Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/20

XHEMALI ABEDIN BEQIRI-1929-1987[1]

...Në gjysmën e dytë të muajit qershor të vitit 1949 si bashkëveprimtarë me të akuzuarit Sadudin Gjurën dhe Sabri Ramizin janë takuar dhe ka kuptuar me çka është pajtuar të jetë anëtar i organizatës LIRIA. Si i tillë më të akuzuarit Izmit Bajrami dhe Abdylselam Skenderi në Tetovë formojnë grupin ku edhe shumë herë kanë mbajtur takime me çka kanë shperndarë materiale me përmbajtje armiqësor. Janë lidhur me personin Nexhat Idrizin nga fshati Gajre dhe me Xhemaludin Beqirin nga fshati Recicë e Madhe dhe i inkuadrojnë në grupin e tyre dhe se janë përpjekur që të themelojnë grupe në dy fshatrat e përmendur dhe se u ka dhënë detyra operative personave në fjalë... [2]….Po ashtu Murat Isaku formon treshin në Reçicë të Madhe dhe atë me Xhemail Beqirin nga Reçica e Madhe, i cili ishte përgjegjës i Inspeksionit Tregtar që atëherë kishte njëfarë policie finaciare, por edhe ishte mjaft njeri intelegjent dhe Hafëz Asllanin, i cili ishte ortar nga Reçica e Madhe…[3]…Pas tradhtisë që ndodhi për mosrealizimin e marrëveshjes Tito-Enver Hoxha për bashkimin e tokave shqiptare deri ku flitet shqip, fillon të merret me aktivitete politike ilegale që kishin të bëjnë me bashkimin e trojeve shqiptare. Në këtë kohë njihet me bashkëmendimtarët e tij si: Sadudin Gjura, Xhelaludin Gjura (Shipkovicë), Murat Isaku (Gajre), Xhemali Beqiri (Reçicë), Izmit Bajrami (Lisjan i emigruar në Shqipëri), Haki Etemi, Esat Idrizi, Idriz Idrizi(të gjithë nga Ballishti) ky i fundit ka emigruar në Shqipëri. Të gjithë këto kanë vepruar në Organizatën Ilegale të quajtur “ILIRIA” me seli në Tetovë, dhe me celua veprimi në Kosovë, Luginë të Preshevës, Vrajë e …[4]

Xhemali Beqiri lindi më 1929 në fshatin Reçicë e Madhe, ku edhe kreu shkollën fillore. Pas viti 1945 punoi në Komititin e Rinisë në Komunën e Tetovës. Përshka të veprimtarisë kombëtare në Organizatën Ilegale Politike Kombëtare “LIRIA”, u dënua me burg të rëndë në vitin 1951/52 qëndroi në burgjet e Idrizovës dhe në Goli Otok.Në vitin 1957, punësohet si mësues në fshatin Kapaçindoll të komunës së Tetovës, ndërsa më vonë në fshatrat e Korabit të Rekës së Epërme, nëpër fshatrat e Malësisë së Sharrit e kështu me radhë. Në vitin 1967 regjistrohet në shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, e kreu me sukses dhe përsëri iu kthye detyrës së mësuesisë. Punoi deri para se të vdes në arsim. Vdiq në vitin 1987.

[1] /Shënime nga: SHOQATA E PEDAGOGËVE SHQIPTARË-TETOVË, MONOGRAFI “VETERANËT E ARSIMIT SHQIP TË PERIUDHËS 1940-1960 NË TETOVË DHE RRETHINË”-Tetovë,gusht,2000, f. 86/

[2] /fregment i shkëputur nga aktakuza D 7592, K.BR. 27/52 /

[3] /fregment i shkëputur nga aktakuza D 7592, K.BR. 27/52 /

[4] / fragment nga biografia e Abdylselam Skenderi/

ISMAIL SHAIP SAIDI-1925-1989[1]





Në grupin e parë ishin gjashtë vetë: Sadudin Gjura, Murat Isaku, Izmit Bajrami, Sabri Ramizi, Abdylselam Skenderi dhe Vehbi Lushi.

Në grupin e dytë isha unë (Sheref Kazazi), Gani Luma, Ismail Sahidi, Hysni Abdullahu dhe një prej Shqipërie, i cili dikur ishte kryetar i Komunës së Vrapçishtit, e pastaj u bë mësues.

Në grupin e tretë ishin Xhemail Beqiri, një mësues tjetër nga Reçica dhe një tjetër nga Shipkovica, Mulla Jaha dhe dy pleq, gjithsej 17 vetë…

...Të akuzuarit Ismail Saidi, për veprën e parë i shqiptoi dënim prej 3 vjet burg të rëndë dhe për veprën e dytë 2 vjet burg të rëndë. Dhe për të dy veprat në pajtim me nenin 46 të Ligjit Penal, i caktoi dënim të përgjithshëm si në diapozitiv... [2]

...I akuzuari ISMAIL SAIDI dënohet me 4 vjet burg të rëndë, ku i llogaritet edhe qëndrimi në burgun hetues nga 6.05.1952 dhe burgu prej 25.07.1946 deri më 23.01.1947 për veprën e parë... [3]

…I akuzuari i tretë Ismail Saidi në Tetovë, i cili ishte njoftuar nga i dënuari Xhevahir Vejseli për ekzistimin, detyrat dhe qëllimet e organizatës “Nacional demokratike shqiptare” pajtohet dhe bëhet anëtar i organizatës. Si i tillë u involvua në grupin e të dënuarve Nexhbedin Besimi dhe Jonuz Balla me të cilët ka mbajtur disa mbledhje të fshehta ku merr përsipër që të zgjerojë organizatën ashtuqë i bashkëngjiti personat Said Musai dhe Mesut Musa me të cilët ishte në kontakt të përhershëm. Në të njëjtën kohë verën e vitit 1946 i përfshirë nga i dënuari për terrorizëm Sadudin Gjura i bashkëngjitet atij dhe të akuzuarve Gani Luma dhe Sherif Kazazi dhe bëhet anëtar i shoqatës armiqësore “LIRIA”. Si anëtar i kësaj shoqate shumë herë ka marrë pjesë në mbledhjet ilegale të mbajtura në Shkup dhe Tetovë… [4]


[1] /Shënimet për biografinë i kam marrë në familjen e Ismail Seidit/

[2] /fragmente nga aktakuza faqe 1. Nr.=1295, br. 5885, kapt 3538 17-VI-1952 Prokuroria Publike e Qarkut dhe rrethit të Gostivarit Nr. 23/52 10.06.1952 Gostivar/ /

[3] /fragmente nga aktakuza Nr.=1295, br. 5885, kapt 3538 17-VI-1952 Prokuroria Publike e Qarkut dhe rrethit të Gostivarit Nr. 23/52 10.06.1952 Gostivar/

[4] /fragmente nga aktakuza faqe 1. Nr.=1295, br. 5885, kapt 3538 17-VI-1952 Prokuroria Publike e Qarkut dhe rrethit të Gostivarit Nr. 23/52 10.06.1952 Gostivar/





Ismail Saidi, lindi në vitin 1925 në Tetovë. Në familje kanë qenë katër vëllezër dhe një motër. Ismaili ka qenë vëllai më i madh. Por, dy vëllëzërit e tij Shabani dhe Rexhepi nga shkaqe të panjohura vdesin si dhe motra Naxhija e cilë pa ashtu vdes në vitin 1932 nga pneumonia-ndezje e mushkërive, dhe më 1933 i lind vëllai më i vogël Mit’hatit.

Prej vitir 1934 në familje mbesin vetëm nëna Ilmija, Ismaili dhe Mit’hatit. Nëna Ilmije për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike vazhdon me traditën e vjehrrës që të sigurojë kafshatën e bukës duke vejtur si qylyma e të ngjashme.

Ismail Saidi shkollën fillore katërvjeçare e përfundon në vitin 1937 në Tetovë, dhe më pas vazhdon në Medresenë e Isa Beut në Shkup ngase në këtë institucion arsimor fetar ku veshmbathja dhe ushqimi kanë qenë falas për katër vjet prej 1937-1941. Pas mbarimit të suksesshëm të Medresesë vazhdon mësimet në Normalen e Prishtinës prej vitit 1941-1944. Në ndërkohë ka qenë mësues në fshatin Dobrosht të Tetovës. Në vitin 1945 mobilizohet prej ushtrisë Jugosllave në Kumanovë dhe se në muajin mars të këtij viti bëjnë marshutën në këmbë për në Tivar. Prej Tivari me Armatën Dallmatine kalon në Istër ku hyn në frontin e Triestës. Në muajin maj pasiqë qetësohet lufta në Lovran (Opati të Kroacisë), kalon në Sllavonska Pozhegë, Golubnicë dhe Stara Pazovë. Pas kryerjes së marshutës lirohet nga ushtria dhe fillon të ndik kurset pedagogjike në Shkup ku njihe me personalitete të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare si me Azem Moranën e aktivistët të tjerë. Në ndërkohë anëtarësohet në Organizatën Fronti Nacional Demokratik Shqiptar dhe atë ngarkohet me detyrën për arsimin e popullatës së Pollogut dhe për pengimin e shpërnguljes së popullatës shqiptare për në Turqi dhe kundërshtimin e hapjes së shkollave turke ndër shqiptarë. Për këtë aktivitet kombëtar burgoset në vitin 1946, ku tre muaj i kalon në arrestim nga UDB-ja e Shkupit e cila atë kohë ishte afër stacionit të vjetër të autobusëve përkatësisht ndër Kalanë e Shkupit. Pasi del nga burgimi maturën e kryen në IDADIJE në vitin 1948/49.

