Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/12

KONTEKSTI I NAIMOLOGJISË


Ahmet SELMANI



Sa më shumë që kalon koha, disa shëmbëlltyra të mëdha që i përkasin letërsisë dhe kulturës, bëhen aq më të pranishme në jetën e një kombi, ngaqë ndikimin i tyre rritet gjithnjë e më tepër, qoftë duke rrezatuar me idetë e nduarnduarshme, qoftë duke trazuar ndërdijen në situata të veçanta. Pa dyshim kjo do të thotë se ato në secilën kohë luajnë një rol të pazëvendësueshëm, frymëzojnë brezni të shumta për të ecur më tej me një vetëdije të lakmueshme, për të menduar dhe gjykuar lidhur me çështjet thelbësore, për t’i përcaktuar drejt ato në kontekstin kohor dhe hapësinor, për t’i përkufizuar sipas bindjes dhe arsyes së shëndoshë etj. Në këtë aspekt, sidomos po të merren parasysh kthesat e mëdha shoqërore dhe historike, atëherë kur shumë gjëra përmbysen në mënyrë të përdhunshme ose të natyrshme, është shumë e qartë se edhe riaktivizimi i tyre ose rikërkimi i tyre është edhe më i madh, mbase për shkak të sigurisë së ngulitur, jetëgjatësisë së ideve, udhërrëfimit të drejtë, tejpamësisë së plotë. Duke mos gjetur asnjë zhgënjim, por largpamësi të vërtetë, veprat e tyre vazhdojnë t’i hapin shtigjet e mëvetësimit individual të njeriut, për të besuar në të drejtën e tij jetësore e ekzistenciale si një parakusht themelor, që pastaj të ngjitet edhe nëpër shkallët e tjera të ndërtimit të subjektivitetit të tij individual e kolektiv. E gjithë kjo na bën të kuptojmë se emrat e mëdhenj të letërsisë dhe të kulturës shfaqen e rishfaqen me një dinamikë të çuditshme, jo vetëm kur njëmendësia është e ashpër dhe kur të ballafaqon gati si me trysni, por edhe atëherë kur mbretëron një qetësi relative në rrafshin shoqëror e politik, si dhe kur raktivizohen rastësisht.
Prandaj, figurat e këtilla sado që i nënshtrohen një trajtimi e studimi të vazhdueshëm, gjithnjë duke u folur e shkruar për to, njëherësh bëhen gjithnjë e më të pashtershme, sepse shqyrtohen në një rrafsh jashtëzakonisht të gjerë e shumëpërmasor, ku kapen të gjitha veçoritë dhe tiparet ndërtimore, tematike, artistike, kulturore, gjuhësore, filozofike, edukative, iluministe etj., domethënë edhe në rrafshin horizontal, edhe në atë vertikal, me tërë ndërlikueshmërinë e tyre. Kjo është një përpjekje e pafund, madje edhe shumë tërheqëse për studiuesit e ndryshëm, të cilët janë nxitur nga të tjerët për të hyrë aty, ose nga interesimi vetjak për t’i ripërkufizuar estetikisht fenomenet që i ndeshin, duke u futur kështu thellë e më thellë, përmes metodologjive të ndryshme bashkëkohore. Madje, pikërisht në këtë drejtim, ata pothuajse edhe specializohen me studimin e gjithanshëm të ndonjërës nga shëmbëlltyrat e tilla, thjesht duke e bërë atë si ekskluzivitet shkencor, si orientim i vetëm gjatë karrierës hulumtuese e shkencore. Sigurisht që rastet e këtilla nuk janë të panjohura, për arsye se deri tani janë botuar mijëra e mijëra studime të ndryshme lidhur me figurat e veçanta kulturore e letrare, të cilat vazhdojnë ta ndërlidhen me hallka të tjera zinxhirore në fushën e studimeve.
Në qoftë se këtu për një çast e kujtojmë figurën e madhe të Homerit që i përket letërsisë antike, me siguri do të na bien ndër mend ato mijëra studime që janë bërë për të, si në të kaluarën, ashtu edhe sot. Dhe, është shumë e qartë se nëpër periudha të ndryshme kohore interesimi për të është rritur tej mundësive të pritshme. Prandaj, edhe përkundër atyre studimeve të shumta, sot prapëseprapë asnjëri nga ata që janë marrë me këtë nuk mëton se e ka shteruar veprën e tij, por vetëm që ka hedhur pak dritë në gjithnajën e gjerë dhe të thellë të çështjes homerike.
Nisur nga kjo, në bazë të traditës studimore që është krijuar deri më sot për veprën e këtij gjeniu të letërsisë së lashtë, është krijuar një shkencë e tërë, e cila tanimë është quajtur homerologji. Dhe rrjedhimisht sot mund të thuhet se çdo popull i qytetëruar, që ka krijuar një standard shkencor e kulturor, i ka edhe homerologët e vet, të cilët e kanë dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim, qoftë përmes studimeve historike, letrare, sociologjike, gjuhësore, mitologjike, krahasimtare, qoftë edhe përkthimeve të veprës së tij në gjuhë të ndryshme të botës. Studiuesit që janë marrë me këtë çështje, siç janë: G. M. Bolling, C. R. Gordon, G. S. Kirg, A. B. Lord, J. V. Luce, J. L. Myers, M. P. Nilson, D. L. Page, L. G. Pocock, Ch. Vellay, T. B. L. VVebster, C. H. Vvhitman, R. S. Price etj., sot zënë një vend të rëndësishëm në panteonin e studimeve homerologjike botërore. Natyrisht, këtu nuk mund t'i harrojmë as homerologët shqiptarë të cilët po ashtu dhanë një ndihmesë të rëndësishme, duke filluar që nga Naim Frashëri i cili i pari nisi ta përkthente një pjesë të "Iliadës", si dhe duke shkruar rreth saj, e deri te Engjëll Mashi, Gjon Skiroi, Spiro Çomora, Gjon Shllaku, Engjëll Sedaj, Zef Krispi, Aristidh Kola, Spiro N. Konda, Muzafer Korkuti, Andrea Varfi, Xhavit Aliçkaj etj.
Një rast tjetër, që po ashtu mori përmasa të gjera në botë, pa dyshim është edhe ai që lidhet me figurën e madhe të U. Shekspirit. Edhe për këtë janë shkruar mijëra e mijëra studime nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato të përgjithshmet ku flitet për jetën dhe veprën e tij, e deri te ato të veçantat ku flitet për ndonjë aspekt që ka të bëjë me të. Sipas disa të dhënave, vetëm për kryepersonazhin e tij, Hamletin, janë bërë 25 mijë studime të ndryshme. Në mesin e tyre ndodhen edhe mjaft emra të njohur siç janë. K. L. Barber, J. V. Gëte, A. V. Shlegel, A. C. Bradli, S. T. Kolrixh, F. Niçe, L. N. Tolstoj, B. Shou, Volter etj. Prandaj është krejt afër mendsh që kjo traditë studimore që lidhet me shëmbëlltyrën e U. Shekspirit të quhet shekspirologji, ku janë radhitur qindra e mijëra emra studiuesish nga mbarë bota, gjithsesi edhe nga shqiptarët, siç janë: Faik Konica, Fan Noli, Skënder Luarasi, Alfred Uçi etj.
Kur i marrim parasysh këto gjëra, gjithsesi na shkon mendja edhe te figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë shqiptare, të cilat po ashtu zënë një vend të theksuar në jetën e përgjithshme kombëtare, sepse kurdoherë kanë luajtur rol mbizotërues në vijën e ndikimit shpirtëror, në ringjalljen e vlerave të larmishme, lartësimin e idealeve etj. Pavarësisht nga rrethanat dhe kushtet historike shumë të pavolitshme, figurat e tilla nuk kanë munguar asnjëherë, por janë shfaqur me tërë energjinë e madhe të tyre, duke shkruar deri në vetëflijim shpirtëror dhe fizik njëkohësisht. Bie fjala, emrat e njohur, siç janë: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica etj., kurdoherë e kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të historianëve të ndryshëm, kuptohet duke ndriçuar aspekte të shumta nga veprat e tyre, kuptohet si një botë e ndërlikuar dhe e ngjeshur, e cila ngërthen çështje të mëdha që kanë të bëjnë me qenien njerëzore.
Këndej, në qoftë se e veçojmë Naim Frashërin, pa dyshim duhet thënë se ka qenë preokupim i përhershëm i një numri të madh studiuesish, të cilët kanë prekur çështje të larmishme që kanë të bëjnë me jetën, veprën dhe shëmbëlltyrën e tij në përgjithësi. Si i tillë, N. Frashëri sot është bërë një simbol i veçantë kombëtar, që vazhdon të jetojë në kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, në vetëdijen e shumë breznive të lexuesve, studiuesve, kritikëve, jetëshkruesve, historianëve, estetëve etj. Edhe një qind vjet pas vdekjes së tij, ai jeton shpirtërisht, ashtu siç thoshte edhe vetë: "Kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur". Madje, tani ndikimin e tij shpirtëror e bën më mirë sesa kur ishte i gjallë fizikisht.
Pra, për sa i përket emrit të tij, këndej duhet theksuar faktin se sa më shumë që ecën koha, ai aq më i pashtershëm bëhet; përtërihet në kohë dhe hapësirë, rrezaton me idetë e tij, me fuqinë e madhe artistike, kthjellon bindjen dhe arsyen e shqiptarëve, ushqen ndërgjegjen e tyre. Kështu vepra e tij të lë përshtypjen sikur ringjallet me tërë magjinë e vet të veçantë, e cila është e kapshme për të gjithë shqiptarët, sepse është e urtë dhe e butë, e qartë dhe e fuqishme, shpresëdhënse dhe e paluhatshme.
Studimet e gjertanishme që janë bërë për jetën dhe veprën e tij tashmë dëshmojnë qartë se është krijuar një traditë e lakmueshme, aq më tepër kur të merret parasysh edhe fakti se krahas shumë emrave të studiuesve shqiptarë siç janë: Mali Kokojka, Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqi, Qemal Haxhihasani, Shaban Demiraj, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Sabri Hamiti, Ibrahim Rugova, Sali Bashota etj., aty ndodhen edhe mjaft emra të studiuesve të huaj, siç janë: Norbert Jokli, Nexhip Alpan, Agnia Desnickaja, Robert Elsie etj.
Gjykuar sipas kësaj, këndej mund të marrim guximin e të themi se në këtë mënyrë në kulturën dhe letërsinë shqiptare është krijuar një traditë e veçantë e studimeve për N. Frashërin. Ndaj pak nga pak në këtë mënyrë po hidhet guri themeltar i naimologjisë, ngjashmërisht si me popujt e tjerë, të cilët kanë krijuar tradita të veçanta studimore lidhur me shëmbëlltyrat e mëdha të tyre. Rrjedhimisht, të gjithë ata studiues të jetës dhe të veprës së N. Frashërit, mbase këndej do të kemi të drejtë t'i quajmë naimologë ngaqë, në fund të fundit, disa janë marrë me të në mënyrë të veçantë, kryekëput duke ia kushtuar tërë jetën atij, si një temë a objekt i vazhdueshëm i trajtimit dhe shqyrtimit shkencor.
Në këtë rast qëllimi im nuk është të përuroj një shkencë të re, sepse do të ishte një naivitet i madh dhe një veprim qesharak, kur dihet se ato nuk lindin me akte pagëzuese a emërtuese, siç mund t'i duket ndokujt, por në bazë të traditës që krijohet lidhur me një çështje të caktuar, megjithatë dëshiroj të ritheksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka figura e Naim Frashërit për letërsinë dhe kulturën shqiptare, ngase tanimë është shndërruar në një simbol të gjithëkohshëm, madje ka arritur të bëhet figura qendrore në rrafshin e preokupimit të studiuesve. Vetë fakti se për të edhe pas njëqind vjetësh flitet e shkruhet në mënyrë të pandërprerë, madje me intensitet edhe më të madh se kurdoherë tjetër, flet qartë se ai është një galeri e pashtershme, në të cilën do të futen edhe shumë emra të tjerë studiuesish të sotëm dhe të ardhshëm.
Disa aspekte që lidhen me veprën e Naim Frashërit, siç janë krijimtaria poetike e tij, veprimtaria pedagogjike, botëkuptimi panteist, filozofik, fetar, kombëtar, ndihmesa në fushën e gjuhës, në fushën e përkthimit, lidhjet ndërkulturore, përmasat humaniste, iluministe, ndikimi i krijimtarisë gojore etj., janë vetëm disa shtylla kyç për të cilat vazhdimisht sillen studiuesit e ndryshëm. Dhe sado që rreth tyre janë shkruar dhjetëra e qindra studime, përsëri nuk janë ndriçuar në tërësi. Pra vepra e Naim Frashërit vazhdon të trajtohet e ritrajtohet edhe më tej, kuptohet nga emrat e studiuesve të rinj, të cilët përdorin edhe metodologji të reja shkencore, duke e kundruar shëmbëlltyrën e N. Frashërit edhe si një fenomen bashkëkohor, që bashkëjeton me kohën dhe njeriun e sotëm. Kështu kjo figurë e kulturës shqiptare gjithnjë e më tepër madhërohet, bëhet gjithëkohore dhe gjithëjetësore.
Në çdo përvjetor që lidhet me Naim Frashërit çështjet e këtilla aq më tepër hapen, madje në mënyrë institucionale dhe të organizuar, për t'u shqyrtuar apo rishqyrtuar, jo për shkaqe formaliste, por për shkaqe shkencore. Dhe, kështu ndihmesat e këtilla krijojnë një traditë edhe më të qëndrueshme, e cila gjithsesi na shpie drejt konceptimit dhe konsolidimit të studimeve naimiane. Thënë thjesht, tani besoj se ka ardhur koha që të gjitha këto t'i shohim në kontestin e naimologjisë, ngaqë vërtet paraqesin një ekskluzivitet të rëndësishëm në letërsinë shqiptare në përgjithësi. Në qoftë se jo diçka më tepër, atëherë të paktën këtë çështje duhet parë si një kontekst të naimologjisë.

