Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/30

PROF. DR. RAZI BRAHIMI : NDIHMESË NË PËRTËRITJE TË KRITIKËS LETRARE

image Libri
Kërkesa për gjallërimin e kritikës letrare e artistike ka ardhur në kohën e duhur...


  Fatmirësisht erdhi përsëri koha që të ndihet mungesa e kritikës letrare e artistike. Them fatmirësisht, sepse kjo njdjenjë e mungesës, përveçse nënkupton domosdoshmërinë e një shoqërie të prirë drejt kulturës dhe vlerësimit të arritjeve  e kaheve të zhvillimit kulturor, dëshmon për rizgjim të energjive krijuese në fushën e letërsisë e të arteve pas periudhës traumatike disavjeçare që pasoi përmbysjen e nisur më 1991. Prej këtej rizgjimi, sidomos në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të ri, shkrimtarë të rinj e të moshuar, përveç rishikimit kritik të së kaluarës, ku prurjet jo vetëm në numër botimesh po dhe në tendenciozitet tejkaluan çdo cak realizmi, fituan vetëdijen e përgjegjësisë ndaj bashkëkohësisë e bashkëkohësve dhe, siç është meritë e nder e çdo letërsie, nisën të shpërfaqin në vepra (kryesisht në prozë e në poezi) dukuri realiteti në zhvillim, të rrokin kontradikta e konflikte dramatike të kohës, të pasqyrojnë shqetësime e dilema të njeriut të sotëm intelektual, jo vetëm për reagime shoqërore, politike e historike, por edhe për çështje dimensionesh globale, ekzistenciale e metafizike. Në këtë rendje, përveçse në përmbajtje e në tendencë, po aq me interes për tu vëzhguar, gjykuar e vlerësuar janë edhe mënyrat e parapëlqyera e të përzgjedhura për pasqyrimin e jetës, për depërtimin në thellësinë e dukurive, për ndërtimin e imazheve e të figurave, në pasurime kontekstesh e nëntekstesh, thënë shkurt në ndërtim raportesh të reja, jo vetëm në mes autorit e realitetit të shpërfaqur në vepra, po edhe në mes shkrimtarit e lexuesit, individualiteteve krijuese dhe letërsisë së kohës si tërësi polikromatike.
   Pra, kërkesa për gjallërimin e kritikës letrare e artistike ka ardhur në kohën e duhur: Ka arritje që presin vlerësim me kompetencë profesionale; ka probleme që meritojnë të bëhen objekt debatesh e polemikash shkencore; ka rrethe lexuesish (sidomos mësues, nxënës e studentë) që e kërkojnë kritikën si orientuese ose, së paku, si nxitëse të qendrimit aktiv ndaj letërsisë. Do të shtoja këtu se as kritikët e talentuar e të mirëformuar nuk mungojnë.
   Po pse, megjithkëto, ankohemi për mungesë të kritikës? Ose, për të qenë më të sinqertë; pse kjo mospërputhje e pamerituar dhe e pafalshme, jo nga shteti, se shteti s’ka pse përzihet më në debate e polemika letrare, po nga ato qarqe intelektuale, që kanë në dorë shtypin, median elektronike, shtëpitë botuese dhe tregun e librit?
   Shpresoj se me kohë do të kapërcehet ky paradoks dhe këtë shpresë, veç sa u tha, na e ushqen përkushtimi i kritikëve të talentuar si Nuri Plaku, shkrimet e të cilit, përmbledhur në librin “Kujtesa e humbur”, për cilësitë që kanë, meritojnë vlerësim. Një vlerësim që përligj ç’u tha në përgjithësi për kritikën dhe na bën të mendojmë se një brez i ri kritikësh e studjuesish po pasuron fondin e ndihmesave të dhëna prej paraardhësish, disa prej të cilëve vazhdojnë të kontribuojnë në lëmin e kritikës, të shndërrimeve historike e teorike dhe në pedagogji.
   Shkrimet e Nuri Plakut të para së bashku dhe në kontekstin e zhvillimeve e të mangësive të kritikës letrare bashkëkohore, më kanë dhënë mundësinë të vërej me kënaqësi, se kemi të bëjmë me një autor, i cili në kritikën letrare ndihet në “domenin” e vet dhe ka dhënë prova të lavdërueshme kulture të gjerë, kompetencë, zotërim të metodologjisë e të teknikës letraro – logjike,  aftësinë për të kundruar letërsinë edhe si dukuri shoqërore, edhe në mëvetësi, në rrafshe krahasimorë dhe si shpërfaqie individualitetesh e ndihmesash  korrelative.
   Meriton të përshëndetet, para së gjithash, ndieshmëria poetike e këtij kritiku, gjë që kam qenë e mbetem i mendimit se është një prej prirjeve të lindura dhe premisave të domosdoshme të dashurisë për letërsinë e të aftësisë për të depërtuar në “fshehtësitë” e shpirtit e të laboratorit krijues të shkrimtarit, për të zbuluar e për të nxjerrë në dritë vlera që syri i lexuesit të zakonshëm nuk i rrok dhe për të bërë të mundëshme kështu që vepra letrare të bëhet njëherësh më e kuptueshme dhe më e ndieshme. Në shkrimet e vëllimit kjo ndieshmëri poetike është përthyer përgjithësisht bukur dhe me stil; në ndërthurje të natyrshme të konstatimeve, të erudicionit e të logjikës së analizave e gjykimeve me vetë mbresat emocionale të kritikut, me frazën plot ngjyrime ndjenjësore, me përdorimin e figurshëm dhe emocionues të fjalës.
   Nuri Plaku është një ndër shembujt e shkrirjes që në gjenezë të të shkruarit me dashuri me të analizuarit e të gjykuarit me kompetencë. Kjo është gjë shumë e mirë për kritikën, sepse të shkruash thatë për letërsinë do të thotë të jeshë i mërzitshëm. Sigurisht nëqoftëse dashuria nuk shndërrohet në adhurim e konsideratat për autorë e vepra nuk topitin mendimin kritik, i cili, në fund të fundit, është tharmi mëvetësor i kritikës, dinamika e mendimit debatues e polemik, një prej qëllimeve madhore të sajë, që synon të tejkalojë caqet e të dhënave të konstatuara. Kritiku, si “qytetar i republikës demokratike të poetëve e artistëve”, arrin dinjitetin, kur e zotëron dhe e “nënshtron” objektin njësoj si shkrimtari i talentuar realist që e arrin suksesin vetëm nëqoftëse nuk bie në gjunjë para personalitetesh që përshkruan në vepra.
   Përmbledhja “Kujtesa e humbur”, të gëzon me aftësinë e kritikut për t’i parë veprat dhe krijimtarinë e ndonjë autori si Moikom Zeqo, në këndvështrime të ndryshme, sipas veçorish e kontributesh që mendon se autorët kanë dhënë në evoluimin e pasurimin e artit poetik, në teknikat e përdorura për trasmetim idesh e mesazhesh, për shpërfaqie imazhesh e ndërtim figurash, në përqasie e simbioza shtresash reale, sureale, mitologjike e mistike. Në mishërime artistike përmes subjektesh e karakteresh të koncepteve filolzofike e morale, që disa herë janë përdorur si leitmotiv veprash, deri dhe në ballafaqime krahasuese të vërtetash artistike me rrethana historike, shoqërore e politikeNuri Plaku në këtë mënyrë, përveçse ka dëshmuar përgatitje teorike e profesionale dhe në çdo lloj trajtimi ka treguar nivel shkencor, tërthoraz ka vërtetuar se këndvështrimet e ndryshme të një autori a të një vepre nuk përjashtojnë po plotësojnë njëra tjetrën, veçanërisht kur letërsia kundrohet në mëvetësi. Kështu ndieshmëria poetike, që buron prej përfitimesh ideoemocionale prej veprash letrare (dhe jo vetëm prej tyre), përkitur e, diku herë, e bënë të të nënkuptohet, bëhet shkak nxitës për të parë veprat si sendërtim prirjesh, parapëlqimesh, konceptesh e teknikash artistike me anë të të cilave shkrimtarët jetësojnë njohjet, përjetimet dhe idealet e veta, duke i shndërruar këto në objekt vlerash estetike më të koncentruara, më të qëllimshme e me veçanësi të dallueshme nga ato vlera që kanë nxitur frymëzimin e autorëve. Kësisoj, në shkrimet kritike të Nuri Plakut, lihet pothuajse ngaherë i hapur shtegu për trajtime të të njëjtave vepra në rrafshe të tjerë, sikurse dhe për diskutime lidhur me konstatimet që bëhen për individualitetin e çdo autori, i cili në asnjë rast nuk është parë si etalon i ndonjë metode a si model që duhet ndjekur. Kjo do të thotë se kritiku e shikon letërsinë në një hapësirë të pamatë shfaqie e garimi të çdo individualiteti, kurse detyrë të kritikës quan para së gjithash, zbulimin dhe shpjegimin (më shumë se interpretimin) e atyre vlerave të veçanta që çdo autor shton në përgjasime a në dallim me vlera të krijuara prej paraardhësish e bashkëkohësish. Ky objektivizëm, sadoqë mund të diskutohet për të dhe që shprehet vend e pa vend vetëm në qëndrime përçmuese ende ndaj socrealizmit, mendoj se shkencërisht është një arritje që patjetër ka për të shërbyer si bazë për përpunimin e mëtejshëm të metodës shkencore të studimit të letërsisë. Në korelacionet paravajtëse të saj, çka parakupton forcim të karakterit aktiv të kritikës, dalje më në pah të personalitetit shoqëror e artistik të kritikut, jo vetëm në vlerësime, por edhe në tedencë.
   Një tjetër mbresë që i mbetet lexuesit prej leximit të vëllimit “Kujtesa e humbur” është natyrshmëria dhe lehtësia që ndihet në shfrytëzimin funksional dhe efektiv të erudicionit intelektual të rrafsheve të ndryshme, shpesh me citime, si për shtjellim arsyetimesh e argumentime gjykimesh, edhe si mjet përqasjesh të letërsisë shqiptare bashkëkohore me rrjedha të letërsisë e të filozofisë botrore, kurdoherë pa asnjë kompleks inferioriteti dhe pa drojën e pohimit me zë të lartë të çdo vlere e arritjeje kombëtare. Në këtë drejtim, mesa e njoh unë kritikën dhe letërsiologjinë, Nuri Plakut i takon merita e  njërit prej pionerëve. Nuk është fjala këtu për patriotizëm, po mbi të gjitha, për njohje mbi bazën e së cilës janë zbuluar afrime dhe janë bërë krahasime të shumllojshme.
  Në një tjetër rrafsh, erudicioni i ka shërbyer kritikut për të nxjerrë në pah prurje dhe prirje të letërsisë shqiptare në periudhën 1990 – 2010, kur shkrimtarët, çliruar prej konceptesh dhe kornizash të tejkaluara për realizimin dhe për funksionet e artit, u vunë në kërkim të vetëvetes dhe, secili përshtat natyrës e tendencës ideoartistike, gjeti në rryma filozofike e sociologjike dhe në shkolla e përvoja letrare diçka që u kishte munguar e, duke qenë në moshë pjekurie, nuk kishte rrezik t’i kthente në gjurmashë starësh e superstarësh të tregut e të reklamës.
   Në këtë kontekst Nuri Plaku ka dhenë shembuj të shfrytëzimit krijues jo vetëm të surealizmit, realizmit magjik e të absurdit, po edhe të misticizmit, të metapsikozës, të “pavdekësisë së shpirtit”, të stilit, parabolave e figurave biblike, të thesarit mitologjik e legjendar, deri dhe të bestytnive popullore të ringjallura falë depresioneve e traumave të pësuara gjatë tranzicionit nga socializmi në kapitalizëm. Ai ka mundur të provojë përmes analizash e përsiatjesh se mbështetja në lëndë e konvencione mitologjike, legjendare  a të çdo burimi tjetër ja vlen vetëm nëqoftëse shkrimtari i përdor jo si përsëritje shterpe veshur dosido me “kostum të ri” po për të ngjizur një mendim të ri, për të ndërtuar në truall marrdhëniesh të së shkuarës ndërtesa me arkitekturë moderne, në të cilat, sado gjithënjerëzore të jenë idetë e subjektet, do të ndihen gjithësesi tharmi kombëtar dhe vula e individualitetit krijues.
   Edhe pse nuk pohohet shprehimisht, në shkrimet e vëllimit “Kujtesa e humbur”, koncepte e teori mistike e fetare, figura e parabola biblike etj., kurdoherë nisur prej veprash të shqyrtuara, janë parë edhe si burim pasqyrimesh artistike konvencionale (metaforike, simbolike) dhe si mundësi thyerje kornizash tradicionale ndrydhëse, por edhe në kuptimin e besimeve që mendimi shkencor materialist i konsideron fantastike. Në kuptimin e parë letërsia moderne ka treguar afrim të dukshëm ndaj kësi konvencionesh dhe, krahasuar me epoka të mëparëshme (nga Rilindja Europiane e këtej) i ka riaktivizuar risisht sidomos përshtat ekzistencializmit, surealizmit e absurdit ose përmes një ndërthurjeje interesante të  elementëve të kësaj natyre me realizmin çka më duket se karakterizon letërsinë e sotme shqiptare. Në kuptimin e dytë, d.m.th. pranimin e përligjien e teorive mistike (të metapsikozës, për shembull) si shkrimtari edhe kritiku hyjnë në polemikë jo me socrealizmin tanimë inekzistent, po me një rreth shumë më të gjerë mendimtarësh, të cilët mistikën dhe idealizmin në përgjithësi i konsiderojnë obskurantizëm. Dhe, me që është kështu, për tu pozicionuar qartas do të duhej të tejkaloheshin caqet e analizës së veprave konkrete që të shmangeshin pohime kategorike në dukje  të paapelueshme, të cilat kam përshtypjen nuk janë në natyrën e kritikut Nuri Plaku. Madje do të shtoja se edhe citimi i autorëve të tjerë nuk është mirë të përdoret për “t’i venë kapak” mendimit me anë postulatesh.
   Rrugë të mbarë, i dashur koleg!

