Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/10/17

Servilët e Kadaresë,janë si fara e gramit

 




                     Akademik  Prof.dr. Eshref Ymeri

 

 

Në fillim të javës së dytë të shtatorit, në njërën nga faqet e internetit, pata lexuar analizën me titull:

“Lubonja hap debatin: Cilat janë shkaqet, që kryehetuesi i regjimit mbron Kadarenë?” (Faqja e internetit “tpz.al”. 09 shtator 2020).

Siç janë në dijeni lexuesit, si shkak për hapjen e këtij debati, pati shërbyer botimi i librit “Dritëhijet e kohës”. Libri është hedhur në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Neraida” dhe ka për autor ish-kryehetuesin e diktaturës komuniste Qemal Lame (1949).

Analisti dhe publicisti i njohur Fatos Lubonja, atij libri i ka bërë një “rezonancë të shkëlqyer magnetike”, duke nxjerrë në pah lakuriq mashtrimin e madh të autorit, që është munduar ta reklamojë Kadarenë si një “hero” kundër diktaturës, e cila, demek, na paskej vendosur ta arrestonte me urdhër të kryediktatorit, por që “trimi guximtar” Qemal Lame na e paskej kundërshtuar, “duke i deklaruar” kryediktatorit se nuk kishte argumente për arrestimin e tij.

Analizën e Lubonjës e lexova me shumë kërshëri, duke krijuar bindjen e plotë se fjalën e tij ai e kishte thënë me shumë profesionalizëm dhe gjithçka rreth idesë kryesore të librit të Qemal Lames, siç u theksua më lart, ai e kishte parashtruar në një mënyrë shteruese.

Dy ditë më parë, duke shtegtuar rastësisht nëpër faqet e internetit, hasa në youtube në emisionin televiziv“Real Story” në News 24, të transmetuar më 17 shtator. Emisioni titullohej “Po shpëlani trurin e shqiptarëve”, Demalia: Kadare ka thënë se Gjergj Fishta bënte letërsi dekadente”. Pra, emisioni ishte vazhdim i debatit që Lubonja kishte hapur në shtyp lidhur me librin e Qemal Lames. Drejtuesi i emisionit, për debat në studio, kishte ftuar Fatos Lubonjën dhe në skaip (skype) intelektualin e njohur shqiptaro-amerikan Ilir Demalia. Përballë tyre ishin drejtuesi i emisionit me dy zonja dhe një zotëri.

E ndoqa emisionin me shumë vëmendje. Gjatë transmetimit të debatit, vura re se Lubonja dhe Demalia kishin përballë katër servilë të Kadaresë, të cilët mundoheshin ta anashkalonin idenë kryesore të librit të Qemal Lames, si kryeshërbëtor i diktaturës komuniste dhe si kryeservil i Kadaresë, një kryeservil ky që shtrembëron të vërtetën historike rreth servilizmit të Kadaresë ndaj kryediktatorit. Të katër servilëve të Kadaresë u shkoi mundimi huq, “dyluftimin” në studio e fituan Lubonja dhe Demalia.

Duke ndjekur emisionin, përjetova një zhgënjim të thellë me veten time, kur mes të ftuarve në studio vura re botuesen e gazetës “Liberale”, zonjën Alda Bardhyli. Zhgënjimin tim po e shtjelloj në vijim.

Përkthyesja dhe shkrimtarja e shquar Mira Meksi, me të cilën jam njohur në vitin 1984, kur ajo qe emëruar përkthyese e spanjishtes në Redaksinë e botimeve politike në gjuhë të huaja në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, ku unë isha përgjegjës i asaj redaksie, më 27 shtator do të festonte 60-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, disa ditë më parë, në nderim të saj, kisha përgatur një Homazh, me titull “Një përvjetor i shënuar i një shkrimtareje të shquar”. Fillimisht iu drejtova pronarit të një gazete për ta botuar, duke i theksuar kushtin tim që në artikull nuk duhet të preket as edhe një presje. Ai nuk e botoi, pa më kthyer asnjë përgjigje. Me sa duket, nuk e kishte pranuar kushtin tim. Në të njëjtën kohë, me kërkesën për botim iu drejtova edhe zonjës Alda Bardhyli. Ajo e mirëpriti kërkesën time të parë dhe më njoftonte t’ia dërgoja. Në kërkesën e dytë i theksova se artikulli zinte 5 faqe kompjuteri me shkronja 12-she dhe isha në mëdyshje nëse duhej t’ia dërgoja ose jo me këtë vëllim, duke nënvizuar kushtin që në artikull të mos ndërhyhet absolutisht. Zonja Alda më ktheu përgjigje me një fjalë të vetme: “dërgojeni”. Ia dërgova. Por.., çuditërisht, në gazetën “Liberale”  të datës 28 shtator, zonja Alda e kishte botuar artikullin të masakruar.

Së pari, ajo kishte masakruar në një mënyrë skandaloze titullin e artikullit, duke e shmangur tërësisht dhe duke vendosur një titull krejt tjetër: “Mira Meksi, një jetë në kërkim të fjalës”, një titull ky paradoksal fund e krye, i cili shmangte qëllimisht idenë themelore të artikullit: përvjetorin e shënuar në jetën e Zonjës Mira, 60-vjetorin e lindjes.

Së dyti, në një mënyrë sa skandaloze, aq edhe të pahijshme, ajo kishte shkurtuar tre paragrafët e fundit dhe sidomos paragrafin më të rëndësishëm, në të cilin theksoja se Zonja Mira Meksi nuk mundi ta priste 60-vjetorin e lindjes ashtu siç e dëshironte dhe siç e meritonte, meqenëse më 18 gusht ndërroi jetë nëna e saj e dashur, Mami Nora e shtrenjtë, e cila pati luajtur një rol të jashtëzakoshëm për t’i futur asaj në gjak dashurinë për gjuhën shqipe.

