Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/07/23

Filmi ‘Home’ tashmë online në BBC iPlayer në Britani të Madhe

Filmi “Home” i cili në një konkurrencë të fuqishme arriti të triumfojë për çmimin Best Short në BAFTA, tashmë po vazhdon me suksese të tjera


Filmi ‘Home’ tashmë online në BBC iPlayer në Britani të Madhe

Filmi i metrazhit të shkurtër “Home”, me regji të Daniel Mulloy që është koproduksion në mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës, në një konkurrencë të fuqishme ky film ka arritur të triumfojë për çmimin Best Short në BAFTA.

Sukseset për filmin po vazhdojnë. Producenti i filmit Shpat Deda sapo ka njoftuar se filmi “Home” tashmë mund të shikohet edhe në UK, online në BBC iPlayer.

Filmi "Home" me skenar dhe regji të Daniel Mulloy, trajton vuajtjet e refugjatëve dhe fatin e një familjeje e cila bëhet viktimë e zhvillimeve pa fajin e saj, duke u gjendur në situatë të njëjtë me refugjatët e vendeve të Lindjes.

Filmi është xhiruar kryesisht në Kosovë, përkatësisht në Janjevë dhe Graqanicë. Ai është kooproduksion i Kosovës dhe Britanisë së Madhe, me Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore. Në këtë film edhe aktorët Arta Dobroshi, Shpat Deda, Zaki Ramadani, Eroll Bilibani, Mrinë Godanci, Elmedina Morina, Sally Campbell, Davud Karbassioun, Andrés des Rochers etj.

Filmi 'Zana' shënon suksesin e radhës në MIDPOINT

Projekti filmik 'Zana' shënon suksesin e radhës në MIDPOINT

“Zana”, është tregimi i një nëne të re kosovare që e ka humbur fëmijën gjatë luftës dhe gjatë 10 viteve pas vuan nga ankthet si pasojë e terrorit që kishte përjetuar. Familja e dërgojnë atë te hoxhallarët e ndryshëm ku i nënshtrohet ritualeve të pazakonta, deri te izolimi për ta shëruar nga magjia e zezë. Ky është projekti i tretë i subvencionuar në konkursin e vitit 2016-të të Qendrës Kinematografike të Kosovës, në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë-artistik, ku skenariste dhe regjisore ka Antoneta Kastratin ndërsa producent është Casey Cooper Johnson e kooproducent, Sevdije Kastrati.

Filmi është në mesin e nëntë filmave të cilët janë pranuar në MIDPOINT – program që nënkupton zhvillim skenari por edhe avancim në tërë projektin filmik.

Nga gjithsej 75 projekte konkurruese, filmi me producent Casey Cooper Johnson ka arritur të futet në këtë nëntëshe të suksesshme, shkruan KultPlus.

“Zana”, është dramë psikologjike me elemente të trilerit dhe horrorit. Personazhet kryesoret janë Lumja, bashkëshorti i saj dhe vjehrra.

Të gjithë filmat në këtë program konkurrojnë tanimë për disa çmime: çmimin MIDPOINT Development, çmimin Coco si dhe Rotterdam Lab/

Nga Edicioni i 24-të të San Gio Verona Video Festival : Kosova me dy filma në Festivalin e Veronës

Nga Flori Bruqi



Në Edicionin e 24-të të San Gio Verona Video Festival, i cili u mbajtë nga data 23 - 27 korrik 2018  në Veronë të Italisë, në konkurencë zyrtare u shfaqen edhe dy filma kosovar të regjisores Lorena Sopi.


Kosova me dy filma në Festivalin e Veronës

Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmi’ /Eternally Child/ i cili deri tani është shfaqur në rreth 50 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar 15 çmime kinematografike, si dhe filmi ‘Rreze’ /Ray/ i realizuar sipas një flete të ditarit të famshëm të Rreze Abdullahut dhe i cili në muajin maj të vitit 2018  është shfaqur premierë në Cannes Film Festival – Short Film Corner.

San Gio Verona Video Festival, konsiderohet si njëri ndër festivalet më të rëndësishme të filmit të shkurtër në Itali. I krijuar nga Carlo Rossi dhe Giorgio Trentin, ky festival ka shpërblyer dhe promovuar ndërkombëtarisht regjisoret me famë si Abas Kjarostamin, Aleksander Sokurov, Milto Manchevski, etj.

Në fjalën prezantuese të Edicionit të vitit 2018, drejtori i këtij festivali, Ugo Brusaporco shkruan: ‘Këtu jemi një fletë e bardhë përpara, fjalët që duhet të shkruhen në te, me filmat që ju thërrasin për t'u mbajtur mend, dhe ka shumë, 24 filma të këtij Festivali, imazhet e akumuluara që i kanë thurur së bashku me tregimet e tyre kohore, aq gjatë kohë të kaluar që nga ajo aventurë, e imazheve në lëvizje kur filmi ka filluar si magji.


Filmi Përjetësisht Fëmijë trajton raportin e rrënuar familjar mes babasë autoritar dhe fëmijut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyer, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.
Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj, kurse në rolin e fëmiut Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.
Dejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Kompozitor Naim Krasniqi. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli.



Filmi Rreze nga Kosova në Cannes Short Corner


Ndërsa f ilmi Rreze, trajton një ditë të vetme të ditarit të mrekullueshëm të Rreze Abdullahut, e cilësuar si Ana Frank e Kosovës. Pikërisht, në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar Ditarin e Frikës. 

Atë ditë të shenjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veq po due me mbetë gjallë... 


Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar se ushtarët nuk qajnë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpruar me botën që nuk është bërë më e mirë...



Filmi prej 12,30 minutash me titull ‘Rreze’ /Ray/ është prodhuar nga AS Film Production nga Prishtina. Filmin Rreze, gjatë muajve në vijim, e presin edhe shumë evente të tjera të rëndësishme.

Në rolet kryesore paraqiten Agron Shala, Glorioza Shala dhe Aurita Agushi. Në rolet e tjera vijnë Beslidhje Bytyqi, Selman Lokaj, Uran Duli, etj. Drejtor i fotografisë është Besnik Hasolli, mjeshtër zëri Gëzim Rama, skenograf Uran Duli, kompozitor Mendi Mengjiqi dhe producent Agim Sopi.


Lorena Sopi, është studente e regjisë dhe produkcionit në Toronto Film School, njëren ndër shkollat më prestigjioze të botës. Deri më tani ka realizuar disa filma të shkurtër. Filmat e saj ‘Mona’, ‘Më e bukur se pranvera’ dhe ‘Përjetësisht Fëmi’, kanë qenë pjesë e më shumë se 50 festivaleve ndërkombëtare dhe kanë fituar më shumë se 20 çmime kinematografike.


Filmi “Përjetësisht Fëmijë” fiton dy çmime ndërkombëtare

Filmi i metrazhit të shkurtër “Përjetësisht Fëmijë /Eternally Child”, me skenar e regji të Lorena Sopit, prodhim i “AS Film Production” dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka fituar çmimin “Best Foreign Drama Short” në Texas Short Film Festival që ka përfunduar ditën e diel në San Diego të Shteteve të Bashkuara ë Amerikës.