NGA LUAN CANAJ :Dritat e Italisë

imageFaruk Myrtaj
Mbi prozën e Faruk Myrtajt




I nxitur prej protagonistit të romanit të fundit, Horizont, të Modiano-së, po sillja këto ditë ndërmend disa grimca kujtimesh prej rinisë, këtu e çerekshekulli më parë, brufulli kujtimesh të stërpikura nga përjetime ëmbëlake të pushimeve të verës, praruar prej diellit mesdhetar a ngazëllyer prej moçmërive mitike, në ekskursione a ekspedita të përvitshme arkeologjike, ngjarje të ndërprera papritmas, miqësi të brishta të mbetura pezull, ngrirë diku në të shkuarën e largët si në një të tashme të përjetshme, dëshmi të arratisë marramendëse të kohës.
Teksa këqyra një grimë herë raftin e posaçëm të bibliotekës sime, në mërgim, aty ku zënë vend ato pak libra të letërsisë sonë më të rishtë, këtij peizazhi përjetimesh ekzistenciale erdh' e iu mbivendos natyrshëm coha letrare e përmbledhjes me tregime "Dritat e Italisë" të shkrimtarit Faruk Myrtaj, botuar nga Ideart, por ende pak i përmendur si një prurje në prozë e denjë për t'u veçuar.
Anipse u bëjnë jehonë hapësirave, njerëzve e ndodhive të lidhura ngushtë me jetën e autorit të tyre, siç do të shprehej Gilles Quinsat-i te "Kërcimi në kohë", tregimet e Myrtajt shfaqen shumë të kujdesshme karshi çdolloj vërtetësie autobiografike.
Emrat e personazheve që vihen në lukth të rrëfimit, duket sikur nuk i përkasin asnjë gjenealogjie vetjake, por së toku, që në faqet e para të kësaj përmbledhjeje me tregime, na zhysin vetiu në një univers paralel, as plotësisht të dallueshëm, as kryekëput të ndarë nga realiteti që ne e njohim fort mirë.
Tregimi "Nata e vajzave", që çel "Dritat e Italisë", spikat si një parabolë artistikisht e arrirë, teksa ngërthen njëherësh në thurimën e vet mitin, historinë e filozofinë e përkorë në trajtën e një sarkazme të tipit orwellian, përcjellë me anë të një rrëfimi liriko-epik të bëmave socio-politiko-kulturore që ndodhnin në Kolonë, ky kipc në miniaturë i Shqipërisë sonë të djeshme (dhe jo vetëm), meqenëse ngjasojnë si dy pika uji si "truall shtet më vete prej një shekulli, pesëdhjetë vite prej të cilit i veçuar prej pjesës tjetër të botës".
Tregimi përbën një lavd të shpirtit të femrës në përgjithësi, ku shpalimi drithërues i gjendjes së gruas në fshatin shqiptar, me gjithë tragji-komizmin e vet të pashoq, karshi bukurisë ndjellëse të «grave të andejme», «grave të matanë lumit» e «Botës Tjetër», nxjerr në pah konturet e një kontrasti të kobshëm.
Jeta lumturore shqiptarkave të tregimit përbëhej nga e vetmja periudhë ndryshe e rrojtjes së tyre, javës së të bërit nuse, që e patën ëndërruar aq shumë qysh në fëmijëri, tek dramatizimi miklues i «lojës me nuse», që harrohej sakaq bashkë me fëmininë, teksa ende të sarritura i vinte përfund rropatja në emër të nderit e jetës sfilitëse...
Në tregimin "Dritarevetëm", sakralja e profania bashkëjetojnë në një simbiozë e djeshmja jonë në diktaturë dhe e tashmja. E si për ta përcjellë bindshëm zezonën e asaj kohe pa dyer e dritare, ku duhej tjetërsuar rrokopujë gjithçka, për «të harruar ç'kishim qenë», thirret në ndihmë mitologjia: "Për siguri, u imitua Zeusi kur përmbysi Kronin.
Diçka më tej akoma: jo vetëm zjarri, si në kohët antike; tashmë duhej kontrolluar edhe drita." Tregimi që emërton përmbledhjen, "Dritat e Italisë", ka si nxitje një fotografi të dikurshme, të viteve të rinisë së hershme.
Ashtu si tek "Dhoma me dritë" e Roland Barthes-it, ku rrëfimtari niset në kërkim të nënës së vet të zhdukur, përmes fotografive që i kanë mbetur prej saj, fotografia e një kushëriri me disa shokë në Plazhin e Vjetër, aty nga fundi i viteve '50, që përfunduan të gjithë në burg, ditën kur u nisën të zbatonin planin e arratisjes, i jep krahë përfytyrores së Myrtajt, i cili nis sakaq një shtegtim tronditës në viset e së shkuarës.
Jeta e Shpëtim Borshit, protagonistit të tregimit shndërrohet në fillin lidhës të një rrëfimi polifonik, duke nisur që me kohën kur djaloshi ëndërrimtar "çdo verë, e linte kryeqytetin dhe, për dy a tri javë, i gëzohej jetës në fshatin e gjyshërve...", diku majë kodrash, ku kundrimi i diellit gjatë perëndimit vagullor në det qe kthyer ca nga ca në një rit të vetmisë. Mirëpo, erdhi një ditë e bregu i detit u shpall "zonë e ndaluar" e s'mbetej gjë tjetër veçse të përsosej vetmia gjatë ritit.
Myrtaj me një stil finosh, herë-herë si tek Kuteli, ia del mbanë t'i jap thellësi e gjallëri tregimit duke shqyrtuar me tëholli marrëdhëniet komplekse të qytetarit me shtetin, si për të dalë natyrshëm tek tema e tij më e parapëlqyer: individi dhe turmat.
Tregimi "Turmat e dimrit" përbën një nga pikat kulmore të përmbledhjes duke përcjellë aq mençurisht filozofinë e turmave "që kështu janë gjithnjë: të papërfytyrueshme, të pallogaritshme, të paparashikueshme...Nuk ka njeri që të mos jetë ndjerë i joshur, i kërcënuar, i mahnitur apo i gëlltitur prej turmave."
Kështu do ketë ngjarë deri diku edhe me "Njeriun e turmave" të Edgar Allan Poe-së, që Baudelaire-i e përktheu vetë në frëngjisht dhe e përmend aq shpesh në veprën e vet, teksa një oqean vrumbullitës kokash njerëzore e mbushte rrëfimtarin e Poe-së me një emocion të mrekullueshëm krejt të paparë.
Me këto vise farfuritëse rrëfimi fqinjërojnë edhe tregime të tjera si "Punë pasqyrash" (ku miti i Narcizit përbën nyjën e rrëfimit), "Ne, këtu, poshtë", "Murgu i Lindjes" a "Fotografi me të vdekur brenda", ku përvajshëm, pa zë, qelia e burgut a miniera përvijohen simbolikisht me ngjyrat e një rrethi të Ferrit dantesk.
Zaten, ashtu siç e kanë cilësuar studiues të tjerë, ku do të veçoja qasjen kritike të Ali Aliut (Buzëqeshja e hidhur, në hyrje të Nudo-s zyrtare, Vatra, 2006) e të Lazër Stanit (Prozë e shqiptimit të të vërtetave tronditëse, që shoqëron Hijet e virgjëreshave, Arbëria, 2006), edhe "Dritat e Italisë" mbetet gjatë në shojzat e kujtesës e të vetëdijes sonë letrare, duke dëshmuar se në stilin rrëfimtar të Faruk Myrtajt, kumbojnë jehonat më të arrira të traditës sonë në prozë dhe risitë e shkrimtarisë bashkëkohore.


