Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/10/17

Kosova pa testimet e premtuara masive për COVID-19


“Jemi duke e përgatitur strategjinë e re të testimeve, që nënkupton edhe testime në masë”, kishte deklaruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, më 29 qershor 2020.

Edhe pse para katër muajsh ministri i Shëndetësisë premtoi strategji për testime në masë, Kosova mbetet vendi me numrin më të ulët të testimeve në rajon, ndonëse këtë të premte Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se kanë shënuar rekord, raporton KOHA.

Brenda 24 orësh, 889 persona u testuan për COVID-19 në Kosovë, nga të cilët 104 raste dolën pozitive.

Në Shqipëri brenda ditës realizohen më shumë se 1.400 testime për 2.8 milionë banorë, në Maqedoni të Veriut mbi 2440 testime për 2 milionë banorë e në Mal të Zi 874 testime për 620 mijë, në Serbi mbi 7.400 mijë testime për rreth 7 milionë banorë.

I pyetur nëse do të ketë testime masive në Kosovë, ministri Zemaj tha të premten se numri i tyre po rritet dhe përsëriti premtimin se 6 aparatura për testime do të dërgohen nëpër qendrat rajonale.

“Numri i testimeve është rritur në vazhdimësi, ka ditë që ka edhe testime mbi 700 varësisht prej nevojave, testimet nuk janë vullnetare dhe dëshirore, por janë nevojat për të përcjellë dhe parandaluar përhapjen”, ka thënë Zemaj.

Derisa në Evropë dhe në rajon tashmë ka filluar një valë e re e infektimeve, Bordi Këshilldhënës për COVID-19 është mbledhur të premten për të diskutuar nevojën për masa të reja.

“E kam edhe një kërkesë prej juve që t’i marr opinionet lidhur me menaxhimin e kufijve, sepse tash vendet e rajonit, por edhe evropiane janë në listë të kuqe nga ECDC-ja”, shtoi Zemaj.

E kryesuesi i Bordit këshillëdhënës për Covid-19, Lul Raka, ka thënë se aktualisht nuk ka nevojë për mbyllje kufijsh dhe ka bërë thirrje që në Maqedoni të Veriut të udhëtohet vetëm në rast nevoje e jo për të shëtitur.

“Mbyllja totale nuk është opsion, por mund të jetë opsioni i fundit dhe personalisht mendoj se nuk është zgjidhje. Kosova nuk mund të përballet lehtë me pandeminë, sepse ne i dimë mangësitë tona dhe nëse vazhdojmë me këtë trend ky është trend i menaxhueshëm”, është shprehur Raka.

Raka ka shtuar se deri në masën 90 për qind janë zbatuar rekomandimet e Bordit Këshillëdhënës për Covid dhe se duhet respektohen masat që kanë për qëllim mospërhapjen e virusit.

PDK-ja e quan hakmarrje shkarkimin e Rashit Qalajt, e lidh me arrestimin e nënkryetarit të LDK-së

 Pse të shkarkohet zt.Rashit Qalaj, drejtori më i mirë i POlicisë në 20 vjetshin e fundit.

Nëse Haki Rugova ka bërë vepër penale le të denohët.

Këtë duhet ta vërtetojë prokuroria dhe Gjykata e Kosovës  jo Partitë politike.





Çdo njeri në Kosovë para gjyqit është i barabartë.Pra para Gjyqit ,edhe Premieri i Kosovës është i barabartë më njeriun e thjeshtë.Pra nëse Hki Rogova ësht1% i fajshëm ,le të dënohet e jo të mbrohët nën petkun e Partisë që ai i takon.

Rashit Qalaj ka patur përkrahjen e korit Diplomatik dhe vet Presidentit dhe Kryeministrit ë Kosovës( Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt).



Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka quajtur arbitrar shkarkimin e sotëm të Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.

PDK-ja përmes një komunikatë për shtyp, ka thënë se ky veprim i kryeministrit Prof.Dr.Avdullah Hoti është hakmarrës dhe përpjekje për kapjen e institucionit të Policisë.

“Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kësaj komunikate për media shpreh indinjatën për shkarkimin arbitrar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.

 Ky vendim cenon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishëm të pavarura të shtetit. 

Policia e Kosovës ka dëshmuar sukses në përmbushjen e detyrave dhe ky shkarkim përbën një tentativë për kapje të shtetit. 

Një veprim i tillë është gjithashtu inkurajim ndaj krimit të organizuar i cili është goditur me përkushtim dhe efikasitet prej drejtorit Qalaj, duke arritur rezultate shumë të larta në përpjekjet për të vendosur rend dhe ligj në vend”, thuhet në komunikatë.














PDK-ja e ka lidhur shkarkimin edhe me arrestimin e kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.

“Fakti që ky shkarkim po bëhet kur ende nuk është mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit. Momenti dhe metoda e shkarkimit dëshmon se ky veprim është mesazh i qartë kërcënues për policët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit – të cilët guxojnë të merren me veprat penale të LDK-së”, thuhet tutje në komunikatë.




PDK-ja po ashtu u ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë të Lidhjes Demokratike Kosovës, që është në pushtet, që të distancohet nga këto veprime dhe ka ftuar që Qalaj të kthehet në krye të Policisë.


Flori Bruqi.


Përkujtim p%r historianin dhe patriotin Nuri Dragoi...

