Akademik Alfred UÇI
Tema e Sesionit shkencor është "Bektashizmi dhe Shqiptarizmi" i Naimit, por unë mendoj se sqarimi i përmbajtjes të saj është i lidhur me raportin e bektashizmit me botëkuptimin filozofik të Poetit, sepse bektashizmi, ashtu siç paraqitet jo në tekste sakrale, por në shkrimet e Naimit, përfaqëson një lloj teosofie, të kryqëzuar me një lloj panteizmi, që herë është quajtur perëndimor e herë oriental. Edhe në të tilla përcaktime ne shohim orvatjet që janë bërë e që vazhdojnë për të hetuar jo vetëm vlerat estetike të poezisë meditativo-filozofike të Naimit, por edhe ravizimin e kontureve të pikpamjeve të tij filozofike si sistem. Problemi është i një rëndësie të madhe nga që është vënë në dukje lidhja e ngushtë e poezisë dhe e filozofisë në veprën letrare të Naimit, aq sa na duket e drejtë të pohojmë se si, si poet, ishte filozof dhe si filozof, ishte poet.
Në përpjekjet për të përcaktuar kornizën e botëkuptimit filozofik të Naimit, është treguar kujdes për të njohur burimet ideore duke kujtuar emrat e atyre mendimtarëve që i pat për zemre e i pat përmendur poeti ynë - Platonin, Aristotelin, Senekën, Spinozën, Lajbinicin etj., por sado e rëndësishme të jetë njohja e këtyre burimeve, vetëm me to nuk mund të vlerësohet drejt origjinaliteti i mendimit të tij filozofik, sepse ai s'ka qenë vetëm nxënës, por edhe mësues.
Në piksynimin për të konturuar fizionominë e botëkuptimit filozofik të Naimit, janë arritur mjaft rezultate interesante edhe duke e krahësuar me sistemet e drejtimet kryesore të filozofisë botërore-idealizmin materializimin, dualizmin, teizin ateizmin, sensualizmin, racionalizmin, natyralizmin, spiritualizmin, panteizmin, misticizmin etj. - duke i krahësuar lindin disa vështirësi të pakapërcyeshme porsa përpiqemi ta inkuadrojmë atë brenda kornizës së ndonjërit prej këtyre drejtimeve krysore të mendimit filozofik botëror. Prandaj ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër në rivlerësimin e bindjeve filozofike të frashëriotit tonë.
Sado të rëndësishme që të jenë kriteret për të diferencuar drejtimet e sistemet e ndryshme filozofike, nuk janë ato që e patën udhhequr Naimin. Ai nisej nga kritere të tjera. Ai ishte i bindur se në pikpamjet filozofike të orientimeve e kohëve të ndryshme, mund të gjesh edhe ide të drejta edhe kufizime, prandaj ai të njëjtët mendimtarë edhe i kritikon, edhe i çmon lart. Atë nuk e kënaqnin disa ide të filozofëve të lashtësisë, por në doktrinat e tyre ai gjente edhe mjaft ide të vyera. Edhe për mendimtarë të epokave të tjera, të orientimit materialist, idealist, dualist, partnerist ose teist, ai mban të njëjtin qëndrim. Që këtej buron mendimi, në vështrim të parë kontradiktor, se me disa mendime Naimi na duket materialist, me të tjerat dualist ose mistik etj. Duke hequr dorë nga synimi i paarritshëm për ta ndërsuazuar filozofinë e tij në kronizat e kësaj apo asaj izme, është më produktive të zgjedhim atë qark problemesh e idesh, që nuk ngatërrohen me remineshenca përsëritëse e të vonuara të se kaluarës.
Naimi jetoi në një kohë kur prestigji intelektual i filozofisë nuk ishte në rritje; rrethana të ndryshme e patën lëkundur dukshëm besimin në plotfuqi shumërinë njohëse të saj, kurse Naimi kish bindje të thellë për vitalitetin e filozofisë. Për të, filozofia ishte kuintencë e kulturës dhe e arsimit bashkëkohor. Veç kesaj, në veprën e Naimit spikat prirja për ta afruar filozofinë me dijet e reja shkencore, pa të cilët filozofia do të mbetej shterpë dhe do të ngushtohej brenda kornizash spekulative.
