Akademik Shaban DEMIRAJ
Në periudha të caktuara historike,
që kanë shënuar kthesa vendimtare për të ardhmen e këtij apo të atij populli,
kanë dalë kurdoherë njerëz të shquar, të cilët me veprimtarinë e tyre janë bërë
përfaqësuesit më të spikatur të atyre kthesave historike. Këta njerëz të shquar
kanë qenë edhe pjellë edhe aktorë të lëvizjeve të rëndësishme historike të
popujve përkatës. Ata, natyrisht, kanë luajtur një rol të dorës së parë në
sendërtimin e idealeve, që kanë karakterizuar lëvizjet historike të popujve të
tyre për çlirim, zhvillim e përparim, por në të njëjtën kohë veprimtaria e tyre
ka marrë shkas dhe është frymëzuar nga rrethanat historike, në të cilat ata
kanë jetuar.
Kjo konsideratë e përgjithshme duhet mbajtur parasysh edhe kur shqyrtohet
puna e përfaqësuesve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të gjysmës së
dytë të shekullit XIX, që njihet zakonisht me emrin Rilindja Shqiptare. Kam
parasysh ata shkrimtarë të shekullit XIX, të cilët, të nxitur nga gjendja e
rëndë e popullit shqiptar nën sundimin e huaj, i vunë vetes si detyrë t'i
përqëndronin energjitë e tyre për ta bërë popullin tonë gjithnjë e më të
vetëdijshëm në përpjekjet e tij për zhvillim, pëprarim dhe çlirim nga zgjedha e
huaj shekullore.
E një nga mjetet e fuqishme, që përdorën ata shkrimtarë për sendërtimin e
idealeve të tyre, ishte pikërisht gjuha amtare, që i dallonte shqiptarët nga
sunduesit e huaj dhe nga popujt e tjerë. Prandaj nuk është gjë e rastit që
pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë të shekullit XIX treguan një
përkujdesje të veçantë për lëvrimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Është e
vërtetë se kujdësi për gjuhën shqipe vihet re qysh te Buzuku dhe te shkritmarët
e tjerë pas tij, sidomos te Bogdani. Por, në shekullin XIX, kjo dukuri mori
përmasa të reja, si të ishte një lëvizje e
organizuar, megjithëse në të vërtetë qe një lëvizje spontane e frymëzuar
nga rrethanat e reja historike të popullit shqiptar. Prandaj s'ishte e papritur
që përfaqësuesit më të ndritur të letrave shqipe të shekullit XIX mbajtën të
njëjtin qëndrim ndaj gjuhës amtare dhe ndoqën të njëjtën rrugë për zhvillimin e
saj dhe pikërisht mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme dhe krijimin e
fjalëve të reja, për ta bërë gjuhën shqipe sa më të pasur e më të zhvilluar.
Siç dihet, kjo punë, që në shekullin XIX nisi me Naum Veqilharxhin, mori
përmasa më të mëdha dhe më frytdhënëse me Konstandin Kristoforidhin, Naim
Frashërin, Sami Frashërin, Jani Vreton etj., të cilët mund të konsiderohen me
të drejtë si nismëtarët e atyre përpjekjeve, që pak nga pak e shndërruan
shqipen në një gjuhë të zhvilluar, në të cilën më vonë u përkthyen edhe
kryevepra të tilla si ato të Shakespeare-it, Cervantesit etj., dhe u hartuan
vepra letrare e shkencore me vlerë.