Ismail Saidin nuk e pranojnë në arsim. Punoi në Monopolin e duhanit në Tetovës, kurse në vitin 1950/51 fillon punën si mësues në fshatin Miletinë (Bardhë) të Tetovës. Pasiqë Ismaili vëren se në këtë shkollë shumë pak gravitojnë nxënës shqiptarë, ai me ndihmën e Adem Kruçit ( i shpërngulur në Turqi ku edhe ka vdek), i cili ka qenë kryepërgjegjës për arsim për komunën e Tetovës dhe të Gostivarit, në vitin 1952 shkollën e Miletinës e transferon në kudër të shkolës së fshatit Bogovinë kurse Ismail Saidi emërohet drejtori i parë i kësaj shkolle. Më dy maj 1952 në kodrinën e fshatit Bogovinë duke u argëtuar në piknik bashkë me nxënësit dhe me mësuesit Vehbi Vehbiin dhe Nexhat Idrizin, UDB-a jugosllave në krye me inspektorin Marçe i burgos të tre mësuesit dhe atë i prangosin para nxënësve të tyre e i përcjellin në burgun e Tetovës, i cili ka qenë në fushën e sportit të shkollës fillore Istigball. Pas dy muajve paraburgim i shqiptohet 4,5 vite dënim i rëndë me burg nga gjykatësi famëkeq Koço Tulevski si prokuror dhe atë për dy vepra penale. Më vonë Ismail Said it i shlyhen 6 muaj me çka i mbeten 4 vjet. Dy muaj i vuan në burgun e atëhershëm që ishte i instaluar nga OZN-a në bodrumin e Shtëpisë së Pionerëve, dhe më pas e transferojnë në burgun famëkeq të Idrizovës ku vuan burgun deri më 1954. Gjatë qëndrimit në burgun e Idrizovës Ismaili operohet nga hernia-bruhu. Prej Idrizove bashkë me 14 apo 16 shqiptarë që ndër ta ishin si Sali Lisi nga Dobrodolli i Gostivarit, Sadudin Gjura, Vehbi Vahapi-Lushi e të tjerë deportohen në burgun e Goli Otokut ku e vuan burgun deri në fund. Në muajin nëntor me vendim të Kuvendit të Jugosllavisë amnistohen 1300 të burgosur politik ku edhe ky atdhetar amnistohet. Në burgun e Goli Otokut ka qenë një kohë të gjatë në qeli e cila ka qenë për një person dhe atë 4 metra ndër toke, me çka ky atdhetar për shka të kushteve të mjerushme e të torturave të papërshkrueshme ka rënë në peshë prej 35 kilogramës. Sipas dëshmive që i ka rrëfyer Ismail Saidi, problemi më i madh ka qenë furnizimi me ujë, bile kanë qenë të detyruar që ta përdorin edhe urinën në mungesë të ujit, dhe se kur janë takuar pas disa muajsh me Vehbi Lushin njeri tjetrit ia kanë numëruar brinjët e trupit ngase kanë rënë shumë nga pesha.

Pas lirimit si ish i dënuar politik nga sistemi atëhershëm sllavo-komunist ka qenë i penguar që të punësohet në sektorin shtetëror e me theks të veçantë në arsim. Pas ardhjes nga burgu qëndron 1,5 vjet pa punë. Më pas punësohet si pastrues në shitoren e Ali Neshatit-BAKALLIT, por për shka të një mosmarrëveshjes me Aliun largohet nga vendi i punës. Pas një kohe të shkurtër punësohet si shitës në shitoren e atëhershme të Delikatesit, e cila ka qenë në qendër të Tetovës ku sot është agjencia turistike e Sharr turistit. Më pas edhe nga kjo punë del dhe inkuadrohet në arsim në shkollën e atëhershme të posa hapur “Bratstvo Edinstvo” sot “BRATSTVO-MIGJENI”, dhe se ndërkohë ka studiuar në Shkup në Akademinë Pedagogjike dega e gjuhës shqipe të cilën e kryen me sukses më 04.07.1964. Shumë herë është mbajtur në burg shtëpiak dhe atë varësisht nga situata e atëhershme politike dhe se ka kulminuar në vitin 1974 kur Tetovën e viziton gjakatari Josip Broz Tito, po ashtu dy herë nga ana e Komitetit Qendror i partisë komuniste ka qenë në proçesin e diferencimit politik.

Në vitin 1982 Ismail Saidi sëmuret nga infarkti i zemrës për të cilën gjendje u hospitalizua në Qendrën Klinike në Zagreb, ku i ka nduhmuar shumë Abdyrahim Begu. Në vitin 1988 hospitalizohet në Qendrën kardiovaskulare në Kamenicën e Sremit, ku edhe përjeton vdekje klinike. Në pritje të intervenimit kirurgjik në Spitalin e Tetovës përkatësiht më 31.07.1989 ndërroi jetë ky atdhetar i devotshëm i kombit shqiptar.

SPARTAKËT E KËSAJ KOHE




Vullnet Mato
 
SPARTAKËT E KËSAJ KOHE
 
Spartaku zgjidhi skllevërit 
dhe u priu në gërxhet e lirisë,
duke i këputur çdo skllavi 
zinxhirin e çeliktë të shfrytëzimit.
La për të gjitha kohërat 
në kujtesën e historisë,
britmën kryengritëse, 
kundër shtypjes dhe mjerimit.
 
Sa keq të bëhesh sot skllav  
me zinxhir te këmbët,
për mitingje e protesta 
si numër i shumësit aritmetik;   
me shpërblimin mizerabël, 
sa për të mprehur dhëmbët, 
të ndërsehesh kundër skllevërve 
kundërshtarë në politikë!...
 
Spartaku u ndriçoi njerëzve 
rrugën e kohës së vërbër.
Por ndodh njerëzit e kësaj kohe, 
verbohen nga spartakët karieristë,
pranojnë imponimin, 
apo premtimin e gënjeshtërt,
të mbushin sheshet me turma skllevërish 
pa britmën e protestës në shpirt. 
 
Unë për veten time, 
skllav nuk do të bëhesha kurrë.
Zinxhirët i këputa bashkë
me kërthizën nga barku i nënës.
Por në dalsha në shesh, 
me shokët e gjakut të ndezur furrë,
do i bie kambanës së qiellit 
me batoqin e hënës;
 
Derisa klithmat të çojnë nga varri 
vetë Spartakun e lashtë. 
Të vërë rregull me burra kombëtar 
që i duhen Shqpërisë.
Kalamajtë grindavecë të tribunave, 
që tundin shkopinjtë e lëmit me kashtë, 
t’i shpjerë prapë te nënat,
t’i vënë nga e para në sisë…

Poezi jubilare Pano Taçit




Nga Përparim Hysi



Përveç Krishtit, sot u ngjallë
Doravet Pano Taçi?!!!
Nuk gënjej, dëshmon një sallë
Erdhi vet ... dhe na kënaqi.


Erdhi mu si mjegull mali
Sytë menduar e krren një varg
Ne për të na kish marrë malli
O burra ta takojmë ndopak?


Përshëndeti Behar Gjoka
Për poetin që kish "ardhur"
Panua zbardhur qe si bora
Ne, të gjithë,nga malli kapur.


Pas Beharit, Reshat Kripa
Që ka qenë shokë ideali
Salla sus tani rrika
Aq shumë na ka pushtuar malli.


Flet Abazi, flet Moisiu *
Dhe për Panon thanë ka vlera
Bën me kokë Xhevahir Spahiu
E mbështet si protohera.


Bukur foli Agron Tufa
Bukur foli Demir Gjergji
Shoku i burgut Agim Musta
Tha:-Panua s'pyeti as nga ferri.


Vjen citon Nikollë Spathari
Për takime që ka patur
Mik i ngushtë Bedri Myftari
Sa me Panon bashkë kanë vuajtur.


Profesor Alfred Ruçi
Sado është i moshuar
Reciton si të jetë riushi
Vargje nga Panua shkruar.


Auditori sy e veshë
Panos seç i qeshet nuri
Ne po goja vesh më vesh
Recitoi Fatime Kulli.


U ngjallë Panua(bën hi-hi)
Se po"korrë" atë çfarë mbolli
Fatimeja si asnji
Aq bukur na i solli.


Qenë vargje që i shkroi
Për një buzë a për një flirt
Sallën gazi e mbuloi
Për poetin aq elit.


Dhe,mandej, recituan
Një aktore, një aktor
Panon na i sollën pranë
Si të gjallë në auditor.


"Dollibash" i këtij promovimi
Qe Poeti Pandeli Koçi
Tek e mbyll, Përparimi
Uron që të gjithë rrofshi.


Rrofsh, i miri Pandeli
Aliaz Sazan Goliku
Para së gjithash je Njeri
Për kirjuesit ti je miku.


E solle Panon të gjallë
Se nuk vdes poezia
Brohoriti gjithë një sallë:
- Rron Pano Bukuria.


* Abaz Hado dhe Moisi Miraka
Të më falin ata që nuk përmënda,veç nga kujtesa ime e dobët.

Takimi u bë në sallën e Ministrisë së Kulturës.


Tiranë, 20 prill 2013

”SHQIPNI, QENDRO NË NALTËSINË E KËSAJ BETEJE TË MADHE !”

