2013-09-12

BEKTASHIZMI DHE SHQIPTARIZMI

Moikom ZEQO
 

 
Rrallë herë që dy fjalë të tilla, që përfaqësojnë nocione shumë të gjera dhe universale, mund të jenë kaq të lidhura me njëra­tjetrën. Arsyet janë të shumta, kryesisht historike, por edhe esencialisht shpirtërore.
Dihet që bektashizmi është ideuar dhe konstruktuar nga një njeri i jashtëzakonshëm, me aftësi intelektuale të shkëlqyera, profet dhe poet, i quajtur Haxhi Bektashi. Me të drejtë Haxhi Bektashi, ka luajtur një rol të veçantë në ndriçimin e botës lindore islamike, të ngjashëm me atë që ka luajtur Françesku i Asisit për iluminizmin dhe shkëlqimin e ri të kishës katolike perëndimore. Natyrisht ky krahasim nuk është i plotë dhe, vetëm është një ngjashmëri e rastit, por tregon qartë rolin reformator të njerëzve të shenjtë në reformimin njerëzor dhe konceptual të dy feve të mëdha të njerëzimit.
Haxhi Bektashi (i paharruar qoftë emri i tij) krijoi bektashizmin në formën e një sekti ose të një rryme shpirtërore fetare për t’u afruar më afër interesave të njerëzve dhe popujve në suazën e islamizmit botëror. Jetëshkrimi i Haxhi Bektashit tregon gjenialitetin e tij, formën proverbiale të fjalëve dhe poezitë e mrekullueshme. Haxhi Bektashi bëri një epokë dhe fryma e tij mbijeton e do të mbijetojë.
Është fakt që shqiptarët, që në kohën e apostulimit të Haxhi Bektashit u bënë përkrahës të tij. Mendohet që në atë kohë të paktën që nga shekulli XVI, misionarët e Haxhi Bektashit kanë përhapur idetë e bektashizmit në Shqipëri. Kështu poezitë e famshme të poetit Jonuz Emre, që bartin idetë e bektashizmit, janë përhapur që herët në Shqipëri.
Në shek. XV ka një fakt të jashtëzakonshëm, që çuditërisht nuk përmendet në historinë zyrtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ka dëshmi të sigurta se Skënderbeu gjatë kohës që ishte në trupën e jeniçerëve në pallatin perandorak të sulltanit, u konvertua në bektashizëm së bashku me nipin e tij Hamzanë.
Dua të publokoj për herë të parë disa fakte, që nuk janë përmendur në asnjë histori zyrtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Shënimi i parë në këtë hulli ndodhet në “Librin e bektashizmit” me autor Ali Tomorrin, botuar më 1929 në Tiranë, fq. 27. Baba Ali Tomorri ka qenë një nga bektashianët më të ditur të Shqipërisë. Ai është autor i shumë librave, kryesisht me këtë kryesubjekt. Baba Ali Tomorri, shkruan e zezë mbi të bardhë, se në shekullin XV udhërrëfenjës, d.m.th. baba shpirtëror bektashian i korpusit të jeniçerëve ka qenë “një njeri fort i squet me emër Ali ­ Al ­ Ula, i mbiquajtur Baba, i cili kishte bërë Myhyb (ithtar) edhe princërit shqiptarë Skënderbeun dhe nipin e tij Hamza Kastriotin”. Mbas rebelizmit që bëri Skënderbeu në vitin 1443 sulltani, Murati II, duke ditur sekretet e bektashinjve, e urdhëroi udhërrëfyesin Ali ­ Al ­ Ula, që ta urdhëronte myhypin Skënderbeun, që të hiqte dorë nga rebelizmi kundër Perandorisë dhe të kthehej në Andrianopojë. Por, urdhërrrëfenjësi në fjalë, që kishte pushtet të madh në këtë korpus të jeniçerëve, nuk pranoi ta bënte këtë akt dhe për këtë arsye, sipas autorit Baba Ali Tomorri, ai u ekzekutua, iu pre koka nga sulltani. Kur e kam lexuar këtë gjë nga ky autor shqiptar kam patur një mëdyshje, duke menduar se kemi të bëjmë me një mitizim për të futur në historinë e bektashizmit botëror gati me përdhunë edhe emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por më vonë kam