Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/12

NAIM FRASHËRI DHE ËNDRRA E SHQIPTARËVE

Fatos ARAPI
 

 
Në jetën e popujve ndodh jo rrallë që njerëz të shquar, figura të ndritura të përdoren si ikona për levërdi të burokracisë politike apo edhe asaj intelektuale. Por vijnë çaste kur trysnia historike e bën të vetën, kornizat e ikonave shqyhen dhe prej tyre zbresin të gjallë në zemrën e popujve apostujt e vërtetë të lirisë.
Naim Frashëri është atje, ai na pret atje në të ardhmen tonë, do ta takojmë patjetër në atë udhëkryq të përpjetës së vështirë, që na duhet domosdoshmërisht sot dhe nesër ta përshkojmë. Naim Frashëri është frymë, lëvizje, ecje përpara, domosdoshmëri për të shkuar përpara në jetën tonë, në mendësinë tonë, në artin e kulturën tonë. Naim Frashëri është kujtesë historike në veprim, e cila fatmirësisht nuk mund të shkatërrohet, nuk mund të zhduket, nuk mund të braktiset. Në kushte e rrethana të tjera, ashtu si prindërit tanë dje, gjeneratat e reja të shqiptarëve sot e nesër, duke e përlindur Rilindjen tonë Kombëtare, shkojnë drejt ëndrrës së Naimit që është edhe ëndrra e të gjithë shqiptarëve.
Shqiptarët si popull e si komb nuk kanë ardhur gjer këtu në mijëvjeçarin e tretë si një trill i pavetëdijshëm i historisë, as kanë ardhur gjer këtu nga mëshira e pamëshirshme e politikave ballkanike, evropiane apo nga dashuria e supershteteve të ndryshme që lindnin e zhdukeshin epokave të historisë. Shqiptarët kanë ardhur gjer këtu e do të shkojnë më tej, për forcë të asaj logjike të thellë të jetës që i bën popujt të rrojnë e të mos vdesin. Ata nuk kanë kërkuar asnjëherë dhe nuk duan asgjë më shumë e asgjë më pak nga popujt e tjerë, duan vetëm të jetojnë të lirë, të barabartë, në paqe e dashuri me të gjithë. Ne e dimë se edhe popujt e tjerë këtë e duan, ëndërrojnë e meritojnë të gjithë një jetë të denjë e të bukur për njeriun. Meritojnë një ëndërr.
Në këto dhjetë vjetët e fundit Shqipëria ka përjetuar çast pas çasti të gjalla, të kapshme, tmerrësisht të vërteta gati të gjitha fazat që ka përshkuar në historinë e saj të gjatë. Në asnjë vend tjetër të Lindjes Komuniste tranzicioni nuk ka qenë aq i përgjakshëm, kaotik e i pamëshirshëm si në Shqipëri. Një tranzicion tragjik me mijëra të vrarë, me eksode biblike, dhe me varreza jashtë çdo imagjinate mu në mes të deteve (kujtoni Gjirin e Otrantos). U tradhtuan keq e u vranë shpresat e ëndrrave tona.
Janë të papranueshme e të neveritshme përpjekjet që bëhen sot, brenda e jashtë Shqipërisë, për t'u shpërlarë sa më shpejt kujtesa jonë e të harrohet ky tranzicion i përgjakshëm. Historia, edhe kur atë e shkruajnë "të fortët e fitimtarët", përsëri ajo ngulmon e i mbetet besnike gjykimit të ftohtë të drejtësisë. Shpejt a vonë ajo do të japë verdiktin e vet, edhe mbi këto bëma të përgjakshme të tranzicionit shqiptar.
Në qoftë se do ta studiojmë gjakftohtë, me mençuri dhe larg pasioneve e retorikave mashtruese këtë segment të ngushtë të historisë sonë kontemporane, aherë nga problematika e shumtë, na duhet të ndalemi te dy çaste:
