë, rini, gjyshin, gjyshen, babain, vëllain dhe për shokët krijues Rifat Kukajn, Agim Deven e Arif Demollin pa e harruar edhe Gani Xhafollin.
Poezia ka vlera të theksuar, siç janë ato për atdheun sidomos poezia për Hasan Prishtinën dhe Shpërnguljen e llugaxhiasve nga Toplica në vitin e largët 1878.
Ndonëse ka pak poezi me motive dashurie , mendoj se ato mjaftojnë për ta pasqyruar talentin e poetit në trajtimin e problematikës intime. Poeti me tone elegjiake i këndon dashurisë së humbur e cila edhe në këtë moshë ruhet nëpër kujtime-dashurie vjen, pranvera e rrit, vjen vera e ngroh, vjen vjeshta s`e venit, vjen dimri nuk e ftohë.
Besoj ndihmesë për të arritur këtë sukses kanë dhënë redaktori i librit, poeti i shquar Avdush Canaj dhe recensenti i lartpërmendur në libër Dan Ibrahimi.
Abdullah Troshupës i dëshirojmë sukses në fushën e krijimtarisë dhe besojmë se pena e tij do të lëvrohet si nga fëmija ashtu edhe nga të rriturit.
Në fund të këtij vështrimi po e citoj thënien latine “Jeta është e shkurtër e drita është e gjatë”
Prishtinë 6.10. 2017 Mr.sc.Ali Alidemaj

Abdullah Troshupa “ NJË DET KUJTIMESH”, Shtëpia botuese SAS, Prishtinë, 2016




Recension

EDHE NJË VEPËR E RE POETIKE PËR FËMIJË E TË RINJ

(Abdullah Troshupa “ NJË DET KUJTIMESH”, Shtëpia botuese SAS, Prishtinë, 2016)


Image result for nuhi vinca

Shkruan: Prof.Dr.Nuhi Vinca *

Vepra e Abdullah Troshupës,“NJË DET KUJTIMESH” ka një titull metaforik. Për kah vëllimi është modestë. Ka formën e një libri xhepi, me katër cikle e me emrat e nevojshëm të redaktorit e recensentit, siç është rregullativa e domosdoshme botërore botuese.
Para se të flasim për brendinë e librit, pra, para se të hyjmë në anën e brendshme të poezive të këtij libri le të flasim për çështje të jashtme:
Ç`do të thotë të promovosh një vepër, që posa ka dalë nga shtypi. Të promovosh një libër do të thotë të flasësh për herë të parë para publikut të nderuar pa e hapur derën e debatit për të shndërruar tubimin në një tribunë shkencore pro et contra, siç po shohim në ditët tona nëpër tubime të ndryshme.
Për të qenë më i qartë do të themi se në trevat shqiptare, është një ritual tradicional shumëshekullor për lindjen e një foshnje. Në tretnatë që organizohet, shtrohen sofra familjare dhe rrokulliset foshnja me urime e përgëzime të stilit festiv. Kështu mendojmë edhe sot, por jo në një foshnje, por një vepër siç e thamë më lart.

Pra, ashtu siç i dëshirohet rritje të mbarë një foshnjës që na vjen në jetë, po kështu i dëshirojmë edhe librit NJË DET KUJTIMESH udhëtim të mbarë në botën e letërsisë për fëmijë e të rinj. Pra, urime po i shprehim profesorit e poetit ABDULLAH TROSHUPA E LIBRIT UDHËTIM TË MBARË NËPËR BIBLIOTEKAT TONA E ÇANTAT E VOGËLUSHËVE tanë që janë në tërë etninë shqiptare anembanë rruzullit tokësor, gjithandej kah kemi e sidomos në Kosovë që këto ditë feston ditët e marsit historik edhe për arsim edhe për çlirim.
PO Ç`TI THEMI VËLLIMIT QË NA KA ARDHË NË STUDIOT TONA e na rri i qetë e na flet:
Unë jam në dorën tuaj lexues të nderuar me këto katër cikle:
CICËRIMA POETIKE,EDUA NJË BOTË,GARAT FAMILJARE dhe NJË DET KUJTIMESH.