1 + 1 = 3

(“Kjo botë, nuk është e keqe vetëm pse në të ka njerëz të këqij, por ajo është e tillë, pikërisht pse ne të tjerët nuk ndërmarrim asgjë ndaj atyre“- Ajnshtajni)


 NGA ADNAN  ABRASHI


Edhe pse titulli i këtij artikulli, në shikim të parë duket si gabim, ai nuk është shkruar rastësisht ashtu! Shikuar realisht, shuma e llogarisë matematikore 1 + 1, në të vërtetë, bëjnë 2,  e jo 3, por, nëse kësaj logjike valide të të menduarit abstrakt i qasemi me një përsiatje më të thelluar alternative, atëherë, ka mundësi që si postulat matematikor të konstatojmë se, 1 + 1 bëjnë 3, e jo 2. Argumentimi i thjeshtë i kësaj logjike të favorizuar postulateve këtu, është se, gjithnjë në mes të njëshit të parë dhe njëshit tjetër në llogaritje, ekziston edhe një hapësirë e zbrazët që i ndanë ato. Andaj, po të shërbehemi me këtë logjikë irracionale:1 + (hapësira e zbrazët dhe e padukshme në mes) + 1, do ta fitojmë shumën 3, dhe jo 2. Edhe pse këtë artikull e fillova në mbrojtje të kësaj hipoteze të logjikimit ndryshe nga ai standard valid, qëllimi im i vërtet është që, gjatë shtjellimit në vazhdim, atë ta përdori si metaforë krahasuese. Gjatë vitit që e lëmë pas, në lidhje me shtetin tonë më të ri në botë -  Kosovën, kanë ndodhur shumë ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme shtetërore - politike. Në bazë të një kriteri seleksionues të lënies së efektit sa më të fuqishme opinionbërës, sikur brenda ashtu edhe jashtë saj, nga të gjitha këto ngjarje të ndodhura, i kisha përmendur vetëm 3 si më relevante: 1. Dhënien e mendimit pozitiv nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (GJND), rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës;  2. Afera e madhe me përmasa botërore në rastin e publikimit të dokumenteve sekrete të diplomacisë amerikane nga ana e portalit virtual “Wikileaks” në internet, prej të cilave disa kishin të bënin edhe me Kosovën, dhe, së fundi, 3. Shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.
1. Sado që mendimi pozitiv vlerësues i GJND në Hagë, ishte një favor i madh për Kosovën, sepse me këtë qëndrim ajo edhe juridikisht licencoi pavarësinë e shtetit tonë, deri në minutat e fundit të komunikimit zyrtare të saj, edhe ekspertët tanë më të udhëzuar në këtë punë, së bashku me elitën politike në pushte si dhe shumë analistë nëpër medie... të gjithë ishin kategorikisht skeptik se ky mendim i GJND do të jetë aq konkret dhe dicidiv në favorin tonë. Mbi të gjitha, ky rezultat i shumëpritur erdhi dhe ishe ashtu sikur duhet të jetë. Racionalisht dhe në dukje, thuhet se me të fitoi e drejta, por irracionalisht, ky vendim buroi si rezultat i taktikave dhe strategjive më parë të përgatitura në prapavijë dhe heshtje, nga ana e shteteve të fuqishme me ndikim në botë. Shkurt e trup, ATA që e shpallën, ATA që e njohën, ATA edhe ditën ta mbrojnë këtë drejtësi të pavarësisë tonë pran kësaj gjykate të cilën vetë e kanë themelua. Pra, shprehur sipas atij krahasimi tonë metaforik, ky vendim u morr pikërisht në atë hapësirë të zbraztë dhe të padukshme të logjikës postulateve matematikore, ku, 1 + 1 = 3, e jo 2. 
2. Se politikat nuk bëhen ashtu sikur deklarohet nëpër konferencat për shtyp dhe se ato vërtet nuk janë në përputhshmëri me konformizmin tonë të përhapur dhe të pranuar si realitet, na dëshmoi qartë afera e fundit e publikimit të shumë dokumenteve komunikuese sekrete të diplomacisë amerikane nga ana e portalit virtual WikiLeaks në internet. Të gjitha prej tyre ishin vetëm e-maile kofindenciale komunikuese në mes të ambasadave të SHBA-së në botë dhe Departamentit të Shtetit Amerikan. Por, merreni me mënd, sikur ky portal të dispononte edhe me dokumentacionin “top sekret” të veprimtarisë së shërbimeve sekrete të shteteve më të fuqishme në botë, dhe të njëjtat t’i publikonte haptas në internet ?! A thua, tek atëherë, me çfarë realiteti zhgënjyes për këtë botë të “lumtur” në të cilën jetojmë, do të ballafaqohej gjithë njerëzimi?!  Pa dyshim se, para vetes do ta kishim edhe një realitet tjetër që vërteton atë postulat tonin të mësipërm matematikor se, në mes te dy njëshave 1 + 1 që bëjnë 2, ekziston edhe një hapësire tjetër e pavërejtur irracionale?!
3. Zgjedhjet e fundit të parakohshme dhe të jashtëzakonshme, për ne janë një kujtesë më e freskët e tematikës së këtë artikulli në vazhdim. Tanimë, të gjithë e dimë se, gjatë mbajtjes së tyre, në tërë territorin e Kosovës u regjistruan shumë manipulime flagrante. Me këto veprime të paligjshme dhe mafioze, u dëshmua edhe një herë se, politika kosovare fuqishëm mbisundohet nga mentaliteti arkaik shtet-formues. Jo vetëm kaq! Sjellja e dëshmuar e papërgjegjësisë së skajshme të KQZ-së, si organ legjitim shtetëror i organizimit dhe mbikëqyrjes së këtyre zgjedhjeve, nga njëra anë, dhe të monitoruesve tjerë të licencuar nga shoqëria civile, alla “Demokracia në veprim”, nga ana tjetër, sikur të gjithë së bashku reflektuan një bashkëveprim të orkestruar manipuluese të planifikuar më parë nga dikush. Me të gjitha këto dyshime, edhe më shumë u dëshmua vërtetësia e veprimit të atij postulati matematikor të cekur në shembullin si më sipër se, 1 + (hapësira e zbrazët dhe e padukshme në mes) + 1, bëjnë 3, dhe jo 2. Fatkeqësisht, vërtetësia e kapshmërisë logjike i këtij postulati matematikor, te ne në Kosovë është e shprehur në dy drejtime: e para vepron në mes të pushtetit politik kukull dhe servil vendor, në njërën anë, dhe bashkësisë sunduese ndërkombëtare, në ana tjetër; ndërsa e dyta vepron,  në mes të partisë politike fituese në pushtet, nga njëra anë, dhe popullit të manipuluar votëbesues, nga ana tjetër. Te rasti i parë, mes “njësheve” që bëjnë 2, si “hapësirë e padukshme”e tretë, qëndrojnë planet konspirative që si synime të tyre me çdo kusht tentohen të realizohen nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë (bisedimet me Serbinë për ndarjen e Kosovës, privatizimi i PTK-së dhe KEK-ut, etj.), ndërsa, tek rasti i dytë, mes “njësheve” që bëjnë 2, si “hapësirë e zbrazët dhe e padukshme”, është ndikimi konspirativ i veprimit të papenguar i një organizate të fshaftë para-politike dhe jashtë-institucionale partiake
Disa kuriozitete parashikuese
Pas shumë viteve të rangimit të kosovarëve në “top listë” si populli më optimist në botë, një hulumtim i fundit ndërkombëtar, këtë herë tregoi të kundërtën. Ne nuk jemi më populli më optimist në botë! Por, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, sikur ky vullnet i pakënaqësisë nuk u shpreh në veprim?! Aty, ne sërish zgjodhëm politikanë dhe politika të dështuara. Andaj, dëshirën time të bërjes së një parashikimi të Kosovës pas-zgjedhore, do ta kënaqi duke e cituar atë postulat të pagabueshëm religjioz se, ”Çdo populli, Zoti do t’ia dhuroj asi udhëheqësi, të cilin ai vërtet e meriton”. Me sa duket, ne kësi udhëheqje politike të dal pas zgjedhjeve të fundit edhe e kemi merituar?! Me një përleshje të armatosur si provokim që ndodhi në fund të nëntorit të këtij viti, në kufirin mes Kores Veriore dhe Koresë Jugore, parashikimet e parashikueses së famshme bullgare, Vangelia Gushterova – VANGA , për mundësinë e fillimit të Luftës së Tretë Botërore, më vitin 2010, si top lajme, me të madhe u aktualizua në të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike të botës. Edhe pse kjo profeci nuk u përmbush me saktësi, gjendja në këtë pjesë të botës mbahet ende e tensionuar. Kur jena tek parashikimet e parashikuesve të famshëm botëror, si kuriozitet tjetër të radhës, do ta paraqes një varg sfidues tek profecitë e Nostradamusit, ku thuhet:“Në mes të “V” dhe Serbisë, do të zhvillohet një luftë e ashpër...” Për atë “V” të cituar aty, një kohë të gjatë isha në dilemë interpretuese të domethënies së tij. Gjatë fushatës së fundit parazgjedhore, simbolika e kësaj “V” si shpesh mu perceptua tek logoja e Vetëvendosjes. Andaj, me hyrjen e kësaj lëvizje si forcë e tretë politike në Parlament, dhe rritjes gjithnjë e më të madhe të autoritetit të saj në popull, nuk dyshoj se shumë plane konspirative të Serbisë dhe të tjerëve për Kosovën në të ardhmen nuk do të kalojnë në heshtje. Kuptohet, ky është vetëm një kuriozitet parashikues, të cilën, unë vetë, sinqerisht e kisha dëshiruar që të përmbushet?!! Duke e përgatitur këtë artikull, nga arkiva e artikujve të vjetër, krahasova një shkrim timin të vitit të kaluar, i cili, po ashtu ishte edituar disa ditë para Vitit të Ri 2010. Më kujtohet mirë se, nga shumica e miqve të mijë, atëbotë, ajo analizë ishte vlerësuar si e ashpër dhe shumë pesimiste. Mirëpo, kur të njëjtën tashti e lexova edhe një herë, vërejta se, nga të gjitha ato shqetësime para një viti të ngritura aty, edhe sot e kësaj dite asgjë nuk është ndryshuar për së miri në Kosovë. Andaj, a thua, bota si gjetiu, ooo njerëz, fare nuk sillet këtu te ne?!
Krejt në fund: Gëzuar Vitin e Ri 2011, më e dashura dhe dhembja ime Kosovë...!

