2023-03-02

ADEM DEMAÇI (1936-2018)

 



                           SHKRUAN :FLORI BRUQI.PHD.





Adem Demaçi u lind, zyrtarisht, më 26 shkurt 1936, kurse, si mësojmë nga romani “Libër për Vet Mohimin”, që ka pjesërisht edhe karakter autobiografik, u lind, në të vërtetë, në kosimet e dyta, dikund në korrik. 




Që nga lindja, me sa shihet, si çdo njeri i madh, do ta ndjekin vazhdimisht skajet e tipit shkurt-korrik. 

Derisa për njërën palë (për shqiptarët) do të jetë engjëlli mbrojtës i çështjes shqiptare, për palën tjetër (për serbët) do jetë satanai. 

Nëse lufta për liri shënon shkallën më të lartë të emancipimit kulturor të individit dhe të popullit, atëherë mund të thuhet me gjithë mend se Adem Demaçi është artikuluesi më i kulluar dhe më i fuqishëm i aspiratave liridashëse të popullit tonë.




 Adem Demaçi u rrit në një familje të varfër në Prishtinë. 

Babai, Zeqiri, i vdiq shumë herët nga tuberkulozi, kur Demaçi nuk i kishte mbushur as plot tetë vjet.


Simboli i Lirisë:Baca Adem Demaçi 


 Gjithë barra e familjes ra mbi të vëllain e tij të madh, Maliqin, i cili si gazetashitës, ia doli me shumë vështirësi të siguronte kafshatën e gojës për familjen tij, informatë kjo që mund te merret edhe nga tregimi i Demaçit “Një Natë Bajrami”. 

Por pas pesë, apo gjashtë vjetësh, i vdiq edhe i vëllai Maliqi, po ashtu nga tuberkulozi. Atëherë, për t'i mbajtur në jetë dy fëmijët e mbetur, Ajshen dhe Ademin, nënë Nazifja iu qep vekut dhe duke endur pëlhura të ndryshme, arriti t'i ushqente disi fëmijët, madje edhe ta shkollonte Demaçin, te tregimet “Vegjëtarja”, “Vegjëtarja në treg”). 




Demaçi do ta mbarojë shkollën fillore në Prishtinë më 1946, ku do ta kryejë edhe Gjimnazin real.





 Studimet në Degën e Letërsisë Botërore do t'i ndjekë plot pesë semestra në Universitetin e Beogradit, por do të detyrohet t'i ndërpret për shkak të sëmundjes së nënës. 





Ndaj, u kthye në Prishtinë dhe gjeti punë në veprimtarinë botuese të ndërmarrjes “Rilindja”. 




Burgosjes së tij të parë, më 19 nëntor 1958, do t'i paraprijë shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi (“Kthimi”, “Mestani”), aksioni i armëve dhe Procesi i Prizrenit. 





Demaçin do ta goditë sidomos burgosja e gazetarit të devotshëm Sedat Dida, e cila do të ngjallë frikë e panik në mesin e punëtorëve dhe gazetarëve të “Rilindjes”.




 Në procesin gjyqësor të marsit të vitit 1959 të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Demaçi do të dalë hapur me kërkesën që pa bashkimin e Kosovës me Shqipëri, nuk dotë ketë paqe në Ballkan.





 Për këto qëndrime të tij u dënua me 5 (pesë) vjet burg të rëndë. Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në 3 (tre vjet), të cilat i vuajti në kazamatin e Sremska Mitrovicës. 




Pas lirimit nga burgu, nuk e linin të zinte punë, me qëllim që t'u kallnin edhe më shumë datën të tjerëve për pasojat që mund të kishin. 




Për më tepër, me ardhjen e Hrushçovit në Shkup, pas tërmetit të vitit 1963, Demaçin e izoluan dhe e mbajtën në burg përgjatë gjithë kohës sa qëndroi Hrushçovi në ish-Jugosllavi. 




Megjithatë, në fillim të viteve '60, në disa qytete të Kosovës, si në Pejë, Gjakovë e gjetiu ishin krijuar organizata të ndryshme, që luftonin në mbrojtje të kauzës kombëtare.






 Duke parë disponimin e masës për t'iu kundërvënë terrorit dhe dhunës së shtetit totalitar, veçmas politikës së egër antishqiptare, Demaçi bëri çmos që të formohej Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, si dhe hartoi (bashkë me Ramadan Shalën, tash të ndjerë) Statutin dhe Programin e Lëvizjes. 



Lëvizja formoi komitetet e saj në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, e cila ndërmori një varg aksionesh për ngritjen e flamujve kombëtarë, u përpoq të vente kontakte me lëvizjet e ndryshme revolucionare dhe ta propagandonte sa më shumë çështjen e pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. 




Megjithatë, kjo LRBSH u zbulua mjaft herët dhe Demaçi si kryetari i saj u dënua me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, të cilat në fillim i vuajti në Nish, e pastaj për ta larguar sa më shumë nga familja, e dërguan në Pozharevc, ku në kohën e ish-Jugosllavisë kishin vuajtur dënimet shumë atdhetarë shqiptarë, midis të cilëve edhe Azem Bejta. 




Po e theksojmë këtë fakt, sepse kjo mbase do të jetë arsyeja që Demaçi të shkruajë në shtator të vitit 1969 dramën e parë me titull “Popu” (shkurtim i fjalëve po-litika dhe pu-shka), dorëshkrimin e së cilës e nxori nga burgu Xhafer Mahmutxhiku, kryetar i Komitetit të Prishtinës, në një arkë me dy kapakë. 