Nga Fritz RADOVANI:



20 vjet…
25 Prill 1993...
Në Token e Bekueme Shqipni, Atdheun e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, n’ Atë shkamb ku Shqipja Dykrenare me kthetrat e veta ka shkrue Epopenë ma të lavdishme të qendresës sa shekullore të Atdhetarizmit Shqiptar dhe të Fesë Katolike, perballë Gjenocidit osman para vitit 1912 dhe atij sllavokomunist mbas vitit 1944 e deri në vitin 1991, atëherë, kur Bota rrotullohej ndaj një Ylli ndriçues polak me emnin Karol Vojtila, i njohun si Papë në Vatikan me emnin e Shenjtë Gjon Pali II, edhe Atdheu i Shqipeve ndriçohej me lutjet e Tija të vazhdueshme dhe me një perkushtim të veçantë. Janë uratët e një bashkvuejtësi si na nën zgjedhen e pashpirtë të diktaturës komuniste. Janë thirrjet e Atij Burri të njohun e trim, i cili do të lanë në fletët e historisë nen emnin Papa Gjon Pali II, tri fjalë: “Mos keni frikë!”
Ai asht lé me emnin Karol Jozef Vojtila me 18 Maji 1920 në Wadovicë të Polonisë, dhe asht shugurue meshtar në nandor të vitit 1946, kur Polonia ishte e pushtueme nga trupat stalinjane bolshevike të sovjetikëve. Asht zgjedhë Papë në Vatikan me 16 Tetor 1978, ora 17,15’. Asht autor i mbi 70.000 faqe t’arta dorshkrime. Vepra e parë e Tij titullohet: “Të kapercejmë pragun e shpresës”... Asht idea e Tij që e ka shoqnue gjithë jeten...Asht hapi i vendosun me siguri e besim në Kalvarin e gjithë jetës! Ai hapi një epokë të re per Kishen Katolike Botnore me tri vizitat e Tija në vitin 1979, me 2 Qershor në Krakov të Polonisë, ku marrin pjesë në Meshen e Tij të Parë si Papë mbi 2 miljon polakë. Nisë udhtimin me 2 Tetor në ShBA, ku mban një fjalim të randsishem në OKB, “Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe liria e Fesë” dhe, vizita e tretë në Turqi, me 28 Nanor, ku takohet me Patriarkun e Konstantinopolit Dimitri I, në Al Fanar, udhtime që hapin atë Histori të papersëritëshme!
Papa Gjon Pali II ka rivendosë mardhanje diplomatike me Anglinë, ShBA, Izraelin dhe Organizaten per Çlirimin e Palestinës. Lidhjet e Tij me Shqipninë janë të veçanta.
Ai ka provue diktaturen naziste, komuniste, atentatin e Mehmet Ali Agxha, me dt. 13 Maji 1981...dhe ka vizitue mbi 180 shtete të botës...po nuk ka harrue asnjëditë Shqipninë e Martirizueme nga Gjenocidi sllavokomunist i osmanllinjëve E. Hoxha e R. Alia, të njohun si terroristët ma perbindësh të Shek XX në Europë...



Shkoder, 25 Prill 1993…
Koha provoi gjithnjë se njeriu ma i kërcnuem i shekullit XX ishte Gjon Pali II, se Ai luftoi totalitarizmin, varfëninë e Botës së tretë, kerkoi edukimin e arsimimin e fëmijëve të kontinenteve të shtypuna nga kolonizatorët, Ai punoi në mënyren ma të guximshme per shpartallimin e Perdes së Hekurt, dhe u angazhue per transformimin e Europës Lindore komuniste në vende të lira dhe demokratike. Ai kishte forcë dhe pushtet në politikë pa hy në politikë...luftoi abordin dhe ishte i premë në qendrimet morale. Në të gjitha takimet me rininë Ai predikoi rrezikun dhe pasojat e shemtueme të drogës, imoralitetit, korrupsionit dhe mënyren se si rinia duhet të luftojë per të Drejtat e Njeriut, demokraci e liri të vertetë.
Në 17 nandor të vitit 1985, Papa Gjon Pali II, i dergoi dy letra personale në takimin e randsishem të Gjenevës, Ronald Reagan dhe Mihajl Gorbaçov...
Ai erdhi si Papë me ide, bindje, qellime të kjarta dhe guxim për me i zbatue ata.
Ai ishte gjenialitet i rregullimit të një Bote të trazueme ku mbet simbol i një Epoke të Re, me mjetet ma paqsore, ku “Liritë dhe të Drejtat e Njeriut” triumfuen mbi diktaturat, sepse Papa Gjon Pali II, ishte antikomunist, progresist, iluminist, humanist, kundershtoi me forcë kapitalizmin e eger, varfninë perballë pasunimit të pandershem, diskriminimin e njeriut, tue fillue nga muret mbrenda familjes, u perball me komunizmin dhe e shembi até tue këputë telat me ferra rrethues e bashkë me ta, tue rrëzue edhe Murin e Berlinit.


Pikërisht në këte moment historik të shoqnisë njerzore të robnueme të Evropës Lindore, Vojtila i zbërthen prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë të vetme e të sakta: “NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, njeh parimin filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, menjëherë mbas takimit me R.Reagan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin me Kristjanizëm... pra, pa gjakderdhje dhe me paqë, por jo, me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov...
Ai erdhi në Selinë botnore dymijvjeçare të Katoliçizmit tue sjellë me vete sekretin e madhështisë së Tij, sekret të cilin, askush nuk mujti me e kuptue para Tij: “Komunizmit totalitar Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”. Suksesi i madh i Tij qendron në zberthim dypalësh, atë të ndergjegjes së ndrydhun dhe shpartallim të prangave të tiranisë komuniste.
M. Gorbaçov ka pohue: “Pa Papen Karol Vojtila, komunizmi nuk do të kishte ra!”
Asnjë nga takimet historike nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të ndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer... që posa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën tue u shikue drejtë në sy: “Nënshkruenin marrveshje paqe e dashunije të pakufi për mbarë Njerzimin!”
Ja, pra, Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila, që ndryshoi Historinë e mbarë Botës!
Ra Muri i Berlinit! Ra sistemi komunist terrorist nderkombtar! Ra perjetë tirania!
U rrëzuen pergjithmonë diktatorët e bashkë me ta edhe “përmendoret” e tyne!

“Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni...”

Atë ditë me 25 Prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, po hynte fitimtar në Katedralen e rindertueme të Shkodres, ditë në të cilen Ai puthi Token Shqiptare, Token e rijtun me shekuj me gjakun e Shenjtë të mija Martirëve Shqiptarë, e së fundit të ramë nën shpaten anadollake komuniste e barbare, na dukej e pabesueshme se jemi tue pa me sy Burrin ma të madh të Shekullit që me doren e Tij, po na bekonte e po na ringjallte Fenë në zemrat Tona!
Ishte po, Ai Papë, që në qershorin e vitit 1991, Burrnisht kishte refuzue kerkesen e tradhëtarit dhe zbatuesit të “Revolucionit Kultural” Ramiz Alia, në vitin 1967 në Shkoder, per me vizitue Vatikanin, me shpresë mashtrimi per me ruejtë postin e presidentit.
Ai Papë ishte që porsa mërrijti i dhuroi Qytetit të Shkodres Fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë dhe e vendosi me doren e Tij, tue e bekue Gurin e rindertimit të Kishës së Zojës brijë Kalasë Rozafat, për të treten herë e shkatrrueme mbas 1967 nga anadollakët. Mesazhi i Tij ishte: “T’i kthehet vendit dhe Popullit Tuej paqa, një jetë ma e mirë dhe zhvillimi social simbas traditave njerzore e fetare të kësaj tokë” (26 Prill, Vatikan).
Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për lëvizjet demokratike atje deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue atje për Lirinë e Atdheut tim!”
Papa Gjon Pali II asht njohësi ma i saktë i Shqipnisë robnueme komuniste dhe per këte t’i referohemi Atij: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllazënor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u sjellë një përshëndetje të përzemërt...


Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore e shpirtnore.
Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar...
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste...
Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo, rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”.
Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv...


Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për shtet i cili në emën të një feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerzoria”, liria e tyne...
Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë!
Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju, ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e Fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo, asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.
Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka përshka ti trembemi asnjë shrregullimi njerzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja, asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.
Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit, dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv...


Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Endè ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdrueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré.


Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia... ” (25 Prill 1993, Në sheshin Skenderbeu, Tiranë).
Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni... Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!.. ”
Melbourne, Prill 2013.

A KA SHQIPËRIA “NAFTË TË MADHE”?


Nga Prof. As. Dr. Vangjel Kici



Shqiperia ka 700 000 deri 1 000 000 persona që jetojnë në varfëri ekstreme. Nga këta, 184 000 janë fëmijë në nevojë dhe 31 000 janë fëmijë jetim. 100 000 persona janë me aftësi të kufizuara, pleq të braktisur dhe fëmijë etj. Nga shteti ka mungesë planifikimi të politikave sociale mbështetëse për shtresat në nevojë, përfshirë familjet pa të ardhura dhe me shumë fëmijë. Këto shifra, të dhëna nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, janë pasojë e papunësisë, varfërisë, ndarjes së prindërve dhe shkatërrimit të familjeve etj. Këto shifra tregojnë se në Shqipëri, çereku deri një e treta e popullsisë, jeton në varfëri ekstreme. Kush është shkaku i kësaj varfërie? Është toka jonë e varfër? Jo, toka dhe nëntoka jonë janë shumë të pasura. Unë jam gjeolog dhe i njoh mirë pasuritë tona minerare. Klima jonë është e mrekullueshme për zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit. Vendi ynë është shumë i pasur me ujra për prodhimin e energjisë elektrike. Nëntoka jonë është shumë e pasur me minerale, sidomos me krom, baker, ar, argjend, nikel, naftë, gaz etj. Po pse populli ynë i vogël, me pasuri kaq të mëdha, vuan kaq shumë në varfëri? Shkaku është keqadministrimi, keqqeverisja e vendit dhe e pasurive kombëtare , sidomos këto 20 vjetët e fundit. Më poshtë do të shihet se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh vetëm me minierat dhe me naftën tonë, që janë pasuri të mëdha kombëtare dhe do të shërbenin për një jetë më të lumtur të popullit tonë.