Kur lexon veprat e Kristoforidhit, Naimit, Samiut, Vretos dhe të rilindësve
të tjerë, nuk është e vështirë të vëresh se të gjithë ata kanë dhënë ndihmesa
shumë të çmuara për ta bërë shqipen një gjuhë të pasur e të zhvilluar, që të
mund t'i plotësonte gjithnjë e më mirë kërkesat e shumanshme të një gjuhë
kulture. Por, në këtë rast nuk është e vështirë gjithashtu të konstatosh se ai
që luajti një rol më të madh në përhapjen e kësaj rryme të fuqishme të
qëndrimit ndaj gjuhës shqipe si edhe të fjalëvë të reja të krijuara gjatë
gjysmës së dytë të shekulit XIX, ka qenë pikërisht Naim Frashëri, veprat e të
cilit kanë qenë më të përhapura dhe më të lexuara ndër shqitparët. E për këtë
dëshmojnë, ndër të tjera, ribotimet e herëpashershme jo vetëm të veprave të tij
me karakter letrar, si Bagëti e Bujqësija, Lulet e Verës, Istori e Skënderbeut,
por edhe të librave të tij me karakter diturak, që ai hartoi për shkollat e
para shqipe.
Naimi nuk ishte vetëm një post i talentuar dhe atdhetar i vendosur, por
edhe një njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe. E në përputhje me rrymën e
përgjithshme të Rilindjes, ai iu përvësh një pune sistematike për zhvillimin
dhe pasurimin e gjuhës amtare. Ashtu si rilindësit e tjerë të mëdhenj, ai e
kuptoi se gjuha shqipe kishte nevojë të zhvillohej në dy drejtime: të pastrohej
nga fjalët e huaja të panevojshme, që kishin depërtuar në të gjatë shekujve,
dhe në të njëjtën kohë të pasurohej me sa më shumë fjalë të reja sidomos të
karakterit diturak. Por, për këtë punë të dyanshme nevojitej një njohje e mirë
e gjuhës amtare dhe jë përgatitje kulturore po aq e mirë për t'ia dalë mb'anë
një qëllimi të tillë largvajtës. Që Naimi e njihte me themel gjuhën amtare, për
këtë dëshmojnë jo vetëm fjalori i pasur dhe saktësia e ndërtimeve sintaksore,
por edhe përdorimi i drejtë i mjeteve të gjuhës popullore për fjalët e reja të
shumta, që ai krijoi.
Gjithsesi, kësaj pune Naimi i hyri me një vetëdijshmëri dhe përkushtim të
plotë, për çka na dëshmon edhe ajo që ai vetë ka thënë në Paradhënien e Këngës
së parë të Iliadës së Omerit, të përkthyer prej tij. Në fund të kësaj
parathënie, pasi vlerëson vjershat e Hasan Zyko Kamberit, të Nezim Frakullës etj.,
si shton: "Po të gjithë kanë bërë faj, që s'faletë, e të metë që
s'ndjehetë kurrë. Kanë përzjerë gjuhën e bukurë shqipe me fjalë të huaja! Gjuha
jonë duhetë shkruarë fjeshtë shqip, se fjalët e huaja e shëmtojnë shumë.
Është' e gjerë gjuha jonë dhe'e bukurë shumë, ka fort fjalë të mira për të
vënë në vënt të fjalëvë të huaja".
Edhe në librin Istoria e Shqipërisë, f. 39, ai shkruan: "gjuha
shqipe është mjaft e gjerë për ata q'e dinë mirë, pa ka dhe lehtësinë, që
bashkon dy fjalë, si: vetë-dije, mëmë-dhe punë-mbarë, bukë-dhënës etj.
etj".
Por, si Naimi, ashtu edhe rilindësit e tjerë ishin të vetëdijshëm se gjuha shqipe për arsye të
rrethanave të njohura historike kishte mbetur e pazhvilluar se duhej dhe nuk
mund t'i plotësonte të gjitha kërkesat e një gjuhe kulturore, sidomos nga
mungesa e fjalëve të karakterit kulturor e shkencor. E këtë mungesë ata e
ndjenë sidomos kur iu përvëshën punës për të hartuar vepra me karakter diturak,
si tekste mësimore për shkollat e para shqipe, që u hapën në dhjetëvjeçarët e
fundit të shekullit XIX, siç janë, ndër të tjera, botimet e Naimit:
E këndimit të çunave
këndonjëtoreja, I, II. Bukuresht 1886. Istori e përgjithshme për mësonjëtoret
të para. Bukuresht 1886. Vjersha për mësonjtorët të para. Bukuresht 1886.