E para, jo vetëm ky dhjetëvjeçar, por sidomos ky dhjetëvjeçar, tregoi se shqiptarët akoma vazhdojnë ta kuptojnë të ardhmen e tyre si një ëndërr të vagullt, pa trajtë, një farë kërkese, të cilën nesër do të na e dhurojë, do të na e ndërtojë dikush. Është më tepër dëshirë e një njeriu të pafuqishëm, të paformuar e të paaftë për të përballuar detyrat historike. Popujt e pjekur e konceptojnë të ardhmen e tyre vetëm si vepër e veprim të vet, konkrete, reale e të prekshme. Ata e ndërtojnë të ardhmen çdo çast, çdo ditë, i japin asaj trajtë e frymë, e lëndëzojnë, pra e kthejnë në një realitet duke përjetuar të gjitha dhimbjet e gëzimet e lindjes së saj.
E dyta, ky dhjetëvjeçar tregoi shkoqur se shqiptari e Shqipëria kanë lëvizur vetëm paksa nga ajo vijëz që e kishin vërejtur në kohën e vet Faik Konica e Mid'hat Frashëri, d.m.th. që egoizmi e individualizmi ende nuk lejojnë që në shpirtin e shqiptarit të zhvillohet ndjenja e kolektivitetit. Sot, njeriu ynë ndodhet në mëdyshjen, në dilemën, nëse duhet ta hedh hapin e të krijojë prej vetes njeriun-komb, njeriun-shtet.
Ky është urdhër historik i domosdoshëm sot, që duhet të kalohet. Kombet moderne krijohen prej qytetarëve të lirë, të cilët në çdo çast ndërtojnë veten, shtetin, kombin e tyre.
Të mos na e rrejë mendja se kjo do të jetë lehtë. Është e qartë se nuk mund të jetohet më si në të kaluarën, por bota politike shqiptare sot është dëshpërimisht e varfër në personalitete që me përmbajtjen e tyre kulturore e morale të të frymëzojë. Ti mund ta ngresh partinë, por e ngre për vete; ti mund ta ngresh shtetin, por e ngre atë për vete. Kjo ka qenë e mbetet edhe sot e kësaj dite plaga më e rëndëe botës shqiptare. Në jetën time të gjatë e të trishtuar, nuk e kam ndier veten time më keq, nuk jam ndier aq i fyer, sa kur kam dëgjuar nga goja e politikanëve të huaj, t'u thonë shtetarëve tanë: "mendoni pak më tepër për popullin tuaj, më pak për partitë…", që do të thotë më pak për veten tuaj. Imperativi të ndërtojmë veten, qëndron sot sa para qytetarit të thjeshtë, aq edhe para shtetarit më të lartë të shtetit.
Duke u nisur prej rrënjëve historike të popullit shqiptar, Naim Frashëri u end nëpër kulturat e Lindjes e të Perëndimit, krijoi atdheun poetik, një Shqipëri të lirë e të lulëzuar midis popujve të përparuar të Evopës. Popujt e kombet krijohen nëpër shekuj, me sakrifica e flijime të mëdha, shpesh mbinjerëzore. Të ëndërrosh, do të thotë të dish si të veprosh, si të ecësh përpara, të mundësh ta vendosësh veten në ato lartësi të politikës, të mendimit ekonomik, kulturës bashkëkohore, nga ku hapen perspektiva reale zhvillimi edhe për popullin tonë. E kjo arrihet vetëm atëherë kur pushteti politik heq dorë nga manipulimi e keqpërdorimi i intelektualëve, kur njerëzit e punës mendore nuk mendojnë për bukën e gojës, por janë vërtet të lirë ta përdorin pushtetin intelektual për ngritjen dhe emancipimin e shoqërisë dhe të demokracisë shqiptare. Kështu e takojmë sot, dhe do ta takojmë nesër, në të ardhmen tonë, Naim Frashërin.
………………

  

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...