Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/07

Masakrat e andartëve grekë në Këlcyrë e Hormovë në 1913-n




Nga : Alma MILE


Botohet pas 95 vjetësh “Barbaritë greke në Shqipëri”. Autori i librit, Kosta Papa, u dënua me vdekje se publikoi këto fakte.
Një dëshmitar i kohës flet për masakrat greke në Jug të Shqipërisë. Edhe pse jo fort i njohur apo i cituar nga historianët shqiptarë, Kosta Papa do të ishte ndër të paktët që do të denonconte botërisht atë çka po ndodhte në Shqipëri në ato vite të errëta kaosi, kur vendi i saposhkëputur nga Perandoria Osmane po “shqyhej” copa-copa nga fqinjët. Bëhet fjalë për një libër me kujtime, jo shumë voluminoz, të titulluar “Barbaritë greke në Shqipëri”, i sjellë për lexuesin shqiptar nga botimet “Naimi”. “Kosta Papa, i cili nënshkruan duke i shtuar emrit të tij disa emërtime vendesh historike dhe shënjuese: Përmeti, Tomorri, Leusa, ka qenë protagonist e dëshmitar i ngjarjeve traumatizuese të dy luftërave ballkanike, kryesisht në Shqipërinë e Jugut. Në mënyrë të veçantë ai paralajmëron se do të ndalet në vitin e mbrapshtë 1913, dhe në disa mbrapshti të tjera që vijuan në 1914-n e më vonë. Ndonëse nuk ka shumë të dhëna, një gjë është ruajtur e përcjellë deri sot për autorin: Kosta Papa u dënua me vdekje nga qeveria greke e kohës pikërisht pse publikoi dëshmi rrëqethëse që do të turpëronin faqe botës çdo vend e popull që ndërmerr akte të tilla armiqësore ndaj fqinjit të tij historik, qoftë edhe në rrethana historike të mbrapshta”, shkruan në parathënien e librit botuesi dheKopertina e librit botuar nga shtëpia botuese “Naimi”