NAIMI - POETI DHE MËSUESI

Dr. Rozeta UÇI



Për tre përbërësit kryesorë të strukturës intelektuale të personalitetit të Naim Frashërit, për Poetin, Filozofin, Atdhetarin, është shkruar e folur meritueshëm mjaft, por ne mendojmë se vlen të çmohet edhe një përbërës i katërt, po aq i rëndësishëm sa tre të sipërpërmendurit, Naimi Mësues. Duam të theksojmë dy anë të personalitetit të Naimit, si mësues: e para ka të bëjë me harmoninë, shkrirjen e vokacionit të tij si poet, si filozof, si atdhetar me vokacionin si Mësues. Naimi nuk ka qenë çfarëdo poeti, ai ka qenë Mësues i Poezisë. Ata që sot lëvrojnë poezinë shqipe, e kanë më të lehtë të krijojnë pa qenë aq sa të mbeten mësues të poezisë, por kur hidhet në letër fjalët e zjarrta, kur lindte vargun e magjishëm poeti, Naimi ka qenë në Ditën e parë demiurgjike të Zotit, Perëndisë, kur ky krijoi Dheun Botën, zhbironte në thellësitë e gjuhës shqipe të zbulonte ca nga ato thesare të fshehura, me të cilët krijoi një nga modelet e para të një poezie të përjetëshme, huli nëpër të cilën kanë gjetur veten e tyre si poetë-Çajupi, Lasgushi, Agolli, Arapi, Podrimja, Shkreli, Spahiu, Mehmeti, Haliti, Zhiti, Çapriqi etj., gjedhë që do të mbetet e përjetëshme në të ardhmen, e poezisë shqipe. Gurra mësimdhënëse për një poezi të tillë është Naimi.
Shoh Naimin Mësues edhe si mendimtar filozof. Fjala "filozof" tradicionalisht ka pasë shënuar një mendimtar të mbyllur kabineti, që mendimet e tij i vesh me gjuhë të pakuptueshme, të errët, hermetike, kurse në gojën e Naimit fjala filozofike gjen artin e mësuesit që din t'ua kumtojë nxënësve të të gjithë brezave, duke e bërë këtë fjalë të rëndë, - të lehtë, të kuptueshme, të urtë, të mençur.
Naimi ishte edhe mësuesi i Atdhedashurisë; po për të mos u bërë e mërzitëshme, duke u përmendur gjithë ato që i dimë të gjithë, dua ta provoj këtë vetëm me togfjalën poetike, të shenjtë, biblike: "Ti Shqipëri më jëp nderë, më jep emrin shqipëtar!". Këtë mund ta quajmë një zbulim të madh që të kujton sentencën e Sokratit: "Njih vetveten!", sepse domethënia e këtij togfjalëshi të paktën u hapi sytë shqiptarëve të shohin veten e të kuptojnë ç'janë.
Ana tjetër e personalitetit të Naimit Mësues e ka vendosur atë në një radhë me mësuesit e tjerë rilindës, themeluesit e parë të Abetares, të Mësimit, të Shkollës shqipe - N. Veqilharxhin, K. Kristoforidhin, J. Vreton, S. Frashërin, Pashko Vasën, K. Hoxhin. P. N. Luarasin etj. Përpjekjet për të krijuar shkollën, jo çfarëdo shkolle, po shkollën shqipe, të ndërtuar mbi platformën e Rilindjes sonë Kombëtare, janë kryer edhe nga të tjerë, por Naimi është Dekani, Rektori, i kësaj shkolle.
Të mos harrojmë se lejën për të hapur shkollën shqipe të Korçës e siguroi Naimi, ai përgatiti abetaret e librat e mësimit si një pedagog i rrallë, dhe po ai i hodhi degën më të bukur të dafinës Korçës, ku e çel shkolla e parë shqipe, që punoi me platformën e Rilindjes Kombëtare:
Naimi mësues, që punonte për t'i arësimuar shqiptarët, sipas idealit të iluministëve të Lindjes e të Perëndimit, që besonte se "drita e diturisë përpara do ta shpjerë", ishte ai flakadan që ndriçon edhe përpjekjet për arësimin shqip këtu në Tetovë e më gjërë.
Lumja ti, o Korç'o lule,
Që le pas shoqet e tua,
Si trimi në ballë u sule,
Ta paçim për jetë hua.
Naimi mësus, që punonte për t'i arësimuar shqiptarët, sipas idealit të iluministëve të Lindjes e të Perëndimit që besonte se "drita e diturisë përpara do na shpjerë", ishte ai flakadan që ndriçon edhe përpjekjet për arësimin shqip këtu në Tetovë e më gjërë.
Nuk është e vështirë të dallosh tek Naimi ndikimin e pedagogëve e filozofëve iluministë si Ruso, Didro, Helvetius, Pestaloci, por koncepti i Naimit mbi idealin e edukatës u përcaktua para së gjithash, nga kushtet historike të Shqipërisë në gjysmën e dytë të shek. 19, që i dhanë atij një vlerë të paçmuar kombëtare. Gërshetimi i ideve iluministe me idetë atdhetare përbën një tipar me të vërtetë origjinal të idealit naimjan të edukatës; që si sistem pedagogjik mishërohet në veprën e tij "Mësimet", të botuar më 1894. Edhe më origjinale është ndihmesa e tij për t'i shndërruar idetë pedagogjike në një pjesë të pandarë, organike të përmbajtjes së Bektashizmit, duke u dhënë këtyre ideve edhe fuqinë e një feje të shenjtë.
Ndër konceptet pedagogjike të Naimit shquhen karakteri demokratik e popullor i edukimit e i arësimimit. Edhe shtërparin majë malit desh ta shihte të ditur, të arësimuar; si askush ai theksonte me të madhe nevojën e arësimimit, sidomos të femrës, që ka qenë edukatorja e natyrshme, brez pas brezi, në familje. "Gruaja - thotë Naimi, duhet të jetë më e mësuar nga burri, se fëmijët sëpari nga nëna i marrin mësimet"; "simund të vejë mbroth një komb, kur gratë domethënë gjysma e njerëzisë, rrinë mbyllur si në kuvli"; dhe e thekson fort Naimi se edukata, mësimi duhet të merren sëpari në gjuhën amëtare, gërmat e së cilës u shkruan me gjakun e mësuesve rilindës.
Naimi i jepte përparësi metodës së bindjes në edukim: "Nuk arësimohen fëmijët, thotë Naimi, duke sharrë e duke rrahur, por me të mirë, me të urtë, me butësi"; ai ishte kundër moralizimeve të thata dhe i jepte rëndësi të veçantë shëmbullit të të rriturve: "Një mijë fjalë të mira të mëmës e të atit, nuk vlejnë më shumë sa vlen një punë e mirë, që e shohin me sytë e vet". Shkallëzimi i mësimit, sipas Naimit, lypset të kalojë nga e paka tek e shuma, nga e thjeshta tek më e vështira. Dhe sa largpamëse tingëllon këshilla pedagogjike e Naimit: arëseje e mesoje fëmijën më shumë nga vetja jotë, se ai është për një kohë, e cila është më tej nga koha jote". Naimi beson, ashtu si edhe Samiu, se Shqipëria do të zhvillohej e begatohej kryesisht nga brezi i ri i arësimuar shumë më tepër nga prindërit.
Naimi kishte një vizion modern për edukatën, nuk e vulgarizonte e nuk e thjeshtësonte, por e shihte si një punë të pandërprerë e të shumëanëshme, ku gërshetohen edukata mendore, intelektuale me edukatën morale, edukatën e punës, edukatën shëndetësore dhe estetike dhe, mbi të gjitha, me edukatën patriotike. Ndërsa elementët e edukatës mendore i përçoi nëpërmjet veprave "Dituritë", "Istoria e Përgjithëshme", "Istoria e Shqipërisë", në të cilat parashtron njohuri të mirëfillta shkencore nga historia gjeografia, anatomia, fizika, kimia, astronomia, arithmetika etj. Elementet e edukatës patriotike, morale e estetike kumtohen nëpërmjet gjithë veprës së tij poetike. Ato bartin një forcë të jashtëzakonëshme ekspresive e emocionale, që na pushton e na bën për vete edhe ne, edhe gjithë shqiptarët që do të vijnë e që do të jenë, si ne, të dashuruar me fjalën e gjallë, të pavyshkëshme shqipe të Naimit të pavdekshëm.
………………