INA K. ZHUPA :Të vërtetat që nxori mbi ujë Shkodra

image Ina K. ZHUPA
Shkodra bëri për ujë të ftohtë Partinë Socialiste dhe në veçanti kryetarin e saj Edi Rama.
Fatkeqësia natyrore që ndodhi në këtë qytet dhe që bashkoi rreth tij jo vetëm qeverinë por edhe të gjithë qytetarët nxori në pah papërgjegjshmërinë dhe pandjeshmërinë e Z. Rama, i cili ndërkohë që Shkodra përmbytej, vazhdonte protestat në Pogradec për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-s. Ai e shpërfilli këtë qytet që po përmbytej, këta njerëz që po vuanin, e quajti një element të parëndësishëm përpara kutive të tij. Mbasi niveli i ujit ra dhe doli dielli mendoi se tanimë mund edhe të shkonte të vizitonte Shkodrën por pa praninë e kamerave. Përsenë nuk e di, por skam pse ta paragjykoj ndoshta është tip i turpshëm.
Gjëja e parë që mendova kur ndodhi kjo situatë ishte: Imagjino të ishte kryeministri ynë! Me këtë logjikë që tregonin veprimet e tij si kryetar i opozitës, ai si kryeministër nuk do të kishte lejuar të transmetohej asgjë në media. Nuk do të kishte lejuar kamerat të filmonin gjendjen e Shkodrës. Ndoshta do ta kishte quajtur një gjë të panevojshme edhe dhënien e ndihmave materiale dhe morale për banorët. Mirëpo Shkodrës pak i interesonte nëse ekzistonte apo jo ana humane tek Edi Rama. Njerëzit merreshin me hallet dhe punët e tyre, po ashtu institucionet e qeverisë por edhe ato të pavarura vazhdonin punët e tyre.
Gjykata e Shkodrës ishte një institucion tjetër që vazhdonte punën dhe i erdhi në rendin e çështjeve padia e ngritur nga anëtari i opozitës së bashkuar Nard Ndoka për hapjen e kutive të votimit në Shkodër. Mbas shqyrtimit të çështjes, vendosi ta pranoi kërkesës dhe bëri hapjen e kutive. Ky duhet të ishte një lajm i mirë dhe i gëzuar që po i jepte Shkodra Ramës që edhe pse nuk e përfilli, ja plotësoi ëndrrën e hapjes së kutive. Mirëpo mbasi u hapën doli qartë se aty nuk kishte asnjë manipulim, nuk kishte asnjë padrejtësi, asnjë vjedhje, asnjë abuzim nga pushteti. Doli qartë se kutitë kishin rezultatet e njëjta si në numërimin e parë nga komisioni si na atë të rihapjes nga gjykata, e të njëjtin do të kishin edhe po të numëroheshin 100 herë të tjera deri në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s.
Kjo ishte një goditje e tmerrshme dhe finale që i vinte për rastësi pikërisht nga qyteti që përbuzi. Gjithë kauza e tij politike që e bëri ta mbante veten si kryetar partie, iu shemb si kështjellë rëre para syve. Kutitë u hapën dhe rezultati kishte përsëri humbësit e zakonshëm, atë humbës që humbjen duhet ta kishte pranuar që në vitin 2009.
E çuditshmja është që për Ramën duket sikur nuk ka ndodhur asgjë, as këtë hapje të dytë të kutive nga gjykata nuk e pranon dhe e quan të pavlefshme. Atëherë një njeri që nuk njeh rezultatin e parë të zgjedhjeve, nuk njeh rezultatin e rihapjes së tyre, kush më garanton mua se do të njoh përfundimet që do të nxjerr komisioni hetimor parlamentar?! Apo do ta bëj edhe atë një shënjestër për të mbushur me akuza televizive muajt e ardhshëm në politikë?
Por parimisht a mund të merret Shkodra si shembull konkret i hapjes së kutive për herë të dytë me kërkesë të opozitës? Po patjetër, është e qartë që është një shembull, është një tregues, është një fakt i pakundërshtueshëm. Sepse nuk mund të hiqemi as sikur nuk ndodhi, as sikur i numëroi qeveria. A mund të merret hapja e kutive në Shkodër si një arsye e mjaftueshme për të treguar sesa e pabazë është kauza e kutive të Edi Ramës? Po mund të merret, ashtu si mund të merrej si shembull vërtetësie për kauzën e kutive nëse rezultati i hapjes do të tregonte manipulime të bëra herën e parë. Mund të merret edhe sepse nuk e zgjodhi kryeministri Shkodrën, thjesht ishin dyshimet dhe padia e anëtarit të opozitës që zgjodhi Shkodrën si shembull. Padi që mund të ishin ngritur kudo, por nuk deshën. Ose thjesht besonin se manipulimet më të mëdha ishin në Shkodër dhe ngritën padi vetëm atje.
Me siguri nëse rezultati i hapjes së kutive nga gjykata e Shkodrës do të kishte nxjerrë edhe 10 vota të vjedhura në favor të Edi Ramës, ky i fundit do ta gjykonte si të mjaftueshme për të treguar vlefshmërinë e kauzës së tij. Me këtë do të kërkonte delegjitimimin e qeverisë Berisha dhe zgjedhje të parakohshme. Ndoshta edhe me të drejtë. Jam e bindur duke e njohur moralitetin që vendos në politikë Z. Berisha, ai i pari do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme edhe pse këto nuk do të ishin të nevojshme. Sepse është një figurë që ka treguar që do të jetë ballë lart përpara qytetarëve të tij.
Ndërsa tani që rezultati i hapjes së kutive në Shkodër nxori fitues, fituesin, tani duhen përsëri zgjedhje të parakohshme. Po, sipas meje duhen zgjedhje të parakohshme për kryetar në Partinë Socialiste. Partia Socialiste shkeli statutin e saj: ku parashikon që kryetari humbës i zgjedhjeve jep dorëheqjen dhe ikën nga kryetar, sepse i besoi Z. Rama kur i thoshte se unë nuk jam humbës por thjesht dukem si humbës. Tani që u vërtetua përsëri që jo vetëm duket por edhe është humbësi i zgjedhjeve duhet të organizojnë zgjedhjet për kryetar sipas statutit të tyre. Nëse nuk duan, punë e tyre por thjesht mos na flasin nëpër fushata për ligj dhe shtet ligjor. Sepse ata kur nuk zbatojnë statutin e tyre që e kanë bërë vetë, si do të zbatojnë ligjet e shtetit?
Gjithsesi Z. Rama bëj si të bësh por nuk mund të mohosh që Shkodra të nxori mbi ujë 2 të vërteta të mëdha: 1) papërgjegjshmërinë dhe pandjeshmërinë ndaj fatkeqësive të qytetarëve të tu, që kërkove t’i qeverisje, 2) mosekzistencën e kauzës së kutive që të mbajti ty kryetar partie dhe mbajti peng parlamentin shqiptar. Tani je ti i zhyturi në ujë deri në fyt. Veçse ka një ndryshim shumë të madh mes ujit tënd dhe ujit të Shkodrës. Shkodra u përball me një fatkeqësi dhe po e merr veten dita ditës derisa të bëhet zonja që ishte. Ndërsa ju jeni një fatkeqësi për zhvillimin evropian të vendit, që po bini poshtë dita ditës derisa mund të vij një ditë që edhe fjala zotëri mund t’ju rri e madhe.
*Politologe

