Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/18

Zija Saraçi, 63-vjeçari durrsak që vazhdon shkëlqimin në Itali - See more at: http://www.durreslajm.com/kultura/zija-sara%C3%A7i-63-vje%C3%A7ari-durrsak-q%C3%AB-vazhdon-shk%C3%ABlqimin-n%C3%AB-itali#sthash.740RKPYY.dpuf


Zija Saraçi, këngëtari i mirënjohur i viteve 1970-1980 është bërë pjesë e jetës artistike të Italisë, si pjesëmarrës në disa festivale dhe turne të rëndësishme.

Këngëtari 63-vjeçar, i cili jeton prej vitesh në Firence, është paraqitur me sukses mes 9 800 konkurrentëve më të rinj në moshë të festivalit të Castrocaros me dy këngë të njohura italiane, si dhe me kompozimin e tij “Valentina”, kushtuar bashkëshortes.

Këngëtari durrsak Zija Saraçi tha se sezoni i fundit artistik ka qenë mjaft i ngarkuar dhe ai është bërë pjesëmarrës në dy evenimente të mëdha të talenteve të reja në Saint Vincent dhe në Castrocaro Festival.

Një muaj më parë kantautori shqiptar është përballur me dëgjuesit napoletanë, duke fituar admirimin e tyre. Interpretimi i këngëve “No, non crederle” dhe napoletanes “I’t vurria vassa” në koncertin kualifikues të Castrocaro Festival, që u organizua në Ottaviano (Napoli), u duartrokit gjatë nga publiku, por Saraçi është penalizuar nga juria vetëm për shkak të moshës.

Artisti durrsak, i cili është bërë mjaft i njohur në vendin tonë me interpretimin e këngës së autorëve Isuf Xhumri dhe Moikom Zeqo “Kënga e marinarit”, një vit më parë mori pjesë në fazën finale të festivalit të këngës “Saint Vincent”, po në Itali. Sidoqoftë, edhe këtë vit Saraçi është ftuar të jetë pjesë e turit muzikor kombëtar italian, “Tourmusicfest – 2013” në Romë, pasi e ka fituar këtë të drejtë dy muaj më parë në konkurrimin e zhvilluar në Ripoli (Firence).

Zija Saraçi, këngëtari dhe kantautori i njohur i festivaleve të muzikës së lehtë mungoi për shumë vite edhe në jetën kulturore shqiptare. Ai është lançuar në skenat e Durrësit gati 50 vjet më parë.

Interpretuesi i “Këngës së marinarit” u rikthye para publikut shqiptar me të njëjtin sukses në një koncert të organizuar verën e kaluar në sheshin “Taulantia” të qytetit bregdetar. Planet krijuese janë shumë dhe të përgatitura me kujdes deri në vitin 2015, – thotë Zija Saraçi, duke mos rrëfyer shumë detaje mbi programet e ardhshme.

Info/ rrëfime të këngëtarit

Nisja

Jam ngjitur në skenë në vitin 1966, kur punoja në ndërmarrjen e prodhimit të cigareve në Durrës. Isha 16 vjeç, dhe këndova këngën “Gëzuar” të kompozitorit Todi Kutina; më parë kisha kënduar në ndërmarrjen e Gomës.

Direkt, në një pod më të larte të skenës, atë të festivalit të Durrësit, këndova këngën e Hajg Zaharianit “E çiltër”.

Pas pjesëmarrjes me sukses nëë festivalin III të Durrësit, shkrimtari dhe regjisori Gjergj Vlashi më propozoi të debutoja në Estradën Profesioniste.

Pjesëmarrja ime këngëtar me estradën e Durrësit, ishte një kënaqësi dhe një e papritur për mua.

Ne nëntor të vitit 1967 fillova kryerjen e shërbimit ushtarak në Librazhd.

Në repartin ushtarak, kisha dëgjuar se përgjegjës në shtëpinë e kulturës ishte Sherif Merdani, por unë nuk e kisha takuar ndonjëherë.

Një dite kishim provat e grupit artistik të brigadës së Librazhdit në skenen e shtëpisë së kulturës së qytetit.

Në vitin 1970 lirohem nga shërbimi ushtarak dhe me Sherifin do të takohesha vetëm pas një viti në festivalet e Radio-Televizionit dhe ritakimin e parë e kemi bërë, kur unë mora pjesë në Festivalin e 9-të të Këngës në RTVSH.

Në tetor te vitit 1970, mora edhe unë pjesë në konkursin e zërave të rinj.

Ishim 35 këngëtarë konkurrues dhe fituan vetëm tre.

Njëri nga ata të tre isha edhe unë.

Drejt Tiranës

Ishte turneu i parë me estradën e Durrësit, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, ku dhe mora konfirmimin për lajmin e bukur, pasi dola edhe fitues në atë konkurs. Fitova të drejtën për të kënduar në festivalin kombëtar të këngës, që zhvillohej çdo fund dhjetori në Tiranë, traditë kjo, që vazhdon të ruhet edhe sot.

Ishte Festivali i 9-të i Këngës në RTVSH ku unë mora pjesë për herë të parë.

Vitet, kur pjesëmarrja ime në “Anketën Muzikore” të Radio-Tiranës, e cila organizohej çdo të diel para dite, dhe që preferohej gjithmonë e më shumë nga publiku, po më jepte emër dhe repertor të shkëlqyer.

Më1972 incizova këngën “Vajza me fjongo të gjelbër” të Kristo Kotes, kënge që m'u përshtat shumë.

Më 1973 incizova këngën e bukur “Si të quajnë” të Todi Kutinës.

Më 1974 interpretova këngën “Si lule maji” në anketën e famshme të pallatit “Rinia” në Durrës, kompozuar nga Agron Xhunga.

Ajo këngë u pëlqye dhe redaktorët e Radio Tiranës, menduan ta këndoja në anketën muzikore në radio, vetëm me një ndryshim të vogël, sepse i ndërruan titullin, “Krah për krah”.

“Kënga e Marinarit”

Në janar 1975, përsëri për anketën e Radio-Tiranes regjistrova këngën aq të bukur të mjeshtrit të trompës si dhe të kompozitorit, mikut tim Isuf Xhumri, me tekstin e bukur të poetit Moikom Zeqo, titulluar "Kënga e Marinarit".

Ajo këngë, fillimisht u këndua në Festivalin e Këngës në Durrës; variantin tjetër e këndoi Petrit Dobjani, një këngëtar i këndshëm dhe me një vokal potent.

Kënga u prit shumë mire nga spektatori, por nuk hyri natën e tretë finale të festivalit.

Ishin kohët, kur me të vërtetë isha në kulmin e suksesit tim si këngëtar.

Diagrama ime e karrierës së këngës po ngrihej vazhdimisht.

