Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/03/16

Ali Cenaj :Thneglat e gjinkallat tona

Ditë më parë, me një mik tek diskutonim për këtë realitetin tonë grotesk, mjerimin moral e ngrysjen e gati të gjitha vlerave, hajnitë e përmasave nacionale, xhipat e zinj e pasuritë milionëshe të leckamanëve të djeshëm, seç m’u kujtua mësuesi im i parë.

Ai i paharrueshmi, mësues Faiku dhe përralla për gjinkallën e thneglën. Ju kujtohet ajo fabula e Jean de La Fontaine, porosinë e të cilën mbase mund ta kemi kuptuar më shumë se seriozisht.

Vetëm puna. Pa punë s’ka asgjë. E shihni, e shkreta gjinkallë, me mendjelehtësi e kalon ditën gem më gem duke kënduar, herë andej, herë këndej, por harron se kur të vijë dimri, do të ngordhë nga uria bashkë me fëmijët. E thnegla punëtore, që tërë ditën punon pa u ndalur, vërtet që lodhet, por s’ka nevojë t’i frikësohet as dimrit, as kujt tjetër, - thoshte mësues Faiku duke ngulitur në kokat tona fëmijërore punën, ndershmërinë, familjen... si vlera kulmore. Vlerat absolute me të cilat mund ta kenë nisur dhe ngrysur jetën edhe familjarët tanë, por në të cilat gjithnjë e më shumë po shfaqen shenja dyshimi.

Normalisht, me kohë gjërat ndryshojnë. Edhe përrallat si kjo e La Fonteine-it për thneglën e gjinkallën. S’e ke dëgjuar versionin më të ri, -më thotë miku me një nënqeshje, dhe nis rrëfimin që në versionin e përfolur mund të dukej kështu:

Verë e nxehtë. Thnegla e mbytur në djersë as kryet s’mund ta çojë nga puna. Mbjell, korr, fshinë... kur në atë kohë ia beh gjinkalla.

Ç’po bën ashtu, thnegël, - pyet duke ndërprerë atë refrenin monoton ga, ga ga,...?

Qe, po punoj. Po përgatitem se dimri i gjatë, nuk i dihet... e pa punë s’ka gjë. Po ti, ç’po bën?

Asgjë, hiç, po shkoj disa ditë në det se nuk durohet kjo vapë, - i thotë dhe vazhdon udhën.

Pastaj vjen dimri. Gjinkalla ndal xhipin nga i cili binte në sy një biondinë, si dhe skijat e snoubordi.

Ore, thnegël, çka po bën pash Zotin, - pyet nga dritarja?

Qe, po e pastroj rrugën nga bora, do dru i kam bërë gati, nganjëherë po gjej ndonjë punë me mëditje se fëmijët duan bukë, veshje e mbathje. E ti, kah je nisur, - e pyet?

Hiç, u mërzita. Edhe kjo Prishtina u bë bajat. Po dal pak kah Boroveci, pak skijim, sa për ta thyer monotoninë, - dhe niset.

Verën tjetër, sërish gjinkalla ndal me brof para thneglës xhipin e zi, me dy biondina e një zeshkane brenda dhe përmbi dërrasë sërfingu. Sërish e njëjta pyetje therëse.

Hë, thnegël, çka bëre?

Qe more, si zakonisht, punë, punë, natë e ditë, siç ka thënë Naimi ynë... Mbjelljet i kam kryer, tash po mihi pemët, po mbledh barin... E ti, kah je nisur prapë kështu?

Qe, po dal pak kah Evropa. Pak në detin kroat, pastaj pak shoping në Venedik... Thjesht, të dal pak se nuk rrihet këtu, - dhe ia fishkëllen rrotat para hunde.

S’kalon shumë dhe dimri vjen prapë. Sërish gjinkalla tash me një lloj cigareje me bari e zinxhirin që i shkëlqen rreth qafe, del nga BMW tipi më i ri, pasi ndal pak muzikën që ushtonte nga zëruesit Bosse, sërish pyet?

Po ku je moj thnegël, pash Zotin? Çka po bën? Si po të shkojnë punët?

Mirë more jemi, gjallë jemi, shëndosh jemi... Por ky dimër shumë i fortë. Po më duhet të punoj shumë se ku KEK-u diçka e ka shtrenjtuar rrymën, faturat e larta, fëmijët duan edhe nga një euro kur shkojnë në shkollë, qe... po kalojmë disi. Te ti çka ka? Si po të shkojnë punët?

Ç’të them, nuk është edhe keq. Po mundohemi, vendi ka nevojë për angazhime, kemi tash edhe kushtet për BE. Qe, për atje jam nisur. Një turne lobues, Vjenë, Berlin, Londër... Pastaj ndoshta dal pak edhe kah Franca. Vendi do angazhime... Megjithatë, po ia dalim disi, - thotë dhe bën të niset.

- Prit, prit, i thotë thnegla, dhe gjinkalla hap dritaren.

Pash shoqërinë që kemi pasur, ma bëj një të mirë. Kur të kalosh kah Parisi, mos harro, lype dhe gjeje atë Lafontenin, ku është e ku s’është.

Dhe, pash Zotin, jo rrahe, por zdëpe dajak. Bëje për atë dynja. Pisin, se më mori në qafë, - kishte thënë Thnegla në version e ri të fabulës.

Se diçka në këtë shoqëri nuk po shkon, po shihet. Por, kush na e ka fajin neve, thneglave të zhgënjyera? Veç mos më thoni mësues Faiku.

E di, jeni në anën e Thneglës që mund t’u ngjasojë si shumë edhe juve apo të afërmve tuaj. Por e pranoni, më shumë u pëlqen të jeni gjinkallë!

Fadil Lepaja :Delet nga Lugina e Silikonit

Kjo është një përrallë moderne për “Luginën e Silikonit”! Mundesh me e quajtë edhe ëndërr! Ishte moderne jo veç për rrethanat tona! Kishte një mahnitje planetare.

Si në çdo përrallë edhe këtu ka dele! Harrojini për një çast se si u avullua kjo ëndërr, se si menaxherët ende dergjen nëpër gjykata, dhe dhjetra e qindra milionë që humbën dikah! Harrojini edhe strategët që u avansuan aty ku ka projekte të tjera qindramilionëshe.