 

dragoiHil Kamani, studiues

Për çdo njeri që merret me shkrime e hulumtime dukurish shoqërore, është kureshtje, po më shumë është kënaqësi dhe gëzim, kur njihet dhe krijon miqësi, me një gazetar e publicist të zotë e të mirënjohur, i cili me penën e vet, ka dhënë vlera për kulturën shqiptare. Kështu ka ngjarë edhe me mua. Kishte vite që lexoja shkrimet e gazetarit Nuri Dragoj dhe i pëlqeja për pasqyrimin e të vërtetëve të jetës, për stilin e ëmbël dhe të qartë dhe përfytyroja se në çfarë moshe ishte, ç’dukje fizike kishte, nga ishte dhe në fund, çfarë tipi ishte. Koha rodhi shpejt dhe nga fundi i vitit 1999, u njoha me të këtu në Tiranë. Shkaktar i njohjes me Nuriun, u bë një shok e dashamirës imi, i kohës së shkollës së Normales së Elbasanit të viteve 1958-61, Abdulla Bregu, nga Vëndresha e Skraparit, mësues i nderuar dhe studiues i kujdesshëm i kulturës në Skrapar. Abdullai ishte shok dhe mik me Nuriun dhe të dy punonin, që shumë personalitete të njohura të Përmetit e Skraparit, të fshirë nga historia zyrtare e monizmit, të zinin vendin që meritonin me të drejtë, pse ia kishin kushtuar veprimtarinë e tyre mëmëdheut, Shqipërisë.
Ashtu si lumi, që nis e rjedh perj majave dhe shpateve të maleve; mbledh përrenj dhe burime të shumta; merr me vete gurë të ndryshëm, duke i rrokullisur, përplasur, thërmuar e copëtuar; më të fortët duke i lëmuar e zbukuruar, të cilët zënë vend brigjeve të tij dhe dëshmojnë se janë me të vërtetë të fortë e të dobishëm; po ashtu ngjan shumë shpesh edhe me jetën e veprimtarinë e njerëzve, disa prej të cilëve dallgët e jetës, përplasjet i thyejnë e mënjanojnë shpejt për shkaqe të ndryshme; disa syresh janë të fortë dhe ato dallgë i kanë lëmuar më mirë, forcuar më shumë, gjatë përplasjeve nëpër rrëpirat, malet, fushat, dhe kalldrëmet e jetës. Kështu kam përshtypjen unë, ka ngjarë edhe me gazetarin Nuri Dragoj, veprës së të cilit, ia kemi kushtuar këtë shkrim.
Shkrime ku pasqyrohet me vërtetësi realiteti
Njohja e parë me Nuriun ishte e thjeshtë, e sinqertë, gazmore dhe miqësore. Në ato vite ai bënte kapërcimin e moshës së re në atë të pjekur, për të ecur drejtë asaj që lidhet me urimin e bukur arbëror: U plakësh! Me një shtat të fortë, të bukur e të shëndetshëm. Mbi 1,75 cm i gjatë, me flokë gështënjë në të zinj, bashkë me vetullat dhe qerpikët. Fytyra i ndrinte nga krejt shtati i shëndetshëm, sytë në të zi i shkëlqenin dhe tregonin urtësi, maturi, fisnikëri e mbi të gjitha vullnet e përkushtim për familjen, punën e kulturën shqiptare. Nuriu është mjek veterinar, por gazetaria, publicistika kishin qenë dëshira dhe ëndërra e punës së tij, çka i plotësoi me punën, vullnetin e fortë që e karakterizon. Nuri Dragoj sot i ka lënë të pesëdhjeepesat dhe koka ka nisur t’i lulëzojë prej thinjave, ndonjë rudhë i duket mbi vetulla në ballë, pakëz është shëndoshur, porse është po ai 40 vjeçari i dikurshëm, plot vrull dhe këmbëngulje në punë, që nuk e di nga bie dembelizmi, nga bien thashethemet, njeri që i ka të shenjta, familjen, fëmijët dhe miqësitë. Nuri Dragoj ka vite që drejton një gazetë serioze, atdhetare, realiste të Shqipërisë, gazetën “Republika”, e cila ndryshe nga disa të tjera, lajmin e jep të saktë, e jep të qartë, nuk e trillon, nuk e zmadhon, nuk e përçudnon. Editorialet e kësaj gazete nuk nxitin përçarje, nuk bëjnë përbuzje, nuk fyejnë, as nuk mashtrojnë; parti politike, institucion shtetëror, as politikan, pushtetar a njeri publik. Ajo ndihmon në shëndoshjen e gjendjes së vendit tonë. Meritat e tij në këtë gazetë janë të dukshme.
Nuri Dragoj është lindur në Zhepovë të Dëshnicës së Përmetit. Një trevë që ka pasur edhe vlera të çmueshme për të gjithë Shqipërinë. Mbasi i ka dhënë atdhetarizmit e kulturës shqiptare, si rrallë trevë tjetër. Ai rrjedh nga një familje atdhetare që për lirinë e Shqipërisë, ka luftuar e punuar me pushkë e penë në dorë. Traditat atdhetare të familjes dhe trevës së Përmetit, traditat demokratike, të nderimit të tipareve më të bukura shqiptare, të vlerësimit të kulturës dhe personaliteteve të shquara të kombit, të të çmuarit shumë të vyrtyteve njerëzore, si humanizmi, thjeshtësia, dashamirësia, gjykimi i paanshëm, mospajtimi me çdo të keqe që e dëmton atdheun dhe