2022-03-11

Dita e 16 e luftës! Rusia bombardon dy qytete herët në mëngjes, sulmohet spitali psikiatrik në Kharkiv

 

Kjo e premte shënon ditën e 16-të të luftës Rusi-Ukrainë, e cila ende nuk ka shenja paqeje. Herët në mëngjes, Rusia ka mbombarduar dy qytete, atë të Lutsk dhe Dnipro. Sulmi në Lutsk kishte në shënjestër një aeroport, sipas kryebashkiakut të qytetit. 48 shkolla në Kharkiv u shkatërruan, ndërsa qyteti është nën bombardime të pamëshirshme.

Guvernatori rajonal i Kharkiv informoi se forcat ruse kanë goditur një spital psikiatrik në rajon. Numri i viktimave nuk dihet, por në momentin e sulmit në spital ishin 330 persona.

14:02 Lufta mund të rrisë shumë çmimet e ushqimeve

Çmimet e ushqimeve të kafshëve mund të rriten nga 8% në 20% si rezultat i konfliktit në Ukrainë, thotë agjencia e ushqimit e OKB-së. Në një vlerësim paraprak mbi pushtimin rus të Ukrainës, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë thotë se nuk është e qartë nëse Ukraina do të jetë në gjendje të korrë prodhimin e saj në mes të konfliktit. Sipas agjencisë, 20-30% e drithërave të zakonshëm si misri dhe farat e lulediellit në Ukrainë nuk do të mbillen ose do të mbeten të pavjelura.

13:32 Ukrainën në BE “e bllokon” Shqipëria, Holanda: Është para, ka 10 vjet që pret!

Samiti i liderëve të BE-së në Versajë të Parisit hyn sot në ditën e dytë, por tashmë nga takimi i parë u mësua qartë se një anëtarësim i shpejtë i Ukrainës në bllok europian, refuzohet nga disa prej kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare. Holanda, një prej vendeve që dikur bëheshin pengesë për anëtarësimin e vendit tonë, tashmë duket se është kthyer në avokate të Shqipërisë. Kryeministri holandez, Mark Rutte, kujtoi sesi disa vende të Ballkanit Perëndimor po përpiqen prej dhjetë vjetësh të bëhen anëtarë të BE-së. “Kini parasysh Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ai.

13:12 Shpërthim i fuqishëm në Kroaci, bie droni nga Ukraina?!

Një objekt fluturues u rrëzua gjatë natës në periferi të kryeqytetit kroat, Zagreb, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, por fatmirësisht asnjë të lënduar. Misteri ka rrethuar incidentin që tronditi kryeqytetin kroat. Sipas disa raporteve në media, objekti i rrëzuar mund të ketë qenë një dronë, i mbërritur atje nga zona e luftës e Ukrainës qindra kilometra larg. Të tjerë flasin për një avion të vogël.

13:07 Zelensky, gati të flasë me Putin: Do pranojmë neutralitetin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është i gatshëm të bisedojë drejtpërdrejt me kreun e shtetit rus, Vladimir Putin, por “nuk do të bëjë asnjë kompromis ndaj pozicionit të Moskës gjatë këtyre negociatave”, tha zëvendësi i tij për CNN. Bisedimet mes ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë, të mbajtura të enjten në qytetin turk të Antalias, nuk sollën ndonjë përparim të madh, por Igor Zhovkva thotë se Kievi që në fillim nuk ishte shumë optimist për rezultatin.

12:58 Rusia zgjeron hartën e sulmit: Bombardohen egërsisht për herë të parë Dnipro e Lutsk!

Ngadalë, por Rusia po e zgjeron hartën e saj të bombardimeve në Ukrainë, pre e të cilave për herë të parë që nga fillimi i pushtimit, kanë rënë edhe dy qytetet qendrore, Dnipro e Lutsk.Trupat ruse ndërmorën një sulm të precizionit të lartë në dy aeroporte ushtarake të zonës, duke i nxjerrë jashtë përdorimit. Dy ushtarë ukrainas humbën jetën atje e 6 të tjerë u plagosën.  Civilët u shenjëstruan nga bombat ruse mëngjesin e sotëm, ku gjeti vdekjen e menjëhershme një person.

10:25 Stoltenberg: Ukraina nuk duhet të bëhet luftë e NATO-s me Rusinë

NATO nuk duhet të lejojë që pushtimi rus i Ukrainës të kalojë në një luftë midis aleancës dhe Moskës, tha të premten shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke përjashtuar përsëri një zonë të ndaluar fluturimi. “Ne kemi përgjegjësinë për të parandaluar që ky konflikt të përshkallëzohet përtej kufijve të Ukrainës dhe të shndërrohet në një luftë të plotë midis Rusisë dhe NATO-s”, tha ai.

09:55 BE-ja propozon 500 milionë euro shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Bashkimi Evropian propozoi dyfishimin e ndihmës financiare për ushtrinë e Ukrainës, duke shtuar 500 milionë euro në këtë fond. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josip Borell, tha të premten, më 11 mars se është i sigurt se liderët e BE-së që do të takohen në Francë do të pajtohen për zgjerimin e pakos për blerjen e armëve për Ukrainën. BE-ja muajin e kaluar theu një tabu të kahershme duke rënë dakord të paguajë për dërgesat e armëve në Ukrainë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin e fqinjit të tij.