Por në lidhje me rolin dhe vendin që u caktonte dijeni shkencore në botëkuptimin filozofik, Naimi shmangu dy qëndrime të njanëshme: së pari, ai nuk besonte se funksioni i filozofisë do të zëvendësohej nga dijet konkrete shkencore, siç besonin shumë mendimtarë të asaj kohe. Së dyti, duke mos qenë në ujdi me mite e paragjykime mesjetare ai besonte se filozofisë do t'i mbetej një vend i rëndësishëm në sistemin e shkencave, sepse pa të vërtetat filozofike shumë probleme shkencore mbeten të pashpjeguar.
Por cilët ishin problemet, që Naimi i vendoste në qendër të arsyetimeve filozofike? Po t'i hetonim me kujdes veprat e tij, do të vinim re se kanë qenë problemet ekzistenciale, të jetës njerëzore ato, të cilave s'kish kush t'iu jepte zgjidhje veç filozofisë. Edhe sikur të njihen makro dhe mikrobota, trupat kozmikë e mikrothërmiat më elementare të materies, me dijet për të s'mund t'u jepet përgjigja e saktë pyetjeve: Ç'është njeriu dhe cili është fati i tij në botë? Cila është përmbajtja e jetës njerëzore brenda dy skajeve-e lindjes e vdekjes? A mund të jetë i lirë dhe i lumtur njeriu? Dhe shumë pyetje të tjera të këtij lloji.
Përveçimi i kësaj problematike si kryesore në botëkuptimin e Naimit ka rëndësi, veç të tjerash, sepse na shpjegon edhe shkakun e asaj lidhje të ngushtë të poezisë së tij me filozofinë, ngaqë si arti ashtu edhe filozofia kanë e duhet të kenë karakter komocentrik, domethënë në qendër të hulumtimeve të tyre vendosin njeriun, jetën, shpirtin e forcën e tij, aspiratat, vuajtjet e lumtërinë e tij. Kujtoni poemën "Bagëti e Bujqësi" dhe do të vini re se patosi kryesor i hymnizmit të natyrës shqiptare buron nga shqetësimet poetike të Naimit për fatin e shqiptarit, e kombit të tij. Nga ana tjetër, gjithë vepra e tij letrare me kah filozofiko-meditativ bëhet poetike, sepse në të mbizotërojnë po të tilla shqetësime. Është me të vërtet interesante se si Naimi, prej këndevështrimit të tij ekzistencial, çdo aresyetim filozofik e transformon në përjetim poetik e anasjelltas.
Këtu është rasti të përmendim nevojën për të hequr dorë nga një mendim (me prejardhje qysh nga kohë e iluminizmit) se vetëm një filozofi "materialiste", "safi shkencore" mund të ish estetikisht produktive në art, në poezi. Ky mendim pranohej si aksiomë, që s'kish nevojë të argumentohej; si paragjykim dogmatik ai pat penguar edhe vlerësimin e drejtë të pikpamjeve filozofike të Naimit në poezinë e tij, por po ta shikosh esëll, pa paragjykime, historinë e kulturës artistike, nuk mund të mos vemë re artifakte të shumtë, që bien ndesh me këtë pikpamje dhe që provojnë se edhe një filozofi idealiste, madje mistike mund të jetë shkas për frymëzime të larta poetike, si në rastin edhe të poezisë së Naimit. Atë forcë mbihistorike dhe atë bukuri të pashoqe mjaft poezi të tij do ta humbisnin sikur të kishin qenë të zhveshur nga ndikime filozofike e ideliste, panteiste, që e ushqenin kërshërinë e tij për të depërtuar në thellësitë e shpirtit njerëzor e të përjetimeve të tij estetike, ashtu siç i ndriçonin rrugët talentit të tij poetik edhe idetë e iluminizmit e të racionalizmit, se gjithsesi poeti e ndjen intuitivisht, në qoftëse nuk e kupton, se mund të përfitojë nga çdo filozofi e mençur, e urtë, mjafton që ajo të mos mbetet në krijimet poetikë mish i huaj. Ja sa bindshëm provojnë këtë lidhje të mundëshme të poezisë me filozofinë dy copëza nga magjia sugjestionuese poetike e Naimit:
Zot i vërtetë! Gush'e krahruar
Ke mbledhur dritën, Faqezë e ballë,
Diellin, ditën, Dhe pulp-a llërë,
Ndë gjithë jetë, Sy e qepallë,
Edhe'e ke bërë Dhe këmb'e duar!
Zemra jote në krahror tënt Dielli zenë me rezë,
Është hekur brenda n'argjent; Vera në qelqe të zezë,
Dhe në linj'ajy karuar, Shpirti brenda në qivure,
Si ndë dhe gur'i paçmuar. Zot'i madh nër katër mure!