redaktori, Naim Zoto. Nga sa mësojmë, libri i Kosta Papës është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në 1917-n dhe me shumë gjasë duhet të jetë botuar në një tirazh shumë të kufizuar, sepse tashmë ai thuajse nuk gjendet. Një kopje e vetme që ruhet në Bibliotekën Kombëtare ka marrë vlerën e një dorëshkrimi. “Kjo duhet të jetë arsyeja pse ky libër nuk është pjesë e bibliografive historiografike të studimeve shqiptare: thuajse nuk përmendet askund, sikur të mos ekzistonte. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse ribotimi i tij, bashkë me rishtypjen fototipike të origjinalit, është i dobishëm jo vetëm për një lexues popullor, por edhe për studiuesit”, thotë Zoto. Papa, duke qenë dëshmitar i asaj kohe, tregon me detaje masakrat që andartët grekë kanë kryer në Këlcyrë, Kosinë, Hormovë etj. Si janë vrarë dhjetëra burra, gra e fëmijë, janë plaçkitur dhe janë djegur shtëpitë. Kjo e justifikon edhe ngarkesën emocionale, që dallohet qartazi në libër. Papa është një dëshmitar dhe nuk pretendon të ruajë ftohtësinë e një historiani apo studiuesi, ndaj edhe nuk i kursen epitetet që u vë vrasësve grekë, si “egërsira”, “katilë”, “gjakpirës” etj. Megjithatë rëndësia e këtij libri qëndron te dëshmia historike, e cila është vetëm pak vite larg nga zhvillimi i ngjarjeve, duke mos e lënë kohën që të “transformojë” e t’i japë të tjera ngjyrime ndodhive.
Nga libri Pabesia e ushtrisë greke
Në fshatin Odriçan, dy orë nga Përmeti, qeveria greke kishte lënë 300 ushtarë dhe dy oficerë për të ruajtur kufinë. Pas vendimit të Konferencës së Kondrës, qeveria greke u zotua për këto vise që t’i dorëzonte zyrtarisht në Xhandarmërinë shqiptare dhe dorëzoi këto vise: Korçën, Kolonjën dhe Frashërin.I erdhi radha Odriçanit: lajmëroi komandantin e kësaj trupe që ta dorëzojë këtë fshat tek shqiptarët. Oficeri, kur mori këtë lajm, u ngrit e erdhi në Përmet dhe lajmëroi Mitropolinë për dorëzimin e Odriçanit. Mitropolia, kur mësoi këtë lajm, atë çast thirri pleqësinë e fshatit dhe u dha vendimin e qeverisë greke. Pleqësia e pyetën që ç’të bëjnë. Veqil Mitropoli ju thotë që të ngrihen të gjithë me familje dhe të vijnë në Përmet “se po të rrini do të vuani nga shqiptarët; sa për vend do t’u lëshojmë shtëpira këtu në Përmet”. Kur mësuan këtë lajm, pleqësia u hidhëruan po s’bënin dot ndryshe. Shkuan të hidhëruar në fshat, ku lajmëruan të gjitha këto. Gratë e fshatit kur mësuan këto, zunë të ulërinin se do të linin mallin dhe shtëpitë e shkreta, po të rrinin kishin frikë nga mitropolia, se po të rrinin do u thoshin që “jeni shqiptarë dhe të lajmërohej ushtria greke që t’i përvëlojë”. Duke mos dashur, lanë shtëpitë dhe mallin dhe erdhën në Përmet, ku i përndanë nëpër shtëpira.Si u zbraz i tërë fshati, oficeri grek vajti dhe u morr vesh me kapedan Psaronë, i cili ndodhej në Kosinë. I tha për dorëzimin e Odriçanit; i thotë pra që është një rast i mirë për të vrarë xhandarmërinë shqiptare, të vinin të zinin pusi. Mori Psaronë me 30 andartë dhe u shpie në Qafë të Borockës, përposh qe rruga që do të shkonin shqiptarët. Si mbaroi këtë, i pabesi oficer vajti në Qafë të Kreshovës që të këmbenin kartat me oficerët shqiptarë. Si i këmbyen, greku erdhi në Odriçan, mori ushtrinë dhe erdhi në Përmet.Ndërkohë, oficeri shqiptar mori 17 xhandarë dhe, i shkujdesur u nis për në Odriçan. Kur arritën tek vendi i pusisë, të pabesët grekë ia dhanë një batare dhe i lanë në vend. Pastaj ata zbritën përposh, kërkuan nëpër xhepa, u gjetën 50 napolona, u morën rrobat, këpucët, hodhën kufomat në përrua dhe shkuan prapë në Kosinë.Kur mësoi qeveria shqiptare për këtë vrasje me pabesi protestuan te qeveria greke, po grekët u përgjigjën se “s’kemi se ç’të bëjmë; vendi ka bërë kryengritje kundër jush”.Pastaj qeveria shqiptare dërgoi 50 xhandarë të tjerë në Odriçan. Kur vanë në Odriçan gjetën fshatin të shkretë. Vetëm pulat dhe macet kishin mbetur. Oficeri shqiptar, si e pa fshatin e shkretë, vulosi të gjitha shtëpitë që të mos trazoheshin plaçkat që kishin lënë odriçallinjtë, pastaj zunë kufi në Boroçkë dhe Alipostivan.
Masakrat e para të grekëve
Një gjysmë ore larg Kosinës, ku qe kufiri autonom, janë dy fshatra: Pacomiti dhe Kuqari. Ndënjësit qenë myslimanë. Në këto dy fshatra, duke qenë afër këtij kufiri, andartët vinin gjithnjë dhe i porosisnin fshatarët që, po të kuptonin ndonjë lëvizje prej shqiptarëve, t’i lajmëronin, se ndryshe janë të humbur! Egërsirat donin shkak që t’i prishini këto fshatra. Nuk shkoi shumë kohë, po një javë, që treguan barbaritë e tyre.Më 25 të shkurtit, ditë e hënë në mëngjes, andartët hodhën ca batare, se gjoja panë ca shqiptarë që hynë në Pacomit. Pas batareve u sulën të gjithë në këto dy fshatra dhe mblodhën të gjithë burrat sa qenë dhe i shpunë në Kosinë dhe i mbyllën në një katua; u kthyen prapë katilët në këto fshatra, fëmijët që kishin mbetur në fshat u therën; pastaj u sulën nëpër shtëpi për të plaçkitur. Muar bagëtinë, 1500 krerë dhen e dhi dhe 100 krerë lopë, pastaj u vunë zjarrë shtëpive, i përvëluan, i bënë hi. Si mbaruan këto, katilët u kthyen në Kosinë. Nxorën burrat që kishin mbyllur dhe i shpunë më një përrua të fshatit, ku i lemerisën me thika, disave u prenë hundë, veshë, këmbë, duar; të mjerët dhanë shpirtin me lemerira që edhe Neroni të qe nuk do t’i mundonte kësisoj. Numri i tyre qe 75 veta. Si dhanë shpirt, i lanë në atë përrua të zbuluar. Kur bënë këto therrje dhe djegie, andartët, ushtri e rregullt e Greqisë, gjendej në Këlcyrë dhe në Përmet.Qeveria greke, kur pa se kryengritësit zunë nga barbaritë, para se të ikte ushtri e rregullt dhe po ta linte akoma do të dukej faqezezë, sepse ajo vetë që i bënte këto, s’mënoi, por urdhëroi ushtrinë të ikte nga viset që iu dhanë Shqipërisë. Ushtria, sapo mori urdhrin u ngritën, ikën nga Këlcyra, nga Leskoviku, nga Tepelena dhe nga Saranda. Kështu, pra, i la këto vise në duar të egërsirave, të katilëve të cilët na i dërgoi po vetë.
Me të ikur ushtria e rregullt nga Këlcyra, kryengritësit që ndodheshin në Brezhan nuk mënuan po u hodhën nga urë e Meço Hysos dhe i vanë Këlcyrës. Si ujqit u sulën nëpër shtëpira dhe cili pati fatin e ndenji, u ther si berri; masakruan gra, foshnja dhe ca burra. Gumëzhinte gryk’e Këlcyrës nga blegërimat dhe ulërimat. Pasi mbaruan masakrat, plaçkuan shtëpitë, morën gjënë e gjallë që gjetën dhe pastaj iu vunë zjarr shtëpive’ tym dhe flakë shikoje! Si shkretuan Këlcyrën, iu sulën fshatrave që qenë afër Këlcyrës,Katundishte, Beduqas, Fratar dhe Varibob. Punë e tyre s’qe gjë tjetër përveç se zjarr dhe hekur!
… Kështu mbaroi nisja e tragjedisë. Kryengritësit u mblodhën prapë në kufijtë e parë, ditën tjetër kapedanët e këtyre çetave erdhën në Përmet, ku u pritën me një nder të madh për trimëritë që bënë!Veqil Dhespoti iu shtrëngoi dorën e u tha: “Ju përhironj se me të vërtetë jeni trima dhe me trimërinë tuaj nderoni (ton Elinismon)! Sa për mundës, pa fjalë do të jemi, këtë e dimë se Perëndia (tonelinon) bekon armët e grekëve dhe kështu do të jeni kurdoherë mundës”.Kapedanët, kur panë që më shumë krime të bënin, aq më shumë do të nderoheshin, atë mbrëmje u lëshuan nëpër myslimanët e qytetit, për të rrjepur. Ulërima dhe blegërima dëgjoheshin nga mëhalla e myslimanëve. Kërkonin mëshirë, po nga kush? I vanë baba Xhemalit në Teqe. Si e rrahën mirë i morën dhe 50 lira. Pastaj i vanë Islam Efendiut dhe i morën dhe 50 lira. Këto bëheshin me dijeninë e Mitropolisë. Veqil Mitropoli, si një katil dhe gjakpirës, e kish ujdisur me katilin oficer grek, Kocifaqin dhe i ndanin ato që rrëmbenin andartët prej myslimanëve.
Myslimanët vanë në Mitropoli të qaheshin, po te kush të qaheshin; kur ai qe vetë dora nga të parët e katilëve.Po prapë i ngushëllonte Mitropolia dhe u thoshte që të mos dëshpëroheshin se “do ta vëmë tërë fuqinë tonë që të mos të ngjasë gjësendi këtu e tutje”. Po në vend që t’i pushonte të ligat natën, pastaj zunë e bëheshin edhe ditën. Më të nesërmen, një katil i quajtur Petro nga Narta me tre shokë të tjerë vanë në shtëpi të Sali Beut, një plak i ndershëm. Si e rropën mirë ditën në drekë i dhanë 10 thika dhe e lanë në vend, mu te pragu i portës, dhe shkuan. Kur mësoi policia këtë, doli që t’i ndiqte gjoja po s’mundi dot t’i zërë. Me pak fjalë, i bënë myslimanët që s’guxonin të dilnin nga dera…
Masakra kundër hormovitëve
…Hormovitët i çuan në kodër. Si qëndruan trupat e Gjirokastrës në Salari, koloneli Zira u kthye në kodër, ku kish lënë hormovitët dhe vendosi t’u japë fund jetës së tyre. I ndau hormovitët me tri grupe nga 60 shpirt të lidhur krah më krah dhe i vuri në tri vende. Pastaj zgjodhi nga trupa e tij 36 veta nga më të zotët në bajonetë dhe i urdhëroi t’u vinin bajonetat dyfekëve. Si i vunë bajonetat, u tha që të ndaheshin më tri grupe nga 12 shpirt dhe të vinin në vendin ku qenë hormovitët dhe t’i shponin me bajoneta…Andartët bënë pas urdhrit që u dha komandanti. Vanë ku qenë hormovitët dhe zunë me radhë t’i shponin me bajoneta.Të mjerët hormovitë; të lidhur këmb’e duar po shpoheshin pa mëshirë prej katilëve. Kjo skenë tragjike u bë mu në kishë të fshatit. Si i mbaruan të gjithë së shpuari, i hodhën në një përrua të fshatit. Ky qe fundi tragjik i hormovitëve.

Shekulli shqiptar




Shkruan : Muharrem NITAJ


A ka vend më të bukur sesa Tirana, për ta pirë kafen e mëngjesit dhe për ta ndjerë fuqinë e atdheut, në 100-vjetorin e tij. Se Tirana që për më shumë se 50 vjet ishte tokë e pashkelur për gjysmën e kombit. Ndërsa po e pinim këtë kafe në njërën prej restoraneve më të famshme të Tiranës, “Il Gusto”, njëri prej miqve të mi “tirons” i vjetër po thoshte: “Mirë mor vëlla, po e shënojmë 100-vjetorin e shtetit shqiptar, por ku është shteti se”, ndërkaq në tavolinën ngjitur nesh, po bënte pallë njëri prej spiunëve më të ndyrë të UDB-së jugosllave, që sot është pjesëtar i elitës intelektuale të Tiranës.