Të gjithë e dim se Shqipëria ka naftë. Fushat e naftës dhe të gazit, të zbuluara deri tani në Shqipëri, nuk janë as të vogla dhe as të mëdha. Fusha gjigante nafte dhe gazi quhen ato, që kanë mbi 500 milionë barela naftë ( ose gaz të konvertuar në naftë ). Me “naftë të madhe” duhet kuptuar ekzistenca e fushave gjigante. Këto fusha ndodhen në vendet, që shquhen në botë për naftëgazmbajtje të madhe. Disa nga këto vende janë: shtetet e Gjirit Persik ( disa vende Arabe dhe Irani ), Rusia, Kazakistani, Azerbajxhani, Turkmenistani, Libia, Nigeria, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika, Venezuela, Brazili, Indonezia etj. Në Shqipëri prodhimi më i lartë vjetor i naftës, rreth 2 milion e 200 mijë tonë, ka qenë në vitin 1975. Më pas prodhimi pësoi rënie. Thuhet se kërkimi dhe prodhimi i naftës dhe i gazit në Shqipëri nuk kanë qenë rentabël dhe kjo domethënë se nafta e prodhuar ka pasur kosto të lartë. Ky koncept, jo plotësisht i drejtë, ekziston edhe sot dhe kjo është një nga arsyet pse kërkimi dhe prodhimi i naftës janë lënë krejt pas dore. Gjatë viteve të demokracisë u mbyll Instituti i Kërkimit të Naftës dhe Gazit në Fier. Punonjësit shkencorë u hodhën në rrugë. Gjithashtu u mbyllën Ndërmarjet shtetrore të Shpim – Kërkimit për naftë dhe gaz, që ndodheshin në Kuçovë, Patos, Lushnje etj. Edhe punonjësit e këtyre ndërmarjeve u hodhën në rrugë. Prodhimi i naftës në fushat ekzistuese pothuajse u braktis. Këto fusha nafte deri tani i përkasin kompanisë shtetrore “Albpetrol”, kurse disa prej tyre shfrytëzohen nga kompanitë e huaja ( Patos – Marinëz, Kuçovë etj. ). Është deklaruar nga qeveria se kompania “Albpetrol” do të privatizohet sa më parë. Kjo punë do të vuloset më 7 shtator të këtij viti, gjatë garës apo ofertës ( “tenderimit” ) për kompanitë e huaja. Me këtë akt shteti shqiptar heq dorë plotësisht nga kërkimi dhe prodhimi i naftës. Gjatë regjimit komunist gjithçka u shtetëzua, kurse tani gjithçka po privatizohet. Ky është kalim nga njëri ekstrem në tjetrin dhe të dy këta ekstreme kanë qenë dhe janë të dëmshëm për Shqipërinë. Privatizimi bëhet nëpërmjet tenderave të dyshimtë dhe kjo nuk e përjashton aspak grabitjen e fushave të naftës. Përveç kësaj, privatizimi i fushave të naftës do të hedh në rrugë punëtorët dhe kështu shtohet edhe më tej papunësia dhe varfëria në vend. Pse duhen privatizuar fushat ekzistuese të naftës? Janë pa leverdi ekonomike kur çmimi i naftës ka vajtur në kupë të qiellit? Ne deri tani vet i kemi shfrytëzuar ato, pa pasur nevojë nga jashtë. Ekonomia jonë ka të ardhura të rëndësishme nga nafta dhe njerzit janë në punë. Ato shiten badihava që të mbushet sado pak arka e shtetit, që është e boshatisur. Ato shiten për të dalë sot nga situata e vështir, po nesër le të bëhet kiameti. “Nesër” këto fusha nafte nuk do të sjellin më të ardhura për ekonominë tonë. Nga privatizimi i Albpetrolit do të hidhen në rrugë 1400 punëtorë të tjerë. Kështu u veprua edhe me minierat. Ato u mbyllën të gjitha dhe minatorët u hodhën në rrugë. Të gjitha jo rentable ishin? Kudo mbyllje, mbyllje dhe papunësi. Pothuajse e gjithë pasuria kombëtare u shit dhe njerzit janë lënë pa punë. Ku po shkojmë? Opozita dhe populli bëjnë sehir. Shtetet me mend në kokë nuk e privatizojnë naftën, sepse ajo është pasuri kombëtare strategjike. Kështu për shembull, Norvegjia, Britania e Madhe etj. nuk e kanë privatizuar naftën. Ajo u ka sjellë të ardhura të mëdha ekonomive të këtyre vendeve dhe ka rritur mirëqënien e popujve.

Përsa i përket kërkimit të naftës dhe të gazit, duhet thënë se ai ka vite që është ndërprerë. Ka shumë vite që nuk kryhen shpime kërkimi. Tek ne ekziston vetëm një kompani e huaj dhe ajo është Manas Petroleum, e cila kohët e fundit e ka ndërruar emrin dhe tani quhet Petromanas Energy. Kjo kompani, që ndërron emrin si kameleoni ngjyrat, bënë vetëm punime gjeofizike. Ajo vetëm zbulon në thellësi struktura me interes për naftë dhe gaz, premton se do të shpojë këtu ose atje…., por nuk bënë asnjë shpim kërkimi në këto struktura. Për Shqipërinë kësaj i thonë “mbill dhe mos korr”, kurse kompania pa dyshim që “korr”. Pa shpime nuk zbulohen fusha nafte dhe gazi, që do të ishin burime shumë të rëndësishme të ardhurash për ekonominë e Shqipërisë. Shpimet e kërkimit dhe zbulimi i fushave të reja të naftës dhe të gazit do të hapnin shumë fronte pune në mënyrë masive dhe të përherëshme. Por kjo nuk po ndodh.

Lejen ( liçensën ) ekskluzive 5 – 7 vjeçare për kërkimin e naftës dhe të gazit në Shqipërinë e Jugut e ka marrë një kompani e huaj. Deri tani, kjo është zona më e suksesëshme për zbulimin e naftës dhe të gazit në Shqipëri. Këtu janë zbuluar shumë fusha nafte dhe gazi. Por ja çfarë ka ndodhur kohët e fundit: Jemi një grup gjeologësh ( Prof. As. Dr. ) me eksperiencë të gjatë në kërkimin e naftës , që njohim në Shqipërinë e jugut një strukturë me shumë shanse për zbulim të rëndësishëm nafte dhe gazi. Kërkuam të kontaktonim me kompanin e huaj, por pa sukses. Kërkuam ndihmën e Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, që jep liçensat. Përgjigja ishte: “ sa dini Ju, aq dim edhe ne. Adresat i keni në internet”. Në muajin korrik 2011 i drejtuam mesazh kryeministrit Sali Berisha, që të na ndihmonte qeveria për të kontaktuar me kompanin në fjalë. Në mesazh e njoftonim edhe për strukturën e rëndësishme, që përmendëm më lartë. Kryeministri na njoftoi po ato të dhëna, adresa etj., që ne i dinim nga interneti dhe që nuk na përgjigjeshin. Ne kemi bindjen se në strukturën e lartëpërmendur do të zbulohet naftë dhe gaz me shumë leverdi për vendin tonë dhe se do të hapen shumë fronte pune. Më e keqja është se Shqipëria e jugut është e “akaparuar”( e monopolizuar) nga dikush dhe ne nuk mund të sjellim aty asnjë kompani të huaj për kërkimin e naftës.

Trualli i Shqipërisë ( jo deti ) është ndarë në tetë blloqe. Në Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore na tregojnë Hartën e Shqipërisë me blloqet e zënë dhe blloqet e lirë. Por edhe blloqet e lirë praktikisht janë të akaparuar. Për shembull, dikush kërkon leje kërkimi për Shqipërinë veriore ( blloku 8 ), por atij nuk i jepet kjo leje nën pretekste nga më të ndryshmet. Pra, praktikisht e gjithë Shqipëria ështe e akaparuar ( e zaptuar ) nga dikush, megjithse në fakt është pothuajse krejt e lirë. Kështu ka shumë vite që është bllokuar kërkimi i naftës dhe i gazit në gjithë Shqipërinë dhe pasojat e këtij bllokimi dihen ( mungesë zbulimi, mungesë të ardhurash për ekonominë, moshapje vendesh pune etj.).