lexuar dy autoritete të mëdha shkencore në fushën e historisë, të cilat gati direkt të çojnë tek e zeza se me të vërtetë gjatë kohës që ka qenë në korpusin e jeniçerëve Skënderbeu ka aderuar në bektashizëm. Kështu historiani gjerman, ndër më të mëdhenjtë e shek. XIX, Shloseri, në librin e tij “Histori e përbotshme” tregon se kur turqit pushtuan qytetin e Lezhës dhe hapën varrin e Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës, ku ai ishte varrosur, jeniçerët i morën eshtrat e ktryetrimit shqiptar, i mbështollën me flori dhe argjend për t’i përdodur si hajmali mbrojtëse, e madje e shpallën Skënderbeun “shenjtor të tyre”. Ky pasazh i Shloserit duket paksa paradoksal, sepse dihet se ata qenë armiq të tërbuar të Skënderbeut dhe gjithmonë tingëllon e çuditshme, sesi korpusi i jeniçerëve, më luftaraku i perandorisë të kishte brenda vetes parime të ndryshme fetare, konkretisht bektashizmin shiit dhe brenda këtij botëkuptimi, që përpiqej të bashkonte parimet e krishterimit me islamizmin, në një mënyrë krejt origjinale, me ndikime të dukshme të panteizmit budist si dhe dualizmit zaratustrian të Lindjes së Largët, të nderonin në mënyrë sekrete brendapërbrenda radhëve të tyre kundërshtarin e perandorisë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Pasazhi i dytë, që më ka bërë përshtypje ndodhet në kryeveprën e orientalistit më të madh të shek. XX dhe albanologut gjerman Franc Babinger, i quajtur "Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij", libër i përkthyer në gjuhën shqipe nga kosovari Ali Hasan Llunji dhe botuar nga Shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës më 1989. Unë po i referohem kësaj kryevepre shkencore. Në fq. 10 të librit flitet konkretisht për trazirat në punët e Perandorisë Osmane dhe të ndikimit rebel, që ka në trupat e korpusit të jeniçerëve për Ali ­ Al­ Ulan, apostull i hyjrifive, sekt shiit, i identifikueshëm me bektashinjtë, me një botëkuptim fetar të përhapur nga Persia në Anadoll dhe që, sipas Babingerit, “ishte i lidhur shumë ngusht me dervishët bektashinj”. Sipas Babingerit, bektashizmi konsiderohej herezi në raport me kuranizmin ortodoks në këtë kohë dhe se “forca dhe ndikimi i dervishëve bektashinj apo dhe dervishëve të tjerë, tarikatet e të cilëve në të shumtën e rasteve gërshetoheshin me karakterin universal shiit, përbënin një mundësi që nxiste rezistencën kundër rregullit ekzistues shtetëror osman dhe siç duket gjatë sundimit të sulltan Miratit II, ky ndikim rebel i kapërcente kufijtë e krahinave lindore të Anadollit dhe se “ndikimi i dervishëve ka qenë shumë i rrezikshëm dhe në kundërthënie me shtetin osman”. Kjo pikë e biografisë së Skënderbeut në rininë e tij, kur ai ka qenë i lidhur me bektashizmin e jeniçerëve veçse e pasuron historinë e tij të mëvonshme dhe shpjegon në fund të fundit se veprën prej botëkuptimit bektashian Skënderbeu do të çlirohej përfundimisht prej islamizmit dhe do të rikthehej përfundimisht në krishterimin shqiptar të prindërve dhe të popullit të vet. Nuk mendoj se është e tepruar që të hulumtohet në këtë drejtim dhe pikërisht këtu qëndron sekreti i madh dhe kryesor sesi një poet kaq i madh bektashian si Naim Frashëri, kur shkruan eposin e tij për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, lehtësisht gjen një identifikim me vetë Skënderbeun, pikërisht në bazë të sintezës së koncepteve themelore shpirtërore të krishterimit me islamizmin. Naim Frashëri, duke qenë zyrtar me Perandorinë Osmane në Stamboll, nuk ka ndroje dhe frikë të botojë eposin e tij skënderbejan, kur dihet se Skënderbeu qe simbol i madh jo vetëm shqiptar, por edhe evropian kundër Perandorisë Osmane. Kjo është në opozitë të hapur me islamizmin ortodoks dhe kjo shpjegon pse Naim frashëri ka botuar dhe një poezi të shkëlqyer për Jezu Krishtin.