Njërin nga ata paragrafë, zonja Alda Bardhyli e ka masakruar në atë mënyrë, saqë mua më pati vënë në një pozitë shumë të vështirë para lexuesve të gazetës “Liberale”. Ja paragrafi i masakruar:

“Mira e meriton plotësisht ta festojë datëlindjen me një ngazëllim të jashtëzakonshëm, pikërisht për sukseset e arritura në krijimtarinë artistike, për jetën publike që përmenda më lart, për vlerësimet e larta që i janë bërë”.

Vetvetiu lexuesve u lind pyetja: për çfarë ditëlindjeje të shkrimtares e paska fjalën autori, se në artikull nuk na thotë asgjë se kur e paska pasur ditëlindjen?”. Sigurisht, se zonja Alda Bardhyli e kishte anashkaluar qëllimisht ditëlindjen e Zonjës Mira që në titullin që kishte ndryshuar sipas tekave të veta.

Artikullin zonja Alda Bardhylli ma masakroi në një mënyrë shumë të pabesë, megjishëse unë ia pata bërë të njohur paraprakisht kushtin tim për të mos hequr asnjë presje. Pra, më tha t’i dërgoja dhe më preu në besë. Me sa duket, ajo nuk mund ta lejonte atë titull të artikullit, nuk mund të lejonte të bëheshin publike të gjitha  epitetet e mia vlerësuese për Zonjën Mira Meksi, sepse, sipas servilizmit të saj të kultivuar ndaj Kadaresë, Shqipëria paska vetëm një shkrimtar të shquar. Duke marrë përsipër rolin e redaktorit të dikurshëm të tribunës së mashtrimit me emrin “Zëri i Popullit”, i cili artikujt e ardhur nga korrespondentë të ndryshëm i masakronte asisoj, që t’i vinin sa më shumë në osh kryediktatorit, zonja Alda Bardhyli as u skuq dhe as u zvedh para se të merrte vendimin për t’i vënë gërshërën artikullit tim. Si mbartëse e psikologjisë së redaktorit të tribunës së mashtrimit që përmenda më lartë, autorët e artikujve që i dërgohen për gazetën e saj, zonja Alda Bardhyli i trajtuaka si vartës të saj. Prandaj artikujve të tyre mund t’u vërë gërshërën sipas tekave të veta, çka është shfaqje e theksuar e mendjemadhësisë. 

Shkrimtari francez Labryjer (La Bruyère - 1645-1696), një mjeshtër ky i publicistikës aforistike, thotë:

“Mendjemadhësia është i vetmi shkak që na bën ta mbajmë hundën aq përpjetë para atyre që janë poshtë nesh dhe të zvarritemi aq paturpësisht para atyre që janë sipër nesh”.

Ajo mund të mos e kishte botuar absolutisht artikullin tim dhe unë nuk do të kisha kurrfarë qejfmbetjeje me të, ashtu siç nuk pata fare me pronarin e asaj gazetës tjetër. Por ishte filozofia e servilizmit të saj, ishte filozofia e nënshtrimit të saj para agait Kadare që e detyroi të mbante atë qëndrim masakrues ndaj artikullit tim, të cilin e botuan 16 portale, pa prekur as edhe një presje të vetme.

I shkrova një letër zonjës Alda Bardhyli, ku e pyesja se pse ma kishte masakruar artikullin, pse më kishte fyer? Ajo nuk më ktheu përgjigje. Kjo është punë etike intelektuale, nëse çdo intelektual e ka një etikë të tillë, dhe secili e di vetë se në ç’masë, kur dhe në raport me kë e reflekton. Në varësi të respektimit të etikës intelektuale, mund të gjykohet për këdo nëse dallohet për korrektesë intelektuale apo për mjerim intelektual.

Me këtë rast, e quajta të arsyeshme të ndalem pak në “artin” e servilizmit të idhujtarëve të Kadaresë.

Servilizmi i regjur ndaj Kadaresë i të katër servilëve në emisionin “Real Story, përballë Fatos Lubonjës, Ilir Demalisë dhe i të tjerëve jashtë asaj studioje, më kujton një roman të shkrimtares dhe filozofes amerikane Ain Rend (Ayn Rand - 1905-1982), të botuar në vitin 1957. Romani titullohet “Atlanti mblodhi supet” (Atlas Shrugged), dhe është vlerësuar si vepra më kryesore në karrierën e saj letrare. Aty ajo shkruan:

“Forma më e ulët e vetëposhtërimit dhe e vetëshkatërrimit, është nënshtrimi i arsyes tënde para arsyes së tjetrit, pranimi i një autoriteti mbi trurin tënd, pranimi i pohimeve të tij si fakte, pranimi i thënieve të tij si të vërteta, pranimi i tekave të tij si ndërmjetëse mes ndërgjegjes dhe ekzistencës tënde”.

Servilizmi i zonjës Alda Bardhyli ndaj Kadaresë të kujton pikërisht atë servilizmin që Balzaku e fshikullon aq mrekullisht me fjalët e tij të arta:

“Servilizmi nuk buron anjëherë nga shpirtra të mëdhenj, ai është risk i shpirtrave të vegjël, që kanë aftësinë të bëhen edhe më të vegjël, vetëm e vetëm që të përfshihen në sferën e jetës së një personi të rëndësishëm, të cilit kanë qejf t’i lëpihen”.

Është me të vërtet e çuditshme se si ka mundësi që këtyre katër intelektualëve nuk u ka bërë absolutisht pështypje servilizmi shembullor i Kadaresë ndaj kryediktatorit? Ndoshta kjo shpjegohet me arsyen se servilizmi ndaj Kadaresë është rrënjosur kaq thellë në vetëdijen e tyre, saqë mund t’u ketë cenuar edhe psikikën sadopak. Vallë të mos jenë në dijeni ata për korpusin poetik që Kadarea i pati kushtuar kryediktatorit, një korpus ky, të cilin arkitekti, poeti dhe përkthyesi i talentuar Petraq Kolevica e ka analizuar fare mirë në përmbledhjen kritike me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, që e pati nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Tiranë, 2002? Por servilët e Kadaresë, të cilët, ashtu si fara e gramit dhe e egjrës që “u zë frymën” kulturave bujqësore, nuk ndenjën të qetë para botimit të asaj përmbledhjeje. Kjo për arsye se, sipas psikologjisë së tyre prej kurrizshtruarish para Kadaresë, u duhej zënë fryma të vërtetave që Petraq Kolevica shpaloste për servilizmin e pështirë të Kadaresë ndaj kryediktatorit.

