Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/07/25

PSE KOSOVA U BE SHTET ?





Shkruan:Ramush TAHIRI



Pse Kosova u bë shtet në nismë të shekullit njizet e nji ? Asht kjo pyetja që shtrohet edhe si habi edhe si nji lloj mosbesimi se si në kohën e integrimeve europiane ishte e nevojshme që Kosova të shkëputej nga Jugosllavia, përkatësisht nga Serbia?Çështja e Kosovës nuk mund të kuptohet nëse nuk shihet fillimi, nëse nuk shihet koha dhe rrethanat në të cilën doli si nji çashtje e pazgjidhun ose thanë ma mirë, si nji çashtje e zgjidhun në mënyrë të padrejtë.

Në nismë të shekullit njizet, populli shqiptar u ngrit në kryengritje të përgjithëshme kundër Turqisë. Në kohën kur kryengritësit hynë në Shkup, si qendër e Vilajetit të Kosovës, vendet Ballkanike sulmuan Turqinë, jo për t’i ndihmu kryengritësit, por për të pamundsue themelimin e shtetit etnik shqiptar dhe për t’i nda tokat e tyne ndërmjet veti. Përfaqsuesit e të gjitha krahinave shqiptare u mblodhën në Vlonë dhe e shpallën pamvarësinë më 28 Naduer 1912, por Konferenca e Ambasadorve në Londër, e vjetit 1913, nuk e njohu Shqipninë si shtet në kufijt etnik, por përjashta saj la ma shumë se gjysmën e territorit dhe të popullsisë. Kryengritja shqiptare që plasi në Malësinë e Gjakovës, në Lumë e në Dibër, u shue me gjak e represalje pa mund me e ndryshue as për nji metër kufinin. Përpjekjet për liri e bashkim vazhduen edhe më 1920, edhe më 1924, në Neutralin e Junikut edhe me Lëvizjen e Kaçakëve, por pa sukses në qëllimin themelor. Edhe organizimi legal politik nëpërmjet “Xhemijetit” nuk solli ndonji rezultat…



Njiher Serbia e ma vonë edhe Jugosllavia ndërmorën gjithë arsenalin e masave për shkombëtarizim të shqiptarëve, për shpërngulje të shqiptarëve prej trojeve etnike, tue i çue në Turqi, e tue i kombinue këto masa me sjelljen e kolonëve serbë në Kosovë dhe me krijimin e vendbanimeve dhe të qytezave të reja me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike dhe të serbizim të Kosovës. Si rezultat i kësaj edhe sot pjesa dërmuese e serbëve të Kosovës kanë prejardhje kolone.



Lufta e Dytë Botnore solli bashkimin e pjesës ma të madhe të territoreve shqiptare me Shqipninë, i cili bashkim u cilësue si krijim fashist mbas përfundimit të luftës. Jugosllavia socialiste mbas vitit 1945 u zgjanue në drejtim të Italis, tue i përzanë edhe tetëqind mijë italianë, por e mbajti Kosovën tue e vazhdue zbatimin e planit të Kralit për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Mbas Plenumit të Brioneve të vjetit 1966, shqiptarët e forcuen dhe u ngritën në nivel të kombësisë tue pasë një autonomi të gjanë në Kosovë, dhe tue u ba element konstitutiv i Federatës Jugosllave, e cila autonomi u hoq nga Serbia me dhunë në vjetin 1989. Kosova mbas kësaj i krijoi institucionet e veta, njiher tue i dorëzue deri në nji librezat e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, mandej tue i krijue partitë e veta edhe ate ma masoviken Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe tue zgjedh Qeverinë, ministritë, Kuvendin dhe tue e krijue dhe zbatue politikën paqësore aktive, e cila i largoi përfundimisht shqiptarët dhe Kosovën prej Jugosllavisë dhe prej Serbisë.

Lufta e armatosun e popullit të Kosovës, e udhëhequn prej UÇK, solli intervenimin e NATO-s dhe vendosjen e Kosovës nën administrim ndërkombëtar me Rezolutën 1244 të 10 Qershorit të vitit 1999. Nën këtë administrim u mbajtën tri palë zgjedhje lokale dhe në nivel vendi, që dëshmuen kulturë të naltë qytetare, ndërsa edhe tetë standardet e vendosuna nga ndërkombëtarët për Kosovën u kaluen me sukses.

Bisedimet e nisuna ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përcaktimin e statusit të Kosovës nuk sollën rezultat, por Kosova pranoi Pakon e Ahtisaarit, ndërmjetësuesit ndërkombëtar për bisedimet, dhe ky ishte argument i fortë që Kosova të njihet si shtet nga shtet kryesore si SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania…menjiherë mbas shpalljes së pamvarësimit me 17 Fror 2008.
Kosova kështu u ba shteti i 193 i botës, tue u përmbyllë kështu nji çashtje e hapun ma së paku tash e nji shekull.

Mbas zaptimit të Kosovës nga Serbia, udhëheqësi i kryengritësve Isa Boletini i kishte thanë përfaqsuesit të qeverisë së Serbisë Jovanovic-Pizon se, “Serbia po ban gabim të madh. Ajo gjithmonë ka me pasë probleme me nji milion shqiptarë të mbetun brenda kufijve të saj dhe nuk ka me mujt asnjihere me i nënshtrue..”
Kur ministri i jashtëm i Italisë fashiste grofi Çano i kishte propozue monarkut të Jugosllavisë ndamjen e Shqipnisë, knezi Pavle i ishte përgjigjë: “Kam qaq shumnë shqiptarë përmbrenda territorit të mbretënisë teme dhe po mo sjellin aq shumë probleme, sa nuk kam asnji dëshirë për me e rritë numrin e tyne…”



Një diplomat anglez në agimin e shpalljes së pamvarsimit të Kosovës tha:”Askush nuk mërzitet për përmbushjen e andrrës shekullore të shqiptarëve të Kosovës për liri e pamvarësi, por unë nuk shohë asnji alternativë tjetër se si të zgjidhet kjo çashtje dhe të stabilizohet Ballkani. Gadi njiqind vjet ma përpara kryeministri anglez Grey pat deklarue se “popullit shqiptar iu ba nji e padrejtë e madhe, por ky ishte nji flijim për ruejtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan…”



Për dallim prej kombësive të tjera në ish Jugosllavi, italianëve, gjermanëve, hungarezëve… vetëm shqiptarët e realizuen me sukses projektin e vet politik dhe e krijuen shtetin e Kosovës që u pranue ndërkombëtarisht.