Atë vit, drejtori i pallatit të kulturës në Shkodër, Ferdinand Bushati, më ftoi në një koncert.

Përpara pallatit të sportit pak para shfaqjes kishte shumë njerëz që donin të vinin në koncert edhe pse biletat ishin shitur shumë shpejt.

Fillova koncertin me këngën e Kastrot Gjinit “Bashkë ndërtuam një urë”, pastaj “Si të quajnë”, pastaj këndova “Si lule maji”.

Publiku u ngrit në këmbë, duke duartrokitur dhe fishkëllyer.

Në sallë u dëgjua vetëm "Pzzzz"

Kur fillova të këndoj "Marinari"-n, pashë të rinj e të reja që u përlotën.

Ashtu, si kur marinarët që ktheheshin nga udhëtimet e gjata dhe më ftonin në darkat e mbërritjes.

Në një bisedë kujtimesh për atë kohë mjeshtri Shpëtim Saraçi më pohoi: “Unë isha i vogël atëherë dhe e mbaj shumë mirë mend se si shpërtheu publiku për të parë koncertin, duke rrëzuar edhe dyert. Unë isha pranë dyerve të rrëzuara...”

Të njëjtat suksese kam pasur edhe në koncertet e tjera në Korçë, Tiranë, Berat, Vlorë, Elbasan...

“Mon Kukaleshi”

Në vitin 2009 erdha në Durresin tim.

Ramë dakord me disa kërkesa të vogla modeste të mijat me drejtorin e pallatit të kulturës për mënyrën se si do të ndërtohej një dekor i vogël në skene.

Pas dy ditësh kur unë kisha vëne edhe strishe-posterët në qytet, në skene nuk ishte rregulluar as edhe një dekor sipas fjalës.

Atë ditë, një person, punonjës i teatrit që kishte marrë përsipër rolin e “Mon Kukaleshit” te Qazim Mulleti, në mënyrë indirekte më thotë:

- Zija, në qoftë se do që të japësh shfaqje këtu në Durrës, jepu diçka këtyre dhe do të shikosh ti...

I thashë:

- Jam artist me dinjitet. Largohu, se po ndiej neveri me këto që po dëgjoj. Kur i kërkova drejtorit se ç’po bëhet me dekorin, sepse nesër ne darke kam shfaqjen, ai harroi marrëveshjen, ose bëri sikur dhe më tha:

- Çfarë të të them unë, ne nuk kemi materiale.

- Atëherë, i thashë, - do të shkoj në bashki sepse s’mund të rrezikoj shfaqjen.

Më thotë:

- Shko në bashki, por, sa të jem unë këtu, ti s’ke për të kënduar në skenë...

Kështu pra, kur mbërritëm në këtë pikë ku unë do largohesha nga qyteti im, pa dalë përpara publikut tim, ku për 35 vjet kam kënduar, iu ktheva, duke i thënë:

- Ti mund të jesh një marangoz, një kasap, një këpucar, këtu në këtë institucion çfarë do ti, por pa më thuaj kush të ka sjellë ty këtu?

Shënim: Për këtë shkrim janë përdorur materiale të Gëzim Kabashit dhe Pierre-Pandeli Simsisë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

Kënga e marinarit


Video: 






Një lutje nga Floripresi për Shpëtim Saraçin


download (3)

Kompozitori Shpëtim Saraçi është dërguar dje në Gjermani, për një kurim më të specializuar, pasi pësoi një goditje ishemike në trurin e vogël 10 ditë më parë. Ai ka qëndruar një javë i shtruar në spitalin neurologjik në Tiranë, por mjekët kanë vendosur që ai duhej të kurohet jashtë vendit. Në të gjitha rrjetet sociale ditën e djeshme qarkullonte lajmi për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej kompozitorit shqiptar, si dhe një mesazh për shpëtimin e tij. “Ju lutem shumë, lutjuni Zotit të Gjithësisë për Shpëtim Saraçin. Shpërndajeni sa më shumë këtë mesazh, pasi nuk dihet kujt ia plotëson Zoti lutjen!…” – kështu shkruante miku i tij, këngëtari Sidrit Bejleri. Shpëtim Saraçi është një nga kompozitorët më të njohur në vend. Kompozimet e tij mbajnë firmën e disa hiteve më të njohura pas viteve ‘90-të, kënduar nga emrat më të mirë të muzikës shqiptare. Vitet e fundit ai ka qenë drejtor artistik i Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Më 2010-ën, kënga e kompozuar dhe orkestruar prej tij, “Kënga ime”, e shkruar nga Sokol Marsi dhe e kënduar nga Aurela Gaçe prezantoi Shqipërinë në “Eurosong”. Saraçi është i martuar me këngëtaren Mira Konçi dhe çifti ka dy fëmijë.




Jemi mësuar ta shikojmë gjithmonë të buzëqeshur, ndërsa notat që luan në piano të bëjnë të mendosh se ai nuk mund të përfytyrohet pa muzikën. Fatkeqësisht, këto ditë ai është i heshtur, ndërsa në këto raste kupton se sëmundja ndonjëherë nuk i "fal" edhe këta njerëz. Ti mendon se ata janë imunizuar nga kjo dhe se gjithmonë janë të destinuar të kënaqin publikun. Por jo! Pamja e dhomës nr.3 në Shërbimin e Neurokirurgjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" të bën ta kuptosh mirë këtë. Kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi rri shtrirë në shtrat, ndërsa rreth tij qëndrojnë familjarët. Është bashkëshortja e tij, Mira Konçi dhe motra e kompozitorit të mirënjohur. Ai vetë duket mirë, ndonëse është në gjumë. Ndërkohë që bashkëshortja na konfirmon se tashmë gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet. "Tani është më mirë. Është stabilizuar dhe është përmirësuar", - shprehet bashkëshortja, njëkohësisht këngëtare e njohur e muzikës së lehtë shqiptare.
Në fakt, këmbëngul të mos shkruajmë asgjë, por interesi i publikut në këto raste është më i fuqishëm. Të gjithë pyesin për shëndetin e kompozitorit, ndërsa me shpresë presin një përgjigje pozitive.









Dualiteti i erotikës në letërsinë shqipe


Erosi, ai që mban bashkë Lasgushin me Migjenin


Shkruan :Dr. Anastas Kapurani

Pranëvënia nuk u ka pëlqyer asnjëherë të mëdhenjve në art. Asnjëri prej tyre nuk ka thënë gjer më sot: “Unë i ngjaj këtij apo atij.” Pse kjo bezdi gati “patologjike” ndaj pranëvënies? Edhe pse mund të shfaqet në shumë pamje, kur vjen puna tek të mëdhenjtë, pranëvënia mblidhet kryesisht në një pikë themelore. Dhe pastaj ajo që vjen në dritë, nuk ka asgjë patologjike. Pranëvënia mund të jetë shumë gjëra. Por ajo është, para së gjithash, një gjë: kufi, limit, kufizim. I kujt? I lirisë. Dhe për ta liria është gjithçka.

