Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/15

“Pionierët e Edit”





Shkruan:Edmond ARIZAJ


Jam i vetëdijshëm se shumë qytetarë shqiptarë nuk do të bashkohen me zëvendësimin e emrit Enver me emrin e Edit Por titulli u ngjiz vetëm për thirrjen që na drejtohej dikur para shkollës tetëvjeçare: “Pionierë të Enverit, në luftë për çështjen e partisë dhe të popullit të jeni gati”, dhe ne në kor përgjigjeshim: “Gjithmonë gati”.
Pionierët e dikurshëm të Enverit, me shallin e kuq, janë zëvendësuar nga pionierët e sotëm të Edit me veshje firmato dhe me gatishmërinë maksimale për t’iu përgjigjur thirrjes së kryetar-partisë në çdo moment.

Prej javësh mediat janë mbushur me emrat e të rinjve të “G99” që ndërmarrin sulme me qitje të largët e të afërt në emër të Partisë Socialiste. Paksa kundër Berishës, paksa kundër partisë tjetër opozitare, LSI, dhe shumë më tepër kundër drejtuesit të saj Ilir Metës. Eshtë e trishtë të shohësh të rinjtë e lëvizjes “G99” të përdorur në këtë lloj forme nga kryetari i lëvizjes së tyre me inspirimin e kryetarit të PS-së. Janë të rinj të bashkuar në kauzën e përmirësimit të jetës në Shqipëri, të arsimuar mirë dhe të dëshiruar për të dhënë kontributin e tyre. Por që herët, shumë herët, po pësojnë deviacione. Për më tepër, nga ato që nuk mund të rregullohen me kalimin e kohës. I kanë hyrë një lufte politike, pa u pozicionuar fillimisht se çfarë përfaqësojnë, çfarë mbrojnë dhe çfarë kërkojnë të arrijnë. Në rrëmujën e takimeve të drejtuesit të tyre, kuptohet vetëm dëshira për bashkimin qytetar për të ndryshuar të përditshmen e vendit.


Dhe kur qytetarët bashkohen, (protesta e fundit) merren me flamujt, me qafëtrashët, me thirrjet dhe me të tjera cingla. Sa për informacion: flamujt në një protestë janë e njëjta gjë si flamurtari në betejë, janë pika orientuese për të gjithë protestuesit, ose ndryshe bashkimi qytetar do t’i ngjante një dite vere, apo Një Maji, me përjashtimin e vetëm që lumi i njerëzve nuk përfundoi nga liqeni. Ata qafëtrashët që përmendin anëtarët e “G99”, kanë humbur pjesë nga trupi i tyre nga qeverisja e parë e Berishës, dhe nga vitet e para të opozitës së tij, në atë kohë kur pjesëtarët e “G99” ishin në moshën e pionierëve të dikurshëm dhe kujdeseshin për flokët para pasqyrës. Nuk u kanë shpjeguar ende besoj, se protestat e PS-së së dikurshme ngjallnin shpresë dhe vrinin frikën e qytetarëve, pikërisht me flamuj dhe me thirrje, e njerëzit nuk largoheshin nga tubimi kokulur, por me shpresë, pikërisht se u jepnin dhe merrnin shpresë drejtuesve të PS-së.
Shumë gjatë shkoi debati dhe polemika për protestën e opozitës. Por askund nuk u pa ndonjë reagim i socialistëve, me përjashtim të kreut të saj dhe ndokujt tjetër. Dhe jo pse nuk ka penë. Në PS ka shumë pena, madje të forta e të ashpra. Por nuk ka kauzë. Shumica e tyre e kanë provuar mbi kurriz se çdo të thotë “Berishë”. E dinë se sa e zorshme është të largohet Berisha. E dinë se ai nuk tërhiqet edhe kur vendi digjet flakë.


Dhe e dinë se ai mund të qëndrojë me çdo lloj forme në pushtet, kur përballë ka një parti opozitare që thotë të presim zgjedhjet, e për më tepër një kryetar PS-je që deklaron në televizion sikur lutet: “I themi Berishës mos bëj më dëme”. Nuk besoj se tërë ata burra e gra në PS kanë vetëm hallin e përzgjedhjes së emrit në listat e ardhshme. Ca pak të këtillë, nuk bëjnë shumicën. Por ndoshta u vjen turp për përzgjedhjen që kanë bërë, duke kujtuar të kaluarën e tyre. E pikërisht për këtë kanë zgjedhur heshtjen. Heshtje që prishet nga aksionet e “pionierëve” të kthyer në “letrarët e rinj”. Nuk është shumë e zorshme të kuptosh se të gjithë emrat me apo pa siglën “G99” poshtë, janë panciri mbrojtës i veprimeve dhe mosveprimeve të Ramës dhe mbështetjes pa pyetje të drejtuesit të “G99”. Duket se asnjë prej të rinjve nuk vepron me mendjen e tij. Sepse të paktën një mund të shprehej se Berisha duhet larguar qoftë edhe një ditë para fundit të mandatit të tij, sepse edhe 24 orë do të ishin shpëtim për Shqipërinë.


Por këtë s’e thotë askush, duke u përputhur çuditërisht me politikën e dy të sipërpërmendurve. Por përkundër kësaj, madje përkundër edhe deklaratave të Ramës për “mikun Ilir” “letrarët e rinj” të “G99”, sulmojnë fuqishëm një parti politike dhe një kryetar partie. Por askund nuk do të gjendet qoftë edhe një pëshpërimë për PS-në dhe Ramën.
Në një shkrim të para pak ditëve e krahasoja “G99” me Bashkimet Profesionale. Pranoj gabimin, sepse tek-tuk nga Bashkimet Profesionale ka pasur edhe zëra që dilnin kundër porosive të partisë. Kjo nuk ndodhte me “pionierët”, pikërisht se ishin pionierë, të pakufi në gëzimin e tyre për të mbajtur pankarta ku bëhej thirrje për vigjilencë dhe unitet.
“Gjithmonë gati”, është thirrja që sot i shkon shumë më përshtat anëtarëve të “G99”.