Sikurse u përmend edhe më lartë, Shqipëria tani nuk ka as Institut Nafte, as Ndërmarrje shtetrore Kërkimi dhe as kompani shtetrore apo private kërkimi për naftë dhe gaz. I gjithë territori ynë u është ofruar vetëm kompanive të huaja të naftës. Sipas ligjit të naftës, çdo kompani e huaj, që zbulon naftë dhe gaz, përfiton rreth gjysmën e prodhimit. Madje, në rastin e pusit pozitiv Shpirag -1, shteti shqiptar në marrëveshje përfiton vetëm 30% të prodhimit !!! Sikurse shihet, nga ky zbulim nafte nuk ka pse të gëzohemi. Pra, ne u japim të huajve qyl mbi gjysmën e rezervave të mundëshme të naftës dhe të gazit të gjithë Shqipërisë. Për krahasim, Indonezia, që e ka të lartë shansin e zbulimit të naftës, u jep liçensa kompanive të huaja, por në rast zbulimi ato kanë të drejtë të marrin vetëm 25% të prodhimit, kurse pjesa tjetër i takon popullit indonezian. Prandaj, mendoj se duhet krijuar sa më parë kompania shtetrore shqiptare e kërkimit të naftës dhe të gazit, si dhe kompani private shqiptare për naftën dhe gazin. Për ndryshe, ne po u shesim të huajve badihava tërë pasurin tonë kombëtare dhe do të na mallkojnë brezat e ardhshëm. Në Europë ka shumë shtete të vegjël, që kanë kompanitë e tyre të naftës. Për shembull, Greqia ka kompanin “Helenic Petroleum”, kurse Kroacia ka kompanin “ INA naftaplin”. Serbia ka kompanin NIS dhe Austria ka kompanin OMV etj. Po ashtu kanë kompanit e tyre Danimarka, Hollanda, Norvegjia… Mendimi ekzistues, se nafta jonë tashmë duhet kërkuar vetëm në thellësi relativisht të mëdha dhe me shpenzime të shumta, të cilat gjoja nuk i përballon dot ekonomia jonë, nuk qendron aspak. Ekziston mendimi se tek ne strukturat e cekta naftëmbajtëse gjoja tashmë jane zbuluar, por kjo nuk është e vërtetë. Tek ne ekzistojnë struktura të cekta, të thellësisë mesatare dhe të thellësive relativisht të mëdha. Strukturat e cekta shteti ynë mund t’i zbulojë dhe shfrytëzoj vet. Kjo bëhet duke financuar pak në fillim për shpimin e pusit të parë. Pastaj, nafta e puseve të parë do të krijojë fonde për vazhdimin e shpimeve të tjerë dhe për vënien në shfrytëzim të gjithë vendburimit. Kësaj i thonë “mishi të tiganiset me dhjamin e vet”. Kështu ekonomia jonë do të forcohej shumë. Mendimi, se naftën tek ne mund t’a zbulojnë me shpenzime më të ulta vetëm kompanit e huaja, nuk është i drejtë. “Vrimat” e shtëpisë i di më mirë vetëm i zoti. Deri tani, gjatë 25 vjetve, çfarë kanë zbuluar tek ne kompanit e shumta të huaja të naftës? Pothuajse asgjë.

Tani le të kalojmë tek problemi i perspektivës naftëgazmbajtëse të vendit tonë. Qysh në fillim duhet theksuar se kjo perspektivë është shumë e madhe. Ne akoma sillemi vërdall me kërkime vetëm në Shqipërinë e jugut dhe në Shqipërinë perëndimore ( në tokë dhe në det ). Këto u servirim edhe të huajve. Harrojmë pjesën tjetër të Shqipërisë. Ka rreth 10 vjet që është argumentuar shkencërisht perspektiva e madhe naftëgazmbajtëse e Shqipërisë lindore. Brezi perspektiv fillon nga deti Egje dhe vazhdon në Greqi, në Shqipërinë lindore, në gjithë Kosovën, në Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci, deri në veriperëndim të Zagrebit….. Ky është një fat i madh për të gjithë kombin shqiptar. Por kujt ia jep Zoti këtë fat? Për këtë brez me perspektivë prej kohësh janë në dijeni të gjitha qeveritë tona, të djathta dhe të majta, por asgjë nuk kanë bërë, sepse ato duan “mendimin e masave”( zbatimi i vijës së masave të nënës Parti ) dhe jo mendimin e një specialisti. Çfarë duhet të bënin, sipas mendimit tim? 1- Të kërkonin mendimin e specialistëve të ndonjë kompanie të huaj dhe prestigjioze të naftës, duke u dërguar studimin. 2- Shteti shqiptar të lidhte kontratë me një kompani të huaj për të bërë studimin gjeofizik në një nga masivët e shumtë të Brezit të Mirditës ( për shembull, në masivin e Bulqizës ose të Gomsiqes etj. ). Në rast se poshtë ndodhet struktura karbonatike, të shpohet një pus kërkimi. Rezultati pozitiv ose negativ i këtij pusi do të shërbente për të vlerësuar të gjithë masivët e tjerë të brezit, që janë të shumtë. Në rastin pozitiv do të hapej një perspektivë e jashtëzakonëshme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe të Kosovës, domethënë për zhvillimin ekonomik të mbarë trojeve shqiptare. Brezi i Mirditës, që ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz, shtrihet ndërmjet Korçës dhe Bilishtit, vazhdon ndërmjet Librazhdit dhe Pogradecit, vazhdon në gjithë krahinën e Mirditës dhe përfshin pothuajse gjithë Kosovën. Në gjeologji ky quhet “Brezi Ofiolitik Mirditë – Kosovë”. Interpretimet e deritanishme gjeologjike e kanë përjashtuar padrejtësisht perspektivën e madhe naftëgazmbajtëse të këtij brezi. Ky përjashtim është bërë duke argumentuar se gjoja shkëmbinjtë e brezit në fjalë janë formuar në një oqean të dikurshëm. Në fakt ata nuk janë formuar në oqean, por në një hulli të dikurshme ( në gjeologji quhet “basen pas-harkut”). Në botë është vërtetuar se basenet pas-harkut janë shumë të rëndësishëm për naftëgazmbajtje. Nga literatura na bëhet e ditur se në këtë tip baseni ndodhet nafta “e madhe” e Azerbajxhan-Turkmenistanit, e Gjirit të Meksikës, e rajonit të detit Ohotsk etj.

Nafta e madhe dhe gazi në Azerbajxhan-Turkmenistan ndodhen në basenin pas-harkut të malit Elbrus, kurse baseni i Mirditë – Kosovës ndodhet pas-harkut të malit të Korabit. Pra, në të dy rastet kemi të bëjmë me basene pas-harkut, por në njërin është zbuluar nafta dhe gazi, kurse në tjetrin nuk janë bërë kërkime për naftë dhe gaz. Ndoshta disa njerzve tek ne u duket e pabesushme, por ky është realiteti gjeologjik. Brezi Shqipëri – Kosovë ka perspektivë naftëgazmbajtëse të përafërt me Azerbajxhan-Turkmenistanin, që shquhen në botë për naftë dhe gaz. Për më tepër, në Brezin Ofiolitik Mirditë – Kosovë ka shumë masivë shkëmborë, që quhen struktura diapirike. Këto struktura të shumta dhe gjigante diapirike ultrabazike, në gëlqerorët poshtë vetes kanë perspektivë të madhe për naftë, dhe sidomos për gaz. Të tilla struktura gjigante ndodhen pranë qyteteve dhe fshatrave që vijojnë: Leskovik, Ersekë, Korçë, Bilisht, Pogradec, Prrenjas, Librazhd, Elbasan, Bulqizë, Fushë Lurë, Krujë, Burrel, Rrëshen, Vau Dejës, Pukë, B. Curri – Tropojë – Krumë, Kukës etj. Nga literature na bëhet e ditur se pikërisht në struktura të tilla, kohët e fundit, është zbuluar naftë “e madhe” dhe gaz në rajonin e detit Ohotsk pranë Japonisë. Të gjithë i dim dy shpërthimet e gazit, në kohë të ndryshme, në thellësit e minierës së kromit në Bulqizë. Këto shpërthime, fatkeqësisht, u shoqëruan me viktima ndërmjet minatorve. Lajmet njoftuan se ai ishte vetëm gaz hidrogjen, por analizat e bëra e kundërshtojnë këtë njoftim. Ato tregojnë se ai ishte kryesisht gaz metan shoqërues i naftës. Ky gaz ka ardhur nga thellësia, nëpër çarjet e shkëmbit, nga kapelja gazore e vendburimit të mundshëm gjigant të naftës në gëlqerorët poshtë masivit të Bulqizës. Kjo duhet të kihet parasyshë dhe të merren masat e nevojshme në minierën e kromit në Bulqizë dhe në minierat e tjera të kromit, sepse grumbullime të tilla gazi befas mund të ndeshen edhe në të ardhëshmen. Nafta dhe gazi po na thonë: Ja ku jemi!, kurse neve nuk u besojmë syve. Kjo pra është “nafta e madhe”, që pritet të zbulohet në Shqipëri. Prandaj, mendoj se qeveritë e njëpasnjëshme në Shqipëri duhet të ndryshojne krejt politikën në drejtim të naftës dhe të gazit. T’i dëgjojmë këshillat e miqve tanë të mëdhenj, por në fund të fundit, për disa gjëra të vendosim vet, sepse jemi shtet i pavarur dhe sovran. Nuk duhet harruar se nafta dhe gazi e kanë fuqizuar ekonominë dhe rritur mirëqënien e popujve. Rusia e viteve ’90, e rraskapitur ekonomikisht, e mori veten shpejt kryesisht nga shitja e gazit dhe e naftës. Vendet e Gjirit Persik kanë ekonomi të fuqishme vetëm në saje të naftës. Norvegjia ka ekonomi të fuqishme, sidomos nga shitja e naftës dhe e gazit. Greqia do të kryejë shpime për kërkimin e naftës dhe të gazit, afër kufirit jugor të Shqipërisë, me synim që me naftën që do të zbulojë të dalë nga kriza e thellë e borxheve, kurse ne në Shqipëri e braktisim krejt kërkimin dhe prodhimin e naftës!!! Kam pritur që Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës të na ftonte për të marrë të dhëna mbi strukturën me perspektivë për naftë, që e kam theksuar më sipër. Aty ka shumë shanse të zbulohet naftë dhe gaz. Nga ky zbulim do të kishte të ardhura të rëndësishme ekonomia jonë, do hapeshin fronte pune në mënyrë masive dhe të përherëshme, por kjo nuk ndodhi. Për këtë, dhe për problemet e shkruara më sipër, fajin nuk e kanë të huajtë. Të keqen e kemi brenda.