Po ndaj studiuesit, si është shfaqur pranëvënia? Edhe mes tyre marrëdhënia nuk ngjan të jetë e lumtur. Pasi ndaj studiuesit pranëvënia e vërtetë është shfaqur përherë në esencë vetëm kështu: ajo vjen duke u larguar. Pranëvënia e vërtetë është afri me largësi brenda. Kështu shfaqet horizonti. Dhe pranëvënia e vërtetë e tillë është në thelb: dritë udhërrëfyese, vizion, horizont. Por horizonti nuk lidhet. Pranëvënia pikërisht këtë të vështirë rreh të bëjë: të mbledhë, të mbajë bashkë atë që nga natyra s’mblidhet dot, atë që na shfaqet ndërsa humb, atë që na qaset ndërsa largohet. Ndaj pranëvënia është në elementin e saj dhe mund të na shfaqë gjithë të papriturat e saj. Kjo pasi dy të mëdhenjtë e letrave tona që ne duam të mbajmë bashkë, pasi kushedi kështu bashkë mund të na rrëfehen më mirë, pra: Lasgushi dhe Migjeni duket se janë marrë vesh të na shfaqen vetëm me një kusht të mbrapshtë: o njëri, o tjetri, por asnjëherë të dy bashkë. Po të perifrazojmë një mendim me vlerë të Ismail Kadaresë, do të thoshim se ata kanë ndarë mes tyre Tokën dhe Qiellin dhe ngjajnë të “lumtur” me shortin e tyre…



Dualiteti i erotikës në letërsinë shqipe

Si e ka emrin kjo nyjë apo më saktë ky shkëmb i rëndë që rri në mes të dy anëve, ky shkëmb që ndan për të mbajtur bashkë më mirë? Pranëvënia jonë i thotë vështirshëm kështu: eros apo erotikë. Tani mund fare mirë të pyetet: Erotika mund të jetë çudia që mban bashkë Lasgushin me Migjenin? Pastaj të jetë kjo e takimit të tyre në dukje të pamundur, por erotikë e trazuar streha e përrallshme që energjia e llahtarshme që vjen thellë honit të fjalës së tyre të mençur i hedh ata pa mëshirë në krah të shoqi-shoqit? Dhe, më në fund, a mund kjo erotikë të bartë në trupin e saj jo gjë tjetër, por “të çarën” që na çon drejt e në thelbin e erotikës në letrat shqip?

Erosi apo erotika na del kështu përpara me tërë peshën e frikshme të një demoni të vërtetë. Fjala të tremb, ngaqë mund të ndriçojë aq shumë. Ndaj nuk ka të ikur nga kjo pyetje: erosi, çfarë është në esencën e tij? Na duket se jemi më se të familjarizuar me këtë fjalë. E kemi thuajse përditë rrotull nesh dhe nga kjo fjala ngjan “e shurdhuar”. Mbase erosi ndërkohë na i tha gjithë ç’kishte për të na thënë. Po të shtojmë këtu trysninë vrastare që ushtron mbi të çdo ditë fjala tjetër, aq e afërt si natyrë me ten, pra seksi, pamja bëhet e plotë. Tani seksi është kthyer në një negativitet ndryshe në marrëdhënie me erosin. I çliruar ligsht, seksi tani është përbindëshi i rrugës së madhe, që qytetërimi modern e ka të vështirë ta mbledhë një ditë. Shkurt, si fjalë erosi ngjan i zbrazur, krejt i çmitizuar, i pamister. Dhe, megjithatë, kjo është vetëm dukja, ajo që shihet në të parë. Pasi thellë-thellë erosi i vërtetë është gjithmonë ai i pari, energjia dhe drita zbulonjëse e një demoni të frikshëm.

Po dy të mëdhenjtë e letrave tona si shfaqen në lidhje me erosin brenda vizionit të gjerë evropian? Shih kur dëgjojmë të thuhet “internalizim i trupit kah qenies”, madje pa u shqiptuar mirë kjo frazë-koncept, gjenia krijuese e Lasgushit shkrep në dritë dhe ai na shfaqet ashtu sikundër është: një poet i madh në letërsinë e madhe europiane. Pasi pikërisht këtë fjalë shkëmb të rëndë Lasgushi nuk është se thjesht e merr, por e përvetëson, e bën të tijën me gjithsej, e bën mish-e-gjak-e-dritë të fjalës së tij mahnitëse dhe të vizionit të tij të shquar evropian.



Çfarë thotë Lasgushi për erosin

Thjesht e shkoqur vetëm aq: Dhe hapa shteg-bashkimi nëpër trup/Atë të gojës, plot margaritar/ Atë të dorës, ndritur si zëmbak…/ Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi/ Bashkohesh brenda me përjashtësi/ Bashkohesh jashta me përbrendësi/

Bashkohesh fellë me përjetësi. (Përjetësia)

Ja se ç’është sensualiteti i dritësuar apo erosi në esencën e tij, thotë Poeti i Liqerit. Mrekullisht vetëm aq: një shteg-bashkimi. Shteg, për ku? Për te qenia e trazuar e njeriut. Dhe çfarë bën bashkë ky shteg i përrallshëm, ndërsa shtyhet thellë e më thellë në të errëtit e panjohur? Bashkon njeriun me të Vërtetën e tij të pambaruar. Ky është vizioni i Lasgushit mbi Erosin dhe më gjerë mbi të Bukurën. Ai ngrihet drejt e nga zemra e pashuar e evropianizimit të lashtë.

Po Migjeni?