Kosovarët gjithmonë e kanë parë ndryshe Shqipërinë, e kanë jetuar ndryshe dhe ndryshe e kanë paguar haraçin për të. Shqipëria e Qemalit, e Vidit, e Zogut, Enver Hoxhës dhe së fundi kjo e Berishës, edhe pse shtet amë për gjysmën e kombit, gjithmonë kanë qenë më pak se atdheu i shqiptarëve jashtë kufijve të kësaj Shqipërie njëqindvjeçare.Ka më shumë se dhjetë vjet që politikanët e kombit, romantikët nacionalë, por edhe elitat kulturo e intelektuale, flasin me sa zë kanë se si shekulli 20 ishte shekulli i shqiptarëve. Se si në këtë shekull shqiptarët e krijuan Shqipërinë e Vlorës, dhe se si po këtë Shqipëri e bënë anëtare të Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe se si po këta shqiptarë, pothuaj 100 vjet më vonë e krijuan shtetin e dytë në Ballkan, Kosovën.
Sigurisht se ka një të vërtetë të madhe kur flitet për shekullin shqiptar, sepse kombi më i pushtuar, më i copëtuar dhe më i shkelur i Evropës, në këtë njëqindvjetor, gjithçka në jetën e tij e ka të shumëzuar për dy. Për dy e ka të shumëzuar edhe lirinë, edhe shpirtin, edhe qeverinë, edhe paranë, edhe hajninë.I ka të shumëzuar edhe kufijtë, kryeqytetet…gjithçka herë dy, duke përfshirë edhe heronjtë, edhe tradhtarët, edhe varret… Vetëm se edhe në këtë 100-vjetor, bijtë e shqipes vazhdojnë të jetojnë të shpërndarë në pesë shtete si dikur, dhe me shumë pak gjasa që kjo të ndryshojë, qoftë edhe për 100 vjet.
Sot, 100 vjet më vonë, nuk besoj të ketë vend më shqiptar sesa Tirana, për ta pirë kafenë dhe për ta kujtuar historinë e kombit më shumë se mijëvjeçar dhe të shtetit dhjetë herë më të vogël, dhe Shqipërinë natyrale, dhe Shqipërinë e madhe dhe Çamërinë e humbur përgjithmonë, dhe Mollën e kuqe, dhe Shkupin, që dikur kishte qenë qyteti më i madh shqiptar…Menjëherë mbrapa “Il Gustos” ku në Tiranë të shijonte kafeja në këtë nëntor, përbri dhe pothuaj të ngjitura ndodheshin ambasadat e Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që në këtë 100-vjetor janë më shumë se simbolikë që dy popujt e armiqësuar të shekullit mund të kenë filluar të mos e vrasin njëri-tjetrin si dikur.
Spiunit të UDB-së jugosllave, që sot është pjesëtar i elitës intelektuale të Tiranës, ndërsa e pinte kafenë përballë, i kishte rënë nuri i vdekjes dhe biznesi i spiunit, por që për t’i larë, më thanë, në këtë 28 Nëntor do të ishte në Morinë, për ta kallur kufirin shqiptaro-shqiptar.Popujt virtuozë, në mesin e të cilëve janë edhe shqiptarët, gjithmonë kanë krijuar batuta për udhëheqjet, dhe në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, dëgjova se pse qenkësh vonuar Isa Boletini, për të qenë në Vlorë, më 28.Thanë që paskësh ndaluar një natë te Zogu i Zi në Tiranë, për të bujtur në hanet e kohës për “t’i ndërruar dy llafe” me kutizanat e kasabasë shqiptare. Ndoshta edhe e rastësishme por 100 vjet më parë, Isait të Boletinëve, po i digjej Mitrovica flakë, por që pavarësisht kësaj, ai duhej të nisej për në Vlorë, bash si pasardhësit e tij sot në festën e madhe.
Janë mbledhur të gjithë që më 27 nëntor, të nisen rrugës së kombit, që do t’i çojë në Vlorë, ku dhomat e hoteleve tashmë janë të mbushura dhe plot njerëz që duan ta jetojnë magjinë e 100-vjetorit të pavarësisë, duhet të flenë nën çadra, megjithëse nuk është ndonjë punë e madhe, nëse një herë në 100 vjet i mban sytë kapsollë.Nuk e di se kush dhe çfarë do të bëjë më 28 Nëntor, por për ne mëkatarët e gjallë nuk do të ketë një tjetër 100-vjetor. Prandaj, më bëhet se në këtë ditë, më shumë se në Kosovë, mund t’i shkojë “Kur ka ra kushtrimi në Vlorë”.


Shkruan: Shaban MEMIA


Historia ka treguar se përmbysja e vërtetë e tiranisë realizohet vetëm atëherë kur dënohen krimet e saj. Duke mos e dënuar diktaturën ke bërë një marrëveshje të heshtur me të dhe në këto rrethana i jep tiranisë së rrëzuar shpresën e ringjalljes. Duhet të jemi të qartë se dënimi i krimeve të një epoke është domosdoshmëri historike. Ky dënim nuk realizohet për hakmarrje dhe për të krijuar probleme, por për t’iu dhënë fund spekulimeve, mashtrimit, mjegullës së qëllimshme që po e trondit dhe do vazhdojë ta tronditë përherë e me tepër realitetin shqiptar. Ky proces është i dhimbshëm, por i shëndetshëm, ashtu siç është një ndërhyrje kirurgjikale e domosdoshme.