Asokohe, një intelektual shkodran shkruante:

“Nuk është e rastit që një libër i tillë, u nda vetëm në disa kopje dorazi dhe u zhduk nga shtypshkronjat apo libraritë”. (Citohet sipas: Blerti Delia. “Kadare ose shembja e idhujve”. Shkodër, 2004. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 qershor 2009).

Këtyre katër servilëve të Kadaresë vallë të mos u kenë bërë fare përshtypje ca gjëra të tjera fare flagrante për servilizmin e idhullit të tyre ndaj kryediktatorit?

 Në vijim po rendit disa prej tyre sa për kujtesë.

Së pari, Petraq Kolevica  shkruan:

“Kështu, në librin “Kohë barbare”, f. 17, bashkëbiseduesi Denis Fernandez-Recetala, që duket sikur kërkon ta ngacmojë pak Kadarenë, thotë: “Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin…” dhe Kadarea përgjigjet: “Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur slloganet e Partisë. Ata u sollën, pa diskutim, si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë” (Citohet sipas: Petraq Kolevica. “Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje”. Shtëpia Botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2002, f. 59).

Me fjalët e pakontrolluara që lëshonte përmes kësaj deklarate, Kadarea i fyente rëndë dhe pa të drejtë kolegët e vet shkrimtarë, duke anashkaluar servilizmin e vet shembullor ndaj kryediktatorit. Aq më tepër kur ai, siç del nga libri i Petraq Kolevicës, ka qenë vetë “qen roje” i regjimit komunist.

Së dyti, poezinë “Në mesditë Byroja politike u mblodh”, a nuk del vallë në pah servilizmi i Kadaresë, një servilëm ky i përmasave skandaloze ndaj kryediktatorit, çka bëri që edhe vetë kryediktatorit t’i vinte pështirë?

Së treti, duke folur për suksesin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të botuar fillimisht në Francë në vitin 1970, Kadarea ka pasë deklaruar:

“… pavarësisht se regjimi ishte i çmendur, unë po krijoja letërsi normale. Pavarësisht se Shqipëria ishte burg, kjo letërsi që dilte prej saj ishte e lirë. Ndryshe ajo s’kishte përse të pritej me aq dashamirësi në Perëndim” (Citohet sipas: “Kadare: Gjykimet e mia për Fishtën dikur, të gabuara”. Faqja e internetit e gazetës “Shqip”. 27 dhjetor 2015).

A ia kanë shtruar ndonjëherë vetes pyetjen servilët e Kadaresë, nëse me këtë deklaratë ai po thoshte një të vërtetë apo një gënjeshtër?

Pra, sipas Kadaresë, në Shqipëri letërsia u krijuakej lirisht dhe lirisht dilkej edhe nga Shqipëria! Po pjesë e letërsisë ishin edhe pamfletet politike që i drejtoheshin kryediktatorit, por autorët e tyre e patën paguar shumë shtrenjtë. Kështu, nacionalisti i shquar Edip Tërshana, i dënuar me vdekje, më 22 nëntor 1947, i pati dëguar kryediktatorit pamfletin e shquar politik, ku i çirrte maskën për tradhtinë e rëndë që po kryente me shndërrimin e Shqipërisë në koloni të Jugosllavisë.

Kasem Trebeshina, në vitin 1953, i pati dërguar kryediktatorit pamfletin e guximshëm politik për prapësitë që po bënte në Shqipëri, por e pagoi me një burgim shumë të gjatë.

Poeti i talentuar ushtarak Trifon Xhagjika, autor i poezisë emblematike “E pashë atdheun lakuriq”, kishte bërë letërsi të lirë, por u pushkatua në fund të dhjetorit të vitit 1963. Në sallën e gjyqit komunist të kryediktatorit, ai pati shpërthyer i rebeluar: “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!”

Atë Pjetër Mëshkalla, më 05 prill 1967, bashkëpunëtorit të ngushtë të kryediktatorit, Mehmet Shehut, i pati dërguar pamfletin politik fshikullues kundër diktaturës komuniste, por e pagoi me një burgim shumëvjeçar.

Më 17 korrik të vitit 1977, regjimi kriminal i kryediktatorit pushkatoi dy poetët e talentuar nga Librazhdi, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, sepse në poezitë e veta ata kishin bërë letërsi të lirë, i kishin lejuar vetes të ishin të dëshpëruar, çka ndalohej rreptësisht në kushtet e diktaturës komuniste.

Më 17 gusht 1988, pasardhësit besnikë të kryediktatorit, po aq kriminelë sa edhe ai, poetin e talentuar Havzi Nela, i cili kishte bërë letërsi të lirë, e varën në litar në mes të qytetit të Kukësit.

Është me të vërtetë për të lënë mendjen. Kadarea kaq të paditur i vlerësonte shqiptarët, saqë ata të mos ishin në gjendje ta kuptonin se ajo letërsia e lirë që ai krijonte dhe botohej në Perëndim, kalonte fillimisht nëpër filtrën e kryediktatorit? A mund të ishte përkthyer dhe botuar në Perëndim romani “Dimri i Madh”, sikur diktatori të mos kishte thënë se ajo vepër ishte e mirë?

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell - 1903-1950), në veprën e vet me titull “1984” (Nineteen Eighty-Four), të botuar në vitin 1949, një roman ky antiutopi (pasqyrim i një rendi shoqëror ose i një bashkësie, që i përfytyrohet shkrimtarit ose kritikut si diçka e padëshirueshme, neveritëse ose frikësuese), shkruan:

“Çdo shkrimtar që radhitet nën flamujt partiakë, herët ose vonë do të gjendet para alternativës: ose të pranojë nënshtrimin, ose të pranojë heshtjen”.