DIK MARTI DHE SHQIPTARËT

imageBegzad BALIU
Nga Begzad BALIU, profesor në Universitetin e Prishtinës




Ka disa ditë që shqiptaret andej e këndej kufirit gjenden para një situate emergjence. Situata e përsëritur në Shkodër, frika nga mosmarrëveshjet në zgjedhjet e para kombëtare pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe Raporti i senatorit europian Dik Marti para Komitetit të Këshillit të Europës, i kanë mobilizuar shqiptarët kudo që janë.
Përsëritja e gjendjes emergjente në Shkodër dhe përkrahja e suksesshme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, e ndjekur gjerësisht nga ekonomia dhe shoqëria civile e Kosovës, e ka bërë të qartë edhe njëherë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi stabil dhe komunikimi i sinqertë i dy qeverive të Tiranës dhe Prishtinës.
Megjithëse zgjedhjet e para dhe të jashtëzakonshme pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe ndonëse disa parti nuk u kursyen nga diskursi mjaft i vrazhdët i komunikimit me publikun, ato ishin të qeta dhe përfunduan me sukses. Qytetarët e Kosovës ua dhanë votën atyre që e kanë qeverisur Kosovën tri vjetët e fundit. Prej vullnetit të tyre u kuptua se qytetari i Kosovës zgjodhi jo dobësitë individuale, por kontributet kolektive të Qeverisë Thaçi; jo rrugicat e vonuara për t’u shndritur, por autostradën kombëtare që lidh kombin nga Jugu në Veri. Në të vërtetë ata vlerësuan dhe ia dhanë votën gjerësisht atij brezi të bijve të saj që ia solli lirinë e kërkuar me shekuj, dhe me këtë dëshmuan se vetëdija e tyre shkonte përtej vetëdijes partiake, pra te vetëdija historike.
Në prag të këtij përfundimi të rëndësishëm qytetar në jetën tonë, kur pritej angazhim i shumanshëm në vazhdimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, në bisedimet për tejkalimin e mosmarrëveshjeve historike me Serbinë, për të mos thënë mes serbëve dhe shqiptarëve, një orë e së keqes sikur mezi priste të binte. Dik Marti, senator i Bashkimit Europian solli para Komitetit të Këshillit të Europës, një Raport sa të vjetëruar e të ricikluar, po kaq me bujë. Prej të dhënave të tij, prej hapësirës që atakonte, prej qëllimeve të tij dhe prej synimeve të tij, nuk është vështirë të shihet materiali i boshtit përmbajtësor të kujtimeve të Karla Del Pontes, hapësira e atakuar shqiptare, pra jo vetëm e Kosovës, denigrimi i bardit të një lufte çlirimtare të ndihmuar ndërkombëtarisht, përpjekja për rrënimin e biografisë së tij në prag të formimit të Qeverisë së Kosovës, të fillimit të bisedimeve me Serbinë dhe sidomos çuarjes përpara të numrit të shteteve që do ta njohin Kosovën.
Prej përmbajtjes së këtij Raporti nuk është vështirë të shihet ndikimi i diskursit serb dhe i lobit të saj në Europë, ndërsa prej qëllimeve të tij largvajtëse sigurisht nuk është vështirë të shihet se institucionet serbe dhe lobin europian e aziatik të saj nuk e interesojnë vetëm individët dhe institucionet e Prishtinës e të Tiranës, po edhe tërësia historike, gjeografike, politike, etnografike dhe qytetëruese e popullit shqiptar.
Sigurisht diskutimi i të gjitha referencave veç e veç do të donte kontributin e disa specialistëve të fushave të ndryshme (e që deri më tash edhe do të duhej të bëhej prej qarqeve shkencore dhe politike e diplomatike shqiptare), por këtu nuk mund të kalohet një tendencë, e bartur që nga kujtimet e Carla del Pontes: paraqitja kriminale e një qeverie në themelim dhe  paraqitja e shtetit shqiptar, në prag të heqjes së vizave, si një vend i pakontrolluar, ku zhvillohen krimet më monstruoze. Ajo që të bën përshtypje në këtë pikë është lidhja jo vetëm e individëve, grupeve dhe institucioneve, por edhe grupeve sociale: grupe profesionale dhe grupe të pavetëdijshme sociale për procese të tilla, sikur është procesi i transpaltimit të organeve; me një fjalë, shoqëria qytetare dhe shoqëria rurale njëkohësisht. Dhe përtej tyre, një shikim i njëanshëm dhe i padenj i shqiptarëve në diskurin bashkëkohor të komunikimit politik. Fjala është për të ashtuquajturin ‘grup të Drenicës’ kundër të cilit qenka ngritur Dik Marti. Në kohën që grupet politike, intelektuale dhe madje të krimit të organizuar, në botën e qytetëruar nuk përfaqësojnë askund grupe fisesh dhe krahinash, ose ato paraqiten vetëm në hapësirën afrikane, Dik Marti i jep vetes të drejtë t’i identifikojë shqiptarët, përkatësisht të akuzuarit e tij në përmasa fisnore dhe krahinore. A nuk është e mjaftueshme kjo që ne t’i përgjitgjemi kombëtarisht, në të vërtetë shtetësisht, dhe t’i tregojmë Dik Martit se mendimet e tij janë ndërtuar mbi riciklimin politik të mentalitetit serb të shekullit XIX.
Pra, shqiptarët si një popull, si një komb, kudo që janë dhe bardët e tyre, qofshin ata qeveritarë, opozitarë, intelektualë, qytetarë a fshatarë në Raportin e Dik Martit dalin si një: kriminelë ordinerë në përmasën më moderne të botës bashkëkohore, transplatues organesh!
Ky Raport do të duhej të prekte më gjerësisht ndërdijen tonë, ai po përpiqet të dëmtojë gjerësisht fatin tonë në kapërcyll të Kosovës në Bashkimin Europian, duke e dërguar një mesazh tepër të keq në hapësirën jo vetëm diplomatike po edhe publike europiane, prandaj për të gjitha këto dhe për shumë arsye të tjera, përgjegja jonë ndaj Dik Martit dhe strukturave politike e diplomatike të tij duhet të jetë e fuqishme, e mënjëhershme, e gjerë, institucionale dhe me karakter ndërkombëtar. Bartësi i këtij Raporti duhet të marrë përgjigje juridike dhe për më tej të jetë shembull i mbrojtjes sonë kolektive, i fuqisë së institucioneve dhe shtetit tonë në bashkësinë ndërkombëtare, në ato përmasa që e bëmë me GJND-në. Le të jetë ky edhe një shembull për Dik Martin dhe Martët e tjerë se si nuk duhet të atakosh askënd në emër të interesave të caktuara, e sidomos se si nuk duhet të atakosh një popull në përmasat që ai e ka atakuar popullin shqiptar.
E kjo mund të arrihet vetëm nëse rreth këtij qëllimi bashkohemi të gjithë: ata që e kanë fituar dhe përkrahur luftën e UÇK-së dhe ata që nuk e kanë bërë këtë; ata që janë gati të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme dhe ata që duan të jenë opozitë e kësaj Qeverie; ata që janë pjesë e institucioneve publike dhe financohen nga Qeveria dhe ata që janë pjesë e institucioneve joqeveritare; ata që kanë reaguar që në fillim sepse tek Raporti i Dik Martit kanë parë orën e së keqes kombëtare dhe ata që kanë reguar me gjysmë zëri sa për t’i përmbushur obligimet politike, madje edhe më pak, partiake, ata që janë të obliguar më shumë sepse janë përgjegjës të institucioneve shtetërore etj.
Raporteti i Dik Martit ka karakter përgjithësues dhe atakues në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, prandaj në këtë përmasë duhet të marrë edhe përgjegjen tonë.
·        Autori i këtij teksti është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës, drejtor i Instituti Albshkenca të Prishtinës, editor dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës

MIKEL GOJANI :POEZI QË SHPRUSHIN NJË BOTË SHPIRTËRORE NGA LARG, NGA AFËR ...

image Autori
Mëhill Velaj: Unë e ti, Etyde! (poezi), Stamford (USA), 2010.
Mëhill Velaj, krijues shqiptar, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në qytetin Stamford të shtetit Kenerikët. Ka lindur në fshatin Gllogjan (Lugut të Baranit), të Komunës së Pejës më 1957. Ka mbaruar  studimet për gjuhë dhe letërsi. Shkruan poezi dhe prozë për fëmijë e të rritur.  Është  nënkryetar  i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë. Deri tash ka botuar këto vepra letrare: “Gërshetat e Aulonës” (1995), “Metamorfoza e rruzullit” (2007), “Lule që rritemi në gurë” (2009), “Unë e ti, Etyde! (2010), librin poetik në gjuhën angleze “Our walk in time” (Ecja jonë në kohë”) 2009; bashkautorë në librat: Who’s who – “ Poetry from five continents”, “Itaka e fjalës”,, botuar nga Fotjonart, “Zemra prindërore”, botuar nga bashkësia virtuale “Mëmëdheu”. Krijimtaria letrare bë prozë: “ishulli i pulëbardhës” (2009). Shkruan herë pas here në shtypin shqiptaro-amerikan, përkatësisht në  gazetat “Yllyria” dhe “Bota sot”, në SHBA, në shtypin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, te “Fjala e lirë në  Londër, Angli  etj.  Mëhill Velaj,  në letrat tona vjen me një përmbledhje poetike të titulluar “Unë e ti, Etyde!”  Këto poezi që kapërthehen brenda kopertinave të këtij libri sjellin autencitetin  e fjalës së tij, rrugën evoluimit të poezisë së tij, problematikën e shqetësimeve poetike dhe atdhetare dhe pasurinë e veçantinë e profilit të tij në poezinë që krijohet sot tek ne. Vëllimi poetik “Unë e ti, Etyde!” është i konceptuar në pesë  kapituj, që përbëjnë një tërësi përmbajtjesore: “Trokitje në derë të botës”, “Zbraz në gotë një oqean”, “Lapidaret flasin liri”, “Legjenda e re e Doruntinës” dhe “Baladë për vete dhe për miqtë e mi”. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, bota e individit dhe e kolektivitetit, vargje këto të shkruara më një sinqeritet poetik.
Poezia e Velajt bëhet  fole dashurie 
Librit fillon më një parathënie  nga publicisti Marin Kelmendi. Duke folur për vlerat ideo-artistike të  këtij vëllimi poetik, Kelmendi shprehet: “Nga Gllogjani i Kosovës, Mëhill Velaj, e ka bërë fare planetar vargun e vet, duke lënë pulëbardhat, mëngjeset me vesë, simfoninë  e zogjve a ndonjë serenatë nga kullat e lashta të Dukagjinit. Dhe, ai varg i varur edhe për ndonjë degë shelgje e lisi katundi, bëhet oqeanik, me sens të përbotshëm krejt njerëzor. Ky urbanizëm poetik i poetit Velaj, megjithatë  nuk është aq i qëndrueshëm. Kthehet prapë në vendlindje, në kohën e fëmijërisë dhe për ta bërë ambientin planetar të poezive të veta me ngjyra të identitetit shqiptar. E mban gjatë aty veçmas  lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një dekadë më parë. Është kjo kohë që edhe identitetin e vargut e bën me adresë të atyre hapave që kanë lënë gjurmë andej e këndej oqeanit. Gjithandej truallit të vet i çon dhe merr mesazhin, sidomos të kësaj lufte, se gjithkëndej mbizotëron drita e Perëndimit, në shekullin XXI, kur po perëndon lindja dhe kur po lind Perëndimi. Dhe, për këto mesazhe, poeti troket në derë të botës, duke u ndjerë i lumtur për kohën që jeton. Ka edhe shpirt të ngrysur për kohën që jetojmë, për kohë që njerëzimin nuk e lë të qetë e të lirë, me paqe që ka mbushur atë gotën e vargut, i cili ia zë një oqean të tërë. Ndonëse i këndon vetmisë, poeti nuk mbyllet në arrën e kokosit për të qenë  i lumtur kur të gjithë njerëzit e rruzullit janë të lumtur, jo veçse shqiptarët e tij. Aq i dashur mund të bëhet duke bërë një mit të ri dashurie. Prandaj, legjenda e Doruntinës zbërthehet me një polemikë të pashpallur. Ajo lë të kuptohet se Doruntina është e shpërndarë kudo si ajri, ndërsa nuk e kishte  sjellë njeri ka ndonjë vend, si pretendon miti i lashtë i saj... Në çfarë e ka origjinën ky sens i fuqishëm i Velajt? Ku është burimi i tij? Lind nga njerëzit. Nga miq të vjetër. Nga miq të rinj, nga dashamirë të artit të tij. Lind veçmas nga fëmijët me të cilët poeti identifikon shpirtin e vet. Bëhet baba poetik i të gjithëve në planet, pa kufij race, ngjyre, feje. Prandaj poezia e tij bëhet fole dashurie”, shprehet ndër të tjera redaktori i librit Kelmendi.
Ky vëllim poetik vijon me  një përkushtim: Merrni. Ua solla. Bënte mot i mirë. Binte ngrohtësi, buzëqeshje e puthje bashkë...Shtëpitë mbusheshin me fëmijë, me fëmijë, me fëmijë... Poetët lagnin me gjak rrënjët e dashurisë...Po ashtu, në  vijim me një prolog prezantohet autori, që sipas tij, ngërthen krejt atë lajtmotivin e këtij  vëllimi poetik: U puthem gjatë./ Qe muzg/Sikur puthesha/ Me një  muzë/ Unaza,/filizat dardane,/ ngurosen atë puthje/ndër buzë... Poezia, Unë e ti, Etyde!, fq. 8. 