Fotografia e Ismail Sahiti


Dhe, na duket sikur na thotë me vargjet nëpër faqet e shumta. Ja se si ai nëpër faqet e librit, pra në faqet e mia flitet për tema të larmishme të kohës sonë herë duke hyrë në histori e herë duke hyrë në botën e fëmijërisë. Nëpër këto faqe fshihen gëzimet e pikëllimet e mërgimit, atij mërgimit që e ka ndjek popullin nëpër shekuj. E sidomos shekulli XV, ku një pjesë e popullit u shkëput nga trungu amë dhe kaloi detin. Në atë shekull krenar e tragjik, pas vdekjes së Skënderbeut, kur një pjesë e kombit mori rrugën e mërgimit. Dhe ky mërgim nuk qe i fundit, por na u shtuan lëndinkat e lotëve. Kështu mërgimi aktual në faqet e këtyre vargjeve po na aktualizohet aq sa dhimbjet na shtohen e malli na djeg shpirtin.
Në faqet e këtij libri, pra të dashur lexues, do të gjeni edhe vargje që ndërlidhen me krijimtarinë gojore të popullit tonë që autori na sugjeron të mos e anashkalojmë se nga ajo letërsi kanë lindur të gjithë shkrimtarët se ajo është e para e pastaj na lindën naimët e çajupët deradat, fishtat tanë (shih.f. 15).


Fotografia e Abdullah Troshupa

Autori, pra sikur këshillon pendat e reja që talentin ta bazojnë te krijimtaria popullore, siç veprojnë të gjithë nëpër botë, duke marrë brumin nga populli e duke ngritur atë në shkallë më të lartë, stolisur me gjuhë metaforike, pra gjuhë poetike. Sa për ilustrim po e përmend një shembull nga letërsia popullore kurde, që më nxiti poezia e A. Troshupës faqe 23 kushtuar Sali Çekut.
Ja si na tërheq metaforika: /Sali Çeku zemërluani/ Zemrën e kish plot dashuri/ Për ta marrë nusen e madhe/ Qe nisur me krushqi/… Me dasmorë nusen e sollën në shtëpi… “ (f. 23).
Po bëj një digresion: Në librin e Fatos Arapit “Këngë të popujve”, botuar në Tiranë para disa vitesh, më ka bërë përshtypje një këngë kurde, për metaforikën që e hasa te Abdullah Troshupa në lidhje me Sali Çekun.
Kënga kurde ka afërsisht 100 vargje, por për të mos zgjatur, po ndalemi te një varg. Okupatori ka dërguar ushtarët e armatosur dhe kanë vrarë e kanë prerë koka luftëtarësh kurdë. Jo vetëm kaq, por i kanë mbledhur fshatarët, nënat dhe baballarët për t`i identifikuar dëshmorët.
“E rrokullim në akull një kokë të prerë të një dëshmori dhe e shtrojnë pyetjen: ”E kujt është kjo kokë?”
Një grua del nga rreshti dhe afrohet te koka e dëshmorit. Ushtarët e armatosur drejtojnë sytë kah nëna me pyetjen kërcënuese:
- “Është djali yt ky?
- Është kokë e një qingji”
- Qofshin bekuar kopetë e maleve” - tha nëna e atij luftëtari.
Vjersha për Sali Çekun na zgjoi këtë asociacion.
Me këso metafora libri është i pranishëm për të gjithë dhe do të jetë nëpër bibliotekat tona një kontribut i mirëfilltë.
Dy mijë e sa vjet më parë, Virgjili, një poet romak ka thënë:
“Gjithkush e ka kohën e vet për të jetuar. Jeta është për të gjithë e papërsëritshme: të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritje e virtytit”.