Jam i bindur që askush nuk ka pasë dëshiruar që Kadarea t’i kundërvihej diktatorit, se do të pësonte fatin e të gjithë atyre që u përmendën më lart. Heshtja atij nuk i pëlqente. Prandaj ai zgjodhi alternativën e nënshtrimit. Megjithatë, ai nuk duhej t’i kishte lejuar vetes të ngjitej deri në nivele aq të larta servilizmi ndaj kryediktatorit.

Unë nuk jam marrë kurrë me analizën e veprave të Kadaresë, se ajo është zeje e specialistëve të kritikës letrare. Por të deklarosh që, nga Shqipëria, në kohën e diktaturës, dilte një letërsi që na qenkej e lirë, tingëllon më shumë se marrëzi. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” vërtet pati sukses në Perëndim. Por arsyet e vërteta të atij suksesi i ka trajtuar mjaft gjerësisht dhe me shumë profesionalizëm analisti i njohur Kastriot Myftaraj në esenë me titull “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, apologji e paradigmës izolacioniste antiperëndimore të Enver Hoxhës. Gjyqi intelektual i Kadaresë”. Faqja e internetit “Shkupi Press”. 23 nëntor 2012.

Këtu unë po përmend vetëm një hollësi “të vogël” nga analiza bukur e argumentuar e zotërisë Kastriot Myftaraj për romanin e Kadaresë.

Në një dialog të gjeneralit me priftin, ku si ide kryesore del në pah zhdukja e shqiptarëve, gjenerali i thotë priftit:

“- Domethënë me armë ose pa armë ky popull është i destinuar të zhduket”.

       Kjo ideja e zhdukjes së shqiptarëve, Perëndimit evropian i ka pasë ardhur shumë në osh që asokohe, kur, për shkak të pazotësisë së vetë shqiptarëve të përçarë kashtë e koqe, ai mori vendimin për copëtimin e trojeve tona etnike në vitin 1878, e vazhdoi copëtimin në vitin 1913, deri në zhdukjen nga harta e Evropës me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915. Kjo ide i pati ardhur shumë në osh serbosllavizmit, i cili romanin  e Kadaresë e përktheu dhe e botoi në vitin 1963, sepse ideja e dialogut të priftit me gjeneralin për zhdukjen e shqiptarëve, vinte në harmoni të plotë me idenë themelore të shkrimtarit shovinist serb Ivo Andriç, të parashtruar në Elaboratin e tij famëkeq të vitit 1939, në të cilin shpalosej doktrina shtetërore serbe për zhdukjen e popullit shqiptar.

       Po ashtu, politika franceze e vlerësoi përmbajtjen e romanit të Kadaresë si një dhuratë të zbritur nga qielli. Sepse, me sa më kujtohet, në vitet ’60, kinematografia italiane kishte nxjerrë në ekran filmin me titull “Beteja e Algjerit”, në të cilin pasqyroheshin krimet e kolonizatorëve francezë në Algjeri,  çka bëri që populli të ngrihej më këmbë dhe të rrëmbente armët që sollën pavarësinë. Sigurisht që francezët e patën ndier veten të lënduar nga ai film. Prandaj botimi i romanit të Kadaresë ishte si një hakmarrje ndaj italianëve.

       Servilët e Kadaresë, në heshtjen e tyre, si ata të katër që përmenda më lart dhe plot të tjetër, le të çlirohen për një çast nga gravitacioni i fuqishëm i servilizmit të tyre dhe t’i shtrojnë vetes ca pyetje si më poshtë:

       A është penduar Kadarea për servilizmin e tij proverbial ndaj kryediktatorit, të mishëruar në korpusin poetik që i pati kushtuar, i cili përfaqëson pasaportën e tij politike në marrëdhëniet me diktaturën?

       A është penduar Kadarea për sulmet e egra që pati ndërmarrë kundër Gjergj Fishtës, simbolit të kulturës sonë kombëtare dhe të dinjitetit tonë kombëtar, sulme që qenë sinkronizuar plotësisht me sulmet e kryediktatorit, si argat i regjur i serbosllavizmit? Në një intervistë për gazetën “Korrieri” të datës 06 janar 2002, Kadarea sikur gjoja qenkej penduar për sulmet kundër Gjergj Fishtës, të cilat i pati ndërmarrë me egërsinë më të madhe në faqet e tribunës së mashtrimit “Zëri i Popullit” të datës 13 janar 1974, por që, çuditërisht, i pati përsëritur po me të njëjtën egërsi edhe në librin e vet me titull “Ardhja e Migjenit në letërsi”, të botuar në vitin 1991, gjashtë vjet tashmë pas largimit të kryediktatorit për në botën e përtejme, çka e rëndon edhe shumë më tepër fajin e tij në qëndrimin ndaj Fishtës. Në heshtje, a nuk duhej të reflektonte Kadarea për vendimin mizor të kryediktatorit për zhvarrimin e eshtrave të Gjergj Fishtës dhe flakjen e tyre në lumë, një akt ky i përbindshëm i tij, i paparë në historinë e një vendi evropian, dhe t’u vinte fre sulmeve të egra kundër atij poeti dhe nacionalisti të shquar? Të gjithë trashëgimtarët e të persekutuarve politikë, që u masakruan egërsisht me armën e urisë dhe të punëve të rënda nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, ku patën mbetur eshtrat e njerëzve të tyre më të dashur, pas zëvendësimit të sistemit komunist, nuk menduan kurrën e kurrës që, në shenjë hakmarrjeje, të turreshin drejt varrezave të Sharrës për zhvarrosjen e eshtrave të kryediktatorit dhe flakjen e tyre në lumë. Dhe vepruan shumë mirë se, me prejardhjen e tyre nga dyer fisnike, dëshmuan më së miri se ç’edukatë të shkëlqyer kishin trashëguar, duke qenë të bindur plotësisht se edhe krimineli duhet ta ketë një çikë vend për prehjen e eshtrave të veta.

