Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/05/15

ATDHEU DHE ATDHEDASHURIA NË POEZINË E NDRE MJEDËS(2)

Prof.dr.Resmi Osmani Sprovë



Krijimtaria poetike e Ndre Mjedës, e nisur në fundin e shekullit XIX, krahas rilindasve te tjere te shquar, përmbushi dhe tejkaloi një shekull. I mbijetoi kohës dhe mbeti e freskët, e bukur, tingëlluese, e dashur ngazëllyese dhe e pëlqyer për lexuesit.Shumë syresh, duke qenë antologjike, janë mësuar përmenç dhe janë recituar. Sido që e pakët, vetëm e përfshirë në një libër,”Juvenilja”,që vlerësohet si ndër librat e vyer të poezisë shqipe, ajo ze vend nderi dhe vetë poeti rreshtohet në panteonin e poetëve të shquar shqiptarë të të gjitha kohëve. Për artin e vjershërimit mjeshtëror të Mjedës, në gjithë aspektet, është folur e shkruar nga shumë studjues, ndaj në këtë sprovë nuk do të ndalem te arti poetik i Mjedës, pasi siç e kam vënë në dukje në një shkrim tjetër dhe si e thekson stdjuesi dhe poeti Agim Vinca: “Mjeda nuk shkruan me laps, por gdhend me daltë”, por në një aspekt tjetër,në tematikën e saj e veçanërisht te dashuria për atdheun, e cila ka frymëzuar lexuesit e kohës kur u shkruan por edhe brezat e mëpasmë. Ato mbeten aktuale edhe ne ditet tona, për shkak te rrethanave historike të krijuara, që pasoi mërgatën e shqiptarëve në vende të huaj.
Ndre Mjeda lindi në shkodër më 20 nëntor 1866. I ati vdes dhe i lë të vegjël Ndreun dhe të vëllanë Lazrin. I rriti e ëma, me të keq, duke punuar si rrobalarëse në dyer të botës.Fëmijëri e palumtur dhe në varfëri. E marrin nën kujdes etërit jezuit dhe gjejnë në të mençuri, zgjuarsi dhe vullnet të spikatur për të nxënë, që e bëjnë të dallohet mes shokësh dhe të arrijë përvetësimin e shpejtë të dijeve.
Më 1879, pa i mbushur trembëdhjetë vjeç, thuajse ende fëmijë, ai ndahet nga gjiri i familjes, nga njerëzit e dashur, nga qyteti i lindjes,nga viset ku hodhi shtat. Atë e dërgojnë në një kurs privat për pedagogji në Spanjë. Që nga ai vit, deri më 1899, për afro njëzet vjet, kur u kthye në Shqipëri, kaloi një sërë shkollash, kursesh dhe universitetesh në Spanjë, Poloni, Kroaci, Itali, ku përvetesoi dije dhe tetë gjuhë të huaja.Një pasuri e tërë diturore që për kohën, edhe pse klerik, e renditën ndër intelektualët më të ditur të Shqipërisë. Gjithsesi, edhe pse jo i detyruar, ky ishte një mërgim, larg Atdheut, larg njerëzve të dashur, në vende të huaj. Natyrë e qetë, i heshtur dhe i përmbajtur, disi ëmdërrimtar, ai mba brenda vetes një mall e dashuri përvëluese për Atdheun,që rënkon nën robërinë turke. Një flakë që nuk shuhet asnjëherë, edhe pse jeton në vende të lira, të zhvilluara e të pasura të Europës së atëhershme, Ndreu nuk bëhet një qytetar kozmopolit, as atdhemohues, kur i duhej të krahasonte Shqipërinë me bukuritë dhe zhvillimin e vendeve të tjera,do marrëzisht Shqipërinë. I shfaqet vezullia e vargmaleve që duket sikur zbresin nga qielli, e shqipes që e lirë fluturon mbi to, fushat, lumenjtë burrat trima e gratë si zana. Ai mbetet shqiptar deri në palcë të eshtrave dhe pikën e fundit të gjakut.
E kanë thënë dhe të tjerë,ndaj nuk them gjë të re, se vepra është vetë njeriu, krijuesi i saj. Në ‘të gjejmë të kyçur ndjenjat,shqetsimet, brengat, dëshirat, kumtet. Dhe nëse do të dish atë që ka në shpirt poeti, merakun dhe shqetsimet e poetit, shih se cilat fjalë janë ato që përsëriten dhe përsillen më shpesh në poezitë e tij.Te poezitë e Mjedës, fjalët që hasen dhe përsëriten më shumë janë: Atdhe, Atme, shqype,male,zana, pyje e ograja, shqyptaria, ilirët dhe iliria, gjithëçka ngërthen brenda vetes, dhe shpreh poetikisht,si një dashuri të përjetshme, atë që quhet Atdhe, Shqipëri.
Është me interes të shihet se me çfar emrash e quan Mjeda hapsirën e banuar nga Shqiptarët bashkëkombasit e vet. Më të shpeshtë janë Atdhe, më rrall Atme, po asnjeherë Mëmëdhe, pra tokë e atit, tokë e burrave. Ndersa në aspektin hapsinor gjeografik Shqipni, kurse atdhetarizmin dhe përpjekjet për atdheun e quan shqyptari. Mjeda i njeh mirë përcaktimet moderne të Atdheut, kombësisë dhe kombit. Në poezitë e tij, brenda gjeohapsirës perandorake turke, Mjeda ve caqet e territorit të kombësisë shqiptare, nga Tivari në Prevezë, nga alpet e Namuna në Vardar, nga Malsia në Jalli. Të katër vilajetet,sipas kërkesave dhe percaktimeve të Lidhjes së Prizrenit. Këto toka janë shqiptare,historikisht, që së lashti se atje kanë jetuar Ilirit, se atje jetojnë shqiptarët,pasardhës të tyre dhe flitet shqip. E kësaj gjuhe,veç që edhe është studjues i saj, ai i thur vargje të mrekullueshme, jo vetëm për bukurinë dhe tingëllimin si kënga e bilbilit, lashtësinë e saj, por edhe si njësi bashkuese e kombit. “Prej Tivarit në Prevezë/Nji a gjuha e kombi nji/Ku lshon dielli njato rreze/Qi veç toka jote i di.” Dhe më tej”Gegë e Toskë, Malci, jallija/Jan nji komb, m’u da s’duron/Fund e majë nji a Shqypnia/ E një gjuhë t’gjithë n’a bashkon”. Këto vargje janë edhe për të sotmen, edhe pse ende shqiptarët jetojnë në trojet e veta të shpërndarë në gjashtë shtete, gjuha mbetet njeri nga faktorët bashkues.Por, veç kësaj, ajo është edhe e bukur: E këndshme si vera…/Përmallshëm si era, /Që napin zymylat,/Nder lule ma s’parit,/A g juha e Shqyptarit.
Ndryshe nga rilindasit e tjerë,Naimi Çajupi etj. dhe poet të mëvonshëm e të sotëm, që i kushtojnë poezi të veçanta Atdheut, te Mjeda, vrejmë se Atdheu, atdhedashuria, shqiptaria, brengosja për fatet dhe lëngimin nën zgjedhën e huaj të tokës arbërore dhe bashkvendësve të vet,e përshkon si fill i kuq gjithë poezinë e tij, është gjymtyra, ashti poetik, mbi të cilën lartohet ngrehina e poezisë mjediane. E gjejmë te poemthi “Vaji I Bylbilit”, “Shtegtari”,te “I tretuni”, me atë lamtumirë elegjiake që i jep Shkodrës. Do të ndalem te poezia “Malli për Atdhe” U shkrua më 1888 në Kremona të Italisë. Poeti është i mërguar.Të bukura qytetet e huaja, por ai e ndjen veten si në shkretëtirë, rri duke rënkuar(gjëmue), nga gjithë të mirat e atyshme nuk gjen ngushëllim e prehje, zemra i shkrihet për Atdhe. Edhe kënga e bilbilit i përngjason me ankimet e tij të përvajshme. Shkrihet në vaj për vendin e tij. Heroi lirik pyet erën dhe kroin, për fusha e malet, për bjeshkët, malet, fushat e bekuara të vendlindjes, ku ka kaluar djalëria, por ato heshtin.Mendja shkon në Shkodër,Cukal. Maranaj, në Bunë e në Drin. Kur ka për tu gëzuar vallë në ato kasolle? Ku jeta i duket më e paqtë dhe e këndshme, pasi ai në dherat e huaja ka gjetur veç trishtim. Dhe në mbyllje: ”Larg teje ,o shqype,/Kush lyp gjallimin/ Po do mallkue”. Atdheu asnjë herë nuk duhet braktisur, për çdo arsye.