Me gjithë ruajtjen e idesë themelore, projekti edhe në këtë rast pësoi ndryshime thelbore. Kosova po krijohet si shtet qytetar, identiteti po krijohet si identitet shtetëror, kontrata themelore e shtetit dhe e qytetarëve asht Paketa e Ahtisaarit, dhe Kosova si rajon së bashku me vendet e tjera në të njejtën kohë me Serbinë, nëse atje shkojnë drejtë proceset demokratike, do të anëtarsohet në Bashkimin Europian.

Partiotet patriote







Nga:Armir SHKURTI



Në një prej fabulave të tij, Lafonteni tregon sesi miza u ngjitet gjashtë kuajve që tërheqin karrocën nëpër vapë, në një udhë mali. Shpo njërin e gudulis tjetrin, miza mendon se e shtyn ajo karrocën përpara. Ky imazhi i mizës ka nja ca muaj që më vërtitet, sa herë shoh mundimin e madh të politikës sonë për zgjidhjen e halleve të Kosovës. Në krizën e Presidentit, verën e vjetshme, gati sa nuk quhej tradhti ideja e zgjedhjeve të parakohshme, që do t‘i prishnin punë Kosovës.
Më vonë, kur gjithë vjeshtën e gjysmën e dimrit i gjithë vendi nuk kishte korrent, askush nuk mori mundimin të lëvizte, se mos i prishte punë Kosovës. Në këto ditët e hipjes së madhe të bukës, korrentit, vajit e perimeve sërish nuk pipëtiu shqiptari i këtuhit për të mos i prishur punë vëllait kosovar, megjithëse karrocën e pavarësisë në çdo çast e tërhiqnin kuaj të tjerë. Se ç‘është gjithë ky pasion patriotik e kupton lehtësisht, nëse mban parasysh që damkosja më shkatërruese për një shqiptar është emërtimi si “agjent serb”.



Duke qenë se për çdo kundërshti, protestë, mor edhe acarim të vogël, menjëherë fajtorit do t‘i vihej në dukje se po i prishte punë Kosovës, dhe duke qenë se po t‘i prishësh punë Kosovës i rregullon punë Serbisë, atëherë del se je agjent serb! E kujt ia mban me këtë argumentim të luaj bishtin? Aq i fortë paska qenë ky kompleks, sa më 17 shkurtin e 2008-ës ekstaza mëmëdhetare u shpreh në format më të çakërrdisura të mundshme. Për shembull: megjithëse atë ditë të binin veshët në tokë nga ngrica, Bashkia e Tiranës shpalli shëtitjen e lirisë, duke vendosur nën shtetrrethim gjithë zonën brenda unazës së kryeqytetit, a thua se zhvillohej maratona e Nju Jorkut e nuk mjaftonte bulevardi ku jetë e mot tiranasit kanë shëtitur, si në liri, ashtu edhe në robëri. Po kaq komik u duk edhe Kuvendi që pa në mënyrë të organizuar në televizor atë që po ndodhte në Prishtinë. Edhe këtu, frika se mos merrej për ters mungesa, bëri që të mungonin vetëm ata që shkuan pa leje në Kosovë.



Madje, patriotizmi dhe përkushtimi për Kosovën mbeten ndër të vetmet pika, ku të gjitha krahët kanë qenë të gatshme të punojnë, bashkëpunojnë, votojnë e deklarojnë se janë kurdoherë të bashkuar e në një mendje. Le të kujtojmë se gjatë luftës së ‘99-ës, kur Maqedonia priti gjithë-gjithë nja njëzetmijë refugjatë, kërkoi menjëherë nga bota dhe aleatët ndihmë ekonomike. Ndërsa ne pritëm e strehuam me forcat tona, gjysmë milioni vëllezër dhe nuk kërkuam asnjë qindarkë, sepse qe turp… Këto javët e fundit, BE iu lut Serbisë ta fusë në gjirin e saj, me kusht që të heqë dorë nga Kosova, ndërsa ne, në asnjë rast e asnjë rrethanë nuk kemi hyrë ndonjëherë në pazar. Kjo, jo vetëm se gjithnjë kemi pasur çelësat e kashtës, por edhe nga patriotizmi. Nëse ky është patriotizëm…



Ndaj, në një farë mënyre, ne nuk iu gëzuam thjesht pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por edhe të Shqipërisë nga Kosova e anasjelltas, pasi historia ka treguar që në çastet më të vështira për Kosovën ne kemi rrënuar vetveten, duke i prishur punë njëri-tjetrit. Tani që ky kapitull u mbyll, ku do ta çojmë gjithë këtë vlagë atdhetarie? Mbase tepron ca edhe për ne këtej? Jo për gjë, por kur të majtë e të djathtë bëhen grusht për shqiptarët matanë, a nuk është patriotizëm edhe çështja e shqiptarëve të këtushëm? Ka mjaftuar një gjysmë dite për pakte, deklarata e rezoluta për Kosovën në Kuvendin tonë, ndërkohë që nuk na kanë dalë 18 vite për ca pakte të thjeshta që, në mos i japin fund lëngatës, të paktën na lehtësojnë ca dhimbje e vuajtje. Për shembull, nëse politikanët tanë patriotë bien dakord që të mos e trazojnë administratën sa herë fitojnë zgjedhjet dhe që në zyrat e shtetit të punojnë vetëm të aftë, atëherë jo vetëm që rruga për në Evropë është më e shkurtër, por edhe mëmëdheu, në mos do bëhet bahçe me lule, të paktën s‘do mbetej kaq djerrinë sa sot. Apo, sikur të bëheshin bashkë e të regjistronin saktë shtetasit e këtij vendi, pastaj t‘u jepnin nga një kartë identiteti, siç jepej më parë sa mbushje të gjashtëmbëdhjetat, sot mbase zgjedhjet mund të qenë më të ndershme dhe ne mund të lëviznim më lirshëm në BE.



Pa shumë gjak e sakrifica, patriotët tanë mund të bënin edhe një pakt për mbylljen e tetëmbëdhjetë viteve tranzicion, akt patriotik ky që sjell më pas stabilitet e zhvillim. Më shkoqur: Bollëk e mbrothtësi. Se nuk ka ngelur shqiptar pa shfryrë nëpër kafene ndaj bashkatdhetarëve tanë që kanë ndërruar fe e emër në Greqi. Mirëpo, siç thotë Uilljam O‘Henri, “dashuria, puna, familja, feja, arti, patriotizmi janë llafe në erë për dikë që vdes urie”. Dhe bëhen nja një milion e gjysmë këta që skamja i ka vërvitur nëpër botë në dy dekadat e fundit dhe po aq që, po t‘u jepet rasti të lënë hijen pa një pa dy. Pra për t‘i rënë shkurt, ka një çështje shqiptare edhe këtu në Shqipëri. Patriotizëm është të bashkëpunosh edhe për të, aq më shumë që për të nuk ka më kuaj të botës për ta tërhequr.