RILEXIMI I NJË TEKSTI POETIK, "FJALËT E QIRIRIT" TË NAIM FRASHËRIT

Prof. as. dr. Alfred ÇAPALIKU




Vlerësimi i të lexuarit duhet parë në lidhje të ngushtë me atë të rilexuarit, mbasi interferenca në mes tyre është sa e ngushtë, aq edhe e gjerë, sa e çastit, aq edhe e gjithë jetës. Në "Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe", botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1980, në faqen 1662, për zërin "RILEXOJ", jepet ky shpjegim: "Lexoj përsëri diçka që e kam lexuar". S'dua të ndalem te vlerësimi tepër i saktë leksikografik. Ajo që dua të shtoj është se:
Së pari, i njëjti tekst poetik, "Fjalët e qiririt", i është dhënë lexuesit shqiptar në kohë të ndryshme. Para pavarësisë, kur shqiptarët ishin të privuar nga të lexuarit (shqip) dhe sot, kur të lexuarit (jo veç në shqip) shpallet si një e drejtë humane. Siç shihet, rileximi i fjalëve te qiririt, pas shpalljes së pavarësisë ka komoditet, gjë që ka munguar gjatë leximit në kushtet e një terrori psikologjik aziatik. Kritika e viteve '30 vuri në dukje rileximin e vazhdueshëm të Naimit, përmes parametrit të ribotimit: "Janë të paktë ata shkrimtarë tonë që u janë shitë botimet e bame, prandaj pak e aspak na bjen rasa, me pamë ribotime librash, që mos jenë shkollorë. Në gjuhën shqipe janë ribotuem veprat e Naim Frashërit dhe t'At Fishtës, ketyre dy poetënve që na nderojnë me prodhimet e veta letrare dhe qi janë baballarët e poezis shqipe".
Së dyti, i njëjti tekst poetik, "Fjalët e qiririt" u jepet për lexim e rilexim, brenda një harku relativisht të shkurtër kohor, nxënësit të tetëvjeçares, atij të shkollës së mesme, studentit e më tej lexuesit pa kufizim moshe, që inkuadrohet në të lexuarit në shoqëri.
Për t'ua bërë sa më të lehtë e sa më të rrjedhshëm leximin me shkurtime, si dhe është renditur në strofa katërvargëshe, që trembëdhjetëvjeçarët të shijojnë me sy dhe me veshë rimat foljore, ndajfoljore, emërore dhe mbiemërore, shpikur nga Naimi. Vjersha shoqërohet me një shënim të shkurtër për historikun e botimit në një revistë për publikun e rritur, pastaj në një tekst për mësonjëtoret e para, nga shtypshkronja e Stambollit, në atë të Bukureshtit, përmes kumtit "dashuria e madhe për njeriun", përmes spikatjes për "çmimin dhe përparimin kombëtar". Dhënia veç dy fjalëve për shpjegimin në fjalorin e tekstit shkollor tregon afërsinë e Naimit me gjuhën e sotme letrare kombëtare. Duke analizuar atë çka kuptojmë në zërin LEXOJ:
"Jam i aftë të kuptoj diçka të shkruar të di se 'mund të shtrohet", autorët e tekstit "Leximi letrar 7" zbulojnë përmes pyetjeve, mbresat dhe shijet estetike, që vargu naimian gdhend në mendjen dhe në zemrat e fëmijëve. Metodikisht, drejt kërkohet, që përgjigjet të ilustrohen me vargjet e poetit. Kështu leximi i tekstit poetik "Fjalët e qiririt" nga befasi, kthehet në përvojë. Që leximi të përfundojë si proces, bashkautorët janë përkujdesur ta shoqërojnë atë me detyra shtëpie me karakter vrojtues, krijues e riprodhues.
Nga leximi fjalë për fjalë, varg për varg me zë dhe i përsëritur, që bën shkollari i tetëvjeçares, te gjimnazisti, rileximi i variatit sërish të shkurtër prej 16 vargjesh, bëhet një copë, zgjat veç një herë, bile edhe atëherë pa zë, duke i kushtuar më tepër vëmendje aparatit pedagogjik të tekstit, sesa vetë vargjeve, që të përthyera tashmë në botën e tij shpirtërore, janë mësuar përmendësh, natyrshëm, si një testament. Pesë pyetjet dhe detyrat që grupi i autorëve të "Antologjisë së letërsisë shqiptare" I jep për vjershën - manifest "Fjalët e qiririt" qëllojnë në shenjë. Pra: misioni i poetit, bota e brendshme e tij, funksioni i mjeteve letrare të përdorura me finesë, roli ndriçues i veprës dhe jehona e pafund që përfton, bëjnë që rileximi i porosisë së madhe të fjalëve të qiririt të funksionojë si një "perpetum modile". Këtij qëllimi ngulitës i shërbejnë edhe asteriksi në titull të poezisë, ku një qiri dhe një yll japin vite drite njëri-tjetrit; edhe shpjegimi i zgjeruar atdhetar e kulturor, edhe fusnota "poeti nuk do të kursejë asgjë nga mendja dhe zemra, nga frymëzimi dhe dijet e tij". Në universitarin e Fakultetit Filologjik problemi shtrohet më gjerë. I ndeshur për të tretën herë me "Fjalët e qiririt", ai e lexon tashmë poezinë të plotë, në 74 vargje. Rizbulon kështu vlerat e një poezie trefish më të gjatë, shoqëruar me sqarime të imëta për tetërrokëshat, siç ndodh në botimin luksos të Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1980, "Naim Frashëri", vepra të zgjedhura, vëllimi i parë. Studenti, këtë poezi mund ta çmojë edhe përmes vlerësimeve me peshë të kritikëve, në studimet a monografitë për Naimin. Me gjithë këtë punë të kualifikuar të të tjerëve, për të përgatitur rileximin e studetit, universitari e lexon thuajse si për herë të parë tekstin "Fjalët e qiririt", në kontekstin e opusit naimian, si "vepër e hapur" me horizont të gjatë pritjeje, apo e rilexon "sipas tij". Ashtu si qiriri që vendoset në mes dhomës, për t'i ndriçuar të katër anët njëlloj, edhe Naimi e zgjedh vendin në mes të njerëzve, për t'i ndriçuar së jashtmi e së brendshmi, në mënyrë të barabartë. Demiurgu i Shqipërisë pa terr e kryen me modesti misionin "…që t'ju jap pakëz dritë". Përvëlimi i qiririt sjell sosjen. Përvëlimi i Naimit arrin mbijetesën. Aty nga fundi i vjershës simboli shkrihet për t'u ndezur metaforat e epitetet, përmes të cilave Naimi vjen drejtpërdrejt "…në dritë të vërtetë". Rileximi në një mënyrë afërsisht të tillë bën që të kapen vlera hipertekstuale dhe intertekstuale, si guximi promotejan dhe vuajtja asketike e krijuesit në lindjen e artit të madh.
Për lexuesit e çdo moshe problemi paraqitet më i kompletuar. Shpesh ata e aktualizojnë frashërlliun e pamort, që vazhdon t'u flasë gjatë gjithë jetës së tyre, përmes rileximit. Por shpesh e më shpesh ata janë në pozitat e spektatorëve, që e shohin për të katërtën herë të njëjtin film. Pas njohjes në detaje të skenarit, herë veçojnë lojën e aktorëve, herë vlerat regjisoriale, herë mrekullitë e kamerës, herë kolonën zanore. Duke bërë veprime krahasuese mjaft të holla me "Fjalët e qiririt" ata shohin se si kjo vjershë e thjeshtë madhështorë, nga shkollë poetike kthehet në shkollë formimi qytetar.
Por edhe mbas gjithë këtyre rileximeve, Naimi mbetet sërish i panjohur në një sens:
"Unë jam në shpirtin tuaj".
Me anën e këtij vargu profetik, Naimi kthehet nga I LEXUAR prej shqiptarëve, në LEXUES të mendjes dhe zemrës së tyre, që nga 12 gushti i 1884-tës, kur poezia "Fjalët e qiririt" u botua për herë të parë, gjer në të gjitha ditët, muajt e vitet.
- - - - - - - - - -