Projektet fillonin si pa të keq me dhjetëra milionë, pastaj kostoja dyfishohej para kamerave. E vlen, blegrinin zëdhënësit formalë dhe joformalë. Kemi me shkue edhe në shpi me email. Me ardhë në punë me email. E fëmijët kemi me i shpërnda nëpër shkolla me atachment. Kabllot optike në çdo shkollë! Në çdo shpi! S’ka më transport (ndër)urban.

Pastaj erdhi strategjia “fillo dhe lëre përgjysmë” , që doli të jetë mënyra më e mirë për me i ngatërrue fondet, për me i harrue ëndrrat. Apo strategjia:” Jep donacione, e merr kesh”! Ka shteti!

Ndërkohë edhe pasojat sociale ishin po aq të rënda! Tokat mbetën shkret. Bashqet e shtruara në cimento, livadhet e mbushura me therra e gjarpërinj, kryeqyteti i mbushur me zonjushat tunduese që ende thyejnë takat e larta nëpër sheshet me pllaka të shtrenjëta mermeri. Shoqëri e shastisur pas mermeri. Mermer dhe baltë, kombinim fatal! Por, krejt kjo storie emancipimi e kishte një fillim!

Krejt filloi një mbrëmje të qetë kur princi ynë ra me fjetë dhe nuk e zuri gjumi si zakonisht!

Tërë natën nuk u rehatua! Nuk është punë ndërgjegjegjjeje! Më e keqja e kësaj ishte se nuk po e kuptonte përse i kishte ikur gjumi. Krejt rrethanat i kishte për me u kënaqë në gjumë! Opozita ishte e përçarë dhe po blegërinin si delet. E ai, atë natë më kot po i numëronte delet! Delet, që po i shijonin livadhet e gjera nëpër ekranet e sheshta.

Më paskanë sjellë dyshek të parehatshëm, mendoi. Ose opozita më ka vënë në mes të dyshekëve ndonjë kokërr bizele. Me më provue ! Në fakt, edhe kësaj radhe, ai vetëm po dyshonte, si zakonisht, te opozita! Nuk kishte prova për asgjë! Si për inat, pikërisht kësaj radhe, opozita, vërtetë e kishte vënë një kokërr bizele, diku në mes të dyshekut të tretë apo katërt, nga shtatë gjithësej! Se kryeministri e do numrin shtatë!

Edhe në parti, shtatë i ka nën vete, në hierarki! Sa për aksionin subversive me bizelen, ky ishte aksioni më i sukseshëm i opozitës që nga (ri)shpallja e pavarësisë.

Ashtu, në kllapi, vazhdimisht i shfaqej turma e deleve, larg qoftë sikur të ishin në godinën e parlamentit. Sonte nuk po i shqiteshin delet dhe për çudi po shihte strukturë në shpërndarjen e tyre nëpër livadh. Herë i ngjanin me një tufë të organizueme e herë me një turmë të shkapërderdhur!

Herë në livadh her në parlament. Ishalla nuk janë protesta? ! Papritmas në mes të tufës kërceu një ujk i mbështjellë me lëkurë të bardhë deleje! E njohu! “Bajram, i tha, vepro sipas urdhrit”! Luginat e bleruara u mbushën lotsjellës.

Porsa të zgjohem, kam me e pyet dikë se çka do të thotë me t’u shfaqë në ëndërr ministri yt në syret të ujkut, e me lëkurë deleje krahëve! Ani,dele e bardhë!

Por, princit, shpejt i iku vegza dhe filloi sërish të ëndërronte, të fuluturonte përmbi male e fusha drejt livadheve të bleruara! Iu kujtua libri frymzues ”Kur kositen livadhet”! Si nuk i kanë kositë këto livadhe mendoi dhe deshi të japë urdhër, por paritmas iu kujtua se s’ka mbetë kush andej me kositë as me lavrue, se krejt i kishte sjellë në qeveri. E mallkimi i pleqve po e ndiqte pas. Nuk lihen tokat djerrë, djalem, nuk lihen livadhet pa kositë. Lugina i hapej parasysh përplot mjegull!

Në fakt, kur i referohemi paragrafit më lart, duhet të sqarojmë për hir të vërtetësisë se asokohe shoqet nuk luanin pitpidak, as ishin të përfaqësuara obligativisht në parlament, por princi kishte ëndrra shumë të avansuara dhe emancipuese për kohën.

Duhet me ba diçka për këtë tokë, këto livadhe, për delet që nuk ka mbetë kush me i qitë nëpër fusha, por të gjitha janë futë në politikë. “Krejt po e mjelim shtetin, e nuk qëndron as shteti kështu”, po i fliste në ëndërr katragjyshi, i ulur ashtu këmbëkryq, ashtu si e përshkruanin më të vjetrit.

Papritmas, lugina ndryshoi! Nuk po i shfaqej në ëndërr si dikur. Në hyrje të saj, te një rrethrrotullim i mbaruar rishtaz, mbi një tabelë të kaltër nën një rresht me yje të verdha, po shkruante “ Lugina e Silikonit”! Në anglisht!

E paskan bërë luginë silikoni këtu, klithi, apo jam në Amerikë?! I iku për një çast vegza e ëndërres dhe u ngrit ulur mbi dyshek , krejt i mbuluar në djersë. Nuk po i shqitej syshë ai kolorit i hirtë. Këtu nuk paska më asnjë lule. Nuk paska klorofil! Veç silikon! Silikooooon! Atdheu ynë prej silikoni !

Shpejt e shpejt u ngrit, shau nëpër dhëmbë dyshekët e parehatshëm nga reklamat dhe mori nga komodina telefonin e tij tashmë legjendar! Mbledhja e kabinetit, filloi pak para syfyri. ...!

Kështu lindi legjenda për luginën tonë të silikonit, kështu nëpërmes mjegullës së ëndrrave popullore u aprovua edhe buxheti dhe bartësit e përgjegjësive! Pasi e aprovoi “sofra e parë” e aprovoi edhe qeveria!