Filmi “Përjetësisht Fëmijë” fiton dy çmime ndërkombëtare
Po ashtu, filmi ka fituar edhe çmimin “Best Drama Short” në Wendy’s Short Film Festival.

Gjatë muajve në vijim, filmi “Përjetësisht Fëmijë”, do të jetë pjesë e disa festivaleve të njohura, si “Pune Short International Film Festival”, i cili do të mbahet në Pune të Indisë, pastaj në “Los Angeles Cine Fest”, i cili mbahet në Los Angeles, për të vazhduar në “Roma Short Film Festival” që do të mbahet në Romë të Italisë, pastaj në festivalin e njohur “Sunlight International Film Festival”, i cili do të mbahet në Teatrin Olimpik në Moskë të Rusisë.

Po ashtu, filmi do të marrë pjesë edhe në festivalin prestigjioz “Regina International Film Festival”, i cili do të mbahet në Pedreson Crescent të Kanadasë si dhe në “Bangalore Shorts Film Festival” në Indi.

Filmi “Përjetësisht Fëmijë” trajton raportin e rrënuar familjar mes babit autoritar dhe fëmijës së mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin.

Image result for Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmi


Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur, me shpresë se do të lirojë shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushojë i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Drejtor i fotografisë është Latif Hasolli, montazhier Nexhmi Mehmeti, mjeshtër zëri Gëzim Rama, skenograf Uran Duli dhe kompozitor Naim Krasniqi.


****

Çmimet:

Accolade Global Film Competition – La Jola, USA 2017 – Award of Merit

Wendy’s Short Film Festival – Austin, USA 2107 – Best Drama Short

Texas Short Film Festival – San Diego, USA 2017 – Best Foreign Short

Bangalore Short International Film Festival – Bangalore, India 2017 – Special Jury Prize

Gold Movie Awards – London, UK 2017 – Best Short Film

Hellfire Film Festival – Kent, UK – Best Short Film

Pink City International Film Festival – Jaipur, India – Best Director

Montecatini International Short Film Festival – Montecatini, Italy 2017- Special Prize

“Një tregim Prishtine” takon dramën familjare me atë kolektive


Aurora dhe Beni janë një çift relativisht i ri që ka nisur ta ndërtojë jetën familjare. Të ardhurat u kanë mundësuar të marrin një kredi për të pasur një banesë në Prishtinë. Ata bëjnë jetë mesatare së bashku me vajzën e tyre Fionen.

“Një tregim Prishtine” takon dramën familjare me atë kolektive

Jeta e tyre duket të jetë tejet normale dhe goxha e hareshme. Por gjërat nisin ta marrin tatëpjetën kur dyshja zbulon se e bija përballet me leukemi. Kushtet e spitaleve vendore dalin të jenë të mangëta për trajtim. E kurimi që duhet bërë jashtë vendit kushton 85 mijë euro.

Këtu edhe fillon drama e një familjeje kosovare në filmin “Një tregim Prishtine” me regji të Burbuqe Berishës, që u dha premierë të premten mbrëma në kuadër të edicionit të dhjetë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “Pri Fest”.

Gjendja emocionale e Aurorçs (Teuta Krasniqi) dhe Benit (Donat Qosja) shpërfaqet fort vetëm në çehre e doza të rënda u shtohen mimikës së tyre gjatë dialogjeve. Drama e tyre pçrçohet direkt tek spektatorët.

Regjisorja, Burbuqe Berisha ka thënë se gjatë rrugëtimit të saj nga shtëpia në zyrë e anasjelltas shoqërohej nga zërat që kërkonin mjete për fëmijë të sëmurë. Rastet e tilla për të ishin motiv që ta trajtojë një temë të tillë në film. Këtë e ka bërë pikërisht në filmin me skenar të Getoarbë Mulliqi-Bojajt...

Fletërrufetë kundër Akademik Prof.Dr.Eqrem Çabejt, sulmet e kolegëve në vitet ’67-‘68

Fletërrufetë kundër Eqrem Çabejt, sulmet e kolegëve në vitet ’67-‘68

Historianë dhe arkeologëve të njohur synonin shkatërrimin e tij. Tekstet e fletërrufeve me firmat e Hasan Cekës, Dhimosten Budinës, Muzafer Korkutit, Zhaneta Andreas e të tjerë i sjell Shqiptarja.

Në të dalë të dimrit të 1967-ës, në Shqipëri ndodhi një revolucion i vërtetë kulturor, si pasqyrim i Revolucionit kulturor kinez. Shqipëria qe atëherë në kulmin e miqësisë me Kinën. Dy vende aq të largëta gjeografikisht e kulturalisht, lidhën miqësinë mbase më të ngushtë e të çuditshme në krejt kampin komunist. Më 6 shkurt Enver Hoxha mban të ashtuquajturin "Fjalimi i 6 shkurtit". Fill pas këtij në shkolla, në qendra pune e kudo shpërtheu një stuhi e vërtetë revolucionare, e shoqëruar me dhunë verbale e psikologjike kundër të ashtuquajturave shfaqje të huaja, borgjeze etj. Kjo dhunë në shumicën e rasteve bëhej me shkrim dhe afishohej publikisht, në rrugë, sheshe, shkolla, ndërmarrje, lagje e kudo. Befas gjithandej nisi të dëgjohej një fjalë e çuditshme, kurrë e dëgjuar më parë: "fletë-rrufe", fjalë e cila shpejt, nga përdorimi i shpeshtë, u përngjit në "fletërrufe". Kjo fjalë, si u mor vesh shpejt, ishte përkthim i kinezes "dacibao", pak a shumë me të njëjtin kuptim. Fletërrufeja ishte zakonisht një letër e madhe si afishe, kishte në krye, me shkronja thuajse gjithnjë të kuqe e si titull, vetë fjalën "Fletërrufe" dhe më pas emrin e personit të cilit i drejtohej. Fletërrufeja varej zakonisht në mur, në hollet e hyrjes së shkollave e ndërmarrjeve, por edhe jashtë, nëpër rrugë e sheshe, ndonjëherë edhe në trungje pemësh. Shumë njerëz u vunë në shënjestër e u nxorën thuajse në bankën e të akuzuarve për "krime" nga më të ndryshmet, nëpërmjet fletërrufeve.