NË PËRKUJTIM TË NAIM FRASHËRIT

Vahed FARMAND



Të gjithë ata që të paktën njëherë kanë shikuar në qiellin e kulturës dhe të letërsisë shqiptare me siguri e kanë vërejtur Naim Frashërin si yllin më të shëndritshëm në atë qiell. Ai është poeti i fundit dhe më i madhi që shkroi poezi në gjuhën perse.
Naim Frashëri u lind në shek. XIX, përkatësisht në vitin 1846 në fshatin Frashër, në jug të Shqipërisë në gjirin e një familjeje të shquar. Mësimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa më vonë kaloi në qytetin e Janinës, që asokohe ishte në pushtetin osman, për ta plotësuar dijen dhe për ta vazhduar arsimimin e vet.
Vendin kryesor në prezentimin e personalitetit dhe veprës së Naim Frashërit në shoqërinë iraniane e zë profesori iranian dr. Abdulkerim Gulshani, i cili në Sesionin e parë kërkimor që u mbajt në vitin 1970 në Universitetin e Teheranit, u paraqit me ligjëratën e tij të titulluar “Ndikimi i letërsisë persiane në Ballkan dhe mbi poetin Naim Frashëri”. Sipas prof. Gulshanit, Naimi asokohe, për shkak të veprimtarisë së tij politike dhe pjesëmarrjes në lëvizjen çlirimtare të Rilindjes Kombëtare, qe i detyruar ta braktiste vendlindjen dhe të vendosej në Stamboll. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai shfaqi talentin e vet në fushën e shkrimit origjinal dhe të përkthimit të veprave të huaja. Për shkak të kësaj aftësie të tij ai qe emëruar si atashe pranë Ministrisë së Fesë në Perandorinë Osmane, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij.
Veprimtarinë letrare të Naimit mund ta ndajmë në tri kategori: 1) Poezi kuptimore, lumturire si p.sh. përmbledhja e poezive “Luletë e Verësë”; 2) Poemat sensitive si “Qerbelaja” dhe “Istori e Skënderbeut” dhe 3) Poezi edukuese, si librat përgatitorë për bektashizmin.
Në përgjithësi duhet thënë se e tërë veprimtaria e tij polzike dhe kulturore sillej rreth një strumbullari, e që ishte dashuria e jashtëzakonshme për atdheun dhe arritja e lirisë dhe pavarësisë për atdheun e tij ¬ Shqipërinë. Ai përpiqej ta ngrinte vetëdijen e popullit të tij, duke krijuar letërsi autoreske dhe përgatitje kontekstuale, me qëllim që ta ngrinte gjuhën shqipe në nivelin e një gjuhe letrare dhe botimi. Në këtë mënyrë në të gjitha veprat e tij, qoftë si poet, qoftë si prozator, ai flet me gjuhë të thjeshtë dhe popullore.
Poezia persiane e Naimit ishte nën ndikimin e fuqishëm të poezisë dhe poetëve klasikë persianë si Attar Neishaburiut, Xhelaludin Rumiut dhe Shejh Saadi Shiraziut. Ndikimi të cilin e kishin ata mbi veprën e Naim Frashërit shihet edhe në faktin se brenda përmbledhjes “Luletë e Verësë” ka një poezi që titullohet “Fyelli”, e cila është mjaft e ngjashme me poezinë e Mevlana Rumiut “Tregimi i nejit”. Veprimtarët kulturorë dhe mjeshtrit e fjalës persiane thonë se vështirë mund të gjendet në historinë e letërsisë dhe kulturës botërore ndonjë poet i cili përmes studimit të një letërsie të caktuar të huaj të mund të përshkruajë atë dhe të shkruajë poezi cilësore në një gjuhë tjetër, e cila për nga tiparet e saj dallon shumë nga gjuha e tij amtare.
Bukuria dhe vlera e poezisë së Naimit, jo pse është e shkruar nga një i huaj, mahnit nga vetë fakti se ai ka njohuri të thellë të teknikës së poezisë persiane, dhe kjo e bën Naimin mjeshtër të pakapërcyeshëm të letrave persiane. Poezia e tij nuk është e përshkruar nga lavdi për asnjë njeri, e aq më pak për vetveten. Poezia e tij është e thjeshtë dhe ka qëllim të lartë, që e bën atë baba të urtësisë.
Poezia e Naim Frashërit në Perëndim dhe ajo e Muhamed Ikbal Lahoriut në Lindje nga fundi i shekullit XX ishin lëndë studimi që nga Gadishulli Ballkanik e deri në Gadishullin Indian. Që të dy këta ishin ura për lidhjen e mendimtarëve të këtyre hapësirave.