Jup Kazazi,ikona që mbajti gjallë antikomunizmin shkodran





Nga:Skender SHKUPI


Rreth 10 vjet më parë, rasti e solli të pija kafe me një biznesmen shqiptar, nga më të njohurit e asaj periudhe dhe po aq, ose ndofta më shumë në ditët e sotme. Me të drejtë zotëria në fjalë u shpreh: “Nuk e kuptoj përse politikanët shqiptarë injorojnë shtresën tonë të kapitalistëve të rinj në menaxhimin e problemeve kardinale të vendit.
Ore, ata duhet ta mësojnë një herë e mirë se jemi ne të pasurit, ata të cilëve u dhimbset më shumë ky vend, sepse po na erdhi armiku në vatër jemi ne që humbasim më shumë.

‏ Të tjerët, ata që kanë shumë pak ose nuk kanë asgjë, ikin dhe as që e kthejnë kokën prapa. Prandaj na takon neve të kemi më shumë akses në politikën e këtij vendi”.
Është e tepërt të them se mu dukën me vend fjalët e tij, ndonëse pa dashje mu kujtua se bashkëbiseduesi im, në kohët e diktaturës, pat qenë në role drejtuese të një regjimi, që kishte si lajtmotiv sentencën “historinë e bën opinga”. Për gati gjysmë shekulli të pasurit e të shkolluarit e Shqipërisë u shpallën si e keqja më e madhe e këtij vendi, si rrjedhojë ne gëzuam atë “lumturi” të papërshkrueshme, që një shkodran hokatar e pat sintetizuar me dialogun ndërmjet dy bashkëqytetarë ve të tij:


“Si thua ti, a ka Zot?”


“Ka mor mik, si nuk paska!”


“Po unë nuk e shoh kund.”


“Kjo nuk do me thanë gja, a ka pasë Shkodra mirëqenie në kohën e Partisë së Punës?


Sigurisht që ka pasë, veçse ajo nuk dukej. Po për të pasë ka pasë ama”.


Djali i Hamz Kazazit


Nga mesi i shekullit XIX, Pietro Marubi, një italian i pasionuar pas artit të ri të fotografimit të sapozbuluar nga Lui Dagerrë në Francë, erdhi në Shkodër dhe u vendos përfundimisht në atë qytet që aso kohe ende ishte ndërmjet më të mëdhenjve të gadishullit të Ballkanit. Ai fiksoi më 1858, pra 150 vjet më parë, të parën fotografi historike në Shqipëri. Ishte portreti, në këmbë, i një burri hijerëndë e madhështor, me kostumin karakteristik kombëtar të Shkodrës, që mbante në dorën e majtë një bastun të ngjashëm me një “skeptër”.


Ai ishte Hamz Kazazi, një nga drejtuesit myslimanë të qytetit, i njohur për pasurinë, fisnikërinë dhe oborrësinë e tij, aq të spikatur te qytetarët e vjetër shkodranë. Hamz Kazazi kishte qenë drejtues i kryengritjes së madhe antiosmane të Shqipërisë së Veriut të vitit 1835. I brumosur me një dashuri të pakufishme për vendin e tij ai u la trashëgimtarëve, më shumë se çdo pasuri tjetër, ndjenjën e ngrohtë të atdhedashurisë dhe të gatishmërisë për të mos kursyer as jetën për Atdheun dhe Kombin e tyre.
Nga një vatër e tillë do të lindnin edhe burra të tjerë fisnikë e trima, që do të ecnin në vazhdën e traditës së familjes së tyre. I tillë ishte edhe Jup Kazazi, intelektual cilësor, nacionalist i vendosur dhe luftëtar i shquar për liri e demokraci.


Arsimimi në Beograd e Torino


Lindi në Shkodër, më 1909. Që në moshën më të re shquhet për veprimtarinë e tij atdhetare ndërmjet studentëve të gjimnazit të Shkodrës. Ai gjendet më 1926 në krye të demonstratës popullore kundër të ashtuquajturë s Banka Kombëtare e Shqipërisë, që në të vërtetë kontrollohej në masën 75 % nga kapitali italian. Studentët arritën të ulin me forcë flamurin italian nga shtiza e vendosur përballë Bankës. Në vijim Jup Kazazin e shohim student në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Beogradit. Atje del hapur kundër politikës shkombëtarizuese të shovinistëve serbë në Kosovë dhe vijës së theksuar antishqiptare të Mbretërisë jugosllave ndaj Shqipërisë. Reagimi serb është i menjëhershëm. Ai dëbohet nga Jugosllavia për të vijuar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Torinos, qytet që së bashku me Milanon fqinje, përbënin pararojën ekonomike, shkencore e teknologjike të Italisë moderne.


Në përfundimet me nota të larta të Jup Kazazit në Torino ndikoi shumë edhe simpatia që ai kishte për pedagogun e tij të shquar të atij universiteti, ekonomistin Einaudi, i cili ishte ithtar i ekonomisë liberale të Perëndimit demokrat dhe antifashist i bindur. I takon kësaj periudhe një përkthim nga serbishtja nga Jup Kazazi të librit të Tuçeviçit, një social-demokrati serb, me titull “Serbët dhe shqiptarët”. Në atë vëllim Tuçeviçi kritikonte ashpër politikën e Beogradit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për fat të keq, përkthimi mbeti vetëm dorëshkrim e nuk u botua në Shqipëri për një arsye naive: autori i përkiste një partie të majtë serbe dhe pavarësisht nga gjykimet e tij objektive për shqiptarët, nuk mund të merrej në konsideratë!! ??…
Jup Kazazi kthehet në Shqipëri si një ekonomist i përgatitur profesionalisht dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja: serbokroatisht, italisht, frëngjisht e anglisht. Atë e zgjedhin kryetar të klubit “Djelmënia” në Shkodër.


Tashmë kemi të bëjmë me një personalitet të ri në moshë, por me një potencial të fuqishëm profesionalo- politik, që nuk mund të mos çmohej e vlerësohej në shkallë kombëtare. Përkatësia familjare e traditës së vjetër atdhetare shkodrane dhe niveli i lartë i formimit të tij intelektual, e radhitën natyrshëm Jup Kazazin në krahun e nacionalizmit shqiptar të kohës, pra në organizatën e Ballit Kombëtar, duke përqafuar platformën e “Dekalogut” të famshëm. Këtu është me vend të merremi me një detaj të rëndësishëm të veprimtarisë politike të Ballit Kombëtar në përgjithësi dhe të jetës së Jup Kazazit në veçanti.