Persona të caktuar viheshin në shënjestër natyrisht "me urdhër nga lart". Por kishte gjithashtu edhe shumë raste kur njerëzit përfitonin nga rasti për të shfryrë mllefe e xhelozira të vjetra e të reja. Nganjëherë sigurisht gërshetoheshin të dyja. Për "t'ia hedhur" e për të mos rënë viktimë e ndonjë mase të rëndë, fletërrufesë i duhej përgjigjur flakë për flakë, duke pranuar si të drejtë kritikën e bërë në të, sado absurde që të ishte, sidomos po të kishte ngjyrime politike. Shpesh kjo ecte, bëje një "autokritikë" se "i kishe kuptuar gabimet", zbuloje "shkaqet" nga të vinin ato "lakra në kokë" etj. dhe ia hidhje. Por kishte raste kur kjo nuk ecte.
Kishte në ato vite të stuhishme fletërrufe efemere, që shfaqeshin një ditë të bukur, merrnin një përgjigje dhe pas dy-tri javësh hiqeshin e zëvendësoheshin nga të tjera për të tjerë njerëz. Kishte pastaj dhe raste të rënda, si ndodhi me fletërrufetë kundër Çabejt, kur autorët e tyre këmbëngulnin deri në fund, nuk "kënaqeshin" nga përgjigjja, nuk hiqnin dorë dhe të përndiqnin pa u lodhur me muaj të tërë, me këmbëngulje gjahtari. Dhe kënaqeshin vetëm po ta shihnin viktimën e tyre të dergjej përdhe...

Fletërrufetë kundër Çabejt filluan më prill 1967 e u shtrinë në një kohë më se njëvjeçare; u pasuan një vit më vonë, më 28 prill 1968, nga një mbledhje "kundra autoriteteve të huaja" në shkencë, mbledhje që me sa duket synonte t'i jepte goditjen përfundimtare atij. Kjo mbledhje nuk ka qenë e vetmja, kanë qenë me sa kuptohet tri të tilla, por datat e tjera nuk i caktoj dot hë për hë. Ashtu si me tekstet e fletërrufeve, të cilat i ka kopjuar me dorën e tij, edhe gjatë këtyre mbledhjeve Çabej ka mbajtur shënime në trajtën e një proces-verbali me shkurtime. Besoj se këto shënime në radhë të parë i duheshin për t'i pasur parasysh kritikat e për të marrë masat mbrojtëse. Por fakti që i ka ruajtur do të thotë se i ka lënë edhe si një dëshmi. Të gjitha këto tekste, shumica me dorëshkrimin e tij, i ka futur e ruajtur në një zarf me format gjysmë A4, me shënimin sipër: Fletërrufetë. Kjo fjalë shkruar me të kuqe!

Vetëm pak javë pas "fjalimit të 6 shkurtit", pra në prill 1967 "varet" fletërrufeja e parë kundër Eqrem Çabejt. Ai ishte atëherë punonjës në Institutin e Gjuhësisë dhe pedagog në Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsisë. Këto institucione ishin në atë kohë që të dyja në të njëjtën godinë, pra Instituti i Gjuhësisë ishte edhe ai në godinën ku është sot Fakultetit Histori-Filologji.

Fletërrufeja e parë nuk ka datë, por nga ato që shkruhen në vijueset thuhet se ajo "qe varur" në prill 1967. Nga bisedat e dëgjuara më vonë shtëpi, di se fletërrufetë kanë qenë me përmasa të mëdha, "sa një bojë njeriu", "sa një çarçaf", e binin në sy sapo hyje në godinën e Fakultetit e më pas të Institutit. Sepse kur Instituti i Gjuhësisë u bart nga godina e Fakultetit në tjetrën, ku ndodhet edhe sot e gjithë ditën, bashkë me orenditë e raftet e librave u bartën edhe fletërrufetë kundër Eqrem Çabejt, të cilat u varën më pas në muret e Institutit të ri. Bartja besoj ka qenë aty nga vera e vitit 1967. Im atë tregonte më vonë pak me shaka e pak me hidhërim një ngjarje me mikun e tij Skënder Luarasi, pikërisht në këtë kohë. Luarasi shkonte hera-here për të pirë kafe sëbashku, si shokë të vjetër që ishin qysh nga studimet në Vjenë. E gjen duke punuar në zyrë dhe i thotë: "Ç'po bën i mbyllur këtu?" "Ja, po i shes shpirtin shejtanit" i gjegjet Eqremi. "Ah, kjo shprehje meriton një fletërrufe", i thotë Skënderi gjoja me të rreptë, por me humor. "Shko, vëre një dhe ti, ka mbetur edhe pak vend," ia kthen Eqremi. Luarasi mërzitet shumë dhe shfajësohet njëqind herë që e lëndoi mikun: Aq kohë kishin fletërrufetë varur aty në korridorin e hyrjes, sa Luarasi hynte e dilte në Institut pa i vënë re më.

Eqrem Çabej ishte 59 vjeç kur nisi historia e fletërrufeve. Kur mbushi 60 vjeç, më 1968, fletërrufetë ishin ende në muret e Institutit. Pas kësaj ai nuk dha më mësim në Universitet.

Eqerem Çabej me kolegët Mahir Domi, Gjovalin shkurtaj etj.

FLETËRRUFEJA 1* PRILL 1967

Fletë-rrufe Prof. Eqrem Çabejt

Ne çuditemi pse vazhdoni të mbani qëndrim të rezervuar karshi rezultateve të arkeologjisë sonë, në lidhje me sqarimin e problemit të lashtësisë ilire, aq më tepër për epokën prehistorike (Eneolith dhe bronx) ku të dhëna gjuhësore nuk ka? (Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, dispensë, kumtesa: Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe, Konferenca I e studimeve albanologjike, dhe në diskutimin tuaj të fundit.)

Në dispensën tuaj "Hyrje në historinë e gjuhës shqipe" ju flisni gjerësisht për shkencëtarët e huaj që janë marrë me gërmime arkeologjike, kurse për rezultatet e arritura nga arkeologjia shqiptare mjaftoheni me një paragraf të thatë e të përgjithshëm. Pse ky qëndrim?

A vazhdoni të mbani mendimin tuaj se koha e këtij shtegtimi dhe e vendosjes së tyre në Gadishull (është fjala për prehistorinë e popullit shqiptar) nuk mund të caktohet më qartë as historikisht as me mjetet e arkeologjisë? (kumtesa f. 91)

Pse ju vazhdoni të konsideroni qytetet ilire Amantinë, Byllisin, Foiniken koloni greke (kumtesa f. 105) kur të dhënat arkeologjike dhe burimet e tjera tregojnë të kundërtën?

Kolektivi i Sektorit të Arkeologjisë

Skënder Anamali / Hasan Ceka / Dhimosten Budina / Bep Rebani Hëna Spahiu /Muzafer Korkuti / Zhaneta Andrea

