Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/11/17

I madh apo i famshëm


KGazmend Krasniqioncepti i sistemit letrar shqiptar na jep “të tashmen e letërsisë”, sipas një termi të Jakobsonit, e cila:
  1. Prodhon vepra – ekziston një listë e gjatë e veprave që e kanë pasuruar në vazhdimësi letërsinë shqipe;
  2. Riaktualizon vepra – studimet apo dhe vetë krijuesit e kanë hedhur herë pas here vështrimin nga tradita, për ta rivitalizuar atë, siç ndodh, për shembull, me letërsinë e sotme që i është drejtuar letërsisë së viteve ’30, apo letërsisë së krijuar jashtë dogmave të realizmit socialist;
  3. Importon vepra – këtë e tregojnë raportet e herëpashershme me letërsitë e Lindjes apo të Perëndimit, duke marrë shumë veçori që i ka natyralizuar si shqiptare;
  4. Përjashton, nuk merr as nga veprat kombëtare, as nga veprat e huaja – vazhdimisht largohen nga qendra e sistemit vepra të imponuara dhunshëm (sidomos në periudhën e realizmit socialist), apo vepra që kanë depërtuar në saje të ndonjë prapambetjeje kulturore të momentit, të cilat kanë qenë të parëndësishme për sistemin letrar shqiptar.
Që jemi larg formësimit të sistemit real letrar shqiptar e tregojnë shumë manifestime të mendimit kritik: çmimet e ndryshme, rekomandimet e leximeve për shkollat, që u nënshtrohen debateve pambarimisht, sa herë ndërrohen në krye të Ministrisë së Arsimit, etj. Pse ndodh kjo? Në ditët e mbushura me mistifikime e çmistifikime nga më të rëndomtat, që anojnë pothuajse gjithmonë nga biznesi, ngjarjet e mirëfillta letrare rrezikojnë të anashkalohen. Që të gjejmë mundësi ilustruese: shembujt janë të shumtë, po pse përjashtohet, bie fjala, një roman si “Oh” i Anton Pashkut? Ky libër i cilësuar si xhojsian, me aftësinë për t’ua prerë rrugën shkrimtarëve naivë, që kërkon kritikë e studiues të në kalibri tjetër, të cilët do të çonin peshë gjithë superstrukturën e letrave shqipe: të bie ndërmend pyetjen:i madh apo i famshëm?
Kritika dhe studimi shqiptar, të sfilitur prej sociologjisë të letërsisë, në këtë libër përballen me strukturën e paparë dhe mundësitë e mëdha shprehëse të shqipes artistike, gjëra që përcaktojnë dinamikën e re te hierarkia e ardhur nga realizmi socialist e “lufta e ftohtë”. Kjo vepër pikante moderniteti shqiptar i ka mundësitë të zgjojë reflektime në të gjitha kahjet e atmosferës letrare deri në tekstet dhe antologjitë shkollore, ku, në të vërtetë, siç dihet, duhet të nisë gjithçka, nëse duam të orientojmë drejt kulturën dhe njërën nga shtyllat e saj, letërsinë. Nëse letërsia shqiptare ka mjaft autorë që shërbejnë për të rritur numrin e lexuesve, çka, sidoqoftë, është një kontribut, ajo ka edhe autorët e vet cilësorë, nga të cilët pret vlera reale dhe shtysa për zgjerimin e hapësirave të saj krijuese, duke hyrë në raporte serioze me letërsinë më të mirë bashkëkohore.