Diplomati i “nyjeve gordiane” shqiptare



Faik Konica: “Rauf Fico ishte shqiptar kur s’kishte Shqipëri”
Nga:Dr. Shyqyri HYSI
Tashmë opinioni kombëtar shqiptar është i mirë informuar për figurën e atdhetarit, shtetarit dhe diplomati shqiptar, Rauf Fico. Ai lindi në Sana të Jemenit më 13 mars të vitit 1881 dhe vdiq në Tiranë më 23 janar të vitit 1944, në moshën 63 vjeçare. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të kohës rezulton se, Rauf Fico lindi në Sana të Jemenit, por u regjistrua në Gjirokastër për arsye të transferimit të babait të tij Kadiut, Tahmaz Ficos për në Shkodër.
Pasi përfundoi studimet e larta në shkollën më në zë të kohës, Mylkie, Stamboll në korrik të vitit 1903. Për të kryer stazhin e nëpunësit, u dërgua në Janinë, pranë valiut të Janinës, në rolin e sekretarit. Në këtë detyrë, qëndroi deri në prill të vitit 1906, kur u emëruan kajmekam (N/prefekt) i Konicës). Detyra të cilat i kreu edhe në Himarë, maj-tetor 1909, Margëllëç, detyrë të cilën e mori më 15 tetor, Kërçovë, në dy krahina të Anadollit, pranë Ankarasë etj.. Për veprimtarinë kombëtare të deriatëhershme, Raufin, sipas njoftimit të shpallur nga fletorja “Zgjimi i Shqipërisë”, gusht 1910, xhonturqit kërkonin ta emëronin në qytetin Jaban-Jabat, në brendësi të Anadollit. Mirëpo Raufi dha dorëheqje dhe erdhi në Gjirokastër.
Shpirti i tij atdhetar dhe veprimtaria e theksuar kombëtare bënë të mundur që Raufi, së bashku me Bajo Topullin të ishin delegatë të Gjirokastrës në Kongresin e Manastirit.
Me shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, së bashku me disa atdhetarë të tjerë, braktisi detyrën e Prefektit në Kirseit dhe erdhi në Vlorë. Duke ditur aftësitë organizative të Rauf Ficos, Ismail Qemali që e njihte personalisht, e mori Rauf Ficon këshilltar në Ministrinë e Brendshme, pranë ministrit Myfyt Bej Libohova. Në verën e vitit 1913 në përbërje të delegacionit të qeverisë së Vlorës shkoi në Romë dhe Vjenë, “për të mbrojtur të drejtat kombëtare atje tek të jetë nevoja. Në komision u zgjodh Kryetar, Ekrem Libohova ndërsa anëtarë; Ajet bej Libohova, Rauf Fico, Thoma Papapano dhe Llambi Prifti”.
Masakrat dëbimet, djegiet e fshatrave prej grekëve mbi Shqipërinë e Jugut 1913-1914, çuan në një gjenocid të pa provuar për Shqipërinë e Jugut. Me iniciativën e Rauf Ficos u organizua mitingu i nëntorit të vitit 1913 në Vlorë, qëllimi i të cilit ishte për të kundërshtuar politikën aneksioniste greke, ndaj trojeve shqiptare të jugut.
Krijimi i Qeverisë së Princ Vidit, me kryeministër Turhan Pashën, nuk la pa përfshirë në aparatin qeveritar edhe Rauf Ficon. Ai u emërua, Shef i Kabinetit të Turhan Pashës, detyrë të cilën e kreu deri në pushtimin austro-hungarez.
Gjatë periudhës së pushtimit austro-hungarez, e deri në Kongresin e Lushnjes, janar 1920, Rauf Ficua ishte N/Prefekt i Tiranës. Me formimin e Qeverisë së Sulejman Delvinës dhe vendosjen e saj në Tiranë, Rauf Ficua u emërua Shef i Seksionit në MPB me titullar Ahmet Zogun, post të cilin e mbajti deri në kandidimin e tij, si deputet i Prefekturës së Durrësit.
Gjatë krizës qeveritare në vitin 1921, prej 12 deri në 24 dhjetor 1921, ishte anëtar i Kabinetit të Idhomeno Kosturit (12 dhjetor 1921 deri më 24 dhjetor 1921) dhe mbajti portofolin e Ministrit të Punëve të Brendshme postin e Zëvendësministrit të Brendshëm, Rauf Ficua do ta ketë edhe në vitin 1923.
Në zgjedhjet e dhjetorit 1923, u zgjodh për herë të parë deputet i Prefekturës së Durrësit, si përfaqësues i N/Prefekturës së Tiranës në Kuvendin Kushtetues, i cili pati një jetëgjatësi të shkurtër, për shkak të ngjarjeve të qershorit 1924 dhe dhjetorit të po ati viti.
Rauf Fico u rizgjodh përsëri deputet i Prefekturës së Durrësit në zgjedhjet e 17 majit të vitit 1925. Rauf Fico ishte njëkohësisht deputet dhe anëtar i dhomës së deputetëve.
Duke ndjekur itinerarin e emërimit të Rauf Ficos si diplomat, mund të shprehem pa ngujim, se Rauf Fico ishte diplomati i “Nyjeve Gordjane” shqiptare, gjatë viteve 1925-1939.
Në vitet 1928-1929 (nëntor1928-prill 1929), Rauf Ficua ishte Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd, detyrë të cilën do ta kryej edhe në vitet 1932-1936.
Më 14 janar të vitit 1929 u emërua ministër në MPJ, por detyrën e mori më 17 prill të po atij viti. Në 5 prill 1930 dha dorëheqje, por pas dy ditësh Mbreti e riemëroi ministër të Punëve të Jashtme dhe Zëvendësministër të Punëve të Brendshme, detyra të cilat i vazhdoi deri më 11 prill të vitit 1931.
Në nëntor të vitit 1931, jep dorëheqje nga posti i Ministrit të P. Jashtme, për shkak të kontradiktave me Kryeministrin. Shkak u bë reforma administrative, për të cilën Kryeministri nuk pranonte idetë e Rauf Ficos. Nga viti 1932 deri në dhjetor 1936 Reuf Fico ishte i dërguari i jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplot i Shqipërisë në Beograd.
Në dhjetor të vitit 1936, u thirr në Tiranë dhe qëndroi në dispozicion të Ministrisë së Jashtme deri sa u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë.
Në korrik të vitit 1938 u emërua Ministër fuqiplotë në Berlin deri më 3 qershor të vitit 1939, kur Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare dhe përfaqësitë shqiptare së bashku me përfaqësitë e huaja në Shqipëri, u suprimuan prej pushtuesve italianë.