Drejtuesit e organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar ishin patriotë të shquar dhe me një reputacion të panjollë e ndikim të madh në shtresat më të ndryshme të popullit në Shqipëri. Atdhedashuria e tyre nuk vihej aspak në dyshim. Fashistët kishin organizuar në atë kohë një administratë shqiptare, që ishte në shërbim të tyre. Për demagogji ata e paraqisnin Shqipërinë si një vend që vullnetarisht kishte hyrë në suazën e Perandorisë së re të Romës por që, në këtë kornizë, ishte e lirë dhe tepër e lumtur nga sundimi fashist. Në të tilla kushte, duke shfrytëzuar ato hapësira të ngushta që lejonte demagogjia italiane në Shqipëri, patriotët menduan se disa elementë atdhetarë të përgatitur, mund të vendoseshin në dikasteret e kontrolluara nga pushtuesit, për të lehtësuar apo sabotuar deri në njëfarë shkalle, sadopak të mundshme, barrën e rëndë të shtypjes dhe përpjekjet për italianizimin e Shqipërisë, që përbënte një projekt konstant afatgjatë e tepër të rrezikshëm për të ardhmen e shqiptarëve.


Kështu, me sugjerimin e Mit’hat Frashërit, Jup Kazazi zë vend në qeveri më 1942. Balta e hedhur nga historiografia komuniste ndaj atyre që vunë në rrezik emrin dhe reputacionin e tyre për një interes shumë më të lartë është sa dashakeqe, aq edhe e paargumentuar historikisht.
Dhe ja përse.


Të marrim një personalitet tjetër që është sulmuar po aq egër sa edhe Jup Kazazi për të ashtuquajturin “bashkëpunim me fashizmin”, ministrin e Arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqin. Ai ka qenë nismëtari i hapjes së qindra shkollave shqipe në Kosovën, që sapo i kishte shpëtuar zgjedhës serbe. Ajo periudhë e shkurtër trevjeçare, prill 1941-nëntor 1944, ka qenë koha kur fara e bekuar e shqiptarizmës moderne u mboll në ato treva për të dhënë frytet e saj më 1981, më 1990 dhe më 1999 me çlirimin përfundimtar e historik të Kosovës nga pushtimi 87-vjeçar serb. A mund ta bënte atë punë Ernest Koliqi po të mos ishte ministër i Arsimit i Shqipërisë së pushtuar? Çdo lexues i paindoktrinuar e ka të qartë përgjigjen.

Me frymën e një atdhetari


Ishin Hasan Dosti dhe Jup Kazazi, që më 1942 i dërguan peticion qeverisë fashiste të Romës për autonominë e Shqipërisë, për të drejtën e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe lirimin e të burgosurve politikë. Përgjigjja negative e qeverisë italiane dhe dënimi me pushkatim i të rinjve komunistë Hamit Mëzezi dhe Nikolla Tupe u dhanë rastin e bukur Hasan Dostit dhe Jup Kazazit që, në mënyrë demonstrative, të japin dorëheqjen. Një ecuri e tillë e ngjarjeve politike kishte një efekt shumë më të madh në popull, sesa tërheqja mënjanë e këtyre personaliteteve dhe kufizimi vetëm në ngjitjen e ca trakteve rrugëve të qyteteve tona apo të ndonjë atentati ndaj hierarkëve fashistë të dorës së tretë. Jemi ende në vitin 1942, kur luftime të çetave partizane apo nacionaliste ishin sporadike dhe të paorganizuara.
Jup Kazazi e priti me entuziazëm rezolutën e Mbledhjes së Mukjes për bashkimin e shqiptarëve në luftën antifashiste.


Si veprimtar tejet i rrezikshëm dhe kërcënues për pushtuesit italianë ai kërkohej me ngulm prej tyre. Ishte koha kur Jup Kazazi qëndronte në ilegalitet, pasi përndiqej nga fashistët. Ishte koha kur Ministria e Brendshme e Tiranës, me anën e një telegrami të datës 4 gusht 1943, e akuzonte atë për “përgatitje për kryengritje qysh para shumë kohe”.
Një faqe e lavdishme e jetës së Jup Kazazit ka qenë “lufta e Reçit”. Në fund të gushtit të vitit 1943 në Reç të Shkodrës u zhvillua një nga betejat më të mëdha kundër fashistëve, ku rolin kryesor e luajtën forcat e Ballit Kombëtar, të udhëhequra nga Jup Kazazi, që u mbështetën fort nga trupat e rregullta të ushtrisë shqiptare të dislokuara në Ulqin e që dezertuan për t’u bashkuar me nacionalistët, të komanduara nga Fuat Dibra. Pasi pat nisur beteja, forcave nacionaliste u erdhi në ndihmë edhe batalioni partizan “Perlat Rexhepi”. Beteja përfundoi me disfatën e trupave fashiste dhe fitoren e shqiptarëve që, ndonëse të urdhëruar të luftonin kryesisht njëri-tjetrin nga Miladin Popoviçi, papritmas u gjendën të bashkuar në Reç.
Historiografia komuniste u përpoq të përvetësonte edhe luftën e Reçit, duke e paraqitur si betejë të nisur, organizuar e të fituar vetëm nga partizanët e Enver Hoxhës, Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit.


Mirëpo ka dy të dhëna tepër domethënëse, që hedhin poshtë të gjitha pretendimet e komunistëve.
E para, forcat shqiptare të angazhuara në luftën e Reçit kanë qenë 890 vetë. Ndërkohë batalioni “Perlat Rexhepi” kishte 143 partizanë. Trupat italiane ishin mbi 2400 veta. Cila llogari mund ta nxjerrë fitues një njësit partizan ndaj një kundërshtari 16 herë më të madh? Përralla të tilla e kanë bërë një intelektual të Tiranës, me një “biografi të shkëlqyer komuniste” (I ati pat qenë funksionar shumë i lartë i shtetit komunist, por për arsye etike nuk po ia zëmë emrin në gojë) që pyetjes për LANÇ të popullit shqiptar iu përgjigj: “Lufta jonë NÇ ka qenë një vepër e lavdishme e kinostudios ‘Shqipëria e re’”.
E dyta, në telegramin që prefekti i Shkodrës i bënte MPB në Tiranë, jepej kronika e ngjarjes dhe armiku përkufizohej me përçmim si “Bandat e Jup Kazazit”. Nuk kishte asnjë arsye që të mbroheshin komunistët e batalionit partizan, i cili as që përmendet në telegramin e prefektit fashist. Mirëpo historianët e djeshëm kishin një model: ata duhej me doemos që faktet t’ia përshtatnin modelit të gatshëm e jo të ndërtonin modele në varësi të fakteve. Kjo është një histori bajate tashmë, ndonëse rezistenca për ta mbajtur ende gjallë atë model të dështuar studimor ngjan të jetë ende e pranishme në terrenin e studimeve shqiptare.