Dihet që bektashizmi e pati institucionin kryesor të tij te trupat e zgjedhura të jeniçerëve. Jeniçerët formoheshin nga djem të krishterë, të rrëmbyer nga turqit, të cilët i konvertonin në fenë e tyre, por për arsye se origjina e tyre e mëparshme fetare nuk qe e lehtë të harrohej, vetëm bektashizmi krijonte një sintezë dhe një modus vivendi, që ata të bënin një bashkëjetesë kuptimore dhe të pranueshme për konceptet e tyre në shërbimin special që kryenin gati në formën e një sekti fetar të veçantë. Dihet që jeniçerëve u qe ndaluar të martoheshin dhe duhej të manifestonin moral dhe disiplinë shumë të lartë. Pra, jo rastësisht edhe Gjergj Kstriot Skënderbeu, që në shekullin XV aderoi në Urdhrin e Bektashianëve. Kjo gjë kërkon studime dhe hulumtime të hollësishme.
Në shekujt e mëvonshëm, misionarët bektashianë u shpërndanë në gjithë Shqipërinë dhe Shqipëria u bë një nga kështjellat e bektashizmit botëror. Lum kush do të jetë ai njeri me fat, që do të shkruajë ndonjëherë historinë e bektashizmit të lidhur me Historinë e Shqipërisë. Është një material kolosal i jashtëzakonshëm, me përfitime të mëdha shkencore dhe historike. Jeniçerët, siç e tregojnë shumë historianë, midis tyre edhe vetë Marin Barleti, kur u hap varri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, i morën eshtrat e heroit dhe duke i mbështjellë me ar dhe argjend i ruajtën si hajmalira e fuqi të madhe mrekullibërëse, madje një historian gjerman Shloseri thotë se jeniçerët e kanë nderuar në mënyrë sekrete Skënderbeun si një shenjtor të tyre. Jeniçerët kanë luajtur rol opozitar në Perandorinë Osmane dhe kjo shpjegon se shpesh sulltanët kanë bërë raprezalje dhe kanë dashur të zhdukin nga faqja e dheut bektashizmin.
Figura e dytë e madhe historikë e Shqipërisë, Ali Pashë Tepelena, gjithashtu qe një nga figurat kryesore të bektashizmit. Në të gjitha pikturat e piktorëve të huaj, që e kanë takuar Ali Pashë Tepelenën e paraqesin atë me taçin karakteristik bektashian.
Për fat të mirë, taçi i Ali Pashë Tepelenës ndodhet dhe ruhet sot në fondet e Muzeut Historik Kombëtar si një nga reliktet më të çmueshme dhe më origjinale të bektashizmit.
Figura e tretë jashtëzakonisht e madhe e bektashizmit është babai i letërsisë moderne shqiptare dhe i Rilindjes Kombëtare, gjeiu i mendimit dhe i poezisë, Naim Frashëri i pavdekshëm. Naim Frashëri mund të quhet mbas Haxhi Bektashit një nga teoricienët dhe formuluesit e doktrinës së bektashizmit. Naim Frashëri është i pari reformator shpirtëror dhe fetar, që e lidh bektashizmin dhe shqiptarizmin, por pa i cenuar karakterin universal botëror bektashist.
Mbas viteve ‘20 kur Ataturku e shkaërroi bektashizmin në Turqi, qendra botërore e bektashizmit u bë Shqipëria.
Shqipëria sot është kryeqendër e tërë bektashizmit botëror. Ky është një nder jashtëzakonisht i madh dhe një nga mrekullitë më të habitshme të kombit shqiptar në rrafshin e gjithë njerëzimit.
