Enver Hoxha luftoi fuqishëm fraksionet e krijuara në Partinë Komuniste. CIA ka zbardhur detaje nga situata në parti dhe ish-diktatori nuk pranoi të lejonte asnjë zë kundër. Nga ana tjetër CIA ka treguar me detaje Kongresin e 1976. Aty thuhet se Hoxha mbajti një fjalim për 14 orë ku foli për marrëdhëniet brenda dhe jashtë vendit. Një tjetër detaj i nxjerrë nga CIA është kur Lenka Çunko u përzgjodh si kandidate për në Byronë e Partisë Komuniste. Po ashtu, tregohet situata në ushtri dhe roli që kishte partia aty.
Dhjetor 1947
Taktika komuniste në Ballkan
E ashtuquajtura Lëvizje e Çlirimit Kombëtar, e krijuar në Jugosllavi gjatë luftës, u organizua në Moskë sipas planit të Leninit për të ndihmuar lëvizjet kombëtare çlirimtare në të gjithë botën.
Ato kërkojnë përmbysjen e rendit kapitalist në vendet e dobëta, në vendet koloniale e gjysmë-koloniale me aprovimin e qeverisë së Moskës, Jugosllavia konsiderohet një vend gjysmë-kolonial. Per të konsoliduar pushtetin në Jugosllavi, komunistët duhet të nisin sekuestrimin e ndërmarrjeve private me anë të gjyqeve të “kolaboracionistëve”, shtetëzimeve etj. Në Shqipëri partia komuniste nuk kishte instruktorë të trajnuar në Moskë menjëherë pas luftës, pse ata nuk mund të bezdiseshin me çështje të vogla. Qeveria shqiptare kishte nevojë për doktorë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë, prandaj në 1946 mori seriozisht në konsideratë pajtimin e këshilltarëve italianë, por Moska vendosi të mbushte këtë hapësirë me teknikë jugosllavë.
Tetor 1950
Organet e partisë në ushtri
Organizatat e partisë komuniste në ushtrinë shqiptare janë të ngjashme me sistemin e organizmit civil të partisë, me diferencën e vetme se ushtarët nuk kanë të drejtë të bëjnë kritika gjatë takimeve apo të kontrollojnë oficerët. Prej Ministrisë së Luftës deri në njësitë më të vogla, ushtria është e gjitha e organizuar në seksione partiake. Drejtoria politike e ushtrisë ushtron influencën e saj me anë të degëve në divizione, regjimente e batalione. Drejtoria është e lidhur drejtpërdrejt me komitetin qendror të partisë. Ajo drejtohet nga gjenerali Hysni Kapo dhe nëndrejtori, kolonel Beqir Ndou. Drejtoria ka si degë kryesore nën-drejtorinë e kulturës, të agjitacion-propagandës, nën-drejtorinë e rinisë, dhe degët e organizimit dhe financave.
Organizata dhe të gjitha degët e saj gjenden në çdo divizion. Ato drejtohen nga shefi i degës politike dhe nga komisari i cili kryen mbikëqyrjen e përgjithshme të organizatës deri në nivel të kompanive. Komisari politik zgjidhet nga njerëzit më të besuar të partisë dhe përgjigjen direkt te drejtoria politike e ushtrisë, e drejtuar nga gjenerali Hysni Kapo. Seksioni politik i regjimentit përbëhet nga tre nën-seksione: zyra politike, zyra e shtypit dhe propagandës dhe zyra e të rinjve. Përveç shefit të seksionit politik është dhe në komisar, i cili varet nga komisari i divizionit. Detyrat e komisarit të regjimentit janë të ngjashme me komisarin e divizionit por në shkallë më të vogël. Ndërsa batalionet nuk e kanë këtë organizëm, por kanë Byronë e Batalionit. Më poshtë në nivel kompanie puna politike bëhet vetëm nga instruktori politik i cili mbikëqyr skuadrat ushtarake me anë të njerëzve të tij të besuar. Roli i instruktorëve politikë në ushtri ka të bëjë me zhvillimin e linjës politike të partisë me anë të propagandës mes ushtarëve. Këta instruktorë kanë çdo ditë dy orë në dispozicion programe trajnimi, ndërsa mbikëqyrja kryhet në bashkëpunim me njerëzit e Sigurimit, të cilët shtojnë dozën e terrorit mes individëve. Organizata e të rinjve drejtohet nga seksionet korrespondente të zyrave politike, dhe punon me ushtarët e moshave nga 20 deri në 25 vjeç, të cilët duhet të regjistrohen në organizatën e rinisë komuniste, edhe nëse nuk janë anëtarë të partisë.