Dituritë për mësonjëtoret të para. Bukuresht 188. Istori e Shqipërisë.
Bukuresht 1889.
Për hartimin e librave të tillë, si edhe të veprave letrare mund të
përdoreshin edhe fjalë të huaja nga ato që kishin hyrë prej kohësh në gjuhën
shqipe, ose mund të merreshin huazime të reja sidomos nga gjuhët përëndimore.
Por, Naimi, në përputhje me parimet e tij dhe të rilindësve të tjerë, nuk ndoqi
këtë rrugë. Ai shkroi në një shqipe të pastër dhe, për të plotësuar nevojat
leksikore në shkrimet e tij, ashtu si rilindësit e tjerë, ose përdori fjalë të
gjuhës shqipe me kuptime të reja (kalke gjuhësore), ose krijoi fjalë të reja
gjithnjë në përputhje me rregullsitë e fjalëformimit të gjuhës shqipe. Kështu
p.sh. në librat e tij me karakter diturak gjejmë shumë fjalë shqipe të përdorura
me kuptime të reja, si bosht (për ask)
lëmh'i dheut (për glob) erë (për klimë), të holla (për minuta) etj. etj. Natyrisht, jo të
gjitha këto përodrime i qëndruan kohës.
Naimi u tregua më dorëmbarë në krijimin e fjalëve të reja, sidomos
nëpërmjet prapashtesave më prodhimtare të gjuhës popullore, si edhe
nëpërmjet fjalëve të përbëra prej dy
temash. Të tilla janë, ndër të tjera: fjalët e prejardhura cilësi, sasi,
gjithësi, veti *jë), mirësi, fatbardhësi, papunësi, paudhësi, fletore (1 =
libër - sot me një kuptim disi të ndryshëm), gjykatës, qytetëroj eth. Etj., si
dhe fjalët e përbëra mëmëdhe, vetedije, shitblerës etj.
Në veprat e Naimit gjejmë të përdorura edhe fjalë të reja të krijuara nga
rilindës të tjerë, sidomos nga Sami Frashëri, çka dëshmon se ata, duke punuar
për një qëllim të përbashkët, shfrytëzonin edhe ndihmesat e njëri-tjetrit.
Naimi i ka shfrytëzuar me mjeshtëri mjetet e gjuhës popullore edhe për
qëllime stilistike-emocionuese. Këtu është fjala për prapashtesat e zvogëlimit
e të përkedhelisë -th dhe -zë, të cilat ai i ka përdorur aq bukur sidomos në
krijimet e tij poetike. Dhe mund të pohohet pa asnjë mëdyshje se shumë nga
vargjet, ku ai i ka përdorur këto prapashtesa, nuk do të kishin dalë aq të
bukur dhe aq emocionues pa përdorimin e tyre. Për këtë mjafton të përmendim
disa prej atyre vargjeve si për shembull:
Vashë bukurosh'e bariut, që vjen me llërë përveshur,
me zëmërë të dëfryer e më buzëzë të qeshur me dy shqerrëza ndër duar,
të bukura si dhe vetë, në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë
jetë
(Bagëti e bujqësija,
vargjet 33-36)
Kur shqyrton qëndrimin e Naimit ndaj gjuhës amtare dhe punën e madhe, që
bëri ai për pasurimin dhe zhvillimin e saj, lind vetiu pyetja: Ç'e shtyti atë
të ndiqte një rrugë të tillë? Natyrisht, një pyetje e tillë shtrohet edhe për
rilindësit e tjerë shqiptarë. Por, në këtë rast do të kufizohemi të Naimi.