Megjithë dështimin e Mukjes, Jup Kazazi nuk hoqi dorë nga përpjekjet për bashkëpunim me forcat partizane. Por zhgënjimi i tij qe i madh, kur në një debat me Vasil Shanton, militanti komunist hodhi poshtë me zemërim çdo variant të Shqipërisë Etnike për të cilën këmbëngulte me forcë Balli Kombëtar. Ndërkohë gjatë gjithë vitit 1944, Jup Kazazi mbajti lidhje e bashkëpunoi me anëtarët e Misionit Ushtarak Britanik, Majorin Nill dhe kapitenin Haberdin. Ata e patën vlerësuar lart në shkrimet e tyre luftëtarin patriot shkodran, që diti të diferencojë në aleancën e madhe antifashiste, qysh në vitet e L2B, krahun demokratik anglo-amerikan ndaj atij ruso-bolshevik.


Fundi i vitit 1944 po shënonte edhe fundin e pushtimit nazifashist të Shqipërisë. Po afrohej fitorja e madhe, që mund t’i jepte asaj edhe shansin e një lirie e demokracie të mirëfilltë. Mirëpo re të zeza kishin dalë mbi horizont dhe po mblidheshin me shpejtësi mbi qiellin shqiptar. Një pushtim i ri po përgatitej me përkushtim nga komunistët, të cilët këndonin me afsh atë këngën revoltuese për çdo shqiptar të ndershëm – “Bijtë e Stalinit jemi ne!”. Bijtë e Stalinit e të Titos ishin në mësymje, duke përfituar nga koniunktura dhe rrethanat ndërkombëtare të asaj kohe, ndërkohë që nacionalistët shqiptarë qenë në tërheqje. Në prag të vendosjes së diktaturës së kuqe shumë eksponentë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit u larguan nga Shqipëria. Por Jup Kazazi dhe katër vëllezërit e tij qëndruan, për të vijuar luftën e pabarabartë me uzurpuesit e pushtetit politik në vend, duke e kthyer Shqipërinë praktikisht në një koloni sllave.


Me fitoren e komunizmit, Jupi dhe vëllezërit e tij kaluan në ilegalitet. Ata u përpoqën për organizimin e rezistencës antikomuniste në zonën e Shkodrës, në bashkëpunim me grupe luftëtarësh të Shqipërisë së Veriut e të Shqipërisë së Mesme dhe duke pasur edhe mbështetjen e prof. Abaz Ermenjit. U arrit të organizohen dy lëvizje të armatosura, dy kryengritje popullore, ajo e Malësisë së Madhe e vitit 1945 dhe Lëvizja e Postribës e shtatorit 1946. Ato qenë të parat kryengritje antikomuniste në të gjithë Evropën Lindore. Kryengritjet u shtypën me egërsi të paparë. U vranë e u masakruan, u ndoqën, u burgosën e u internuan, me gjyq e pa gjyq, qindra fshatarë, malësorë e qytetarë të Shkodrës. Ndërkohë, Jup Kazazi sulmohet në shtëpinë e tij për t’u arrestuar. Thirrjes për t’u dorëzuar ai iu përgjigj me një zë të fuqishëm: “Nuk dorëzohem i gjallë ndër komunistë!”, një britmë trimërie që u pasua nga krisma e një arme, intelektuali i shquar, ekonomisti cilësor dhe luftëtari i paepur për interesat kombëtare të vendit të tij, shqiptari i madh Jup Kazazi vrau veten.


Domosdoshmëria e rishkrimit të historisë
Vitin që vjen kemi 100-vjetorin e lindjes së Jup Kazazit. Është një rast i mirë për të kthyer vështrimin e për të parë edhe një herë me kujdes vendin që zë ai dhe të tjerë si ai në historinë e Shqipërisë. Pavarësisht se sistemi politik në Shqipëri ka ndryshuar në kuptimin që kemi të bëjmë me përmbysje të mirëfilltë ekonomike, politike e kulturore, përsëri, në fushën e historisë ende vijon njëfarë inercie jo fort befasuese e konceptimit të kuq të ngjarjeve, fakteve e personazheve. Nuk është shumë befasuese kjo që po ndodh për arsyen e thjeshtë se shumica e historianëve janë të brezit, që shkruan histori me porosi nga KQ i PPSH-së. Qëndrimi i sotëm i një pjese të këtyre studiuesve shpjegohet thjesht.
E para, ata kanë shkruar me vetëdije të plotë jo atë që ka ndodhur, por atë që u sugjeronte kupola e lartë e Partisë.


Mashtrimi u bë atëherë, por duke e përsëritur për 50 vjet me radhë, dalëngadalë edhe vetë ata nisën ta besojnë sajesën e tyre. U duket se e vërteta ka qenë pikërisht ajo që ata kanë shkruar.


E dyta, ata janë të ndërgjegjshëm që kanë mashtruar mirëpo një studiues i sotëm 70 apo 80-vjeçar e sheh si fatkeqësi të tmerrshme, që e gjithë puna e tij shumëvjeçare shkencore të bëhet pluhur dhe ai të kthehet në një anonim. Nuk është e lehtë, madje do të thosha është e pamundur, që një historian i modelit të vjetër ta pranojë një alternativë të tillë. Për të mbijetuar emri dhe vepra e tij ai do të luftojë egërsisht deri në fund, që në historinë e shkruar të Shqipërisë të mos ndryshojë asgjë.