Atdhedashuria, kalohet nga brezi në brez, nga nëna te biri, porosia e nanës:Nji nanë tjetër,thoshe ke/Bir n’kët dhe/ Nana jote a Shqypnia …..Dhe plotësimi i amanetit nga biri:Mbas fjalësh t’tua përher shkova/ E t’ndigjova/Shqyptarin nuk e korita. Atdheu, Shqipëria, i trazojnë gjumin, i shfaqen në ëndërr , me bukurin e një vashe-ëngjëll dhe kur ai pyet se kush është, vjen përgjigja befasuese: ”Motër e nanë, tha, m’ke-jam shqyptaria”.Brengosëse është vdekja në vend të huaj, larg atdheut, në dhera të huaj dhe, në çastet e shpirtfluturimit, për në amshim,mendja shkon te atdheu, dhe fjala e mbrame që mëmërin është Shqypni(Në dekë të shoqit tim Gj.S.)
Atdheu ka histori, ku nuk mungojnë lavdia, trimëria, guximi, lufta për mbrojtjen e trojeve nga armiqtë, ku janë shquar burrat trima të Ilirisë, me prijës Bardhylin, Gentin, Me Skënderbeun e lavdishëm ,Aranitin dhe Topian, në qëndresën çerek shekullore. E gjitha kjo për të ngjallur te bashkatdhetarët ndjenjën e krenarisë për Atdheun, trojet e të parëve, shqipërinë dhe Shqyptarinë, atëhere kur për atë epokë historike, Pashko Vasa shkruante: “Ti ke pas kenë i zojë e randë/Burrat e dheut të qujshin nanë”. Në kushtet e robërisë së urryer të gjysmëhënës, poeti u kujton se kush kemi qenë, duke ua vendosur përpara si një pasqyrë, ku shqiptari duhet të shohij veten. Më së shumti dhe më së miri, kjo evidentohet në sonetet e poemthave “Lisus”,”Skodra” dhe “Liria”.
Liria, nuk dhurohet, ajo fitohet dhe, fitohet me luftë, me sakrifica me jetë dhe gjak. Poeti, i nxitur nga kryengritjet kundraturke të malsis së veriut më 1909, i lind shpresa e çlirimit nga zgjedha e robërisë. Jep kushtrimin e luftës.”Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcija” dhe bën pyetjen, si në një kuvend burrash:”A ka lirim ky dhe që na shklet kamba/ A veç t’mjerin e mblon anë mb’anë robnija?” Mbi zhgunin e klerikut, ai hedh në krah pushkën, në tjetrën shpatën dhe flamurin me shqypen dykrenore, kthehet në këngaëtar i lirisë dhe rebel, luftëtar kryengritës. Në poezitë “Lirija”, “Bashkonju”, ”Vorri i Skanderbegut”, ”Mahmud Pasha në Mal të Zi”,”Shqypes arbnore”, vargjet ushtojnë nga thirrjet e luftës. Ato ftojnë shqiptarët që të bashkohen:për rrëketë egjakut të derdhur, kujen e nënave për bijtë e rënë, për nderin e vashave shqiptare, për tokat e lëna shkretë,për eshtrat e dhunuara të Skënderbeut, për gjithë këto dhe lirinë , bëhet thirrja e bashkimit nën flamurin e shqipërisë, për unitetin kombëtar, pasi “Prej nji gjaku, nji gjinis/A shqyptari kand e kand” dhe se “Nji gjuhë shejte t’gjith kuvesim/Nji istori, nji atdhe ne kemi/Geg e Toskë nji zemre jemi”. Janë vargje aktuale edhe në ditët tona, kur shqiptarët jetojnë të ndarë në gjashtë shtete dhe kur pas pavarsimit të Kosovës, ka lindur si kërkesë aspirata e bashkimit kombëtar, e Shqipërisë natyrore.
Mjeda,me metafora, epitete dhe krahasime brilante,si: djelmnia kulshedr e malcive,si stuhi e përmnershme, rrufe bubullore, me xhixha ndër sy si shqypojet majë bjeshkve,kelmendasit e rreshtuar majë bjeshkëve. E tjera kësodore, që shkrepëtijnë e venë në dukje trimërinë, atdhedashurinë dhe burrërinë, u bën thirrje krahinave të malësisë: Lekëve(Malsorëve) Hotit, Grudës, Kastratit, Shkrelit, Kelmendit, të lënë mënjanë dasmat, pendët në hulli të arës, tufën e bagëtive në kullotë,të ndërpresin vadën në të mihurat, ngaqë pushkë e shpatë , janë parmendë e janë kosë. Të rrëmbejnë armët dhe të turren në luftë kundra halldupit otoman. Është për t’u vënë në dukje, se Mjeda, shpresën e kryengritjes së armatosur dhe çlirimin e Shqipërisë, forcën lëvizëse të kësaj lufte e sheh në shtresat e gjera të fshatarsisë, qofshin ata malsorë apo fusharakë, pa patur besim te shtresa e feudalëve, te ata që flejnë mbi thaës florinjsh, ndaj të cilëve zbraz mllefin te poezia Mustafa Pasha në Babunë.
Edhe pse gjendja e vendit nën sundimin e të huajit është e rëndë, Mjeda nuk e humbet shpresën se Shqipëria do të çlirohet dhe mëvetësohet. Këtë e shpreh më së miri në sonetin VI të poemthit Liria: Po nuk u shuejti edhe,jo, shqyptaria:/Lodhun prej hekrash qi mizori i njiti/Lodhun prej territ ku robnimi e qiti/Shpreson me e zgjue fluturim mënia. Në vargje sillet ngjallja e frymës së lirisë, se ndër male përhapet shkëndija e lirimit të Atdheut, se ndër kasolle fshehtas shëtit hija e Skënderbeut, e se nënat në gji u shtjenë bijve urrejtjen për armikun, dhe, se, ndër male, bukuri mbretnore, hap flatrat e mnershme që përshndrisin, me thonj të harkuar Shqipja arbërore. Ca më shumë, shpresa e çlirimit shpërthen plot mllef kundër sulltanit otoman, por edhe shpresë për shqiptarët, në nbyllje të poezis ”Për një shkollë shqype mbyllun prej qeveris otomane” më1902.
Në figurën e Mjedës, krijimtaria atdhetare, është e pandarë nga veprimtaria e tij në lëvizjen patriotike dhe jetën politike si dhe atë publicistike e studimore.Më 1908, pjeëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit, në komisionin që caktoi alfabetin.në vitet 1916-17, Mjeda qe një ndër veprimtarët më të shquar të Komisisë letrare të Shkodrës. I përfshirë në lëvizjen politike në krahun demokratik,1920-1924 qe deputet i opozitës në Kuvendin Kombëtar dhe Asamblenë Kushtetuese.Me kthimin e Zogut, ai u tërhoq nga jeta politike dhe në vitet 1930-37, shërbeu si mësonjës I gjuhës dhe letërsisë në Kolegjin Saverian të jezuitëve në Shkodër.
U nda nga jeta më 1 gusht 1937, duke na lënë trashëgim krijimtarinë e tij të pamort.

