Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/14

Mbrojtja: Besarta Kurrë Nuk Është Takuar me Fidan Shabin (TV)



nga   Armend Zenelaj


Të hënën dhe të martën janë mbajtur dy seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Fidan Shabit më 2012 në Pejë. Raporti i ekspertit mjekoligjor është kontestuar nga të dyja palët, ndërsa dëshmitarët kanë nxjerrë në pah detaje të panjohura deri më tash, rreth këtij rasti. Haxhi Millaku përfaqësues i familjes së viktimës tha se në këtë vrasje përpos dy të akuzuarve janë të implikuar edhe persona tjerë. Ai ka thënë se kjo vepër është shumë më e ndërlikuar dhe e komplikuar, sesa që duket dhe që po prezantohet në gjykatë.

Përfaqësuesi i Besarta Kastratit, e akuzuar bashkë me Arian Llukën për vrasjen e Fidan Shabit nga Peja, në vitin 2012, tha se i ndjeri nuk ka pasur asnjëherë kontakt me klienten e tij.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, Nuhi Paçarizi përfaqësuesi i Kastratit, tha se dëshmitë e dëshmitarëve japin një version ku thuhet se Fidan Shabi do të takohej me një femër, por asnjëherë nuk kanë përmendur emri i Besarta Kastratit.

Edhe mbrojtja e Arian Llukës tha se aktakuza bazohet në supozime, ngase sipas avokatit Ferid Gjikolli dëshmitarët nuk janë okularë.

Besarta Kastrati akuzohet për vrasje të rëndë të Fidan Shabit nga Peja, me datën 2 maj 2012.

Sipas aktakuzës ajo e ka thirrur natën kritike viktimën Fidan Shabin në telefon, ka marrë me qira një xhip dhe ka shkuar para banesës se saj në ndërtesën te stacioni i trenit, ku është takuar me Fidan Shabin, të cilin e ka joshur brenda në tavan të banesës, kinse për të bërë marrëdhënie seksuale.

Aktakuza thotë se ajo më pas e ka qëlluar disa herë me revole Shabin dhe pas kësaj vepre te krimit e ka thirrur të akuzuarin tjetër Arian Llukën, më të cilin e kanë mbështjellë viktimën me qese të plastikes dhe e kanë lënë në tavanin e banesës.

Besarta më pas është kthyer në shtëpi të babait të saj Sali Kastratit, thuhet më tutje në aktakuzë.

Ndërkaq Arian Lluka, që në kohën kur është kryer kjo vepër ka qenë i mitur, akuzohet se i ka ndihmuar Besarata Kastratit-Harxhit, për fshehjen e provave dhe shkatërrimin e revoles që dyshohet se është përdorë në këtë vrasje.

Në seancën e së hënës është dëgjuar eksperti mjekoligjor Flamur Blakaj, i cili në pyetjet e Haxhi Millakut, përfaqësuesit të familjes së viktimës, jo gjithmonë ka pasur përgjigje dhe është thirrur vazhdimisht në atë se kufoma ka qenë në mes të stadit të dytë dhe të tretë të kalbëzimit dhe se disa nga gjurmët në lëkurën e viktimës kanë mundur të fshihen.

Ai po ashtu tha se nëse trupi i kufomës është manipuluar, atëherë gjurmët mund edhe të jenë fshirë.

Millaku në pyetjet e tij kryesisht ka insistuar që të kuptojë nëse viktima është torturuar para se të vritej, me ç’rast përmendi faktin e tre dhëmbëve prerës të rënë nga nofulla e viktimës.

Eksperti mjekoligjor ka thënë se nuk ka arritur të konstatojë se për çfarë arsye viktimës i kanë rënë dhëmbët. Kjo përgjgie nuk e ka bindur plotësisht avokatin e familjes Shabi.