Këtë mision duhet ta realizoje e djathta shqiptare duke përdorur të gjitha mjetet e ligjshme dhe demokratike sepse objektivi i vitit 190-1991 i çmontimit dhe çrrënjosjes së komunizmit ka mbetur në mes të rrugës.Kurajë e atyre qe janë përgjegjës për krimet e diktaturës ka arritur deri në ekstrem, sepse jo vetëm që kundërshtojnë procesit e lustracionit por janë kundër asaj që është thelbi i një demokracie, transparencës, madje ata janë bërë agresiv duke u sulur kundër atyre që e kërkojnë transparencën. Stalinistet ashtu si në të kaluarën po krijojnë një terror të vërtetë psikologjik. Mjafton të kujtojmë thirrjet e opozitës për revoltë, për mos bindje civile, pra kjo është ideja e revolucionit permanent.Stalinistët shqiptarë të sotëm kanë korruptuar duke i kthyer shërbëtorë, gazetarë, politikanë te korruptuar, letrarë, ish-spiunë ose bij spiunësh, përdorues të internetit etj. Kjo dhunë verbale kërkon të paralizojë çdo përpjekje për zbulimin e tmerreve ende të pazbuluara të regjimit që shkoi.E keqja më e madhe e kësaj dhune është se kjo shkatërron çdo prirje për shëndoshje morale, e cila sot është e nevojshme për kombin shqiptar. Indirekt kjo dhunë është nënshtrimin përpara gënjeshtrës dhe heshtje plot turp përpara saj. Kjo situatë është fatale, në mënyrë të veçante për brezat e rinj.
Mbrojtje e së keqes dhe goditja e njerëzve që e kanë pësuar prej saj është një shenjë dëshpëruese. (Sot persekutorët trajtohen me pensione, madje dhe speciale dhe viktimat rropaten pas dëmshpërblimit modest për vitet e burgut. Persekutorët u dëmshpërblyen për vitet e burgut që u dënuan në vitet e para të demokracisë.) Kështu në vitin 1996 disa ish-anëtare të Byrosë Politike u dënuan për gjenocid dhe për krime kundër njerëzimit. Për turpin e shtetit shqiptar ata, me ardhjen në pushtet të ish-komunistëve, u shpallën të pafajshëm dhe u dëmshpërblyen, në një kohë që viktimat e tyre vdesin duke pritur dëmshpërblimin për vitet e burgut.Gjithashtu pas ngjarjeve të vitit 1997, me kthimin në pushtet të ish-komunistëve, jo vetëm që u rikthyen në punë shumica e sigurimsave, hetuesve dhe përfaqësues të nomenklaturës së vjetër, por në mënyrë të kundra-ligjshme, nën pretekstin e të drejtave që lindin nga statusi i ushtarakut, marrin dhe pensione suplementare të larta si shpërblim për dhunën ndaj shqiptarëve. Kjo është shkalla më e lartë e korrupsionit Shqipëria duhet ta verë në gjunjë këtë korrupsionin, se përndryshe ajo do të vihet në gjunjë prej tij.Për të penguar njohjen dhe zbulimin e dimensionit të krimit komunist dhe në mënyrë të veçantë për ti bërë barrierë dënimit të tij, sot është mobilizuar një armatë e tërë. Me shantazhe, presione, me kërcënim, me para, me dredhi, me të gjitha mënyrat e mundshme, kjo ushtri e thirrur në shërbim po përpiqet të mbulojë të vërtetën.Sistemi i përmbysur ka qenë aq i egër, mizor dhe i pabesë sa ka shkatërruar çdo element të lirisë. Kjo mizori nuk ka njohur kurrë as falje e as mëshirë dhe as pendese, prandaj si e tillë nuk i meritonte ato.”Ëndrra e kriminelit duhet të jetë pendesa”,- këtë këshillë u jepte i madhi Aleksandër Dyma të prapëve për të gjetur qetësinë.Duke mos dënuar krimet e diktaturës, me dashje apo pa dashje, është rënë në lojën e instrumenteve dhe armatës së diktaturës së përmbysur, dhe nuk është kuptuar se është bërë një gabim fatal duke harruar atë që nuk duhej harruar.Në demokracinë shqiptare është vërejtur gjatë këtyre 20 viteve se diçka themelore nuk po ecën . Ajo është penguar, deformuar dhe ngadalësuar, duke u shfaqur paradoksi tjetër i madh se ajo që përfitoi më së shumti nga demokracia ishte diktatura e rrëzuar. E inkurajuar kështu nga mos-dënimi i krimeve, ajo jo vetëm qe shumë shpejt filloi të ushqehej me shpresën e rikthimit në pushtet dhe tek privilegjet e humbura, por këtë e beri realitet. Ajo, gjatë këtyre viteve, nga njëra anë është bërë me pasuri brenda dhe jashtë vendit, është bërë zotëruese dhe kontrolluese e mendjes elektronike dhe të shkruar me mbështetje të mafies vendase e të huaj dhe nga ana tjetër, në mënyrë të veçantë për t’ia arritur qëllimit, kishte dy armata të fshehta në dispozicion: Atë të spiunëve, dhe tjetrën, atë për të cilën është folur shumë pak por që është më e rëndësishmja, ushtrinë e njerëzve të cilët nuk kanë qenë në listat e spiunëve por që kanë qenë të përlyer më shumë se vetë spiunët. Ata që kanë gatuar çorbën janë të parët dhe jo ata që kanë ngrenë një lugë çorbë. Pas ngjarjeve të vitit 1997, me ardhjen në pushtet të ish-komunistëve në mënyrë të rrufeshme u amendua disa herë Ligji Nr. 8043 date 30.12.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, i cili e humbi funksionin për atë që ishte miratuar. Kështu u rikthye në punë shumica e sigurimsave, hetuesve dhe pinjollët e diktaturës etj, madje dhe në poste të larta, në “profesionin” që ata e kishin “zanat” kundër “krimit politik”.Gjatë viteve të demokracisë këto forca kanë futur në dorë një pjesë të jetës publike, të diplomacisë, të shërbimeve të fshehta, institucioneve qendrore dhe lokale, janë në krye të strukturave partiake dhe sidomos në sektorin e ekonomisë. Ato arritën të infektonin të djathtën, një pjesë të së cilës e kishin pasur në kontroll qysh në krijimin e saj. Me sa duket, në këto rrethana lindi një marrëveshje e heshtur ndërmjet të dy krahëve të politikës për të mos prekur ish-agjentët e fshehtë nga që secila palë kishte pjesën e vet në këtë llum të zi.Edhe në Shqipëri u importua tradita famëkeqe e KGB-së sovjetike, e zhdukjes dhe fabrikimit të dosjeve. Po kështu intriga, shpifja dhe veprimtaria ilegale e oficerëve të shërbimit sekret dhe të hetueseve është kthyer në armë për të goditur ata që kanë dhënë kontribute për rrëzimin e diktaturës dhe që i janë përkushtuar demokracisë si dhe kanë kërkuar e kërkojnë bërjen e drejtësisë. Dalë ngadalë ata që mbollën mortajën e diktaturës dhe duhet të përgjigjeshin e dënoheshin për të, arritën të dalin në krye, dhe mjedisi gradualisht po ndërgjegjësohet se kjo është elita, se ata janë të parët.Në këtë rrafsh, pika kulminante arrihet katërmbëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit totalitar në Shqipëri, në vitin 2005, kur parlamenti shqiptar mori vendimin e turpshëm kundër hapjes së dosjeve për deputetët. Ky turp mund të konsiderohet historik sepse nuk ka ndodhur në asnjë parlament të vendeve të tjera. E gjithë kjo është shpjeguar me argumentin cinik se përjashtimi nga kandidimi i deputetëve spiunë ishte një shkelje e të drejtave të njeriut. Kjo i ka vënë kapakun duke damkosur gjithçka dhe përbën një epilog të turpshëm të parlamentit shqiptar. (….. para së gjithash këto janë sfida politike…) E majta dhe nomenklatura e diktaturës ka kundërshtuar me forcë prej 20 vitesh çdo përpjekje për dënimin e krimeve të komunizmit.Duhet sjellë në kujtesë se në vitin 1995, për Ligjin nr. 8043, datë 30.11.1995. “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve…”, ka pasur kundërshtime të mëdha nga e majta ende komuniste dhe e përlyer me të kaluarën, që nuk kishte treguar as pendesë e as kishte kërkuar falje. Po kështu për ligjin e lustracionit, Ligji Nr. 10 034, datë 22.12.2008, “Për pastërtinë e figurës së funksionarit të lartë….”, u aktivizua në mënyrë të rrufeshme dhe asgjësuese aleanca e bashkëpërgjegjësve në krim, lidershipi i PS-së, drejtues që gjendeshin në krye të institucioneve kushtetuese, të gjithë mëkatarë si dhe zyrtarë e të përfshirë në administratë