Rasti i Anton Pashkut, heshtja dhe ishullimi i të cilit shpjegohen vetëm me anë të vetëdijes së lartë artistike, është rasti i shkrimtarit tipik që vjen në ndihmë të shpjegimit se e ashtuquajtura “famë”, me të cilën abuzohet vend e pa vend, shpesh deri në alergji, është një shumë keqkuptimesh, gjithmonë jashtëletrare. Prandaj, nëse kultura modeste shqiptare, gjithsesi e përmbushur nga shpirtra të mëdhenj, kërkon fytyrën e saj të vërtetë në kushtet e një lirie politike dhe ideologjike, pas pesëdhjetë vjetëve nën diktatin e totalitarizmit, duhet të përvijojë më së fundi kriteret e saj të sakta që e shohin letërsinë vetëm si letërsi, ku do të kuptojë se gjithë kjo zhvendosje që kërkohet te mendësitë e ngulitura thellë nuk është e lehtë, sepse kërkon strukturat e duhura, me mungesën e të cilave po spekulohet për ditë. Por arsyeja dhe vullneti i mirë do të mund të vendosnin piketat e para. Rasti i një prozatori të plotësuar si Anton Pashku i jep letërsisë shqiptare mundësinë të fitojë lexues më cilësorë, çka do të ishte nderi i një kulture si kjo e jona, çka do të hiqte mundësinë e vazhdimësisë së spekulimeve të lodhura akademike e mediatike shqiptare, sepse rasti i mësipërm është rasti i një fenomeni të buruar natyrshëm, jashtë çdo fabrikimi a klisheje të paracaktuar diku, jashtë çdo inferioriteti të mjerë a superioriteti për të qeshur.
Duhet të jetë e qartë për të gjithë se Anton Pashku nuk ka nevojë për ne, veprën e tij prej artisti brilant e ka mbyllur vdekja fizike, por jemi ne të gjithë, aspiruesit e të vërtetës artistike, që kemi nevojë për të: për të vënë në dukje gjeninë e gjakut e mundësitë e pashtershme të shqipes artistike, sepse ai i përket atij grupi të vogël artistësh konsekuentë (raste fatlume për çdo letërsi), te të cilët s’ka vlerë numri i faqeve, por shkuarja drejt fuqisë më të epërme të artit të tyre, art që, ashtu si vera e mirë, do t’i shfaqë cilësitë me kohë. Do të ishte i pafalshëm për ne besimi i verbër ndaj një kohe prej konsumizmi të cekët si kjo që kalojmë: edhe tradita jonë ka shembuj të shumtë të daljes në dritë të figurave të saj pas shumë vitesh, por unë dua të marr një shembull nga një kulturë e madhe siç është ajo franceze. Libri “Lulet e së keqes” i Sh. Baudelaire (1821-1867) përfillet ngado si një nga pranverat më të mira të letërsisë moderne, por tek Marcel Raymond, autori i librit të njohur “Nga Baudelaire në Surrealizëm”, do të gjesh frazën “… me 1905 Baudelaire ende nuk përfillej si një autoritet…”
Vlera e vërtetë e artit vepron ngadalë dhe, padyshim, shkrimtarë si Anton Pashku kanë shtatin e njeriut të së ardhmes, të asaj të ardhmeje ku me siguri do të flasim më shtruar dhe më bindshëm për të “tashmen e letërsisë”.

Stenda UET-Press/ Jo vetëm letërsi, interes i lartë për botimet shkencore


Studentë kryesisht, por dhe lexues të të gjitha moshave këtë panair kanë shfaqur interes të veçantë për botimet shkencore, kryesisht ato që vijnë nga bota akademike.
belina budiniPanairi i Librit nuk është vetëm një panair i letërsisë. Librat  shkencorë, libra universitarë, revistat shkencore apo studimet e studiuesve shqiptarë e të huaj mbi fusha të caktuara janë ato që tërhiqen nga lexuesi në heshtje pa bujë, pa autografe. Studentë kryesisht, por dhe lexues të të gjitha moshave këtë panair kanë shfaqur interes të veçantë për botimet shkencore, kryesisht ato që vijnë nga bota akademike. Dhe ku më mirë se në stendën e botimeve të Shtëpisë Botuese UET-Press do të kishin mundësinë për të gjetur gjithçka që kërkonin që nga ekonomia, jurisprudenca dhe shkencat e komunikimit. Ana dhe Ervisi janë studentë në fakultetin Ekonomik në Universitetin Publik. Kur i pyetëm pse e blenë librin “Shteti apo Tregu”, të Prof. Dr. Adrian Civici, ata sqaruan se u duhet për shkollë. Nuk e kanë si lëndë të veçantë universitare, por për ata studentë që kërkojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej leksioneve bazë që merren në auditorë, UET-Press ofron një gamë të gjerë botimesh shkencore nga emrat më të njohur në vend, siç është ekonomisti Civici, por dhe përkthime të autorëve më të mirë të huaj, që jepen si lëndë në universitetet më prestigjiozë në botë.