Rrjedhimisht avokati Millaku e kontestoi raportin e autopsisë së Blakajt dhe kërkoi ekzaminimin e ri nga një ekip tjetër ekspertësh mjekoligjorë, me provat e disponueshme.

Edhe avokati i Besarta Kastratit e ka kontestuar raportin e autopsisë së ekspertit mjekoligjor.

Po ashtu, edhe gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj, ka kërkuar disa sqarime shtesë nga mjekoligjori Flamur Blakaj, i cili ka bërë përpjekje të japë përgjigjet e veta, duke lexuar raportin, por nuk ka arritur që me saktësi të japë distancën mes tytës së armës dhe viktimës, si dhe pozicionin e viktimës në çastin kur është vrarë.

Avokati Haxhi Millaku, tha se në këtë vrasje përpos dy të akuzuarve janë të implikuar edhe persona tjerë. Ai ka thënë se kjo vepër është shumë më e ndërlikuar dhe e komplikuar, sesa që duket dhe që po prezantohet në gjykatë.

Në seancën e së martës lidhur me këtë rast, kanë dëshmuar tre dëshmitarë.

Dëshmitari Labinot Hyseni nga Peja deklaroi se të ndjerin Fidan Shabi e ka njohur mirë, ngase më të ishte edhe në lidhje familjare.

Ai në dëshminë e tij kryesisht është përqendruar në një takim që ka pasur me atëherë të miturin Arian Llukën, Fitim Muhaxherin dhe Korab Belegun, ku sipas tij Korabi e kishte pyetur Arianin për një borxh në mes të tij dhe Fidanit dhe pas shumë insistimeve të Fitimit, Ariani kishte pranuar se ia kishte borxh Fidan Shabit 10 mijë euro.

Sipas Labinot Hysenit, Arian Lluka e kishte pranuar se e kishte gjuajtur një granatë dore në afërsi të ish lokalit të Sali Kastratit dhe se Fidani i kishte bërë roje atij.

Arian Lluka akuzohet edhe për veprën tjetër penale, për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me shpërthimin e një granate dore me 20 shkurt 2012 afër ish lokalit të Sali Kastrait, duke dëmtuar edhe disa lokale përreth.

Po ashtu, Ariani sipas dëshmitarit Hyseni kishte thënë se ai nuk e ka vrarë Fidanin.

Hyseni ka shtuar se me rastin e arrestimit të Arianit nga policia, Besarta Kastrati është sjellë rreth stacionit të policisë dhe është interesuar për arrestimin e Arianit. Ai tha se këtë ia kishin pohuar ata që e kanë njohur Besartën.

Avokati Millaku ia ka kujtuar dëshmitarit Hyseni deklaratën e tij, ku ka deklaruar se në vrasjen e Fidanit kanë gisht Arian Lluka dhe Besarta Kastrati, për çfarë dëshmitari Hyseni tha se qëndron pranë kësaj deklarate dhe se këtë e bazon në informatat që i ka dëgjuar nga shokët e të ndjerit Fidan Shabi dhe të afërm të tij që e kanë pohuar një gjë të tillë .

Dëshmitari tjetër. Elton Arifaj nga Peja, tha se të ndjerin Fidan Shabi e ka njohur përmes një të afërmi të bashkëshortes së tij.

Arifaj tha se ishte takuar me Shabin në varrimin e të ndjerit Sali Kastrati, ku Fidan Shabi e kishte pyetur se a është Arian Lluka në shtëpinë e Kastratëve dhe nëse po, “a po ma thirrë për një minut, gjë që unë e kam bërë por nuk e di sa a është takuar më të, apo jo”.

Dëshmitari Arifaj më tutje ka thënë se më 1 maj 2012 ka qenë në një piknik me Besarta Kastratin, vëllanë e saj Kastriotin, nënën e tyre dhe Arian Llukën dhe se pas këtij pikniku të gjithë së bashku janë kthyer në shtëpinë e Besarta Kastratit.