NAIM FRASHËRI DHE ËNDRRA E SHQIPTARËVE

Fatos ARAPI
 

 
Në jetën e popujve ndodh jo rrallë që njerëz të shquar, figura të ndritura të përdoren si ikona për levërdi të burokracisë politike apo edhe asaj intelektuale. Por vijnë çaste kur trysnia historike e bën të vetën, kornizat e ikonave shqyhen dhe prej tyre zbresin të gjallë në zemrën e popujve apostujt e vërtetë të lirisë.
Naim Frashëri është atje, ai na pret atje në të ardhmen tonë, do ta takojmë patjetër në atë udhëkryq të përpjetës së vështirë, që na duhet domosdoshmërisht sot dhe nesër ta përshkojmë. Naim Frashëri është frymë, lëvizje, ecje përpara, domosdoshmëri për të shkuar përpara në jetën tonë, në mendësinë tonë, në artin e kulturën tonë. Naim Frashëri është kujtesë historike në veprim, e cila fatmirësisht nuk mund të shkatërrohet, nuk mund të zhduket, nuk mund të braktiset. Në kushte e rrethana të tjera, ashtu si prindërit tanë dje, gjeneratat e reja të shqiptarëve sot e nesër, duke e përlindur Rilindjen tonë Kombëtare, shkojnë drejt ëndrrës së Naimit që është edhe ëndrra e të gjithë shqiptarëve.
Shqiptarët si popull e si komb nuk kanë ardhur gjer këtu në mijëvjeçarin e tretë si një trill i pavetëdijshëm i historisë, as kanë ardhur gjer këtu nga mëshira e pamëshirshme e politikave ballkanike, evropiane apo nga dashuria e supershteteve të ndryshme që lindnin e zhdukeshin epokave të historisë. Shqiptarët kanë ardhur gjer këtu e do të shkojnë më tej, për forcë të asaj logjike të thellë të jetës që i bën popujt të rrojnë e të mos vdesin. Ata nuk kanë kërkuar asnjëherë dhe nuk duan asgjë më shumë e asgjë më pak nga popujt e tjerë, duan vetëm të jetojnë të lirë, të barabartë, në paqe e dashuri me të gjithë. Ne e dimë se edhe popujt e tjerë këtë e duan, ëndërrojnë e meritojnë të gjithë një jetë të denjë e të bukur për njeriun. Meritojnë një ëndërr.
Në këto dhjetë vjetët e fundit Shqipëria ka përjetuar çast pas çasti të gjalla, të kapshme, tmerrësisht të vërteta gati të gjitha fazat që ka përshkuar në historinë e saj të gjatë. Në asnjë vend tjetër të Lindjes Komuniste tranzicioni nuk ka qenë aq i përgjakshëm, kaotik e i pamëshirshëm si në Shqipëri. Një tranzicion tragjik me mijëra të vrarë, me eksode biblike, dhe me varreza jashtë çdo imagjinate mu në mes të deteve (kujtoni Gjirin e Otrantos). U tradhtuan keq e u vranë shpresat e ëndrrave tona.
Janë të papranueshme e të neveritshme përpjekjet që bëhen sot, brenda e jashtë Shqipërisë, për t'u shpërlarë sa më shpejt kujtesa jonë e të harrohet ky tranzicion i përgjakshëm. Historia, edhe kur atë e shkruajnë "të fortët e fitimtarët", përsëri ajo ngulmon e i mbetet besnike gjykimit të ftohtë të drejtësisë. Shpejt a vonë ajo do të japë verdiktin e vet, edhe mbi këto bëma të përgjakshme të tranzicionit shqiptar.
Në qoftë se do ta studiojmë gjakftohtë, me mençuri dhe larg pasioneve e retorikave mashtruese këtë segment të ngushtë të historisë sonë kontemporane, aherë nga problematika e shumtë, na duhet të ndalemi te dy çaste:
E para, jo vetëm ky dhjetëvjeçar, por sidomos ky dhjetëvjeçar, tregoi se shqiptarët akoma vazhdojnë ta kuptojnë të ardhmen e tyre si një ëndërr të vagullt, pa trajtë, një farë kërkese, të cilën nesër do të na e dhurojë, do të na e ndërtojë dikush. Është më tepër dëshirë e një njeriu të pafuqishëm, të paformuar e të paaftë për të përballuar detyrat historike. Popujt e pjekur e konceptojnë të ardhmen e tyre vetëm si vepër e veprim të vet, konkrete, reale e të prekshme. Ata e ndërtojnë të ardhmen çdo çast, çdo ditë, i japin asaj trajtë e frymë, e lëndëzojnë, pra e kthejnë në një realitet duke përjetuar të gjitha dhimbjet e gëzimet e lindjes së saj.
E dyta, ky dhjetëvjeçar tregoi shkoqur se shqiptari e Shqipëria kanë lëvizur vetëm paksa nga ajo vijëz që e kishin vërejtur në kohën e vet Faik Konica e Mid'hat Frashëri, d.m.th. që egoizmi e individualizmi ende nuk lejojnë që në shpirtin e shqiptarit të zhvillohet ndjenja e kolektivitetit. Sot, njeriu ynë ndodhet në mëdyshjen, në dilemën, nëse duhet ta hedh hapin e të krijojë prej vetes njeriun-komb, njeriun-shtet.
Ky është urdhër historik i domosdoshëm sot, që duhet të kalohet. Kombet moderne krijohen prej qytetarëve të lirë, të cilët në çdo çast ndërtojnë veten, shtetin, kombin e tyre.
Të mos na e rrejë mendja se kjo do të jetë lehtë. Është e qartë se nuk mund të jetohet më si në të kaluarën, por bota politike shqiptare sot është dëshpërimisht e varfër në personalitete që me përmbajtjen e tyre kulturore e morale të të frymëzojë. Ti mund ta ngresh partinë, por e ngre për vete; ti mund ta ngresh shtetin, por e ngre atë për vete. Kjo ka qenë e mbetet edhe sot e kësaj dite plaga më e rëndëe botës shqiptare. Në jetën time të gjatë e të trishtuar, nuk e kam ndier veten time më keq, nuk jam ndier aq i fyer, sa kur kam dëgjuar nga goja e politikanëve të huaj, t'u thonë shtetarëve tanë: "mendoni pak më tepër për popullin tuaj, më pak për partitë…", që do të thotë më pak për veten tuaj. Imperativi të ndërtojmë veten, qëndron sot sa para qytetarit të thjeshtë, aq edhe para shtetarit më të lartë të shtetit.
Duke u nisur prej rrënjëve historike të popullit shqiptar, Naim Frashëri u end nëpër kulturat e Lindjes e të Perëndimit, krijoi atdheun poetik, një Shqipëri të lirë e të lulëzuar midis popujve të përparuar të Evopës. Popujt e kombet krijohen nëpër shekuj, me sakrifica e flijime të mëdha, shpesh mbinjerëzore. Të ëndërrosh, do të thotë të dish si të veprosh, si të ecësh përpara, të mundësh ta vendosësh veten në ato lartësi të politikës, të mendimit ekonomik, kulturës bashkëkohore, nga ku hapen perspektiva reale zhvillimi edhe për popullin tonë. E kjo arrihet vetëm atëherë kur pushteti politik heq dorë nga manipulimi e keqpërdorimi i intelektualëve, kur njerëzit e punës mendore nuk mendojnë për bukën e gojës, por janë vërtet të lirë ta përdorin pushtetin intelektual për ngritjen dhe emancipimin e shoqërisë dhe të demokracisë shqiptare. Kështu e takojmë sot, dhe do ta takojmë nesër, në të ardhmen tonë, Naim Frashërin.
………………

  