Dhe, në fund jemi të bindur se ky vëllim (poetik) do të hyjë me të gjitha vlerat e saj, me të gjitha porositë në çdo shtëpi; do të bëhet shok në çaste vetmie për të bërë më të gjallë jetën ndaj të bukurës a të mirave jetësore midis njeriut me shpresë që talenti dhe fati të bëhen dy miq të mirë në jetën e autorit “Një det kujtimesh.”

****



Nuhi Vinca është poet, shkrimtar dhe përkthyes nga Struga, Maqedoni. Ai lindi në vitin 1932 në Veleshtë të Strugës. Shkollën filore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen (normalen) në Shkup më 1953 kur e botoi dhe të parën vjershë për të rritur me titullin "Lamtumirë shkollë" në revistën "Zani i rinisë". Ka kryer fakultetin filozofik. Dhjetë vite me radhë, që prej hapjes së Gjimnazit të Strugës, punoi si profesor në këtë institucion arsimor.

Tituj të veprave

Dallgë jugu - (1967)
Vrulle lirike - (1971)
Aty buzë liqenit - (1986)
Те guri i kufirit - (2000)
Trilogji lirike - (2003)
Lirika popullore shqiptare e dashurisë (Monografi shkencore) - (1989); IAP - Prishtinë
Këngë të ndryshme popullore (Në pesë pjesë), botim i IAP,Pr. - (1982)
Antologji e lirikës popullore shqiptare - (2004)
Antologji e lirikës popullore shqiptare të dashurisë - (2005)
Lirika popullore shqiptare në trevën e Strugës (Studim Monografik) - (1992 dhe 2003)
Lulja e Parë - (Pjesërisht e botuar)
Kënge pune e pushimi - (1965)
Një Ylber Për Ty -(1972)
Legjenda e Peshkatarit - (1978)
Kënga e Lahutarit - (1979)
Sa gjuhë i di Danubi - (1999)
Shihni Si Vijnë Dallgët - (Poezi)
Te Deum Laudamus - (per N.Terezën)
Aty Buzë Liqenit II - (2009)
Vjersha e Tregime - (2009)
Veleshtare Moj - (2011)
Arketipet e - (2011)
Pendimi - (tregime)(2009)
Çaste Përjetësie në Kontekst Poezie - (zgjedhje)


Floripress

Të pagjeturit, plagë e rëndē e Kosovës...