Migjeni shfaqet gjithë duke dëgjuar urdhrin e poetikës së tij pa të dytë në letrat shqip. Po t’i drejtohemi një fjale të Migjenit, do të thoshim kështu: Ai na shfaqet përherë “me një shikim diskret”. Është fjala e vetme që na ka lënë për të shenjuar qasjen e përkorë ndaj njeriut të tij të zemrës. Ndërsa po t’i drejtoheshim Lasgushit, me siguri do të na thoshte këtë: Migjeni na shfaqet përherë “si pa kuptuar”. Ka përherë një drojë fisnike në shfaqjen e Migjenit. Thua se ai ka merak të mos bjerë në sy për të “paudhat” e mençura që bën, friket se mos tërheq vëmendjen e të tjerëve se “nuk bën kushedi çë,” ja “flet për Erosin!” Dhe atëherë kuptohet që kjo nuk është droja e njeriut të vogël, por droja e lindur dhe e fisme e njeriut të madh që sjell në dritë të vërteta të rënda. Migjeni ka lënë rruginat e mjera të Lagjes së tij të Varfun dhe është ngjitur në mes të maleve. Pse, çfarë kërkon aq larg? Do të mësojë në dukje të vërtetën e plleshmërisë së Natyrës, dëshirën e saj të panginjur dhe të pafund për t’u ripërtërirë. Dhe nga gjithë pasuria e paanë e mëmës Natyrë Migjeni, “si pa kuptuar”, zgjedh një dru të vetëm, sa i natyrës, aq dhe i njeriut, pra që i hap udhë një lidhjeje të dyanshme. Dhe atëherë merret vesh që Migjeni shkon aq larg vetëm për t’iu gjetur më pranë Njeriut. Si i thonë këtij druri? Është Qershia, por sa e flet Migjeni bëhet qershia e tij legjendare. Në raport me Natyrën, çfarë na sjell në dritë qershia? Mbase asgjëkund gjetkë Natyra “me shtatzanë”, sikundër thotë Migjeni, nuk duket më bukur se te qershia ngarkuar me kokrra “bamë kuq si gjaku”. Po kur e sheh njeriu këtë qershi të nusëruar, çfarë mund të vijë në dritë? Shumë gjëra bëjnë ballë, thotë Migjeni. Por mbi të gjitha shkrep në dritë Bukuria e Erosit si ripërtëritje e jetës njerëzore. Të kuqtë e qershisë është tjetër gjë. Poetë të tjerë, p.sh. Burns, parapëlqejnë të kuqtë e trëndafilit për të sjellë në dritë të vërtetën e rëndë të Erosit të tyre. Migjeni ynë parapëlqen të kuqtë e qershisë. Misteri i së kuqes të qershisë ngjan më parë të jetë larguar nga Vajza dhe vajzëria e dehur që mezi ç’pret të bëhet nënë, dhe për t’u mbrojtur më mirë strehohet në trupin e qershisë. Pastaj kur dita vjen dhe qershia zë nusërimin e saj, ky mister të mund t’i shfaqet njeriut më mirë. Këtë sensualitet me dritë Migjeni rreket ta mbledhë në fjalën e tij. Për çfarë? Për të sjellë në dritë të vërtetën e vështirë të Erosit. Po cilën bukuri-perri ka me vete Migjeni për t’i dalë përtej kësaj pune? Dhe këtu shfaqet çudia e poetikës së Migjenit pa të dytë në letrat shqip dhe aq e rrallë në letërsinë e madhe europiane. Këtë barrë të rëndë Migjeni ia beson një Malësoreje të paemër, e harruar mes maleve prej kohësh që s’mbahen mend, mbase që në zanafillë të mjerimit njerëzor. Dhe megjithatë, asnjë shtojzovalle nuk bën dot atë që kjo malësore gjytyryme mund të bëjë. Pse? Sepse ajo është Nusja më shtatzanë e mjerimit shqiptar, Nusja më shtatzanë e mjerimit njerëzor. Thotë Migjeni: “Kur shtrohet nata, dhe ajo shtrohet në shtresat pranë burrit dhe u lëshohet përkëdheljeve të tij mashkullore. Dhe harrohet vuajtja e ditës, uja, në gëzimin e mahnitshëm të një çasti. Këto gëzime të natës i dhanë barrën e randë, por barrën e kandshme, të dashtun, me zemër ngushtë të lidhun…“ Ah, nett, nett! T’errta e të dashtuna! (Qershiat)

Ja se ç’është në esencë Erosi, thotë Migjeni. “Jeta në vetvete përmban një gëzim. Pra, Erosi në esencë është vetëm aq dhe asgjë më shumë: gëzim i të qenunit. Nuk është tërbimi i bishës që s’di nga qenia. Por është gëzimi i njeriut, gëzimi i të qenunit, me një fjalë: gëzimi që të nxjerr jashtë vetes. Për ku? Kah Qenies. Me këtë shkreptimë me dritë ndryshe Migjeni ngjitet në ballkonin e vizionit madhor europian mbi Erosin.

Tani është vendi të risjellim pyetjen kryesore të kësaj sprove, ngaqë mund t’i përgjigjemi. Erosi, ç’është në esencën e tij? Është shteg – bashkimi, thotë Lasgushi. Është gëzimi i të qenunit, thotë Migjeni. Çfarë shikojmë të ngrihet shkoqur para syve tanë? Që në punë të Erosit mençuria që vjen si nga fjala e Lasgushit edhe nga fjala e Migjenit është në thelb një: është energjia dhe drita që të nxjerr jashtë vetes. Kjo ngaqë vizioni i tyre erotik ngrihet mbi vizionin madhor europian. Ky është shtrati solid që mban bashkë Erotikën e tyre. Por ndërkaq, kjo është dhe arsyeja e parë që u jep dorë atyre ta zhvillojnë aq ndryshe Erotikën e tyre të shquar.

*Autori jep mësim në një universitet amerikan në Athinë. Gjithashtu, ka botuar një libër për Migjenin dhe ka marrë “Penën e argjendtë” para disa vitesh, nga MKTRS.

2013/09/17

Agron Gjekmarkaj: Pengu im bisedat e pa arkivuara me At Zef Pllumin



Si kritik i letërsisë në Universitetin e Tiranës, por edhe në shtypin e përditshëm, Agron Gjekmarkaj është tashmë një penë e njohur. I takon shpesh të flasë për të tjerët, për ata që ka njohur dhe lexuar, por asnjëherë për veten si tani përballë pyetjeve të Prustit…



-Cila është ideja jote për lumturinë?

Unë kam një vajzë 16-muajshe, që quhet Sofia. Jam i përhumbur kur e marr në krahë, kur ajo qesh, kur çdo ditë ajo mëson gjëra të reja, kur më thërret në emër. Një ndjesi e paprovuar më parë, që besoj është lumturi. Dikur kam pasur të tjera ide më mistike, më parimore në formë përkufizimesh, por meqenëse pyetja bëhet në kohën e tashme, mund të them që ideja ime fikse për lumturinë është ta shoh Sofinë gjithmonë të qeshur.

-Cila është frika më e madhe?

Pamundësia nëse verifikohet, për ta rritur siç dua vajzën time.

-Kë person të gjallë admironi më shumë?

Ismail Kadarenë.

-Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?

Tjetërsimi i tyre nga halli, kur konteksti i detyron të sillen siç nuk do të dëshironin.

-Ekstravaganca jote më e madhe?

Dëshira për të bërë batuta dhe shkruar mesazhe me qesëndi dhe me to kam bërë armiq boll.

-Cili është udhëtimi yt i preferuar?

Drejt Romës në vjeshtë… sa herë mundem.

-Në ç’rast mund të gënjesh?

