Kjo e enjte ka shënuar ditën e 15-të të luftës në Ukrainë. Takimi në Antalia të Turqisë mes ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe atij ukrainas, Dmytro Kuleba përfundoi pa marrëveshje mes dy vendeve.
Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj civilëve teksa ukrainasit nxitonin të arratiseshin përmes korridoreve të evakuimit. Mbrëmjen e së mërkurës rusët bombarduan një maternitet në Mariupol, ku raportohet se deri më tani janë plagosur të paktën 17 persona dhe tre kanë vdekur, mes tyre një fëmijë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha ky është një genocid dhe vijoi të bënte thirrjet për të ndaluar fluturimin në qiellin e Ukrainës. Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armë kimike në Ukrainë. Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë.
14:56 Dëmet nga pushtimi rus, Zelensky: Do të rindërtojmë Ukrainën
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u ka kërkuar partnerëve të Ukrainës në mbarë botën që të ofrojnë zgjidhje të bazuara në realitet jo në opinione abstrakte. Ndërsa ka mbajtur një fjalim, ai ka bërë me dije se liderët po mblidhen për të diskutuar luftën dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO – dhe thekson se ai e di se cilët nga ata liderë po mbështesin Ukrainën. Për luftën, ai thotë se burrat dhe gratë ukrainase po mbrojnë shtetin e tyre për të pesëmbëdhjetën ditë dhe kanë zmbrapsur sulmet në zona kyçe.
14:16 Zëvendës-presidentja amerikane vizitë në Varshavë: Do të bëjmë gjithçka për Ukrainën
Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris ka vizituar sot Poloninë, ku ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki dhe presidentin polak Andrzej Duda. Takimi kishte për qëllim të tregonte përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e rajonit. Harris tha se SHBA-të janë të përgatitura të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s.
13:36 Wesley Clark: Putin do të përfundojë si Milloshevici, NATO-ja në luftë po iu prekën kufijtë
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, njeriu që drejtoi fushatën e bombardimeve të aleancës kundër forcave serbe në vitin 1999 gjatë luftës së Kosovës, thotë se vendet e saj e NATO-s sot duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur forcat ukrainase në fushën e betejës. Megjithatë, sa i takon mundësisë së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, aty ndan mendimin se aleanca duhet të mbetet brenda kufijve të saj. Clark sheh një tjetër mënyrë ndëshkimi për Vladimir Putinin.
13:35 Gjendja aktuale e luftës Ukrainë-Rusi, Gjermania dhe Franca thirrje Putin-it
Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës i kanë bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Sipas një leximi të Pallatit Elysée, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe Putin kanë zhvilluar një telefonate trepalëshe ditën e sotme. Gjithashtu, Scholz dhe Macron ngulën këmbë se çdo zgjidhje për krizën duhet të negociohet midis Rusisë dhe Ukrainës. Elysée bën me dije se të tre udhëheqësit kanë premtuar se do të mbeten në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë ditëve të ardhshme.
Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Putin nuk ka refuzuar asnjë takim me Zelenskyn. Ai theksoi se propozimet e Rusisë janë marrë nga pala ukrainase, ndërsa tashmë presin përgjigjen e tyre.
11:30 Ministri i Jashtëm rus krahason sërish Kosovën me Ukrainën, Lavrov përmend shqiptarët
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov krahasoi sërish Kosovën me Ukrainën këtë të enjte, pas takimit me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se nuk ka asnjë marrëveshje me Rusinë, pas takimit me homologun rus, Sergey Lavrov. Ai u shpreh se nuk ka marrëveshje për armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare.
10:42 Britania e Madhe vendos sanksione ndaj shtatë biznesmenëve rusë
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj shtatë oligarkëve rusë, në kuadër të një mase të marrë kundër Rusisë, në luftën me Ukrainën. “Nuk mund të ketë strehë të sigurt për ata që kanë mbështetur sulmin e egër të Putinit në Ukrainë ”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson. Disa prej tyre janë: Roman Abramovich, Igor Sechin, Oleg Deripaska dhe Dmitri Lebedev.
10:26 Deklarata e fortë e Rusisë: Nuk do të marrë më pjesë në Këshillin e Evropës
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se nuk do të marrin më pjesë në Këshillin e Evropës, organizatën kryesore të të drejtave të njeriut në kontinent. Siç shkruan edhe “The Guardian”, Kremlini tha se anëtarët e NATO-s po minonin trupin evropian të krijuar për të mbështetur të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Një ditë pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë, më 24 shkurt, Këshilli Europian pezulloi të drejtat e përfaqësimit të Rusisë.
09:50 Shpërthimi në maternitetin e Mariupol, konfirmohen 3 të vdekur
Tre persona kanë vdekur pasi u plagosën nga një sulm rus me bombë në një maternitet në Ukrainën jugore. Lajmi është dhënë nga Këshilli i qytetit të Mariupolit pak para mesditës së të enjtes. Ende nuk ka një shifër përfundimtare të viktimave dhe të plagosurve, por raportet paraprake thanë se të paktën 17 persona u plagosën nga bombardimet.
09:17 Ukrainë, sot janë planifikuar tre evakuime të tjera në rajonin Sumy
Kreu i administratës rajonale Dmytro Zhyvytsky tha se tre korridore evakuimi janë planifikuar të hapen në rajonin verilindor të Ukrainës Sumy të enjten.
Në kanalin e tij zyrtar Telegram, ai shtoi se rrugët e propozuara të evakuimit u vendosën për të filluar në orën 9 të mëngjesit me orën lokale (02:00 ET), me civilë që shkojnë në Poltava, rreth 160 kilometra larg Ukrainës qendrore.
08:53 Ministri i jashtëm turk: Qëllimi ynë të bashkojmë Zelenskyn dhe Putin
Kështu është shprehur ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, duke shpjeguar se “objektivi ynë kryesor është të bashkojmë tre liderët”, duke iu referuar edhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
08:44 Bombardohet shtëpia në Kharkiv, 4 të vdekur, mes tyre 2 fëmijë
Forcat ruse sulmuan një shtëpi banimi pranë qytetit të Kharkiv, duke vrarë katër persona, përfshirë dy fëmijë. Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës (SES) njoftuan se forcat ruse sulmuan një shtëpi banimi pranë qytetit të Kharkiv, duke vrarë katër persona, duke përfshirë dy fëmijë.
8:30 Rusët i vranë gruan dhe dy fëmijët/ Pamjet tragjike, burri mban në duar foto e tyre
Një burrë ukrainas mësoi në mënyrën më të keqe të mundshme vdekjen e tre familjarëve të tij, gruas dhe dy fëmijëve. Ata u vranë nga një predhë ruse duke parë një postim që tregonte trupat e tyre të pajetë në Twitter. Tetiana Perebyinis dhe dy fëmijët e tyre, Mykyta, 18 dhe Alisa, 9 vjeç, vdiqën në qytetin e Irpin teksa po arratiseshin. Në vitin 2014, ata u larguan nga Ukraina lindore për t’u vendosur në Kiev pas luftimeve mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.