2013-06-12

TAKSA ZERO PËR USHQIMET LEGALIZIM I MAFIES USHQIMORE

REXHEP SHAHU



"Ne do ta bëjmë zero taksën 20% për ushqimet", deklaron Edi Rama.
Çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë legalizim i mafies së ushqimeve në Shqipëri. Krijim i monopoleve. Lënien në dorë të monopolistëve të tij furnizimin e popullit. Shkretim i tokave të vendit. Vrasje e punës, shkatërrim i bizneseve të krijuara në agropërpunim. Do të thotë krijim i republikës së bananeve, i republikës tregtare ku askush nuk duhet të punojë tokën dhe as të merret me bujqësi e blegtori, por të gjithë të shesin e blejnë, vetëm të shesin e blejnë dhe askush të mos prodhojë asgjë.
Nëse bëhet zero taksa aktuale që është 20 % për ushqimet, do të thotë që vendi ynë të bëhet magazinë ushqimore e botës për ushqime të dorës së tretë... Do të thotë të hyjnë në vend gjithë mbeturinat ushqimore të botës. Do të thotë të mos paguajnë tregtarët 20 % tatim në doganë. Do të thotë 20 % më lirë hyjne ushqimet që vijnë nga importi. Por kjo nuk do të thotë se do të jenë 20 % më lirë në treg. Sepse praktika në vend para 2005 ka treguar se taksën e japin tregtarët si rryshfet atyre që ua krijojnë këtë mundësi për të mos paguar taksë në shtet. Pra taksa 20 % kur të bëhet zero, bëhët zero për tu derdhë në arkën e shtetit por derdhet po aq në xhepin e rryshfetit. Tregtari nuk fiton, sekserët e pushtetit fitojnë. Tregtari është më me dinjitet dhe krenar nëse nuk jep rryshfete dhe e derdh taksen në shtet.
Do të thotë që asnjë fermer shqiptar të mos ketë leverdi e interes të mbjellë asgjë në vendin tonë. Do të thotë të mbeten djerrë tokat tona. Do të thotë të mbeten pa punë edhe ata fermerë që punojnë në arat e tyre. Jo ta tregojë z. Rama përrallën se do të çelë 300 mijë vende pune, por do të shuajë apo mbyllë 400 mijë vende pune ekzistuese që janë në bujqësinë shqiptare. Do të thotë që fermerët e Korçës e të Dibrës të mos merren më me mollët e tyre sepse vijnë molla nga Maqedonia e Greqia. Do të thotë që fermerët e Myzeqesë, Lushnjës, Divjakës, Fierit, Nën Shkodrës të mos merren më me perimet e tyre sepse do të mbyten nga domatet, specat e kastravecat e Italisë, Turqisë etj. Do të thotë që serat e fermerëve të Beratit të bëhen varreza.
Ne nuk kemi bujqësi që konkuron me vendet që kanë fusha të mëdha. Jemi vend me sipërfaqe të vogël toke, me prodhim të vogël, por plotësojmë aktualisht 80 % të nevojave ushqimore. Bujqësia jonë nuk ka subvencionet që ka bujqësia e Europës, subvencione që i jep BE. Shteti ynë ka dhënë që nga 2007 nga 10 milionë dollarë subvencione për shtimin e siperfaqeve me pemtore dhe drejtime të tjera. Por është shumë pak në krahasim me sa subvencion jep BE për vendet anëtare e kandidate. Edhe fermerët tanë do të fitonin subvencione nga BE që këtë vit, por nuk begenisi z. Rama të votonte tre ligjet e shumëpërfolura.
Nëse ka ndonjë poshtërsi të llahtarshme që mund t’i bëhet vendit, është pikërisht kjo që propozon Edi Rama, taksë zero në vend të taksës aktuale 20 %, që të mbytet prodhimi vendas, të mos ketë prodhim vendas, të mbeten djerrë tokat e vendit. Të ikin krahët e punës në Greqi, Maqedoni etj, siç kanë ikë boll deri sot.