prill 1967

PËRGJIGJE 1 MAJ 1967

Përgjigje Kritikën që më bëhet nga ana e Kolektivit të Sektorit t'Arkeologjisë, pavarësisht nga pikat e veçanta që preken në të, e gjej në përgjithësi e në parim të drejtë në këtë vështrim, që unë nuk kam ndjekur sa duhet sukseset ku ka arritur arkeologjia e vendit në studimin e prehistorisë së popullit shqiptar e të kulturës ilire në vendin tonë. Për hir të së vërtetës do të them ndërkaq se unë punën që ka kryer arkeologjia shqiptare gjatë viteve të pushtetit popullor për ndriçimin e së kaluarës së popullit tonë, duke u udhëhequr nga direktiva e drejtë e Partisë që t'u jepet prioritet gërmimeve për zbulimin e kulturës ilire në Shqipëri, e kam çmuar dhe e çmoj shumë lart, shumë më lart nga sa duket të kenë përshtypjen shokët e sektorit t'Arkeologjisë. Në dispencën e vitit 1960 (f. 14, 32) kam vënë në dukje sukseset e kësaj pune të madhe. Atje dhe në punime më të vona kam shprehur njëkohësisht shpresën që "vetë trualli i Shqipërisë ndërkaq mundet që ruan fshehtësirën e burimit të gjuhës së saj; shati i arkeologut mbase edhe këtu do të vërë një ditë gjuhëtarin përpara një gjëje të papritur" ("Studii si Cercetari lingvistice" X 4, 1959, shqip te "Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës", Seria Shkencat Shoqërore 3, 1963, 101). Më shprehimisht kam thënë në një kumtesë të vitit 1964 (sh. "Revue roumaine de linguistique" X, 1965, Nos 1-3, f. 104 v.) që "është me rëndësi që në disa stacione prehistorike të vendit vërtetohet një kontinuitet (vazhdimësi) i kulturës, i cili mund të flasë për një kontinuitet të popullsisë, e në çdo rasë vjen e u shtohet argumenteve me karakter linguistik", në lidhje me autoktoninë e popullit shqiptar. Në këtë drejtim jam shprehur edhe në kongresin e Sofjes të vitit të kaluar, khs. Les problèmes fondamentaux de la linguistique balkanique, 1966, f. 51v.

Unë s'ka si të mos njoh rezultatet ku me mjete të tjera arrihet aty ku ka arritur prej kohësh gjuhësia shqiptare në lidhje me autoktoninë ilire të popullit tonë. Etnogjeneza shqiptare, puna e autoktonisë, çështja sa i lashtë është populli shqiptar në viset e tij historike dhe prej cilës gjuhë ballkanike të vjetër buron gjuha e tij, këto janë probleme të përbashkëta për historinë, për gjuhësinë, për arkeologjinë prehistorike e për etnografinë shqiptare. Këto disiplina kanë rrugë të ndryshme për të zgjidhur ose për t'i afruar zgjidhjes këto probleme të vështira.

Secila nga këto, njëkohësisht duke punuar me metodën e vet, duhet që në një masë adekuate t'i bëjë të vetat rezultatet e disiplinave të afra. Gjuhësia duhet të nxjerrë më shumë dobi nga rezultatet e arkeologjisë nga ç'ka bërë gjer më sot. Më anë tjetër rezultatet - qofshin edhe modeste - të gjuhësisë shqiptare në ndriçimin e problemit të autoktonisë e të burimit të gjuhës shqipe prej ilirishtes mendojmë se mund të jenë me dobi edhe për arkeologjinë shqiptare. Do të jetë mirë që në të ardhmen të ketë një bashkëpunim më të ngushtë midis disiplinave që në fund të fundit synojnë në një qëllim të përbashkët. Me këtë rrugë mund të kapërcehen edhe disa pikëpamje të trashëguara prej së kaluarës, të cilat do të zhduken në dritën e zbulimeve e të studime ve tona të reja.

Eqrem Çabej

FLETËRRUFEJA 2 3 MAJ 1967

Përgjigje

Prof. Eqrem Çabejt

Në përgjigjen tuaj, në parim pranoni si të drejtë kritikën e kolektivit tonë në vështrimin që NUK KINI NDJEKUR SA DUHET SUKSESET që ka arritur arkeologjia e vendit në studimin e prehistorisë e të kulturës ilire në vendin tonë. Më poshtë thoni se: "UNË S'KA SI MOS TË NJOH REZULTATET ku me të tjera mjete arrihet aty ku ka arritur prej kohësh gjuhësia shqiptare në lidhje me autoktoninë ilire të popullit tonë" d.m.th. në lidhje me këtë problem SIMBAS JUSH ARKEOLOGJIA NUK DHA ASGJA TË RE, në fillim thoni se "NUK KINI NDJEKUR SA DUHET SUKSESET E ARKEOLOGJISË", kurse më poshtë thoni S'KA SI MOS TË NJOH REZULTATET. Si t'i kuptojmë këto pohime të kundërta? Përveç kësaj, A MENDONI JU SE ARKEOLOGJIA E JONË KA DHËNË REZULTATE QË SHKOJNË MA TEJ SE KUFIRI "ku ka arritur gjuhësia" për problemet e etnogenezës? Të paqarta kanë mbetë në përgjigjen tuaj evazive edhe këto çështje për të cilat kërkojmë të dijmë veçmas edhe një herë: - Në dispensën tuaj (f. 14) citoni një varg arkeologësh të huaj që kanë bërë kërkime arkeologjike në Shqipëri para çlirimit. Së pari aty ka pasaktësira, së dyti ata nuk flasin aspak për problemin e lashtësisë dhe autoktonisë së ilirëve, prandaj ÇUDITEMI PSE I CITONI, ÇDO TË PROVONI ME KËTË? - A vazhdoni të mbroni mendimin tuaj se koha e këtij shtegtimi dhe vendosja e tyre në Gadishull nuk mund të caktohet më qartë as historikisht, as me mjetet e arkeologjisë? - A vazhdoni t'i konsideroni Amantinë, Bylisin, Foiniken (Finiqin) koloni greke? Tiranë, 3.V.1967 NGA KOLEKTIVI I SEKTORIT TË ARKEOLOGJISË

FLETËRRUFEJA 3, TETOR 1967

Shokut Eqrem Çabej

Më 3 maj ne varëm një fletë-rrufe në të cilën shkruanim se përgjigja juaj nuk na kënaqi. Nga 3 pyetjet, 2 ju nuk ju përgjigjët fare, kurse çështjen sesi i vlerësoni rezultatet e arkeologjisë, në thelb i shmangeni, sepse pohimet tuaja "se nuk i kini ndjekur sa duhet sukseset e arkeologjisë" dhe "s'ka si të mos i njoh rezultatet e saj" s'kanë të bëjnë fare me atë që ne kërkojmë. Ne nuk synojmë t'i imponojmë askujt pikpamjet tona. Në shkencë diskutimi dhe rrahja e mendimeve është ligj e metodë pune. Fletë-rrufetë tona të mëparshme dhe kjo e sotmja kanë për qëllim të sqarojnë disa probleme me karakter shkencor. Duke vështruar çështjen nga kjo anë nuk na duket korrekte që edhe pse kanë kaluar 5 muaj, ju akoma nuk keni denjuar t'i epni përgjigje fletë-rrufesë sonë të 3 majit. Si ta shpjegojmë sjelljen tuaj: me mungesën e kohës apo me ndonjë arsye tjetër? Po ju shokë të sektorit të gramatikës dhe punonjës të tjerë të Institutit si i shikoni këto çështje? Pse nuk merrni pjesë në këtë diskutim shoqëror? Kolektivi i sektorit të Arkeologjisë.

PËRGJIGJE KOLEKTIVIT TË SEKTORIT T'ARKEOLOGJISË

2 NËNTOR 1967

Në vijim të përgjegjes sime të majit të kaluar, po duke hyrë këtu vetëm në disa çështje të veçanta që preken në fletërrufetë e ndryshme të kolektivit, po prek sidomos këto pika.