pas ngjarjeve të vitit 1997. Ky ishte kori i kundërshtarëve të dënimit të krimeve të diktaturës të cilët duke qenë kundërshtarë të përbetuar të demokracisë, ia dolën ta rrëzonin në Gjykatën Kushtetuese ligjin, nën argumentimin cinik të shkeljes së të drejtave të njeriut të atyre që kanë qenë ideator dhe realizues të krimeve monstruoze në diktaturë, pasi ata nuk mund të përfshiheshin në jetën politike në mënyrë aktive.Po kaq e rëndë dhe hije e zezë e zhvillimeve të demokracisë, është shantazhi brenda grupimeve dhe ndërmjet krahëve të politikës me lojën e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit. Duke u larguar nga veprimtaria legale e nomenklaturës e cila ideoi dhe realizoi krimet e diktaturës staliniste, secila palë me kurthin e dosjeve mban zap jo njerëzit e vet, por edhe një pjesë të palës tjetër. Kështu shpjegohet paradoksi i madh që ka zyrtarë të së djathtës që janë po aq të zellshëm për të mbuluar krimet e komunizmit, njëlloj si të ishin të majtë.Kategoria e bashkëpunëtorëve përbën një armatë prej disa mijëra, dhe këta mijëra njerëz janë rekrutuar në rrethana të ndryshme, disa në kushte çnjerëzore, duke u gjetur në situata të vështira, natyrisht disa e kanë pasur me shumë zell këtë punë, por disa të tjerë e kanë bërë edhe të detyruar.Vetëdija njerëzore tregon se , sa me të ndjeshëm të jemi ndaj kësaj katastrofe të ndërgjegjes, aq më të pandjeshëm duhet të jemi ndaj atyre që e kryen këtë punë me zell dhe më të ashpër ndaj atyre që e kryen të njëjtën punë pa i detyruar kush. Për sa i përket atyre që përbënin kupolën e nomenklaturës së kuqe e cila ka krijuar këtë mjerim biblik, as që mund të mendojnë për mirëkuptim, çka do të ishte një krim i dytë për shoqërinë shqiptare. Vlerësim krejt të kundërt duhet të kemi për ish-nomenklaturën e cila për ironi të fatit është quajtur “elitë” e vendit dhe ka luajtur rolin kryesor në jetën e tij. Sistemi piramidë tregon se sa më i lartë ka qenë posti, aq më i madh bëhet faji për të arritur deri te maja e kupolës.Në Shqipëri duhet të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë ideja e gabuar se kanë qenë si kanë qenë udhëheqësit, punët e liga i kanë bërë spiunët profesionistë. E vërteta është krejt ndryshe. Mbi “elitën” udhëheqëse jo vetëm rëndon fakti i realizimit të kësaj murtaje dhe i krimit madhor, por ajo kastë i ka bërë të gjitha punët e pista të spiunimit. Po ti referohemi të dhënave historike që nga krijimi i Partisë Komuniste, në vitin 1941, krerët e saj kanë denoncuar njeri-tjetrin tek Stalini, Titoja, tek jugosllavët, tek rusët, derisa spiunimi u kthye rit familjar duke u ngritur në sistem.Pinjollët e diktaturës nuk mund të përdorin më legjendën poshtëruese aq shumë të përhapur se zyrtarët e lartë ushtruan terror nga që ishin të keqinformuar. Gjithashtu drejtuesit e institucioneve kryesore të terrorit intelektual nuk mund të justifikohen se ishin të detyruar nga lart të bënin ato që kanë bërë. Të dyja palët janë të përlyera deri në grykë, të mpleksura në një aleancë monstruoze, e cila shumë rrallë herë mund të ndeshet në histori. Prandaj në transparencën e krimeve të diktaturës duhet kapur dreri për brirësh për të nxjerrë të vërtetën lakuriq. Këtë të vërtetë mund ta japë vetëm dhe vetëm bota e dokumentacionit. Bota e mashtrimit, më fort se çdo gjëje i trembet dokumentacionit.
Pikërisht për këto motive nga viti 1991 e deri më sot u janë sulur dëmtimit të arkivave në të cilat është fiksuar kujtesa historike e diktaturës. Gjatë viteve janë asgjësuar 39518 dosje (nga të cilat 29453 në tri vitet e fundit). Eksponentët e organeve të diktaturës , jo vetëm që kanë zhdukur, falsifikuar dosjet e tyre por imoraliteti arrin në shkallën më të ligë që mund të përfytyrohet duke falsifikuar jetëshkrimet për periudhën që kanë shërbyer në këto struktura të krimit politik dhe mashtrojnë zyrtarisht emërtesat për të uzurpuar strukturat shtetërore si dhe ato politike. Akoma me shqetësuese dhe shumë e rrezikshme është kapja e medies nga stalinistet që kërkojnë të fshehin krimet e tyre. Sot është tepër e vështirë të përpiqesh të botosh dokumentacion zyrtar, autentik, madje kur nuk janë sekret, në përpjekje për të bërë transparencën për krimet e ish-zyrtarëve të organeve të diktaturës se proletariatit. Kori i bashkuar kundër hapjes së arkivave të fshehta, ato që janë kusht i domosdoshëm për çdo demokraci e çdo qytetërim, tregon qartë se sa larg qytetërimit ndodhet ende sot një pjesë e shoqërisë shqiptare. Kodi i moralit kërkon që kur vihen përballë moraliteti me imoralitetin, në mënyrë të natyrshme dhe të vetvetishme kalon në anën e moralitetit.Kjo aleancë dhe ky kor jo vetëm që është kundër viktimës, por në mënyrë të hapur bëhet mbrojtës i dhunuesit (shtypësit, diktatorit). Kjo aleancë përbëhet nga dy grupe: grupi i parë përfshin bashkautorët në krim që i lidhe dhe i bashkon ata, dhe grupi i dytë janë një tufë zyrtarësh të mesëm e të lartë, ata që dje ishin buka dhe kripa e diktaturës, e që sot i gjen kudo në jetën e sotme politike, deputetë, kryetarë partish, diplomatë, shefa, mbi shefa e nën shefa pa fund.Tabloja rozë që del prej tyre është fyerje e rëndë për vuajtjet e këtij populli. Trimërimi i së keqes staliniste, arroganca, fryma revanshiste e saj, dëshmohet pikërisht tek politikë bërja e lidershipit të majtës Shqiptare.Këtej e kanë origjinën sëmundjet kronike të politikës të manifestuara nga e majta shqiptare gjatë këtyre 20 viteve si: Mosnjohja e zgjedhjeve, bojkotimi i institucioneve kushtetuese dhe i parlamentit, politika e rrugës e të tjerë. PS-së në vitin 1996 -1997 deri sa i vuri zjarrin vendit nuk u kthye ne parlament. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, ku nuk ka bërë asnjë ditë jetë aktive institucionale përveç se qëndrime bllokuese e destabilizuese. Këto jo vetëm përbejnë turpet te neveritshme të jetës politike në vendin tonë, por do ta kishin zili grupet terroriste marksiste – leniniste. Lidershipi i PS-së nuk pranon demokracinë dhe rregullat e saj pa u dënuar krimet e regjimit totalitar stalinist për mizoritë e kryera në Shqipëri. Përpjekjet për shëndoshjen morale të Shqipërisë po bëhet kusht për ekzistencën tonë të mëtejshme.Evolucioni i shoqërisë njerëzore nga lashtësia deri më sot është historia e hapjes e transparencës dhe e përpjekjes drejt të vërtetës dhe jo histori e mbylljes nëpër skuta. Duke mos u bërë transparenca dhe duke mos u dënuar krimet e diktaturës staliniste po dëmtohet rëndë institucioni i përgjegjshmërisë individuale dhe kolektive i cili është garant i zhvillimit dhe progresit të vendit. Kjo është trashëgimia më e keqe që mund tu lesh brezave. Në këto rrethana po krijohet ideja se mund të bësh gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi dhe akoma më keq nuk përgjigjesh. Pse qytetërimi ka krijuar procesin e Holokaustit, Gjykatën e Hagës për të gjykuar krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin?! Pse nuk parashkruhen në konventat dhe kushtetutat e vendeve demokratike krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi?! Këto instrumente janë krijuar për tu mbrojtur nga e keqja e cila duhet dënuar. Kjo gjykatë ka gjykuar Sllobodan Millosheviçin dhe të tjerë.Në këto rrethana duhet sjellë ndërmend sentenca e ish-presidentit të SHBA-së, Klinton, “Kujtesa është mbrojtja më e mirë”.Shqipëria në rast se nuk bën lustracionin, liria, demokracia, siguria, integrimi nuk do të jenë reale por vetëm virtuale.