Si e dimë tashmë, nga historia jonë e lavdishme, paratë u harxhuan, e lugina mbeti luginë! Livadhet e pakositura, të mbuluara me therra. Arat e pa lavruara. Nuk ka hesap, ma mirë me i mjelë delet virtuale! Kështu pitja u hangër! Mbeti veç princi me vllaznillak, akraba, e dosta dhe me tepsi në dorë! Edhe ... delet që mblidhen e blegërijnë te sheshi. Te njëri nga sheshet!

E kur delet protestojnë, princi e thërret Bajramin dhe e pyet: “A ke më asi lotsjellës që i ka kalue afati? “ ! Kështu, rimbushet me tym e mjegull lugina e betontë e Kosovës. Bëje zot, ëndërr!

Ah, kokërr e bizeles, sa e vogël por sherrin e madh e paske pasë!

Duhet me ndërrue dikënd ... ! Duhet me e fshehë tepsinë...! Në mal! Në fakt në silikon! Është veç një tepsi silikoni....po arsyetohej në ëndërr para dikujt të cilit nuk po arrinte t’ ia shihte fytyrën!

Krejt fajet i ka opozita, klithi, krejt! Sidomos për kokrrën e bizeles! Opozita që laget në gjumë!Kështu , i doli gjumi, nga zilja e telefonit që po i binte si një çekan i rëndë! Ikën delet dhe Lugina e silikonit! U avulluan!
Ishte, Baronesha!

Qemajl Morina :Të krishterët arabë dhe sfida e civilizimit islam


A po i kanoset rreziku prezencës historike të krishterë në vendet arabe, është pyetja e cila shtrohet viteve të fundit, në veçanti pas asaj që po quhet “Pranvera arabe”?

Kjo pyetja nuk është prezent vetëm në media, por edhe në debate shkencore. Kjo situatë e kishte detyruar kryeministrin irakian Al-maliki, kohë më parë të deklarojë: “Lindja nuk duhet të mbetet pa të krishterë, ashtu siç nuk duhet të mbete Perëndimi pa myslimanë”. Këtë deklaratë ai e kishte thënë në vitin 2010, me rastin e djegies së kishës, zonja Shpëtimtare në Bagdad, kur mbi 12.000 krishterë u shpërngulen në Kurdestan, kurse mija të tjerë ua mësynë vendeve perëndimore.

Ashtu siç pohon analisti egjiptian, Emil Emin, se kjo çështje është e kurdisur dhe dikush po kujdeset për arsye se “fati i të krishterëve është i lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare arabe në një anë dhe paraqet sfidë të bashkëjetesës civilizuese islamo-krishtere gjatë katërmbëdhjetë shekujve në anën tjetër”. Kjo me siguri duhet të jetë edhe sfida më e rëndësishme në rrugëtimin e civilizues të arabëve dhe myslimanëve bashkërisht.

Nga ana tjetër, ekzistojnë mbi 120 burime shkencore të dorës parë, të cilat pasqyrojnë rolin e rëndësishëm të krishterëve arabë, në veçantë të atyre asirianë, që patën në përkthimin e shkencave greke në gjuhën arabe. Burimet historike numërojnë mbi 215 mjekë, 63 transmetues, 40 filozofë, 15 astronomë, 10 matematikanë, 7 astrologë, 5 kimistë, 4 farmacistë etj.

Studiuesi dhe lexuesi i vëmendshëm në aspektin historik, mund të kuptojë për respektin dhe nderimin e madh që të krishterët dhe hebrenjtë gëzuan në lindjen e shtetit islam. Orientalisti Volmozin pohon se “shkrimi arab në fillim u përhap në mesin e të krishterëve, në veçanti në mesin e murgjve në Hira dhe Enbar”. Librat e historisë arabe të asaj periudhe flasin me krenari për ministra të krishterë apo hebrenj, të cilët ishin të angazhuar në postet më të rëndësishme ministrore, siç ishte Ministria e Financave.

Vlen të përmendet me këtë rast se zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në shumë vende arabe, në veçanti në Irak pas invadimit amerikan më 2003, në Egjipt pas revolucionit të 25 janarit të vitit 2011, pastaj ajo çka po ndodh në Siri, me dallimet e mëdha në kushtet, rrethanat dhe mekanizmat, të gjitha këto kanë ngjallur shqetësime te një numër i konsiderueshëm i qytetarëve pa dallim besimi për të ardhmen e të krishterëve në këto vende, ku të krishterët janë të koncentruar më së tepërmi dhe paraqesin një përqindje konsiderueshme.

Sipas raportit të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracion, të datës 1 mars 2012, lidhur me koptët e Egjiptit thuhet se ka një shtim të emigracionit për shkaqe “të represionit fetar nga ana popullatës si dhe organeve shtetërore, pasigurisë, papunësisë si dhe vështirësisë së jetës në përgjithësi”.
Të njëjtat rregulla vlenin edhe për të krishterët e Irakut. Aty flitet për shtimin e emigracionit të popullatës në drejtim të vendeve fqinjë, për shkak të pasigurisë qoftë edhe në pjesën veriore të Irakut, i cili në raportet e mëhershme konsiderohej vend i sigurt.

Në këto rrethana hartuesi i Raportit pyet se a do të ketë të ardhme për të krishterët e Lindjes së Mesme? A do të kenë mundësi që ata të mbijetojnë në shekullin e njëzet e një?

Lidhur me këtë kemi përgjigje të ndryshme, varësisht nga qëndrimi i secilit prej tyre. Po përmendim mendimet e disa prej tyre:

Prof. Pol Salim, drejtor i Qendrës Kargigji në Bejrut, i cili në një artikull të botuar më gazetën “Los Angelos Time” të datës 6 janar 2010 shkruan: “ Numri i krishterëve të mbetur sot në Lindjen e Mesme, është 10 deri në 12 milionë, të cilët nuk paraqesin më shumë se 5% të popullatës së rajonit, në krahasim me 20% që ishte në fillim të shekullit njëzet”. Pastaj shton: “Edhe pse të krishterët kanë luajtur role të rëndësishme në lëvizjet kulturore, kombëtare, majtiste dhe në ato kundër kolonializmit në dekadat e kaluara, mirëpo ata u përjashtuan në vitet e fundit me rastin e paraqitjes së islamit politik, ata vuajtën që nga viti 2001 nën peshën konfrontimit mes islamit ekstremist dhe Perëndimit të krishterë”.