Prof.dr. Resmi Osmani Sprovë-Triptik : ARTI POETIK I NDRE MJEDËS NË POEMËN”ANDRRA E JETËS”(1)




(Të pathënat që duhen hulumtuar)


Ka kaluar mëse një shekull nga koha kur poeti dom Ndre Mjeda, shkroi poemen “Andrra e Jetës”.Nga studjuesit dhe kritika, ajo është konsideruar kryevepra e tij poetike, dhe pa dyshim , në buqetën e poezive të shkruara prej tij, ajo është më e bukura e tyre, margaritari i kurorës. Për të janë shkruar analiza, vlerësime, janë shprehur opinione e komente, për të nxjerrë në relief gjithë magjinë e artit poetik të Mjedës. Ajo ç’ka dua të shpreh, janë impresionet vetiake, pas leximeve të herë pas herëshme të kësaj mrekullie poetike, pa mëtuar ndonjë risi.E them që në krye: për mendimin tim,titulli ”Andrra e jetës”, nuk do të thojë sipas konceptit religjioz se jeta është ëndërr, por ëndërra për jetën, ëndërra për të jetuar.
Por si u ngjiz, poema?
Ndre Mjeda,ndër burrat më të ditur,ndër shqiptarët e kohës së tij, i kulturuar dhe iluminuar, zotrues i tetë gjuhëve të huaja, klasike dhe bashkëkohore, atdhetar, studjues dhe lëvrues i gjuhës shqipe, i dorzuar prift në urdhërin e jezuitëve, pas daljes nga urdhri i tyre, u kthye në Shqipëri. Më 1902, u caktua meshtar në katundin e vogël Vig të Mirditës. Pse një personalitet i tillë në një detyrë të thjeshtë dhe në një katund të varfër të malësisë? Duket, na lejohet që ta mendojmë, se Jerarkët e kishës të urdhrit Françeskan, në Shkodër, për qëdrimet e tij ndaj urdhrit të Jezuitëve, nuk e pritën mirë. Vigu ishte si njëfarë syrgjini për ta harruar, por Mjeda s’ishte nga ata që mund të harrohen. Atje, në përmbushje të detyrave të tij të përshpirtshme, duket se hyri shtëpi më shtëpi e kasolle më kasolle dhe ndeshi varfërinë, paditurinë dhe mjerimin e fshatarëve, luftën e tyre me natyrën, sundimtarët, vështirësitë, për mbijetesë, por edhe andrrën për jetën, që e shpresonin. Njeriun edhe mund ta mposhtësh, por nuk e ndalon dot të ëndërrojë dhe shpresojë. I ndjeshëm, i dhimbsur, por i pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen e tyre, vuajti me ta, dëshpërimisht.
Pas largimit nga Vigu, përsëri në një fshat të varfër, në Kukl, me detyrën e priftit të thjeshtë. Edhe këtu gjendja sociale e fshatarëve,nën sundimin e të huajit dhe feudalëve vendës, ishte e mjerueshme varferia e ulur këmbëkryq, vdekja rrëmbente fëmijët. Këtu zuri fill shkrimi i poemës “Andrra e jetës”, mrekullia që lindi pas vitesh të tëra meditimi e refleksioni për fatin dhe vuajtjet e njerëzve të vet, nga populli i thjeshtë.
Le të ndalemi te poema.
Andrra e jetës, është ngritur me tri pjesë: Trina, Zoga dhe Lokja, pjestare të së njëjtës familje. Në pjesën e parë, vdekja e parakohshme e Trinës, në të dytën triumfi i jetës personifikuar me Zogën, në të tretën vdekja e Lokes.Dy vdekje, jeta midis. Gjithësej 296 vargje, në strofa katërvargjëshe, e më pak gjashtëvargjëshe, tetë e pesë rrokëshe. Shqyrtimi i kujdesëshëm i poemës, na ndihmon të nxjerrim në pah artin e vjershërimit të poetit.
Natyra, pejsazhi, mitet.
Në 296 vargje, gjashtëdhjetë janë tabllo të natyrës dhe peisazhit .Ngjan si shumë, por poeti e bën këtë jo se është i dashuruar me natyrën, porse ngaqë, i shërbejnë për paraqitjen e mjedisit jetësor për të dhënë tabllonë ku zhvillohen ngjarjet, si simbole , paralelizëm figurative dhe krahasimet.Mjeda, si romantik, e ekzalton peisazhin dhe natyrën.Ditën e mbush me dritë dielli, netët me yje dhe dritë hëne,lëndinat me lule zogj dhe flutura, sepse: bashk me lule len dashtnia/me kangë t’shpendit qi galdon/E prendverës bukurija/bashk’ prej gjumit t’ tanë i zgjon. Ajri dridhet nga puhiza verës dhe me stuhi, ngrica e borë dimrit.Të trija personazhet shkrihen në një me këtë mjedis, bile pa të ato do të dukeshin ndryshe, disi të mangëta. Zymbyli, trëndafili, me aromat dehëse, paralajmërojnë stinën e re por edhe gëzimin dhe gjëndjen shpirtërore,janë edhe personifikim i vashës. Krizantema, simbolikisht na kujton varrezat dhe vdekjen. Bylbylat këngëtarë, simbolizojnë çiftin e të dashuruarve.Të ftohtit, murlani, dimri, vuajtjet e jetës dhe fundin e saj. Tabllotë me elementët e natyrës, qofshin të pranverës, verës apo dimrit, na fusin në atmosferën dhe gjëndjen shpirtërore të heroinave dhe atë që pritet të ngjasë me jetët e tyre. Të pranishme në dy–tri raste, janë dhe shtojzavallet, qe vallzojnë në male, por edhe tjerrin dhe këputin fillin e jetës njerzore.
Të shkruash pak e të thuash shumë.
Kjo ndodh me artin e Mjedës në këtë poemë. Është një nga veçoritë e vjershërimit të tij. Tejet i kursyer në rrëfim dhe disi fragmentar, sa na kujton De Radën te Milosao. Ku ndodhin ngjarjet? Në një fshat, ku nis gegëria, vetëm krahina? Them që jo. Lexuesi, po të hedhë sytë në katër anët e horizontit sheh: në jugë Toskëria, në veri Gegëria, në lindje Malësia, në perndim Jallija. Kësisoj fshati pa emër, kthehet në simbol i tërë fshatrave të shqipërisë, ashtu si e mendonte Mjeda te poema “Gjuha shqype”: Geg’e Toskë, Malci, jallija,/ jan nji komb, m’u da s’duron/Fund e majë nji a Shqypnia….” Fshati, gjendet rrëzë kodrës, me pyje bredhi, lisi epishe, me lëndina, rudina e çeltira, me burime te kulluara, por….i varfër. Këtë e mësojmë te kënga e Zogës kur poeti e porosit: del prej t’vorfnit katund. Edhe pse natyra e ka begatuar, faktorë të tjerë, që vetkuptohen, e kanë lënë në varfëri.
Ç’farë moshe kanë të tri heroinat, si janë nga pamja e jashtme? Poeti nuk na e thotë drejt për së drejti. Por poema hapet me një metaforë”Molla t’kputuna nji deget/Dy qershija lidh n’nji rrfanë/Ku fillojnë kufijt e Geget/Rrijnë dy çika me një nanë”Jo më kot poeti ka zgjedhur dy fruta, qershinë dhe mollën, që për pamjen janë nga më të bukurat. Çikat si qershijat kuqaloshe dhe mollët e ëmbla aromatike, nana si dega e mollës, që i ka lindur dhe ato janë të lidhura të trija si qershitë e një bukete.Pak imagjinatë dhe lexuesi krijon idenë për portretin e tyre.
Edhe moshën nuk na e thotë. Lexuesi duhet ta hulumtojë midis vargjeve. Moshën e Trinës, e gjejmë te një fjalë e Lokes: ”Bijë mos e prek, se njomza/Tash a tui fol me Zojen”.Trina është “njomzë”, ende e parritur,Kurse moshën e Zogës, e përcaktojmë nga naiviteti me të cilin ajo sheh vdekjen e së motrës, pa kuptuar se çfarë ka ndodhur, ende një fëmijë në rritje.Nga mosha e të bijave, gjykojmë se Lokja , grua e ve, që s’na thuhet ngase e ka humbur burrin,(Gjakmarrje, luftë, vdekje e natyrshme etj.) në pjesën e parë, duhet të jetë ende grua e re, që i bën ballë jetës, si shumë gra shqiptare dhe rrit vajzat e saj.