Çështja e të pagjeturve që nga lufta e fundit, padyshim që është një plagë e hapur për shoqërinë kosovare. Përderisa koha kalon gjurmët zhduken dhe dëshmitarët janë të rrallë. Aq më tepër kur Serbia neglizhon krimet e fundshekullit, duke mos dashur të hap një kapitull të ri në Ballkan.
Kjo çështje dhe shumë të tjera kanë mbetur peng nga e kaluara jo e largët dhe kështu në mungesë bashkëpunimi nga institucionet serbe bëhet e pamundur të zbardhet fati i viktimave të cilat ranë pre e regjimit fashist të Millosheviçit.
Bazuar në kërkesat e prezantuar nga ana e familjarëve te institucionet kompetente vendore, si Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe organizatat ndërkombëtare, si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, kanë qenë të evidentuar si persona të zhdukur, si pasojë e luftës, 6057 persona. Aktualisht, janë edhe 1652 persona të zhdukur, si pasojë e luftës së viteve 1998 – ’99. Nga të cilët 1388 persona, janë të gjinisë mashkullore , ndërsa 264 persona të gjinisë femërore. Sa i përket moshës, janë 135 persona të zhdukur, nën-moshën 18vjecare, dhe 332 persona mbi-moshën 65 vjeçare, ndërsa moshës 19 – 64 vjeçare, janë 1185 persona të zhdukur.
Pra, janë edhe shumë familje kosovare që vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen, ankthin dhe pritjen për të mësuar për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. E drejta për të ditur, është e drejtë e garantuar me legjislacionin në fuqi, si dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare që trajtojnë çështjen e personave të zhdukur.
Ndaj kësaj çështje të ndjeshme, Qeveria vjen me një program duke përshpejtuar procesin për realizimin  e të gjitha aktiviteteve të mundshme që familjet e personave të zhdukur, të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e  familjarëve të të tyre të zhdukur, gjatë luftës.
Programi i Qeverisë, do të adresojë problemet dhe sfidat me të cilat përballen institucionet kompetente shtetërore dhe në përgjithësi akterët që janë të angazhuar në këtë proces, sfida këto që para se gjithash ndërlidhen me mungesën e informacioneve të besueshme dhe çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës, si dhe do të adresojë përpjekjet dhe angazhimet që familjet e personave të zhdukur të kenë një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional dhe në këtë proces të kemi një koordinim më mirë institucional (në raport edhe me institucionet e organizatat ndërkombëtare).
Në vazhdën e angazhimeve zyrtare dhe përpjekjeve mbarë-institucionale që çështja e personave të zhdukur të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë, gjatë kësaj periudhe kohore (nga muaji Shtator 2017) familjeve të personave të zhdukur iu janë dorëzuar për rivarrim mbetjet mortore të 48 personave, gjithnjë në respektim te të te të drejtave të familjeve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre, të zhdukur dhunshëm. Nga këto raste, përfshihen mbetjet mortore të 8 rasteve të reja të personave të zhdukur, të identifikuar, e që ishin në Listën e Personave të Zhdukur, ndërsa rastet tjera ndërlidhen me procesin e ribashkimit të pjesëve kockore. Janë edhe një numër i rasteve të mbetjeve mortore të identifikuara, kryesisht raste ribashkimi, si dhe disa raste të reja, për të cilat familjet janë njoftuar për identifikim dhe jemi në pritje të caktimit të datave të rivarrimit. Dorëzimi i mbetjeve mortore pas identifikimit, si aktivitet zyrtar realizohet nga Sektori për Komunikim me Familjar- në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe komunave përkatëse. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me përkrahje të zyrave kompetente në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbulon edhe shpenzimet e rivarrimit.
Po ashtu, me iniciativë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe me përkrahjen e Mbajtësit të Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, në përgjigje të kërkesave të shoqatave familjare, në fund të vitit të kaluar, me vendim të Qeverisë, janë ndarë 30,000.00 (tridhjetë mijë) Euro, për përkrahje të familjeve, në projektin e tyre për ‘trajtim dhe rehabilitim në qendrat shëndetësore rehabilituese – banja’. Si dhe janë ndarë 3,500.00 (tremijë e pesëqind) Euro , për përkrahje të disa prej familjeve të personave të zhdukur , të rasteve specifike (dhe me gjendje më të rëndë ekonomike).
Gjithashtu në përgjigje të kërkesave të shoqatave familjare dhe në adresim të kërkesave të tyre, çështja e plotësim/ndryshimit të Ligjit për Persona të Zhdukur, është përfshirë në Agjendën e koncept dokumenteve për vitin 2018.
Ndërsa gjatë kësaj periudhe kohore,  përmes mekanizmave kompetent institucional të Republikës së Kosovës, dhe në bashkëpunim me akterët tjerë vendor dhe ndërkombëtar, në këtë rast në bashkëpunim me ekspertët e EULEX-it, janë proceduar, në kuptimin e gërmimit vlerësues, dhjetë lokacione, nga të cilat pesë kanë rezultuar me gjetje apo zhvarrosjen e mbetjeve mortore te të paktën dhjetë personave. Edhe pse, vetëm pasi të përfundojnë procedurat e nevojshme mjekoligjore, përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, mund të dihet numri i personave të zhvarrosur dhe identifikuar.
Krahas aktiviteteve brenda territorit të Republikës së Kosovës, institucionet kompetente kanë vazhduar aktivitetet zyrtare edhe në bashkëpunim me shtetet tjera në rajon që kanë kaluar nëpër të njëjtat tragjedi si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi, bashkëpunim ky që para se gjithash është një mundësi në adresim të sfidave të përbashkëta në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Nga 11 tetori 2017, edhe Republika e Kosovës, në zbatim të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA , është bashkëngjitur dhe do të jetë pjesë e nismës së Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur për hartimin e Listës Rajonale të Personave të Zhdukur. Në këtë rast, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar edhe në takimin rajonal të mbajtur më 7 dhjetor 2017, në Beograd.
Shqetësuese mbetet mosgatishmëria e Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces. Gjatë kësaj periudhe kohore, nuk është proceduar asnjë lokacion në territorin e Serbisë, përkundër të dhënave dhe kërkesave të prezantuara nga Delegacioni i Kosovës /dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.  Kërkesa këto, të përsëritura edhe gjatë takimit të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, pra takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të mbajtur më 27 shkurt 2018, në Beograd, si dhe takimeve të Nëngrupit Punues për Mjekësi Ligjore dhe Ekipit për Analizë, të mbajtura më 22 dhe 23 shkurt 2018, në Prishtinë.
Dhe sigurisht, që institucionet e Kosovës, do të vazhdojnë angazhimin në koordinim me partnerët ndërkombëtar që të shtohet trysnia ndaj Beogradit zyrtar për të qenë më bashkëpunuese, në mënyrë të veçantë përmes hapjes së arkivave të ish-Ushtrisë Jugosllave, meqë tashmë është konfirmuar, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë gjatë këtij procesi ndonjë dyshim, se në këto arkiva gjenden të dhëna që do të mund të kontribuonin në zgjidhjen e të gjitha rasteve të personave të zhdukur. Respektimi i të drejtave të familjeve të personave të zhdukur, nga mbarë Ballkani, mbi të gjitha të drejtës për të ditur fatin e më të dashurve të tyre dhe të drejtës për drejtësi duhet t’i vihen si kushtëzime të Serbisë edhe në proceset integruese. Meqë përvojat e deritanishme, në hapjen e katër lokacioneve të vendvarrezave masive në territorin e Serbisë, si në zonën ushtarake në Batajnicë, pastaj lokacioni në Petrovo Sello, lokacioni në afërsi të liqenit të Peruqacit , dhe lokacioni në Rashkë, ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të më shumë se 900 personave, viktima të luftës në Kosovë, konfirmojnë se Serbia vetëm me një presion të shtuar ndërkombëtar do të jetë bashkëpunuese në këtë proces.