Ndjenje realiteti, Astrit Lulushi



Vëzhgues aktiv i debateve kulturorë e politikë në Shqipëri, Astrit Lulushi nuk mungon të sjellë një mendim ndryshe, një përvojë e re, një përfundim, që e nxjerr duke qëndruar përmbi konfliktin politik shqiptar, larg radikalizmit, por asnjëherë duke synuar që të jetë i pëlqyeshëm për të gjitha palët.
Pak ndryshe, Astrit Lulushi


Pak ndryshe, Astrit Lulushi

Me gjuhë sintetike e elastike që të kujton herë – herë Volterin apo Emile Chartier (Alain), me ngjeshje ideore dhe forcë konkluduese që shkon deri në aforizma a shpërthime proverbiale, Astrit Lulushi vjen me këtë libër për t'i thënë disi ndryshe dukuritë e jetës sonë, përmes lëvrimesh filozofike, sociologjike e kulturore.
"Pak ndryshe" (histori, art, poezi, politikë, kulturë) me autor Astrit Lulushi. Ky libër përmbledh shkrime ndër vite të autorit Astrit Lulushi i cili prej kohësh është i pranishëm me gjini të ndryshme të letërsisë, i vlerësuar për fjalën e tij të pjekur, kërkimin e avancuar në aspektin e mesazhit filozofik. Tashmë ky autor shqiptar është i pranishëm edhe në mjedisin e librit dhe botimeve shqipe. Ky vëllim përfshin rreth 130 ese të tematikave të ndryshme dhe është një libër i këndshëm i shkruar me objektivitetin e një të emigruari shqiptar, larg politikës dhe ndikimeve ideologjike të partive të shumta në atdhe.
"Me gjuhë sintetike e elastike që të kujton herë – herë Volterin apo Emile Chartier (Alain), me ngjeshje ideore dhe forcë konkluduese që shkon deri në aforizma a shpërthime proverbiale, Astrit Lulushi vjen me këtë libër për t'i thënë disi ndryshe dukuritë e jetës sonë, përmes lëvrimesh filozofike, sociologjike e kulturore, ku fokusohet dhe dritësohet e nesërmja shqiptare drejt progresit."
Fotaq Andrea
"Pak ndryshe" na sjell për lexim diçka me të vërtetë specifike, thellësisht të dallueme nga biblioteka e botimeve shqiptare sot. Që në fillim, citati i R. W. Emerson – it na përgatit për landën; ai tregon preferencën e autorit me ndjekë "një rrugë të ndryshme", nji qëndrim pak a shumë ikonoklast në fushën e kulturës së sotme shqiptare, atë që Robert Frost e quen "... the unbeaten path".
Ky asht një pozicionim që kërkon guxim intelektual. Hapi i parë "Liri pa fjalë" asht nji përbuzje për heshtjen e pajustifikueshme e thirrje për nji jetë me "... ndjenja, arsye e kuptim", për mendimin e lirë me shprehje të reja. "Jepuni njerëzve mundësi e kushte dhe ata do të mendojnë ndryshe" asht nji kambëngulje për ndryshim që ngrihet sidomos kundër konformitetit mbytës të çdo fanatizmi.
Ky vëllim asht një përpjekje fisnike me sjellë një kuptim në irracionalen e së kaluemes sonë, nji përpjekje me tejkalue traumën e konformitetit që sundon dhe mundësisht me projektue një perspektivë të re për breznitë e ardhshme. Sepse, asht e nevojshme për këtë brezni me njohë qoftë kufizimet e paevitueshme, qoftë kundërthanjet e brendshme që përmbajnë idetë e normat e jetës, nji qëndrim që fton pyetjet e pambarim, e rishikimet e pafund, nji orientim i qartë në "Pak ndryshe".
Sami Repishti, PhD. City University of New York
"Pak ndryshe", apo më saktë, mjaft më ndryshe vërtetë për nga ndjesia, emocioni që të jep kur kundron këtë "buqetë" shumëngjyrëshe përsiatjesh (dhe artikuj shkencorë), që rivalizojnë njëra – tjetrën për nga thjeshtësia e natyrshmëria e "ndriçimit" të gjërave, pazakontësia e kapërcimit të trajtesave stereotip, guximi për të shkuar përtej të zakonshmes në hamendësim, një udhëtim brilant në përmasat e kohësisë shoqërore... E gjitha e mbështjellë nga një dhimbje koniciane për Shqipërizën tonë të dashur!"
Aleksandër Kocani

“BALKAN CAESAR” nga P. Lucas,roman me shumë të vërteta




Shkruan: Astrit LULUSHI


Peter Lukas, është një figurë e njohur e gazetarisë amerikane. Për shume dekada, ai ka punuar për gazeta të njohura, si Boston Globe e Boston Herald. Lukas, edhe shkrimtar, është bir emigrantësh shqiptarë që u vendosën në shtetin Masachusets, aty nga fillimi i shekullit XX.Sulmi japonez në Pearl Harbor, dhjetor 1941 e detyroi SHBA-në të hynte në luftën e dytë botërore. Gjatë kësaj lufte, në radhët e ushtrisë amerikane shërbyen edhe shumë shqiptarë. Karakterin e njërit prej tyre sjell Peter Lukas në romanin anglisht,Balkan Caesar. Nëpërmjet tij, lexuesi njihet me protagonistë të tjerë; me jetën,ngjarjet e rrethanat që i bënë ata të tillë.



Më 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, ndërsa më 1941 filluan të ndjeheshin krismat e para të organizuara kundër këtij pushtimi; ky është trajtimi i periudhës ’41 – 44 që komunistët i bënë historisë. Kuptohet se nën një diktaturë,kjo histori u sfidua vetëm nga heshtja dhe mendja e mbyllur; kusht për mbijetesë, gënjeshtër e tirani”Balkan Caesar”, padyshim, është një roman historik, megjithëse që në hapje të librit, Lukas thotë se “cdo ngjarje, person a emër që ndeshet në libër vetëm rastësisht përkon”; thënie standarte e përdorur shpesh, sepse kështu shkrimtari i lejon vetes të shprehet lirshëm, për hir të formës artistike dhe në disa raste për hir të së vërtetës. Në këtë mënyrë libri bëhet tërheqës, por edhe autori u shmanget sulmeve nga rrethe të ndryshme ose nga persona a të afërmit e tyre që “rastësisht” mund të “njësohen”.
Që në kapitullin e parë, Lukas krijon skenën ku do të zhvillohen ngjarjet e romanit,dhe ku lufta vëllavrasëse e intrigat zenë vend;“…. një nga personat e armatosur, më shtatlart se të tjerët, doli nga vendi ku ishte fshehur, iu afrua trupit të të vrarit dhe hodhi mbi të një letër ku ishte shkruar vetëm një fjalë; HOXHA”.(Lucas, 17)I vrari ishte ushtar italian, arbëresh, ndërsa komandanti i grupit të armatosur ishte Enver Hoxha. Këtë ngjarje, Lukas e vendos në gusht 1941, në Pezë, si për të paralajmëruar nga një tjetër kënd, fillimin e luftës së shqiptarëve kundër njëri-tjetrit, të një luftë plot viktima jo vetëm fizike por edhe shpirtërore.Pastaj Lukas kalon në një ngjarje krejt ndryshe por njësoj domethënëse. Më 1941, një djalë i ri paraqitet vullnetarisht në zyrën e rekrutimit ushtarak në Boston. Ku ishte 22 vjecari Tom Stevens, një tjetër shqiptar nga përtej oqeanit, bir i një familjeje emigrantësh nga Korca. Lindur në Amerikë, ai kurrë nuk kishte qenë në Shqipëri, por shqipen e fliste mjaft mirë; prindërit ishin kujdesur për këtë.Fakti që ai fliste dialektin tosk, tërhoqi vemendjen e Zyrës së Shërbimeve Strategjike – OSS, organizatë elitë kundërzbulimi, paraardhëse e CIA-s. Planet e kësaj zyre ishin dërgimi i agjentëve përtej vijave të frontit, për mbledhje informatash dhe për të nxitur luftën kundër nazizmit. Për këtë arsye Tom Stevens i nënshtrohet një stërvitjeje intensive, vecanërisht psikolgjike. Gjatë këtij kursi,ai njihet nëpërmjet fotografive e imazheve filmike, me personat që do t’i duhej të shoqërohej për disa vite, përfshi Hoxhën, Shehun, Pezën, Fajën, Kapon, Xoxin e shumë të tjerë. OSS e dinte se dërgimi i agjentëve në radhët e partizanëve i ngjante “marreveshjeje me djallin”, por veprimi shihej i domosdoshëm pasi komunistët ua kishin mbyllur rrugën misioneve britanike me pretekstin se ata ndihmonin Legalitetin e Ballin Kombetar. Detyra e Stevensit ishte për të arritur të vendosej pranë shtabit të përgjithëm të nacional-clirimtares, për të fituar besimin e Hoxhës, si dhe për të dërguar informata rreth gjendjes së forcave naziste në Shqipëri dhe rolit që luanin sovjetikët.Më 1943, Stevens me grupin e tij zbarkon fshehurazi në Sarandë. Prej këndej, autori Peter Lukas përshkruan veprimtarinë e këtij “ushtaraku të parë amerikan në tokën shqiptare”. Krahas kësaj, Lukas e njeh lexuesin me figura, karaktere e ngjarje; të njohura, të fshehura, të panjohura, të mira, të këqia, të shëmtuara, tronditëse,zhgënjyese, të hidhura, por më pranë të vërtetës historike, si kurrë ndonjëherë.
Pas luftës së dytë botërore, gjatë luftës së ftohtë, deri më 1990, shume shqiptaro-amerikane, kryesisht ish emigrantë ekonomikë të fillimisht të shek. XX, kishin një mendim ndryshe nga ai i të aratisurve nga regjimi i Hoxhës. Këta shqiptare besonin se popujt nën komunizëm njerezit vuanin, sepse kishin aq shumë vite në Amerikë sa të ishin në gjendje të bënin dallimin. Por ishte mungesa e empathisë, pasi shumë prej tyre kurrë nuk kishin përjetuar përndjekje politike, që i bënte të dyshonin se shqiptari mund t’a trajtonte shqiptarin shtazërisht vetëm pse mendonte ndryshe. Ata gjithashtu ishin të bindur e E.Hoxha ishte një clirimtar, dhe se krime si ato që dëgjonin mund të ndodhnin vetëm në Bashkimin Sovjetik, Bullgari, Rumani e në cdo vend tjetër nën komunizëm, por jo në Shqipëri. Vetëm kur komunizmi ra dhe Shqiperia u hap, shumë prej tyre u njohën me të vërtetën e së vërtetës, ose filluan t’a pranonin atë, dhe u kthyen për t’u dhënë të drejtë të ikurve, atyre që i kishin cilësuar “tradhëtarë”.
Një përforcues i kësaj të vërtete, është edhe libri në anglisht Balkan Caesar i shkrimtarit Peter Lukas, i cili gjithashtu ndihmon për ndarjen e atdhetarizmit nga ideologjia, xhveshjen nga romantizmi, por edhe nga ngjyrat bardh-e-zi.