Është një sfidë që demokracia jonë e brishtë duhet ta përballë. Është një sfidë që i takon ta fitojë brezi i ri i historianëve tanë, të ndershëm, profesionistë e pa paragjykime. Në fund të fundit është një betejë në fushën e dijes, një përballje ndërmjet demokracisë e diktaturës, një luftë konceptesh e vetëdijeje qytetare që kërkon përkushtim, këmbëngulje e atdhetarizëm të mirëfilltë.
Është një betejë që duhet fituar. Komunizmi është mundur kudo në Evropë. Është pjesërisht i mundur edhe në Shqipëri. Po mbahet ende disi në fushën e historisë. Nuk duhet ngurruar që të paktën në këtë fushë, ku janë të gjitha mundësitë e fitores së shkencës së mirëfilltë ndaj mashtrimit, të veprohet me përmbajtje profesionale e me vendosmëri.
Është një fitore e pritshme e dritës së demokracisë mbi errësirën e diktaturës.
Është një ripërtëritje, një rizgjim, një rikthim në identitet.


Thënë thjesht është një ndreqje gabimi.
Në fund të fundit, nga kjo, të gjithë shqiptarët do të dalin të fituar

Duhet ndalur sa me pare misioni antishqiptar i Janullatosit








At Nikollë Marku:Ne po greqizohemi; Janullatos jo misioner fetar, por agjent i shovinizmit grek!


Kanë nisur konfliktet në Kishën Autoqefale Shqiptare, pas emërimit si metropolit i disa qyteteve të jugut të Shqipërisë të një kleriku të lartë grek. Ka qenë At Nikolla Marku i Elbasanit, i pari klerik ortodoks që ka kundërshtuar në mënyrë të hapur vendimin e kryepeshkopit Anastasios Janullatos. At Nikollë Marku ka pranuar për gazetarët se Janullatos me veprimet e tij po greqizon totalisht Kishën Autoqefale Shqiptare. “Ajo tashmë është kthyer në një filial të Kishës Greke në Tiranë.

Këta ndryshime, bien ndesh me parimet e statusit të vetë kishës, parime këta që rrjedhin nga patriarkana e Stambollit dhe që janë ende në fuqi”, tha kleriku ortodoks duke kundërshtuar këtë fenomen.
Kleriku Ortodoks e ka akuzuar gjithashtu Janullatosun si një agjent të shovinizmit grek dhe jo si një misioner fetar. “Anastasios Janullatos nuk është në Shqipëri me një mision fetar, por agjent i shovinizmit grek që po cënon jo vetëm pronësimin e kishës shqiptare, por edhe
integritetin territorial te Shqipërisë.”, shtoi At Marku.I cili mbetet i habitur nga heshtja qeveritareve dhe nga indiferentizmi i partive politike.Megjithate At Marku shpreson ne ndergjegjesimin kombetar te shqiptareve.Duke shpresuar qe sa me pare ti pritet rruga kesaj maskarade antikombetare,qe po gatuajne helenet dhe sherbetoret e tyre ne Shqiperi.

Kisha ortodokse serbe lobon ne institucionet ndërkombëtare me film dokumentar

Kisha serbe ne mbrojtje te barbarise millosheviciane




Shkruan:Jeton KELMENDI

Qeveria e Serbisë këto ditë është duke bërë përpjekjet e fundit për ta mbajtur Kosovën në kufjet e shtetit serb. Për shumë vjet kisha serbe dhe Akademia e Shkencave të Serbisë punuan në propagandimin e çështjes së Kosovës. Ditët e fundit, pasi që i dërguari special i OKB-së për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, propozoi Pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, kisha ortodokse serbe e mbështetur financiarisht nga qeveria e Serbisë, nisi një lobim tjetër.
“Ditët që bëjnë frikë”, është projekti filmik-dokumentar që është xhiruar në Kosovën e pasluftës, por qe paraqitet 1998-2005. Ky lob ka filluar të propagandoj fuqishëm në institucionet ndërkombëtare, për gjoja vuajtjet dhe tmerret që janë duke i kaluar popullsia dhe kishat e manastiret serbe e të tjera që nuk janë shqiptare.