Jahja Lluka
Keshilltar i Kryeministrit

2018/03/20

Poezi nga Kadri Tarelli


Një vend për Aleksandër Moisiun!



– Moisi artisti, Moisi i ndritur!

Brenda po qëndron, pse je i mërzitur?

– Duke pritur mbeta, në Pallat i mbyllur,

Dua të shoh dritë, shpirti më rri ndrydhur.



Me lot, të krip detin, me sy të ngroh diellin,

Me krah pulbardhe, të ngjyros dhe qiellin.

Me frymë puth erën, gjoksin për stuhinë,

Njerëzit t’i kem afër, pranë të më rrinë.



Me emrin krenohem, më nderon qyteti.

E mban lart Teatri dhe Universiteti.

Në Trieste larg, bust e shesh i kam, (1)

Po shqiptar me rrënjë, në Durrës unë jam.



Unë heroi i skenës, që botën çudita.

Brenda më le nata, mbyllur më ngrys dita.

Erësira më vret. Më ngushtohet zemra,

Miqve t’u shtrij dorën e t’i thërras me emra.



Pse mos jem në shesh, të shoh anembanë?

Dua të kem shokë, mos të rri mënjanë.

T’i bëj zë qytetit, të shikoj shtëpinë,

Të flas me durrsakët, të takoj rininë.