Libri më i ri studimor që ka tërhequr vëmendjen, i prezantuar në këtë stendë, ishte ai i studiueses së re Dr. Belina Budini, me një titull grishës dhe me një konceptim po aq grishës për lexues të të gjitha kategorive e moshave. “Tri kohë të Shqipërisë në TIME (1923-2013) nga Ahmet Zogu te Enver Hoxha dhe Sali Berisha”, është një ftesë për të udhëtuar në kohë dhe për të parë me sytë e një prej revistave më prestigjioze në botë një tablo nga një shekull histori të Shqipërisë. Çdo lexues do të donte ta kishte në bibliotekë një libër të tillë, ndërsa ai është një studim i mirëfilltë në Shkencat e Komunikimit.
Tekstet në fushën e jurisprudencës janë tërhequr gjithashtu shumë gjatë dy ditëve të para të këtij panairi, “E drejta Kushtetuese”, “E drejta publike e krahasuar, “E drejta penale” dhe të tjerë libra të kolanës së juridikut janë kërkuar shumë nga lexuesit në panair”, – thotë përfaqësuesja e UET-Press, Drejtoresha e kësaj Shtëpie Botuese, Valbona Nathanaili. Dhe për çudi nuk janë vetëm studentët ata që janë të interesuar për këto botime, e përligjur kërkesa e tyre për shkak të rëndësisë që paraqesin këta libra, pasi janë shumica e këtyre teksteve jepen në Oxford University, por dhe lexues të ndryshëm që i duan për interesa të tyre profesionale apo akademike.
Revistat shkencore gjithashtu kanë rezultuar se nuk janë vetëm një konsum akademik brenda dyerve të Universitetit Europian të Tiranës. Në panair ka pasur një kërkesë relativisht në rritje çdo ditë për këto revista. Ka nga ata lexues që kërkojnë botimin e fundit të kolanës pasi i kanë numrat e mëparshëm. Universiteti Europian i Tiranës boton disa revista shkencore, përmes të cilave studiuesit dhe akademikët kanë mundësi përdorimi të informacioneve të rëndësishme rreth zhvillimeve të fundit në fushat e tyre: ato janë Jus&Justicia, Economicus, Polis, Sociological Analysis dhe Educatio. Këto revista janë në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, të studentëve si dhe të gjithë të interesuarve në fushat e drejtësisë, ekonomisë, shkencave sociale dhe të edukimit. Krahas përkthimeve dhe literaturës studimore, pjesë e tyre janë dhe punimet shkencore të studiuesve të ndryshëm, si dhe të pedagogëve të UET-it.
“Economicus”, revista shkencore e Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës botohet prej vitesh nën kujdesin e kryeredaktorit të revistës, një prej ekonomistëve më të shquar shqiptarë, Ardian Civici dhe në të vijnë të pasqyruara realitetet, arritjet, zhvillimet dhe sfidat e reja në fushën e ekonomisë, financave dhe shoqërisë në Shqipëri e në botë.
“Sociological Analysis” (Analiza sociologjike) me kryeredaktor Rektorin e UET-it, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, u themelua si përgjigje e zhvillimeve të Shqipërisë në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës në shek. XXI.
“Jus &Justicia”, periodiku i së Drejtës u konceptua për të shërbyer si periodik në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, studentëve, por edhe të punonjësve të praktikës, lindi në vitin 2008. Prej katër vitesh tashmë ajo botohet 2 herë në vit dhe ka fituar fizionominë e një revistë prestigjioze.
Polis është revista shkencore e Fakultetit të Shkencave Sociale në UET, e themeluar që në fillimet e Universitetit Europian të Tiranës. Në faqet e saj “Polis” ka përjetuar dhe reflektuar ndryshimet e mëdha në shkencat sociale shqiptare, në futjen e risive teorike dhe praktike në këto shkenca, hapjen e ciklit të dytë dhe të tretë së studimeve në UET etj.
Educatio; burim akademik mbi çështjet e edukimit. Kjo revistë vjen si një revistë profesionale, me akses të hapur, “peer-review”, e cila boton artikuj shkencorë me cilësi të lartë. Revista ka një bord të shquar editorial dhe siguron mbajtjen e standardeve të larta shkencore dhe një mbulim të gjerë ndërkombëtar. Botohen artikuj të lidhur me të gjitha degët e edukimit.