Ditën e premte të javës që lamë pas në zyrën e zyrtarit të lartë të Bashkimit Evropian Pierre Mirel, ka mbërritur një DVD me titull në “Days made of feat”, films abort Kosovo and Metohia. Të njëjtën dita një zyrtarë i BE-së më informoj për mbërritjen e një DVD. Ja kërkova dhe ma solli dhe e shikova. Ky projekt filmik është i ndarë në disa faza dhe ka rreth dy orë e gjysmë. Fillimisht Ninosllav Randjelovic autor i këtij filmi paraqet ditët e para të pasluftës në Kosovë, ku serbet dhe minoritetet tjera jo shqiptare vriten dhe u shkatërrohen pasuritë, për ketë ofron disa pamje filmike vetëm të vajosjes së serbëve nga shqiptaret. Më pas paraqet faza të tjera ku serbët thotë janë të mbrojtur nga KFOR-i por, jeta e tyre në çdo moment është e rrezikuar pasi që shqiptaret sulmojnë çdo gjë që është serbe dhe në çdo kohë. Në film janë përfshirë shumica absolute e enklavave serbe në Kosovë. Vërehet qartë se gjatë paraqitjes filmike të disa shtëpive të shkatërruara nga lufta, proklamohet se janë shtëpia të serbëve, e në fakt ka edhe shtëpia të shqiptareve, siç janë p.sh. në Pejë. Kameramani është munduar të filmoj me një mjeshtri qe mos të ketë sfond, mirëpo kur e njeh vendin mund ta dallosh.
Një fenomen tjetër që autori Randjelovic ka paraqitur, është se ai ua jep mundësinë të flasin të gjitha kategoritë e qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë. Është tepër për të habitur se që nga fëmijët e vegjël, pleqtë, gratë e të gjitha moshave, të rinjtë e deri tek popat, të gjithë e përdorin në fjalimet e tyre “shiptarske terroriste”. Ata përshkruajnë jetën e tyre në vuajtje. Kameramani filmon disa pleq serb që jetojnë në varfëri nëpër disa fshatra, pastaj filmon edhe disa dasma në Prizren për të vënë në spikamë dallimin e të jetuarit të dy komuniteteve. Për ta argumentuar agresionin e shqiptarëve ndaj tyre ai paraqet një fshatarë shqiptarë po në Prizren, i cili thotë në gjuhen shqipe “Rugova sa kurkushi, rugova s’a kurkushi, Thaçi a burrë, ai ka luftua dhe qe tash jemi të lirë, pa shkie, shkieve mirë jau ka ba duhet mei vra krejt”. Popat janë ata që më së shumti mbjellin urrejtje ndaj shqiptarëve me fjalimet e tyre akuzuese ndaj shqipëtarëve. Ata vazhdimisht flasin se serbet dhe të gjithë popujt tjerë jo shqiptarë janë të rrezikuar, por nuk ofrojnë ndonjë dëshmi nga minoritetet tjetra.
Filmi është i ndarë në shume faza dhe kryesisht i orientuar nga kisha ortodokse serbe. Përmendin pjesëmarrjen e serbëve me përbërjen e parë parlamentare të Kosovës më njëzet e dy deputet, por nuk përmendin vendet e rezervuara për ta. Më pas përmendet qeveria e re dhe zotëri Ramush Haradinaj, ku akuzohet edhe bashkësia ndërkombëtare për lejimin për tu bërë kryeministër siq e quajnë ata terroristi që ka bërë krime mbi popullatën serbe. Trazirat e marsit, kanë një hapësirë të veçantë, aty flitet nga popat se si janë shkatërruar kishat dhje manastiret serbe, paraqet edhe pamje filmike të popave dhe motrave të nderit nëpër objektet e djegura të kishave. Të dyja paletë akuzojnë shqiptarët dhe përdorin një fjalorë të vrazhdë dhe fyes. Në film nuk paraqitet asnjë sekondë se si jetojnë shqiptarët në jug të Mitrovicës. Kthimin e popullatës serbe nuk e trajton, por madje ruhet që shtëpitë e tyre të rindërtuara të mos i filmoj. Një fenomen tjetër që mund ta vëresh, por që nuk flitet për të është se ata bëjnë jetë të organizuar në institucione paralele. Kjo argumentohet nga veturat e filmuara të cilat kanë targa të vjetra siç kanë qenë në kohën kur Serbia e ka pasur të okupuar Kosovën. Në film janë paraqitur punonjës ndërkombëtarë që i përkasin besimit ortodoks, me storie paraqitën, për të dëshmuar gjoja atakun që është bërë në kishat ortodokse serbe ne Kosovë.
Ky lobim në kohën kur presidenti Ahtisari e ka bërë publik propozimin e tij për statusin e Kosovës, mendoj është përpjekja e fundit e Serbisë për Kosovën. Sido qe të jetë faktori shqiptarë duhet ta përcjellë dhe ta dëshmoj të vërtetën, në at mënyrë që ta demantoj ketë film që Kisha serbe është munduar ta improvizoj dhe ta gënjej opinionin ndërkombëtarë.