Pushtuesit fashistë duke parë qëndrimin prej patrioti të Raufit, e internuan në gusht të vitit 1939 në Itali, ku qëndroi deri në shtator të vitit 1943. Dokumentacioni i kohës dëshmon se italianët i propozuan Raufit të punonte në administratën e shtetit të ri shqiptar nën suazën e Italisë, po Raufi nuk pranoi dhe u internua së bashku me Mehdi Frashërin e Lef Nosin në Itali. Italianët, gjithashtu, nuk mund t’i falnin Ficos protestën që Reufi bëri pranë Rajshtahut Gjerman, më 7 prill 1939, sikurse dhe telegramin për gjithë përfaqësitë diplomatike shqiptare. “Mos e ulni Flamurin.
Mbaheni sa më gjatë të jetë e mundur ngritur”. Me tu kthyer nga Italia, Komanda gjermane i komunikoi urdhrin e Hitlerit për Regjent, por Rauf Fico refuzoi prerë, duke përsëritur edhe një herë, “Save the Face” (Ruaj fytyrën). Rauf Fico nuk mund të përdhoste emrin dhe karakterin e tij, ai e konsideronte në ato momente edhe Gjermaninë pushtuese sikurse edhe Italinë. Kjo ishte arsyeja pse nuk mund të bashkëpunonte me ta. Hitleri që nuk kishte harruar protestën e Rauf Ficos, ditën e pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill të vitit 1939, e mirëkuptoi veprimin patriotik të tij dhe nuk e ndëshkoi.
Në shkurt të vitit 1914 kur trupat greke pushtuan Korçën, me anë të një shkrimi në gazetën “Dielli”, Raufi, pyeste dhe akuzonte njëkohësisht. “Ç’na e bënë këtë Shqipëri copa-copa krahët, këmbët e kryet ja prenë. Dhe atë zemër që ka Shqipëria (Korçën) duan t’ja çkëputin?” Kur Raufi ishte Prefekt i Beratit, ju drejtua me këto fjalë batalionit të xhandarmërisë që do të nisej në front kundër ushtrive ballkanike që po bënin masakra mbi popullsinë shqiptare të pa mbrojtur: “Kështu siç ju nisëm sot, ju nisçim edhe për në KOSOVË e ÇAMERI”.
Në fjalën e tij në parlamentin shqiptar në vitin 1924 Rauf Fico u shpreh: “Dashtë zoti me flamur kombëtar në krye, të marrim edhe KOSOVËN edhe ÇAMERINË. Dhe në se nuk do t’ia arrijmë kësaj, brezat e ardhshëm do të na gjejnë në varr me gishtin e drejtuar nga këto vise”.
Rauf Ficos i dhimbsej çdo pjesë e trojeve shqiptare, kur diskutohej për problemin e Shën Naumit ne parlamentin shqiptar, tetor 1925, Raufi duke kujtuar trojet e aneksuara padrejtësisht prej fqinjëve tha: “Lypset të dihet se kjo është një plagë e pa shërueshme në zemrat dhe trutë tona”. Raufi me oratorinë e tij, në tetor të viti 1925, ngriti peshë sallën e parlamentit kur u shpreh: “Do ti drejtojmë nipat e stërnipat tonë nga trojet tona dhe dikur këmba dorazi, duarazi, barkazi do vemi në KOSOVE nën hijen e SHKABES DYKRENARE”: Profeti ju realizua profecia, patriotit ju realizua ëndrra, diplomatit ju dëgjua fjala, shqiptari me flamur kombëtar festoi me shqiptarët në çdo vend ku kish shqiptar, gjirokastriti ishte prezent mes lebërve të këngës në sheshesh kryesore të Prishtinës, shpirti i shtetarit do të jetë i pranishëm së bashku me shpirtrat e gjithë patriotëve të tjerë në krahët e shqiponjës së flamurit, ai do të ndrijë mes yjeve të flamurit të ri të shtetit të 46 europian dhe të 193 të botës.
Duke debatuar me diplomat jugosllav në Konferencën e Dytë Ballkanike Raufi u shpreh: “Jam dakort që Ballkani u përket ballkanasve, veç duhet bërë një korrigjim i vogël. Ai u përket ballkanasve, por me të drejta të barabarta dhe pa dhunë të një shteti ndaj një shteti tjetër. Secili të jetë zot në shtëpinë e vet”.
Raufi nuk linte rast pa shfrytëzuar në interes të Kosovës dhe trojeve shqiptare. Kur Rauf Fico paraqiti Letra Kredenciale në Berlin përpara Hitlerit, diplomati preku edhe parimin e vetëvendosjes së popujve, të cilin e kishte deklaruar edhe Hitleri. Prej këtij parimi në atë kohë kishin fituar popullsitë gjermanike. Në atë moment edhe shqiptarët me anë të kësaj logjike shpresonin, të siguronin pavarësinë e shqiptarëve në troje, veçanërisht të Kosovës dhe Çamërisë. “Me këtë rast thotë Raufi, e urova për parimin e autodecizjonit të popujve që kishte zgjuar një shpresë të madhe midis kombeve të adamtuar. Sh. E Tij më tha: “Kjo therori është vet drejtësia. Shumë veta e thonë, por nuk duan ta zbatojnë. Unë e zbatova dhe shpëtova 10 milion njerëz.
Të shpresojmë që më tutje të shohim zbatimin me të vërtet”. Dhe këtu e premë fjalën mbi këtë çështje. Shefi i protokollit dhe adjutanti, bashkë me tri sekretare, me të dëgjuar këtë bisedë, u dukën mjaft të nervozuar. Mbase aludimi im qe i qartë për autodecizjonin e Kosovës.
Megjithëse deklaroi se nuk do të rreshtohej më në administratën e fashistëve italian, Raufi nuk harroi të porosiste: “Hiqem mënjanë me shpresë të pa tundun se po atë vepër do të mund ta rifillojnë për së shpejti, brezi i ri, q’ashtë krijesa e Shqypnisë së lirë dhe mburoja e saj”. Në këtë kontekst ne shqiptarët u përulemi me nderim të thellë gjithë atyre bijë e bijave që u rreshtuan në radhët ë UÇK-së. Gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e trojeve shqiptare të KOSOVES. Heronjve më të rinj të kombit shqiptar me në krye ADEM Jasharin. Por, gjaku i tyre nuk shkoi kot, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, të Europës e veçanërisht të SHBA-s, sot KOSOVA dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, realizuan një pjesë të ëndrrës shekullore.
Në këtë gëzim të ligjshëm marrin pjesë gjithë brezat që sakrifikuan dhe shpresuan në ditën e lirisë. Merr pjesë edhe atdhetari gjirokastrit, Rauf Fico, për të cilin Konica thoshte se: “Ishte shqiptar kur s’kishte Shqipëri”.
Rauf Fico vdiq, por sot ideali i tij i lirisë dhe Pavarësisë u realizua. Amanetin e tij e realizuan bijtë më të mirë të Kosovës kreshnike. Në urimin e çdo shqiptari është edhe urimi i Ficos, në firmën e çdo diplomati është edhe gishti i Rauf Ficos.