Atëherë kur e vërteta do ta plagoste rëndë një njeri…

-Personi që përçmon më shumë?

Është ai tip bashkatdhetari, që denigron çdo gjë të këtij kombi: Gjergj Kastriotin, Rilindjen, Nënë Terezën dhe vlerat europiane të këtij vendi duke i ngritur kulte robërisë otomane dhe pasojave të tij. Po aq edhe atë racë snobi që tallet me Shqipërinë, gjoja si modern e kozmopolit mejhanesh.

-Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?

“Për besë”, si dhe disa fjalë që përdor për humor me miqtë, si: qerrata, qafir, jezit, kopuk, hazër, edepsëz, tutkun, teveqel, ejvallah, pjesë e leksikut tashmë….! Ka pas thënë Fishta: “kaj fjalë turke ban lazem” J

-Pengu yt më i madh?

Kam ndenjur shumë afër At Zef Pllumit në vitet e tij të fundit …duhej të kisha regjistruar çdo gjë, çdo bisedë, çdo mendim dhe nuk e kam bërë.

-Kur dhe ku ke qenë i lumtur?

Kur kam rënë në dashuri me atë që sot është gruaja ime rreth 11 vjet më parë në Romë.

-Në ç’gjendje shpirtërore je tani?

I qetë, në pritje për të dalë nga “robëria” e pushimeve dhe për t’iu rikthyer gjërave të përditshme.

-Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?

Masën e durimit. Do të doja të isha më i durueshëm.

-Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?

Studimet në “La Sapienca”, si dhe punën që bëj aktualisht si pedagog në Universitetin shtetëror të Tiranës.

-Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?

Ky që jam.

-Cili është sendi më i çmuar që zotëron?

Një libër, “Lahuta e Malcis”, me firmën e autorit të dhuruar nga një student i poetit kombëtar dhe një pikturë e Lin Delisë, të cilën e kam shumë për zemër.

-Cilën quan pikën më të thellë të mjerimit?

Egërsinë e njeriut për t’u pasuruar, errësimin e arsyes para këtij qëllimi, shmangien e çdo vlere për ta arritur shpejt këtë objektiv, mohimin e çdo raporti njerëzor në emër të saj.

-Ku do të pëlqente të jetojë?

Më pëlqen Tirana, por do të doja të jetoja më shumë te shtëpia e prindërve në Ishull Shëngjin të Lezhës, për të qenë më afër atyre dhe për të shijuar një natyrë të mrekullueshme, fryt i punës së tim eti dhe pak më shpesh në Romë, ku kam kaluar vite tejet të rëndësishme të jetës sime.

-Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?

Mësimdhënia, natyrisht….dhe menjëherë pas kësaj të shkruarit, prezenca në shtypin e përditshëm kur kam ndonjë gjë për të thënë, përndryshe, Zot na mbaj gojën mbyllur.

-Cila është karakteristika juaj më e spikatur?

Të ecurit prej malësori ose siç thuhet rëndom prej “maloku”, si dhe krenaria legjitime, ajo që buron nga kjo origjinë!? J

-Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?

Kur sakrifikon diçka për mikun.

-Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?

Përkorja, d.m.th. mospërdorimi i bukurisë për arrivizëm.

-Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?

Po i ndaj. Në letërsinë shqipe Pjetër Bogdani, Jeronim de Rada, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Ismail Kadare, At Zef Pllumi, Martin Camaj, Zef Zorba, Anton Pashku, Preç Zogaj, Bardhyl Londo, sigurisht edhe të tjerë, ndërsa në letërsinë botërore Dante, Pirandelo, Italo Svevo, Heminguej, Kamy, Borges, Kerlezha, Fuente e shumë sivëllezër të tyre.

-Cili është heroi juaj në art dhe kulturë?

Nuk kam heronj-autorë, por personazhe që ata kanë krijuar. Padyshim më i dashuri për mua është peshkatari që ndjek peshkaqenin deri në zvenitje te “Plaku dhe deti” i Heminguejit, ndoshta ngaqë edhe im atë është peshkatar në profesionin e tij dhe gjithmonë në jetë i është dashur “të rendë pas peshkaqenit”, për të na rritur shkolluar e nevoja të tjera.

-Cilët ke heronj në jetën reale?

At Zef Pllumin dhe Ibrahim Rugovën.

-Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?

Të pështysh për tokë, fakt me të cilin ndeshemi shumë në qytetin tonë. Një tjetër gjë ndaj së cilës jam armik, është mosnjohja e aftësive të dikujt kur ai i ka ato, duke i paragjykuar origjinën, vendlindjen, bindjet politike, statusin social etj. Nuk më pëlqen fare sjellja e një kategorie tjetër njerëzish, një batalion rrahagjoksesh, që i ngjishen pushtetit si m… pas këpucës dhe emrat e liderëve politikë, të fëmijëve të tyre i përdorin, me shkurtime, gjoja me intimitetin e besimit të ndërsjelltë, me natyrshmërinë e gënjeshtarit dhe adhurimin e servilit për t’u bërë vetë të përveçëm në sytë e shoqërisë si të besuar të tyre.

-Si do të të pëlqente të vdisje?

Mendoj çdo ditë për jetën dhe nuk mendoj kurrë si do të vdes, veç tani që përgjigjem, them se mjafton që ajo të jetë sa më larg meje dhe të vijë si fund i natyrshëm i jetës biologjike “si mbarim ditësh” dhe jo si aksidentale me “deus ex machina” .

-Cila është motoja juaj?

Asnjë ditë të mos i ngjajë tjetrës dhe të mos mbetem kurrë pa miq.

Dramë

Titulli: “Me dyer të mbyllura” dhe “Miza”

Autori: Jean Paul Sartre

Përktheu: Diana Çuli

Shtëpia botuese: “Fan Noli”



Diana Çuli sjell në shqip dy drama të Sartrit

Vijnë në shqip dy drama të Zhan Pol Sartrit, “Me dyer të mbyllura” dhe “Miza”. Në këto vepra Sartri doli me shprehjen e famshme dhe shumë të diskutuar: Ferri janë të tjerët. Tri shpirtra të mallkuara, Garcini, Inesi dhe Estela, janë sjellë në të njëjtën dhomë në ferr nga një shërbëtor misterioz. Ata të gjithë prisnin tortura të tmerrshme për t’u ndëshkuar në përjetësi, por ndërkohë gjejnë një dhomë të modeluar në stilin e perandorisë franceze. Të dy shpirtrat, Garcini dhe Estela, nuk pranojnë të shpallen fajtorë, vetëm Inesi u kërkon të mos gënjejnë veten e të pranojnë krimet e tyre. Pasi debatojnë për një kohë të gjatë, ata vendosin të tregojnë krimet e tyre. Të tre krijojnë në këtë dramë situata të vështira. Ndërsa “Miza” është një pjesë e shkruar në vitin 1943 dhe është motërzim i mitit të Elektrës. Pjesa e shkruar nga Sartri rrëfen historisë e Orestit dhe motrës së tij, Elektra, në përpjekje për t’u hakmarrë për vrasjen e babait të tyre, Agamemnonit. Këto dy drama të Sartrit vijnë në shqip nga shkrimtarja Diana Çuli.



