Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/11

ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE : GJON NEÇAJ



Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




GJON NEÇAJ






Hyrje

Ka lindur më 17. 06. 1951 në fshatin Peraj të krahinës së Nikaj-Merturit, Tropojë. Ka mbaruar studimet për financë në Tiranë. Me krijimtari letrare merret që herët, duke botuar në shtypin letrar të kohës poezi, prozë e publicistikë. Ka fituar shumë çmime letrare dhe publicistike. Bashkëpunon me disa të përditshme në Tiranë e Kosovë si korrespondent shtypi. Ndër më kryesoret e përditshme dhe periodike janë: Gazetat “Shekulli”, ”Telegraf”, ”Shqiptarja.com”, ”Dita”, ”EuroAlbania”, gazetat letrare “Nacional”, ”Muzgu”, revista “Urat“ (redaktor ), etj dhe shume portale si “Zemra shqiptare”, ”Fjala e Lire”, ”Revista Drini”, ”Tribuna Shqiptare” (e emigranteve), ”Te sheshi “, e shumë e shumë te tjera.


Deri më tash ka botuar:

Në hijen e mrizave - poezi, Tiranë, 1994,
Në folezë të këngës - poezi për fëmijë, Tiranë, 2003,
Hijet e shpirtit - novelë, Tiranë, 2005,
Ju që më shihni çdo ditë - poezi, Tiranë, 2006,
Pezull-haiku,shqip,anglisht, Elbasan, 2007,
Tropoja - vendlindja ime - tekst mësimor, bashkautor, Tiranë, 2008,
Hëna pikon mbi Alpet e mia - poezi, Tiranë, 2008,
Haiku i bjeshkës-haiku shqip,anglisht, Elbasan,2009,
Sinus-poezi shqip, anglisht, italisht, greqisht, poezi,Tiranë, 2011,
Këngë të kreshnikëve Nikaj Mertur-Prishtinë 2014,
Ditët e qytetit të veriut,publicistikë, Tiranë 2015, ( ne proces botimi ).

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dega Tropojë, anëtar i Haik-Klubit Shqiptar, anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë të Globit (W.P.S.), anëtar i asosacioneve të ndryshme në Itali, Kosovë, diasporë, etj.
Krijimtaria e tij letrare është përfshirë në dhjetëra antologji poetike brenda dhe jashtë vendit, si dhe është redaktor dhe recensues i dhjetëra e dhjetëra veprave letrare ne poezi, proze e publicistikë të autorëve shqiptarë.
Jeton dhe punon në Bajram Curri, Tropojë.






POETË, EJANI NE VENDLINDJEN TIME

Poet, ejani në vendlindjen time,
Ju ftoj me bujarinë e zemrës së malësorëve të mi:
Do u presim si mysafirë të urtë
në sofrën e krenarisë,
me besë,
me mikpritje,
trimëri.

Ejani,
Bora është përvjelë deri lart në Majën e Hekurave;
Kokrra e grurit është mbufatur nën dhe,
Njomëza e ahut ka dalë në ashtën e Ndërmanjes,
E sythi i zemrës së malësorëve të mi
çelë në çdo stinë…

Ejani,
Këtu në vendlindjen time,
Me adresë të plotë:
Rreze majës se Hekurave e buzë Drinit,
Ku rrinë kurore malet kreshtëbardha.
E shqipet n’çatitë e kullave ngrejnë foletë,
Ose me saktë,
Këtu ,në skajin me të largët
Te Atdheut…


S’JE ME

Puthje e ëmbël që vjen natës gënjeshtare,
Puthje e ëmbël prej ëndrrës e gatuar,
Puthje që të shijoj deri ne mëngjes,
Pastaj me tretesh e me le te vetmuar.


Ç’ESHTE AI ZE…

C’është ai zë që pisket mbi alpet kreshtëbardha?!
Piskama e tij mbi një shekull oshëtin,
në gryken e Kaçanikut e s’ka te sosur

Jakup Ferri në Bjeshkët e Nemuna,
Portreti i tij i përmotshëm,
I pa varrosur…


MOS E VONO MBREMJEN

Mos e vono mbrëmjen
muzgu i verës.
Baresha Bjeshke dirgjet rogës së luadhit;
Syri i diellit fshihet pas majës.
Sokoli i djalit mrizeve kësaj dite,
Me qerpik të syrit e ndoqi Bjeshkën.

Bjeshka si zanë i prin ogiçit,
Djali këtë ditë e paditi veten…
Mos e vono mbrëmjen,
O muzgu i verës!

Takoj dy zemra këtë mbrëmje bjeshke,
Se pa pushim rrahin n’ rrënjët e mrizit te moçëm,
E dashuria rrjedh e bardhe si qumësht deleje…


PERSERI PER NIKAJ-MERTURIN

Nikaj Mertur !
Në krahët e tu e kam ndier veten zog,
ende pa lindur...
Me zemërbardhesinë e malësorëve,
Ne këto kulla
jam rritur,
për t'u ulur një ditë odave ,
përkrah me këta burra...


MALL

Ka vite që jam larguar prej Mserr ,
Gushkuqi ka lënë përgjysmë folenë
në murin e kullës sime;
Malli me dogji për bashkëfshatarët e mi,
e çdo dite i kam ne mendjen time...

Mysafir erdha,
Po cilin prej tyre të takoj së pari ?!
Unë u mallëngjeva,e pa kuptuar,
Se i pari më përqafonte MALLI...


II. HAIKU

Nikaj Mertur,
Këtu me lindi nena
një ditë mesqershori.

U çel syri i diellit,
krahina
zgjohet nga gjumi letargjik.

Akujt
në bjeshkët e Currajve
janë ngrirë hej.

Si ta përshkruaj?
Nikaj Merturi
pjesë e zemrës sime...

Vere ne vendlindje,
bjeshkët piskasin
Vetmi...

Gurra e kroit,
ujëakull bore,
në bjeshkë e Nikajve.

Arome bjeshke
Në një degëz boronice.
Fluturat këndojnë haiku.

Me lulebore
Bleta thur fjongo
Në ditëlindjen time.

Qershitë kuqloshe
I bëjnë serenata
Djalit në ditëlindje.

Si ortek bjeshke
Vërshon haiku
Mbi fletën e bardhe.

Shoh bjeshkët
Dhe me kujtohet im atë
I gdhendur në shkëmbinj…

Gjakova-
Jete e pasosur
Ne Bjeshkët e Nemuna.

Çabrat!
Gjithë jetën të ëndërrova
Sot të shoh shkrumb e hi.

Kjo piramide
Rrezuar ne qafe Morine
Jete e ndare përgjysmë .

Prarim dielli
Mbi kullën time me Mserr.
Visari ende fle…

Udhëve te botes
Me një copë bjeshke
Në gjak.

Nikaj-Mertur
Ndjehem zog
Ende pa lindur.

Korrik djegagur.
Maja e Hekurave
Shkrin hekurin.

Eci drejt pavdekësisë.
Jezu Krishti
Udhërrëfyes i përjetshëm.

Mes librave të mi,
Një fletore me haiku
Rrinë pezull.

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...