Ngase vdes Trina, kush është shkaku? Mbrëmanet, kur kthehet në shtëpi bashkë me lopën Murgjinë dhe delen Sykë, ndjen dhimbje në ije dhe i ka mollzat e faqeve gjak të kuqe. Shenja këto të tuberkolozit. Vdes në gjumë. Poetit kaq i mjafton,lëngata merret me mend. Por pse duhet të vdesë Trina , pse poeti bën këtë zgjedhje? Mendoj për dy arsye: që andrra edhe mund të ndërpritet dhe për karakterin përgjithësues që ka poema, me këtë vdekje të dhimbshme, si metaforë, të rrëfejë fatin e fëmijëve të malësorëve, që nga varfëria dhe mundimet i rrëmbente vdekja parakohe. Lokja, ndryshe nga sa ishte zakoni, nuk vë gjamën, por e përjeton thellë dhimbjen duke kërkuar ngushëllimin te Zoja e Lume. Imazhi i plotë i vdekjes jepet me katundarët që mbajnë qirinj në duar gjatë përcjelljes dhe priftin që i shoqëron.Si thonë ata që ngushëllojnë: mendjen te Zoti dhe Zoti I ndjeftë të vdekurit. Lexuesi e përjeton në heshtje, tok me të , këtë humbje të dhimbshme të fëmijës.
Po gjëndja ekonomike?E le lexuesin ta gjykojë. Lopa Murgjinë, delja Sykë, shtëpia. Si mjete pune vega (avëlmendi) dhe furka e tjerrjes! Kjo është gjithë pasuria, që gjithsesi nuk mund të sigurojë mirqënie, veç uri të gjithkohshme dhe mjerim. Kuptohet që kemi të bëjmë me familje të varfër. Ushqimi, kryesisht bylmeti, vakti: pshesh me tamël dhe kollomoqe! Përcaktimi ” Të mirë edhe për zotni”, është një ironi therëse. Lokja, bri vatrës, flakës dhe prushit të zjarrit, tjerr penjë për xhubleta, qënia e avlëmendit, nënkupton që ajo edhe end në të, një punë artizanale, që jep produkt për treg e për të siguruar ca të ardhura për jetësë. Familja nuk ka tokë, nuk na thuhet por edhe nënkuptohet. Përdor për kullotë rudinat dhe ledinat e kujrisë dhe pyllin për dru zjarri. Për ndriçim pisha. Mjerimi është ulur këmbëkryq në këtë familje malsore pa burrë.
Shtrirja në kohë.Në poemë, përfshihen tri breza: Lokja, dy bijat dhe fëmija që i lind Zogës. Në një farë mënyre, poema, sido e kursyer në vargje, është saga e dhimbshme e mjerimit të familjes malësore e shtrirë në kohë. Poeti e përdor kohën mjeshtërisht. Aty trazohen tok e bëhen njësh e shkuara, e tashmja, e ardhmja dhe pafundësia. Vitet kapërcehen dhe të tri kohët shkrihen në një, sa është e vështirë të dallohet kapërcimi. Zoga nga një fëmijë, në pjesën parë të poemës, na paraqitet një vashë e rritur,(kuptohet që kanë kaluar shumë vite) me dëshira dhe andrra, ndjesi të brendshme, që ia zgjon rinia. Nuk dimë sa kohë kalon nga martesa e Zogës, dhe lokja, tashmë e plakur rrugëton në kohë drejt fundit të saj dhe pas saj,vjen amshimi, pafundësia.
Fundi gjithkujt, por jo me vuajtjet dhe mjerimet e Lokes.
Këndvështrimi ideo-emocional. Në pamje të parë ,ngjan se poeti mban një qëndrim soditës,të ftohtë, pa emocione, i pa anshëm, vetëm sa rrëfen me art fatet e personazheve të vet , por gabohemi. Në tabllotë me pershkrimet e natyrës, që i përdor si sfond, metafora , paralelizëm figurativ e ekrahasime, ka ngazëllim të brendshëm ndijor të frymëzuar. Pjesa e poemës që i kushtohet zogës, dhe që është hymnyzimi për jetën në kulmin e saj, rininë dhe dëshirave që zgjon mosha e një vashe në lulzim, poeti e shfaq veten si një personazh, krah Zogës, ndjenjave dhe ëndrrave të saj dashurore. Disa strofa janë gati urdhëruese dhe këshilluese, dëshirore, për të ndjekur rrugën që i hap jeta: “Del, o bij’ prej shpijes s’ate/Del prej t’vorfënit katund;/Njajo flakë që n’ zemër pate/Do t’përciellin tjetër-kund” Është si një urdhëresë, dëshirë për ta parë Zogën, të lumtur e të lidhur në martesë, me kanunet e kishës, që:” sa jetë t’i japë perëndia, mos mu damun kurr prej’si .“ Si klerik, ai mendon se një e tillë martesë, për dashurinë dhe besnikërinë, ka bekimin dhe dorzanin e të lumit Krisht. Në pjesën e katërt, shkruar me strofa gjashtëvargshe, ndryshe nga struktura e poemës, duken si një shtesë e mëvonshme, në një atmosferë të ndritshme, me bukuri ku përzjehen qiellorja me toksoren, si një ode gëzimi, edhe pse s’na thuhet, mësojmë nga leximi midis rreshtave se zoga është martuar me trimin e ëndërruar. Lindja e foshnjës që i qeshet nanës(Zogës) kur mbi të përkulet. Është metafora e vijimësisë dhe triumfit të jetës. Që në errësirën e mjerimit dhe varfërisë, ka edhe ca shkëndija drite gëzimi e shprese.
Pjesa e tretë e poemës,”Lokja” është një rekuiem për fatin e gruas fshatare. E trajtuar shkurt, por me shumë art e dhimbje. E mbetur vetëm, pas martesës së Zogës, askush si gjendet në shtëpi.Në ditët dhe netët e acarta dimrore ngryset dhe gdhihet e vetme. Jetë që shuhet në vetmi ,varfëri, mjerim, me pengje: që s’lindi dot një djalë, që në shtëpi t’i gjendesh e reja, nipër dhe mbesa.E mbetur pa një dorë karthia për zjarr në dimrin e ftohtë, që të kujton dimrin e ftohtë të një poëzie tjetër të Mjedës me të njëjtin emër. Vjen hija e vdekjes, shuhet drita e flakës, shuhet dhe jeta e Lokes.Vdekja jepet me dy vargje.Poema aty mbyllet.Na le në zëmër një trishtim.
Duke lexuar poemën, pyeta veten: a e ka lexuar Migjeni poemën Andrra e jetës? Me siguri, dhe më lejohet ta mendoj qe ajo ka qenë pararendëse e “Poemës së mjerimit” dhe “Bukurisë që vret”.Por ndryshe nga Mjeda, që vetëm e vë gishtin mbi plagë, tek e fundit ai është klerik dhe jo revolucionar, Migjeni shpërthen dhe rrëfen shkaqet e së keqes. E damkos mjerimin me vulën e turpit, tregon shkaqet shoqërore të burimit të tij, kuptohet edhe rrugët e zgjidhjes, se mjerimi s’don mëshirë, por don vetëm të drejt! Por jo me paçavrat që u mykën tempujve.
Në mbyllje të kësaj eseje, për artin e vjershëtorit Ndre Mjeda do të perifrazoj Heminguein ne një letër dërguar Arçibald Makleishit: “Tolstoi ishte profet, Mopasani ishte shkrimtar profesionist.Balzaku qe shkrimtar profesionist. Turgenjevi ishte artist.” Edhe Mjeda ynë është artist. Shkrimi i soneteve, lirshmëria e përdorimit të metrikave të ndryshme dhe rimave, përveç talentit, rrëfen për disiplinë krijuese.Çdo varg është me bukuri dhe kuptim të mëvetësishëm, fjala e zgjedhur, e gjetur me kujdes që të tingëllojë e jehojë, strofat janë një unitet artistik. Ai nuk shkruante me penë, por gdhendte me durim me daltë, në qelën e vet, mbi mermerin e poezisë dhe krijoi monumente që do t’u qëndrojnë kohërave.