1. Meritat e arkeologjisë shqiptare i kam vënë në dukje në vendet që citohen në përgjegjen time të parën. Ndërkaq kam rezervimet e mia parimore lidhur me barazimet: kulturë prehistorike = etnos = gjuhë, sidomos përsa i përket fushës së gjuhësisë.

2. Lidhur me citimet. Pa mohuar aspak meritat e dijetarëve të huaj, nuk kam në parim asnjë preferencë për ta. Punën e arkeologjisë vendëse e kam cituar pa dhënë emra, sepse e kam marrë si një punë kolektive në përgjithësi. Unë e kam zakon t'i citoj edhe ata që më kanë dhënë të dhëna të reja me kumtime me gojë. Më anë tjetër rezultatet e gjuhësisë shqiptare nuk citohen prej arkeologëve me asnjë rresht: me gjithë se ajo ka thënë një fjalë të re në lidhje me autoktoninë e popullit shqiptar e me rolin jo vetëm marrës po edhe dhënës të këtij populli ndaj fqinjve të tij. Këto rezultate kanë gjetur edhe njohje zyrtare (sh. A. Kostallari Mësuesi VII Nr. 41, 13. X. 1967, f. 3). Me këtë nuk kërkoj aspak që këto të citohen nga arkeologët.

3. Mendimit që koha e shtektimit dhe e vendosjes së stërgjyshëve të shqiptarëve në Gadishull të Ballkanit nuk mund të caktohet më qartë as historikisht as me mjetet e arkeologjisë unë i mbahem edhe sot e gjithë ditën. Gjuhësinë shqiptare ndërkaq e intereson më fort puna e autoktonisë së popullit shqiptar sesa ajo e ilirëve, megjithë se kanë lidhje në mes të tyre. Ajo nuk pëson ndonjë dëm, edhe po të vërtetohet që ilirët janë të ardhur në Ballkan në një periodë historike. Autoktonia nga pikëpamja e kohës është gjithmonë relative.

4. Qytetet Amantia e Byllis janë ilire nga emri dhe për kohën e parë pas themelimit të tyre. Me kohë dihet se u bënë qytete të përziera

iliro-greke-romake. Si të helenizuara më vonë i jep edhe "Historia e Shqipërisë" vëll. I f. 107; ashtu më parë edhe S. Anamali (Buletin 1949, Nr. 4 f. 63): "Ma vonë Amantia e Byllis ranë nën influencën e Apollonis dhe u helenizuen". Kështu cilësimi i këtyre qyteteve si ilire është poaq i njëanshëm sa dhe cilësimi i tyre nga ana ime (për një lapsus) si qytete greke-dorike. Ndryshe qëndron puna me Foiniken. Kështu edhe te vepra "Iliria dhe ilirët" botuar nga Kolektivi i Arkeologjisë në ff. 522 e 532 Amantia e Byllis jepen si qytete ilire, po në f. 542 Foinike jepet si "qytet". Këto janë shkurt disa mendime të miat rreth këtyre çështjeve, për të cilat nuk kam gjë tjetër për të shtuar.

9. XI. 1967

Eqrem Çabej



*****

Eqrem Çabej (Eskishehir, Turqi 6 gusht 1908 - Romë, 13 gusht 1980) ka qenë arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog shqiptar.

Lindi në Eskishehir, djali i dytë i Hysenit dhe Lisheshit pas Selaudinit.I ati ishte gjykatës i diplomuar në "Dar-ul-Hukuk" të Stambollit.

Shkollimin fillor e kreu në shkollën qytetëse në vitin 1921 në Gjirokastër, nga ishte edhe prejardhja e familjes. Për të vazhduar studimet u dërgua në Austri.

Para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten.

Kreu gjimnazin në Klagenfurt (1923-1926), për shkollimin e lartë pati një fërkim me synimin që i ati i kishte vënë që të bëhej mjek.


 Por pas këmbënguljes për gjuhësinë, regjistrohet në Grac për vitin akademik 1927-1928 dhe mbasandej kaloi në Vjenë (1930-1933), ku ndoqi mësimet e Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl.


Nën drejtimin e Joklit, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin historik të Gjuhës Shqipe. Në 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi Italoalbanische Studien (Studime Italo-Shqiptare).

Çabej u kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi dhe nëndrejtor i konviktit "Malet Tona" në Shkodër (1934) ku dha letërsi shqipe. Në vitin shkollor 1935-'36 Çabej u transferua në shkollën Normale të Elbasanit, ku edhe atje ndenjti një vit. Që andej u transferua në Ministrinë e Arsimit për t´u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm. Me sa kuptohet nga qëndrimi i tij, ai nuk e kishte mirëpritur një emërim të tillë.


Me një lutje më datë 17. 12. 1936, drejtuar Ministrisë së Arsimit, ai kërkon që për arsye shëndetësore të transferohet nga ai dikaster e të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës. Kërkesë që nuk i plotësohet, duke e emëruar në Shkollën e Plotësimit Ushtarak.

Me "çështjen Çabej“ u mor më në fund edhe Këshilli i Ministrave të asaj kohe, i cili vendosi që Çabej, pas mbarimit të Shkollës së Plotësimit Ushtarak, të transferohej si profesor në Gjirokastër. Më 1938-'39 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe.

Në vitin shkollor 1939-'40 Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Më 1940 dërgohet në Romë nga min. i Arsimit Ernest Koliqi për të punuar mbi Atlasin Gjuhësor Shqiptar, i cili nuk u krye për arsye të ndryshimeve politike përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shtator të 1943 u emëruar min. i Arsimit në qeverinë Mitrovica, post të cilin nuk e pranoi. Më 25 janar 1944 i pushkatohet vëllai, Selaudini, nënprefekt i Malësisë së Gjakovës. Në Shqipëri u kthye vetëm pas korrikut 1944.

Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave.



Veprimtaria shkencore

Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zenë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.

Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.

Tituj të veprave


Fonetikë historike e gjuhës shqipe : hyrje në historinë e gjuhës shqipe II - 2012

Diana dhe Zana - 2011

Elemente të gjuhësisë dhe literaturës shqipe - 2009

Hyrje në Indoeuropianistikë - 2008

Sonete - 2008

Shqipja në Kapërcyell 2006

Studime gjuhësore I-VIII. Rilindja, Prishtinë 1986

Studime etimologjike në fushë të shqipes. Akademia e schkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1976-2006

I - 1976; II: A-B - 1982; III: C-D - 1987; IV: Dh-J - 1996; VI: N-Rr - 2002; VII: S-Zh - 2006; V: K-M - 2014. - ISBN 978-99956-35-20-6

Hyrja në historinë e gjuhës shqipe. Fonetika historike e shqipes. Rilindja, Prishtinë 1970
Meshari i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Pjesa e parë. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë 1968

Hyrja në historinë e gjuhës shqipe. Pjesa e parë. Tiranë 1958

Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes

Fjalor i gjuhës shqipe i vitit 1954, (Bashkautorësi)

Odiseu dhe Konstandini

Mirënjohjet

Urdhrin "Nderi i Kombit", Shqipëri 10 maj 2003

Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë

Universiteti i Gjirokastrës mban emrin e tij, pra Universiteti Eqerem Çabej

Burime

^ Elsie R., Historical dictionary of Albania (2nd ed.). Lanham: Scarecrow Press. 2010. fq. 67. ISBN 9780810873803.