SHITJA E ALBPETROLIT


Nga Prof. As. Dr. Vangjel Kici ( gjeolog )


Albpetroli është kompania shtetrore, që përfshin të gjitha fushat e njohura të naftës në Shqipëri. Nafta e prodhuar nga këto fusha i sjell të ardhura vjetore të rëndësishme ekonomisë tonë. Dhe këtë e din mirë qeveritarët tanë. Nga ana tjetër, shumë punëtorë janë të punësuar në këto fusha nafte. Deri tani vet e kemi shfrytëzuar naftën e këtyre fushave, pa pasur nevojë nga jashtë. Pse duhen shitur (“privatizuar”) këto fusha? Janë pa leverdi ekonomike kur çmimi i naftës ka vajtur në kupë të qiellit? Jo, fushat ekzistuese të naftës janë me leverdi ekonomike. Ato po shiten badihava që të mbushet sado pak arka e shtetit, që është e boshatisur. Ato po shiten që të grabiten. Nga shitja e Albpetrolit do të hidhen në rrugë mbi 1400 punëtorë. Kështu shtohet edhe më tej papunësia dhe varfëria e popullit tonë. Këto fusha nafte, nëqoftëse shiten sot, nesër e tutje nuk do i sjellin më të ardhura ekonomisë tonë. Për këto arsye, dhe për faktin se nafta dhe gazi janë pasuri strategjike kombëtare, pasuri e gjithë popullit, Albpetroli nuk duhet shitur (“privatizuar “) në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim. Shitja e Albpetrolit është një krim i shëmtuar ndaj popullit shqiptar, është tradhëti kombëtare, dhe kjo duhet thënë hapur dhe me zë të lartë, sepse nafta dhe gazi janë pasuria më e rëndësishme e popullit tonë. Nafta është jetike, si gjaku. Nuk duhet lejuar shitja e të gjithë “gjakut” të Shqipërisë!!

Bashkë me Albpetrolin po shitet, si pa u ndjerë, edhe nafta dhe gazi, që ndodhen në 60% të sipërfaqes së Shqipërisë. Këtu përfshihet gjithë Shqipëria lindore, e cila ka perspektivë të jashtëzakonëshme për naftë dhe gaz të kalibrit të Azerbajxhanit. Këtë perspektivë të lartë e di mirë kryeministri Berisha, sepse ka shumë vite që i është dërguar qeverisë studimi gjeologjik për këtë problem. Por, në vend që të mendonin për të bërë kërkime për naftë dhe gaz në këto zona, qeveritarët tanë kanë menduar gjatë gjithë kohës si t’a shesin (= grabisin ) këtë pasuri të madhe. Në Shqipërinë lindore pritet të zbulohet aq shumë naftë dhe gaz, sa t’a bëjë të lumtur jetën e popullit shqiptar. Por qeveria nuk mendon aspak për jetën e popullit tonë. Ajo i shet badihava rezervat e mëdha të pritëshme të naftës dhe të gazit dhe e mbyll krejt këtë perspektivë të madhe për popullin shqiptar. Me shitjen e Albpetrolit, po shitet edhe perspektiva naftëgazmbajtëse e Shqipërisë lindore, dhe ky është krimi i dytë edhe më i madh që po i bëhet popullit tonë.

Çmimi i shitjes së Albpetrolit, dhe i naftës së madhe dhe gazit që pritet të zbulohen në Shqipërinë lindore ( shitje për 25 vjet ! ), me shumën 300 deri 850 milion dollarë, është një çmim qesharak. Në fushat ekzistuese ka shumë rezerva nafte, por sidomos në Shqipërinë lindore pritet të zbulohen fusha gjigante nafte dhe gazi, të krahasueshme me Azerbajxhanin e famshëm. Vlera e pritëshme e kësaj nafte dhe e këtij gazi do të jetë qindra miliardë dollarë. Prandaj, kjo shitje bëhet badihava dhe kjo nuk është shitje, por grabitje e një pasurie kolosale. Kjo pasuri e popullit shqiptar nuk duhet shitur për asnjë çmim. Ku janë shkencëtarët e naftës shqiptare? Pse nuk flasin? Ku janë shkencëtarët e Sherbimit Gjeologjik Shqiptar? Pse heshtin? Nesër do të jetë vonë. Kështu i mbrojmë ne interesat e popullit tonë? Turp për ne!

Për të dalë nga kriza financiare e tanishme është shumë më mirë të marrim borxhe nga jashtë se sa të shesim badihava naftën e madhe dhe gazin e gjithë Shqipërisë. Kjo dihet mirë edhe nga qeveritarët tanë, por çfarë t’i bëjnë ata oreksit të tyre të madh për grabitje?!! Duke ua shitur të gjitha pasuritë kombëtare të huajve ( dhe vendasve ) populli shqiptar po bëhet pa pronë. Populli pa pronë shndërrohet në skllav, pa atdhe. Prandaj, i bëjë thirrje gjithë klasës politike dhe popullit tonë që të mos lejojnë në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim shitjen e Albpetrolit dhe të naftës së madhe të pritëshme të Shqipërisë lindore. Kjo duhet bërë urgjentisht, sot, sepse nesër do të jetë vonë. Po u firmos kjo marrëveshje, për shitjen e Albpetrolit dhe të aseteve të tjera shoqëruese, nuk mund të shfuqiz

Flet prof. Vangjel Kici, gjeologu i vjetër shqiptar: E vërteta për naftën shqiptare dhe gjendjen e saj




Prof. Vangjel Kici ka udhehequr disa studime shkencore, mjafte pikante, sidomos ato te Shqiperise lindore dhe veriore. Kjo i dha atij mundesine te kompletoje njohjen stratigrafike pothuajse per gjithe Shqiperine, fat qe asnje tjeter nuk e ka patur. Kjo paleogjeografi dhe ky perfytyrim i ri gjeologjik hap perspektive te jashtezakoneshme per nafte dhe gaz ne gjithe Shqiperine lindore dhe ne Kosove.
______________________________________



Studimet e larta i kreu ne Universitetin e Prages, ne vitet 1956-1961, ne Fakultetin e Shkencave te Natyres. Ne mars te vitit 1963 emerohet gjeolog ne Kombinatin e Naftes ne Kucove. Me vone punoi si stratigraf-mikropaleontolog, ne Institutin e Kerkimeve te Naftes dhe te Gazit, ne Kucove dhe me me pas ne Fier.
Paraljamëriemt dhe styudimet e tij shpëtuan nga fontanimi vendburimin e naftes ne Gorisht – Kocul.
Ne kete kohe iu dha grada “Kandidat i Shkencave Gjeologjike”. Ne vitin 1975, me bumin politik, “zbulimin e veprimtarise armiqesore ne nafte”, Vangjelin e debojne nga Instituti duke i rrasur ne xhep nje karakteristike te zeze, si i dyshimt per sabotim ne nafte. Ne vitin 1980, me rastin e pregatitjes se Hartes Gjeologjike te Shqiperise, Vangjelin e terheq Instituti i Kerkimeve Gjeologjike i Tiranes.
Edhe tani, gjate kohes si pensionist, ai vazhdon te shkruaje mbi gjeologjine e Shqiperise, sidomos per problemet ekonomike.

1. Si e shpjegoni faktin që ju jeni “kryqëzuar” me gjeologjinë? Pasion, apo rastësi?
Rastësi, dhe më vonë pasion. Dëshiroja të bëhesha arsimtar, por bursa më doli për në Teknikumin e Naftës në degën gjeologji. Gjatë punës më lindi dhe u forcua pasioni.

2. Ju jeni profesionalizuar në Pragë, në Universitetin më të vjetër. Çfarë mbani mend nga ai vend i ndritshëm?
Mbaj mend një popull shumë të kulturuar dhe një vend me ekonomi shumë të zhvilluar në qendër të Europës. Universiteti i Pragës u themelua në vitin 1348, domethënë plotë 100 vjet para ardhjes së Skënderbeut në Krujë. Atje mësova jo vetëm për gjeologjinë, por edhe shumë gjëra me vlerë nga jeta e përditëshme e atij populli. Regjimi komunist në Shqipëri nuk i donte ato gjëra të mira që ne pamë atje, sepse për ‘të ai ishte vend “revizionist”dhe kishte vetëm “të këqija”. Atje mësova se ai popull në rradhë të parë mendonte për Republikën ( shtetin ) dhe e mbronte atë. Interesi personal dhe ai familjar ishin të radhës së dytë. Atje njerzit kishin të zhvilluar ndjenjën e shtetit, kurse tek ne pikërisht kjo ndjenjë është shumë e dobët. Ne kemi të zhvilluar ndjenjën e fisit.

3. Çfarë do të thoshit për shkollën shqiptare të naftës, a ka një farë tradite?
Shkolla shqiptare e naftës, megjithëse e re, përfitoi shumë nga eksperienca botrore, sidomos ajo ruse, dhe shumë shpejt e krijoi traditën e saj. Ajo nxori dhe vazhdon të nxjer kuadro të aftë për kryerjen në mënyrë të pavarur të studimeve dhe kërkimeve gjeologjike për naftë dhe gaz. Këtë e tregojnë zbulimet e shumta të naftës dhe të gazit në Shqipëri, gjatë regjimit diktatorial komunist.