Lufta e fundit e Serbisë






Nga:Shkëlqim SELMANI



Pas shumë e shumë përpjekjesh, lumenjsh gjaku të derdhur, Kosova martire e fitoi pavarësinë. Gjithçka që mund të thuhet për këtë dite të lume, është e thënë, në mijëra e mijëra rreshta, në mijëra e mijëra vargje, në miliona oh-e gëzimi anë e mbanë botës. Ajo që është thënë më pak, por që i jep me shumë lavdi kësaj fitoreje të madhe, kësaj dite të madhërishme në kalendarin shqiptar e ditë të veçantë në kalendarin botëror;Eshtë se kosovaret kishin qindra vjet që luftonin për ta arritur këtë ditë.

Ata duhet ta kishin fituar të paktën që prej 1878–s, por Fuqia Madhore dhe ato tokësore nuk ishin me ta. Në 1913, aktorët politikë të asaj kohe i përdorën trojet shqiptare si plaçkë tregu dhe Kosovën e aneksuan nën Serbi. LPB nuk solli ndonjë të mirë për Kosovën; ndërsa pas LDB, ajo u tradhtua dhe i mbeti Jugosllavisë së Titos. Demonstratat e vitit 1981 shpërthyen vullkanin patriotikë të shqiptarëve të Kosovës dhe prej asaj dite nuk reshtën përpjekjet e dukshme e të padukshme për republikë e pavarësi. Dalja në skenë e Sllobodan Milosheviçit, këtij donkishoti tragjik i kohëve moderne, këtij nacional-komunisti gjakatar, ishte një “dhuratë nga qielli” për kombet e ish-Jugosllavisë dhe për Kosoven veçanërisht. Ai mori në dorë pushtetin dhe vendosi ta shkatërrojë Jugosllavinë. Mund ta bënte këtë paqësisht dhe të ngelej hero i rajonit ballkanik, por çmendia dhe deliri nacionalist e shtynë në të kundërtën.



Brirët, së pari, i nxori në 1989, në fjalimin e tij barbar nacionalist në Fushë–Kosovë, aty ku ishte zhvilluar beteja historike e vitit 1389, ku serbët dhe aleatët e tyre, në një betejë të përgjakshme me ushtrinë e perandorisë osmane, për fat të keq, kishin humbur. Vini re: kishin humbur dhe çuditërisht, serbët, këtë ditë e festojnë edhe sot si festë kombëtare?! Është njësoj sikur Shqipëria të ketë feste kombëtare 7 prillin. Në atë fjalim, Milosheviçi sanksionoi edhe heqjen e atyre pak të drejtave që gëzonin shqiptarët e Kosovës nga regjimi i Titos. Në atë fjalim, Milosheviçi përhapi edhe delirin e çmendurisë ndër serbët e thjeshtë, duke u garantuar atyre mbrojtje e duke i quajtur racë e fortë dhe e zgjedhur. Ai i parapërgatiti serbët për luftë. Luftën kërkoi dhe në fund luftën e gjeti. Me Millosheviçin filloi dhe shpërbërja e Jugosllavisë.



Nëse ka ndonjë meritë, ai këtë e ka. Viktimat e kësaj lufte të marrë arritën rreth 200.000 të vdekur, qindra-mijëra të plagosur, mijëra të dhunuar në mënyra të përbindshme. E përse? Sepse serbi Millosheviç nuk mund të firmoste shpërbërje paqësisht të ish-Jugosllavisë komuniste, se serbi Milosheviç kërkonte me luftë Serbinë e Madhe, në kundërshtim me të drejtën e sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, kosovarëve etj., se serbi Millosheviç nuk donte të ngelej në histori si nobelist i paqes, por si gjakatar e barbar. Dhe ku arriti? Të gjithë e dimë: Në Hagë si kriminel lufte. E ç’të mirë u solli serbëve dhe Serbisë? Intervenimin e NATO–s, luftën brenda në Serbi, kapitullimin e shkatërrimin material e moral të një kombi, jo pa vlera dhe jo të parëndësishme. Por për fat të keq të Ballkanit, Evropës e botës, një pjesë e serbëve, janë të engramuar në tru dhe nuk po e kuptojnë këtë, ata janë të verbuar nga disa pak udhëheqës nacionalistë ekstremë dhe nuk po e shikojnë si duhet këtë. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe udhëheqësit pas-millosheviçianë, e kanë humbur ekuilibrin.



Nuk po dinë se ç’bëjnë. Ata lëkunden midis Rusisë të rikthyer në konceptet megallomane mesjetare dhe Evropës demokratike, midis nacionalizmit primitive (e drejta me të fortit) dhe kuptimit prej tyre të së drejtës elementare të popujve, për të mos qenë më të kolonizuar nga ata, midis egos sllave të sëmurë dhe integrimit evropian. Në këtë lëkundje ata nuk po e gjejnë dot drejtpeshimin. Duke mos e gjetur drejtpeshimin, Koshtunica, Nikolic, prifti Artemije e të tjerë po kthehen në faktorë destabilizimi në rajon. Ata po luajnë rrezikshëm. Protestat e zhvilluara në Beograd, Mitrovicë e në vende të tjera po e tregojnë qartë këtë. Protestat po degjenerojnë në veprime të dhunshme të kryera më së shumti nga huliganë. Por Serbia ka ende kohë ta kuptojë se ajo nuk mund dhe nuk duhet të zhvillojë përsëri luftëra me kombe të tjerë.