^ Imaj A., Dosja e Sigurimit, Mehmet Shehu: Çabej, eksponent kryesor i reaksionit antishqiptar, Panorama, 29 tetor, 2009.

^ Rexha E., Zhvarroset në Gjakovë Selaudin Çabej, vëllai i Eqrem Çabejt, islamgjakova.net, 10 tetor 2011.

^ a b c d Demiraj Sh., Eqrem Çabej, një jetë kushtuar shkencës, Tiranë: Akademia e Shkencave, 2008.

(Floripress/Flori Bruqi)

Sot në Vërmicë është arrestuar aktivisti i LV z. Shkëlqim Morina.

Policia konfirmon arrestimin e aktivistit të VV-së

Shkelqim Morina

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është arrestuar në Vërmicë një person me inicialet Sh.M., 31 vjeçar, i cili ka qenë në kërkim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka njoftuar se është arrestuar aktivisti i tyre Shkëlqim Morina.

“Pushteti do të tregojë se nuk dorëzohet në gabimet e tij. Kështu sot, aktivisti Shkelqim Morina është arrestuar në kufirin me Republikën e Shqipërisë, derisa shkonte në pushime me gruan e tij. Arrestimi i tij është bërë për shkak të aksioneve të mëhershme politike. Shqetësimi i aktivistëve për projektet e dëmshme politike në Kosovë është treguar i drejtë, angazhimi i tyre i dobishëm, kurse instalimi përdhunshëm i atyre projekteve nga ana e Qeverisë është vërtetuar si i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Kjo është dëshmuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e VV-së.

Kurse Policia ka thënë se ai ka qenë person në kërkim, pa treguar se për çfarë rasti.

“Sot me 23.07.2018, para dite, në PKK Vërmicë është ndaluar shtetasi i RKS-së, Sh.M. 31 vjeçar, pasi që i njëjti ka qenë duke u kërkuar nga Gjykata Themelore ne Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

2018/07/22

Raimonda Moisiu, një yll i poezisë bashkohore shqipe !

Dashuria më e madhe? Hmmmm….Sa pyetje e bukur dhe sidomos sa e përgjithshme. Fjala dashuri në vetvete është një! 

Por në kuptimin e saj është një ndjenjë gjithëpërfshirëse. Gjithashtu ka dy shprehje për dashurinë: Të dashurosh dhe të jesh në dashuri. 

Të dashurosh është art më vete. Të duash dikë është art më vete, sepse edhe të qenit njeri është art më vete. Të jesh grua të të dashurojnë është art më vetë .

Të kesh familje është art më vetë .Të përjetosh një dashuri nga më të bukurat e jetës është përsëri art më vete. Gjithkush në jetë mund të ketë disa dashuri. 

Secila eksperiencë ka motivet e saj të bukura shpirtërisht, apo të këndshme. Kam përjetuar një dashuri nga më të bukurat, nga më sublimet, të madhe si mund ta quajmë, më të mirat e jetës sime, mbas divorcit ,që rrallë mund ta provojë dikush, një dashuri që më dha motiv që ja dola në jetë .

Është një dashuri që tashmë prehet diku në një cep të Tiranës, ( Raimonda përlotet)-që pret lule, qirinj sa herë unë vij në Shqipëri, -një dashuri aq e madhe që merr shumë vargje nga unë – si kujtim-se dua ta mbaj të freskët, të bukur,fisnike ashtu si e kam përjetuar,se nuk dua ta besoj që nuk ekziston më.

Eja, eja këtu në kujtimet e mija,
Që atëherë, e shikon se si jam tretur?
Më mungoni që të dy: ti dhe atdheu,
Vec një shoqe kam – hënën zemërmekur!


Po kush është Raimonda Moisiu ?



Image result for RAIMONDA MOISIU


Raimonda Moisiu (SADE) (lindur më 20 shkurt 1957, Korçë) shkrimtare, shqiptare nga Shqipëria.

Lindur e rritur në Korçë në një familje edukatorësh. Pas përfundimit të mësimeve të mesme merr një të drejtë[1] studimi në gjuhët e huaja, dega anglisht. 

Pas mbarimit të studimeve, punon mësuese e gjuhës angleze, në qytetin e Korçës dhe rrethinat e saj. 

Më 1999 humb bashkëshortin e saj në një aksident automobilistik, dhe po këtë vit emigron në SHBA, si fituese e llotarisë amerikane. Sot ajo jeton në Hartford, shtetin e Connecticut, USA, së bashku me fëmijët e saj.

E apasionuar me publicistikën, përkthimet dhe shënimet e udhëtimit, ajo vijon me këmbëngulje për të kërkuar në histori dhe në zhvillimet aktuale, duke evidentuar vlerat më të mira të vendlindjes e të njeriut.

 Me kalimin e kohës, ngjarjet e jetuara, proza letrare, përkthimet dhe poezia shëndrrohen në pasion të pandashme të saj. Këtë pasion të saj, Raimonda përpiqet që ta shprehë e të artikullojë edhe në shoqërinë në të cilën jeton.



Për kontributin e saj të çmuar në komunitet e shoqëris në ShBA, u nderua me Official Citation, me motivacionin si "Gruaja e vitit në komunitet", nga Bashkia e kryeqytetit të Connecticut, Hartford.

Aktiviteti i saj është gjithëpërfshirës dhe vije në shprehje nëpërmjet pjesëmarrjes në shumë lista të bashkësive të shoqërisë, amza interneti dhe forume bashkëatdhetarësh në internet.

 Aty, ajo nëpërmjet shkrimeve publicistike, prozë letrare, poezi, ngjarje të jetuara, dhe opinione të ndryshme për zhvillimin e proceseve shoqërore në Shqipëri dhe në Diasporën shqiptare, përpiqet të tërheq vëmendjen për dukuri të brishta me të cilat duhet të përballohet shoqëria shqiptare.

 Raimonda është bashkëpunëtore me statusin e gazetares në disa gazeta të pavarura në shtypin shqiptar, Shqipëri, si: "Tirana Observer", "Ndryshe", "Panorama", dhe me statusin e korrespodentës në "Albanian Mail"-Londër, "Fjala e Lirë" - Londër, dhe "Illyria" - SHBA. etj.


Veprimtaria e Raimondës në opinionin e gjërë është kryesisht e njohur në lëmin e letërsisë e cila shprehet nëpërmjet disa titujve dhe pjesëmarrjes së saj apo të shkrimeve të saja në takime të ndryshme letrare.

Tituj të veprave

"Jeta mes dy dashurive", - një libër me prozë, ngjarje të jetuara dhe publicistikë.

"Dashuria nuk ka emër", - vëllimi i parë me poezi, kryesisht lirika dashurie.