shoqërinë shqiptare, janë mbrujtur edhe tek personaliteti e karakteri i Nuri Dragoit, çka shihet në veprimtarinë e tij mbi 20 vjeçare në fushën e gazetarisë dhe publicistikës, çka shpaloset në sjelljet dhe marrëdhëniet e tij me njerëzit. Mund të ngjajë që ky nënvizim të jetë i hiperbolizuar tej mase, po në të vërtetë kështu është. Mes nesh ka shqiptarë të mirë, punëtorë e të ndershëm, të aftë e të zotë që na e zbukurojnë jetën në shumë anë. Një nga këta është edhe Nuri Dragoj, sikundër ka edhe shqiptarë dembelë, sikundër ka edhe gazetarë e publicistë të cekët, të paaftë, që lajnë e lyejnë të fuqishmit për të përfituar diçka pa meritë, që nuk u bie kurrë ndër mend të kujtojnë vendin e lindjes, traditat kulturore, njerëzit që i vunë themelet kulturës e shoqërisë shqiptare.
Nuri Dragoj është një nga themeluesit por dhe drejtues i Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Dëshnica”, i gazetës së saj, e cila ka bërë në këto vite një punë të vyer, për të theksuar, trashëguar e ruajtur vlerat kulturore e historike të trevës së Dëshnicës.
Gazeta “Dëshnica” me shkrimet e saj të bukura ka tërhequr vëmendjen e lexuesve jo vetëm të trevës së Përmetit, po edhe të atyre të Tiranës e qyteteve të tjera shqiptare, mbasi pasqyron vlera të historisë e kulturës shqiptare, mbasi ndihmon në njohjen e forcimin e cilësive më të bukura shqiptare. Në tubimet e herëmbashershme të kësaj shoqate marrin pjesë qytetarë, figura e personalitete të shquara të jetës shqiptare, që nuk janë përmetarë, po nga shumë treva të tjera shqiptare. Dhe në këtë vepër të bukur ka punën e mundin e vet edhe Nuri Dragoj, krahas të palodhurit Gëzim Voda.
Sikundër u shënua më sipër, Nuri Dragoj është një prodhues cilësor në gazetari dhe publicistikë. Ai ka botuar deri më sot mbi 4000 mijë faqe në libra të ndryshëm, duke u bërë një nga më të njohurit në Shqipëri në këtë fushë. Jo thjeshtë për sasinë, porse më së shumti për cilësinë. Pikërisht, rreth këtyre veprave, do të japim gjykimet tona për veçoritë e tyre.
Karakteristikat e veprave të botuara nga publicisti Nuri Dragoj
E gjithë vepra e Nuri Dragoit i kushtohet jetës shqiptare, dukurive të saj e në veçanti u kushtohen historisë së largët, por edhe të sotmes, kulturës, dokeve, traditave, figurave e personaliteteve të saj, me ato të rangut të trevës së Deshnicës e deri te ato kombëtare, u kushtohet luftërave, punës, përplasjeve, brengave, halleve, vuajtjeve, por edhe mbarësive e qëndresës së pashembullt të popullit tonë ndaj rrebesheve të historisë. Mbi këto të vërteta, mund të përcaktojmë veprën e Nuri Dragoit, vepër atdhetare dhe autorin e saj, Nuri Dragoi atdhetar të flaktë e të kulturuar, të cilin e gëzon çdo gjë e mbarë e shqiptarëve dhe e shqetëson çdo gjë e dukuri e mbrapshtë, negative, që shfaqet në jetën e tyre. Nuri Dragoi nuk shtiret të jetë një gazetar e publicist kinse europian e të shkruajë për dukuri e figura të njohura të Europës dhe Amerikës, për artistë, sportistë, shkrimtarë e personalitete të cilët ndoshta nuk e dinë se ka Shqipëri, për të cilët shkruhet përditë në Perëndim dhe për të cilët, këtu në Tiranë, ka gazetarë dhe publicistë shqiptarë, pa i njohur aspak, mbushin faqet e gazetave me ato figura perëndimore, për të na e mbushur mendjen se janë europianë, se janë modernë, se kanë një kulturë të lartë perëndimore, por që kanë harruar edhe fshatin a qytetin ku kanë lindur.
Vepra publicistike e Nuri Dragoit ka tipar kryesor edhe të vërtetën e jetës, ka realizmin, vertetësinë. Ajo nuk mbështetet në hamendje, trillime e mashtrime, në stisje. Kjo anë e bën veprën e N.Dragoit të besueshme, të kapshme dhe bindëse. Cilido lexues gjen aty dukuri reale, ndoshta të ngjashme me ato të përjetuara edhe nga ai vetë, gjen copëza e grimca të jetës sonë ndër shekuj, sheh në të burra të shquar të kombit shqiptar, por edhe rrufianë e dallkaukë, të cilët u kanë shkaktuar dëme e nxirë jetën jo pak herë shqiptarëve. Nuri Dragoi, dëshmitë, faktet, të dhënat dhe gjithçka ka ngjarë në jetë, i ka në themel të veprës së tij. Mbi këto baza harton veprën. Mbi këto dëshmi gjykon, përshkruan, analizon dhe vlerëson dukuritë terësore të përfshira ne veprat e veta. Në këto vite të pluraliuzmit, ashtu sikundër në kohë të diktaturës, ka gazetarë, publicistë e shkrimtarë që ose nuk kanë aftësi të mbështesin të vërteta jetësore, ose e shtrembërojnë atë në trajtë të përçudnuar, që na japin vepra të thata, të hamendësuara, trilluese, të cilat jo vetëm nuk kanë vërtetësi, por janë të mërzitshme, pa gjak dhe pothuaj nuk kanë kurrëfarë vlere. Nuri Dragoi nuk bën pjesë në këtë shtresëz, por çmohet për mbështetjen fort në truallin e së vërtetës dhe kjo dukuri përbën një vlerë të pamohueshme të veprës së tij.