Ç’kishte për të bërë e bëri turpësisht me Millosheviçin. I ka ngelë të kërkojë falje për atë që ka bërë. Kjo do ta çlirojë nga engramat dhe verbimi nacionalist. E vetmja luftë që i ka ngelë ende pa bërë Serbisë, është lufta me vetveten. Kjo është edhe lufta më e vështirë. Po e fitoi këtë luftë Serbia, do t’i bëjë shërbimin më të çmuar, në radhë të parë popullit të saj, e rrjedhimisht Ballkanit, Evropës dhe më gjerë. Po nuk e fitoi dot këtë luftë të vështirë, më të vështirën, atë me vetveten, Serbisë do t’i duhet përsëri të luftojë, në fushën e saj, në portën e saj, përsëri me veten e saj, por këtë herë duke vrarë veten. A ka mendje në Serbi që e kuptojnë këtë? Sigurisht që ka, por presin të pushojë tufani nacionalist.

Ligji i dosjeve dhe paranoja komuniste

Kohë më parë Komisioni për lustrimin në Maqedoni vlerësoi se dy nga dosjet e publikuara që akuzojnë si ish-spiunë dy përfaqësues të lartë të BDI-së janë të falsifikuara. Kryetari i komisionit, Tome Axhiev theksoi se dosjet “Mama” dhe “Vujko” janë të falsifikuara dhe se vlerësimi i tillë është dhënë nga ana e ekspertëve të Drejtorisë për Sigurim dhe Kundërzbulim (DSK). Këto dy dosje, e para me nofkën “Mama” akuzonte si ish-bashkëpunëtor të sigurimit shtetëror ish-jugosllav, ministrin aktual dhe zyrtarin e lartë të BDI-së, Musa Xhaferi, ndërsa dosja me nofkën “Vujko” akuzonte deputetin e BDI-së dhe kryetarin e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Fazli Veliu. “Sipas të dhënave dhe vërtetësisë që kemi nga DSK, dokumentet e verifikuara si dosje nuk i janë përgjigjur procedurave standarde që janë përpiluar për bashkëpunëtorët nga ana e ish-shërbimit jugosllav UDB. Në bazë të këtij akti të dhënë nga DSK, u vlerësua se dosjet janë falsifikim dhe plagjiat”, theksoi Axhiev. Sipas tij, ekspertizat e tjera të këtyre dosjeve nuk kanë mundur të bëhen, për shkak se dokumentet e dorëzuara janë vetëm të fotokopjuara dhe mungojnë dokumentet origjinale. Këto dy dosje së bashku me një dosje tjetër u dorëzuan javën e kaluar pranë Komisionit të Lustrimit nga një profesor tetovar, i cili më pas rezultoi i afërt me kreun e PDSH-së opozitare. Komisioni për lustrimin pret përgjigje për verifikimin e këtyre dosjeve edhe nga ana e shërbimit sekret ushtarak. Në procedurë tanimë është edhe dosja “Ibar”, e cila akuzon kreun e BDI-së për bashëpunim me shërbimet sekrete ish-jugosllave.
Por këtë paranojë këto shoqëri të mëdha e shfaqnin edhe kur druheshin se komunizmi po rrezikonte të gjente hapësirë tek aleatët e tyre me demokraci më të brishta. Është shumë interesant reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në çastin kur Partisë Komuniste italiane të Enriko Berlinguer iu ndez drita jeshile për t‘u bërë pjesë e qeverisë – në një çast të caktuar lideri i demokracisë kristiane, Aldo Moro, e kishte parë të pamundur qeverisjen pa përfshirjen e komunistëve në kabinetin e ministrave. Një dokument i zbuluar vitin e shkuar në arkivat sekrete britanike, tregonte se si Londra e Uashingtoni përpara rrezikut të përfshirjes së Partisë Komuniste italiane në qeveri, kishin marrë parasysh edhe ndërhyrjen e armatosur në Itali, për ta ndaluar praninë e komunistëve në qeverinë e këtij shteti me rëndësi kyçe për NATO-n.
Në këtë klimë të re, kur edhe përvjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës e kujtuam thjesht si datë, kur ne jemi squllur dhe e kemi harruar nëmën komuniste, kur shkëputja prej së shkuarës diktatoriale nuk vjen si nevojë organike e shoqërisë shqiptare, por vetëm në formën e kërkesës nga faktori ndërkombëtar, është e kotë të presim që këtë plagë të na e shërojë politika, e cila në vite ka dhënë prova se nuk ka aspak vullnetin për ta zgjidhur, por veç ta përdorë si instrument për interesat e veta. Me të pranuar këtë, nuk duhet të çuditemi fare sikur pas dy apo tre vjetësh rreshtimet e ndryshme politike të nisin përsëri të kapen pas çështjes së dosjeve të motivuara ekskluzivisht nga përfitime të ngushta të diktuara prej nevojave të momentit.




Ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit kanë në dorë dosjet më të rëndësishme të kësaj strukture, ku përfshihen edhe ato të disa politikanëve aktualë. Sipas Klosit kanë humbur dosjet e UDB-së. 


TIRANE- Nuk është as hamendje dhe as thashethem tavolinash. Sipas ish-kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Fatos Klosi kjo është një e vërtetë që i është pohuar atij vetë nga disa ish- oficerë të lartë të Sigurimit. ”Më kanë folur për dosje të rëndësishme që i kanë hapur apo mbajtur ata dhe që nuk gjendeshin në Arkivin që ne trashëguam në vitin 1997”, - sqaron ai për opinionin publik. Deklaratën, Klosi e bëri gjatë konferencës ”Kapërcimi i së kaluarës-zgjidhja e çështjes së dosjeve”, të organizuar dje nga ambasada gjermane në Tiranë dhe Fondacioni ”Friedrich Ebert. I pranishëm në këtë takim, Klosi tha edhe një tjetër të vërtetë të konstatuar gjatë ushtrimit të funksionit të tij në krye të shërbimeve sekrete shqiptare. ”Dosjet ishin seleksionuar dhe disa dosje personazhesh të rëndësishëm, subjekte apo bashkëpunëtorë, ishin hequr nga arkivi. Si shembull mund të sjell Dosjen e Drejtimit Jugosllav, të cilën e gjetëm të cunguar dhe materialet kryesore mungonin”, - bën ai të ditur. 