"Sikur s'me ke puthur kurrë", - vëllimi i dytë me poezi, kryesisht lirika dashurie.

"Duke kërkuar Ardianen...", - përmbledhje me proza (kryesisht bazuar ne ngjarje të jetuara) dhe ese.

"Gërhitja e gjeneralëve", - përmbledhje publicistike.

"Pafajsia e Evës", - roman.

"Tempulli i fjales", - bashkëautore në këtë antollogji në gjuhën rumune.

"Itaka e Fjalës", - bashkëautore në këtë antollogji të botuar nga "Fotjonart".

"Zemra Prindërore", - bashkëautore në këtë antollogji në forumin virtual "Mëmëdheu".

"Nëna",- bashkëautore në këtë antollogji me prozë, në forumin "Pan Albanian women network".

"Tregime", - përmbledhje publikuar nga Shtëpia Botuese "ADA", Tiranë.

Mirënjohje

"Fotjonart" - e vlersoi me çmimin e parë punën e saj për rubriken "Reportazhe".

"Forumi Shqiptar" - e vlersoi me çmimin e dytë punën e saj në hapsiren "Tregime".

"Kadmus" - e vlersoi me çmimin e tretë punën e saj në rubrikën "Intervista".

"Netët Korçare" - e vlersoi me çmimin e parë ballkanik për poezinë e saj.

"Netët Poetike të Strugës 2009" - i vlersuan lartë pesë poezit lirike të saj, nëpërmjet të cilave hyri në antologjinë botërore: Who's Who, me titull :"Poetry from five continents".

"Takimi i Poeteshave në Vushtrri" - përzgjedhë rregullisht poezit e saj.

"Takimi At'Gjeçovi 2009" - kësaj radhe poezin e Raimondes, "Nuk munden me.." e vlersoi si më të mirën e takimit.



Përmbi rrudhat e dhimbjes….

Sa shpejt kaluan vitet, krejt si akulli u shkrinë,

Si një flutur e lodhur, më endesh ndër kujtime.

Dhimbja që lë pas, s’gjen forcë për t’u venitur,

Iku ky vit…Vjen tjetri i dërrmuar e i rraskapitur…



Thërras në kupë të qiellit, rrah këmbët fort me tokën,

Ndrydhur shekulli ndër dhimbje, çan fort parzmin e gjoksit,

Dhe hapen valë – valë epshi, zemërimi, kotësia

Udhë me gjëmba, pengjet,madje edhe lakmia….



Një fillim i ri na duhet, me ëndrra të reja,

Të bukura, të papritura, si në të kaltërt vjen rrufeja.

Fshehur rrinë iluzionet në shpirtin tim të vrarë,

Dhe rrjedhin lotët e shiut litarë – litarë – litarë.



Përmbi rrudhat e dhimbjes në fytyrën e vrerosur,

Tëmthat rrahin, veshët shugullojnë e s’kanë të sosur.

Mes të drejtës dhe kuptimit, çfarë t’i zgjedh kësaj jete?

Koka më duhet lart, për TY edhe për Vete.



E vërteta ngashëren vargjeve si ndrin dritë e Zotit,

Që ndrin lugun e jetës dhe përjetësinë, si qëmotit!

Jo në parajsë, në tokë, do të bashkohemi përsëri…

Nën palmën e serenatave për një roman të ri.



****

-Sonte vetëm puthje dua!

Nëpër lëkurën time, ndjeva ledhatimin

e buzëve të tua.

Nën dritën e hënës së trazuar, të zhytur thellë

në errësirë.

ndjeva nxehtësinë e gjoksit tënd.

Në vetminë e brishtë të errësirës, ndjeva

dridhjet dehëse,

të përqafimeve të tua.

Ndjeva pasionet e flakta,

që shkëlqenin në sytë e kaltër.



Ndjeva buzët e tua,

ju përgjigjeshin buzëve të mija,

të etura:

për mëkat,

për një puthje,

për një tendosje,

për një dëshirë,

për një përhumbje,

për një prekje,

për një ledhatim.

Ndjeva krahët rrethuar,

mbi gjoksin tim.

Nga pëshpërimat,

nëpër terr.



Ndjeva fjalën: Të dua!

Ndjeva lirinë,

Lirinë,

nga lëmshi i zjarrtë,

që kishte mbështjellë qeniet tona,

Duart tona kërkonin të ngrinin një urë,

me parfumin

nëpër dritën, puhizën e dashurisë.

Errësira rrënqethet nga puthjet tona,

Sonte vetëm puthje dua….



Puthje!

Përtej këtij terri,

ndalu aty, aty, ku dicka e panjohur,

na pret.

Puthje vetëm puthje sonte!

Vë buzët e mija mbi të tuat,

si një flakë kujtimi, që rri ndezur.



Buzët e mia të dashuruara,

ledhatohen nga buzët e tua.

Ngrohtësira e përjetësisë i merr me vete,

për në perandorinë e puthjeve .

Sonte vetëm puthje dua!

Ajër dua…aromë lulesh dua,

Dhe puthje,

Shumë puthje,

Pafund puthje,

Sonte vetëm puthje dua!



****

-Larg meje ti botë e urrejtjes

Sa keq që s’ka vetëm dashuri.

Sa keq që s’ka vetëm gëzime!..

Urrejtja më ngjan si çudi,

Që më trazon në kujtime…



Larg meje ti botë e urrejtjes,

Ti gropë e vdekjes, larg meje.

Pa shuar greminën e etjes,

Ç’ta marrkam rrugën drejt teje?…

.-.

Sa shumë liri që më paske,

Kërkoke hakun pa hak,

Përse kaq tepër me dashke,

Kur unë nuk të dua aspak?…

.-.

Me dukesh si macja e zezë,

Si menteshë që askush s’e ndërron,

Ku vemjet e ndryshkut bëjnë vezë,

E ti, për çudi, mbijeton….





****

-Shqipe e plagosur-

Kam parë një shqipe të plagosur,

Gjakun e saj nëpër gurë të cërkitur.

Mundohej, ashtu e gjakosur,

të mbronte zogjtë,me sqep duke klithur…

Kam parë dhe korba…Dhe shpendë të tjerë,

Që vështronin Shqiponjën me sy të frikur,

Sikur prisnin,të vdiste ajo e mjerë

Zogjtë për t’ia çukitur…

Vdekja e saj

Do të ishte e Shqiponjtë…

Po nuk vdiq,

Për të mbrojtur zogjtë…-



-Në natën e ndërrimit të viteve….-Ti falemi altarit të dashurisë! –

Nën dritën verbuese të shandanëve,

sy që kryqëzojnë vështrimet,

duart të gërshetuara fort,

frymë…frymë…frymë….,

pika djerse që pikojnë…..,

gotat e verës si dy pika gjaku,

tiktaket e orës,

dy fytyra që ndriçohen,

dy cigare që tymosen…

në natën e fundit të vitit….



Nën dritën verbuese të shandanëve….

Sekreti i virgjërisë së kësaj nate,

më pushton me dlirësinë e brishtë

si një serenatë gazmore,

në çastin e pasionit të dashurisë….