DUA



Nga : Edison YPI

Sa ende pyjet nuk janë sharruar të tërë, sa ende do të ketë edhe vetëm një gjethe të jeshiltë, sa ende vrima e ozonit nuk i ka shkrirë akullnajat, sa ka njerëz të ndershëm, që adhurojnë perëndinë, sa ende ekziston mëshira dhe dhembshuria, sa ende ka nëna që dridhen nga dashuria, duke mbajtur në gji foshnjën që qan, sa ende të ketë edhe një njeri të vetëm të aftë t’i mbushen sytë nga dashuria, nga padrejtësia, nga fatkeqësia, sa ende yjtë ndriçojnë, sa ende dielli djeg, sa ende hëna frymëzon……dua! Dua të di të dua të jetoj, jo të di të vdes. Të vdes dua, nëse nuk dua; shira të përgjakta të më përmbytin, erëra të përflakta të më djegin, baltra e dhera të nxehta të më mbulojnë. Dua bardhësinë e jetës së lirisë, dashurisë e paqes dua. Dua zinë, errësirën e kozmosit, errësirën e shpirtit dua. Nuk e di sa dua, s’di sa kam dashur, s’di sa do dua. Dua shumë dhe kam pak. Dua pak dhe kam shumë. Dua sa s’belbëzohet, sa s’thuhet, sa s’shkruhet, veçse dua, dua, dua. Dua të di të dua. Dua të mos di të mos dua. Të dua prita. Dua të mos pres më të dua. Dua të ngutem të dua. Dua ngutja për të dashur të mos jetë yrysh, rrëmujë, dhunë, revolucion. Dua ngutja të jet’ jetë. Dua që shqiptarët, shqiptarët kudo që janë, ta duan njëri-tjetrin. Dua që shqiptarët ta dinë, ta kuptojnë, ta mësojnë më së fundi, se diktaturat e djathta janë kriminale, por të majtat, si ajo nën të cilën u shkatërruan, janë edhe më kriminale, edhe më të përbindshme. Sepse të djathtat bëjnë çfarë bëjnë, por pas tyre, vendet e tyre, popujt e tyre, bëjnë si bëjnë e vinë në vete, bashkohen e ndreqen, ndërtohen e begatohen. Hidhi një sy Gjermanisë, Italisë, Kilit. Por ah, diktaturat e majta godasin shumë më dhimbshëm, shumë më vdekshëm. Sepse prekin, dëmtojnë, helmojnë, shkatërrojnë genin, qelizën, gjenezën e njeriut e të mbarë kombit. E për t’u ndrequr, për të ardhur në vete, duhen dhjetëra a më shumë vite. Madje pasojat e disa krimeve të tyre sa duket nuk ndreqen kurrë. Dua të marrë fund majmunllëku i importimit të sub-kulturave, sub-civilizimit, atij që edhe atje prej nga e importojmë urrehet. Dua të mos dëgjoj më shurdhërimtarë, që flasin për korrupsion e nuk venë kurrë në Prokurori. Dua rrugët të mos mbarojnë kurrë së ndërtuari, trotuaret të mos mbarojnë kurrë së sistemuari, e parqet kurrë se jeshiluari. Derisa Shqipëria të bëhet Zvicër, derisa sheshi “Skënderbe” e plot sheshe të tjera të mbushen me pëllumba që nuk kanë frikë nga njerëzit, derisa autobusët dhe trotuaret të mbushen jo si tani me të shara e me piskama, por me “më fal”, “të lutem”, “faleminderit”, deri atëherë pra, dua buldozerët të buçasin, vinçat të ulërijnë, kompresorët të shfryjnë, shembjet të më shurdhojnë, pluhuri të më mbulojë, mushkëritë copë të më bëhen nga ai pluhur. Dua të gjithë shqiptarët e ikur të kthehen. Të vijnë të bashkohemi të gjithë nën këtë pluhur ndërtimtar, e së bashku, po të lypset, edhe të vdesim nën atë pluhur. Të kthehen në të njëjtën mënyrë si ikën dua; njëherësh të gjithë, me mijëra, duke rrëmbyer tragetet e shpresës, lirisë e dashurisë, dhimbjes, rënkimit, mallit. Të vijnë këtu, me diturinë e bukurinë e të gjithë botës mbi shpinë. Dua që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë se shtettharët që qeverisin sot nuk janë ata që meritojmë. Dua që shqiptarët të mos u besojnë kurrsesi përrallave hileqare për demek mosnënshtrim, përulje, nderim ndaj më të mirëve mes tyre. Dua që shqiptarët ta dinë e ta pranojnë se kanë edhe ata me se të mburren, se e kanë historinë e tyre, artin e tyre, Shekspirin e tyre, Çurçillin e tyre, atë që u tha anglezëve se pas shkatërrimit nuk duhen shumë, por vetëm tre gjëra të thjeshta: punë, punë, punë. Dua që shqiptarët të mos presin hënën e plotë në muzg për t’ua ndërruar ajo qeverinë, por ta ndërrojnë vetë sa herë të duan, jo me ëndrra me yje e hëna të plota, apo të ngrëna, por duke votuar në paqe. Dua që shqiptarët të mos lodhen duke u përleshur, duke sharë, duke shpifur për njëri-tjetrin, siç vazhdimisht dhe fatkeqësisht po bëjnë tërë këto vite. Sidomos të vuajturit, të burgosurit, të sakatosurit, të mos e përgojojnë njëri-tjetrin. Dua ta kuptojnë se nuk hyhet, nuk kuturiset atje, ku asnjë logjikë nuk funksionon, asnjë kuptim nuk ka kuptim, asnjë pyetje nuk ka përgjigje, asnjë “Pse?!” nuk ka “Sepse….”; në ferrin e Spaçit e të Burrelit, si në atë të Dantes, apo të Aushvicit. Dua shqiptarit që nuk flet, por leh, të mos i hahet haku, të quhet me një emër të përshtatshëm për të qenë. Dua të mos shoh emisione televizive me analistë pordhëtarë, shumica të parruar, që, pa pikë turpi mes kamerash, dritash, reflektorësh, gjeneratorësh, ngrehur nga kolltuku i shtëpisë “në lidhje direkte me studion”, kur studio mavria dhe shtëpi zia nuk janë më larg se dyqind a tetëqind metra larg në vijë ajrore nga njëra-tjetra, flasin lodhshëm e ngatërrueshëm për hallet e shqiptarëve, duke cituar filozofë e dijetarë, aq keq, aq ligsht, aq mbrapsht, aq kot, sa duken si alienë, që sapo kanë zbritur nga Marsi për t’u llafosur për rrathët e Saturnit. Dua të mos shoh vajza që edhe ato pa pikë turpi dalin e llafosen e krekosen përpara kamerave të veshura e zhveshura si porno star. Dua të shoh në TV sa më tepër fëmijë nga fshatra të thellë izoluar nga dëbora, që u plas apendiciti rrugës për në spital. Po, po ashtu dua! Sepse këto kanë ndodhur gjithmonë, shumë më shpesh se tani, por vetëm tani po bëhen të njohura, e sa më të njohura të bëhen, aq më rrallë do ndodhin. Dua të besoj se ai tuneli nga një dyqan brenda një burgu, që u zbulua pak ditë më parë, nuk u ideua as nuk u financua nga ndonjë i burgosur që donte të dilte jashtë, por nga ndonjë i lirë, që donte të hynte brenda, punë e tij pse. Dua që sa më shumë shqiptarë ta shohin, ta ndjejnë, të rrëqethen para asaj të krisurës së vogël fare prej nga shpërthen ai zjarri i madh, ajo flaka e bardhë e dashurisë që djeg, drita që ndrit gjithçka, urtësia që zbut, nënshtrimi që fisnikëron, malli që s’vdes, ajo drita pra që e bën universin kaotik, të pakuptueshëm, të pazbërthyeshëm, misterioz, por po aq të qëndrueshëm dhe jetës i jep atë lëngun e veçantë, e mbështjell me atë eterin e padukshëm, duke e bërë sa më të vështirë e të dhimbshme, aq më të dashur. Dua të gjithë shqiptarët ta kenë atë talentin e rrallë që të bën të dish të plakesh, duke mbetur gjithmonë adoleshent. Dua që, tani që dijes e shkencës po u shfaqen disa mure, disa kufij, dukshëm të pakapërcyeshëm, të cilat mure, të cilat kufij, po i bëjnë dijetarët ta kthejnë kokën nga besimi, të bëjnë disa pyetje të vjetra të harruara, dua pra që jo vetëm dijetarët, por të gjithë shqiptarët ta kthejnë kokën andej e të nisin të bëjnë ato pyetje. Dua që të gjithë ta dinë se dashuria është si numri “¶”, natyral, irracional, mistik dhe shumë, shumë i rëndësishëm. Dua të gjithë të dinë se të dashurosh nuk do të thotë të gjesh njeriun e përsosur, por të mësosh të shohësh njeriun e papërsosur përsosmërisht. Dua që shqiptarët ta kuptojnë mirë e të mos e harrojnë kurrë atë që ka thënë bashkëkombësja e tyre Nënë Tereza: “Në këtë Botë, uria për Dashuri është shumë më e madhe dhe më e vyeshme se uria për bukë”. Dua që për Shqipërinë “më mirë të qaj unë për të, se sa ajo për mua….”. Dua atë që dua. Dua dhe përshëndes të gjithë ato/ata që më duan dhe i dua, por dua më tepër të gjithë ato/ata, që nuk më duan. Dua që, të gjithë, shqiptarka e shqiptarë…. “të jetojnë duke u mahnitur, të mos munden kurrë dot të vështrojnë pa u tronditur, të dashurojnë pa derdhur lot”.