Servilëve të Kadaresë u rekomandoj të lexojnë me vëmendje esenë e intelektualit Indrit Bardhi, me titull Kadarea i ka borxh Gjeniut të letrave At Gjergj Fishtës një pendesë të besueshme”. Faqja e internetit “Proletari.com”. 25 shtator 2015.

A është penduar Kadarea për qëndrimin fyes, deri në përbuzje, ndaj të persekutuarve politikë dhe, përgjithësisht, ndaj klasës së përmbysur? Qëndrimi i Kadaresë ndaj tyre ka qenë në harmoni të plotë me qëndrimin e kryediktatorit në kuadrin e fushatave të luftës së klasave. Ky qëndrim del më së miri në pah në korpusin e tij poetik në shërbim të kryediktatorit, sidomos te poezia “Në mesditë Byroja politike u mblodh” (Mos lëvizën klasat e përmbysura,.. Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj) dhe te poezia “Terrori i bardhë” (“Njerëzit, pavarësisht nga klasat, buzëqeshin, / Dhe duke buzëqeshur, unë shpesh ju kam parë. / Por veç kur kam shkruar diçka që veçanërisht ju ka prekur, / Mes smaltit të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë”. Vepra letrare, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, Vëll. 1, f. 331).

A është penduar Kadarea për esenë politike “Një botë në rënie”, të cilën e pati botuar në vitin 1971 në “Zërin e Popullit” pas kthimit nga Nju Jorku, ku pati marrë pjesë si anëtar i një delgacioni rinie në kongresin e rinisë botërore? Në atë ese të turpshme, të përfshirë në serinë e botimeve “Vepra Letrare” të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, vëll. 12, f. 271-294, Kadarea i mashtron lexuesit me disa gënjeshtra me bisht, si këto në vijim:  

 “Rinia amerikane është në kërkim të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë është Lenini”.

Kjo ese ishte një tjetër pasaportë politike, me të cilën kryediktatori e kishte pajisur Kadarenë në luftë kundër imperializmit amerikan.

A është penduar Kadarea për vrasjen e dashurisë së pastër të atij djaloshit të talentuar të Liceut Artistik, i cili ishte në lulen e rinisë kur dashuroi të bijën e tij? Qëndrimi i egër i Kadaresë kundër atij djaloshi a nuk ishte mishërim dhe konkretizim mjaft domethënës i bashkëpunimit të tij të ngushtë me dikaturën e kryediktatorit, çka bëri që ai të ngrinte shtetin më këmbë për ndëshkimin e tij? Dhe shteti e ndëshkoi rëndë: e internoi familjen e tij, kurse djaloshin e pati shtruar edhe në spital, për t’i injektuar ilaçe, me qëllim që të mbetej invalid. Dhe sot, në moshë madhore, për fajin e rëndë të Kadaresë, ai dergjet invalid në Nju Jork.

A është penduar Kadarea për letrën plot indinjatë dhe protestë që i pati dërguar gazetës franceze “Le Monde” më 26 prill 1985, sepse gazeta kishte botuar shkrime kundër kryediktatorit me rastin e largimit të tij për në botën e përtejme? Vallë a nuk ishte i vetëdijshëm Kadarea që populli shqiptar, për shkak të politikës tmerrësisht varfëruese që kishte ndjekur kryediktatori, kishte arritur në zgrip të degjenerimit gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit? A nuk e kuptonte vallë Kadarea se kishte ardhur koha ta kthente pllakën pas largimit të kryediktatorit për në botën e përtejme dhe të hiqte dorë nga servilizmi ndaj fantazmës së tij? Apo servilizmi i duhej për të pasur edhe mbështetjen e fuqishme të Nexhmijes, si bashkëpunëtore e ngushtë në krimet e kryediktatorit?

A është penduar Kadarea për botimin e esesë me titull Një pasdite me shokun Enver Hoxha”, në të cilën shkruan:

“Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale…” (Citohet sipas faqes së internetit “Radio Kosova e Lirë”. 17 shtator 2012).

Pra, Kadarea, ende nuk hiqte dorë nga servilizmi “veteran” ndaj kryediktatorit, duke e vlerësuar si “monumentale” veprën e tij, e cila dihej që do të përfundonte në koshin e mbeturinave, siç edhe përfundoi faktikisht.

Sigurisht që servilët e Kadaresë nuk kanë gojë t’u përgjigjen pyetjeve të radhitura më lart, se u mungon guximi intelektual. Le të rrinë të qetë se idhulli i tyre u është përgjigjur vetë atyre pyetjeve. Ai nuk është penduar për asgjë në jetë. Këtë e ka pohuar me gojën e tij. Zonja Mimoza Bejleri, në vitin 2014, pati botuar në Gjermani librin me titull “Kadare ndryshe”. Në atë libër ajo ka përfshirë edhe një intervistë që i ka marrë Kadaresë në Paris, në të cilën, mes pyetjeve të shumta, i pati drejtuar edhe pyetjen në vijim:

Ju jeni penduar për diçka në jetë?

Kadarea i përgjigjet:

“…tek mua s’ka vend fjala pendim për asgjë” (Citohet sipas: “Kadare për dashurinë, femrat, pasionin dhe pendesën. Sipas një bisede të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare në Paris. Faqja e internetit “Epoka e Re”. 10 tetor 2014).

Pra, Kadarea nuk është penduar për asgjë gjatë ushtrimit të zejes së servilizmit të tij në periudhën e diktaturës komuniste, prandaj karrierën e dashur të servilizmit e ka vazhduar edhe pas zëvendësimit të sitemit komunist. Letra e tij e hapur, drejtuar Lulzim Bashës më 21 maj 2011 për të hequr dorë nga kandidimi për kryetar bashkie në Tiranë, në mënyrë që Rama të zgjidhej për të katërtën herë në atë post, ishte dëshmia më qartë e servilizmit të tij ndaj Ramës.