Ligji i dosjeve dhe paranoja komuniste


20081215173233dosja


Nga: Lorenc   RABETA

Që nga fillimi i viteve ‘90 dëgjojmë të debatohet rregullisht mbi domosdoshmërinë e shkëputjes së plotë nga e shkuara komuniste e vendit tonë. E vërteta është se hapat në këtë drejtim janë hedhur aq keq, sa sot, kur i ashtuquajturi ligji i dosjeve është kthyer në debat dite, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar, kemi një klasë politike të përbërë nga kampe që akuzojnë njëri-tjetrin për lidhje të drejtpërdrejta me të shkuarën komuniste, për mungesë vullneti për t‘i gjetur vërtet zgjidhje këtij problemi dhe, siç dëgjojmë gjatë gjithë kohës, për shfrytëzimin e ligjit për të përfituar politikisht.
Në fakt është një klishe e përsëritur nga të gjitha ato shtete që dikur i përkisnin bllokut komunist, që gjatë këtyre viteve janë përpjekur të shkëputen nga e shkuara famëkeqe komuniste. Në të gjitha vendet lindore, në një pikë të caktuar u arrit në dilemën nëse ligjet përkatëse të lustrimeve kishin qëllim në vetvete shkëputjen nga e shkuara komuniste, apo përdoreshin nga politika për të goditur kampet kundërshtare, ose shtresa të ndryshme të shoqërive përkatëse në bazë të interesave të diktuara nga momenti.
Pikërisht ajo që po shohim të ndodhë sot me ligjin e dosjeve në Shqipëri. Është vetëm politika ajo që ka marrë përsipër dhe po dikton rrugën e mjetet ku duhet mbështetur procesi i lustrimit për purifikimin e shoqërisë shqiptare. Këtë e vëmë re jo vetëm se debati mbi dosjet është mirëfilli dhe tërësisht politik, por se edhe opinioni shqiptar tashmë po e konsideron dhe po e debaton vetëm si të tillë. Në mediat e shkruara, ashtu si në ato televizivet, problemi nuk trajtohet më as si plagë e shoqërisë nga e cila duhet shpëtuar me çdo kusht, as si nevojë organike e shoqërisë, as si një makth që na mundon edhe sot çdo ditë, por thjesht si një debat mbi të cilin politika shqiptare, për interesa të caktuara, nuk po arrin të gjejë gjuhën e përbashkët.
Flitet për ligjin e dosjeve dhe për shkëputjen nga e shkuara komuniste si diçka që ekziston vetëm në letra, si një prej atyre detyrimeve të vendosura nga faktori ndërkombëtar që duhen përmbushur me çdo kush nga politika shqiptare, por që jo gjithnjë përbëjnë çështje jetike për realitetin shqiptar – si të qe një prej atyre ligjeve të diktuara nga institucionet ndërkombëtare që më së shumti janë luks i shoqërive të avancuara perëndimore.
Dhe ç‘është më e keqja, po e perceptojmë edhe ne si të tillë, si diçka që ekziston veç në letër, që nuk na përket, ose, në rastin më të mirë, si diçka shumë e largët që nuk na ka ngjarë vetë ne, por të tjerëve, njerëzve me të cilët nuk kemi pasur kontakt të drejtpërdrejtë.
Edhe individë të prekur drejtpërdrejt prej komunizmit, në gazeta e ekrane televizionesh e trajtojnë si diçka të largët e që më së shumti duhet marrë në konsideratë nga pikëpamja e filozofisë së regjimeve. Para pak muajsh, një ish i burgosur politik, që sot është një prej zërave më të spikatur të opinionit publik shqiptar, fliste gjatë një emisioni televiziv për kohën kur qe bërë pre e mekanizmit shtypës të Enver Hoxhës, si për diçka të largët e të harruar e që tashmë u përket vetëm faqeve të historisë e analizave politike.
E thënë më thjesht, shkëputja nga e shkuara komuniste nuk po kërkohet nga opinioni shqiptar, madje as nga ato shtresa të prekura më shumë nga të tjerat prej regjimit diktatorial, por vetëm nga politika, prej së cilës do të qe e kotë të pritej të mos e instrumentalizonte. Mungojnë thuajse tërësisht thirrjet me zë të lartë kundër kobeve të diktaturës, për të mos folur pastaj për mungesën e asaj doze të domosdoshme paranoje ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me komunizmin, që e kanë shfaqur vetëm kombet e mëdha sa herë ndjenin të afërt rrezikun e kuq.
Është fjala tek ajo lloj paranoje e krijuar prej opinionit amerikan, që do ta detyronte politikën të niste atë që sot njihet si gjuetia e shtrigave, e ushqyer nga “tmerri i kuq” që pushtoi shoqërinë amerikane. “Më mirë të vdekur, se të kuq”, thërrisnin amerikanët me shfaqjen reale të rrezikut komunist, pasi kjo murtajë qe përhapur në Evropën Lindore, Kinë e Kore. Në vitin 1947, Presidenti Truman nxori në skenë Programin e Besnikërisë së Punonjësit Federal, i cili ua ndalonte personave të konsideruar të rrezikshëm të punësoheshin në qeverinë federale. Kushdo që kërkonte të punësohej në administratën civile, duhej t‘u nënshtrohej hetimeve.
Në vitin 1950, senatori republikan, MekKarthi, i famshëm për atë që sot njihet si “gjuetia e shtrigave”, tha se kishte një listë me 205 anëtarë të Partisë Komuniste amerikane, të cilët punonin në departamentin e shtetit. Nuk paraqiti kurrë ndonjë provë të pakundërshtueshme, por tundi para kamerave një listë emrash. 9500 punonjës të administratës civile u pushuan dhe 15 mijë të tjerë u detyruan të dorëhiqen, mes të cilëve 6 qind mësues. Aktorë, regjisorë e skenaristë të famshëm, me bindje komuniste (shpesh mjaftonte vetëm dyshimi se qenë të tillë), nuk kishin më shans të ushtronin profesionin. Nuk u kursye as Çarli Çaplin, ylli i kinemasë, që u detyrua të linte Amerikën, për t‘u lejuar ta vizitonte përsëri vetëm pas disa dekadash.
Në të njëjtën kohë, Xhorxh Oruelli në Angli shkruante veprat antikomuniste “Ferma e Kafshëve” e “1984″, dhe godiste papushim në artikujt e vet nëmën staliniste. Njëherësh përpilonte edhe lista me ata elementë të elitës intelektuale britanike, të cilët i konsideronte si bartës të ideve komuniste, që përbënin veçanërisht rrezik për shoqërinë britanike. Edhe ai nuk do linte jashtë listës së zezë as Çaplinin.
Por këtë paranojë këto shoqëri të mëdha e shfaqnin edhe kur druheshin se komunizmi po rrezikonte të gjente hapësirë tek aleatët e tyre me demokraci më të brishta. Është shumë interesant reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në çastin kur Partisë Komuniste italiane të Enriko Berlinguer iu ndez drita jeshile për t‘u bërë pjesë e qeverisë – në një çast të caktuar lideri i demokracisë kristiane, Aldo Moro, e kishte parë të pamundur qeverisjen pa përfshirjen e komunistëve në kabinetin e ministrave. Një dokument i zbuluar vitin e shkuar në arkivat sekrete britanike, tregonte se si Londra e Uashingtoni përpara rrezikut të përfshirjes së Partisë Komuniste italiane në qeveri, kishin marrë parasysh edhe ndërhyrjen e armatosur në Itali, për ta ndaluar praninë e komunistëve në qeverinë e këtij shteti me rëndësi kyçe për NATO-n.
Në këtë klimë të re, kur edhe përvjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës e kujtuam thjesht si datë, kur ne jemi squllur dhe e kemi harruar nëmën komuniste, kur shkëputja prej së shkuarës diktatoriale nuk vjen si nevojë organike e shoqërisë shqiptare, por vetëm në formën e kërkesës nga faktori ndërkombëtar, është e kotë të presim që këtë plagë të na e shërojë politika, e cila në vite ka dhënë prova se nuk ka aspak vullnetin për ta zgjidhur, por veç ta përdorë si instrument për interesat e veta. Me të pranuar këtë, nuk duhet të çuditemi fare sikur pas dy apo tre vjetësh rreshtimet e ndryshme politike të nisin përsëri të kapen pas çështjes së dosjeve të motivuara ekskluzivisht nga përfitime të ngushta të diktuara prej nevojave të momentit.

Shqiptar, adresa ime e përjetshme




Nga: Arben  KASTRATI

Unë vij nga vendi që më shkakton dhimbje. Adresa ime e tanishme është: “Rruga e brengave”, pa numër, dhe çdo postier e di adresën time. Dhe çdo inkasant. (Dhe fuqizuesit e mospagesave).Vij nga vendi që ka mungesë të qartësisë. Nga vendi ku në trend është cinizmi. Ku në trend ishte mohimi i vetes e çdo gjëje vendore. Nga vendi ku kërkohet që t’mos ketë të kaluar…nga vendi me…

Njeriu i vendit e kohës sime, lëngon më shumë nga realiteti se sa dhimbjet e shkaktuara nga sëmundjet. Ndonjëherë, nevojitet ajo që të vetmen kemi – kohën, që t’na i shërojë plagët e shkaktuara nga koha, nga vetë jeta…Jam rritur e edukuar në një familje të veçantë, me prindër, motër e vëlla të shkëlqyeshëm. Kam lindur në Shkup, që ishte kryeqytet i Republikës së Maqedonisë. Jam rritur në Prishtinë, që ishte kryeqytet i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