Gjëra të pa ngulitura


Nga : Astrit LULUSHI


Njeriu thotë se ka mësuar nga jeta e historia, dhe krenohet, por shpesh gabimet përsëriten – çka tregon se mësimi nuk është nxenë. Poredhe alternativat janë aq të shumta sa që në një jetë kaq të shkurtër është fatkeqësi që i njëjti gabim të përsëritet dy herë, shprehej Bertrand Russell…Periudha e sundimit komunist u përshkua nga shumë të këqia, por mënyra se si “ishët” – emër shumë i lakuar në pasdiktaturë – me mendjemadhësi e pandjesë sillen , hedh dyshim mbi sinqeritetin. Gjithashtu, s’mund të quhet arritje robërimi i një populli dhe as robërimi pa dorashka,si burgosjet, internimet, përndjekjet, apo vrasjet e kundërshtareve duke i shpallur tradhëtare të kombit, vetëm se nuk pajtoheshin me të njëjtën ideologji si ajo e tyre.Gjithë këtë marshim njerëzish fodullë, triumfantësh të pashpirt, poeti Uran Kostreci, mbi 30 vjet ish i burgosur e i internuar politik, e quan “Epopeja e Karkalecëve dhe Agonia e Karkalecëve”.



“U mbush….dynjaja
Me karkalecë
Ka mall…njeriu
Përdhe të ecë!”
(Epopeja…,Botimet Onufri, 2011)
Karkalecët jane “klasë” insektesh parazitë – uzurpues, shkatërrues që ikin vetëm pasi u digjet toka nën këmbë. Karkalecët janë komunistët,shpjegon poeti në fusnotë.
“Në bulevarde
E nëpër piaca:
Sheh karkalecë
Zënë “allabraca”.
Dhe përshtypja është si një film i jetuar, sepse në kohën e rrënies së diktaturës, Shqipëria dukej një fushë e djerë e djegur, e sapo braktisur nga një ushtri e tërë karkalecësh frikacakë, jetëtharës.
“Në vend të lekut
Merr medalione,
Flamurka yllka
Emulacione”.
Vargjet e Epopesë së karkalecëve, zunë fill në mendjen e poetit në vitet 1970, kur gjatë ecejakeve në oborrin e burgut, ai i krijonte dhe përpiqej t’i mësonte përmendsh. Poetë të tjerë të burgosur i regjistronin vargjet e veta edhe ne letra cigaresh, siç ishte rasti i
Arshi Pipës, që i botoi kur u arratis në perëndim.”Epopeja e Karkalecëve dhe Agonia e Karkalecëve” (për herë të parë së
bashku në një libër të vetëm, i ngjan një kundër përgjigjeje ndaj Epopesë së B. K., poemë satirike e propagandës komuniste, një nga
krijimet e poetit dhe shkrimtarit të realizmit socialist, Shefqet Musarai.Epopeja e Karkalecëve dhe Agonia e Karkalecëve e Uran Kostrecit përfshin një epokë të gjërë nga fillimi deri në fundin e diktaturës:
“Tash karkalecë
Aty, bëjnë pallë,
Më nipër, mbesa,
Me teze e hallë”.
Të majtët e Shqipërisë i gëzohen fitores së të majtës në Francë, thotë Kostreci, por ata nuk e shoqërojnë ketë gëzim edhe me kujtesën se Franca e sotme nuk është e pasardhësve të krimeve e terrorit të giotinës komunare e anti-monarkiste, por e atyre që i dënuan ato krime, u shkëputën përfundimisht prej tyre, u thanë “Ndal, Jo më!”, ndërruan rrugë, duke hedhur themelet e ngrehinës që sot quhet Republika franceze.
“Po Shqipëria?”
“C’qe kjo mënxyrë -
Mallkon mileti -
Ai dhe vdekur
Peshqesh…na mbeti!”
Poema përfundon me përshkrimin e rënies së komunizmit dhe vendosjen e demokracisë – 22 mars 1992;
“Fillojnë greva
E demonstrata
………
E bëjnë Susakun
Të ikë me vrap”.
Gjithësesi, mendimet e ndjenjat përmbajnë më shumë sesa thonë, por shpesh vetëm nëpërmjet artit poetik mund të shprehen lirëshëm e plotësisht me fuqinë e tyre. Dhe Uran Kostreci, prozator e autor sonetesh, zgjodhi pikërisht formën e vargut të shkurtër me rimë të alternuar. me fjalë e shprehje të ngarkuara me tallje e përçmim, sarkazëm e ironi. Librin prej rreth 150 faqesh, autori ua blaton antikomunistëve shqiptarë.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...