       Së fundi, servilëve të Kadaresë dëshiroj t’iu përmend edhe Çmimin Nobel në letërsi, për të cilin ai, nëse nuk gaboj, ka dyzet vjet rresht që po nominohet për marrjen e tij. Por, për habinë e të gjithëve, juria e atij Çmimi vazhdon me kokëfortësinë e vet të mos ia japë ende. Nuk e besoj se do të ketë shqiptar që të jetë kundër vlerësimit të Kadaresë me atë Çmim. Për mbarë kombin shqiptar do të ishte një nderim i madh një vlerësimi i tillë. Kadarea, me të drejtë, ka deklaruar se veprat e tij janë përkthyer që nga Nju Jorku deri në Tokio. Ai është vlerësuar me Çmime të shumta, që nga Lindja e Largme deri në Amerikë. Atëherë, cila na qenka arsyeja që juria nuk ia ka akorduar Çmimin Nobel?

Shkrimtari brazilian Fernando Dourado Filho, thotë se emri më i favorizuar edhe në Francë, ka qenë ai i Kadaresë. Ai shkruan:

“Duke biseduar këtë të mërkurë në Paris me katër librarë të klasit të parë, përkatësisht të librarive “Compagnie”, “L’ecume des pages”, “Pollonaise”, “Gibert Jeune” dhe një nga menaxherët më evaziv të shtëpisë botuese “Harmattan” në rrugën “Rue des Écoles”, nga të gjithë dëgjova emrin e Ismail Kadaresë, si favoritin e madh për Çmimin Nobel të Letërsisë” (Citohet sipas: “Shkrimtari brazilian: Emri më i favorizuar në Francë për Çmimin ‘Nobel’ ka qenë ai i Kadaresë”. Faqja e internetit “kultplus”. 09 tetor 2020).

Por këtu lind një pyetje:

A do ta kishte ndërgjegjen të qetë Kadarea, duke qenë i rreshtuar në listën e nobelistëve, përkrah dy shkrimtarëve shovinistë, armiq të betuar të kombit shqiptar, përkrah Ivo Andriçit, hartuesit të doktrinës shoviniste serbe për zhdukjen e popullit shqiptar, dhe austriakut Peter Handke, himnizuesit të serbosllavizmit, të atij shkrimtari shovinist, i cili kryekriminelin Milosheviç e ngrinte në qiell si perëndi?

Në këndvështrimin tim, në raport me kombin shqiptar, Çmimi Nobel për këta dy shkrimtarë është Çmimi Nobel i Turpit. Çmimin Nobel, në vitin 1918,  juria mendonte t’ia akordonte edhe Leninit, strategut të luftës civile të viteve 1918-1920, e cila i kushtoi popullit rus një mal me viktima. Unë e vlerësoj si Çmimi Nobel i Turpit, sepse më sjell në kujtesë medaljen më të lartë franceze - Urdhrin e Legjionit të Nderit. Në Francë, për këtë medalje ka pasur vlerësime, si Urdhri i Legjionit të Turpit. Me shumë të drejtë. Dhe ja se pse:

Presidenti Fransua Miteran (François Mitterand - 1916-1996), në vitin 1987, me Urdhrin e Legjionit të Nderit pati dekoruar diktatorin panamez Manuel Noriega, i cili dihet se si përfundoi.

Presidenti Zhak Shirak (Jacques Chirac - 1932-2019), në vitin 2001, me Urdhrin e Legjionit të Nderit pati dekoruar Bashar Al Asadin, i cili në vitet në vijim u bë një diktator i egër i popullit sirian.

Presidenti Zhak Shirak ishte ai, i cili, më 22 shtator 2006, pati dekoruar me këtë Urdhër presidentin rus Vladimir Putin. Organizata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut “Reporterët pa kufi” pati reaguar në mënyrë të menjëhershme. Dekorimin e Putinit nga ana e Shirakut, ajo e pati vlerësuar “befasues”. Në reagimin e saj thuhej:

“Kjo është fyerje në adresë të të gjithë atyre, të cilët në Rusi luftojnë për lirinë e shtypit dhe për demokraci”.

Ajo organizatë pati shprehur përsëri revoltën e vet edhe për një arsye tragjike: dy javë pas dekorimit të Putinit, më 07 tetor, në Moskë, u vra gazetarja e njohur Ana Politkovskaja, e lindur në vitin 1958, kundërshtare e papajtueshme e agait të Kremlinit.

Presidenti Fransua Oland (François Hollande - 1954), në vitin 2016, me Urdhrin e Legjionit të Nderit pati dekoruar princin trashëgimtar të Arabisë Saudite. Asokohe, revista e përjavshme franceze Paris Match e muajit mars 2016, reagoi ashpër, duke e etiketuar Urdhrin në fjalë Urdhri i Legjionit të Turpit.

 

 

 

 

 

Përurohet leksikoni i parë enciklopedik në trojet shqipfolëse

 

PËRUROHET LEKSIKONI I PARË ENCIKLOPEDIK NË TROJET SHQIPFOLËSE

Përurohet leksikoni i parë enciklopedik në trojet shqipfolëse

Për herë të parë në trojet tona shqiptare, të shtunën është bërë përurimi i “Leksionit Enciklopedik”, i akademisë shqiptaro-amerikane të Shkencave dhe Arteve, Neë York-Prishtinë, njofton Insajderi.

Libri ka një vlerë të veçantë për kohën dhe trajton shkencën, letërsinë dhe artet në të gjitha hapësirat shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi edhe në diasporë.

Profesori Haki Bajrami, tha se shqiptarët edhe pas më shumë se 100 vjetësh shtet nuk kanë enciklopedi, dhe sipas tij nuk ka ditë që shteti serb nuk boton pamflet kundër Kosovës.

Më pas në kuadrin e këtij përurimi, veprimtari politik i çështjes kombëtare, Jahja Lluka, theksoi se leksikoni i botuar është vlerë e veçantë për kohën që trajton shkencën dhe artet. Ai tha se lexuesi do të ketë mundësi të studiojë këtë libër për të pasur mundësinë e gjykimit.

Sipas tij, ata që mohojnë sakrificën 100 vjeçare të Kosovës e kanë të kot. Ndër tjera tha se Evropa duhet të zgjohet dhe të gjithë ata kriminelë serbë që lëvizin të lirë ne metropolet e botës, të dënohen.