Pas ndryshimeve dekorative politike në ish-Jugosllavi më 1966, dënimin ia zvogëluan në 10 (dhjetë) vjet, të cilat i vuajti ditë më ditë deri më 8 qershor 1974. 




Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975, në procesin e montuar politik dhe u dënua përsëri me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t'i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës.





 Më 21 prill 1990, me urdhrin e Kryesisë shtetërore të ish-Jugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë. 




Janë proverbiale fjalët e tij pas daljes nga burgu: “Që nga 21 prilli i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia enjerëzimit - në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare”. 





Për Demaçin, pas daljes së tij nga burgu u zhvilluan shumë debate, emisione e dokumentarë televiziv, si në Kosovë, ashtu edhe në hapësirat e ish-Jugosllavisë.




 Me Adem Demaçin u zhvilluan mijëra intervista nga gazetarët e gazetave shqiptare, ballkanike, evropiane, por edhe të Amerikës së largët. 





Të gjitha këto së bashku krijuan figurën monumentale të quajtur “Adem Demaçi”, duke pasur parasysh të gjitha aspektet si politike, historike, sociale e artistike të shoqërisë sonë që lidhen rreth tij.





 Si luftëtarit më të paepur për lirinë e mendimit, si mbrojtësit më këmbëngulës të lirive dhe të drejtave të njeriut, Paralamenti Evropian, më 4 dhjetor 1991, i dha Çmimin Saharov. 





Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, 




Demaçi tha se duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar.




 Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid, Demaçit i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore, që do t'u bënin të mundshme grupeve etnike të ish-Jugosllavisë të jetonin së bashku në paqe e harmoni... 




Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet shoviniste serbe e akuzonin për luftë nxitje?!

 Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel per letersi. 




Në shtator 1994 u kandidua sërish-tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç 'rast theksoi se ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar. 





Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos.

 Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: “Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të inteligjencës paqedashëse norvegjeze që t'i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës”





Prandaj, Adem Demaçi i kalon kufijtë e një simboli vetëm kombëtar, ai është personalitet dhe figurë globale, që bashkë me dy personalitetet e kohës së tij Nelson Mandela dhe Vasllav Havell mbyllen     historinë e përpjekjeve të popujve për liri e çlirim kombëtar të shek. XX.





 Ndërroi jetë më 26 korrik 2018 në Prishtinë, Kosovë, në moshën 82- vjeçare. 




Sot Adem Demaçi prehet ne Panteonin shqiptar në Velani .

 Krijimtaria letrare Adem Demaçi krijimtarinë letrare e filloi gjatë viteve të '50-ta në revistën letrare "Jeta e re" drejtuar nga Akademik Dr. Esad Mekuli, dhe më 1958 shkroi romanin e tij të parë Gjarpinjtë e gjakut që trajton temën e gjakmarrjes në viset shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës.




 1. “Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.

 2. “Gjarpinjtë e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.

 3. “Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.

 4. “Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984. 

5. “Gjarpinjtë e gjakut” (i kthyer në gjuhën letrare), Prishtinë, 1990.

 6. “Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.

 7. “Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.

 8. “Libër për Vet Mohimin” (ribotim), RBPAS, Skien Norway, 1994.

 9. “La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga N.Vlora), Romë, 1995.

 10. Adem Demaçi, “Tung, vargu im”, “Rilindaj”, Prishtinë, 2002.

 11. Adem Demaçi, “Heli dhe Mimoza”, botoi autori, Prishtinë, 2006.

 12. Adem Demaçi, “Dashuria kuantike e Filanit”, Prishtinë, 2007. 

Librat me intervista: 

1. “Kosova flet vetë” (M. Emërllahu), “Zëri i Rinisë”, Prishtinë, 1990. 

2. “Njëzet e tetë vjet - as i gjallë, as i vdekur” M. Hanzhek), Lubjanë, 1990. 

3. “Republika e Kosovës është shpallur në zemrën e popullit tim” (vëllim me intervista), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1990.

 4. “Dhjetë mijë ditë robëri” (intervistoi F. Radonçiq), Danas, Zagreb, 1990.

 5. “Kosova në udhëkryq”, “Albanian Esperanto-Institut”, Tiranë, 2005.

 Shënim: Libri i tregimeve “Kur Zoti harron” ishte gati që në vitin 1958, por botohet pas plot 32 vjetësh.

 Në atë kohë botohen edhe dy fragmente: “Maliqi” dhe “S'ka paqe ndër kasolle” të romanit “S'ka paqe ndër kasolle”, të cilin ia konfiskoi dhe nuk ia ktheu kurrë më policia. 





Më 1969 autori shkruan dramën, si e përmendëm edhe më lart: "Politika dhe pushka", e cila u botua  më vonë  së bashku me kompletin e veprave të tij. 


Për veprën letrare të Demaçit kanë shkruar: Nermin Vlora Falaski, Rexhep Qosja, Shyqri Galica,Sadri Fetiu, Arben Hoxha, Teki Dërvishi, Rexhep M. Shala, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Shkëlzen Maliqi, Abdullah Konushevci, Fatmir Halimi ,Flori Bruqi etj.  


Burimi : 

(Nga libri enciklopedik i AAAS"Leksikon enciklopedik", autor Flori Bruqi,2020).

leksikonenciklopedigfb - Sa-Kra


https://www.sa-kra.ch/leksikonenciklopedigfb.htm





A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...