Modelin tjetër të ballafaqimit kemi akademikun libanez, që jeton në SHBA, Fuad Axhemi, i cili në një shkrim të botuar në të përjavshmen amerikane “Njuzvik” shkruan duke pyetur se “a do të kenë koptët ardhmëri në Egjipt dhe në botën arabe dhe kush do t’i mbrojë ata nga ekstremizmi islamik “?! Për të përfunduar se “krishterimi po zhvillon betejën në tokën, e cila ishte djepi i saj”.

Zejdush Kastrati :Para vitit 1999 vdisej për Kosovën

Deri me përfundimin e luftës së fundit, përkatësisht deri me largimin e pushtetit kriminal serb nga Kosova, e që ndodhi me 1999,kur falë angazhimit të aleatëve tanë u arrit që nga Kosova të largohet edhe ushtari i fundit i uniformuar i një regjimi barbar, edhe kontributi, angazhimi dhe sakrifica, edhe e shumë kosovarëve, në kontinuitet, me vite të tëra, si në diasporë,ashtu edhe brenda Kosovës,por duke mos harruar. edhe e shumë shqiptarëve tjerë, në territoret tjera ku jetojnë ata,me të vetmin qëllim, për të çliruar Kosovën, ka qenë një realitet, dhe një e vërtetë e madhe, që është dëshmuar e argumentuar, edhe me fakte e shembuj, shumë konkretë.

Pa hyrë në histori,kuptohet, edhe krijimi dhe organizimi i shumë organizatave ilegale, qoftë në diasporë, por edhe në trojet e banuara nga shqiptarë
në territoret e ish- Jugosllavisë ,por së fundmi edhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë kontribut dhe sakrificë, jo vetëm i disa liderëve, por edhe masës së gjërë të shqiptarëve, të cilët e kishin kuptuar shumë drejt se armiku i përbashkët,i gjithë atyre, ishte regjimi kriminal i një pushteti, po ashtu kriminal i Serbisë, dhe siç dihet, e është parë,mjaft prej tyre edhe nuk ngurruan që të sakrifikojnë edhe jetën e tyre ,tërë familjen, por edhe kapitalin, për të mirën e Kosovës.

Bilanci i viktimave dhe shkatërrimeve, nga pala shqiptare, mbetet punë kryesore e historianëve dhe kronistëve,por të prezentosh,pa hiperbolizime por edhe injorime , realitetin e krijuar, tani e 14 vite, pas kësaj lufte, në aspektin e rrjedhave e zhvillimeve ,të gjithanshme,mendoj se disponimi dhe nevojat e kërkesat janë në kundërthënie të madhe, në raport me pritjet, premtimet, por edhe angazhimin konkret, në radhë të parë, të gjithë lidershipit, të deritashëm, që ka udhëhequr me Kosovën.

Kërkesat, nevojat dhe ambiciet, si gjithkund tjetër, edhe për kosovarët, janë të mëdha, dhe herë- herë edhe të paarritëshme dhe të pakapshme,gjë që në një masë, edhe mund të arsyetohen, meqë edhe Kosova, vërtet, po kalon fazën e transicionit, dhe nuk mund të bëjë mrekullira(edhe pse mjaft liderë po flasin për mrekullira),por në radhë të parë mosëfunksionimi i shtetit ligjor, injoranca, javashllëku, klanizimi, joprofesionalizmi, nepotizmi, faktorizimi i të dyshimtëve,korrupsioni e hajnia, lufta për pushtet e pasurimi “mbrenda natës”…janë vetëm disa fenomene që kanë mbjellë edhe urrejtje,edhe mosëbesim, por edhe mosrespekt e mosshpresë, se e ardhmja e këtij vendi premton dhe garanton përspektivë.

Ky 14 vjetor i pasluftës zbuloi shumëka, dhe gjithëçka, e që kuptohet,solli edhe zhgënjime, dhe jo pak thonë:”lavdi atyre që u flijuan, marri këtyre që po na udhëheqin”, “ a jemi ata, të paraluftës, kur në radhë të parë ishim shumë solidarë por edhe e donim shtetin, që tash e kemi”, ”pse po sillemi sikur ky të mos ishte shteti ynë”, ”kuku për neve, kush po na udhëheq…”… !

Refleksion i këtij aversiteti, tek popullata karshi kësaj gjendje, është fakti se u devalvuan vlerat morale dhe njerëzore, në çdo aspekt dhe pothuaj në të gjitha sferat, por më e dhimbshmja, e që është edhe më shqetësuese e pikëlluese se edhe te shumica e atyre që e bënë luftën, dhe që duhet të jenë krenaria e një vendi( i mundi lakmia), pastaj hasmëritë partiake, që instaluan subjektet politike, ”binjakëzimi” dhe “vëllazërimi”, pa kurrfarë kriteri, e verifikimi, edhe me ata që i shërbyen me devotëshmëri, jo vetëm monizmit, por edhe Cuckiqëve, Ristiqëve, Jokanoviqëve, Stanishiqëve,…, mospastrimi dhe mostransparenca e aferave të përfolura, e shumë të arsyeshme, rreth fondit të Qeverisë në ekzil, apo 3_% të famshëm të Bukoshit, por edhe “Vendëlindja thërret”, vjedhjet në polici,…

Ambienti aktual në të cilin po jetojmë,në këtë Kosovë, gjatë këtyre14 viteve të pasluftës,aty ku bëhët muhabeti, e hapet debati lirshëm, fitohet përshtypja (ishalla nuk krijohen rrethana lufte), për ndonjë luftë të re, sepse vështirë ka kush të lufojë,pasi që,sytë janë me pa, e veshët me dëgjua, shumicës së ish- komandantëve u dhimbset, pasuria që kanë bërë, por edhe jeta dhe luxi që bëjnë, pastaj shumica e familjarëve të dëshmorëve janë të dëshpëruar, gjithashtu diaspora është injoruar dhe shpërfillur skajshmërisht, e të mos flasim, për ndihma materiale në rast nevoje, pasi që ato janë shpërdorur nga kryministra e ministra, por edhe liderë të organizatave ilegale, në disaporë, e që tani janë strukur nëpër fotelet e buta, që u ka ofruar pushteti.