Në koncerte e shfaqje, shtyhem të nxjerr mallë.

Takoj me të rritur, fëmijë, pleq më rrallë.

Nuk lëviz nga vendi, jo të gjith më njohin.

Shqiptarët ku t’i gjej, t’i shoh e të më shohin?



Pse mos kem shtatore, porsi si ky në sallë?

Unë jam i bukur, ndaj po dal në shkallë.

Sheshi ka ndryshuar, s’është më i vjetër.

Mua s’ më pëlqen, po s’kam se ç’bëj tjetër.



Ve dorën mbi sy, shoh ç’kam përballë!

Një copë llamarinë, s’di se nga ka dalë! (2)

Si një vepër arti, po më rri karshi,

Fort po më mburret, ç’ka bërë s’e di!



Xhon Lenon, Tina Tërner, po më shesin mend!

Për mua durrsakun, nuk u gjet një vend?!

Ata nga larg ardhur, në qytetin tim.

Unë famëmadhi, mbeta si jetim?



Do shkoj pranë detit, për trim Ulqinakun.

Heroin e çartur, që s’kurseu gjakun.

Të shaj luftëtarin, me armën drejt Tiranës,

I bën shenjë hasmit, që t’i biem nanës.



Gladiatorët pranë, ardhur nga lashtësia,

Një fjalë po na thonë: Kujdes nga historia!

Unë mjeshtër i fjalës, i dëgjoj dhe dridhem,

Nuk kam çfar t’u them, në heshtje po kridhem.


Shënim:

Në Trieste. Itali. Ka një shesh me emrin e Aleksandër Moisiut dhe një bust të derdhur në bronx.
Llamarina, Mujo Ulqinaku, Xhon Lenon, Tina Tërner, Luftëtari, Gladiatorët, kanë vepra arti, të vendosura në sheshet kryesore të Durrësit.






Ora e vëllait 



Një orë xhepi, më pruri vëllai, dhuratë,

Nga Kanadaja, ngjyer në bojë floriri.

Mbi të, treni i prerive, nis udhën e gjatë.

Kujtim nga vendi i largët, ma dërgonte i biri.



Mërgoi vëllai, familjarisht, si mijëra të tjerë,

Në udhët e botës, me plot shpresëhumbur.

Pragu s’i mbajti dot, i flaku, i nxorri në erë,

po shpirti mëmëdhetar, mbeti i pa tundur.



Artist ishte, me penel e daltë në dorë,

Pikturoi natyrën, gdhendi heronj e mendimtarë

Adem Jasharin në Kosovë, flamurin në Vlorë,

Skënderbeun, Ismailin, Boletinin me luftëtarë.


Nënë Terezën tonë, shenjtore si perëndi,

e adhuronte, i falej e mbushej frymëzim.

Shpirti i tij në parajsë, sot lutet në çdo shtëpi,

Se veprat flasin e bërtasin, për komb e bashkim.



Në xhep të jelekut, orën mbaj përherë.

vakt pa vakt e hap, kohën me të mat.

Kjo dhuratë e vogël, paska shumë vlerë,

Vëllai me vepra, i gjallë, mbetet prap!


Durrës më datë: 04, të vjeshtës së tretë, 2017




URIME KOSOVË- 10 VJET MËVETËSI! 

Shqiptarë kudo jeni, mbushni gotat plot e plot!

10-vjetorë, Kosov’ shqiptare, po festojmë sot.

Që nga yjet, lart nga qielli, Rugova na përshëndet:

Mëvetësinë, Kosov’ dardane, ta gëzosh për mot e jet!



Sy pafjetur Adem Jashari, nga Drenica po na flet.

Sot me ju jam edhe unë, bashkë, tash e 10 vjet.

Për heronjtë, këngë e valle, sa të tundet tërë dheu,

që nga shekujt bashk’ me ne, vjen dhe Skënderbeu.



Raca jonë nuk u shua. Shqiptarë me rrënjë lisi.