Zbraze mbi mua dhe ik! ( Cikël poetik - Homazh për poetin Valtër Lazri )


Nga Flori Bruqi 

Redaksia e Agjencionit Floripress me indinjatë të thellë para 8 vjetëve morri lajmin e hidhur se në Amerikën e largët ,vdiq shkrimtari dhe poeti i madh Shqiptaro-Amerikan z.Valter Lazri.


Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë si edhe themelues dhe  moderator i  web faqës virtuale në internet, “STERKALA”

Atëherë dhe tash pas 8 vjetëve ndjejë  dhembje shpirtërore për  mikun , shokun, shkrimtarin i cili  i dha gjuhës shqipe vargun e tij aq të bukur e kuptimplotë. 

Ai  na mungojë shumë , në këto lista shqiptare...



Ishte gushti i vitit 2012.Me erdhi krejt i papritur dhe tejet i hidhur lajmi mortor per mikun e kolegun tone Valter Lazeri.

Kam komunikuar shpesh here me poetin dhe kam gjetur tek ai ndjesine e vertete lirike te nje bregdetasi.

Njeri qe artin e kishte pjese te shpirtit e kurre te ambicjes per tu dukur sic behet sot atje ku prodhohet jo art por vlera mediokrre. 

Valter Lazeri ishte poet i vertete, i ndjere, i thelle, njerezor, poezia e te cilit gjithmone me ka emocionuar per sinqeritetin e ndjesive. Qe kur e kam lexuar per here te pare poezine e Valter Lazerit ne librat qe me ka derguar, e kam pershendetur dhe kam shkruar per ate poezi.

Ishte mbreslenese dhe ashtu mbetet sepse poezia jeton pertej poetit.
I shpreh ngushellimet familjes se tij dhe shpreh deshiren qe vepren poetike te Valter Lazerit ta kemi te plote si amanet i nje jete qe nuk mund te harrohet sepse ishte shpirti e kaltersia e dallgeve qe rreh brigjet perjetesisht.

I perjetshem kujtimi i mikut tone poet Valter Lazri.(Flori Bruqi).

Gazetari shkodran Luigj Shkodrani, nga Danimarka shkruan(18 gusht 2012):

Me besoni qe nuk po u besoj syve se cfare po lexoj. Kam mbetur teresisht i shokur nga ky largim kaq i shpejte nga jeta e nje miku tim shume te mire dhe te respektuar.

Kam komunikuar me Valterin rregullisht dhe per shume gjera qe ndollin ne keto lista ku jemi bashkur te gjithe kam gjetur nje mirekuptim te perbashket.

Tek Valteri une kisha mikun dhe shokun tim me te mire. Nga ai ka marre shume ide dhe mendime te vlefshme qe me kane ndihmuar ne punen time.

Ndjej dhembje ne shpirte per kete njeri qe i dha gjuhes shqipe vargun e tij aq te bukur e kuptimplote. Ai do na mungoje shume ne keto lista shqiptare.

Ishte themeluesi i Sterkales,por ishte nje njeri teper rigoroz,ne cdo aspekt. Ne listen e tij nuk ka lejuar qe te pranohen shpifje e sharje. Kjo liste eshte e ruajtur e paster fale punes se tij te madhe qe ai bente.