Poezi

Titulli: “Stinët e humbura”

Autori: Pavle Goranoviq

Përktheu: Dimitrov Popoviq

Shtëpia botuese: “Onufri”



Poezia bashkëkohore malazeze edhe për lexuesin shqiptar

Përmbledhja e poezive të poetit malazez Pavle Goranoviq, me titull “Stinët e humbura”, është botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia e njohur botuese “Onufri” në Tirana.

Vargjet e Goranoviqit në shqip i ka përkthyer profesor Dimitrov Popoviq, ndërsa parathënien botimit e shkroi Anton Gojçaj. Goranoviq është njëri nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë bashkëkohore malazeze, si dhe këshilltar për kulturën i kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviq. Përkthyesi Popoviq përveçse i shqipëroi me mjeshtri, edhe i përshtati poezitë e një shkrimtari malazez që të jenë sa më afër edhe për lexuesin shqiptar. Pavle Goranoviq ka lindur në vitin 1973 në Nikshiq. Është diplomuar në fakultetin Filozofik, dega Filozofi. Shkruan poezi, prozë dhe kritikë letrare. Është autor i shumë zgjedhjeve nga letërsia bashkëkohore malazeze në revistat ndërkombëtare. Aktualisht është drejtor i Entit të Shkollimit të Malit të Zi. Jeton në Podgoricë. “Botimet e poezisë së përkthyer janë më se të nevojshme për qarkullimin e vlerave dhe njohjen reciproke të kulturave të popujve, e veçanërisht të fqinjëve dhe i kontribuojnë vështrimit krahasimtar, por edhe frymëmarrjes së sinkronizuar të vlerave më të spikatura në rajon. Dimitrov Popoviq, pas përkthimit në gjuhën shqipe dhe botimit të Antologjisë së Poezisë Malazeze, me shqipërimin e librit të Pavle Goranoviq, ka vazhduar me sukses misionin e vet, që t’i ofrojë lexuesit shqiptar krijimet më cilësore të letërsisë malazeze”, thotë në parathënien e këtij libri, mr. Anton Gjoçaj

Për poezinë bashkëkohore dhe një libër epitom të saj

Rudolf Marku


Prej kohësh poezia shqipe ka dëshmuar se ka lëvizur bindshëm drejt bashkëkohësisë estetike, por ashtu siç ndodh dendur në kulturën shqiptare në veçanti, që vlerat e vërteta të mbulohen nga pirgu i mediokritetit të stërlavdëruar mediatik, poezia e vërtetë gjallon e fshehur dhe e ndrojtur në faqet e librave, duke dëshmuar qoftë edhe me këtë se është një poezi e vërtetë. Ka ngjarë po ashtu siç ndodh me bukurinë e rrallë dinjitoze femërore, që preferon të fshihet përballë një parade femrash të stërlyera dhe gjoksjashte, të cilat me lehtësi tërheqin vëmendjen e turmës së etur seksualisht… Ka vite që është bërë zakon, që librat lavdërohen në mënyrë proporcionale me mungesat e tyre.


preci

Fillova këto ditë të lexoj një libër që lavdërohej për “befasinë në stil”,- lavdërim pa dashje ambig, që me siguri, sipas artikullshkruesit, nënkuptonte mrekullinë stilistikore të autorit, në një kohe që vërtet libri të befasonte “në stil”, pikërisht për shkatërrimin stilistikor dhe për mënyrën artizanale të përdorimit të fjalës e të sintaksës dhe për shijen e keqe estetike. Por, le të kthehemi përsëri te librat poetikë dhe te poezia shqipe e viteve të fundit. Shoqëria shqiptare, e kapur në një ngrirje të çuditshme të kohës, i ka mbyllë prej vitesh sytë, me dashje a pa dashje, përballë njësive të reja të letërsisë dhe sidomos të poezisë. Librat poetikë të Zef Zorbës, Frederik Reshpes, Preç Zogajt, Ndoc Gjetjes, Arian Lekës, Agron Tufës, Bardhyl Londos, Visar Zhitit, Sadik Bejkos, Luljeta Lleshanakut, Gentian Çoçolit, Parid Teferikut, Rudian Zekthit, Moikom Zeqos, kanë bërë që poezia shqipe të ketë evoluar bindshëm drejt poezisë moderne, drejt asaj poezie që mbështetet në ritmin e gjuhës së folur, që i largohet me një instinkt të shëndoshtë fabulës dhe rrëfimit, aq të stërlavdëruara në viset e kritikës tonë, madje si virtyte të një poezie kombëtare dhe popullore; një poezi që ka një zhargon tjetërsoj, e cila afron intensitetin emocional me sofistikimin gjuhësor dhe stilistikor, një poezi e cila, duke qenë më tepër një përvojë private emocionale, jo vetëm që nuk struket në një botë vetjake, por përkundrazi dhe paradoksalisht ngaqë është e tillë, bëhet më e aftë që të ndihet si një eksperiencë emocionale e të tjerëve, në këtë rast e lexuesve. Dhe më duket një shenjë dhe gjest fatlum dhe për t’u shënuar, se ardhja e poezisë së re shqipe për herë të parë këto kohët e fundit, ka bërë që dhe mendimi kritik dhe akademik ta përshëndesë, edhe pse ndrojtshëm, këtë fenomen të ri të letërsisë shqipe. Kam parasysh artikujt e botuar në revistat “Letrat” të Fakultetit Filologjik të Tiranës, “Poeteca” dhe “Alef”, si dhe recensionet për letërsinë bashkëkohore të botuar në faqet e gazetës “Mapo”.