Ndërsa autori dhe botuesi Flori Bruqi, theksoi se me datën 28 nëntor të 1995 në Neë York u shënua një kthesë në themelimin e akademisë së shkencave.

Bashkëpunëtoret e Enciklopedisë janë studiues të njohur nga trevat shqiptare: Flori Bruqi, Dibran Fylli, Hakif Bajrami, Akademik Naim Kelmendi, Nijazi Halili, Fatmir Halimi, Abdullah Troshupa, të cilët përbëjnë bordin e librit. Kjo enciklopedi është e para e këtij lloji në hapësirën shqipfolëse./Insajderi.com

Akademik Fritz Radovani : VIRUSI PYET PO KET A E DINI: “MBAS 100 VJETVE…”

 



 

 

Ka pas thanë “njeni” para plot 100 vjetëve në vitin 1920:

“Shqyptarët, të cilët perpara u vritshin kokrra-kokrra, sot vriten çeta – çeta e jo, si motit, per pikë nderit a erzit, por per katër kamë të “kolltukut” të njanjit a të tjetrit Minister a Deputat të kombit. Bakajt, hamajt, matrapaza, teneqexhi, kallajxhi, analfabeta gjithfarësh.., mund të vên sŷ me u njitë nder zyre edhé ma të naltat e Shtetit.

Ushtrija e jonë – mprojtja e jetës kombtare – mund të lshohet nder duer oficieresh, qi, para ktyne dhetë vjetve kan vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë Shqyptarët, për arsye qi këta lypshin lirin’ e jetën kombtare.

Nder zyre të financavet t’ona mund t’u epet punë edhe atyne mehmurve, qi kohen e kalueme kan mujtë të jenë teja, a ma mirë me thanë, rrenimi i Financavet të nji Shteti të huej: 

Të merret para sysh, se edhe sot Shqyptari, me gjithë liri e pamvarsi të veten, han bukë thatë e bishta purrijsh, si perpara.  Qeverija s’ka kenë e zoja as të çilë kund nji pash rrugë të re, as të meremetoj kund nji pash aso rrugash, qi na i lanë ushtrit’ e hueja.”

E pra, këto mendime i ka shpreh At Gjergj Fishta, 100 vjetë përpara… E ku e dinte Ai se, ashtu do të vazhdohet 100 vjetë?

          Melbourne, 14 Tetor 2020.

 

Panairi i 72-të i librit në Frankfurt u hap zyrtarisht të martën plotësisht virtualisht.



Panairi i Librit në Frankfurt,

Panairi i 72-të i librit në Frankfurt u hap zyrtarisht të martën plotësisht virtualisht.

Hapja e solemne u transmetua me livestream, ndërsa në mesin e të ftuarve të cilët dërguan video-porosi, ishte edhe kryeministri i Kanadës Justin Trudeau.

Kanadaja duhej të ishte mysafiri i nderit i këtij viti në panairin më të famshëm ndërkombëtar të librit, por kjo u shty për në vitin 2021 për shkak të kufizimeve të udhëtimit në lidhje me pandeminë Covid-19.

Shkrimtari izraelit David Grossman mbajti një fjalim përurues në internet. Ai foli për shpresën dhe tha "ashtë një emër, por përmban një folje që të çon në të ardhmen".

Ministrja gjermane e Kulturës Monika Gruetters i uroi panairin e të librit çdo sukses, por edhe shtoi se shpreson që ardhshem do të përjetojë përvojën e leximit të zakonshëm dhe diskutimet e drejtpërdrejta si dhe takimin me audiencën.

Ajo tha se qeveria gjermane po ndihmon industrinë me 25 milionë euro për botuesit, libraritë dhe panairet tregtare në Frankfurt dhe Leipzig për t'i ndihmuar të mbijetojnë krizën e koronës.

Panairi i këtij viti i librit zhvillohet deri të dielën dhe mbahet online me 4,400 botues nga 110 vende. Drejtori i manifestimit, Juergen Boos, e quajti edicionin e këtij viti "eksperiment të madh".

Promovohet Leksikoni enciklopedik i Flori Bruqit


 
Rezultate imazhesh për nijazi halili
 
Akademik Prof.Dr.Nijazi Halili,Ph.D(Recensent libri)
 

Shkrimtari, publicisti, hulumtuesi shkencor, anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare Amerikane për Shkence dhe Arte, Flori Bruqi, kësaj radhe na paraqitet me një libër “Leksikon enciklopedik “,
shumë interesant si rezultat i hulumtueseve shkencor të kësaj akademie në fushat e tyre të thella për shkencën dhe artin.

“Leksikoni Enciklopedik”, i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave dhe Arteve është një vepër kapitale që trajton shkencën si dhe artet në të gjitha hapësirat shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi edhe në diasporë.

Leksikoni Enciklopedik, mbart elemente vlerësuese për rreth 300 autor që përfaqësohen me biografi dhe bibliografi të tyre që janë të përfshirë studiueit e gjallë si dhe studiuesit post mortum të cilët kanë lënë gjurmë në shkencë, letërsi dhe art.

Studiuesit janë përfshirë nga të gjitha fushat siç janë artet figurative, shkencat ekonomike, shkencat e mjekësisë, shkencat e historisë nga të gjitha trevat shqipfolëse, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, nga Kosova dhe Amerika. Por peshën kryesore do ta mbetet tek vetë autori.



Mendoj që ky ” Leksikon enciklopedik” është i ngjeshur me vlera të larta shkencore, letrare,artistike të autorëve të pakontestuar, tejet të përmbledhur, e shumë konciz.

Në ketë rast autori Bruqi ka patur një lloj përgjegjësie sepse kjo vepër është botim akademik, i cili është bër nga njerëz që kanë nivel të lartë studimor për këtë punë dhe çdo gjë është kaluar me përgjegjësi në një sitë profesionistësh duke bërë seleksionim deri në pikën përfundimtare për secilin krijues.