Ai më tutje tha se po atë natë në oborrin e Sali Kastratit, babait të Besartës kah ora 3 pas mesnate, është dëgjuar një krismë arme, por nga kamerat e sigurisë nuk kemi parë asgjë jashtë.

I pyetur nga prokurorja se kur ka dëgjuar për zhdukjen e Fidan Shabit, dëshmitari Arifaj ka thënë se ai për ketë ka dëgjuar më 3 apo 4 maj të vitit 2012 dhe atë nga disa shokë të të ndjerit Fidan Shabi.

Dëshmitari është pyetur nga përfaqësuesi i Arian Llukës edhe për rrethanat dhe datat e sulmeve, plagosjes dhe vdekjes së babait të Besarta Kastratit, të ndjerit Sali Kastrati, në të cilat dëshmitari ka dhënë përgjigje të përafërta .

Vlora Mazaraj, dëshmitarja tjetër që dëshmoi të martën para trupit gjykues, kryesisht ka mbetur pranë deklaratave të saja të dhëna në polici dhe prokurori, lidhur me rastin.

Ajo ka deklaruar se deri në rastin e vdekjes se Sali Kastratit, babait të Besarta Kastratit raportet e tyre familjare kanë qenë të mira.

“Por, pas këtij rasti, marrëdhëniet janë tensionuar, ngase familja Kastrati së bashku me Arian Llukën kanë dyshuar se kam marrëdhënie të mira më Tahir Dacin, më të cilin kjo familje kishin mosmarrëveshje lidhur me një truall në qendër të qytetit”, tha dëshmitarja Mazaraj.

Haxhi Millaku, avokat i palës se dëmtuar, në pyetjet e tija për këtë dëshmitare, kryesisht është interesuar për lidhjet apo raportet e Vlora Mazarajt me Tahir Dacin dhe Sali Kastratin, ku dëshmitarja ka deklaruar se për emrin e Tahir Dacit është interesuar, pas akuzave që familja Kastrati i ka bërë këtij personi.

Haxhi Millaku në pyetjet drejtuar dëshmitarëve, ka tentuar të marrë përgjigje edhe për rastin e vrasjes se Sali Kastratit, babait të Besarta Kastratit- Harxhit, me vrasjen e Fidan Shabit.

Ndërkaq, Nuhi Paçarizi avokat i së akuzuarës Besarta Kastrati, ka dashur të mësojë nga dëshmitarja diçka më shumë për Arian Llukën, por ajo është përgjigjur se shumë pak di për të.

Dëshmia e kësaj dëshmitareje e ka nxitur prokurorin monitorues të EULEX-it, që ta pyesë dëshmitaren, se a ka biseduar përpara me dikë për dëshminë e sotme para trupit gjykues, gjë që dëshmitarja ka mohuar ta ketë bërë.

Babai i Besartës, Sali Kastrati ishte plagosur për vdekje te shtëpia e tij, më 15 mars 2012.

Ndërsa ishte sulmuar edhe disa herë më herët.

Familja e tij insiston se ai ishte nën presionin e grupeve kriminale të lidhura me politikën që kërkonin haraç prej tij.

Pas një muaji në spital, biznesmeni i njohur si Sali Dukati vdiq në komë, në moshën 63 vjeçare.

Disa ditë më vonë, pas disa telefonatave që kishte marrë i ndjeri Fidan Shabi nga Peja, kishte dalë nga shtëpia dhe më nuk ishte kthyer.

Te akuzuarit në fjalë në gjykatë nuk e pranuan fajësinë, ndërsa gjatë fazës se hetimit dhe ne polici kishin pranuar se janë kryes të kësaj vepre.

Besarta Kastrati kishte pohuar se vrasja e Fidan Shabit nuk kishte të bënte me sulmet ndaj babait të saj, por se e kishte vrarë, sepse i ndjeri e kishte dhunuar më parë.

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...