Hë për hë, shpresa e vetme, për ne, është që ata që na çliruan, por edhe sponsoruan edhe lirinë e pavarësinë, ata që për çdo moment, kur po na kërcënon qoftë në veri apo në pjesë tjera të Kosovës, Serbia, apo dikush tjetër, po kërkojmë ndihmë nga ata, të mbesin edhe më tutje këtu, pa marrë parasysh çmimin që duhet të paguajmë, në të kundërtën,v edhe pse me letra, siç u dëshmua edhe ditëve të fundit, i kemi të regjistruar mbi 5o mijë ish- luftëtarë!, të angazhuar në luftën e fundit,por dorën në zemër, në aspektin e sigurisë shtetërore punët i kemi PUS.

Nëse duam t’ia bëjmë qejfin vetes, sepse si kolektivitet dallohemi si shumë qejflinj,merakli e lakmiqarë, edhe mund të themi, siç kemi thënë edhe shumë herë deri më tash: ”Fjalët i kemi babush, por punët kërkush”.

Mjerimi i lapsave


nga Xhemal AHMETI 

Gazetarët bastisin e shkundin çdo fjalor për t’i qëndisur shkrimet me sa më shumë nocione e definicione që as vetë nuk i kuptojnë: do mbrojnë, do shajnë, do s’dinë çka bëjnë e ca të tjerë kanë lënë gazetarinë për qeverinë.

Të njëjtën gjë e bëjnë edhe «ekspertët» kur flasin për problemet sociale e politike; këta madje belbëzojnë aq turbullt dhe irritueshëm saqë të bëjnë t’i mallkosh gjithë ato shkolla ku kanë rrëmbyer diplomat. Imamët, priftërinjtë, gurutë dhe ateistët deklamojnë zhurmshëm dhe pandalë diagnozat mbi vetveten. Krejt qortojnë shtetin, «miletin», mafinë politike, atë kulturore, kërcënojnë ditën dhe natën dhe të gjithë së bashku i pinë do litra birrë që t’i zë gjumi. Gjithë këto «kasta» janë protagonistë të gjallë të dramës shqiptare, të luftës së saj për ekzistencë. Me gjithë të këqijat dhe të mirat që grupet e lartëradhitura kanë, një gjë nuk ua mohon dot: atë bëjnë diçka, ata janë të gjallë. Veprojnë sipas botës së tyre.


By the extraordinary French street artist and illustrator Dran

Vetëm një racë heshttë. Ose flet me vetveten. Ajo e shkrimtarëve, artistëve. Përveç karikaturave të Jeton Mikullovcit nuk ka vepra arti, ekspozita që do të manifestonin përuljen apo demonstrimin ndaj realitetit. Nuk ka vepra tematike letrare që do të lavdëronin ose karikonin primatët e politikës, kulturës, ekonomisë e kështu me radhë. Nuk ka as protesta formë deklaratash grupore intelektuale që do t’ia fusnin me çekan kokës mjerimit social, padrejtësive të shumta; nuk ka as mbështetje publike për të diskriminuarit e shoqërisë, për viktimat e padrejtësive. Nuk ka hiçgjë në këtë drejtim.
Ç ‘kualifikimi t’iu bëjmë elitave letrare e artistike të këtij soji? Si t’i përshkruajmë? T’ia nisim me figurën e romanit të John Le Carré «spioni që erdhi nga ftohti». Po si kryepersonazhi i Cornwellit Alec Leamas i sheh shkrimtarët dhe artistët tanë të futen dridhshëm dhe me pardesy kancelarive ku kërkojnë honorarët, ku lypin ndonjë shërbim apo sponsorizim për librin që donë ta botojë, për ekspozitën që donë ta mbajë, për vajzën që veç se nuk i plasin trutë nga gjenialiteti, për të birin që ka parë ëndërr të jetë ministër i ushtrisë, për gruan që ka shtat diplomateje e kështu deri në delirium.


Jo, jo nuk kërkojmë që krijuesit të veprojnë si vv-istat që donin me dhunë të futen institucioneve e që xhandarët me plisa i stupcuan deri në alivanosje. Jo. Ne na mungon vox-i i kësaj kategorie intelektuale, krijuesish dhe vetëm pyesim; cili është mesazhi i tyre për mënyrën se si ecë demokracia në Kosovë? Janë të pakënaqur? U kënaqën nga lezeti dhe shëndeti? Në cilën ekspozitë kolektive shprehën piktorët sytë e tyre se si i gjykojnë zhvillimet në shoqëri. Në cilin libër artistik gjetët të portretizuar femrën krahëkëputur që mezi e mbajnë këmbët duke qëndruar gatitu për të mbushur gotat me çaj dhe mezi marrin frymë nga tymi që prodhojnë pa shkëputje musteqoshët tanë? Në cilën deklaratë publike patë të grumbulluar dhjetëra lapsa që protestojnë për kapjen e mediave? Sa intelektualë u çuan peshë gjithandej tokave shqiptare për ta qortuar qeverinë shqiptare kur i digjeshin viktimat e djeshme e të sotme?
Nuk do e kërkonim këtë përgjegjësi nga mjeshtërit e lapsave tanë të thyer nëse opusin e shumicës së tyre ta përbënin sagat science-fiction, si atë të Star Trek e të ngjashme ua fusim me grusht trurit sepse shumica e veprave të tyre veçse nuk vjellin nga patriotizmi, atdhedashuria, folklorizmi. Është ky atdhe që e deshët ju, këto shoqëri shqiptare që lëngojnë djers e gjak nga mallkimi dhe mjerimi? Është kjo liria juaj që vetëdigjet me benzinë, janë këto shtetet dhe pavarësitë që aq këngë e aq piktura iu dhuruat e që sot përdhunohen nga politkriminelët më të shpifur të Ballkanit. Jo? Pse heshtni? Nuk doni ta prishini dasmën e Pavarësive, të cilat kurrë nuk qemë të zot t’i bëjmë vetë as me laps e as me pushkë.
Apo duke ua futur pavarësive kolektive të shumta keni fituar tuajën, pavarësimin nga vetvetja!

nga Xhemal AHMETI :Parada e neoateistëve

Polemika ndërmjet religjioneve, nihilizmit, humanizmit dhe ateizmit është ndezur sërish. Neoateistët e kanë fjalën. Shqiptarët vazhdojnë të mbeten indiferent.