Krejt dellin e tij poetin e shkrin për atdheun e tij të lënë

Frymëzimet që ngjizin poezitë e kapitullit të parë, “Trokitje në derë të botës”, vijnë si lirika të fuqishme, që ngërthejnë një mall të hershëm të gërshetuara me etoset dhe patoset, të dallgëve të shpirtit, që bukurinë e kanë në dhembjen njerëzore. Autori Velaj jeton me kujtimet e trishta të së kaluarës. Krejt dellin e tij poetin e shkrin për atdheun e tij të lënë, por jo të harruar. Ai, edhe pse larg atdheut, shpirtin gjithherë e dërgon në vendlindjen e tij dhe kërkon që t’i ruhen dy metra tokë dhe një gur të gdhendur  mbi të: Gota me verë/në SHBA i vetmuar/ më ngjan si gjak/ kur pi/ më sjell ndërmend/ vitin ‘81/ kur shkelnin tanket serbe/ djalërinë e Kosovës/ me zinxhirë/ Sa shume kujtime/ erdhi fundshekulli/ pranverë/ një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë (...)/ Kosova ime/ më prit/ si marinar i mplakur/ që të kthen nga dete  për në shtëpi/ Më ruaj dy metra dhe/ një gur të gdhendur mbi të/ emrin e mbiemrin tim... Poezia, Më mbajnë peng ato kujtime, fq. 12.
 Poezia e Velajt është e ndërtuar me plot figura stilistike, si metafora, simbole etj., që vargut të tij edhe më shumë i japin frymë, i japin forcë dhe jetë. Këto figura edhe më tej e ngjallin vargun e këtij autori, dhe artin e këtij vargu e ngrehin në piedestal. Po ashtu, ndërtimi estetik është diçka i veçantë në vargun e këtij autori. Pra, poezia e Velajt edhe në  aspekt  ka arritur nivelin që kërkon poezia e krijuar.
Në poezinë e këtij autori simbolikën e plagëve, të  oqeanit, të etjes dhe të ëndrrës, të shiut dhe të dhimbjes dhe vetmisë, të dritës dhe errësirës, të shpresës dhe zhgënjimit e ndeshim përherë. Poeti Velaj, nëpërmjet këtij vargu dhe këtij frymëzimi që e hedh në dritë, dëshmon se është i mbështjell brenda urnës së tij. Ai kërkon  rrugë për të dal nga ky rreth i vetmisë, kërkon portat për t’i gjetur horizontet e jetës, pra rrugën e portave që e shpijnë në dritë: Çdo agim më shëron plagët/ më trishton çdo perëndim/ si kur trokasin kondakët/ rreh e rreh ky pulsi im/ Vallë si është vendi im/ që është tej ujërash matanë/ ti, o i madhi oqean/ të ngriftë akulli tejembanë/ Ti tri hise i merr dheut/ dhe këndej më lë në ferr/ pranë ujit i djegur jam/ dhe këtë shpirt e kam në terr/ Do të zbraz në një gotë unë/ që atdheun ta kem më pranë/ të ngriftë akulli tejembanë/ oqean, o oqean...! Poezia, Pranë oqeanit, fq.  34.
Në vëllimin poetik “Unë e ti, Etyde!” të autorit Velaj, përkatësisht vargjet e kapitullit të tretë, Lapidarët flasin liri, sa vijnë dhe shfaqen vargje të cilat në vete kanë të ngërthyer  një zjarrmi të thellë. Mbi frymëzimin e tyre fle ai zjarri i dhimbjes dhe i shpresës, të gjitha këto erëra të përziera në këtë varg krijohen përmes dramës së trazimit dhe plagëve të shpirtit që  janë akumuluar në qenien e  poetit, pra përmes imazheve të krijuara. Kështu që, dhimbja dhe shpresa, lotët dhe buzëqeshja etj., kapërthehen brenda  idesë së këtij vargu. 
Pra, vargjet e poezive të këtij kapitulli rrezatojnë drejt lexuesit dashurinë, dhimbjen, përkushtimin deri në skajshmëri  për Kosovën, atdheun e poetit. Ndjenjat e poetit janë pranë realitetit. Vargu i tij është tepër i veçante, herë i ashpër, por nganjëherë edhe i brishtë. Në shumë vargje poeti shpërthen si eruptiv vullkani. Është ai malli i tij që e përvëlon për dheun e tij, ndjenjë e shprehur nga të gjithë krijuesit tanë të cilët  krijojnë në mërgim; janë plagët e shpirtit për brezat e një kombi në luftë për qëndresë dinjitoze. E kush më bukur se Kosova e gëzon këtë dinjitet: Merimangat e stuhisë nga erërat e historisë/ rrethuan trupin tënd, Kosovë/ ata që ulërinin në emër të paqes, haj medet/ po nën çizmet e tyre rridhte veçse gjak det/ Shqiponja shkundi krahët fort/ pendët e saj hapën faqen e historisë/ toka u tund, fëmijët u zgjuan të trembur/ vetëm lapidarët e kuptuan/ se po vinte dita e lirisë!/ Era fërshëllyese herët në agim/ tok me rrezet përvëluese të diellit/ dëgjonin gjëmat tua, Kosovë...! Poezia, Gjëmat tua, Kosovë!, fq. 43.
Edhe në poezitë në vijim të këtij kapitulli kanë të njëjtën frymë, mirëpo vargjet sa vijnë e më shumë marrin  fuqi më të theksuara, që këtë varg edhe bëjnë më të fuqishëm. Edhe skalitja e tyre është bërë  me një  interesim të veçantë. Vargjet  e këtyre poezive i përshkruan një ndjenjë trishto me esenca e saj tragjike: Vukovari donte liri/ Smerkovnica dashuri/  Prekazi, Reçaku, Çerezi/ merrnin frymë të varrosur/ Likoshani, Drenica vuanin të plagosur/ Meja Korenica me engjëj të tendosur/ Kralani, Shqiponja kërthizë e Dushkajës/ Rugova, Grabanica vende të nishaneve/ Zahaçi e Qyshku lule të Dukagjinit/ Krusha e madhe, Korisha lule të jorgovanëve/ Lubeniqi, Kodradiqi erë lulemaji/ Barani e Bokshiqi dallgë të plagosura/ Dollova e Buqani pika takimi/ Koshara e Loxha me forca të pasionuara/ Kullat e Gllogjanit fortesa shprese/ Gllogjani të jep nga zemra dhe nga pasuria/ në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, kaq krime bëri Serbia/ Ju gjenerata që vini valë-valë/ mes këtyre bukurive...ca çaste: “Asnjë fjalë”/ sa njerëz janë torturuar/ janë poshtëruar e vrarë/ ndërsa lulet përqark/ s’kanë reshtu duke parë.../ duke qarë, duke qarë, duke qarë!... Poezia, Masakra ka emër, fq. 48.
Vizatohet rruga e përjetimeve dhe e observimeve nga një këndvështrim shumë i ngushtë i poetit
Poezia e poetit Velaj,  të përmbledhur  në kapitullin vijues të librit, janë lirika të fuqishme të dashurisë;  na  bën përshtypjen e një ditari intim, në të  cilin vizatohet rruga e përjetimeve dhe e observimeve nga një këndvështrim shumë i ngushtë i poetit. Edhe tek këto vargje ndeshim një zbulim interesant të brendësisë krijuese të këtij autori: është kjo poezi e frymëzuar nga grimca meditimesh dhe përjetimesh përvojash dhe ndjesish që plotësojnë në anë të  re të profilit të tij prej krijuesi, befasues për formën e të të krijuarit dhe të të ndërtuarit të formës së vargut të shkurtër. Në këto poezi ndeshim një natyrshmëri autentike poetike me një ndjesi të thellë. Poezia e këtij autori këtu dëshmon përjetimin tërësisht poetik të motivit, po sidomos, për harmoninë e mjeteve artistike me mendimin, i thjeshtë dhe i bukur gjer në dhimbje. Tek poezitë e këtij autori ndjehet natyra e fjalës së ngjeshur, si një mënyrë  të krijuari dhe shijuari herë të dhembshurisë, herë-herë edhe të bukurisë së saj. Megjithatë, lakonizmi nuk synon ngushtimin e këndvështrimeve, por gjetjen e palcës, gjetjen e tharmit të çastit poetik, të situatës emocionale, karakterit që skicohet kryesisht me anë të gjetjes dhe pranëvënies dhe skajeve të së njëjtës formë të krijuar: Bie shi pa pushim/ bie mbi xham/ në çdo pikë që vjen/ unë mendjen/ veç te ti e kam/ Ti je larg/ qielli e di/ sa shumë të dua/ e di dhe ti/ Këto pika shiu si lot/ për kë i derdh si krua/ e di mirë/ i derdh për mua... Poezia, Puthje në shi, fq. 56. E njëjta ndjenjë i përcjell edhe pozitë të tjera në vijim, si Femra si thesari, Po vyshkem, Gjoksin zjarr, Martesa, Dashuria, Dashuri pa kufi, Dashuria nuk ka emër, Qaj dhe vajtoj për ty, Pse kaq shumë lot në ata sy, Ankthi i mostakimit, Shi bie, ti më mungon, Si Penelopa etj.: Presim edhe ne, me shpirt të Eneut/ sa priti Penelopa e lashtë/ kthimin ngadhënjimtar të Odiesut/ Ndizemi në dasma, në valle përmetare/ puthemi në dritë të rrufesë/ tërë natën, sa shpirti të dalë fare... Poezia, Si Penelopa, fq. 74.
Cikli i fundit i këtij libri, “Baladë për vete dhe miqtë e mi”,  është e mbushur me poezi përkushtimore, vargje këto që me seriozitetin më të madh dhe  me mesazhe  shumë domethënëse autori i drejton  në drejtim të emrave që kanë lënë gjurmë  në historiografinë tonë kombëtare. Velaj, përmes poezisë përkushtimore “Elegji për nënën”, “Ëndrra që nuk flet”, kushtuar Ukshin Hotit, “Nëna Shqipëri lotonte nga krenaria” (Fan S. Nolit), “Sonatë për kombin” (Don Kelmend Spaçit), “Fëmijëve”, “Koha do të flas me emrin Rugovë” (Dr. Ibrahim Rugovës) etj.: Koha do të flas me emrin Rugovë/ se ishte epokë/ se ishte lindje/ se ishte udhërrëfyes/ se ishte lider/ se ishte epror/ se ishte një human/ se ishte mik me te gjithë/ se ishte bjeshkë nga Bjeshka Rugovë/ se ishte Kosovë(...)/ Ishte liria e pritur/ katër mijë e kusur vjet/ e lirisë së thinjur/  ndër shekuj/ iu bërë fanar/ që nuk shuhet kurrë/ u bëre legjendë/ shkruar me ndjenja e jo me penë/ Me Çetën e Profetëve” si Bogdani/ popullit i solle  lirinë/ Të lumtur që kishim fatin/ t’i takonim epokës suaj/ të lumtur/ jemi bijtë e bijat/ e kohës suaj/ Kastrioti me trimëri/ Nënë te reza me bamirësi/ Ibrahim Rugova me urti/ mbetën në histori... Poezia, Koha do të flas me emrin Rugovë.
Në përfundim mund të konstatojmë se vëllimi poetik “Unë e ti, Etyde!” i autorit Velaj, është një libër që lexohet me endje, e cila frymon  si në qenie e vetme.