Maj 1951
Situata e ushqimit
Sipas informacioneve nga elementë të rezistencës shqiptare në Romë situata e ushqimit në Shqipëri po bëhet e dëshpëruar si rezultat i thatësirave dhe kërkesave të qeverisë për grurë. Në të gjithë vendin popullata është e dobësuar dhe e pafuqishme, megjithëse njerëzit janë të nervozuar nga mungesa e ushqimit dhe veshjeve, ata janë të pafuqishëm të veprojnë kundër masave të ashpra që qeveria po merr për të ruajtur pushtetin. Megjithëse mund të kemi ekzagjerime në raportimet e refugjatëve shqiptarë, dihet tashmë se çështja e fermave kolektive bujqësore është kthyer në një bumerang për zyrtarët rusë pasi tani duhet të dërgojnë grurë në Shqipëri prej rënies së ndjeshme të prodhimit ushqimor. Tashmë raportohet se ushqimi mungon dhe në zonat më produktive të Shqipërisë dhe se asnjë ushqim nuk jepet për të internuarit politikë. Gjendja e rëndë e ushqimit ishte ndoshta arsyeja e vendimit të 13 marsit 1951 për reduktimin e kuotave të dorëzimit të prodhimeve bujqësore me 25 për qind.
Qershor 1951
Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar ambasadorin e tij në Beograd se krijimi i kohëve të fundit i komitetit të refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi, është në kundërshtim me interesat bazë të Shteteve të Bashkuara në këtë rajon. Departamenti trembet se veprime të tilla mund të sjellin konflikt të drejtpërdrejtë interesi mes Jugosllavisë dhe SHBA, prandaj ambasadori Allen është instruktuar të bëjë të qartë për qeverinë jugosllave se aktivitetet e shqiptarëve të emigracionit në Perëndim, si ato në Jugosllavi, mund të provokojnë lëvizje direkte të Bashkimit Sovjetik kundër Jugosllavisë, dhe rreziku bëhet edhe më i madh kur aktivitete të tilla sponsorizohen nga vetë jugosllavët. Qeveria e SHBA është e shqetësuar për mundësinë që krijimi i një organizata të shqiptarëve në emigracion mund të shtojë tensionet në rajon.
Në 12 qershor një zyrtar i ministrisë së jashtme jugosllave i përsëriti ambasadorin Allen shqetësimin e qeverisë në lidhje me mbështetjen perëndimore të aktiviteteve të rezistencës në Shqipëri, me argumentimin se aktivitetet e rezistencës në Shqipëri mund të japin një justifikim për Bullgarinë të ndërhyjë, sipas Paktit të Asistencës reciproke Shqipëri-Bullgari.
Ministri i brendshëm jugosllav Rankoviç ka nisur një udhëtim pushimesh në Evropë. Ambasadori Allen sugjeron se ministrit i është këshilluar të bëjë udhëtimin nga Byroja Politike për t’u njohur më mirë me jetën evropiane dhe perëndimore. Prej vitit 1951 ka pasur shumë vizita nga zyrtar të lartë jugosllavë në vendet perëndimore me objektiv kryesor mbledhjen e mbështetjes për regjimin e tyre he promovimin e lidhjeve mes Jugosllavisë komuniste dhe socializimit perëndimor.