Një stil i thjeshtë por i qartë për çdo lexues
Vepra e Nuri Dragoit shquhet edhe për stilin e saj të qartë, të thjeshtë, të kapshëm prej lexuesit të çod lloji. Ka një fjalor të pasur, të përshtatur me temat që shtjellohen, ka tiparet e stilit të publicistikës shqiptare. Në veprën e Nuri Dragoit ka përbërës të stilit shkencor, krahas atij publicistik, për shkak të natyrës së disa veprave, ku janë shtjelluar edhe çështje historike, letrare, kulturore. Kjo anë e bën veprën më të larmishme dhe nuk ka sjellë zbehje të shpalosjes së të dhënave dhe fakteve të analizuara në veprat e veta, çka gjykojmë se është ruajtur paanshmëria, objektiviteti dhe arsyetimi i drejtë. Kjo është e lidhur edhe me njohje të kënaqshme të ngjarjeve, dukurive dhe të vërtetave jetësore prej autorit, i cili ka dëshmuar një zell e këmbëngulje të theksuar për të njohur të vërtetën sa më thellë, për ta pasqyruar atë sa më saktë dhe sa më bukur në vepart e veta. Ndokujt, kur ta lexojë këtë shkrim mund t’i shkojë ndër mend e t’i duket se po bëhen lavdërime të tepruara për veprën e këtij autori të mirënjohur, porse shënojmë se kushdo që lexon me vëmendje veprat e N.Dragoit do të gjejë në to këto të vërteta që po nënvizohen këtu. Ndërkaq, vepra e tij është e gjinisë së publicistikës, porse në të ndeshen edhe elemente të tjerë që vijnë si pasojë e ndërthurjeve të temave të ndryshme, të shpalosura në ato vepra. Kjo dukuri haset në veperat e publicistikes shqiptare çka është e motivuar.
Veprat e shkruara nga Nuri Dragoj
Vepra kryesore e publiçistit e gazetarit Nuri Dragoj është, “Deshnica dhe deshnicarët” , e botuar në tre vëllime, gjatë viteve 2005 e 2006, me gati 1200 faqe dhe me një lidhje cilësore. Vëllimi i parë ka shtatë krerë e mbi tridhjetë nënkrerë, ka literaturën mbështetëse e këshilluese, me mbi 50 tituj, ka fjalorthin e emrave të ndryshëm, shoqërohet me shumë fotografi e skica tabelore dhe në ballë ka një foto të luginës së Deshnicës, që është mjaft e bukur.Në këtë vëllim shtjellohen:vështrimi gjeografik i Deshnicës, moti, bimësia, jeta shtazore, lashtësia ilire, kështjellat e rrënojat, Këlcyra, Ali Pashë Tepelena, jeta ekonomike, punët e bujqësisë, të blegtorisë, gatimi, veshja, enët e gatimit, pronësia mbi token, krijimi i kooperativave bujqësore në kohë të komunizmit dhe dëmet që solli kolektivizimi i bujqësisë.Të dhënat për këtë vëllim janë reale dhe janë marrë nga literatura shkencore historike, etnografike, gjeografike, arkeologjike e demografike.Vëllimi i dytë, po ashtu me lidhje e pamje të bukur, ka mbi 300 faqe dhe shtjellon:vlerat atdhetare të trevës së Deshnicës në shekuj, popullsinë, kurbetin në të shkuarën dhe sot, të folmen e Deshnicës, truallin, banesën, rrugët e trevës, doket e traditave e trevës, ceremonialet e martesës, dasmës, lindjes dhe vdekjes, mitologjinë, folklorin, punët e dorës së grave, arsimin, shkollat dhe kulturën e kësaj treve në shekuj, shtjellon besimet fetare, institucionet e saj me personalitet e njohur në histori. Në fund edhe ky vëllim mbyllet me fjalë të urta të Deshnicës, me fjalorin e termave të perdorur në vepër dhe bibliografine ose literaturën e këshilluar me kujdes. Ndërkohë, edhe ky vëllim shoqërohet me plot fotografi të bukura, me ngjyra, bardhë e zi, që sillen si dëshmi për gjykimet që u bënë autori të dhënave në këtë vëllim.