Të dhënat dhe botimet, suplementet e artit, të dhënat e reja që dalin edhe në shtypin periodik do të shfrytëzohen sigurisht me një përpjekje dhe saktësi duke i përfshirë në ketë vepër.

“Leksikoni enciklopedik” është një vepër me rendësi kombëtare,ku  politika nuk ka patur vend dhe hapësirë për të vepruar, andaj kjo vepër kapitale është e begatuar dhe do mbetet shembull për gjeneratat e ardhshme se si duhet punuar dhe vepruar gjithnjë në interes të dijes dhe shkencë, pasi që një libër i kësaj natyre i ka munguar trojeve shqiptare me vite.

Lexuesi dhe studiuesi shqiptar dhe ai i huaj do ta lexon dhe studion këtë vepër, për dhembjen tonë, të autorit dhe të gjithë atdhetarëve, për të pasur mundësi të gjykoni…

 
                                  Prishtinë, 9.12.2019   

Promovohet ‘Leksioni Enciklopedik i Akademisë shqiptaro – amerikane’, një vepër që përshfinte 352 akademikë

  4:58 PM

sharethis sharing button

Biblioteka Kombëtare në Prishtinë dalë nga dalë filloj që të mbushej me njerëz, në karriget që tashmë ishin vendosur për mysafirët, filloi që të vërehej entuziazmi për pjesëmarrjen në përurimin e Leksionit Enciklopedik të Akademisë shqiptaro – amerikane të Shkencave dhe Arteve dega në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në fjalimin e tij hyrës profesori Haki Bajrami theksoi faktin se ndonëse kanë kaluar më shumë se 100 vite prej kur shqiptarët kanë shtetin e tyre, ata nuk kanë arritur që të kenë një enciklopedi të tyre.

“E ky publikimi më ka gëzuar shumë. Edhe pse ka pasur zëra tendencioz që të na plasojnë në germën Iliria. Ju betohem në gjakun e Adem Jasharit, as s’ka pasur as s’ka komb kosovar. Është një pjesë e tekstit që do ta botoj sepse jam njëri ndër ata, kam përjetuar edhe kërcenim me armë e që sot janë bërë shqipe. Të gjithë popujt me te cilët kufizohemi ne shqiptarët kanë enciklopedi shqiptare. Edhe pas 100 vjet shtetësie ende nuk kemi enciklopedi”, ka thënë Bajrami.

Profesori Haki Bajrami ka kritikuar edhe politikanët shqiptarë duke thënë se ata nuk janë duke punuar aq sa duhet për popullin shqiptar në përgjithësi. Sipas tij qeveria nuk merr as mundimin që të investoj në shkencë. Madje ai ka shtuar se arti nuk mund të krijohet më ‘poqavra’, por vetëm me punë serioze, modesti dhe përkushtim.

“Vepra leksikon është një fryt i një pune kërkimore. Sa po investon Qeveria në shkence afër zeros. Nuk krijohet arti me poqavra, por me pune me seriozitet dhe modesti e përkushtim”, ka shtuar ai.

Ndërkaq veprimtari politik i çështjes kombëtare, Jahja Lluka ka thënë se Leksioni Enciklopedik është një vlerë e veçantë dhe e domosdoshme për kohën, sepse bënë trajtimin e shkencës dhe artit në mënyrën e duhur. Ai ka shtuar se ky libër përpos lexuesve mund t’ju hyjë në punë edhe studiuesve në kërimet e tyre shkencore.

“Leksikoni është vepër e parë që përfshin 352 akademik. Specifikë e veçantë është se përmban leksikone vlerësuese. Mendoj se këtë punim është bërë një sistemim i plotë. Lexuesi dhe studiuesi do të lexojë dhe studioj këtë libër”, ka potencuar Lluka.

Autori dhe botuesi Flori Guci, theksoi se me datën 28 nëntor të 1995 në Neë York u shënua një kthesë e madhe në themelimin e akademisë së shkencave. Sipas tij, për herë të parë në trojet shqiptare, në fushën e shkencës doli Leksioni Enciklopedik.

“Në kuadër të këtij përpunimi akademia shqiptaro amerikane ka nënshkruar memorandum me shtypshkronjën ku do të publikohen punime shkencore të akademikëve”, ka pohuar autori dhe botuesi Guci.

Krejt në fund të këtij përurimi u bë edhe ndarja e çmimeve nga ana e të Akademisë shqiptaro – amerikane të Shkencave dhe Arteve, si dhe u bë e ditur se këto çmime do të ndahen çdo pesë vite nga ana e kësaj akademie.

Akademiku dhe profesori, Skënder Kodra fitoi çmimin ‘Skëndërberu’ për kontributin e tij në fushën e shkencës dhe çështjes kombëtare. Akademik Flori Buqi u nderua me çmimin ‘Adem Jashari, kurse çmimi ‘Adem Demaçi’, ju dha akademikut Haki Bajrami për punën  e tij në fushën historisë dhe çështjes kombëtare.

Akademiku Dibran Fylli u nderua me çmimin ‘Hasan Prishitna’, për punën e tij në fushën e letërsisë, artit dhe shkencës dhe çështjes kombëtare. Kurse Jahja Lluka u nderua me çmimin ‘Maxhun Bruqi’.

Lluka pas marrjes së këtij çmimi tha se ndihet i privilegjuar pikërisht për faktin se ky çmim ndahet pikërisht nga familja e Maxhun Bruqit.

Edhe Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës gjatë këtij përurimi ka bërë ndarjen e një çmimi meritor për akademikun Flori Bruqi.

Gjithashtu në këtë përurim u prezantuan edhe anatarët e rijnë të Akademisë shqiptaro – amerikane të Shkencave dhe Arteve degës në Prishtinë./ KultPlus.com

Erdhi koha për të fjetur…nata e parë për herë të dytë në burgun e Nishit e ëndrrat për Lirinë tonë ndërronin vetëm shtratin dhe qytetin, por një ditë edhe këto ëndrra do të bëhen realitet.

                          Nga akademik PHD.  Flori Bruqi Me rastin e 27-vjetorit të bombardimeve në burgun e Dubravës, Hasani i përshkuan at...