Dhjetor 1956
Situata e brendshme politike
Komiteti ekzekutiv i ushtrisë së rrethit të Sarandës u transferua në Delvinë në prill 1956, së bashku me zyrën e rekrutimit. Në janar 1956 persona të panjohur thyen dyqanin ushqimor të Kooperativës në Lukovë dhe morën gjithçka gjetën brenda, përfshi dhe 50 000 lekë të cilat ishin në një kuti. Fajtorët raportohet se janë zbuluar. Në Gjermen raportohet se ka rreth 10 fshatarë të armatosur, por ashtu edhe në Shalës. Prej fillimit të 1956 urrejtja e banorëve të zonave fshatare ndaj regjimit është shtuar ndjeshëm, sidomos në zonat kufitare Sarandë, Leskovik e Ersekë. Kjo për arsye se qeveria ka anuluar triskat e racioneve për fshatarët e varfër, si dhe dyqanet “reciproke” ku fshatarët shkëmbenin mallrat. Fushata qeveritare e kolektivizimit i jep fund ndjesisë së pronësisë që është goditja më e rëndë për fshatarët. Gjatë fushatës qeveritare për kolektivizimin e detyrueshëm fshatrat e mëposhtëm u shpallën armiq: Tac, Starje, Leshnje, Borova, Fratar, Varibob, Pacomit, Kuqar, Corogun, Potgoran. Gjatë kohës së luftës këto fshatra ishin bastione të Ballit Kombëtar. Fshatrat e zonës së Ersekës janë vendosur rrëzë një mali, maja e të cilit ndan territorin grek me atë shqiptar. Drithërat kryesore të kultivuara këtu janë gruri e misri dhe banorët jetojnë gjithashtu me prerjen e druve, me të cilët bëjnë qymyr druri, ose japin kafshët e punës me qera. Fshatrat e zonës së Ersekës prodhojnë drithëra që popullatës i zgjasin vetëm për 8 muaj, prandaj për të plotësuar nevojat e tjera ata shkojnë për të punuar si punëtorë në Korçë ose japin kafshët e tyre me qera. Fshatrat e Nivicës dhe Shënvasilit prodhojnë mjaftueshëm ushqime si grurë, misër, ulli, duhan sa për mbajtur popullsinë e tyre. Fshatrat e zonës së Këlcyrës prodhojnë grurë, misër dhe rrush, por burimi thotë se prodhimi furnizon popullsinë vendase vetëm për rreth 7 muaj prandaj banorët duhet të kryejnë punë të tjera.
Në pranverën e vitit 1956 fshatarët e zonës së Këlcyrës pas presionit të autoriteteve iu bashkuan kooperativës shtetërore, së bashku me fshatrat e zonës së Ersekës. Kishte fshatra të tjera që nuk iu përulën presionit të autoriteteve për t’u bashkuar në Kooperativë. Pas presionit të komunistëve banorët e fshatit Gjatë u bashkuan në kooperativë, por në mars 1956 ata e braktisën kooperativën pasi drejtuesit refuzuan të shpërndanin prodhimin sipas numrit të anëtarëve të familjeve, por ë bënë sipas numrit të ditëve të punuara nga çdo familje.
Qershor 1966
Vazhdojnë spastrimet e rotacionet e brendshme në Shqipëri
Udhëheqja në Shqipëri duket se po përgatit skenën për të eliminuar një tjetër valë fraksionesh brenda partisë që u evidentua pranverën e shkuar. Megjithëse ende nuk janë identifikuar elementët opozitarë, lideri Hoxha dhe Shehu në fjalimet e fundit i janë referuar “elementëve armiqësorë” brenda Shqipërisë dhe kanë sinjalizuar se disa prej tyre janë fajtorë për “revizionizëm”. Fraksionalizimi në Shqipëri doli në dritë për herë të parë në fillim të vitit kur regjimi mori pasa për të eliminuar “ekseset burokratike”. Rreth 8000 punonjës të qeverisë raportohet se janë caktuar të punojnë në brigadat e bujqësisë dhe industrisë. Në mars Shehu njoftoi se administrata shtetërore ishte reduktuar me rreth 50 për qind, në ndryshimet që kanë si qëllim forcimin e kontrollit të partisë në organet qendrore e lokale. Më pas në fjalimin e 4 korrikut Shehu paralajmëroi përsëri mbeturinat e klasave “shtypëse” të përmbysura po veprojnë për të rivendosur rendin kapitalist, dhe shtoi se masat e marra deri tani ishin vetëm fillimi i një programi të gjerë të revolucionarizimit të jetës në Shqipëri. Këto komente sugjerojnë se ndryshimet në administratë do të vazhdojnë, por me sa duket pushteti ende nuk është i gatshëm të lëvizë. Zgjedhjet kombëtare të 10 korrikut rikthyen në parlament të gjithë zyrtarët e lartë të partisë dhe qeverisë.