Vëllimi i tretë, për Deshnicën, mban titullin, penë e pushkë për Mëmëdhenë dhe ka 606 faqe. I ndarë në 17 krerë dhe mbi 50 nënkrerë.I shoqëruar me një shtojcë të posaçme për luftëtarët deshnicarë të LNCL dhe komandantët e dëshmorët e saj, ndjekur nga këngët popullore për luftën dhe për ta.Vëllimi ka në fund fjalorthin tematik e të emrave të përdorur, ka një literaturë të bollshme argumentuese dhe këshilluese, ka fotografi të shumta dhe tabela me statistika, që i bëjnë të gjitha shtjellimet në këtë vëllim, më të sakta, më të besueshme dhe më tërheqëse për cilindo lexues. Tre vëllimet që u pershkruan fare shkurt në këto shënime, te autorit N.Dragoj, kanë vlera të shumta historike, kulturore, etnografike dhe etnologjike dhe janë një gur i çmuar dhe i vyer për kulturën dhe shkencën shqiptare. Midis të tjerash janë një burim i domosdoshëm për dijetarët e shkencave shqiptare të fushave të ndryshme. Nuri Dragoj na ka dhënë në këto tre vëllime, gjithëçka ka mundur e ditur për Deshnicën, na ka dhënë së paku thelbin e shpirtit, kulturës, luftës, punës, intelektit dhe traditave të kësaj treve të shquar shqiptare, çka edhe sot nuk kemi një vepër të tillë për shumë treva shqiptare. Bie fjala për trevën e Tiranës dhe Durrësit. Gjykojmë se në të tre këto vëllime, shihet puna jashtëzakonisht e vështirë, e lodhme, këmbënguleëse, por e suksesshme e autorit, mbasi vetëm një vullnet e një pasion prej një njëriu të kulturuar e atdhetar të vetëdijshëm, mund të na jepte vepra të tilla, sikundër na i ka dhënë autori Nuri Dragoi, kushtuar të gjitha dukurive të jetës për Dëshnicën. Dihet se është i njohur lexuesi i shumtë tashmë me botimet e Nuri Dragoit, që nisin që në vitin 1990, me vëllimin me tregime, “Me thuaj kush je”, me monografinë serioze, “Lumo Pavari”, 2004, me monografinë tjetër me vlera, kushtuar një figure të shquar, “Hajrulla Muhametajt”, 2005, për të cilat nuk mund të zgjerohemi në këto shënime, për shkak të natyrës së shkrimit. Por që gjykojmë se të gjitha këto vëllime dëshmojnë një gjë të vetme të vërtetë: gazetari dhe publiçisti Nuri Dragoj i është përkushtuar me vetëdije të plotë përgjithësimit e hulumtimit të vlerave kulturore shqiptare, çka përbën një fryt pune tepër të lakmueshëm për cilindo që i ka hyrë punës së dijes.
Njeriu që evidentoi vlerat e Trebeshinës
Vepra, “Dosja Trebeshina dhe prapaskenat e Lidhjes”, botim 2007 dhe ribotimi i përmirësuar i saj, “Trebeshina një jetë para gjyqit”, 2007, gjykojmë se është nga një anë, më kryesorja e autorit Nuri Dragoj, mbasi ka marrë në shqyrtim një temë të vështirë, të ndërlikuar. Si shkrimtari i madh disident KasemTrebeshina, ashtu edhe si një pjesë e njerëzve që e groposën për së gjalli Trebeshinën, janë ende gjallë, janë të fuqishëm dhe dëshmitë e të dhënat, i ndryshojnë me dashje i shtrembërojnë me qëllim, i mohojnë të vërtetat dhe nuk ndjejnë kurrëfarë mëkati e pendese. Nuri Dragoj ia ka dalë mbanë këtyre vështirësive në veprën kushtuar shkrimtarit të njohur Kasëm Trebeshina dhe pikërisht për këtë guxim e punë të frytshme, meriton vlerësimin më të ngrohtë nga lexuesit shqiptarë. Për vlerësimin e veprës, kushtuar K.Trebeshinës, do të ndalemi në botimin e dytë, 2007, “Trebeshina një jetë para gjyqit”, i cili ka 440 faqe, ka mbi 160 vepra dokumentare të mbështetura e të këshilluara, si dëshmi të pamohueshme, ka me dhjetra figura e personalitete të cituara për vlerën e veprës së Trebeshinës. Ajo ka ndërtim kronologjik, ka gati gjithëçka që i nevojitet lexuesit për njohjen sa më thellë të veprës së shkrimtarit të madh, Kasëm Trebeshina, të cilit jo sllavët e grekët, po shqiptarët ia nxinë jetën, ia mohuan talentin e veprës për 40 vjet dhe e shpallën, sikurse Gj.Fishtën, E.Koliqin, E.Haxhiademin etj.armik të shqiptarëve.Deri në këtë shkallë kishte mbërritur marrëzia e diktaturës. Njerëzit e shquar të kulturës shqiptare, që nuk i përuleshin si qeni të zotit, që nuk bënin lajka e pajka, që nuk trillonin e shpifnin, që ishin kurorë e intelektit shqiptar, që nuk urrenin vëllanë e vet, si shkrimtari Trebeshina, i damkoste e njolloste pa mëshirën më të vogël, pa u penduar kurrë. Nuri Dragoj ka meritë të veçantë në nxjerrjen në dritë të kësaj vepre, mbasi na i ka dhënë të vërtetat ashtu siç kanë ngjarë. Deri në vitet 1990, pak kush e njihte nga brezat e rinj, shkrimtarin Kasem Trebeshina e sidomos veprën e çmuar të tij. Madje edhe pas 1991, u bë fare pak nga institucionet e shtetit që vepra dhe personaliteti i Kasëm Trebeshinës, të bëheshin pronë e lexuesve shqiptarë. Tradita, synimi i mohimit, përbuzjes, poshtërimit, vijoi edhe në këto 17 vjet pluralizëm në rrethe të caktuara