Lidhur me këtë çështje Norbert Jokli në studimin e tij „Naim Be Frashëri dhe
pasunimi i gjuhës shqipe“ të botuar
më 1925 (shih shënimin 1) bën aluzion për një ndikim të mundshëm të
Naimit nga dijetari i mirënjohur gjerman Leibniz (1846-1716), i cili bëri një
punë të madhe për zhvillimin e gjuhës gjermane në kohën e tij. Jokli vë në
dukje se Naimi duhet ta ketë njohur Leibniz-in, sepse e përmend atë në librin e
tij „Istori e Shqipërisë“ botuar më 1899. Në faqen 36 të atij libri
Naimi shkruan:
"Kish
të drejtë i gjori Laipniç që thosh: 'M'epni shkronja të mira, t'u ap gjuhë të
bukurë; m'epni gjuhë të bukurë, t'u ap qytetëri të mbaruarë!'"
Mundësia që Naimi të jetë ndikuar nga mendimet e Laibnizit, nuk
përjashtohet, e kjo vërejtje vlen edhe për rilindësit e tjerë. Gjithashtu nuk
përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur parasysh edhe punën e bërë nga
përfaqësues të shquar të popujve të tjerë për zhvillimin e gjuhëve të tyre. Në
të njëjtën vepër të porsacituar Naimi shkruan gjithashtu: "Në ditët
tona u bënë gjuhët' e Evropëse. Ashtu edhe gjuhët' e Sllavëret."
Gjithsesi, në këtë rast duhet mbajtur parasysh se, edhe po të pranohet pa
asnjë rezervë një ndikim i tillë, prapë mbetet për të shpjeguar se ç'i shtyti
Naimin dhe rilindësit e tjerë të ndiqnin atë rrugë, që ndoqën, për zhvillimin e
gjuhës shqipe. Dhe po të shqyrtohet me kujdes puna e tyre, nuk është vështirë
të arrihet në përfundimin që ata mbajtën një qëndrim të tillë për zhvillimin e
gjuhës shqipe, sepse ishin të nxitur në radhë të parë nga dashuria për gjuhën
amtare, lëvrimin e së cilës ata e shikonin si një mjet shumë të fuqishëm për të
ringjallur e për të forcuar më tej ndjenjat e atdhedashurisë dhe të lirisë
midis popullit shqiptar. Për më tepër, nuk mungonte edhe ndonjë paraardhës
shqiptar, që kishte ndjekur një rrugë të ngjashme, si p.sh. Naum Veqilharxhi.
Pothuaj të gjithë ata që kanë shkruar për Naim Frashërin, krahas vlerës
artistike të veprave të tij, kanë vënë në dukje edhe bukurinë e gjuhës së
këtyre veprave. Këtu nuk është rasti të vihen në dukje të gjitha vlerësimet, që
i janë bërë gjuhës së këtij poeti të talentuar nga studiues të ndryshëm. Por,
nuk mund të lëmë pa vënë në dukje se gjuha e veprave të Naimit ka shërbyer si
model për një varg shkrimtarësh pas tij, sepse ato kanë qenë më të përhapura
dhe më të lexuara edhe pas vdekjes së tij, për çka dëshmojnë ribotimet e
shpeshta të një pjesë të mirë të tyre. Pra, edhe nga ky këndvështrim Naimi ka
dhënë një ndihmesë të rëndësishme në lëvrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të
gjuhës shqipe.
Por ndihmesa e Naimit për zhvillimin e gjuhës letrare shqipe nuk duhet parë
e shkëputur nga ndihmesat e bashkëkohësve të tij, sidomos të Kristoforidhit e
të Samiut. Të gjithë këta atdhetarë të palodhur vunë themele të shëndosha për
përpunimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shqipes si një gjuhë kulture, si një
gjuhë letrare.
1) Shih më hollësisht për këto sidomos studimin e Norbert Joklit, Naim Be
Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe, në librin „Naim Frashërit, vjershëtorit
dhe'edukatorit kombëtar“, botuar nga një grup studentësh shqiptarë të Austrisë
në Grac, më 1925, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Poetit.
2) Shih për këto vleresime: Jakup Kastrati, Naimi për gjuhën shqipe. "Studime
filologjike" 1971/3.
No comments:
Post a Comment