Me lejoni qe ne keto caste te renda per familjen Lazeri,te ju sjell ngushllimet me te sinqerta vellazrore nga une dhe e gjithe familja ime , per njerun tuaj te dashur e te shtrejte Valter Lazeri.

Jam se bashku me ju ne keto momente teper te veshtira dhe shume te dhimbeshme.

Nga kjo dhimbje qe kam nuk i gjej dot as fjalet,sepse une kam humbur nje mik te mire, shkruan Luigji i ynë i dashur!

****

Mbarova, thash dhe koken tunda
Si nje i pir ku s`di ku shkel
Te putha ,
qava,lotet fshive
Te shava,
E poshtera jete
E pabesueshme !


Valteri, themeluesi i “Sterkales”, u shojt ? Iku?Jam i shokuar …
Nje e papritur dhe dhembje e madhe, per ne te gjithe.

Nje njeri i dashur, diskret dhe poet i talentuar, s’eshte me i gjalle.
Nje shembell tjeter qe jeta s’eshte gje e, njeriu duhet ta jetoje ate, gjer ne indet me te imta.

Ngushellime familjes.

I paharruar kujtimi !

Tu prehte shpirti, Valter i dashur dhe modest, njeri me vyrtute dhe zemer flori, shkruan miku i Valterit dhe i imi , shkrimtari,
fotoreporteri shqiptaro-francezë  zt. Vasil QESARI.

Sikël poetik nga  Valter Lazeri.




VENDLINDJES

Ti atje…
për mua s`dihet,
nëse jetoj,
a ç`bëhem vallë!
Numëroj yje,
përcjell diej,
lotoj netëve…
… mbetem gjallë.

Pranverës mbledh
më të bukurën,
dimrit, të ftohtë,
me shume nga ç’ka.
Dalëngadalë
i bëj legjenda,
vitet vras,
ato i mbaj!
……………

Ti atje…
për mua s’dihet,
nëse jetoj,
a ç’bëhem vallë?!
Të gjitha bëmat
bërë legjendë,
në prehrin tend
dua ti zbraz!…

EVJENI

Shumë fjalë të huaja qenë
tonat, ashtu trazuar.
Eh , Evjeni,
… kësaj bote me ty jetuar
.
Në zemër të Europës
dhe më tutje
me ty në dashuri.
Eh, Evjeni!
Me ty
dhe pa ty!
………………….

Shikoj sërisht valët e detit,
Dajtin më të lartin mal
që jam ngjitur.
Dhimbjet shpërthejnë si vullkani.
Si vullkan,
Evjeni!
Në llavën e tij
me ty
e pa ty,
Evjeni!

***
Mban mend si perkedhelnim degët
tek një pemë limoni?
Mban mend si nxirrnim kecat
në kullotë?
Eh , Evjeni,
me ty
dhe pa ty!
Me evjeninë tënde,
Evjeni!

***
Sa herë unë dhe ti
për darkë ftonim Dean.
Ajo kërcente me mua.
Oh!…Evjeni,
ti gjithë xhelozi,
gjithë evjeni!
e ‘lige,e lige”
Gjithe dashuri.!
S’kisha prurë në jetë vargje
kaq të bukura,
të ngrohta,
të sinqerta..
Pas puthjes me ty
…e mban mend?
Oh!
Ti gjithë xhelozi!
E marrë, e marrë!
Gjithë dashuri. ..
Eh…!
Kaq sa për t`u kujtuar.
Sot kemi vdekur të dy.
Të dy:
ti dhe unë,
Evjeni!

KU JE SONTE?

Një ëndërr e prapë më zgjoi.
Shpërthim se nga e ku!…

Të gjitha i fshiu,
veç t`bukurën e syve të tu.
Dhe me to
në një imazh
lodhem, tretem
pa kufi.
Pres nga lart,
që të më bjerë,
të më bëjë
shkrumb e hi.
Ku je sonte, që të dua
dhe trazoj një oqean?
Ku je shpirt i patrazuar,
që si rob po më mban?!
Ku je sonte, që të pres,
si shiun toka në thatësirë?
Jam vapori,
që pres baticën,
të dal nga kjo cektësirë.
Ku je sonte,
që zjarri më është shuar.
Në zemër të akullit po digjem,
në thelb të tij
jam duke u përvëluar!

ZBRAZE MBI MUA

Mbush një shami me yje
me baltë,
me det
dhe eja!
eja, mbi djersën time,
mërzinë,
lodhjen.
Zbraze mbi mua dhe ik!
ik
e qofsh mirë!


EKSOD 

Yje!
C`presim tjeter te shikojme?!
Syt mberthyer ne qyell,
“ndihmona o zot!”

Ne c`rruge te mbare,
ne c`rruge te nemur?!
Mite “legjende”,

popuj te shembur.
Ne breg permbi det
dallge ngriti Marmaid
e pershendeti te bukuren Dea
(eksodi dhe ate e ka marre)

Aty ne lekures
luten te dyja:
“nxirri matan dhe kete rradhe!”

S`jane vetem djem muskuloze,
te pa lodhur dhe nata.
zvarriten mjerushem plakat e ngrata,
foshnjat me nenat-kangur.

Lote.
c`presim tjeter te shikojme?!
Eksodi si perbindesh ha njerez
dhe loja vazhdon.

1997


Prishtinë , 15 MAJ 2020.



….