politike dhe shkrimtarësh.Vepra,”Trebeshina një jetë para gjyqit”, rrëfen dhe përshkruan bukur, analizon dhe vërteton me dëshmi të vërtetuara plotësisht, kulmet e jetës së Kasëm Trebeshinës, dramën dhe tragjedinë e jetës së tij, që ia shkaktoi diktatori Enver Hoxha dhe mashat e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve e në Sigurim. Para syve të lexuesit dalin të gjalla familja atdhetare e K.Trebeshinës, traditat e vyera të saj, etja për liri dhe dije. Del djaloshi Kasëm mëndjemprehtë e vullnetmadh, luftetarë e komandant i aftë, del njeriu që kishte një karakter të fuqishëm, një talent të lindur në krijimtarinë letrare, porse mbi të gjitha na shpaloset një burrë që ka në thellësinë e shpirtit burrërinë, trimërinë, drejtësinë, lirinë, vëllazërinë, ndershmërinë, dashurinë, jo vetëm për vete, por për të gjithë shoqërinë.
Ai për 40 vite as u thye, as nuk u përkul, as u gjunjëzua para një dhune mizore, para joshjeve dhe hipokrizive, para kurtheve e kërcënimeve, vuajtjeve në burgje, në kampe internimi. Mbrojti veten por mbi të gjitha mbrojti lirinë për të gjithë shqiptarët. Mbrojti veprën e vet dhe të krijuesve të tjerë të shquar shqiptarë. Në veprën e vet madhore, K.Trebeshina paqyroi me realizëm e përgjithësime artistike, dukuritë e shëmtuara të jetës shqiptare, në mjediset politike, puniste-enveriste, ku pabesia, mashtrimi, dyfytyrësia, urrejtja, nënshtrimi, përbuzja e mallkimi për këdo që dëshironte liri, drejtësi e përparim, ishin mjetet e mënyrat që e sakatonin, që e thanin dhe mpinin dhe në fund, edhe e zhduknin. Vetëm tipa me personalitet të fortë si Kasëm Trebeshina, mundën dhe ditën t’i bëjnë ballë asaj mizorie puniste, mbijetuan, për të qenë dëshmitarë për ne, sot e nesër, për të mos harruar brezat atë shpërfytyrim të tmerrshëm njerëzor që i përfshiu udhëheqësit komunistë shqiptarë, qysh gjat LNCL e deri më 1991. Në këtë mënyrë, plot gjallëri e përshkrime me vërtetësi, plot me emocione e të dhëna, na jep autori Nuri Dragoj, figurën e personalitetin,veprën e bukur dhe vlerën e saj, të K. Trebeshinës. Gjithçka është bindëse, është e dëshmuar në anën tjetër. Autori, me përcaktime të sakta, prova të pakundërshtueshme dhe dëshmi të drejtëpërdrejta, na sjell shkrimtarë, hetues, mjekë e politikanë komunistë të përçudnuar, servilë jargavitës, mashtrues, burracakë, shpifës, të pabesë, ziliqarë, karrieristë, të paaftë dhe kërcënues. Kështu lexuesi ndjen dhimbje, keqardhje, neveri dhe ndjen të pështirë kur sheh në këtë libër se si sillen me ligësi e hipokrizi, ata që na janë mbajtur yndyra e kulturës letrare shqiptare, të mëdhenjtë e saj, si Dh.Shuteriqi, D.Shapllo, Ll.Siliqi. I Kadare, J.Bllaci, M.Myftiu, etj. Asnjëri nga këta e të tjerë, mbas vitit 1991, nuk shfaqi pendesë, nuk pati burrërinë të pranojë hapur në publik se kishin bërë një veprim të ulët duke shpifur e trilluar, duke burgosur K.Trebeshinën, duke luftuar të groposin veprën e tij letrare. Në veçanti, shkrimtari i njohur I. Kadare, nuk ka dalë hapur deri më sot para shqiptarëve të sqarojë se pse ai luftoi me ashpërsi shkrimtarin Trebeshina, nga viti 1953 e deri në vitin 1991. I. Kadare gjatë viteve 1991 e deri më sot, ka shkruar e botuar shumë vepra, ka botuar qindra intervista në gazeta të vendit e të huaja, ka folur në shumë televizione e radio dhe asnjëherë nuk ka dhënë shpjegime të plota e të qarta për shumë vepra të tij të viteve 1954-1990, që i thurin himne luftës së klasave, që e nxitnin përçarjen mes shtresave shoqërore të shqiptarëve, që e përcaktojnë Partinë e Punës busull të përparimit njerëzor, që e shpallin Enver Hoxhën mit, legjendë për së gjalli, që ka aftësi e mundësi të mbërrijë gjithçka. Sot Kadareja mallkon dhe përbuz regjimin komunist dhe Enver Hoxhën, me një duf të paparë. Dhe mirë bën, se mizore ishin. Po veprat e Kadaresë, që i kushtohen Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës dhe që janë me dhjetëra, a duhet të mallkohen e përbuzen? Skrimtari Kadare këtu hesht. Diçka mbyturazi ka thënë, por jo bindshëm. Njëra është e vërtetë: ose regjimi i egër punist dhe diktatori Hoxha ishin të mirë, njerëzorë, atdhetarë, demokratë, ose ishin sikundër ishin, rrënues e shkatërrues për shqiptarët. Këtë duhet të sqarojë I.Kadare