Në studimet tona është përmendur se trajtimi i problemit të njeriut i ka dhënë botëkuptimit të Naimit karakter abstrakt.
Por ka dy rrethana që e ngushtojnë vlerën e këtij pohimi. Vetë specifika e filozofisë e nënkupton që ajo të shtrojë e t'u japë përgjigje problemeve me karakter universal të jetës njerëzore ("Gjithë nga një baltë jemi,/ Kemi një shpirt, një vetijë,/ Jemi gjithë një fëmijë,/ Një mëm'e një atë kemi,/ Në një fytyrë po jemi"). Sepse Naimi u dha përgjigjen e tij këtyre problemeve universale, prandaj mendimi i tij ka peshë të rëndësishme filozofike, fiton jo vetëm vlerë historike, kalimtare, por edhe të përherëshme.
Rrethana e dytë ka të bëjë me faktin se duke trajtuar gjërësisht një problematikë ekzistenciale. N. Frashëri ishte për një filozofi jete dhe jo për një filozofi që trajton probleme thjesht metafizike ose natyraliste, pat synuar të mbrojë një filozofi që u përgjigjej preokupimeve njerëzore. Botëkuptimi i tij u bë faktor për zgjimin e vetëdijes së dinjitetit të individit dhe të ndërgjegjes kombëtare, të përgjegjësisë për fatet e Atdheut. Ai i jepte një kuptim të ri jetës së shqiptarit, i dhuroi dinjitetin e përkatësisë kombëtare, i kultivoi krenarinë humane universale dhe kombëtare, që i këndoi: "Ti Shqipëri më ep ndër, më ep emrin shqipëtar".
Problematika ekzistenciale i afroi mendimin e Naimit me një prirje nga më të rëndësishmet të filozofisë moderne, e cila, nga gjysma e dytë e shek. 19 filloi të aksentojë përherë e më tepër këtë problematikë, duke parandjerë krizat e dramat e pritme që përcillnin qytetërimin. Shqetësimet e Naimit nuk lindin thjesht nga ndonjë arsyetim abstrakt fillozofik, por, para së gjithash, nga situata konkrete historike e Atdheut, me fatin e së cilit jeta e vepra e tij intelektuale ishin të shkrira në një mënyrë të pandarë. Në strukturën e botës Naimi përfshinte organikisht edhe hapësirat e botës shqiptare.
Sa e rëndësishme ishte për filozofinë e tij t'i përgjigjej pyetjes: Cili është fati i njeriut në kozmos?, po aq i mprehtë ishte për të t'i jepej përgjigje edhe pyetjes: cili është fati i kombit shqiptar në botën bashkëkohore? Naimi e çmonte prirjen e filozofisë moderne për t'u mbështetur përherë e më tepër në të dhënat shkencore; ai e mbronte idenë e lindjes natyrore të njeriut me botën (edhe për nga origjina, edhe për nga ekzistenca). Por për të kuptuar rëndësinë e këtij tipari të filozofisë së Naimit, nuk mund të mos na shkojë në mendje edhe kufizimi i materializmit mekanicist, tek i cili natyra mbeti e jashtme, e ftohtë, e të huajtur ndaj njeriut, mbeti si substancë e vdekur dhe, për këtë arsye, mbështjellë me një vello misterioze. Naimi e konceptonte natyrën ndryshe të gjallë, plot jetë e levizje; prania e njeriut në të e dëshmon edhe më mirë këtë cilësi. Bota për Naimin ka kuptim vetëm e pandarë nga njeriu, e përjetuar emocionalisht, si lumturi ose dhimbje, si gëzim ose brengë, si liri ose pa liri etj. ("rrëshqet kroi me të qeshur, me të qarë"). Ky konceptim poetik i natyrës merr në botëkuptimin e tij filozofik trajtat panteiste. ("Qelqi verë e verë qelq u bë tashti, Shpirti trup dhe trupi shqpirt, u bë, u shkri"./ Se një trup dhe një shpirt është gjithësia, që s'ka anë"; "Gjë s'vdes, sepse gjithsesia është gjithnjë e gjallë"). Naimi nuk e ndante rerazi natyrën, si substrancë materiale, nga zoti si substancë shpirtërore dhe nga njeriu, si sintezë e forcave më të larta të botës. Prandaj njohja e njeriut për të ishte edhe njohja e botës.
