2020-06-15

Cikël poetik nga Mevlyde Mezini-Saraçi




PLAGË

Ëndrrat e mia plagë rrugëve vrastare
Zgjohen përgjumur në stallat evropiane
Zbrazet shpirti toka e etur loton
Nxihen pritjet vdekjet ngrihen akujve
Shpresë mbetet mashtrimi i shumëtrajtshëm
Bankat sërish zbrazen munguar filizash
Ngremë gishtat nga do shpërlajmë vetën e parë
Deri kur do të kullojnë gjak ëndrrat e mia plagë
Vallë a të bren ndërgjegjja edhe ty


TË NDJEJ

Ti erdhe në mëngjesin tim
Unë shikoj veten në pasqyrë
Duart dridhen gota derdhet
Kudo të kërkoj shpirti im
Ngjitem shkallëve ngadalë
Hapa të lehtë më shoqërojnë
Të ndjej e nuk të shikoj
Një hije prapa më ndjekë
Eja qoftë edhe si hije
Më ndjek me hapa ngadalë
Të ndjej aromën tënde
Dua të përqafoj me mall


VRAPIM KOHE

Pres pritjen time të plakur agut të mëngjesit
Rrugët plotë rrudha natyrë e heshtur
Lule të bardha të kuqe të verdha të venitura
Gërryhet mosha fryma ndalet në vrapim kohe
Ata ikin të dërmuar bartin peshën e dhimbjes mbi supe
Malli ua djegë damarët e vendlindjes
Dikush loz vallen e shtrigave para syve tanë
Pse gjithë kjo heshtje mungesë ndjenjash


DASHURIA NUK ZGJAT VETËM NJË DITË

Dhe pse të them të dua vetëm një çast
Më vjen me duar plotë e zbrazur ndjenjash
Me atë shikimin përvëlues ti syrin ma shkelë
Tek të shikoj të humbur me sjelljen tënde të ç’rregullt
E kuptoj sot kryen për sytë e botës një obligim
Të dua çdo sekondë të jetës të dua pa dhuratë
Dua të jem zonjë çdo ditë pa asnjë çmim
Ato lule të vyshkura në duart tua nuk shfaqin dashuri
Në ty shoh burrërinë që zgjat sa një shikim në pasqyrë
Dashuria ime je vetëm ti jo rrobat lulet parfumet
As buzëqeshja jote e fshehur nën kozmetikë
Dashuri është jeta ime me ty çdo ditë natë e vit
Qetësia shpirtërore harmonia dashuria dëshira
Mbesin ëndërr e imja në kthetrat e një ditë


MOS UA NDAL VRAPIN

Kur rrezja nxjerr shikimin në horizont
Mos mi vrit ëndrrat e mia të blerta
As ditët mos i bën pronë pritjesh
Lëri filizat të hedhin hapin e tyre brigjeve
Vrapin le ta bëjnë të buzëqeshur


ERRËSIRA FLET

Hëna unë dhe errësira u bëmë miq të mirë
Pa penguar qamë hallet e problemet e jetës
Pranvera tinëzisht përkëdhelë varfënjakët e sfilitur
Ua premton freskinë e ëmbël në marsin e bekuar
Duart tona dridhen ngrica lëshon perden
Akrepat e orës ndërrojnë vetëm numrat
Jeta zhvillohet pa hetuar ikjen e moshës
Qetësisht zbardhë agu lakuriq puth horizontin
Shpresat buzëqeshin me dhëmbët e zverdhuar
Sy humbur shkëlqimin presin në ankth marsin
Të qara të qeshura zhurmojnë qytetin
Lind ditë e re zemra të reja të vjetra pëlcasin


Dashuri e dhembjes


Ma vodhën kalendarin e lindjes

Në vendlindjen time pa ditë çlirimi

Harkun e syve ma shigjetuan

Karpatët barbarët kriminelët

Edhe hartën ia grisën në agmi

Emrin ia shumëzuan me numrin dy

Për ti bërë dy gjysma të plagosura

Vendlindja ime mungon në kalendar

Pyetjes sime si gjej dot përgjigje

Cila është dita kur feston vendlindja

Të mos shuhem me mallin e pritjes

Pa i larë sytë e mëngjesit në ujin kristal

Në rrjedhën e Ibrit plak ku e rrita shtatin

Apo loti im I tharë qenka bërë ujëvarë

Duke ujitur barin e varrit të babait tim

Në gjysmën e ndaluar të gjeografisë

Mitrovicë dashuri e dhembjes time



Mos


Mos i zgjo ëndrrat e fjetura

Psherëtimave të trishta

Le të flenë ndjenjat e mallit

Luginave të shpirtit të përmallur

Yjeve mos ua zini dritën qiellore

Le t’i ndriçon engjëjt e lirisë


HIJA IME

Mos më kërko kalldrëmeve të bardha
Të buzëqeshur në mes të rinjsh
Atje vetëm hija ime ka mbetur
Me plaçkat e mija në krah përpëlitem
Qiejve, deteve, autostradave
Nëse të merr malli për një përqafim
Më shiko në reportazhe televizive
Fati im u bë lajm edhe në agjencitë botërore
Kur zgjohesh nga gjumi mos u trishto
Tek dëgjon zërin tim të shteruar përmes telefonit
Dua vetëm të them se fati i keq si lugat po më ndjekë
Maleve, kënetave, e rraskapitur në rrugët pa dalje
Mos u shqetëso nëse jam kryefjalë sot
Nuk ma njeh askush as skamjen as plagët
Sot derdhni lotët rrëke jam shumë e sigurt
Deri dje në heshtje kam ngrënë veten time
Nëse jam në kërkim të vetes mos më akuzoni...
Dashurinë për Kosovën e mbaj në zemër
Bashkë me vuajtjet e mia që nuk m’u ndanë kurrë...