para shqiptarëve, se mitin e Enver Hoxhës, në shkallën më të lartë të gënjeshtrës, mashtrimit dhe marrëzisë e ka ngritur Ismail Kadareja në veprat e tij: “Partia ime, Kujtime për shokun Enver,Vitet 60, Përse mendohen këto male, Ftesë në studio, Letërsia e sotme dhe koha e sotme, Dasma, Dimri i vetmisë së madhe, Kronikë në gur, Shqiponjat fluturojnë lart, Pashallarët e kuq” dhe dhjetëra të tjera. Kadareja, ashtu siç e ka luftuar me egërsi veprën e Kasëm Trebeshinës, po ashtu ka luftuar edhe kundër figurës dhe krejt veprës së Gj. Fishtës, njëri nga poetët e shkrimtarët më të mëdhenj të shqiptarëve. Vepra e tij, Autobiografia e popullit në vargje, fq 20-45, është dëshmia më e plotë e kësaj lufte, mohimi e përbuzje të pashembullt, aq më tepër për një shkrimtar, që mbahet dhe e mbajnë një pjesë shqiptarësh, si më të madhin shkrimtar. Fishta përkufizohet nga Ismail Kadareja në atë vepër, bejtexhi, vargëzues folklorik, plagjiator i kërgëve popullore, agjent i fashizmit, mit i ngritur nga kleri katolik reaksionar i veriut, përçarës i shqiptarëve, luftënxitës mes popujve të ballkanit, racist, shovinist dhe pa kurrëfarë vlere idesh dhe letrare. Kadareja në kohë të monizmit, me veprat e tij, punoi me zgjuarsi për të ngritur mitin e Enver Hoxhës në kulm dhe ia arriti me punë 40-vjeçare. Në të njëjtën kohë, punoi me sjelljen dhe veprat që shkroi, të ngrejë edhe mitin e vet në kulm, çka ia mbërriti me një shkathtësi e ligësi të pashoqe, por të njohur nga dramat e romanet europiane. Kështu ai luftoi pa mëshirë dhe hapur, kundër Fishtës, Koliqit, Prenushit, Trebeshinës, Ndojës, Xhaferit, Paçramit, Jeros, Dushit e shumë të tjerëve. Në të njëjtën kohë i thuri himne, lavde, ditirambe, i bëri lajka dhe pajka pa fund diktatorit Hoxha, e shpalli atë mbinjeri, zeus, pa të cilin shqiptarët do të shkatërroheshin e shuheshin përgjithmonë. Mirëpo nuk u kënaq me kaq. Në veprat e tij, vitet 1950-1980, iu vërsul me sulme pa baza, pa fakte, me një urrejtje të tmerrshme, kulturës Perëndimore, asaj amerikane. U bë një nga luftëtarët më të fortë të Enver Hoxhës, kundër imperializmit dhe revizionizmit. Mbrojti për nja dhjetë vite Mao Ce Dunin. Pastaj iu lëshua plot tërbim, si Brezhnjevit ashtu edhe Ten Siao Pinit. Kështu e ngriti mitin e vet I. Kadareja, jo në kushte të lira, demokratike, jo në vlerën reale të veprës së vet. Edhe sot mitin e tij Kadareja e mban fort, me një grup njerëzish që e shpallin mik, që e citojnë vend e pa vend në radio e televizione, të cilët kanë shumë mundësi, që nuk ia njohin gati asnjë vepër, së paku të kohës së diktaturës. Në kësi rrethanash ai luftoi e mohoi dhe shkrimtarin e shquar Kasëm Trebeshina. Ai duke shkelur mbi të tjerët, duke iu veshur si kulpra lisit, të fuqishmit, u shpall shkrimtari më i madh shqiptar. Koha do të thotë edhe për të të vërtetat. Kësisoj shfaqet në veprën e Nuri Dragoit edhe I.Kadareja, çka e ka dëshmuar vetë me prova të jetës, Kasëm Trebeshina me 1991 e më pas. Çfarë fatkeqësie është kur sheh se kush e vë kunorën e dafinës së lavdisë në krye, mbi vuajtjen, mohimin dhe ndëshkimin e paligjshëm dhe të padrejtë të një tjetri apo shumë të tjerëve.
Të vërtetat jetësore nuk mund të vdesin
Duke i mbyllur këto shënime për veprat publicistike të Nuri Dragojit, nënvijëzojmë se:
Pena e tij ka nxjerrë libra me vlera që u shërbejnë shqiptarëve vetëm për të mirë, që ua thellojnë njohjen për historinë e kulturës tonë, që ua rritin krenarinë për vendin dhe personalitetet shqiptare
Veprat e këtij autori burojnë nga jeta, historia, kultura e shpirti i shqiptarëve. Kësisoj ato do të mbeten përherë të lakmueshme për lexuesit, do të zbukurojnë gjithnjë bibliotekën e tyre.
Publicistika e Nuri Dragoit është e mbështetur në të vërtetat jetësore, në të dhëna e dëshmi të bollshme dhe prandaj është bindëse, tërheqëse, informuese, formuese dhe e përvetësueshme kënaqshëm nga lexuesi. Kështu, një nga librat e tij të fundit, “Eshtrat që akuzojnë…”, na bind më së miri se autorit i rreh zemra fort për çdo veprim të lig, për sjellje fyese dhe përbuzëse që u ndodhin shqiptarëve, të kryera nga politika mesjetare shoviniste të fqinjëve, ose të veprimeve të papërgjegjshme të politikanëve të vendit tonë të kohëve të ndryshme.