2020/05/14

Një përgjigje cinike e kryeministrit Rama


Rezultate imazhesh për eshref ymeri

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri,Ph.D


Në intervistën që gazetari Çim Peka i mori Kryeministrit Rama nga studioja e kanalit televiziv “Syri tv” më 07 maj 2020, mes shumë pyetjeve që i drejtoi, më bëri shumë përshtypje përgjigjja ndaj pyetjes së parafundit. Këtu po e riprodhoj të plotë pyetjen e Çim Pekës dhe përgjigjen e Ramës.
       Çim Peka: Për pak muaj Shqipëria i afrohet asaj që konsiderohet kohë zgjedhjesh, edhe në kohë normale. Deri në këto momente që po flasim, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, duke përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë bërë të qartë se do të jenë bashkë. Kush do të jetë aleati i Edi Ramës nga partitë e mëdha, duke qenë se blloku opozitar tashmë është i qartë? A keni parti që mund të pranojë të jetë aleate me ju pas kësaj qeverisjeje tetëvjeçare?
       Kryeministri Rama: Po, patjetër. Partinë më të madhe shqiptare që është partia socialiste dhe partinë e partive që është populli shqiptar. Mjafton populli shqiptar, nuk ka nevojë për parti të tjera për të mundur këta.
       Me sa duket, Rama qenka i bindur plotësisht se populli shqiptar na qenka aleati më besnik i tij, prandaj në zgjedhjet e vitit 2021 ai është i bindur për fitoren e padiskutueshme të partisë socialiste, edhe pas tetë vjet qeverisjeje. Por kjo përgjigje fsheh edhe diçka tjetër: Rama e konsideruaka popullin si “pronën” e vet, tamam si diktatori Enver Hoxha.
       Rama “ka të drejtë” t’i përgjigjet Çim Pekës në atë mënyrë. Sepsegjatë qeverisjes së tij ai “rriti çdo vit” rrogat dhe pensionet, “u rrit” mirëqenia e popullit, çmimet “nuk patën” luhatje dhe shumë njerëz, numri i të cilëve iu afrua shifrës gjysmë milioni, “të entuziazmuar” nga standardi i jetesës që “u siguroi” qeverisja e Ramës, për kënaqësinë e tyre, që prej vitit 2013, por sidomos pas vitit 2015, u dyndën “si turistë të ngazëlluar” drejt vendeve perëndimore, për “t’u çlodhur” gjatë atyre anëve.  Por, çuditërisht, “kënaqësia” e tyre në ato vende po vazhon aq gjatë, saqë asnjëri prej tyre s’ka dëshirë të rikthehet më në atdheun amë.
       Humorist i hollë ky kryeministri Rama! Siç duket, shumicën e popullit shqiptar e kundruaka që nga “kalaja” e Surelit, si puna e shportës së karavidheve të Bllokut kriminal në kohën e diktaturës komuniste, ku krerët komunistë bënin jetë luksoze nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës së Republikës dhe as që e çanin kokën për mjerimin e popullit shqiptar përtej caqeve të atij Blloku.
       Me sa duket, epiteti “Skënderbej” që i ka vënë një vartësja e tij kryeservile, ka bërë që t’i hipë hunda në lis.
       Me sa duket, fjalët e asaj gruas vlonjate me dy djem jetimë që pati deklaruar:“edhe pa bukë po të mbetem, për partinë socialiste do të votoj”, Rama i ka interpretuar si fjalë të mbarë popullit shqiptar.
Me sa duket, një këngëtar lab, adhurues i jashtëzakonshëm i kriminelit Enver Hoxha, ka ndikuar aq shumë në psikologjinë e Ramës, saqë këtij i ka hyrë vetja keq në qejf. Madje i ka hyrë deri në atë shkallë, saqë t’i deklarojë gazetarit Çim Peka se populli shqiptar na qenka “partia e partive” në mbështetje të plotë të tij. Një vlerësim i tillë i Ramës për popullin shqiptar nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një cinizëm i kulluar.
Ja çfarë deklaroi dhe si i këndoi kryeministrit Rama ai këngëtari lab, në fushatën e zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit 2019:
“Golik Ali Jaupi ishte këngëtari që hapi dje fushatën e Edi Ramës në Tepelenë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit (të shfuqizuara nga presidenti). Goliku kujtoi përpara kryeministrit Rama edhe kohën kur këndonte për diktatorin famëkeq Enver Hoxha.
“Këndova atëherë përpara komandatit të asaj kohe (Enver Hoxhës), sot kam ardhur për këtë komandat këtu (Edi Ramën)”, - tha Goliku, përpara se t’ia merrte këngës përpara kryeministrit dhe kandidatit të PS për Telepenën, Tërmet Peçi.
Kënga për Ramën
Mirë se erdhe Edi Rama/Ku nuk të ka shkuar fama/ Në Amerikë te Obama/Ti je burrë që s’do reklama/Sot kjo kala me bedena,/të thotë mirë se erdhe Tepelena/Po të pyeç popullsinë/Thonë të gjithë duam Edvinë/Ja e bënë ti Shqipërinë/Ja të tërë ramë në greminë/Je i madh, je burrë shteti,/të njeh globi, gjithë mileti/Përkrah Gramozi, Tërmeti,/ ndriçohet si meteor deti/Ti e ke mendjen të artë,/lum ne që të kemi fat/Më datën 30 qershor,/ do ti marrç frenat në dorë/Kryeministri madhor,/rrofsh sa mali Tomorr/Sot kala me bedena,/ të thotë rroftë gjithë Tepelena(Citohet sipas: “I ka kënduar Enver Hoxhës, tani Edi Ramës: Ja e bënë ti Shqipërinë, ja të tërë ramë në greminë”. Faqja e internetit “top-channel.tv”. 24 qershor 2019).
Një këngë të tillë, të përshkuar nga një afsh dashurie të jashtëzakonshme për Ramën, këngëtari lab Jaup Goliku nuk ia kishte kushtuar as diktatorit Enver Hoxha.
Që ky këngëtar nxjerr nga pena vargjet Po të pyeçpopullsinë/Thonë të gjithë duam Edvinë/Ja e bënë ti Shqipërinë/Ja të tërë ramë në greminë, në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, se servilizmi i tij është i kultivuar për udhëheqës të formatit të Enver Hoxhës dhe të Edvin Ramës. Por kur një intelektual me gramë të madhe, si kryeministri Rama, deklaron se partia e partive është populli shqiptar, aleati i tij në zgjedhjet e ardhshme, kjo të bën të dyshosh se këtu kemi të bëjmë me një njeri që ose vuan nga afshi i tmerrshëm për pushtet, ose ka probleme shëndetësore dhe duhet të kurohet.
Pas përgjigjes së ngrefosur ndaj pyetjes së Çim Pekës, në internet lexova një tjetër informacion po të datës 07 maj, një informacion ky aspak ngushëllues për kryeministrin Rama:
“Avokati Zaçe Islami ka folur në lidhje me protestën e zhvilluar paraditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, në të cilën u demonstrua dhuna policore, ku disa protestues që po protestonin paqësisht dhe duke ruajtur distancën sociale, u shoqëruan me forcë në rajon nga uniformat blu… Ai theksoi se kryeministrin Rama do ta mbysin të varfrit me pështymë, ndërsa e krahasoi kreun e qeverisë me personazhin e njohur të rrugëve të Tiranës, Ver Llapa”(Citohet sipas:“Ramën do ta mbysin të varfrit me pështymë”, avokati: Është bërë si Ver Llapa, ngeli duke dalë në Tv!”. Faqja e internetit “joqalbania.com”. 07 maj 2020).
Një javë pas zgjedhjeve të 23 qeshorit 2013, gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans”(Korrieri i Ballkanit), Rama pati deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013).
Me qeverisjen e deritanishme, Rama e ka vërtetuar se ka lënë dhe do të lërë emër në histori. Por ajo që të befason në pikësynimin e tij të ethshëm për arritjen e një objektivi të tillë, është urrejtja proverbiale që ai ushqen për doktor Berishën, çka e dëshmoi shkoqur fare edhe në intervistën me gazetarin Çim Peka. Me këtë urrejtje të papërmbajtur për doktor Berishën, Rama më sjell në kujtesë një aforizëm të shkëlqyer të filozofit dhe të sociologut gjerman Xhorxh Zimel (Georg Simmel- 1858-1918), i cili vlerësohet si njëri nga përfaqësuesit e vonshëm të filozofisë së jetës”. Ai thotë:
“Ndjesinë e fajit tonë që e përjetojmë fshehurazi brenda vetvetes, ne e maskojmë paraprakisht me urrejtje, e cila e lehtëson fajin që mundohemi t’ia veshim tjetrit”.
Prandaj në mbyllje dëshiroj të theksoj se Rama vërtet ka deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori”, por ka harruar të theksojë se çfarë emri synon të lërë? Të mirë apo të keq. Se deri tani, krahu i peshores së emrit të tij ka anuar jo nga e mira.



       

VIRUSI PYET PO KET A E DINI, ME 9 MAJI 2020 KU ISHTE SHQIPNIA ?