Në vend që të thotë Edi Rama se do të përkrahim prodhimin vendas, të punësohen shqiptarët në vend, të shtohet prodhimi e të ulet çmimi, biles mundësisht të shtohen pengesat për ushqimet e importit, ai bën premtimin më rrënues, më shkatërrues. Ai don ta kthejë këtë vend me anë të kësaj takse, në vend të mallkuar. A do ta lënë thua fermerët t’i rrënojë. A ka kush i mbron fermerët.
Shqipëria sot plotëson 80 % të nevojave të veta ushqimore nga prodhimi vendas. Prodhimi vendas është më i mirë se çdo produkt ushqimor që importohet, është më i sigurtë, më bio.
Shqipëria nuk prodhon oriz. Le ta ulë Rama taksën për orizin, për bananet, për frutat ekzotike. Ta bëjë zero taksën për çdo produkt ushqimor që nuk mund të prodhohet në vend. Por jo për ato që prodhohen e mund të prodhohen në vend. Por të shkatërrosh investimet që kanë bërë fermerët shqiptarë, të shkatërrosh fabrikat e qumështit, serat, është krim ndaj vendit, ndaj fermereve, ndaj punës, ndaj mundësisë që u është krijuar për të jetuar e punuar në vend. Imagjinoni fabrikat tona të qumështit të punojnë me qumësht që vjen nga Italia se kështu do Edi Rama dhe fermerët shqiptarë të pinë qumësht në rubinetat e ujit në shtëpi se do ua sjellë Edi Rama qumështin e importit në rubinetin e ujit.
Duke heqë 20 % e qumështit, nuk do të ketë më qumësht vendi, nuk do të ketë interes askush të mbajë lopë. Lopë do të bëhët qeveria dhe viça populli. Sepse qumështi dhe çdo produkt ushqimor nga importi vjen më lire nëse heq taksën 20 %. Sepse ka më shumë prodhim Italia, e ka me kosto shumë më të lirë prodhimin, ka shumë subvencione nga Bashkimi Europian për prodhimet bujqesore të vendeve të BE.
Po të hiqet 20 % i taksës për ushqimet, do te mbytet vendi nga qumështi pluhur i dyshimtë i Ukrahinës.
Nuk është e largët në kohë kjo përvojë e hidhur. Në Tiranë mbërrinin domatet me 50 lekë të vjetra. Sepse ishin të importit dhe hynin pa doganë, pa taksë. Fermerët shqiptarë para 2005 e patën braktisë vendin. U bënë fermerë te greku e maqedonasi. Blinim mollet që vilnin djemtë tanë në Maqedoni dhe plantacionet e Korçës e të Dibrës ishin të shkreta.
Nëse bëhet zero taksa e ushqimeve asnjë ushqim nuk prodhohet më në vend. Do të krijohen monopolet e ushqimeve.
Taksa zero për ushqimet do të thotë që askush më të mos ketë luksin të hajë mish vendi por vetëm mish të dyshimtë importi që rrin me vite nëpër magazine frigoriferike të botës, nëpër porte, etj. Sepse mishi i importit vjen më lirë se falë, por ky lloj mishi është me semundje. Me semundje të atilla që shkaktojnë deri sterilitete dhe semundje të rrezikshme për njerzit. Taksa zero për mishin do të thotë të mos ketë askush interes të mbajë bagëti në këtë vend, do të thotë të rrënohen mijera biznese bujqësore e blegtorale. Taksa zero për qumështin do të thotë që të mos ketë më stalla lopësh, apo stalla dhish qoftë të rracës së vendit apo qoftë franceze që kanë filluar të krijojnë fermerët. Taksa zero për ushqimet do të thotë që të mos ketë më bythë pule që bën vezë në vend sepse na mbysin vezët e importit.
Taksa zero per ushqimet do te thote lajthitje. Do të thotë vrasje e punës dhe mundit të fermerëve. Kush i mbron fermerët dhe fshatarët shqiptare...
Kush i kthjellon fermerët shqiptarë, kush ua spjegon atyre këtë krim në tentativë që po tentohet të bëhet ndaj tyre.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...