I tërë vendi përbëhej nga 6 republika e 2 krahina, që ishin të barabarta (në letër) në kuadër të Federatës që quhej Jugosllavi. Babi, mami, motra, vëllau e unë, quheshim jugosllav, edhe pse ishim shqiptarë. Jam rritur brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, duke kërkuar në vazhdimësi identitetin tim. Ishin tri faza që karakterizonin të jetuarit në ish-Jugosllavi. E ato ishin:
- mungesa e identitetit (të qenit shqiptar në ish-Jugosllavi)
- identiteti i gabuar (të qenit shqiptar në ish-Jugosllavi)
- ndërtimi i identitetit (të qenit shqiptar paslufte në…)
Në ’70-’80-at jetoja në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Adresa ime ishte: Rr. “Sava Kovacevic”, Nr. 5/A, 38.000, Prishtinë, Kosovë. Më quanin jugosllav. Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë. Në gjysmën e parë të ’90-ave, jetoja në Republikën Jugosllave. Adresa ime ishte: Ulica “Carica Milica”, Br. 5, 38.000, Pristina, Kosovo i Metohija. Më quanin jugosllav. Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë.
Në fillim të mileniumit, jetoja në Unionin Serbi-Mal i Zi. Adresa ime ishte: Ulica “Car Lazar”, Br. 40, 38.000, Pristina, Srbija. Më quanin jugosllav, edhe pse Jugosllavia s’ekzistonte. Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë.
Në vitet 2000-2007, jetoja në tri adresa të ndryshme:
- St. “Resolution”, Nr. 1244, New York, Pristina, Kosovo, Serbia, UNMIK
- Ulica “Car Lazar”, Br. 40, 38.000, Pristina, Kosovo i Metohija, Srbija
- Rr. “Adem Gashi”, Nr. 42, 10.000, Prishtinë, Kosovë
Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë.

Ende vazhdoj të jetoj në të njëjtën shtëpi, pa adresë, në vendin që quhet – Kosovo. Të gjithë më quajnë kosovar, e përsëri, askush s’më quan shqiptar.
Përsëri, nga unë kërkohet të ndërroj identitetin, të jetoj në adresë të re…
S’besoj të ketë ndërruar më shumë adresa e të ketë jetuar njeri (popull) në më shumë shtete pa luajtur nga vendi…
* * *
Unë jam shqiptar. Gjuha ime është gjuha shqipe. Atdheu im quhet Shqipëri. Jetoj në pjesën veriore të Shqipërisë, që quhet Kosovë. Në jetën time, në vazhdimësi kam pasur mungesë të identitetit kombëtar. Përsëri kam mungesë identiteti. Vazhdimisht kam kërkuar të quhem shqiptar e jam quajtur ndryshe. Unë vazhdoj të jem shqiptar, dhe si i tillë kam vetëm një atdhe – Shqipërinë. Kërkoj ndjesë nga realiteti, por, nuk pranoj të më quajnë ndryshe, përpos shqiptar. Askush nuk mund të më detyrojë të ndërroj identitet, të quhem ndryshe, të ndihem ndryshe e as të flas ndryshe. As të pranoj atdhe ndryshe.

KTHIMI YNË NË EVROPË

Shkruan: Ali PODRIMJA


Ka shekuj qe trojet tona kanë marrë pamjen e tmerrshme: me plot kufij e murana pas të cilave fshihet shqetësimi ynë gjithëkombëtar. Siç e theksoi edhe shkrimtari ynë i nderuar Kadare në një intervistë, qetësia jonë antike u thye kur fiset sllave nisën të zbrisnin nga Karpatet dhe kur fqinji ynë jugor, për lirinë e mirëqenien e të cilit kontribuuam edhe ne shqiptarët, ia ktheu shpinën antikitetit dhe u turr pas Bizantit. Pse veproi kështu, dihet.
Ato që ndodhën pastaj ishin ngjarje të dhembshme. Marramendëse. Të paharruara. Fiset ilire u shpërngulën në ëndrrat tona dhe në kujtesën e brezave u ngulitën emra tragjikë si Morea, Toplica, Çamëria, Kosova. Është për t’u çuditur se për këto humbje të hapësirës sonë, gati në asnjë tekst shqiptar nuk u vërejt ndonjë mallkim apo hasmëri ndaj fqinjëve tanë, edhe pse trojet tona na i qitën shpesh në treg. Në bibliotekat tona renditen libra të dhembjes kombëtare, por edhe të shpresës se një ditë edhe fqinjët e të mëdhenjtë do ta kuptojnë hallin tonë gjithëkombëtar.
Vitet 1878, 1913, 1919, 1924, 1945 të kongreseve e të konferencave të shënuara e të pashënuara, janë akte të tragjedisë sonë kombëtare, të eksodeve, të ndjekjeve, të vrasjeve dhe shpërbërjeve të hapësirës sonë. Në mënyrë misterioze, për një gjysmë shekulli na shkëputën nga bota dhe na dënuan me natën e gjatë pansllave, duke na çoroditur si komb e karakter. Në vetminë tonë të vdekshme tentuan të na mbyllnin hermetikisht dhe monopolin mbi fatin e identitetin tonë kombëtar e morën të huajt dhe sharlatanët e oborreve… E kjo, a mund të quhet krenari kombëtare?!
Stolisje i kishim kampet e përqendrimit dhe kazamatet e panumërta: nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim. Nuk dinim ku gjendet Çamëria apo ku bie Kosova, ku nis Burreli e ku mbaron Idrizova famëkeqe. Thellë në qenien tonë ishte shtrirë nata e shkurrës dhe nga truri i kombit bëhej shpëlarja totale. Etiketimet e të gjitha kuzhinave na rrënonin dheun nën këmbë.
U desh të ndodhte 11 marsi i vitit 1981, kur studentët e Universitetit të Kosovës, ndër të parët në Evropën e Lindjes, ia kthyen shpinën ideologjisë bolshevike: një popull, një kushtetutë, një gazetë, që ishte rrena më ordinare e përgatitur për zhdukjen e popujve të vegjël. Ndodhi pastaj edhe dita e 22 marsit 1992, kur për herë të parë në historinë shqiptare, triumfoi opsioni demokratik dhe populli shqiptar zgjodhi atë që e deshi, pa diktatin e huaj. Ishte ëndrra jonë, e nisur që nga koha e rilindasve, kthimi ynë në Evropë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...