Më të drejtë në studimet tona është theksuar se ngjyrimi panteist i ideve filozofike i shërbeu Naimit për t'i vënë një bazë teorike dhe për të argumentuar filozofikisht unitetin kombëtar, bashkimin e kombit, pavarësisht nga ndasitë fetare. Por këto ide e ndihmuan atë, gjithashtu, që të përfillte edhe subjektivitetin (botën shpirtërore) të njeriut, shpirtin dhe intelektualin e tij, një substrancë sa "misterioze" aq edhe e fuqishme. Është provuar tashmë në historinë e filozofisë së nënvlerësimi i subjektivitetit njerëzor mjell varfërimin e filozofisë. Naimi, përkundrazi, e quante detyre të rëndësishme që në shpjegimin e botës, të përfshihej edhe shpjegimi i subjektivitetit njerëzor. Këtë ai nuk e lidhte vetëm me format e njohjes (shqisat, arësyeja, gjykimi etj.), por sidomos me aspektet e ekzistencës njerëzore. Njeriu, sipas tij, mbetet një trup i vdekur, një forcë inserte dhe e pafuqishme, pa subjektivitetin. Për këtë arësye Naimi u kushtoi vemendje të madhe problemeve etike, jetës shpirtërore, nevojave intelektuale dhe krijuese të njeriut. Ky subjektivitet e ngre njeriun mbi gjithë dukuritë e tjera të natyrës, e bën "zot të vërtetë të gjithësisë". Që këtej vjen përkujdesja e veçantë e tij për të drejtat njerëzore, për virtytet e lartësimin intelektual, shpirtëror e moral të njeriut. Nga intelekti është bërë "deti i diturisë, - thosh ai, - i kthjellët e i kulluar; mendja e njeriut, që është zonjë e këtij deti, bën kot në të e çpelahet nga fëliqësitë, po zbukurohet e dritohetë dhe zemrën e gëzon e shpirtin e lartëson dhe i bije njerëzisë qytetërinë".
Naimi me të tilla pohime nuk ishte i njëanshëm; ai i përfillte edhe nevojat e kërkesat materiale. Me dhimbje të thellë përjetonte gjendjen e mjeruar, varfërinë e moskamjen, që ishin pasojë e robërisë. Në nocionin e progresit, mbrothësisë, ai nënkuptonte edhe mënjanimin e këtyre plagëve, por këto nuk bën të errësojnë virtytet shpirtërore-nderin, drejtësinë, besën, mirësinë, lirinë, vëllazërimin, miqësinë etj. Si kryefjalë të këtij kompleksi, e kësaj karte kërkesash ideale ai vinte lirinë e Atdheut ("Se njeriu e njërëzia/ Ushqehen nga liria"; - Njëriu lind i liruar/ Pastaj e kanë penguar").
Humanizmi përbën një tipar qensor të botkuptimit të N. Frashërit që është evidentuar mirë në studimet tona. Fryma humane ndjehet e fuqishme në veprat filozofike të Naimit: "Të tretem për ndjerinë", Njëri! Të qofsha falë!, "S'ka më të lartë në jetë/ Nga njeriu,'është i vërtetë", "Të ndërojë njeriu njerinë". Poeti çmonte njeriun me botë të pasur shpirtërore, me etjen e papërmbajtur për liri dhe të plotfuqishëm me aftësitë e tij njohëse; sipër botës tjetër, sipas tij, njeriun e ngrë arësyeja, që i lejon të depërtojë në të fshehtat e natyrës e të jetës, që e bën të lirë dhe zot të tyre. Humanizmi i tij shkrihej organikisht me idetë iluministe ("Dhe drita e diturisë për para do na shpjerë"). Në këtë kuptim edhe predikimet e tij filozofike, Naimi i shihte si mjet që e aftëson intelektualisht njeriun, si një ushqim e gjimnastikë e vetëdijes së tij.
Por, ndryshë nga humanizmi europian rilindas, që përshkohej nga fryma e individualizmit, Naimi theksonte nevojën e formimit shpirtëror vetjak të njeriut në lidhje të ngushtë me formimin shoqëror. Kjo ide e tij buronte edhe nga fakti se filozofinë ai nuk e shkonte vetëm si dije, por edhe si urtësi, domethënë si aftësi jo vetëm për të arësyetuar drejt dhe për të marrë vendime të drejta, por edhe për të vepruar në përputhje me kërkesat e një morali shoqëror të përparuar. S'mjafton, sipas Naimit, të jesh i ditur, duhet të jesh edhe i mirë, i drejtë, i urtë.