4. Nga sa kemi lexuar shkrimet tuaja, kemi kuptuar se vazhdimisht jeni opozitar me të gjitha qeveritë shqiptare. Përse ndodh kjo? Ju e dini proverbin, që thotë se uthulla e fortë prish enën e vet.
Me qeverinë e sistemit të kaluar diktatorial, që zbatoi në praktikë për herë të parë në botë “kapitalizmin shtetror”( shfrytëzimin e popullit nga shteti dhe jo nga klasat e pasura ), unë nuk mund të isha dakord. Në vitin 1992 në Shqipëri ndërroi vetëm sistemi, por jo pushtetarët. Pushtetarët e djeshëm e ndërruan vet sistemin dhe po ata qendruan prap në pushtet. Këtu qendron e gjithë tragjedia e jonë dhe tranzicioni i gjatë dhe pa fund. Tregojnë se njëri kishte nxjer për të shitur në treg dy shejtanë, një të madh dhe një të vogël. Shkonin njerzit dhe pyesnin: Sa e shisni këtë të madhin? Përgjigja ishte: 10 lekë. Po këtë të voglin? Përgjigja ishte 1000 lekë. Po ky është i vogël, pse kaq shtrenjtë? Përgjigja ishte se ky i vogli është dy herë shejtan, sepse është i biri i këtij shejtanit të madh. Gjatë këtyre 20 vjetve qeveritë shqiptare drejtohen nga shejtanët e vegjël të dy partive më të mëdha ( pjesë të nënës parti ), që janë bijtë e shejtanëve të mëdhenj të sistemit të kaluar diktatorial. Këta, me veprimet e tyre, janë shumë më të këqij se shejtanët e mëdhenj të dikurshëm, prandaj jam në opozitë edhe me qeveritë e sotme. Duke qenë në opozitë, vazhdimisht si person dhe si familje kemi pasur humbje, por jam i qetë, sepse nuk kam qenë bashkëpunëtor me regjimin e diktaturës dhe i kam shërbyer sado pak popullit tim.

5. Çfarë mund të thoni për industrinë e naftës shqiptare, përse ajo ka rënë në këtë situatë të mjerueshme? Ka faktorë objektivë apo subjektivë?
Nafta shqiptare, kromi, bakri dhe bujqësia kanë qenë shtyllat kryesore ku mbështetej ekonomia shqiptare gjatë sistemit të kaluar diktatorial. Ishte faji i sistemit që të ardhurat e mëdha të naftës etj. u keqpërdorën. Megjithatë, nuk duhet harruar se atëhere u bënë shumë ndërtime të mëdha ( hidroçentrale, uzina, fabrika, bujqësia moderne etj. ). Industria e naftës atëhere ishte komplekse dhe e pavarur nga jashtë. Ajo, edhe po të ishte jo fitimprurëse, me pak plotësime bëhej shumë fitimprurëse për ekonominë tonë kombëtare.
Situata e sotme e industrisë së naftës në Shqipëri është plotësisht katastrofike. Që të arrihej deri këtu, është bërë një “punë shumë e madhe” sistematike dhe qëllimore shkatërrimtare gjatë këtyre 20 vjetve. Pra, faktorët që çuan në këtë gjëndje të mjerueshme industrinë e naftës shqiptare janë krejtësisht subjektivë dhe aspak objektivë. Donin qeveritë e njëpasnjëshme që të arrinte nafta shqiptare në këtë gjendje të mjerueshme dhe jo se mbaroi nafta në Shqipëri.

6. Si e shpjegoni privatizimin e kompanisë së vetme shqiptare të naftës, ALBPETROL?
Ky “privatizim” nuk përfshin vetëm fushat e njohura të naftës dhe të gazit, që deri tani i administron kompania shtetrore shqiptare ALBPETROL. Kompanisë ALBPETROL i janë dhënë si “pajë”edhe të gjitha rezervat e mundëshme nëntoksore të naftës dhe të gazit pothuajse të gjithë Shqipërisë. Ky “privatizim”( shitje 100% ) bëhet për një periudhë 25 vjeçare. Kjo do të thotë se gjatë periudhës 25 vjeçare populli ynë “i ka larë duart nga nafta”. Shteti shqiptar merr tani një dorë pare ( që nuk dihet kush i merr dhe sa merr ) dhe gjatë 25 vjetve të gjithë naftën dhe gazin e Shqipërisë e merr kompania e huaj në bashkëpunim me disa mafiozë shqiptarë. Populli do të fitojë vetëm taksën ( thërrimet që do jap kompania ). Shqiptarët do punojnë si argatë me pagesë qesharake tek kompania e huaj. Pra, shqiptarët do jenë më keq se emigrantët, duke qenë në shtëpitë e tyre. Perspektiva e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë do të mbyllet plotësisht. Pasurinë tonë do e grabisin të huajtë në bashkëpunim me qeveritarët tanë.. Politika që u zbatua është shumë e qartë: 1. Fushat ekzistuese të naftës u braktisën qellimisht nga shteti, që të ulej prodhimi i naftës dhe në këtë mënyrë të ulej artificialisht çmimi i shitjes së tyre. 2. Sidomos gjatë këtyre 8 vjetve të fundit u bllokua kërkimi i naftës dhe i gazit në gjithë Shqipërinë. Ky bllokim u bë duke i deklaruar gjoja si të zënë 8 blloqet tokësore të territorit shqiptar. Ky bllokim u bë që të mos zbuloheshin fusha të reja nafte dhe gazi. Kjo u bë për të krijuar përshtypjen se Shqiperia nuk ka ndonjë perspektivë të madhe për naftë dhe gaz. Nga ana tjetër, ky bllokim artificial i kërkimit ka sjell pasoja shumë të rënda për Shqipërinë, sepse nuk u zbuluan fusha të reja nafte dhe gazi në dobi të ekonomisë, nuk u hapën fronte pune në mënyrë masive dhe të përherëshme, nuk u permirësua më tej mirëqënia e popullit etj. Qellimi kryesor i këtyre veprimeve ishte që fushat e naftës të ALBPETROLIT të shiteshin badihava. Edhe rezervat e pritëshme nëntokßore të naftës dhe të gazit të gjithë Shqipërisë të konsiderohen të papërfillëshme dhe të shiten badihava. Pra, shteti i shet badihava që t’i blejnë badihava po vet qeveritarët tanë në bashkëpunim me të huajtë.

7. Ku e kanë qellimin këto reforma ekonomike?
Unë nuk jam ekonomist, por, me sa kuptoj, “privatizimi”( shitja ) e 95% të pasurisë së popullit e çonë vendin në katastrofë ekonomike të pashmangëshme. Vendi ynë do të shfrytëzohet nga të huajtë në bashkëpunim me mafiozat vendas. Ai do të bëhet shesh rivaliteti i bandave grabitqare, jashtë kontrollit të shtetit.
Prof. Dr. Adrian Civici ka bërë një shkrim më 30 tetor 2012 në gazetën Mapo dhe merr si shembull shtete të vegjël, me sipërfaqe dhe popullsi të përafërt me Shqipërinë, por shumë më të zhvilluar nga ana ekonomike. Disa nga këto shtete janë: Kroacia, Sllovenia, Qipro, Danimarka, Irlanda etj. Çfarë konstatohet në ecurinë e tyre? Nuk po i them të gjitha, por po shënoj vetëm disa pika më të rëndësishme: 1. Prioritete të qarta e të qendrueshme zhvillimi, të pranuara me konsensus dhe të mbrojtura nga gjithë spektri politik. 2. Vlerësimi i ecurisë ekonomike dhe financiare si prioritetin e parë të harxhimit të energjive politike e qeverisëse. 3. Rritja e efikasitetit dhe modernizimi i shtetit dhe i institucioneve publike si instrumenti kryesor i garantimit të suksesit të zhvillimit ( shtet/qeveri e vogël, por efektive ). 4. Qartësia dhe garantimi afatgjatë i burimeve të rritjes ekonomike. 5. Zëvendësimin gradual të treguesit “rritje ekonomike” me atë të “mireqënies dhe zhvillimit social”si treguesin kryesor. 6. Forcimin e sektorit publik dhe të prezencës së shtetit në ekonomi si një faktor i rendësishëm i politikave të zhvillimit. Ku po shkon shteti shqiptar në lidhje me këto parime? Krejt në drejtim të kundërt.

8. Si e shpjegoni faktin që specialistët e naftës nuk janë të organizuar dhe nuk kanë dëshirë të komunikojnë me njeri tjetrin?
Specialistët e naftës shqiptare janë të zhgënjyer, të pavlerësuar, të papërfillur pas gjithë asaj pune titanike që kanë bërë. Një pjesë e madhe e tyre kanë marr arratinë në vende të ndryshme të botës. Një pjesë punojnë në naftë në Kanada, në SHBA etj., sepse shteti shqiptar nuk i do dhe i dëboj nga puna, kurse pjesa tjetër është në Shqipëri, por pa punë. Organizimi i tyre nuk i intereson qeverisë shqiptare, kurse ata vete as duan të dëgjojnë më për naftën shqiptare, të cilën ata vet e zbuluan dhe të tjerët tani po e grabisin.

9. A nuk është një turp i madh që industria e naftës shqiptare, me një eksperience gati një qind vjeçare, me një bazë mekanike të fuqishme dhe me një personel inxhinjero-teknik të kualifikuar, të degradojë dhe të bëhet pre e biznesmenëve të huaj?

Çfarë të bënë qeveria nuk t’a bënë as perëndia. Trojën grekët e vjetër nuk e pushtuan me anë të ushtrisë, por me anë të kalit të Trojës. Çdo popull meriton qeverinë që ka zgjedhur, ose që nuk e ka zgjedhur, por që e mban mbi krye dhe bënë sehir edhe kur ajo vepron haptas kundër tij.