Zhdukja e dosjeve Materialet e policisë sekrete të komunizmit që kanë rezistuar deri në ditët e sotme nuk janë të plota, sipas ish-shefit të SHISH-it. Pjesa më e sigurt sipas tij, është regjistri i bashkëpunëtorëve dhe një pjesë e kartelave të tyre. ”Firon” e qindra dosjeve ai e lidh me zhdukjen e tyre nga persona që kanë qenë direkt të përfshirë në këtë strukturë famëkeqe gjatë regjimit komunist totalitar e që më pas kanë zënë vende kyçe në jetën publike. Procesi i zhdukjes së shumë dosjeve të rëndësishme nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit ka filluar sipas Klosit, qysh prej vitit 1991. ”Në vitin ”91, Shërbimi Informativ u nda nga Ministria e Brendshme. Nga kjo ndarje, Shërbimi mori një pjesë të arkivit të Sigurimit. Asnjëherë nuk e kam sqaruar se cili ka qenë kriteri i zgjedhjes së materialeve gjatë ndarjes”, - sqaron ai. Mandej herën e dytë të zhdukjes masive të qindra dosjeve të tjera, ai e lidh me trazirat e vitit 1997. ”Në fazën e parë pas ndarjes, SHIK-u nuk kishte ambiente për arkivin dhe e la atë atje ku kishte qenë, tek depot e thesarit në Kërrabë, tek Shkolla e Qenve dhe në Ministri. Kur SHIK-u mori godinat e reja, e mblodhi pjesën e tij të arkivit tek Arkiva e Re, pranë godinave të tij. Gjatë trazirave të 97”, të dy arkivat, në Kërrabë dhe tek Shkolla e Qenve u plaçkitën, prandaj askush nuk mund të thotë së çfarë mori vërtet SHIK-u në 1997, nga arkivat e Sigurimit”, - vë në dukje Klosi, duke ia faturuar kësisoj indirekt përgjegjësinë për zhdukjen e tij, paraardhësit të tij, gjeneralit famëkeq, Bashkim Gazidede. Ndërkohë, për periudhën e tij në krye të shërbimeve sekrete shqiptare, Klosi nuk përmendi asnjë rast të asgjësimit të dosjeve të ish-Sigurimit apo për zhdukje të tyre nga arkivat e shtetit, edhe pse akuzat në adresë të tij nga Partia Demokratike nuk kanë munguar. Në këtë kontekst, ai preferoi të vërë në dukje vetëm angazhimin për ruajtjen e tyre në kushte sa më optimale. ”Në vitin 2001 ne filluam dixhitalizimin e arkivit dhe besoj se tani ai është dixhitalizuar i tëri, si rrjedhim mund të konsultohet lehtë dhe shumë shpejt”, - u shpreh ai. 

Hapja e dosjeve

Duke u bërë pjesë e debatit publik e politik për hapjen e dosjeve të ish- Sigurimit të Shtetit, ish-kreu i SHISH-it ka dhënë dhe sugjerimet e tij për këtë proces. Konkretisht, së pari sipas tij duhet ngritur një Komitet Kombëtar me ekspertë të pavarur, ku mund të përfshihet dhe një përfaqësues nga Komiteti i Ekspertëve të Pavarur të Komisionit Europian. Detyra e Komitetit për Klosin, duhet të jetë grumbullimi dhe vlerësimi i informacioneve mbi dhunimin e të drejtave të njeriut nga regjimi totalitar. Së dyti, ai mendon se ”aksesi publik mbi informacionin e klasifikuar duhet lejuar vetëm pas shqyrtimit të tij nga Komiteti, duke respektuar radhën e kërkesave të paraqitura nga të interesuarit. Ky komitet mund të kufizojë aksesin në informacionet e klasifikuara ose në pjesë të tyre, nëse e gjykon se ekspozimi i tyre është në dëm të Sigurisë Kombëtare, Politikës së Jashtme apo të Rendit Publik”. Klosi sugjeron gjithashtu se ”shërbimi i aksesit në arkiva duhet të jetë i personalizuar, me kërkesën e individëve dhe vetëm për materialet që ruhen në emrin e tyre apo të familjes së tyre”. Sipas tij, projektligji duhet të mbrojë privatësinë e çdo individi, duke ndaluar aksesin e personave të interesuar në informacione që nuk kanë të bëjnë me dhunimin e të drejtave e lirive të tyre personale apo të anëtarëve të familjes së tyre.

Aida Cama : Spiunimi reciprok tek organet e sigurimit është shumë prezent


Në një nga dokumentat e ish sigurimit të Gjermanisë lindore mbi Shqipërinë shkruhet se ndër shqiptarë spiunimi reciprok është shumë prezent dhe se patriotizmi dhe besimi tek partia janë sipërfaqësore.

undefined
Nga seria "Çfarë përmbajnë arkivat e RDGJ (DDR) mbi Shqipërinë", sjellim disa vëzhgime të Stasit mbi gjendjen politike dhe ekonomike të RPSSH në vitin 1988.
Për këto vëzhgime bazohemi në një nga dokumentet e Sektorit të II të Staasit, i datës 10 nëntorit 1988. Ai është një raport i dhënë nga burime të besueshme të "njësive të shërbimit" të Stasi-t. Në të shkruhet:
"Furnizimi i popullsisë me ushqimet dhe mallrat bazë të jetës së përditshme është në gjendje shumë të vështirë. Ushqimet kryesore shiten vetëm me tallona, pra janë racionuar shumë. Si problem kryesor shfaqet furnizimi i popullsisë me mish dhe produkte mishi. Mallrat e tjera të konsumit si dhe tekstilet janë po ashtu në masë të pamjaftueshme."
Në këtë periudhë, pra viti 1988, udhëheqja e lartë e RDGJ, kishte vendosur të intensifikonte marrëdhëniet me RPSSH. Nga Bashkimi Sovjetik dhe vende të tjera të bllokut socialist vinin zëra dhe lëvizje liberale. Honecker dhe Mielke kërkonin të forconin rradhët midis komunistëve dogmatikë. Ndër ta bënin pjesë edhë ata nga Shqipëria. Shqipëria, nga ana e saj ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe kërkonte majtas e djathtas partnerë që do e ndihmonin, "duke i dhënë bukë, por që nuk do i kërkonin të shkelte parimet". RDGJ ishte vetë në gjendje të vështirë ekonomike, por planifikonte të bashkëpunonte me Shqipërinë në sektorët për shembull të turizmit, transportit ujor, e më tej kulturës, arsimit.
Ndaj kishte disa vite që RDGJ ndiqte me vëmendje çfarë ndodhte në RPSSH, siç duket edhe nga ky raport:
"Kjo situatë e vështirë ekonomike çon në një masë të madhe pakënaqësie të popullsisë dhe ka pasoja negative në prodhim, përkatësisht në disiplinën e punës së popullsisë. Nga burimet tona vlerësohet se disiplina e keqe në punë e shqiptarëve lidhet me mentalitetin e tyre. Kështu për shembull masat e politikës sociale, si për shembull pagimi i punonjësve edhe kur nuk punojnë për arsye shëndetësore shpërdorohet për përfitime personale."
Kushtet e keqija të jetës të popullsisë, shkruhet në raportin me numër 4270/88, nuk kanë çuar deri tani në konflikte të brendshme politike. Burimet bëjnë të njohur në mënyrë të besueshme se: "Në popullsi sundon frikë e madhe nga masat që mund të marrin organet e sigurimit të shtetit në rastet e shprehjeve negative për gjendjen."
Dy vëzhgimet e mëposhtëm të cituara në këtë dokument janë po ashtu shumë të veçanta.
"Spiunimi reciprok tek organet e sigurimit është shumë prezent." dhe "Nga biseda me qytetarë shqiptare, burimi ynë nxjerr përfundimin se patriotizmi teatral dhe besimi i madh i shqiptarëve tek drejtësia e politikës së udhëheqjes shqiptare dhe mbështetja e saj prej popullit, janë për shumicën e popullsisë vetëm sipërfaqësore dhe të detyruara prej frikës nga reprazaljet e sigurimit të shtetit."
Më tej raportuesit vlerësojnë se "kushtet e jetës në Shqipëri janë keqësuar që prej vdekjes së Hoxa (Hoxhës). Në mes të personave që kanë lidhje me të venë e Hoxhës diskutohet nëse Ramiz Alia, si kryetari i shtetit ka kompetenca të marrë vendime. Vendimet më të rëndësishme duhet të sanksionohen nga e veja e Enver Hoxhës, e cila përpiqet që të vazhdojë kursin e tij, duke u bazuar në këshillat e lëna."
Raporte të tilla megjithëse mbase me vend nuk do u hynin në punë për një kohë të gjatë as punonjësve të Stasit, as udhëheqjes politike të RDGJ-së. Disa muaj pas shkrimit të raportit mbi gjendjen ekonomike dhe politike të RPSSH, në muajin maj, Hungaria hap kufirin me Austrinë dhe qindra qytetarë të DDR  (RDGJ) largohen drejt perëndimit, duke i dhënë sistemit një krisje nga e cila ai nuk e morri veten deri sa u përmbys.