Sekreti i virgjërisë së kësaj nate…

Në valëzimin e flladit të natës,

mezi pres të përkundem lehtë,

në shtratin e agjentë,

të dëgjoj e kënaqem, me simfoninë e ujit,

të lumit,

që gurgullon poshtë dritares tonë.



Mezi pres….!

I Dashuri im..!

Të mos i frikësohemi dritës së shandanëve,

të pëshpëritim përrallën e dashurisë,

t’i bëjmë buzët si flutura,

e të zhytemi në fluturimin e puthjeve,

të ndriçojmë të fshehtat e syve.



I Dashuri im..!

Në strehën e prehrit të natës,

të ndërrimit të viteve,

orës dymbëdhjetë.

ora më e bukur e vetmisë,

e zhurmës së mrekullueshme të jetës,

të vallëzojmë si një puhizë lulesh,

të ndjejmë të rrahurat e ankthit dashuror,

të zemrës,

të kënaqemi me parfumin e shpërthimit,

të frymëmarrjes,

të bashkojmë livadhet tona.



Sikur dreri thërret drenushën e tij,

në këtë natë të fundit të vitit ,

Ti falemi altarit të dashurisë!


Çka shkroi për Raimonda Moisiun prof.Murat Gecaj :

Po ia nisi me radhë, me tre libra, njëri më i arrirë se tjetri dhe me emra të zgjedhur.

1. Libri i parë

Autorja ose botuesi, i kanë zgjedhur këta vargje, që i kanë venë në kopertinën e fundit:

…Dikush po na përgjon,
si puthemi ne të dy
dhe shkruan pa na thënë:
Asgjë mua, asgjë ty!
Dikush përgjon, si puthet,
një vajzë me një djalë…
Vajza, ardhur nga Hëna;
Djali, nga Parajsa ka dalë…

Është libri i tretë i kësaj autoreje, në poezi, pas atyre: “Dashuria ka një emër” dhe “Sikur s’më ke puthur kurrë”, bashkë me katër libra të tjerë, ku është bashkautore. Për ato, Monda ka marrë çmim të pare, në “Netët Ballkanike” dhe çmim të pare, nga redaksia e Gazetës “Nositi”.

Në përmbledhjen e re, në 190 faqe, janë publikuar 42 poezi shqip, 15 anglisht, 5 italisht e 2 greqisht. Në mbyllje janë vendosur vlerësimet e krijimeve në poezi, të R.Moisiut, nga: Fatmir Terziu, Pëllumb Gorica, Vangjush Ziko e Arqile Gjata.

2. Libri i dytë

Duke provuar gjininë e tregimit, përsëri R.Moisiu ka në epiqendër dashurinë, këtë ndjenjë të bukur dhe të përhershme njerëzore. Në ballë të tyre prinë tregimi, aq i njohur për ne, ”Kali i Princeshës”. Pastaj vijnë, me radhë, tregime interesante: “Gjëmimi i moshave”, “Fustani i bardhë”, “Sytë e Anës”, “Nepsi i epshit”, “Puthja e fundit”, “Dashuria e Evrehesë”, “Ekstazë mbi Oqean”, “E virgjër, në tjetër botën e saj”, “Përdhunimi” e të tjerë. Disi “fshehur”, mes titujve të tregimeve, është dhe skica aq e frymëzuar, shkruar me dhimbje për humbjen e mbesës së Mondës,”Luajmë bashkë, Greisa!”. Por janë dhe shkrimet rreth krijimeve e botimeve të Fatmir Terziut, Mëhill Velajt, Petraq Zotos, Ivzi Çipurit, Irena Gjonit, Remzi Bashës, Artan Mullajt e Monika Cepës.

Libri mbyllet me shënimin e Jorgo Telos për poemën e R.Moisiut “Në aeroportin e vetëm të Atdheut” dhe me një intervistë të Fatime Kullit, përmes të cilës zbulojmë anë të ndyshme të jetës dhe personalitetit artistik e krijues të Raimonda Moisiut.

3. Libri i tretë

Në librin e tretë, janë botuar mjaft ese dhe shkrime publicistikë. Se të gjithë ne e njohim R.Moisiun, për shkrimet e saj të zhdërvjellta, me gjuhë të pasur, me prekje në “telat e zemrës” së personazheve të saj etj. Janë 33 shkrime të tillë, në një libër me 180 faqe. Aty flitet edhe për ngjarje e krijues të njohur shqiptarë, në Amerikë. Të tillë janë: Fan Noli, Vlash Fili, Kostaq Duka, Mëhill Velaj, Riza Lahi e Roland Gjoza e Kozeta Zavalani.

Na tërheqin vëmendjen dhe shkrimet e frymëzuara të saj, gjatë vizitave në Atdhe, si për “parlamentarët e Fterrës”, për “Netët poetike korçare”, për kantautorin korçar Nonda Kajno dhe artisten Jorgjeta Lalzi, që “e lë Korçën pa gjumë”. Por, syrit dhe penës të kësaj publicisteje të talentuar nuk i kanë shpëtuar as nënat e gratë shqiptare, disa nga të cilat u martirizuan nga shteti monist në Shqipëri, ndër të cilat ishte dhe Musine Kokalari. Në reportazhet e autores preken dhe çështje të ndryshme shoqërore etj.
Në përfundim të këtij libri janë shkrimi i Erget Cenollit, për publicistikën e R. Moisiut dhe i Justin Stock (anglisht).

…Në mbyllje të këtyre shënimeve, për tre libra të Raimonda Moisiut (sepse ajo ka dhe mjaft të tjerë), koleges e mikes sonë të mirë, por dhe shkrimtares dhe poetes së njohur, po shënoj dhe një “sekret” të saj. Ajo, së shpejti, do të publikojë në Tiranë dhe librin me mjaft intervista të shkrimtarëve, poetëve e publicistëve, me titullin domethënës “Letrat shqipe, këtej & përtej Atllantikut”.

Sigurisht, atë e pres me kënaqësi të veçantë, pasi aty është dhe një intervistë, që ajo më mori, pak kohë më parë. Por Monda ka shënuar në faqen e kopertinës së fundit dhe titullin e një romani, “Pafajësia e Evës”.

Pra, le të presim, që t’i kemi sa më parë në dorë dhe këto krijime të bukura të saj. Ndërsa, në përgjithësi, e urojmë dhe e përgëzojmë atë, si për këta libra e tërë krijimtarinë e saj dhe dëshirojmë që Raimonda Moisiu të vijojë pa u ndalur në udhën e krijimit, duke mbetur e pakapshme, në “qiellin” letrar shqiptar!”

(Nga libri, me autor Murat Gecaj, “Për ju, krijuese…”, faqe 149-151, Tiranë, 2015)


***

Dhe krejtë në fund Stafi i Floripress-it ,i  uron  dhe e përgëzonë  këtë poete brilante dhe mike bashkatdhetare, për të gjitha botimet e saj, si dhe për veprimtaritë e palodhura, që zhvillon në Amerikë, por dhe kur kthehet në vendlindje, në Atdhe.

(Flori Bruqi)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...