Në vazhdën e humanizmit rilindas dhe të iluminizmit europian Naimi e kishte për zemër atë optimizëm, që rrjedh nga forca e arësyes dhe e urtësisë njerëzore, nga forca e dijeve shkencore dhe e vlerave të moralit ("Sa e duam gjithë jetën", "Gjithë bota është e qeshur, s'të sheh syri një të metë"). Por optimizmi i Naimit nuk ishte aq i cekët, nuk ishte i ngarkuar me ato iluzione të humanizmit e iluminizmit europian të shek. 15-16, që pësuan zhgënjim. Në studimet tona është vënë në dukje se, krahas frymës optimiste, në veprat e Naimit ndeshen edhe plot mendime, që janë vlerësuar si një shpjegim pesimist i jetës. ("Bota e gatuar me burim e vuajtjeve", "O moj kohë e kaluar, je lëndim").
Si t'i pajtosh këto dy qëndrime kontradiktore? Kjo vështirësi do të mund të kalohej nëqoftëse do të njohim, se Naimi njeriun e shihte si qenie komplekse e problemeve. Ndryshe nga humanizmi rilindas, që e paraqiste njeriun si qënie titanike, të plotfuqishme e të pamposhtur, Naimi, i pasuruar me përvojë të reja, jo vetëm entuziaste, por edhe të hidhura, në një kontekst tjetër social-historik, optimizmin s'e ndante nga vetëdija fatkeqe e njerëzore. Për Naimin, njeriu është edhe titan i plotëfuqishëm, por edhe një qelq i thyeshëm lehtësisht, një qënie e brishtë; njeriu përbëhet nga ajo lëndë e pavdekshme që quhet materie, por nuk është gur pa zemër, pa shpirt. Prandaj ekzistenca njerëzore, sipas Naimit, shfaqet brenda dy skajeve të jetës - (lindjes e vdekjes,), si ligjsori e qëndrueshmërisë dhe e lëvizjes së përjetëshme të Qenies, manifestohet si lumturi ose fatkeqësi, si gëzim ose dhimbje, si shëndet ose sëmundje, si rini ose pleqëri, trimëri ose frikë, dashuri ose dëshirë, si mirësi ose ligësi, si liri ose robëri, si fitore ose humbje, vëllazëri ose armiqësi, drejtësi ose padrejtësi, dhimbsuri e miqësi etj. Pra, ekzistencën njerëzore Naimi e shikon me një strukturë dramatike, të tensionuar së brendshëmi; jeta për të është serioze e problemore. Ky koncept nuk mund të identifikohet thjesht me pesimizmin, madje me një pesimizëm që rrjedh nga arësyetime abstratke filozofike. Ai ishte fryt i atyre përvojave që dëshmonin për karakterin tejet kontradiktor të qytetërimit në shek. 19 dhe sidomos të asaj situate të vështirë, që karakterizonte vendin tonë, kur, nga njëra anë, po vepronte në arenën historike forca të rëndësishme e të vetëdijshme shoqërore, që shpallën projektin e Shqipërisë së lirë e të pavarur, dhe, nga ana tjetër, qëndronte një mori e tërë pengesash e vështirësish për realizimin e këtij projekti për shkak të zgjedhjës së huaj. Prandaj, në vend që t'i shohim optimizmin e pesimizmin si një antonimi të papajtueshme në botëkuptimin e Naimit, lypset të vemë re një qëndrim serioz e realist ndaj jetës, e cila ka poezinë e vet, por edhe drama e tensione.
Nga ky qëndrim serioz ndaj ekzistencës njerëzore Naimi nxirrte vetëdijen e përgjegjesisë, që ka individi ndaj vetvetes e ndaj shoqërisë. Kjo ndjenjë përgjejgësie, sipas Naimit, shprehet si angazhim aktiv për zgjidhjen e problemeve që shtron koha dhe që qëndronin para kombit e çdo shqiptari. Vetëm me këtë angazhim njeriu mund të mposhtë edhe një vetëdije fatkeqe e tragjike për jetën dhe të vepronte me besim në fitoren e progresit. Në këtë mesazh fisnik, urtësie me përgjërimin ndaj njeriut e lirisë, mendimi filozofik i Naim Frashërit ka kalaur nëpër shumë breza të kombit tonë dhe na vjen në përkujtim të 100 vjetorit të vdekjes së tij i gjallë, i freskët e frymëzues: "Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar./ Që t'u ap pakëzë dritë/ Natënë t'ua bëj ditë".

No comments:
Post a Comment