10. Ju në disa shkrime flisni me shumë pasion për naftën, konkretisht thoni, se Shqipëria ka naftë të madhe. Kujt zone i referoheni?
Për mendimin tim gjeologjik, naftë dhe gaz ka e gjithë Shqipëria. Në Shqipërinë jugperëndimore nafta dhe gazi janë vërtetuar, sepse janë zbuluar shumë fusha nafte dhe gazi. Unë kam bindje të plotë se Shqipëria lindore ( afërsisht një e treta e sipërfaqes së gjithë Shqipërisë ), që vazhdon në gjithë Kosovën, ka naftë dhe gaz të kalibrit të madh Kjo pjesë e Shqipërisë quhet Brezi i Mirditës ( Brezi Mirditë – Kosovë ).

11. Konkretisht, mund të bëni analogji gjeologjike me ndonjë nga vendet fqinje apo më larg? A kanë zbuluar ato ndonjë vendburim në situatë gjeologjike të ngjashme si përshkruani ju?
Brezi Mirditë-Kosovë ndodhet pas-harkut vullkanik të malit të Korabit. Brezi i Kaspikut jugor ( Azerbajxhan – Turkmenistan ) ndodhet pas-harkut vullkanik të malit Elbrus në Iran. Pra, situata gjeologjike është analoge me Azerbajxhanin. Në Azerbajxhan-Turkmenistan janë zbuluar mbi 130 fusha nafte dhe gazi të kalibrit të famshëm në botë. Kjo naftë e madhe dhe ky gaz i madh pritet të zbulohet edhe në Shqipërinë lindore dhe në Kosovë. Pikërisht këtë naftëgazmbajtje të madhe të Shqipërisë lindore po e shet qeveria Berisha.

12. Që të arrihet në këtë përfundim, për perspektivën e kësaj zone, a nuk duhet të bëhen punime të plota gjeologo-gjeofizike?
Problemi është shumë i thjeshtë. Kam shumë vite që i kam dërguar studimin gjeologjik qeverisë socialiste të kryeministrit Nano dhe më vonë qeverisë demokratike të kryeministrit Berisha. Në studim jepet argumentimi gjeologjik i kësaj perspektive të madhe. Aty kam rekomanduar të bëhen disa profile sizmike në masivin e Bulqizës ose në masivin e Gomsiqes pranë Vaut të Dejës afër Shkodrës. Në rast se punimet sizmike rezultojnë pozitive, të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz. Rezultati pozitiv do të hapte një perspektive shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërise dhe të Kosovës. Në rastin negativ, që është pak i mundur, do të vërtetohej se kjo teori nuk qendron. A i ka mundësit shteti shqiptar që t’a bëj vet këtë studim dhe kërkim? Po, mundësit janë, por mungon dëshira.

13. Unë nuk jam gjeolog, por ideja juaj më duket abstrakte, gati futuriste. E them këtë sepse ne kemi zona dhe breza të tërë brenda Shqipërisë jugperëndimore akoma pa studjuar, konkretisht kemi Dumrenë, objektet rreth Dumresë, si Pekishtin, Peqinin, Elbasanin, Paprin dhe më tej Rovën deri në Rodon, pa folur pastaj për pjesën detare.
Të gjitha sa thoni ju, dhe zona të tjera të Shqipërisë jugperëndimore, që ju nuk i përmendni, janë padyshim shumë të rëndësishme. Por perspektiva e Shqipërisë lindore ëhtë shumë e madhe, është e jashtëzakonshme.

14. Çfarë mendime keni pasur për puset e thellë të shpuar në Dumre dhe në Ardënicë?
Nuk kam pasur ndonjë mendim gjeologjik, sepse strukturat e tyre nuk shihen në sipërfaqe. Në të dy rastet shpimet janë dhënë në bazë të punimeve sizmike, sepse ato tregojnë nëse ekziston apo jo struktura në thellësi.

15. Si e mendoni perspektivën naftëgazmbajtëse të Shqipërisë, veç zonës që ju i referoheni?
E gjithë Shqipëria ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz.
- Shqipëria jugperëndimore ( zonat jonike, Kruja dhe Ultësira pranadriatike ) ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz dhe kjo është e vërtetuar. – Në malësinë e Cukalit, afër Shkodrës, pres të zbulohet naftë dhe gaz, në cektësi, në depozitimet e Paleozoikut ( për shembull në sektorin e Urës së Shtrenjtë etj. ).
- Në zonen e Alpeve Shqiptare pres të zbulohet naftë dhe gaz në cektësi, në depozitimet e Paleozoikut të brezit Kir – Portat e Shalës – Lekbibaj. Po ashtu pres të zbulohet naftë dhe gaz në cektësi në depozitimet e Paleozoikut të sektorit Dragobi-Valbonë.
- Në sektorin e malësisë së Vermoshit pres të zbulohet naftë dhe gaz në zonën Ndërmjetëse ( analoge e zonës së Durmitorit në Mal të Zi ) poshtë gëlqerorëve triasikë të zbuluar në sipërfaqe.
- Në rrethinat e Peshkopise, në zonën e Bulqizës dhe të Lurës pres të zbulohen vendburime gjigante nafte dhe sidomos gazi. Nuk ka pse të vriten fëmijët e minatorëve të Bulqizës duke mbledhur copra kromi tek hedhurinat, për të siguruar bukën e gojës. Pra, e gjithë Shqipëria ka naftë dhe gaz.

16. Iden tuaj për perspektivën e pjesës lindore të Shqipërisë, përfshir edhe Kosovën, e keni paraqitur në ndonjë simpozium ndërkombëtar? Nëse po, si kanë qenë mendimet e gjeologëve të huaj?
Artikulli është botuar në revistën Nafta Shqiptare. Ai është paraqitur si referat në Konferencen Ndërkombëtare të burimeve natyrore të mbajtur në Mitrovicë.dhe është botuar atje në anglisht. Unë nuk i di mendimet e gjeologëve të huaj, sepse nuk mora pjesë në konferencë.

17. Po kolegët dhe shokët tuaj, çfarë mendime kanë për perspektivën e kësaj zone?
Disa gjeologë nafte më mbështesin dhe inkurajojnë për këtë perspektivë, kurse disa gjeologë të tjerë nafte janë skeptikë, sepse nuk e njohin gjeologjinë e Shqipërisë lindore.
18. Sipas mendimit tuaj, nga do t’i vij e mira dhe çlirimi kësaj Shqipërie, nga nafta, nga elita, nga të huajtë apo nga violenca e vet popullit për një qeveri demokratike më të mire?
Çlirimi kësaj Shqipërie do i vij nga vet populli i udhëhequr nga intelektualë të aftë, vërtet të ndershëm dhe demokratë, që kanë dashuri për popullin dhe atdheun. Të huajtë varet kush janë. Ata mund të na ndihmojnë, por edhe të na pengojnë. I zoti e nxjerr gomarin nga balta. Çlirimi duhet bërë me mjete paqësore, demokratike dhe, po qe nevoja, edhe me forcë ( violence ). Shqipëria, e udhëhequr nga qeveri të ndershme, i ka të gjitha kushtet për t’u bërë vërtet një vend i lulëzuar dhe me jetë të lumtur. Unë mendoj se nga nafta dhe gazi, sidomos ato të Shqipërisë lindore, do i vij e mira e madhe Shqipërisë. Nafta dhe gazi do të jenë kryesoret, që do të zhdukin papunësinë dhe do t’a bëjnë të lumtur jetën e këtij populli të shumëvuajtur. Por kjo kërkon qeveri të ndershme dhe jo qeveri hajdutësh. Kjo kërkon popull trim dhe jo të fjetur. Vendet arabe të Gjirit Persik vetëm nga nafta dhe gazi jetojnë të lumtur. Vendet e tyre nuk kanë tjetër pasuri, sepse toka e tyre është e mbuluar nga rëra, kurse vendi ynë është si kopësht i lulëzuar.
19. Që të zhduket ky mjerim shekullor, si thoni, do mjaftonte mirëadministrimi i naftës që nxirret nga vendburimet tona, apo do duhej zbulimi i ndonjë vendburimi tjetër?

Mendoj se mirëadministrimi i naftës, që nxirret sot nga vendburimet tona, do t’a rriste mirëqënien, por nuk do t’a zhdukte varfërinë. Në Shqipërinë jugore njohim struktura me perspektivë të madhe naftëgazmbajtëse, që do e përmirësonin shumë jetën e popullit. Këtë e di mire qeveria Berisha, por ajo nuk do të bëhen kuerkime, sepse do t’a privatizoj ( grabisi për vete ). Ka shumë shanse për zbulime të tjera shumë të mëdha nafte dhe gazi në Shqipërinë lindore, që do t’a zhduknin plotësisht varfërinë brenda një kohe të shkurtër, por qeveria jonë pseudodemokratike nuk do që të bëhen këto zbulime. Ajo po e shet badihava ( = grabit ) të gjithë naftën dhe gazin e të gjithë Shqipërisë. Opozita dhe populli bëjnë sehir. Një fjalë e urtë thotë: Sipas kokës, festen, por na vjen keq për fëmijët, sepse ata janë të pafajshëm.

20. A mbani lidhje me Bubullimën dhe Shqipërinë?
Po, e vizitoj Shqipërinë dhe Bubullimën, sepse atje është zemra ime, atje janë njerzit e mi, miqtë, shokët, atje është populli im, për të cilin ndjej dashuri dhe sidomos ndiej shumë dhimbje.

21. Ku e ndjeni veten më mirë, në Kanada apo në Shqipëri?
Këtu jam si në parajsë, por vendin tim e dua, sepse ai është vendi im, edhe pse atje ka shumë probleme dhe mangësi.

22. Për cilin gjeolog shqiptar keni më shumë konsideratë?
Ka shumë gjeologë shqiptarë për të cilët kam konsideratë. E kam shumë të vështirë të veçoj njërin prej tyre.

Intervistoi, Ing.Ahmet Collaku

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...