Shqipen kemi perëndi. Me borë mbuluar plisi.

Diellin e pamë në sy, tek rrënjët ne ramë.

A i numëroni dot, në shekuj, deshmorë sa janë?



Gjakun tonë dhamë për ty, o i shtrenjti ynë dhe!

Po qe keq Kosova ime, prap në këmbë ngrihemi ne.

Mos u tut fisnikja jonë, shqiptaria nuk vdes kurrë.

Gjiri yt na dha qumësht, fusha bukë, mali flamurë.



Mëmëdhetarë sot gëzoni, veç kam një porosi:

Shkaut kurrë mos i besoni, hasmi fjetur s’rri.

Mblidhuni, bashk’ punoni dhe i vini gishtin kokës,

Gjaku ynë, djersa juaj, t’i dalë zot qiellit dhe tokës.


Durrës më 16. 02. 2018



SHPENDIT PËR DITLINDJE



Linde ti në dit dashnije,

Porsi zog, në kohë furtune.

Nuk lakmon kurorë lavdie,

Veç aromë e djersë pune.



Ti o Shpend, me shokë shumë.

Nuk e di, kur bën pushim.

Se, dhe natën kur fle gjumë,

E braktis për një shkrim.



Fjala jote nëpër kuvende

Durrës, Prishtinë e Tiranë,

Si skulptor portrete gdhende,

Hedhur librash, anembanë



Tregimtar, me shpirt poeti

Kritik arti, romancier

Krahët ngjyen mbi valë deti

Kripur fjalën, bukur nxjerr.



S’shan askënd, nuk mban inat.

Në çdo çast mbetesh njeri.

Shën Valentini pati fat,

Te ty mbolli veç dashuri.



Pesëdhjet libra mban në duar,

derdhur shpirtin aty ke.

Fjala jote, zjarr i pashuar,

Për shqiptari, e mëmëdhe.



Durrës më 13. 02. 2018.


Meditim në Mitrovicën dardane! 



Mitrovicë e bukur, pse mbetesh e ndarë,

Veriu me serbë, jugu me shqiptarë?

Ibri shkon në mes, me këngën e vrarë,

Nuk e dimë ç’thotë, kur tërhiqet zvarrë!



Eh, i ziu lumë! Ç’ka hequr, ç’ka parë!?

Europa plakë, mëkate mbet pa larë.

Nuk u ngop me hile, kufirin na la çarë.

Ç’faj i kemi bërë, që mban ndezur zjarrë?



Isa Boletini, ngrysur rri përballë.

I derdhur në bronx, thotë jam i gjallë!

U ktheva mes jush, s’e shuaj dot mallë.

Jeta më shkoj luftë dhe s’e zgjidha hallë.



Eh! Kosov’ e lirë, nuk po mbyll dot gardhë.

Fort po piskat Ibri, me valë të bardhë!

Shkau po na qesh, ne prap të përçarë,

Kush e kush të duket, cili është i parë!



“Tre qet’ dhe ujku”, përrall’ e vjetër shumë.

Për ne po tregohet, mos rrimë në gjumë?

Botën e çuditëm, me sherr në kuvend!

Ç’mallkim po na ndjek, që nuk vumë mend?



Mitrovicë dardane, sot e jona je.

Thesare nën tokë, lule përmbi dhe.

Zoti të bekoi, si dhuratë për ne.

Mos i beso shkaut, bën sikur po fle.



Mitrovicë shqiptare, largoji ato re!

Unë nuk i dua, serbi nuk më le.

Do shpëtoj nga ndarja, do këndoj me zë,

kur Tirana – Prishtina, do të bëhen një.



Do thërras dallëndyshet, të bëjnë fole,

Lejlekët përmbi Ibër, të shkojnë më nge.

Dielli kur të lindë, do të shkoj atje,

Te Isa, që do paqe, flamur e atdhe.

Durrës më: 06. 01. 2018

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...