NDUE LAZRI :ALMA PAPAMIHALI DHE THELLËSIA E VARGUT

imageNDUE LAZRI
Rreth vellimit poetik "Shtegetim pulebardhe"

   Më kishte qëlluar të lexoja aty-këtu ndonjë poezi të poetes Alma Papamihali. Motivi i zgjedhur, fjala e qëmtuar bukur, vargu plot fineë, bota delikate femërore e derdhur në vargje, më shtynin për një njohje më të plotë të veprimtarisë krijuese të kësaj autoreje. E rasti i mire e solli që një miku e kolegu im, të më sillte nga panairi i fundit i librit në Tiranë prmbledhjen poetike të titulluar "Shtegtim pulëbardhe", publikuar në menyrë dinjitoze nga Botimet "Toena".
-Ambicioze kjo vajzë,-mendova sapo lexova titullin e librit, pa e shfletuar ende atë. Kisha parasysh fluturimin elegant të pulebardhave në det, figurat e papërseritshme që ato bëjnë në ajër, lëvizjet befasuese kur kridhen mes ujerave të kaltra të detit. E mendova se edhe Papamihali, me titullin në fjalë, tentonte të arrinte atë elegancë e bukuri me vargjet e saj. Një ambicje jo e vogël, por gjithesesi e admirueshme, çka dëshmon për seriozitetin me të cilin autorja i ka hyre rrugës së veshtirë, por të bukur të krijimtarisë poetike.
    E që në poezinë e parë ajo e tregon haptas se do që te matet me pulëbardhën. Poezia që hap librin "Poetët", eshte po aq befasuese, e bukur dhe e shkurtër si një pikiate pulebardhe, qe kridhet me shpejtesi marramendëse mes valeve te kaltra. Ajo ka vetem pak fjalë, mbase edhe nuk mund të quhen vargje, aq pak fjale jane, e megjithatë thonë shumë: Po e citoj:
                    Poetët...ah... poetët,
                                       ç'njerez qënkan
                                                              vallë...

                    Lindin 
                             të dashuruar
                                                dhe vdesin beqarë.

      Kaq është e gjithë poezia. Më shumë se një vjershë ajo i ngjan nje sentenze, një thenieje të mençur filozofike, por edhe nje realiteti. Poeti lind me talentin e tij pa e ditur që e ka kete talent. E ashtu pa kuptuar, ai është që në embrion i dashuruar me poezine, me te vetmen dashuri besnike, gjer ne frymen e fundit. E kjo dashuri eterike, hyjnore, zë kaq shume hapesire tek poeti sa gati i sfumon dashurite e tjera tokesore, ose shumë-shumë, i perdor ato per t'i dhene sfumatura te reja vetvetes.
      Këtë ide autorja sikur e nenvizon në poezinë tjeter me titull "Ndiqmë përtej frymës", e cila mbyllet me vargjet:

Ndiqmë përtej frymës (ndiqmë)
dhe nëse nga unë çudira do dëgjosh…
imja poezi te ulem me gjunje,
ne rritemi bashkë,
ndaj e pamundur te me harrosh...
   
Ja, dashuria e përjetshme e poetes qe rritet bashke me poezinë. Ajo e ka bërë tashmë zgjedhjen, edhe pse poezitë me motiv dashurie tokesore nuk i mungojnë në vëllim. E kjo dëshmon që poetja e jeton vrullshem jetën, e vëzhgon atë me syrin e mprehtë te pulëbardhes, e pastaj e derdh bukur në vargje.
     Tek po komentoja poezinë e pare te librit, theksova që ajo ka pak fjalë. Kursimi i fjalës deri ne kopraci, shmangia e inflacionit të fjales, eshte nje tipar dallues i krijimtarisë se Papamihalit. E kjo dëshmon atë pergjegjshmëri te krijuesit për të punuar në menyrë mjeshterore me fjalën, per t'ja servirur atë lexuesit sa me të perpunuar artistikisht, që ai te mbetet i befasuar si perpara një vitrine me xhevahire. Kjo spikat veçanerisht në poezitë fare të shkurtra të saj (ne vargje, por jo në mendim) si  "Morali i botes", "Qetësi", "Mjegull", "Përkufizimi i prekjes", "Barasvlerë", "Kuajt" , "Morali" etj.
      Po citoj këte të fundit:
       Mbeta një njeri
       i moralshem në jetë,
       përderisa s'jetova
       ashtu siç doja vetë
   A nuk ndeshemi tëgjithe ditëper ditëme moralin fals qe na serviret gjithandej? E na serviret pikerisht nga njerezit mëte pamoralshem. Kurse ne e veshim ate si nje këmishe per syte e botes e jo per te kenaqur shijet tona reale. Se mbase do na pelqente nje kemishe tjeter, por i ruhemi gjykimit te botes. Poetja e thote thjeshte e bukur ne vargjet e saj, si nje realitet, si nje konstatim, por edhe si nje revolte te brendshme per faktin qe duhet te heqim dore nga shume gjera e ta kushtezojme jeten tone per hir te opinionit.
    Vëllimi "Shtegtim pulebardhe" ka një frymemarrje të gjerë e një larmi motivesh, ku spikasin ato për filozofinë e jetës, për dashurinë, për boten femërore, për emigracionin. Me beri përshtypje këndvështrimi i veçantë i kesaj te fundit, e cila fillon me vargjet:
  Jemi shumë, sa shume jemi ne
femije dyvendesh lindje - perënduar....
e pastaj perfundon me reakitetin e dhimbshëm:
 jemi shumë...(sa shume jemi ne)
që dy herë me shpejt vdesim nga të tjerët.

Poetja Alma Papamihali, eshte delikate si një femër e ndjeshme, e dashuruar, që i qëmton me kujdes motivet, e i punon me durim vargjet si te gdhëndura ne filigrane. Por nga ana tjeter, ajo eshte poete, ku herë herë në menyrë te natyrshme merr vrull shpirti bohem. Kjo spikat bukur ne poezine "Dehemi njëhere", e cila mbyllet me vargjet:
                          Ndaj sonte kam vendosur të pi,
                          e të besoj se ç'thuhet vërdalle,
                           Merrmë prane teje o njeri...
                           (bashkë dehemi)
                           I vetmuar s'je i vetem, patjetër,
                           ndaj lermë të të bëj shoqëri...
   E admirueshme dy here. Si poezi,nga njera anë dhe nga ana tjetër për faktin që është shkruar nga një femër.
      Janë të shumta motivet e poezitë,ne te cilat lexuesit i pelqen të ndalet ne mënyrë te veçantë në faqet e ketij vellimi. Unë nuk kam ndërmend të bej ketu një analizë te gjerë te vlerave të padiskutueshme që ka libri, por desha thjeshtë te zgjoj kureshtjen e oreksin e miqve dhe lexuesve, per ta patur në bibliotekat e tyre këtë libër, që deshmon për nje autore me një profil tashmë të formuar dhe që premton shumë.
Edhe pse autorja nuk i shpeton njëfarë toni deklamativ në ndonjë poezi si ajo me titull "Ngjyrat e 28 Nëntorit", krijimtaria e saj ka një pjekuri e mjeshteri artistike, që iu pergjigjen më së miri ambicjeve që përmenda ne hyrje të ketyre shënimeve. Madje ajo qe thashe per tonin deklamativ të një poezie, më kujton pak Eseninin lirik që thoshte se "shkas e bie keq me këmbën tjetër" kur perpiqej të shkruante për revolucionin.
   Edhe poetja Papamihali, eshte më e prirur me shume drejt poezisë lirike e filozofiko-shoqerore, që perbejnë terrenin e shendoshë për kultivimin e mëtejshëm të krijimtarisë së saj. Uroj që kjo pulebardhë, me shtegetimin e saj, të na gëzoje me surpriza të tjera, në hapësirën e kaltër mes detit e qiellit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...