***

Të gjitha tiparet e poezisë se re shqipe të përmendura më lart i shoh të mishëruara më me elokuencë dhe më me luciditet se në çdo libër tjetër në vëllimin e fundit poetik të poetit, prozatorit, eseistit dhe publicistit të mirënjohur Preç Zogaj “Fundi, një fëmijëri tjetër”. Në radhën matematikore të botimeve, ky është libri i njëmbëdhjetë i autorit, po të kemi parasysh edhe librat e përkthyer e të botuar të Zogajt në Francë e në Shtetet e Bashkuara. Por më shumë nga enumeracioni matematik, ky libër bëhet më i rëndësishmi i autorit, dhe sipas mendjes time, njëri ndër librat më të mirë të poezisë shqipe, falë përqasjes unike të poezisë, preokupimit detajor dhe strukturës poetike, intensitetit emocional, logopoeia-s dhe imazheve të papritura, artikulimit lehtësisht të natyrshëm të zërit poetik, si dhe preokupimit të vazhdueshëm të poezisë për nga detaji dhe struktura poetike. Ashtu siç ndodh me poezinë e vërtetë, e cila flak dhe injoron tonet e lehta, për t’u përqendruar tek thelbi i shpirtit të njeriut, poezitë e këtij libri i kanë bërë të vetat natyrshëm dy temat më madhore të poezisë, që në fakt janë një temë e vetme: Dashurinë dhe Vdekjen. Pjekuria e poetit? Përvoja e moshës? Apo pjekuria e poezisë?

Mendoj se libri i fundit poetik i Preç Zogajt shpreh një vazhdimësi të admirueshme të tematikës dhe unitetit poetik të krijimtarisë së mëparshme. Mbaj mend botimin e ciklit të parë poetik të tij, shumë e shumë vite më parë, poezitë e një tetëmbëdhjetëvjeçari pothuajse të panjohur. Poezi që imponoheshin me freskinë, sinqeritetin, natyrshmërinë, varietetin e formës, tonit dhe zërit poetik. Një poezi spontane, jashtëzakonisht spontane, që sillte një sensibilitet jo të zakonshëm, të shprehur me teknikën e pyrotheknikës, të zjarreve që flakërojnë përkundrejt qiellit të errët. Dhe mbi të gjitha, ngarkesa emocionale e rrallë, ngase është një sensibilitet i besueshëm i një përvoje vetjake. Në librin “Fundi, një fëmijëri tjetër”, (…në fundin tim është fillim im – na kujton T. S. Elioti i mirë në “Katër kuartet”) trishtimi, vdekja, vetmia, dashuria që shoqërohen me ndjesinë e pasigurisë tragjike të dashurisë së vërtetë, jo asaj shtirake, janë sublimuar në poezi përmes sofistikimit gjuhësor dhe stilistikor. Poeti është i vetëdijshëm, sidomos për fatin tragjik që e shoqëron poetin bashkëkohës shqiptar, por dhe më gjerë, poetin si qenie e vetmuar: “Poetët bashkëkohorë i shkruajnë pak njëri-tjetrit/ Takohen rrallë në holle hotelesh, oborre muzeumesh, kështjellash/…Fëmijë pa shekull/Çetë pa mbretër”, – qoftë dhe vetëm në këto pak vargje mund të shihnim qartë bashkëpeshimin e tragjikes me shpirtëroren, intonacionit sa sublim, aq dhe ironik, zërin e natyrshëm të poetikës vetjake, kalimet kapriçoze të sintaksit poetik, fjalëve të të folurit të përditshëm (flasin, shikohen, përshëndeten, largohen).

Cili do të ishte përkufizimi i tiparit më dallues i poezisë së Preç Zogajt në këtë libër?

Mendoj se e gjithë struktura e poezisë së tij përkufizohet nga intensiteti emocional, sinqeriteti dhe natyrshmëria e admirueshme, kërkimi i vazhdueshëm i shprehjeve dhe intonacioneve të reja poetike, eleganca e verbit poetik, që vjen drejtpërdrejt nga sensibiliteti i ndjenjës. Janë këto tipare që formësojnë dhe trajtësojnë dhe strukturën poetike, sintaksin poetik dhe verbin poetik të tij. Intensiteti emocional është aq i thellë dhe aq i besueshëm, sa të jep përshtypjen se poeti është një njeri i dashuruar në çdo çast, në çdo moment të jetës së vet. Nuk ka rëndësi nëse është i dashuruar me një grua hyjnore, me kujtimin e një dashurie, me trishtimin, a me vetë vdekjen dhe tragjizmin e saj: Me dashte duke qarë - thotë ai në fillimin e një poezie, duke dëshmuar kësisoj, se sekreti i poezisë së vërtetë, ashtu si dhe i vetë jetës, qëndron në alkiminë e bashkimit në një të trishtimit me lumturinë, të vdekjes me dashurinë, të qenies me mosqenien. E gjitha kjo e sublimuar përmes ritmit dhe strukturës poetike aq të veçantë e vetjake të poezisë, e cila, pa qenë e nevojshme, shënohet si poezia e Preç Zogajt (them e panevojshme, sepse që me vargun e parë poezia e ka shpallur autorësinë e poetit).

Libri “Fundi, një fëmijëri tjetër” i Preç Zogajt jo vetëm që dëshmon për një libër të rrallë poetik në letrat shqipe, por ai vjen tashmë jo si një paralajmërim i shenjave të qarta, por i provës më të sigurt, që nuk mund të injorohen me mbyllje sysh a me marifete të tjera të klimës së sotme, të pjekurisë së poezisë shqipe dhe i vetë letërsisë shqipe.

Drejtësi për një shkrimtar të madh si Kadare

The Times Literary Supplement “TLS”, e cila botohet në Londër, e vetmja revistë e përjavshme letrare që ofron mbulim të plotë të botimeve më të fundit dhe më të rëndësishme në disa gjuhë, në shumë fusha, jo vetëm në letërsi por edhe teatër, opera, ekspozita dhe filma, ka botuar së fundmi një kritikë të Morelle Smith mbi librin e shkrimtarit anglez Peter Morgan, “Shkrimtari dhe Diktatura, 1957-1990”, një libër biografik kushtuar shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Libri i titulluar në origjinal “The Writer and the Dictatorship, 1957-1990”, është botuar nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër.