ROLI I NAIM FRASHËRIT NË ZHVILLIMIN E SHQIPES LETRARE

Akademik Shaban DEMIRAJ
 

 
 Në periudha të caktuara historike, që kanë shënuar kthesa vendimtare për të ardhmen e këtij apo të atij populli, kanë dalë kurdoherë njerëz të shquar, të cilët me veprimtarinë e tyre janë bërë përfaqësuesit më të spikatur të atyre kthesave historike. Këta njerëz të shquar kanë qenë edhe pjellë edhe aktorë të lëvizjeve të rëndësishme historike të popujve përkatës. Ata, natyrisht, kanë luajtur një rol të dorës së parë në sendërtimin e idealeve, që kanë karakterizuar lëvizjet historike të popujve të tyre për çlirim, zhvillim e përparim, por në të njëjtën kohë veprimtaria e tyre ka marrë shkas dhe është frymëzuar nga rrethanat historike, në të cilat ata kanë jetuar.
Kjo konsideratë e përgjithshme duhet mbajtur parasysh edhe kur shqyrtohet puna e përfaqësuesve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XIX, që njihet zakonisht me emrin Rilindja Shqiptare. Kam parasysh ata shkrimtarë të shekullit XIX, të cilët, të nxitur nga gjendja e rëndë e popullit shqiptar nën sundimin e huaj, i vunë vetes si detyrë t'i përqëndronin energjitë e tyre për ta bërë popullin tonë gjithnjë e më të vetëdijshëm në përpjekjet e tij për zhvillim, pëprarim dhe çlirim nga zgjedha e huaj shekullore.
E një nga mjetet e fuqishme, që përdorën ata shkrimtarë për sendërtimin e idealeve të tyre, ishte pikërisht gjuha amtare, që i dallonte shqiptarët nga sunduesit e huaj dhe nga popujt e tjerë. Prandaj nuk është gjë e rastit që pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë të shekullit XIX treguan një përkujdesje të veçantë për lëvrimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Është e vërtetë se kujdësi për gjuhën shqipe vihet re qysh te Buzuku dhe te shkritmarët e tjerë pas tij, sidomos te Bogdani. Por, në shekullin XIX, kjo dukuri mori përmasa të reja, si të ishte një lëvizje e  organizuar, megjithëse në të vërtetë qe një lëvizje spontane e frymëzuar nga rrethanat e reja historike të popullit shqiptar. Prandaj s'ishte e papritur që përfaqësuesit më të ndritur të letrave shqipe të shekullit XIX mbajtën të njëjtin qëndrim ndaj gjuhës amtare dhe ndoqën të njëjtën rrugë për zhvillimin e saj dhe pikërisht mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme dhe krijimin e fjalëve të reja, për ta bërë gjuhën shqipe sa më të pasur e më të zhvilluar.
Siç dihet, kjo punë, që në shekullin XIX nisi me Naum Veqilharxhin, mori përmasa më të mëdha dhe më frytdhënëse me Konstandin Kristoforidhin, Naim Frashërin, Sami Frashërin, Jani Vreton etj., të cilët mund të konsiderohen me të drejtë si nismëtarët e atyre përpjekjeve, që pak nga pak e shndërruan shqipen në një gjuhë të zhvilluar, në të cilën më vonë u përkthyen edhe kryevepra të tilla si ato të Shakespeare-it, Cervantesit etj., dhe u hartuan vepra letrare e shkencore me vlerë.
Kur lexon veprat e Kristoforidhit, Naimit, Samiut, Vretos dhe të rilindësve të tjerë, nuk është e vështirë të vëresh se të gjithë ata kanë dhënë ndihmesa shumë të çmuara për ta bërë shqipen një gjuhë të pasur e të zhvilluar, që të mund t'i plotësonte gjithnjë e më mirë kërkesat e shumanshme të një gjuhë kulture. Por, në këtë rast nuk është e vështirë gjithashtu të konstatosh se ai që luajti një rol më të madh në përhapjen e kësaj rryme të fuqishme të qëndrimit ndaj gjuhës shqipe si edhe të fjalëvë të reja të krijuara gjatë gjysmës së dytë të shekulit XIX, ka qenë pikërisht Naim Frashëri, veprat e të cilit kanë qenë më të përhapura dhe më të lexuara ndër shqitparët. E për këtë dëshmojnë, ndër të tjera, ribotimet e herëpashershme jo vetëm të veprave të tij me karakter letrar, si Bagëti e Bujqësija, Lulet e Verës, Istori e Skënderbeut, por edhe të librave të tij me karakter diturak, që ai hartoi për shkollat e para shqipe.
Naimi nuk ishte vetëm një post i talentuar dhe atdhetar i vendosur, por edhe një njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe. E në përputhje me rrymën e përgjithshme të Rilindjes, ai iu përvësh një pune sistematike për zhvillimin dhe pasurimin e gjuhës amtare. Ashtu si rilindësit e tjerë të mëdhenj, ai e kuptoi se gjuha shqipe kishte nevojë të zhvillohej në dy drejtime: të pastrohej nga fjalët e huaja të panevojshme, që kishin depërtuar në të gjatë shekujve, dhe në të njëjtën kohë të pasurohej me sa më shumë fjalë të reja sidomos të karakterit diturak. Por, për këtë punë të dyanshme nevojitej një njohje e mirë e gjuhës amtare dhe jë përgatitje kulturore po aq e mirë për t'ia dalë mb'anë një qëllimi të tillë largvajtës. Që Naimi e njihte me themel gjuhën amtare, për këtë dëshmojnë jo vetëm fjalori i pasur dhe saktësia e ndërtimeve sintaksore, por edhe përdorimi i drejtë i mjeteve të gjuhës popullore për fjalët e reja të shumta, që ai krijoi.
Gjithsesi, kësaj pune Naimi i hyri me një vetëdijshmëri dhe përkushtim të plotë, për çka na dëshmon edhe ajo që ai vetë ka thënë në Paradhënien e Këngës së parë të Iliadës së Omerit, të përkthyer prej tij. Në fund të kësaj parathënie, pasi vlerëson vjershat e Hasan Zyko Kamberit, të Nezim Frakullës etj., si shton: "Po të gjithë kanë bërë faj, që s'faletë, e të metë që s'ndjehetë kurrë. Kanë përzjerë gjuhën e bukurë shqipe me fjalë të huaja! Gjuha jonë duhetë shkruarë fjeshtë shqip, se fjalët e huaja e shëmtojnë shumë.
Është' e gjerë gjuha jonë dhe'e bukurë shumë, ka fort fjalë të mira për të vënë në vënt të fjalëvë të huaja".
Edhe në librin Istoria e Shqipërisë, f. 39, ai shkruan: "gjuha shqipe është mjaft e gjerë për ata q'e dinë mirë, pa ka dhe lehtësinë, që bashkon dy fjalë, si: vetë-dije, mëmë-dhe punë-mbarë, bukë-dhënës etj. etj".
Por, si Naimi, ashtu edhe rilindësit e tjerë ishin  të vetëdijshëm se gjuha shqipe për arsye të rrethanave të njohura historike kishte mbetur e pazhvilluar se duhej dhe nuk mund t'i plotësonte të gjitha kërkesat e një gjuhe kulturore, sidomos nga mungesa e fjalëve të karakterit kulturor e shkencor. E këtë mungesë ata e ndjenë sidomos kur iu përvëshën punës për të hartuar vepra me karakter diturak, si tekste mësimore për shkollat e para shqipe, që u hapën në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX, siç janë, ndër të tjera, botimet e Naimit:
  E këndimit të çunave këndonjëtoreja, I, II. Bukuresht 1886. Istori e përgjithshme për mësonjëtoret të para. Bukuresht 1886. Vjersha për mësonjtorët të para. Bukuresht 1886. Dituritë për mësonjëtoret të para. Bukuresht 188. Istori e Shqipërisë. Bukuresht 1889.
Për hartimin e librave të tillë, si edhe të veprave letrare mund të përdoreshin edhe fjalë të huaja nga ato që kishin hyrë prej kohësh në gjuhën shqipe, ose mund të merreshin huazime të reja sidomos nga gjuhët përëndimore. Por, Naimi, në përputhje me parimet e tij dhe të rilindësve të tjerë, nuk ndoqi këtë rrugë. Ai shkroi në një shqipe të pastër dhe, për të plotësuar nevojat leksikore në shkrimet e tij, ashtu si rilindësit e tjerë, ose përdori fjalë të gjuhës shqipe me kuptime të reja (kalke gjuhësore), ose krijoi fjalë të reja gjithnjë në përputhje me rregullsitë e fjalëformimit të gjuhës shqipe. Kështu p.sh. në librat e tij me karakter diturak gjejmë shumë fjalë shqipe të përdorura me kuptime të reja, si  bosht (për ask) lëmh'i dheut (për glob) erë (për klimë), të holla  (për minuta) etj. etj. Natyrisht, jo të gjitha këto përodrime i qëndruan kohës.
Naimi u tregua më dorëmbarë në krijimin e fjalëve të reja, sidomos nëpërmjet prapashtesave më prodhimtare të gjuhës popullore, si edhe nëpërmjet  fjalëve të përbëra prej dy temash. Të tilla janë, ndër të tjera: fjalët e prejardhura cilësi, sasi, gjithësi, veti *jë), mirësi, fatbardhësi, papunësi, paudhësi, fletore (1 = libër - sot me një kuptim disi të ndryshëm), gjykatës, qytetëroj eth. Etj., si dhe fjalët e përbëra mëmëdhe, vetedije, shitblerës etj.
Në veprat e Naimit gjejmë të përdorura edhe fjalë të reja të krijuara nga rilindës të tjerë, sidomos nga Sami Frashëri, çka dëshmon se ata, duke punuar për një qëllim të përbashkët, shfrytëzonin edhe ndihmesat e njëri-tjetrit.
Naimi i ka shfrytëzuar me mjeshtëri mjetet e gjuhës popullore edhe për qëllime stilistike-emocionuese. Këtu është fjala për prapashtesat e zvogëlimit e të përkedhelisë -th dhe -zë, të cilat ai i ka përdorur aq bukur sidomos në krijimet e tij poetike. Dhe mund të pohohet pa asnjë mëdyshje se shumë nga vargjet, ku ai i ka përdorur këto prapashtesa, nuk do të kishin dalë aq të bukur dhe aq emocionues pa përdorimin e tyre. Për këtë mjafton të përmendim disa prej atyre vargjeve si për shembull:
 
Vashë bukurosh'e bariut, që vjen me llërë përveshur,
me zëmërë të dëfryer e më buzëzë të qeshur me dy shqerrëza ndër duar,
të bukura si dhe vetë, në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë
 
            (Bagëti e bujqësija, vargjet 33-36)
 