Në një plenum të komitetit qendror të partisë në 12-13 korrik, u njoftua se kongresi i pestë i Partisë Komuniste do të mbahet në nëntor. Kongresi ishte planifikuar në gjysmën e parë të 1966 dhe është tashmë gati një vit me vonesë. Shtyrjet mund të jenë një sinjal i problemeve të brendshme politike, zgjidhja e të cilave mund të vijë pikërisht në nëntor. Një draft i direktivave të Kongresit i publikuar javën e kaluar, bënte thirrje për “ndjekje pa mëshirë” dhe përpjekje të vendosur kundër armiqve të brendshëm. Fraksionet e përmendura mund të jetë në strukturat e ushtrisë, kryesisht prej kundërshtimeve të fundit ndaj qasjes së komunizimit kinez që po aplikohet në ushtri. Besohet se ushtarakët nuk janë të kënaqur me dekretin e fundit për zbulimin e gradave dhe simboleve ushtarake dhe oficerët shqiptarë duket të gjithë të pakënaqur me rikthimin te komisarët politikë në të gjitha njësitë ushtarake. Shqetësimi i qeverisë për pakënaqësitë në ushtri reflektohet në zëvendësimet e kreut dhe zv. Kreut të drejtorisë politike të ushtrisë.
Nëntor 1976
Lideri komunist Hoxha dha javën e kaluar në Kongresin e shtatë të partisë, një fjalim ku u përcaktua kursi izolacionist i vetë-mjaftueshëm i Shqipërisë. Por problemet serioze ekonomike të vendit me sa duket po diktojnë ndryshime të shumta personeli dhe gjithashtu po detyrojnë autoritetet të bëjnë kontakte të kujdesshme tregtare me botën e jashtme. Në nivel kombëtar udhëheqja e Hoxhës dhe Shehut duket më e sigurt se kurrë dhe masa e Byrosë Politike mbetet në 12 anëtarë të plotë. Numri i kandidatëve për në Byro është shtuar në pesë dhe mes tyre dy janë fytyra të reja. Kandidatët e rinj janë Lenka Çuko dhe Simon Stefani, të cilët tipizojnë liderin e ri partiak me eksperiencë teknike dhe aftësi të provuara administrative në nivel lokal, siç është promovuar nga Hoxha gjatë viteve. Stefani ka eksperiencë të fortë ekonomike. Anëtarët e rinj në komitetin qendror përfshijnë ministra të rinj, siç është ai i arsimit dhe bujqësisë, të cilët kanë marrë pjesë në përpjekjet e Hoxhës gjatë viteve të fundit për futjen e figurave të reja në hierarkinë e partisë. Fjalimi i Hoxhës ishte një maratonë 14 orëshe e shtrirë gjatë dy ditëve të kongresit. Aty ai mbrojti me energji udhëheqjen e tij, duke i bërë apel nacionalizmit të thellë te shqiptarët dhe duke argumentuar se izolimi i Shqipërisë e mbron vendin nga pushtimi i kredive të huaja skllavëruese, nga turistët, spiunët dhe kultura dekadente e degjenerimit. Por gjatë pohimeve ai nuk mohoi mundësinë e lidhjeve tregtare me Perëndimin. Duke pranuar rolin e rëndësishëm të luajtur nga Kina në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Hoxha u treguar gjithsesi i rezervuar dhe komentet e tij tregonin për njëfarë pasigurie në zhvillimet e fundit me Pekinin.
Komentet e tij për politikën e jashtme përfshinin denoncimin e pritshëm ndaj politikave të Shteteve të Bashkuara dhe çdo gjë të lidhur me to, dhe ngriti lart avancimet në marrëdhëniet Francë –Shqipëri. Në komentet mbi vendet e Ballkanit ai nuk solli lajme të reja, duke vazhduar mbrojtjen e paanësisë, për kundër rekomandimeve të Kinës e cila i ka kërkuar Shqipërisë të mbajë një linjë më të hapur e më pranuese.