Duke pasur besimin dhe dëshirën që librat e Nuri Dragoit, edhe të ribotohen, shtojmë se i mbetet e nevojshme të punojë më fort e me këmbëngulje, për të krehur stilin e të shkruarit sa më bukur, të pasurojë paprerë fjalorin, duke shmangur edhe fjalë të huaja, të panevojshme e ta shfrytëzojë pasurinë e larmishme të gjuhës shqipe.

Produktet amerikane përmes Kosovës në Evropë

 

ARBËRI

Produktet amerikane përmes Kosovës në Evropë

Produktet amerikane përmes Kosovës në Evropë

Zona ekonomike amerikane në Kosovë, sipas pritjeve të institucioneve dhe përfaqësuesve të bizneseve, do të mund të tërheqë investitorë të shumtë amerikanë të cilët më pas produktet e tyre do t’i eksportojnë në tregun e gjerë të Bashkimit Evropian, i cili ka diku rreth 500 milionë konsumatorë.

Krijimi i zonës ekonomike amerikane është bërë me një vendim të Qeverisë së Kosovës një vit më parë, por ende nuk është funksionalizuar. Lokacioni i kësaj zone është në Gjakovë dhe ka një sipërfaqe prej mbi 500 hektarë tokë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se zona ekonomike amerikane ka tërhequr vëmendjen e disa kompanive amerikane që të shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.

“Si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë tash e disa vjet promovojmë para investitorëve potencialë amerikanë këtë idenë e shfrytëzimit të Kosovës si një zonë ku ata do të mund të prodhonin produktet e tyre dhe pastaj të njëjta t’i eksportonin në tregun Evropës, në tregun e 500 milionë konsumatorëve të Bashkimit Evropian. Kjo do të vinte edhe në një moment të përshtatshëm kur tregtia e lirë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së nuk është në nivelin e duhur”, tha Zeka.

“Zona ekonomike amerikane do të ishte mundësi e mirë për të tërhequr këta investitorë potencialë amerikanë. Në bazë të informatave që kemi kjo (zona ekonomike amerikane) ka ngritur entuziazmin e kompanive, sidomos nga shteti amerikan i Iowa-s për të ardhur dhe për t’u vendosur në zonën ekonomike amerikane, kurdo që ajo të funksionalizohet dhe shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, theksoi Zeka.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës tanimë ka dhënë rekomandimet rreth kësaj zone ekonomike dhe si të tilla ato u janë dorëzuar autoriteteve kompetente.

Zeka shton se Kosova si një treg i vogël nuk mund të jetë shumë atraktiv për investitorët, prandaj sipas tij, duhet krijuar lehtësira ekonomike. Andaj, edhe rekomandimet e dhëna nga Oda Ekonomike, sipas tij, duhet të jetësohen.

Gjermania për të tretën ditë radhazi ka shënuar rekord me 7,830 të prekur me koronavirus

 

Rekord ditor i rasteve me COVID-19 në pesë shtete të Evropës

Polonia, Austria, Çekia, Ukraina dhe Gjermania kanë shënuar rekord ditor të rasteve me COVID-19, tregojnë të dhënat të shtunën.
Polonia ka regjistruar 9,622 raste me koronavirus në 24 orët e fundit duke e çuar totalin në 167,230 të infektuar.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se në spitale janë 7,612 pacientë me koronavirus.Polonia kishte vënë disa masa kufizuese për të luftuar pandeminë, disa ditë më parë.
Në Austri  janë regjistruar 1,747 raste me COVID-19 të shtunën, për herë të parë nga fillimi i pandemisë, teksa rekordi i fundit i rasteve ishte shënuar në mars me 1,050 raste.
Çekia ka raportuar 11,105 raste të reja me koronavirus në 24 orë, të shtunën, numri më i lartë i të prekurve që nga fillimi i pandemisë në vend. Totali i të prekurve që nga marsi kur u paraqitën rastet e para në Çeki ka shkuar në 160,112, ndërsa janë shënuar 1,283 të vdekur, raporton Reuters.
Ukraina ka regjistruar 6,410 raste të reja, ka thënë Këshilli i Sigurisë të shtunën, duke shënuar rekord të rasteve ditore. Rekord është shënuar edhe për numrin e të vdekurve, me 109 pacientë të vdekur në një ditë. 293,641 raste pozitive janë regjistruar që në fillim.
Po ashtu, Gjermania për të tretën ditë radhazi ka shënuar rekord me 7,830 të prekur me koronavirus.


Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...