Natyrisht që Kosova ka opozitë. Opozitë me kauza. Janë pallavra ato që thonë se kjo opozitë është etnocentriste. Sa mund të akuzohen SHBA për etnocentrizëm, me betimin e njohur nën flamur “One Nation under God, indivisible, with liberty and justice for all”, që i shqipëruar do të tingëllonte “Një Komb dhe një Zot të pandarë, i lirë dhe me drejtësi për të gjithë“. Pikërisht prej këtij betimi lindën SHBA.
Opozita në Kosovë bën detyrën, që e shmangu maxhoranca, sepse ju premtua pushteti veç për t’iu bindur urdhërave, por jo të drejtës të të gjitha palëve, përfshi pakicat. Sepse kur Republika Srpska është një formulë e dështuar, përse kërkojnë që ta aplikojnë në Kosovë. As Plani Ahtisari nuk e detyron këtë. Veton Surroi iu përgjigj Daniel Serwer-it, i cili pak kohë më parë ishte thellësisht i pakënaqur nga kjo formulë.“Problemi është se Bashkësia e Komunave serbe është përkufizuar në baza etnike. Unë mendoj se kjo është për të ardhur keq dhe unë nuk do të preferoja që kjo të ndodhte”. Këtë i tha Zërit të Amerikës Daniel Serwer. Kjo është e vërteta dhe nuk mund të ekzistojnë dy të vërteta për Zajednica-n. Qendrimi i opozitës nuk është antiserb, është pro realiteteve dhe në të mirë të paqes dhe stabilitetit të përbashkët.
Ajo që nuk shkonte ishte dhuna. Modeli i Dardan Molliqajt. Edhe me gaz lotësjellës e vezë mjaft. Por edhe këtë gjë opozita e zgjidhi shumë bukur, duke i marrë me vete në manifestime fëmijët. Pra që eksplicitivisht ata janë kundër dhunës.
Ndërsa në Shqipëri opozitë nuk ka, është opozitë kukull, prej letre, tigër prej letre. Sepse vjen me të njëjtat fytyra që e çan në dështim qeverisjen 8 vjeçare të PD-së. Vjen pa analiza, pa mea culpa, pa përgjegjës të humbjes, pa katharsis, pa denoncim të nepotizmit, pa denoncim të klientelizmit. Vjen si një kope me oligarkë që nuk kanë vuajtur asnjë orë nga diktatura komuniste. Gjithë lidërshipi më 1992 kaloi direkt nga zyrat e diktaturës në krye të partisë opozitare.
Shikoni si ka mbetë LDK-ja pa Ibrahim Rugovën, si qyqe e qyqavt.
Jo se Berisha ka një format me Rugovën, por prapë është lideri më kontravers dhe më me personalitet, me megjithë dështimet.
Në parim Berisha është autori i këtij dështimi, sepse ka krijuar seguaçë marioneta.
Prandaj Tirana nuk ka opozitë, ndryshe nga Prishtina që ka.
Opozita e Kosovës është një fenomen pozitiv shqiptar, është një model, jo në kuptimin copy & paste, por si trend, sepse Shqipëria ka të tjera realitete.
E mendoni ju opozitën në Parmanetin e Shqipërisë pa Sali Berishën! Ata të gjithë transformohen në copa hujsh me dy sy, që dinë të rregullojnë vetëm punët e tyre private, ndërsa popullin e kanë lënë në mizerje. Tani duan të riciklohen prapë. Por s’mund. As Rama nuk do të mund të riciklohet, kur gjithë klasa politike e ka kthyer demokracinë në demo(n)kraci.
Kosova ka opozitë. Burgoset Albini, janë të tjerët. Tirana s’ka opozitë. Mungon Berisha, aty nuk pipëtin kush. Janë pa simpatizantë. Nuk u beson kush. Për t’i bërë qejfin Berishës edhe profilet e tyre qyqane në Facebook i kanë “pastruar” nga çdo zë kritik. Edhe Halim Kosova, që bëri fushatë me shpatullat e veta, ka mbetur sot pa punë dhe u detyrua që t’i kthehej profesionit.
Tirana s’ka opozitë. Po të mungojë Berisha, Zoti na rujt, në Parlament, opozita nuk pipëtin, nuk ndihet, rri urtë e butë, si lepuri nën ferrë. Sepse s’kanë as ideale as kauza dhe gjithë prokupimi i tyre është që ta mbajnë mirë me Berishën, sepse ai me një të rënë të lapsit i heq nga lista. Keni ndigju ndonjëherë që ndonjëri prej tyre, të ketë kritikuar Berishën! Kurrë jo!
Protestat e opozitës në Kosovë kanë fytyrë, protestat e opozitës në Tiranë janë të pafytyra, kanë vetëm fytyrën e Sali Berishës. Po në demokraci s’ka kult individi. Kulti individit është atavizëm stalinist.