Ateistët janë të ashpër. Religjiozët sillen të butë. Bariu i mirë kundër posthumanistit të përdhosur e therës. Kështu duket, shikuar sipërfaqësisht, debati më i ri në mes neoateizmit dhe religjioneve, i cili qe disa muaj ka përlarë mediat e elitave intelektuale në Evropë dhe ShBA. Diskursi transkontinental rreth çështjes kyçe «ka apo nuk ka zot?» djersit edhe në këtë epokë sërish trurin human. Gjersa ideologët dhe moralistët e religjioneve të krishtera dhe ata të neoateizmit debatojnë mbi diferencat e tyre, «ajatollahët» islamikë as që përzihen në këtë diskurs. Këtë nuk e bëjnë ata jo për arsye se nuk kanë guxim, siç u shpreh një Islamolog iranian, porse klubi i të thinjurve nga Orienti është edhe më përjashtues ndaj të tjerëve, të cilët si ashtu e paskan vendin në atë rrethin e fundit të komedisë aligieriane, prandaj s’ka as çka të bisedohet me «viktima» të tilla. Kështu mesazhi nga Teherani.

Në këtë debat nuk marrin pjesë mirëpo as edhe ca religjione tjera madhore të planetit. Budistët dhe Hindutë poashtu heshtin. Përzierja e të parëve, pra budistëve, do ta bënte edhe më interesantë debatin. Dalai Lama ka një autoritet të fuqishëm në qarqet intelektuale të botës perëndimore dhe do të ndikonte shumë për opsionin që përfaqëson ai. Po pse nuk përzihet Dalai Lama në këtë diskurs? Për arsye se ai nuk bënë pjesë në taborin e religjioneve abrahamite? Apo ka ndonjë arsye tjetër?
Parasëgjithash ç’kërkojnë sot, në shekullin 21, religjionet nga humaniteti dhe pse ky debat sa herë që shfaqet trondit gjitha qoshet e kontinentet?



Ekskurs I: Debati aktual ndër shqiptarë

Në letrat shqipet ende nuk ka mbërritur ky debat. Domethënë ai ende nuk ka mbërritur në këtë formë siç zhvillohet në pjesët tjera të kontinentit. Në mediet shqiptare një debat i tillë u zhvillua më herët rreth lejimit apo moslejimi të përdorimit të simboleve polit-islamike nëpër vende publike. Gjatë atij debati u bë fjalë më shumë se si duhet të sillen shqiptarët ndaj religjioneve të importuara, ndërsa në këtë debat bëhet fjalë edhe për një alternativë të tretë; ateizmin, të cilën shqiptarët e njohin si «specialitet të vetin» (Shqipëria komuniste dhe pjesa dërmuese e letërsisë së tyre kombëtare) dhe – në përparësi nga të tjerët – e njohin edhe si eksperiment të përjetuar.
Tjetër polemikë, që pati poashtu karakterin e kësaj teme ishte ai rreth shpalljes së Kosovës si shtet laik. Pati zëra që akuzuan elitën politike kosovare të ketë vepruar pa kokë, kështu duke iu nënshtruar trysnisë së institucioneve supranacionale dhe vendosëse pa marrë parasysh elementet kombëtare që duhej të përmbante identiteti i ri kosovar. Këto dy polemika dhe disa edhe më «intensive», të zhvilluara kohë më parë në media të ndryshme shqiptare, dëshmojnë se edhe ndër shqiptarët dominon dilema dhe preokupimi se si duhet reaguar ndaj njërit apo tjetrit religjion dhe se cili është roli i religjioneve përbrenda identiteteve shqiptare?

1. Multiplikimi i një «paranoje» shekullore?

Kësaj radhe nuk janë humanistët erazmikë, as marksistët apo niçeanët e zgjuar keq ata që u bëjnë telashe kryeshtabeve të féve, kësaj radhe fjalën e kanë të të ashtuquajturit neoateistë. Ata janë të organizuar, dinë se si shfrytëzojnë mediet për të shpërndarë idetë e tyre, prijnë në treg dhe janë intelektualisht të përgatitur.
Richard Dawkins, Christopher Hitschens dhe Sam Harris janë tre përfaqësuesit e të të ashtuquajturit «Ateizmi i Ri». Tre librat e tyre «The God Delusion», «The end of fait» dhe «God is not great – How Religion poisons Everything» vazhdojnë të mbajnë vendet e para në listat e bestsellerëve. I pari, libri i Dawkins, «Paranoja e Zotit», madje konsiderohet si megaseller.
Që të tre kanë mesazhet e tyre konkrete: Duart larg nga Religjionet! Ato «helmojnë shoqëritë», bllokojnë çdo përparim paqësor të humanitetit dhe «besimi s’është asgjë tjetër përveç se shprehje e prapambeturisë», pra «në thelb një e metë psikike» që duhet shëruar.
Këtyre tre guruve të suksesshëm të «Ateizmit të Ri» u kanë dalë përballë tre shkencëtarë e filozofë poashtu me reputacion mondan si Asi i shkencave të natyrës dhe gjenetiku Francis Collins, filozofi Robert Spaeman dhe mikrobiologu Alister McGrath. Veprat e këtyre – të cilat janë rezultat i këtij debati – si «Dawkins Delusion», «The Language of God» dhe «Das unsterbliche Gerücht» edhe pse shënuan sukses nuk arritën atë efekt siç bënë ato të ateistëve. Deri tani – kështu analiza e shumicës së mediave – mbështetur në intensitetin e përhapjes së veprave dhe frekuentimit të kongreseve të tyre nga masat, debati zhvillohet ne favor të ateistëve të rinj.
Ateizmi i ri për religjionet është «më i rrezikshmi se gjithë të tjerët», shkruan kontrahenti i Dawkins, Alister McGrath, «sepse atë e përkrahin mediat». Këtu qëndron edhe problemi kapital: përderisa në epokat e shkuara debati, me këtë edhe përhapja e tij, ishte i lokalizuar në sallonet dhe akademitë e kulturave të veçanta, sot ai arriti të mbulojë, për një kohë fare të shkurtër, më shumë se gjysmën e kontinenteve.
Shenjë që njeriu i shekullit 21 donë të heq dorë nga etika triadike jetë-vdekje-amshim? Apo ka të drejtë Dawkins kur thotë: «njerëzimi nuk është më aq injorant sa që të ketë frikë nga kërcënimet e ulëta të féve me djallin e ferrin»?