09:40 Navalny bën thirrje për më shumë protesta kundër luftës në Ukrainë

Politikani opozitar rus i burgosur, Aleksei Navalny, ka bërë thirrje për protesta këtë fundjavë kundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska. Kritiku më i zëshëm i Kremlinit më 11 mars i kërkoi lëvizjes kundër luftës që të linte mënjanë frikën e arrestimit dhe të dilte në rrugë në atë që “padyshim nuk është një luftë e kotë”. “Maniaku i çmendur Putin do të ndalohet më shpejt nga populli i Rusisë nëse ata kundërshtojnë luftën”, tha ai në postim. Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt, duke shënuar sulmin më të madh ndaj një vendi evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

09:30 OKB: Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina

Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina deri më 11 mars, tha agjencia e Kombeve të Bashkuara e migracionit, të premten. Shifrat e fundit tregojnë 200,000 refugjatë shtesë që nga raporti i fundit deri më 10 mars. Në anën tjetër, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha të premten se të paktën 1.85 milionë njerëz u zhvendosën brenda Ukrainës. Pjesa më e madhe e refugjatëve ukrainas kanë hyrë në Poloni.

09:20 Rusia bombardon qytetin Dnipro të Ukrainës

Forcat e ushtrisë ruse kanë bombarduar këtë të premte qytetin Dnipro në Ukrainë. Shërbimet e emergjencës thanë se si pasojë e sulmit, një person humbi jetën. “Herët të premten, ka pasur tre sulme ajrore në qytet, domethënë goditën një kopsht fëmijësh, një ndërtesë apartamentesh dhe një fabrikë këpucësh dykatëshe, duke shkaktuar një zjarr. Një person vdiq,” u tha në një deklaratë nga shërbimet e emergjencës. Bombardimet u raportuan gjithashtu të premten në Lutsk, një qytet në veriperëndim të Ukrainës.

09:00 Kina bën thirrje për përmbajtje në konfliktin në Ukrainë

Kryeministri kinez, Li Keqiang, ka bërë thirrje për përmbajtje në konfliktin në Ukrainë për të shmangur një fatkeqësi humanitare. Derisa e quajti situatën “me të vërtetë shqetësuese”, Li shmangi kritikën ndaj pushtimit rus në komentet e tij në një konferencë shtypi në Pekin të premten, më 11 mars. “Ne sinqerisht shpresojmë se situata do të lehtësohet dhe paqja do të kthehet sa më parë,” tha Li. Ai shtoi se është e rëndësishme tani të mbështesin Rusinë dhe Ukrainën në negociatat e tyre.

08:50 Kazakistani ndërpret fluturimet me Rusinë

Kompania kazake e aviacionit “Air Astana” ka ndaluar plotësisht komunikimin me Rusinë. Lajmi është raportuar nga mediat lokale. Fillimisht, ndalimi i fluturimeve ka ndodhur në mënyrë gjysmë zyrtare. “Gjatë 24 orëve të fundit, Air Astana ka anuluar disa fluturime (pa një alternativë) për në Rusi, duke përmendur një urdhër të qeverisë”, shkroi botimi kazakistan i NUR.KZ, duke cituar ankesat e lexuesve. Linja ajrore komentoi situatën më pas. Në veçanti, raportet u shfaqën në media duke iu referuar një letre nga linja ajrore dërguar klientëve të saj.

08:40 Biden: Ukraina “kurrë” s’do jetë një fitore për Putin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden shprehu vendosmërinë e SHBA-ve për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus. Kreu i Shtëpisë së Barhdë theksoi se Ukraina “kurrën e kurrës” nuk do të jetë një fitore për presidentin rus Vladimir Putin. Kjo deklaratë erdhi përpara bisedimeve me liderin kolumbian Ivan Duque në Shtëpinë e Bardhë, raporton Zëri i Amerikës.

08:30 Marrëdhënie “normale” tregtare mes Rusisë dhe SHBA-ve, jo më

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të bëjë thirrje për t’i dhënë fund marrëdhënieve normale tregtare me Rusinë të premten. Kjo, pas pushtimit të Ukrainës, sipas një burimi të njohur me këtë çështje. Vendimi do t’i jepte leje Shtëpisë së Bardhë për të rritur tarifat ndaj Kremlin-it. Sipas tij, presidenti Biden dhe administrata vlerësojnë udhëheqjen bipartizane të Kongresit dhe thirrjet e tij për revokimin e PNTR-së.

08:25 “14 miliardë dollarë”/ Senati amerikan miraton paketën e ndihmës për Ukrainën

Senati amerikan ka miratuar me shumicë dërrmuese një paketë për të ofruar 13.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Institucioni e dërgoi projektligjin në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e Presidentit Joe Biden. Dispozita është pjesë e një projektligji më të madh të shpenzimeve të qeverisë. Ajo u miratua pasi demokratët në pushtet hoqën fondet për lehtësimin e COVID-it. Kjo, për shkak të rezistencës nga përfaqësuesit republikanë.

08:15 Shpërndahet autokolona masive ushtarake ruse

Civilët e bllokuar brenda Mariupolit po kërkojnë me dëshpërim ushqime e karburant ndërsa forcat ruse vazhduan edhe të enjten të bombardojnë qytetin port. Ndërkohë fotografi satelitore treguan se autokolona masive e Kremlinit, që ndodhej disa kilometra jashtë kryeqytetit ukrainas është shpërndarë dhe ridislokuar sërish.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...