Kur shqyrton qëndrimin e Naimit ndaj gjuhës amtare dhe punën e madhe, që bëri ai për pasurimin dhe zhvillimin e saj, lind vetiu pyetja: Ç'e shtyti atë të ndiqte një rrugë të tillë? Natyrisht, një pyetje e tillë shtrohet edhe për rilindësit e tjerë shqiptarë. Por, në këtë rast do të kufizohemi të Naimi. Lidhur me këtë çështje Norbert Jokli në studimin e tij „Naim Be Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe“ të botuar  më 1925 (shih shënimin 1) bën aluzion për një ndikim të mundshëm të Naimit nga dijetari i mirënjohur gjerman Leibniz (1846-1716), i cili bëri një punë të madhe për zhvillimin e gjuhës gjermane në kohën e tij. Jokli vë në dukje se Naimi duhet ta ketë njohur Leibniz-in, sepse e përmend atë në librin e tij „Istori e Shqipërisë“ botuar më 1899. Në faqen 36 të atij libri Naimi shkruan:
"Kish të drejtë i gjori Laipniç që thosh: 'M'epni shkronja të mira, t'u ap gjuhë të bukurë; m'epni gjuhë të bukurë, t'u ap qytetëri të mbaruarë!'"
Mundësia që Naimi të jetë ndikuar nga mendimet e Laibnizit, nuk përjashtohet, e kjo vërejtje vlen edhe për rilindësit e tjerë. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur parasysh edhe punën e bërë nga përfaqësues të shquar të popujve të tjerë për zhvillimin e gjuhëve të tyre. Në të njëjtën vepër të porsacituar Naimi shkruan gjithashtu: "Në ditët tona u bënë gjuhët' e Evropëse. Ashtu edhe gjuhët' e Sllavëret."
Gjithsesi, në këtë rast duhet mbajtur parasysh se, edhe po të pranohet pa asnjë rezervë një ndikim i tillë, prapë mbetet për të shpjeguar se ç'i shtyti Naimin dhe rilindësit e tjerë të ndiqnin atë rrugë, që ndoqën, për zhvillimin e gjuhës shqipe. Dhe po të shqyrtohet me kujdes puna e tyre, nuk është vështirë të arrihet në përfundimin që ata mbajtën një qëndrim të tillë për zhvillimin e gjuhës shqipe, sepse ishin të nxitur në radhë të parë nga dashuria për gjuhën amtare, lëvrimin e së cilës ata e shikonin si një mjet shumë të fuqishëm për të ringjallur e për të forcuar më tej ndjenjat e atdhedashurisë dhe të lirisë midis popullit shqiptar. Për më tepër, nuk mungonte edhe ndonjë paraardhës shqiptar, që kishte ndjekur një rrugë të ngjashme, si p.sh. Naum Veqilharxhi.
Pothuaj të gjithë ata që kanë shkruar për Naim Frashërin, krahas vlerës artistike të veprave të tij, kanë vënë në dukje edhe bukurinë e gjuhës së këtyre veprave. Këtu nuk është rasti të vihen në dukje të gjitha vlerësimet, që i janë bërë gjuhës së këtij poeti të talentuar nga studiues të ndryshëm. Por, nuk mund të lëmë pa vënë në dukje se gjuha e veprave të Naimit ka shërbyer si model për një varg shkrimtarësh pas tij, sepse ato kanë qenë më të përhapura dhe më të lexuara edhe pas vdekjes së tij, për çka dëshmojnë ribotimet e shpeshta të një pjesë të mirë të tyre. Pra, edhe nga ky këndvështrim Naimi ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në lëvrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.
Por ndihmesa e Naimit për zhvillimin e gjuhës letrare shqipe nuk duhet parë e shkëputur nga ndihmesat e bashkëkohësve të tij, sidomos të Kristoforidhit e të Samiut. Të gjithë këta atdhetarë të palodhur vunë themele të shëndosha për përpunimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shqipes si një gjuhë kulture, si një gjuhë letrare.
 
1) Shih më hollësisht për këto sidomos studimin e Norbert Joklit, Naim Be Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe, në librin „Naim Frashërit, vjershëtorit dhe'edukatorit kombëtar“, botuar nga një grup studentësh shqiptarë të Austrisë në Grac, më 1925, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Poetit.

2) Shih për këto vleresime: Jakup Kastrati, Naimi për gjuhën shqipe. "Studime filologjike" 1971/3.