2. Gjeneza e debatit

Debati është poaq i vjetër sa edhe vetë Religjionet. Mendime e Teori që kundërshtojnë ekzistencën e hyjnive, zotërave dhe fenomeneve tjera transcendentale mund të gjejmë që në shkrimet e para të njerëzimit. Triumfi i religjioneve, pra institucionalizimi i tyre si udhëheqëse të pakontestueshme morale të kolektivit, ndryshoi gjendjen në këtë drejtim. Opinionet e tilla, sidomos ato që tentonin të mutonin në teori të përgjithshme, ndëshkoheshin nga kisha me shuarje të pakompromistë. Edhepse qysh dy shekuj më parë Diderot kishte përpiluar librin e të vërtetave tjera dhe teoria e sojeve e Çarls Darvinit kishte filluar të gërryej në themel teoritë e sakralizuara mbi Genesisin e Universit, Religjionet do ta mbajnë këtë monopol në çështje të moralit e formimit të njeriut deri në fillim të shekullit 20, influencë, e cila pastaj në postmodernë e deri sot funksionon sipas dinamikës së valëve – herë merr hov dhe ndikon dukshëm në rikonstruktimin e opinionit të masës e herë «denoncohet» si doktrinë negative që ka për synim çrregullimin e demokracive apo pushteteve ku ajo paraqitet.
Debati do të ndizet për të mos u shuar deri në ditët e sotme nga dy filozofët gjermanë Karl Marks dhe Friedrih Nietzsche. Teza e të parit «Religjioni është opium për masat» dhe ajo e të dytit «Zoti është i vdekur» (Gott ist tot) do të shndërrohen në maksima të të gjithë ateizmave që do të pasojnë.
Po në cilën linjë, në ç’traditë argumentojnë ateistët e sotëm; duke u bazuar në teorinë evolucioniste të Darwinit, duke u mbështetur në doktrinën marksiste, respektivisht komuniste që synonte të zhduk një moral për ta zëvendësuar atë me një tjetër, apo reflekton Dawkins me kolegët e tij duke u mbështetur në nihilizmin zarathustrian të Nietzsches?

3. Tezat e neoateistëve

Pikërisht këtu qëndron specifika që i dallon ateistët e rinj nga pararendësit e tyre. Dawkins, Hitschens, Harris dhe kompani për metodë kanë në radhë të parë përgënjeshtrimin e drejtpërdrejtë të mësimeve të Biblës dhe Kuranit në bazë të «një logjike të kapshme dhe arsyeje të shëndoshë». Ata nuk thirren në një ideologji të veçantë ose mbi një skemë të caktuar etike, por – siç pohojnë ata – bazohen në matematikën elementare të trurit dhe frymës. Reflektimet filozofike e empirike (kryesisht nga gjenetika, biologjia dhe filozofia) janë shkrirë në formë të tërthortë dhe evokuese përbrenda një teksti gati narrativ, qoftë në librat e shkrimtarëve Harris dhe Hitschens ku një formë e tillë e të shkruarit do të ishte e natyrshme e qoftë në ato të zoologut dhe biologut Dawkins.

Lexoni tekstin komplet. Shkarkoni:
Neoatesitët.pdf [646 KB]

http://xhemal-ahmeti.com/shqip/wp-content/uploads/2009/06/Ateist%C3%ABt-n%C3%AB-ofensiv%C3%AB.pdf

Nga Xhemal Ahmeti:Superioriteti me plis në kokë

Në Prishtinë thonë se ata Tiranës sillen si superiorë. Sa qëndron kjo tezë?

Në njërin nga emisionet e shkuara të KTV-së me Adriatik Kelmendin u diskutua çështja e «Bashkimit Kombëtar». Nuk doli gjë e re përveç asaj që konstatohet qe shumë kohë: Pragmatikët dhe Idealistët përpiqen të bëjnë për vete sa më shumë territor të «trurit» shqiptar. Për këtë pra është folur shumë. Le të pushojë pakëz kjo temë. Po merremi me temën tjetër që e shtroi Shkëlzen Gashi, njëri nga diskutantët e emisionit. Publicisti nga Prishtina akuzoi industrinë kulturore të Tiranës të sillet me supremaci ndaj bashkëkombësve jashtë saj. Paralelisht pohoi një spekulim të kamotshëm se kosovarët ndihen inferiorë ndaj vëllezërve të tyre. Inferioritet që burimin e paska në dashurinë tradicionale të kosovarit ndaj shtetit shqiptar. Arsenali argumentues që shoqëroi këto «teza» u përbë nga: Fabrikat e letërsisë së Tiranës injorojnë përkthimet e bëra nga kosovarët qysh viteve të 70-ta; kosovarët nuk janë pyetur gjatë standardizimit të «gjuhës kombëtare» dhe tregu në kontekstin e librit si mall është i pabarabartë, pra gjatë një panairi në Prishtinë 80% e librave të botuar kishin ardhur nga «Tirana».