Në kritikën e saj, Ms. Smith citon: “Pjesërisht histori, pjesërisht biografi, e pjesërisht kritikë letrare, Ismail Kadare: Shkrimtari dhe Diktatura, 1957-1990, është një libër interesant, i cili na fut në proceset krijuese të shkrimtarit shqiptar dhe betejës së njeriut të mprehtë, ndërmjet tij dhe udhëheqësit të regjimit stalinist shqiptar, Enver Hoxha. Fillimisht, i mirëpritur nga Kadare dhe të tjerët si një forcë pozitive për liri, pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria e Hoxhës shpejt tregoi fytyrën e saj të vërtetë, duke i marrë udhëzimet për drejtim nga ish-Bashkimi Sovjetik, ku Kadare ishte dëshmitar i persekutimit, ndërmjet të tjerëve edhe të Boris Pasternak, dhe të denoncimit të shkrimtarëve nga shokët e tyre shkrimtarë, të cilët dështonin ta tundnin literaturën e “aprovuar”. Në vend që të konfrontohet apo të largohet në mërgim, Kadare zgjedh të qëndrojë dhe “të mohojë diktaturën, kujdestarin e vetëm të zërit të shqiptarëve”. Historitë e tij përshkruajnë realitetin e frikës dhe presionit dhe shkëputjen e vendit nga rrënjët etnike, të cilat përshkruheshin në tregimet folklorike, zakonet dhe muzikën e vendit. Kadareja mbijetoi, shpjegon Peter Morgan, për arsye të “një besimi të jashtëzakonshëm në aftësitë e tij si shkrimtar”. Ai e pa veten si “hije” të diktatorit dhe për të përcjellë mesazhin përdori alegorinë në novelat e tij, zakonisht të nxjerra nga mitologjia greke. Por ai nuk mundi t’i shpëtojë censurës. Atij iu kërkua të bëjë vetë kritikë dhe u dërgua në terren të jetojë “bashkë me popullin”. Këto ndëshkime ishin të lehta në krahasim me dënimet që iu dhanë të tjerëve për provokime edhe më të vogla. Të mos shkruante gjë fare ishte e rrezikshme: kritikat ndaj regjimit, të zbuluar në një fletore me shënime personale, e çuan për 17 vjet në burg Fatos Lubonjën, ndërkohë që poetët e rinj Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka “u pushkatuan për faktin se kishin shkruar poema që ishin shumë lirike”. Morgan është fokusuar në librat që Kadare shkroi gjatë kohës së diktaturës ndërmjet viteve 1957-1990, dhe merret qoftë edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe me terma alegorikë me temat e pushtetit dhe shtypjes. Ai jep një analizë të thellë dhe të zgjuar letrare të romaneve “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përbindëshi”, “Kronikë në gur”, dhe “Pallati i ëndrrave”, dhe i konsideron efektet demoralizuese të frikës dhe pasigurinë e një populli që jeton nën tirani. Kadare thekson se rrënjët e Shqipërisë janë në Ilirinë e lashtë (e ndarë në origjinë me Greqinë) dhe këmbëngul që vendi i vërtetë i Shqipërisë është në Evropë. Libri i Peter Morgan është jashtëzakonisht i mirëhulumtuar, me shënime të bollshme, të cilat jo vetëm bëjnë drejtësi për një shkrimtar të madh, por na ftojnë të studiojmë shkrimtarë të tjerë shqiptarë, puna e të cilëve po bëhet gjithnjë e më e vlefshme në përkthim. Letërsia shqiptare duket se më në fund po gjen një zë në Evropë. Morel Smith është nga Skocia dhe ka studiuar në Universitetin e Edinburgut dhe aktualisht jeton në këtë qytet. Ajo është prozatore, poete dhe përherë e pranishme në shtypin britanik me ese dhe reportazhe udhëtimi. Poezitë dhe tregimet e saj janë përfshirë dhe në Antologjinë e Poeteve Skoceze. Ajo ka fituar çmime të ndryshme ndërkombëtare për poezinë.

Ismail Kadare: Kombet sulmohen, por sulmi nga vetvetja është më i rrezikshmi

Kombi  shqiptar e ka vendin në Evropë, dhe diskutimi rreth kësaj çështjeje është absurd për shkrimtarin Ismail Kadare. Sipas tij, është e natyrshme që kombet të sulmohen në mënyrë të paparashikueshme, nga lloj-lloj rrethanash, shpesh nga vetvetja, e ky është sulmi më i rrezikshëm. Shkrimtari Ismail Kadare i bëri këto komente gjatë një ceremonie në Universitetin AAB në Prishtinë, ku iu dha çmimi “Ali Podrimja”, një çmim që jepet për herë të parë në kujtim të poetit, i cili ndërroi jetë një vit më parë në Francë. “Letërsia nuk rregullon punët e një kombi, letërsia nuk rregullon punët e një shteti, nuk rregullon punët e partive, prandaj ajo është mirë që të qëndrojë jashtë tyre, ajo ka vlerë si vlerë e pavarur në radhë të parë, si një vlerë paralele, si një botë paralele. Por, ka stinë në jetën e popujve kur kanë nevojë për të dhe atëherë letërsia e thyen zakonin e saj të pavarësisë dhe përzihet në punët e kombit. Kështu është përzier letërsia shqipe në 120 vjet përpara, 150 vjet përpara, në kohën e Rilindjes Kombëtare, kështu duhet të përzihet përsëri kultura shqiptare sot, kur kombi shqiptar ka një problem serioz”, – tha ai. Dhe ky problem serioz, për shkrimtarin Kadare është debati i rrezikshëm nëse kombi shqiptar e ka apo jo vendin në Evropë. Sipas tij, kombi shqiptar është i vetmi komb ndaj të cilit ka pasur përpjekje për ta nxjerrë nga kontinenti. “Kombi shqiptar e ka gjeografinë e vet, vendin e vet në Evropë, historinë e vet e ka në Evropë, qytetërimin e ka pjesë të qytetërimit evropian dhe nuk ka pse të shtrohet ky absurditet, që është makabër po ta shikosh nga një anë, të një populli a duhet të jetë në Evropë, apo duhet të dëbohet. Në pjesën e tij më barbare formulimi është bërë i tillë që kombi shqiptar s’e ka vendin këtu dhe nuk është keq që të dëbohet nga kontinenti. Kjo kaherë është quajtur shpërngulje, herë dëbim, dhe drama e fundit ka qenë para katërmbëdhjetë vitesh, kur u bë përpjekja e fundit për ta përgjysmuar një pjesë të tij, për ta nxjerrë nga Evropa”. Por kjo, sipas Kadaresë, nuk e bën kombin shqiptar të pafat. Sipas tij, kombet, si çdo gjë tjetër janë të vdekshëm dhe ata që janë të gjallë do të thotë që kanë triumfuar mbi një të keqe të madhe që e sulmon gjithmonë kombin. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, shkrimtari Ismail Kadare pati një takim dhe me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit, sapo ka mësuar për vizitën e shkrimtarit në Kosovë, e ka ftuar në rezidencën e saj në Prishtinë. Në këtë takim ata diskutuan për çështje të ndryshme politike, shoqërore dhe kulturore, si dhe mbi proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova. Pasi i uroi mirëseardhjen në Kosovë dhe e përgëzoi për marrjen e çmimit kombëtar “Ali Podrimja”, presidentja Jahjaga u shpreh se është një nder i madh për gjithë Kosovën vizita e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, vepra e të cilit vazhdon të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat. Ajo u shpreh se kontributi i zotit Kadare për Kosovën në shtypin dhe diplomacinë botërore është i jashtëzakonshëm dhe me ndikim të madh. Ndërsa shkrimtari Kadare u ndal në perspektivën europiane të Kosovës, Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit, duke theksuar se kjo është zgjidhja e natyrshme për secilin vend të rajonit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...