A KA ZEMËR

A ka zemër që rrah
A ka ndjenja dikush
A ka sy në këtë vend
Për të parë tmerrin


DIELL QË NGRINË

Acari ngrinë edhe pse dielli ngroh
Në bardhësinë e zymtë të këtij dimri
Përjashta heshtje varri mungojnë shumë njerëz
Brenda frymojmë mes bisedash lajmesh kronikash
Kolonat nuk ndalen vaji i fëmijëve trishton
Bota ime humbi diku maleve kënetave
Më vret heshtja e akademikëve të fjetur
Dëgjoj analiza të zbehura të pseudo analistëve
Gënjeshtrave të veta fillojnë tu besojnë
Evropa hap e mbyll sytë bën projekte kundër nesh
Dëshmi e shekujve të përvuajtur në histori
Në vendin tim barazohet krimineli
Që ndan padrejtësi në pallatet e drejtësisë
Shtetarët pa ndjenja bëjnë shëtitje rrugëve të boshatisura
Mësueset qajnë nga trishtimi për nxënësit e munguar
Bankat e zbrazura më kthejnë në historinë e viteve ‘90
Sërish me lot në sy nënat e vetmuara në vatrat tona
A mban përgjegjësi për popullin dikush në këtë vend


FENIKS

Jam shtrirë në shtrat e pa shpresë
Nuk bëj gjumë fare nga trishtimi
Ju larg atje në rrugët e humbura
Dremisni pyjeve me ëndrra mashtruese
Nuk keni forcë të qani e as të çmendeni
Trishtuar qëllimeve të kota bredhjesh
Pritjesh të reja nga armiqtë e vjetër
Sa e dhimbshme kjo stinë e bardhë
Edhe unë kam njëmijë e një arsye
Të ikë njëherë e përgjithmonë nga lugetërit
Që ma hëngrën edhe kockën e fundit
Ma vodhën lotin e gjakut e të shpresës
Por kurrë nuk do ti stolis barbarët
Të shkelë në rrugët e ndërtuara mbi eshtra
Aty ku janë groposur shqiptarët
Edhe pa bukë e ujë pa shpresën e fundit
Dua të shuhem në tokën time të bekuar
Si feniks të ngrihem shekujve
E ti shikoj si vdesin hajdutët e barkanjozët
Që ushqyen fantazmat e tyre
Me qumështin e foshnjave tona
Kurrë s’u ngopën me gjakun e të rënëve
Duke ia ngrënë edhe themelet Kosovës
Dua të shuhem në tokën time
Feniks të ngrihem shekujve

Mevlyde Mezini – Saraçi lindi më 15.12.1954, në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Studimet master, menaxhimi i emergjencave, i kreu në kolegjin universitar “Biznesi” në Prishtinë.

Në aktivitetin politik e humanitar është inkuadruar në vitin 1989. Në muajin mars të vitit 1998 është zgjedhur kryetare e Këshillit komunal për ndihma emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 1998-2000 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Për shkak të aktivitetit të saj politik e humanitar është burgosur nga policia serbe në Gjakovë më 1.6.1998 dhe ka vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit deri më 4.12.1998.

Para se të burgosej ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin.

Në vitin 2000-2001 ka punuar si zëvendësdrejtoreshë në Drejtorinë për teknologji informative në Qeverinë Komunale të Gjakovës.

Prej vitit 2001–2003 dhe 2006-2007 ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit të Gjakovës.

Në vitin 2001-2004 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Më 2004 është ambasadore e paqes universale në botë.

Më 2007 u shpall qytetare nderi e Lushnjës.

Më 2012 është shpallur “Gruaja shqiptare e vitit”.

Është shkrimtare dhe autore e njëzetë librave.

Është veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jeton dhe punon në Gjakovë.



Deri tash ka botuar këto vepra:



Sytë e Pranverës, poezi, “Bogdani”, Prizren, 2000

Ndoshta më s’ka kuptim, poezi për fëmijë, “Bogdani”, Prizren, 2001

Kur jeta duhej jetuar, roman, “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2003

Çelësi është diku larg, poezi, “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2004

When life has to be lived, roman, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2012

Në rrugëtim me Yllka Domin“- Përkushtime, bashkautore, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2013

Ditëlindja e nënës, dramë për fëmijë, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2013

Jeta është e pamatur, përkushtime, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2013

Ledhatim pritjesh, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2014

Për ty, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2015

Murana, roman, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2015

Lot i zemrës, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2016

Panoramë poetike, poezi, Prekazi, 2014, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2016

I flas heshtjes, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2016

Ç’faj ka vargu, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2017

Dhembje që vret, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2017

Simfoni jete, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2017

Këndi shkrimor, analiza, recensione, vështrime, kritika letrare, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2018

Oazat e shpirtit, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2018

Përthekim kohësh, poezi, QKPSHA Gjakova, Gjakovë, 2018

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...