Bektashizmi i lidhur me shqiptarizmin ka një kontribut themelor në lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, sepse bektashianët kanë qenë atdhetarë nga më të shkëlqyerit në të gjitha kohët. Feja e tyre universale me parime shumë të larta morale i ka bërë ata që të jenë shumë të qartë dhe të mrekullueshëm në luftën për ta ringjallur dhe për ta ndriçuar mendërisht e shpirtërisht Shqipërinë. Por, bektashianët jo vetëm që krijojnë të vetmen rrugë bashkimi për të tërë shqiptarët që kanë fe të ndryshme, çka nuk e bën dot asnjë fe tjetër në Shqipëri, nga ana tjetër janë komuniteti fetar, që krijon lidhjet pa asnjë paragjykim në mënyrë të barabartë me besimin te Zoti për të gjitha fetë e tjera të njerëzimit.
Bektashizmi botëror i qendërzuar në Shqipëri i ka të gjitha kushtet e premisat e hapura në të gjithë botën dhe sot në kushtet e ndryshimeve kolosale politike të hapjes së kufijve dhe të krijimit të njerëzimit si një e tërë bektashizmi u ka dhënë një atu të pallogaritshme nga vlerat që të gjithëve, jo të mbyllen, por të hapen me botën. Mua më vjen keq që politikanët shqiptarë nuk e kanë kuptuar në thellësi dhe sa duhet fuqinë dhe mundësinë e pakufishme të kësaj atuje.
Për bektashizmin shqiptar dhe atë botëror kanë shkruar me admirim tërë studiuesit më të mëdhenj, të cilëve u ka interesuar feja njerëzore dhe shpresëdhënëse e komunitetit bektashian. Me mijëra janë librat studimorë për këtë çështje dhe është e habitshme se të gjithë librat janë afirmativë dhe entuziastë për bektashizmin.
Dua të theksoj këtu një fakt që është lënë në harresë padrejtësisht. Janë mijëra poetë dhe intelektualë shqiptarë nga shekulli XVI dhe deri më sot që kanë shkruar poezi, traktate, meditime, përsiatje mistike për bektashizmin. por këto mijëra dorëshkrime, për fat të keq, nuk kanë gjetur dritën e botimit. Këto dorëshkrime janë një thesar kulturor i njerëzimit.
Dua të përmend këtu vetëm një poet të madh bektashian: Hasan Zyko Kamberin, që për fatin tonë të mirë i ruhet tyrbja në fshatin Starje të Kolonjës. Ka dorëshkrime të pabotuara të tij. Tërë poetët, që ne i kemi quajtur bejtexhinj, të shekujve XVI ­ XIX, zotërojnë letërsinë shqipe dhe në esencë janë poetë të mëdhenj dhe të shquar, por kritika letrare me mediokritetet dhe në mënyrë pezhorative, i ka quajtur thjesht si bejtexhinj dhe nuk ka mundur realisht të shohë jo vetëm vlerat e mëdha artistike, por në substancë nuk ka parë as atdhetarizmin e tyre të shkëlqyer.
Së fundi prej kohësh kam shprehur një mendim për të cilin ngul këmbë: komuniteti bektashian, qendra botërore e të cilit është në Shqipëri, është një pasuri e njerëzimit dhe duhet ndërhyrë pranë organizmave ndërkombëtare të Evropës së bashkuar pranë UNESCO­s që ashtu siç është shpallur pasuri e njerëzimit dhe mbrohet me ligj e financohet për të mbijetuar feja e Tibetit e Dalaj Lamës, ashtu duhet trajtuar me të njëjtin status si pasuri e njerëzimit edhe bektashizmi. Historia do të provojë në të ardhmen që bektashizmi që ka rrënjë të thella në kombin shqiptar do të lulëzojë dhe do të ketë gjithashtu ringjallje të vazhdueshme.

Nuk është e rastit që kryeprijësi ynë shpirtëror i bektashizmit Naim Frashëri e ka lënë të amshuar testamentin e tij për të gjithë ne.

No comments:

Post a Comment

Torturoi, vrau dhe sulmoi seksualisht të burgosurit, kush është gjenerali libian për të cilin Giorgia Meloni do të hetohet

Në burgun e Mittiga-s (Tripoli), të drejtuar nga Osama Njeem Almasri, që nga shkurti 2015 ka parë të paktën 34 të burgosur të vrarë dhe 22 p...