Nga Fritz RADOVANI:



9 MAJI 1945

DITA E EUROPËS PREJ VITIT 1945… Per disa të tjerë, jo per Shqiptarë!
Shqipnia e kishte percaktue vendin e vet me 29 nandor 1944…
Qeveria jugosllave kishte adaptue “bijë në shpirtë” Shqipninë komuniste.
Tito dekoroi të dashtunin Ever “hero i popujve të Jugosllavisë, 1.7.1946.
Po, dashunia e Everit per Stalinin na çoi tek “Perandoria e së keqes”, B.S.
Tek libri “Diplomacia” z. Henry Kissinger shkruen: “Jalta polli turpin per fizionominë e Botës së pasluftës... Dy vitet e para pas luftës, vetem Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.” (fq.443)
Shqipnia socialiste nuk vonoi dhe hini edhe në “Traktatin e Varshavës”...
Sa komunistët nga të gjithë anët e globit i priste e i percillte Everi ynë...
Vdekja e “papitun” e Stalinit në 1953, e topiti pak Everin, i vdiq “babai” të shkretit, e donte fort Stalini...Po edhe ky nuk i la gja mangut “babait”.
Hime edhe në “Traktatin e Varshavës”... Dolme edhe prej tij... Vrapueme e mërrijtem në Pekin. U shpallëm “Shtet Ateist”...Vrame e preme Klerikë Katolik, e prap kishte mbetë gjallë Don Simoni... Sa me na “turpnue” kur na ishim ma mirë se kurr... Me 11 Nandor 1990 në Rrëmaji të Shkodres.
Këto ditë z. Mike Pompeo me 9 Ministra të Jashtem të 9 vendeve ish-komuniste:  Bullgarisë, Republikës Çeke, Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë e Sllovakisë, po thonë se kanë nenshkrue një “Deklaratë” pa Shqipninë. Sejcili ballkanas kjoftë edhe Perëndimor pyet “Pse nuk asht Shqipëria e Rilindjes socialiste” nënshkruese e kësaj deklaratë së bashku me vendet simotra ish-komuniste po, na jemi edhe si Antare aktuale e Organizatës së Atlantikut Verior, NATO?
Pergjegjen e kësaj pyetje në fakt duhet ta japin veteranët e luftës, pasues të “testamentit” Ramiz Alisë: “Ne i kemi ruajtur lidhjet e vjetra…” E ata “lidhje” janë pikrisht ata, që “Rilindja” komuniste në Shqipni, po punon perditë e pernatë me “coptue Shqipninë dhe Kosoven”, se ashtu kerkojnë tradhtarët e Atdheut, qeveritarët që kanë nenshkrue hymjen e Shqipnisë me 2 Dhjetor 1992, në “Konferencen Islamike”, me qeveritarët e sotem, ata tradhtarë t’ Atdheut Gjergj Kastriotit Skenderbeut e Nanës Tereze…
            Melbourne, 12 Maji 2020.

Shkrimtari Ismail Kadare, në 1.301 botime në 45 gjuhë


                         Bashkim Kuçuku.jpg


Bashkim Kuçuku

Studiuesi Bashkim Kuçuku ka sjell në një libër botimet e shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhë të tjera.

Të dhënat interesa krahasuese të nxjerra nga libri i tij janë:

 378 botime në shqip dhe 923 në 44 gjuhë të huaja, në përpjesëtimin 1 me 2.5, tregojnë se funksioni kryesor i saj prej vitesh nuk është më në hapësirën kulturore e gjuhësore letrare shqipe, por në kultura e gjuhë të tjera.




Edhe me librat studimorë, ai është shndërruar në dukuri letrare evropiane. 
Nga 68 vepra kritike e studimore, 16 janë në frëngjisht, tetë në italisht, gjashtë në anglisht, dy në gjermanisht, një në holandisht, tre në spanjisht dhe 32 në shqip.


(Bashkim Kuçuku Ka lindur në Konispol dhe po aty kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i ka kryer për gjuhë shqipe dhe letërsi, në Universitetin e Tiranës.

Kritik letrar e studiues, redaktor në gazetën letrare "Drita" (1974 – 1985), kryeredaktor i gazetës "Çamëria – vatra amtare" (1991 – 1995), kryeredaktor i revistës "Universi Shqiptar i Librit" (1997 – 2001), është profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës (1986).

Ka botuar dhjetëra artikuj e studime në revista shkencore e letrare në shqip, si dhe në gjuhë të huaja, ka kumtuar në Konferenca Shkencore Kombëtare dhe Ndërkombëtare, në hapësirën shqipfolëse dhe jashtë saj, në Greqi, Itali, Rusi, Bosnjë etj.)




Botime:


Kombi gjen vetveten, Çamëria dhe Kosova - 2012
Kadare në gjuhët e botës, në dyzet e pesë gjuhë - 2015

Flori Bruqi

Në Francë botohet libri me 35 autor shqiptarë


Doli nga shtypi , versioni fizik dhe elektronik i përmbledhjes me tregime të dashurisë “Nus vers l’independence” , në të cilin libër janë përfshirë 35 shkrimtarë më 35 tregime të dashurisë.

Botimi i kësaj vepre “Nus vers l’independence” ( Lakuriq drejt pavarësisë) , është një akt historik për letërsinë shqiptare, sepse për herë të parë lexuesit francez i prezantohemi më 35 tregime të dashurisë të botuara nga Shtëpia Botuese “Le Harmattan” më renome ndërkombëtare.

Në Francë botohet libri me 35 autor shqiptarë

“Eshtë një akt historik sepse për herë të parë në letërsinë shqiptare para botës më krijime artistike dalin 35 autorë të te gjitha trevave shqiptare si nga: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora.

Është një akt historik për faktin se libri botohet në djepin e kulturës botërore në Paris, nga një shtëpi botuese e njohur në Evropë”, thuhet në njoftim.

Krijuesit shqiptarë janë shumë pak të njohur në skenën ndërkombëtare të letërsisë, për shkakun se që nga rënja e sistemit monist nuk është investuar në përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhë botërore.

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare i vuri themelet për njohjën e letërsisë sonë në botë, dhe emri i tij është një ndihmesë e madhe për krijuesit e gjeneratave të reja shqiptare që të botohën jashtë , sepse këta kanë bazë të fortë të ndërtuar nga IsamilKadare,
 Ali Podrimja, Gani Xhafolli, Dritero Agolli, Fatos Kongoli, Edmond Tupja ,Reshat Sahitaj,Asllan Qyqalla e disa të tjerë.

Gjatë dy dekadave të fundit, Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë, ka bërë përpjekje sistematike për ringjalljën e letërsisë sonë në skenën ndërkombëtare  dhe brenda kësaj kohe ka arritur  që disa autorë të botojë në disa  Shtëpi Botuese  në Francë, Greqi, Belgjikë,Kroaci, Angli ,Gjermani,Itali etj. ... 

Në vitin 2019 u botuan 12 poetë e poete shqiptarë në antologjinë botërore të rrjetit frankofon dhe dy vepra tjera të dy shkrimtarëve tanë nga Kosova.

Flori Bruqi 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...