SUPERIORË SEPSE INFERIORË

T’ia nisim nga e mbara: Superior ndihen ato individë, grupe e shoqëri të cilët mendojnë se janë më të aftë, më të mençur, më dinjitar se dikush tjetër pranë apo larg. «Argumentet» e superiorëve si zakonisht janë seleksionim i qëllimtë për çështje onanie dhe konkurrence. Ato nuk përfillin dështimet që janë poaq pjesë e rëndësishme e një habitusi sa edhe të arriturat. Nga epidemia e superioritetit janë të zëna si vendet europerëndimore, shtetet e zonës së standardit më të lartë ekonomik, të cilat çdo qelizë dinjiteti human e peshojnë me kandarin utilitarist, ashtu edhe zona e kombeve e popujve fukarenj të cilat superioritetin e argumentojnë me leksione nga biologjia dhe historia.

Tek problemet, preokupimet, analizat, studimet dhe diagnozat që shoqëritë i bëjnë mbi veten mund të gjejmë edhe përgjigjen se pse një shtet, një shoqëri apo një grup ka nevojë për ndjenjën e superioritetit. Në shoqëritë perëndimore që nga fillimi i viteve të tetëdhjeta nga shkenca dhe masat akuzohen utilitarizmi, neoliberalizmi dhe globalizmi të kenë shkatërruar familjen, ndjenjën e solidaritetit shoqëror dhe sidomos të kenë paralizuar demografikisht kombet europerëndimore duke ulur në mënyrë dramatike natalitetin e tyre. Këto akuza nuk janë të majta e të djathta por janë frika tashmë disadekadëshe e të gjitha politikave (me çka nënkuptohet edhe ringjallja e nacionalizmit ekstrem dhe konservatizmi në rritje i socialdemokratëve) perëndimore ndaj tjetërsimit kulturor e identitar. E kush rrezikon tjetërsimin identitar të perëndimorëve superiorë? Superiorët tjerë që nga nataliteti bombastik, formëkopeshë (solidariteti i tepruar fisnor e familjar) braktisin vendet dhe kulturat e tyre të «shenjta» për të siguruar mirëqenie tek të parët. Të parët ndihen inferiorë ndaj të dytëve sepse këta kanë ruajtur faktorët e rëndësishëm të hierarkisë tradicionale shoqërore e të dytët ndihet inferiorë ndaj të parëve sepse këta gjenden në kulmin e mirëqenies dhe zhvillimit. Të dy superiorë sepse inferiorë.

Po shohim se ku gjejmë bakteret që këtyre dy kontrahentëve (jo vetëm në kuptimin e kundërshtarëve por edhe të bashkëvepruesve), superioritetit dhe inferioritetit, u jep statusin e epidemisë? Sepse që të dyja kanë nisur konkurrencën vetëm me gjysmën e tyre.

DETYRAT KOMBËTARE TË FIRMAVE PRIVATE

Të kthehemi sërish në Prishtinë e Tiranë. Po çka e përbën superioritetin shqiptar dhe inferioritetin kosovar? Ai përshkrimi që bëmë lartë nuk vlen në kushtet shqiptare. Pse? Sepse të dyja shoqëritë – ajo shqiptare dhe kosovare – kanë intensitet nataliteti të njëjte, janë kompanjonë të pandashëm në fukarallëk, në çështje të globalizmit, utilitarizmit, marksizmit, patriarkalizmit dhe gjitha izmave tjerë të mundshëm. Ku atëherë? Shkëlzen Gashi superioritetin «shqiptar» e sheh sidomos në kulturë. Injorohen autorët, përkthyesit dhe mediat kosovare. Ka mundësi. Edhe pse ende nuk e kemi takuar asnjë intelektual «tirane» që mos të dinte se kush është Ali Podrimja ashtu siç nuk kemi takuar ndonjë «prishtinali» që nuk e di se kush është Ismail Kadare. Po ashtu e dimë se mediat lokale gjithmonë kanë përparësi ndaj atyre nga jashtë. E dimë se qeveritë dhe shoqëritë duhet të bëjnë më shumë për komunikim kulturor ndër veti dhe atë jo vetëm në relacionin Kosovë- Shqipëri por edhe më gjere. Çështje këto që janë thënë e sterpërsëritur. Të shohim argumentet konkrete që u lansuan në emision.

Çka nëse ndërmarrjet private të Tiranës që merren me botimin e librit nuk i marrin përkthimet e viteve të 70-ta të autorëve kosovarë thjeshtë për arsye komerciale, kur kemi parasysh se lexuesi i sotëm në Shqipëri është rritur e formuar ose edukuar nga familja me gjuhën «standarçe të Xhaxhit», të cilët autorët kosovarë të viteve të 70-ta ende as që kishin filluar ta përvetësojnë? Pse qenka detyrë kombëtare e një shtëpie botuese private në Tiranë a Prishtinë të përdor kuotën fifty-fifty (për Kosovë e Shqipëri) në prodhimin e saj të librave? Të kërkosh një gjë të tillë donë të thotë ta censurosh lirinë e tregut (kësaj radhe jo nisur nga ideologjia komuniste por ajo nacionaliste). E kjo nuk shkon në demokraci. Ç ‘argumenti «superioriteti» qenka panairi ku 80% e librave paskan ardhur nga Tirana? I ka urdhëruar ndonjë primat Tirane që kosovarët mos të nxjerrin libra ne panairin që kanë organizuar vetë, apo ndoshta s’kanë pasur ç’të nxjerrin në ato momente?

Po ai «argumenti» se kosovarët ndihen inferiorë ndaj Shqipërisë nga dashuria…më mirë ua lëmë këtë punë psikologëve! Ata edhe profesionalisht e njohin më mirë termin që përshkruan gjendjen psikike të një njeriu që dashuron nga inferioriteti!
bpmamr8cckscw88808wsc-1
TEMË ASPAKËT

Hulumtuar temën nga distanca, për të gjetur shkaqet dhe arsyet e superioritetit e inferioritetit ndërshqiptar, nuk na mbetet tjetër përpos të konstatojmë se ato nuk ekzistojnë si sëmundje me përmasa fenomeni shoqëror, por vetëm si trauma personale individësh, arrivistësh të zhgënjyer ose të tillë që jetojnë me keqkuptimin dhe besojnë se shkathtësia retorike iu mjaftoka si argument për tu ndier superior. Sinqerisht nuk ka indikacione, argumente tjera relevante! Temë aspakët.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...