BEKTASHIZMI DHE SHQIPTARIZMI

Moikom ZEQO
 

 
Rrallë herë që dy fjalë të tilla, që përfaqësojnë nocione shumë të gjera dhe universale, mund të jenë kaq të lidhura me njëra­tjetrën. Arsyet janë të shumta, kryesisht historike, por edhe esencialisht shpirtërore.
Dihet që bektashizmi është ideuar dhe konstruktuar nga një njeri i jashtëzakonshëm, me aftësi intelektuale të shkëlqyera, profet dhe poet, i quajtur Haxhi Bektashi. Me të drejtë Haxhi Bektashi, ka luajtur një rol të veçantë në ndriçimin e botës lindore islamike, të ngjashëm me atë që ka luajtur Françesku i Asisit për iluminizmin dhe shkëlqimin e ri të kishës katolike perëndimore. Natyrisht ky krahasim nuk është i plotë dhe, vetëm është një ngjashmëri e rastit, por tregon qartë rolin reformator të njerëzve të shenjtë në reformimin njerëzor dhe konceptual të dy feve të mëdha të njerëzimit.
Haxhi Bektashi (i paharruar qoftë emri i tij) krijoi bektashizmin në formën e një sekti ose të një rryme shpirtërore fetare për t’u afruar më afër interesave të njerëzve dhe popujve në suazën e islamizmit botëror. Jetëshkrimi i Haxhi Bektashit tregon gjenialitetin e tij, formën proverbiale të fjalëve dhe poezitë e mrekullueshme. Haxhi Bektashi bëri një epokë dhe fryma e tij mbijeton e do të mbijetojë.
Është fakt që shqiptarët, që në kohën e apostulimit të Haxhi Bektashit u bënë përkrahës të tij. Mendohet që në atë kohë të paktën që nga shekulli XVI, misionarët e Haxhi Bektashit kanë përhapur idetë e bektashizmit në Shqipëri. Kështu poezitë e famshme të poetit Jonuz Emre, që bartin idetë e bektashizmit, janë përhapur që herët në Shqipëri.
Në shek. XV ka një fakt të jashtëzakonshëm, që çuditërisht nuk përmendet në historinë zyrtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ka dëshmi të sigurta se Skënderbeu gjatë kohës që ishte në trupën e jeniçerëve në pallatin perandorak të sulltanit, u konvertua në bektashizëm së bashku me nipin e tij Hamzanë.
Dua të publokoj për herë të parë disa fakte, që nuk janë përmendur në asnjë histori zyrtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Shënimi i parë në këtë hulli ndodhet në “Librin e bektashizmit” me autor Ali Tomorrin, botuar më 1929 në Tiranë, fq. 27. Baba Ali Tomorri ka qenë një nga bektashianët më të ditur të Shqipërisë. Ai është autor i shumë librave, kryesisht me këtë kryesubjekt. Baba Ali Tomorri, shkruan e zezë mbi të bardhë, se në shekullin XV udhërrëfenjës, d.m.th. baba shpirtëror bektashian i korpusit të jeniçerëve ka qenë “një njeri fort i squet me emër Ali ­ Al ­ Ula, i mbiquajtur Baba, i cili kishte bërë Myhyb (ithtar) edhe princërit shqiptarë Skënderbeun dhe nipin e tij Hamza Kastriotin”. Mbas rebelizmit që bëri Skënderbeu në vitin 1443 sulltani, Murati II, duke ditur sekretet e bektashinjve, e urdhëroi udhërrëfyesin Ali ­ Al ­ Ula, që ta urdhëronte myhypin Skënderbeun, që të hiqte dorë nga rebelizmi kundër Perandorisë dhe të kthehej në Andrianopojë. Por, urdhërrrëfenjësi në fjalë, që kishte pushtet të madh në këtë korpus të jeniçerëve, nuk pranoi ta bënte këtë akt dhe për këtë arsye, sipas autorit Baba Ali Tomorri, ai u ekzekutua, iu pre koka nga sulltani. Kur e kam lexuar këtë gjë nga ky autor shqiptar kam patur një mëdyshje, duke menduar se kemi të bëjmë me një mitizim për të futur në historinë e bektashizmit botëror gati me përdhunë edhe emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por më vonë kam lexuar dy autoritete të mëdha shkencore në fushën e historisë, të cilat gati direkt të çojnë tek e zeza se me të vërtetë gjatë kohës që ka qenë në korpusin e jeniçerëve Skënderbeu ka aderuar në bektashizëm. Kështu historiani gjerman, ndër më të mëdhenjtë e shek. XIX, Shloseri, në librin e tij “Histori e përbotshme” tregon se kur turqit pushtuan qytetin e Lezhës dhe hapën varrin e Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës, ku ai ishte varrosur, jeniçerët i morën eshtrat e ktryetrimit shqiptar, i mbështollën me flori dhe argjend për t’i përdodur si hajmali mbrojtëse, e madje e shpallën Skënderbeun “shenjtor të tyre”. Ky pasazh i Shloserit duket paksa paradoksal, sepse dihet se ata qenë armiq të tërbuar të Skënderbeut dhe gjithmonë tingëllon e çuditshme, sesi korpusi i jeniçerëve, më luftaraku i perandorisë të kishte brenda vetes parime të ndryshme fetare, konkretisht bektashizmin shiit dhe brenda këtij botëkuptimi, që përpiqej të bashkonte parimet e krishterimit me islamizmin, në një mënyrë krejt origjinale, me ndikime të dukshme të panteizmit budist si dhe dualizmit zaratustrian të Lindjes së Largët, të nderonin në mënyrë sekrete brendapërbrenda radhëve të tyre kundërshtarin e perandorisë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Pasazhi i dytë, që më ka bërë përshtypje ndodhet në kryeveprën e orientalistit më të madh të shek. XX dhe albanologut gjerman Franc Babinger, i quajtur "Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij", libër i përkthyer në gjuhën shqipe nga kosovari Ali Hasan Llunji dhe botuar nga Shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës më 1989. Unë po i referohem kësaj kryevepre shkencore. Në fq. 10 të librit flitet konkretisht për trazirat në punët e Perandorisë Osmane dhe të ndikimit rebel, që ka në trupat e korpusit të jeniçerëve për Ali ­ Al­ Ulan, apostull i hyjrifive, sekt shiit, i identifikueshëm me bektashinjtë, me një botëkuptim fetar të përhapur nga Persia në Anadoll dhe që, sipas Babingerit, “ishte i lidhur shumë ngusht me dervishët bektashinj”. Sipas Babingerit, bektashizmi konsiderohej herezi në raport me kuranizmin ortodoks në këtë kohë dhe se “forca dhe ndikimi i dervishëve bektashinj apo dhe dervishëve të tjerë, tarikatet e të cilëve në të shumtën e rasteve gërshetoheshin me karakterin universal shiit, përbënin një mundësi që nxiste rezistencën kundër rregullit ekzistues shtetëror osman dhe siç duket gjatë sundimit të sulltan Miratit II, ky ndikim rebel i kapërcente kufijtë e krahinave lindore të Anadollit dhe se “ndikimi i dervishëve ka qenë shumë i rrezikshëm dhe në kundërthënie me shtetin osman”. Kjo pikë e biografisë së Skënderbeut në rininë e tij, kur ai ka qenë i lidhur me bektashizmin e jeniçerëve veçse e pasuron historinë e tij të mëvonshme dhe shpjegon në fund të fundit se veprën prej botëkuptimit bektashian Skënderbeu do të çlirohej përfundimisht prej islamizmit dhe do të rikthehej përfundimisht në krishterimin shqiptar të prindërve dhe të popullit të vet. Nuk mendoj se është e tepruar që të hulumtohet në këtë drejtim dhe pikërisht këtu qëndron sekreti i madh dhe kryesor sesi një poet kaq i madh bektashian si Naim Frashëri, kur shkruan eposin e tij për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, lehtësisht gjen një identifikim me vetë Skënderbeun, pikërisht në bazë të sintezës së koncepteve themelore shpirtërore të krishterimit me islamizmin. Naim Frashëri, duke qenë zyrtar me Perandorinë Osmane në Stamboll, nuk ka ndroje dhe frikë të botojë eposin e tij skënderbejan, kur dihet se Skënderbeu qe simbol i madh jo vetëm shqiptar, por edhe evropian kundër Perandorisë Osmane. Kjo është në opozitë të hapur me islamizmin ortodoks dhe kjo shpjegon pse Naim frashëri ka botuar dhe një poezi të shkëlqyer për Jezu Krishtin.
Dihet që bektashizmi e pati institucionin kryesor të tij te trupat e zgjedhura të jeniçerëve. Jeniçerët formoheshin nga djem të krishterë, të rrëmbyer nga turqit, të cilët i konvertonin në fenë e tyre, por për arsye se origjina e tyre e mëparshme fetare nuk qe e lehtë të harrohej, vetëm bektashizmi krijonte një sintezë dhe një modus vivendi, që ata të bënin një bashkëjetesë kuptimore dhe të pranueshme për konceptet e tyre në shërbimin special që kryenin gati në formën e një sekti fetar të veçantë. Dihet që jeniçerëve u qe ndaluar të martoheshin dhe duhej të manifestonin moral dhe disiplinë shumë të lartë. Pra, jo rastësisht edhe Gjergj Kstriot Skënderbeu, që në shekullin XV aderoi në Urdhrin e Bektashianëve. Kjo gjë kërkon studime dhe hulumtime të hollësishme.
Në shekujt e mëvonshëm, misionarët bektashianë u shpërndanë në gjithë Shqipërinë dhe Shqipëria u bë një nga kështjellat e bektashizmit botëror. Lum kush do të jetë ai njeri me fat, që do të shkruajë ndonjëherë historinë e bektashizmit të lidhur me Historinë e Shqipërisë. Është një material kolosal i jashtëzakonshëm, me përfitime të mëdha shkencore dhe historike. Jeniçerët, siç e tregojnë shumë historianë, midis tyre edhe vetë Marin Barleti, kur u hap varri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, i morën eshtrat e heroit dhe duke i mbështjellë me ar dhe argjend i ruajtën si hajmalira e fuqi të madhe mrekullibërëse, madje një historian gjerman Shloseri thotë se jeniçerët e kanë nderuar në mënyrë sekrete Skënderbeun si një shenjtor të tyre. Jeniçerët kanë luajtur rol opozitar në Perandorinë Osmane dhe kjo shpjegon se shpesh sulltanët kanë bërë raprezalje dhe kanë dashur të zhdukin nga faqja e dheut bektashizmin.
Figura e dytë e madhe historikë e Shqipërisë, Ali Pashë Tepelena, gjithashtu qe një nga figurat kryesore të bektashizmit. Në të gjitha pikturat e piktorëve të huaj, që e kanë takuar Ali Pashë Tepelenën e paraqesin atë me taçin karakteristik bektashian.
Për fat të mirë, taçi i Ali Pashë Tepelenës ndodhet dhe ruhet sot në fondet e Muzeut Historik Kombëtar si një nga reliktet më të çmueshme dhe më origjinale të bektashizmit.
Figura e tretë jashtëzakonisht e madhe e bektashizmit është babai i letërsisë moderne shqiptare dhe i Rilindjes Kombëtare, gjeiu i mendimit dhe i poezisë, Naim Frashëri i pavdekshëm. Naim Frashëri mund të quhet mbas Haxhi Bektashit një nga teoricienët dhe formuluesit e doktrinës së bektashizmit. Naim Frashëri është i pari reformator shpirtëror dhe fetar, që e lidh bektashizmin dhe shqiptarizmin, por pa i cenuar karakterin universal botëror bektashist.
Mbas viteve ‘20 kur Ataturku e shkaërroi bektashizmin në Turqi, qendra botërore e bektashizmit u bë Shqipëria.
Shqipëria sot është kryeqendër e tërë bektashizmit botëror. Ky është një nder jashtëzakonisht i madh dhe një nga mrekullitë më të habitshme të kombit shqiptar në rrafshin e gjithë njerëzimit.
Bektashizmi i lidhur me shqiptarizmin ka një kontribut themelor në lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, sepse bektashianët kanë qenë atdhetarë nga më të shkëlqyerit në të gjitha kohët. Feja e tyre universale me parime shumë të larta morale i ka bërë ata që të jenë shumë të qartë dhe të mrekullueshëm në luftën për ta ringjallur dhe për ta ndriçuar mendërisht e shpirtërisht Shqipërinë. Por, bektashianët jo vetëm që krijojnë të vetmen rrugë bashkimi për të tërë shqiptarët që kanë fe të ndryshme, çka nuk e bën dot asnjë fe tjetër në Shqipëri, nga ana tjetër janë komuniteti fetar, që krijon lidhjet pa asnjë paragjykim në mënyrë të barabartë me besimin te Zoti për të gjitha fetë e tjera të njerëzimit.
Bektashizmi botëror i qendërzuar në Shqipëri i ka të gjitha kushtet e premisat e hapura në të gjithë botën dhe sot në kushtet e ndryshimeve kolosale politike të hapjes së kufijve dhe të krijimit të njerëzimit si një e tërë bektashizmi u ka dhënë një atu të pallogaritshme nga vlerat që të gjithëve, jo të mbyllen, por të hapen me botën. Mua më vjen keq që politikanët shqiptarë nuk e kanë kuptuar në thellësi dhe sa duhet fuqinë dhe mundësinë e pakufishme të kësaj atuje.
Për bektashizmin shqiptar dhe atë botëror kanë shkruar me admirim tërë studiuesit më të mëdhenj, të cilëve u ka interesuar feja njerëzore dhe shpresëdhënëse e komunitetit bektashian. Me mijëra janë librat studimorë për këtë çështje dhe është e habitshme se të gjithë librat janë afirmativë dhe entuziastë për bektashizmin.
Dua të theksoj këtu një fakt që është lënë në harresë padrejtësisht. Janë mijëra poetë dhe intelektualë shqiptarë nga shekulli XVI dhe deri më sot që kanë shkruar poezi, traktate, meditime, përsiatje mistike për bektashizmin. por këto mijëra dorëshkrime, për fat të keq, nuk kanë gjetur dritën e botimit. Këto dorëshkrime janë një thesar kulturor i njerëzimit.
Dua të përmend këtu vetëm një poet të madh bektashian: Hasan Zyko Kamberin, që për fatin tonë të mirë i ruhet tyrbja në fshatin Starje të Kolonjës. Ka dorëshkrime të pabotuara të tij. Tërë poetët, që ne i kemi quajtur bejtexhinj, të shekujve XVI ­ XIX, zotërojnë letërsinë shqipe dhe në esencë janë poetë të mëdhenj dhe të shquar, por kritika letrare me mediokritetet dhe në mënyrë pezhorative, i ka quajtur thjesht si bejtexhinj dhe nuk ka mundur realisht të shohë jo vetëm vlerat e mëdha artistike, por në substancë nuk ka parë as atdhetarizmin e tyre të shkëlqyer.
Së fundi prej kohësh kam shprehur një mendim për të cilin ngul këmbë: komuniteti bektashian, qendra botërore e të cilit është në Shqipëri, është një pasuri e njerëzimit dhe duhet ndërhyrë pranë organizmave ndërkombëtare të Evropës së bashkuar pranë UNESCO­s që ashtu siç është shpallur pasuri e njerëzimit dhe mbrohet me ligj e financohet për të mbijetuar feja e Tibetit e Dalaj Lamës, ashtu duhet trajtuar me të njëjtin status si pasuri e njerëzimit edhe bektashizmi. Historia do të provojë në të ardhmen që bektashizmi që ka rrënjë të thella në kombin shqiptar do të lulëzojë dhe do të ketë gjithashtu ringjallje të vazhdueshme.

Nuk është e rastit që kryeprijësi ynë shpirtëror i bektashizmit Naim Frashëri e ka lënë të amshuar testamentin e tij për të gjithë ne.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...