“Beteja politike e zhvilluar, sidomos kohët e fundit në Kosovë, nuk duhet të vazhdojë më. Jam i bindur se kjo betejë politike, përveç se dëmton aspiratat legjitime të Kosovës dhe qytetarëve të saj, aleatëve tanë ua vështirëson përpjekjet për të siguruar unitetin euro-atlantik për Kosovën”, ka shkruar ai.
“T’i interpretojë drejt ato. Ndaj ftoj të gjitha subjektet politike të Kosovës të flasim me një zë. Të tejkalojmë vetveten për interes të Kosovës. Ta lëmë prapa garën meskine e të mos punojmë duke menduar vetëm ditën e votimit. Të mos kultivojmë pritje irracionale përmes popullizmit. Por, të bëhemi bashkë për ta rikthyer Kosovën në drejtimin e duhur. Kah orientimi euro-atlantik”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai shton se Kosova duhet të flasë me një zë.
“Me zërin e arsyes. Me zërin e së vërtetës. Kosova nuk ka alternativë. Kosova ka të ardhme vetëm në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Kosova, sot ka nevojë për një klasë të mençur e të urtë politike. Ka nevojë për liderë që kapërcejnë bindjet e tyre ideologjike dhe interesat elektorale për hir të Kosovës. Për hir të së ardhmes së saj”, u shpreh Isa Mustafa.
“Nuk kemi nevojë të shpikim asgjë. Aleatët tanë, që gjithmonë na kanë qëndruar pranë, duhet t’i dëgjojmë. Sepse secilën herë që i kemi dëgjuar, na ka rënë mirë. Edhe në vitet 90-ta që na sugjeruan të mos bëhemi tabelë qitjeje kur republikat e ish-Jugosllavisë po luftonin për interesat e veta.
“Ata i kemi edhe sot përkrah. Për ta mundur pandeminë që po na rrezikon shëndetin e jetën. E që do të na shkaktoj destabilitet ekonomik. Me aleatët, ne mund t’ia dalim. Pa ta, jo vetëm që është e vështirë. Por, është e pamundur. Të mos e gënjejmë, as veten, as qytetarët. Prandaj, t’i dëgjojmë ata edhe kur po na thërrasin të ulemi e të gjejmë zgjidhje kushtetuese për situatën e krijuar politike në vendin tonë”, ka shkruar ai.
“Kosovës i duhet një qeveri me kapacitet të plotë operacional për ta përballuar pandeminë dhe krizën që do të pasojë. Pasi ta kalojmë këtë krizë, duhet t’i kthehemi qytetarëve për vlerësim përmes zgjedhjeve. Me vizion të qartë euro-atlantik dhe me oferta objektive programore”, ka thënë Isa Mustafa.