DAFG në dokumentat e Shtazit



 

DAFG ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve. Në krijimin e saj shoqata ka patur influenca ideologjike që megjithëse të majta, shiheshin me dyshim nga RDGJ dhe survejoheshin nga Shtazi.

 
Në dokumentat e Shtazit, DAFG, Shoqata e miqësisë shqiptaro-gjermane (DAFG) shfaqet në sektorin kundër terrorizmit dhe atij kundër spiunazhit. Survejimi i DAFG, si objekt armiqësor ka filluar "për të zbuluar dhe eliminuar aktivitetet subvensive të DAFG kundër DDR dhe vendeve të tjera socialiste".
Kështu në një dokument të 22 .1.82 bëhet fjalë për një vendim të ministrisë së brendshme në Berlin për zbulimin dhe elimininim e aktiviteteve subvensive të DAFG. DAFG, shkruhet në të është një organizatë e krijuar nga pseudorevolucionarë të KPD –së, Partisë komuniste gjermane.
Po survejimi i DAFG kishte filluar vite me parë. Kështu më 5 tetor 1978 sektori kundër spiunazhit ka përpiluar një raporti me të gjitha hollësitë për DAFG. Shoqata është krijuar më 14 nëntor 1971 në Mynih, sekretariati ndodhet në Hamburg dhe drejtohet nga Rüdiger Pier, ajo numëron 500 anëtarë. Shoqata nuk ka ndonjë seksion në Shqipëri dhe vetëm pak persona e njohin atë atje. Kontaktet mbahen me Partinë e Punës së Shqipërisë dhe drejtohen nga komiteti për marrëdhënie kulturore dhe miqësore më jashtë.
Shoqata organizon udhëtime në Shqipëri. Në Shqipëri udhëtojnë vetëm anëtarë dhe simpatizantë të KPD /ML (Partisë Komuniste Gjermane, marksiste leniniste) nga Gjermania perëndimore dhe Berlini perëndimor. Më korrik 1978 Shqipërinë e vizitoi së bashku me një grup të shoqatës edhe kryetari i KPD/ML, Ernst Aust. Hyrja në Shqipëri bëhet në grupe. Kur hyhet bihet në marrëveshje me personat përgjegjës, që në pasaporta të mos vendosen vulat e hyrjes në Shqipëri. Kjo për të mënjanuar vështirësitë për udhëtime të mëvonshme në DDR ose në Jugosllavi.
Shoqata i ka rritur aktivitetet në vitin 1977 me shpërthimin e konflikteve në Shoqatën e Miqësisë Kinë Gjermani, konflikte që u shoqëruan me largimin e anëtarëve të KPD /ML nga Kina dhe orientimin drejt Shqipërisë.
Partia Komuniste Gjermane Marksiste Leniniste ka qenë që para vdekjes së Mao Ce Dunit më shumë e orientuar nga Shqipëria se sa nga Kina, dhe pas prishjes së marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë u orientua krejtësisht drejt linjës shqiptare.
DAFG nuk jep deklarata lidhur me qëndrimin ndaj RDGJ (Gjermanisë lindore) dhe vendeve të tjera socialiste. Në publikime të "Albanische Hefte- Fletoret shqiptare" ata flasin pro politikës shqiptare kundër superfuqisë Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera social-imperialiste. Në lidhje me këtë publikohen artikuj të marrë nga "Mëngjesi i kuq" dhe shtypi borgjez i BRD-së (Gjermanisë perëndimore).
DAFG mban kontakte me Ambasadën e RPSSH në RDGJ. Kështu anëtarë të DAFG vizituan ambasadën shqiptare në RDGJ (Gjermani lindore). Jozyrtarisht ëshët marrë vesh se ish sekretari i ambasadorit shqiptar në RDGJ dhe ambasadori aktual në Austri, ka koordinuar kontaktet midis DAFG dhe KPD (Partisë Komuniste Gjermane). Udhëheqja e Partisë Komuniste Markiste Leniniste mendon se 50 përqind e letrave që dërgon në DDR përfundojnë në Ministrinë e brendshme, Shtazi.
Gjatë një takimi të një delegacioni të DAFG dhe të KPD në ambasadën shqiptare në Vjenë u dha orientimi që të kufizohen kontaktet me ambasadën shqiptare në RDGJ dhe kontaktet me Partinë e Punës së Shqipërisë të mbahen nëpërmjet ambasadës shqiptare në Vjenë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...