Mira Meksi: Ky panair i çliruar nga mitingjet e politikanëve

Ky edicion i shtatëmbëdhjetë i Panairit të Librit duket se është dominuar nga autorët burra, megjithatë shkrimtarja Mira Meksi duket se po dominon duke korrur sukses me librin e saj më të fundit “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”- një roman që përzien bashkë në një formulë magjike për të tërhequr lexuesin, fakte historike, mitet dhe gojëdhënat dhe trillin romanesk. Mistika, lavdia dhe dashuria tragjike e mbretëreshës legjendare Teutë. Me afro 4 mijë kopje të shitura, është një nga më të shiturit e këtij panairi.
mira meksiCilat janë konsideratat tuaja për këtë Panair të Librit, dhe a do të kishit ndonjë sugjerim tuajin?
Është një festë e mrekullueshme e librit, e organizuar mirë, ku lexues dhe autorë janë pranë njëri-tjetrit për t’i dhënë ndoshta një dimension tjetër vetë gjallimit të librit. Është një Panair i çliruar nga autorët politikanë; nuk jam kundër autorëve të këtillë, por minimitingjet që ndodhin rreth tyre i zënë frymën librit vetë. Sugjerimi im është që duhet të ftohen në Panair botues të huaj, sepse ka ardhur koha që letërsia shqipe të komunikojë edhe me lexuesin e botës.
Romani juaj në këtë panair, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një nga veprat e mirëfillta letrare më të shitura. Cilës vlerë të romanit ia dedikoni më tepër këtë sukses të tij? A ju ka “munduar” të qenit femër përballë meshkujve për një arritje të tillë?
Gjykoj se disa faktorë kanë luajtur rol në këtë, përpos vlerave të romanit të cilat ende nuk janë shpalosur, në kuptimin që lexuesi i gjerë nuk e ka lexuar; ka vetëm pak kohë që ka dalë në treg. Kam tanimë lexuesin tim, i cili është konsoliduar sidomos me romanin e parafundit “E kuqja e demave”, roman që ka njohur 8 ribotime nga dy shtëpi botuese të njohura. Tema që trajton romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, Iliria e shekullit III para Krishtit, por mbi të gjitha jeta, mistika, lavdia dhe dashuria tragjike e mbretëreshës legjendare Teutë, janë shumë grishëse për lexuesin shqiptar. Po ashtu kombinimi i historikes, legjendave, trillit romanesk në ketë vepër, përbëjnë një faktor tërheqjeje për lexuesit. Nuk i mungon kësaj vepre as paraqitja grafike dhe shtypshkrimi cilësor. Ndonëse jetojmë në një botë maskiliste dhe ne femrave na duhet shumë më tepër punë dhe vlera për t’u barabitur me meshkujt, ka kohë që, siç thashë më sipër, është konsoliduar lexuesi im i përhershëm. Me këtë roman, kam ndjesinë, por koha do ta vërtetojë më mirë, se kam fituar një lexues më të gjerë.
A keni ndonjë informacion se cilat janë grupmoshat apo përkatësia gjinore e lexuesve tuaj? Apo më saktë e blerësve të këtij romani?
Mund të them se ditën e takimit tim me lexuesin, ku u bë edhe seanca disaorëshe e nënshkrimit të romanit, kishte shumë të rinj mes blerësve. Shumica femra. Por nuk mungonte as mosha e mesme dhe pak përmbi të. Nuk mungonin as meshkujt.
Tani ia kushtoni kohën tuaj shkrimtarisë. Kjo bie në sy veçanërisht në romanin  për Teutën e Ilirisë, i cili ju ka marrë një kohë disavjeçare. Ç’do të thotë të jesh shkrimtare në profesion? Si është një ditë pune juaja?
Do të thotë të kesh si aktivitet parësor shkrimësinë, letërsinë. Po, tani e tërë koha ime është për krijimin. Nga koha kur kisha aktivitete të tjera, më ka mbetur zakoni i të shkruarit natën; dhe pjesa më thelbësore e shkrimit tim është natën, nga ora 11gjer më 2-3 të mëngjesit. Zgjohem nga ora nëntë e mëngjesit dhe paraditja më ikën duke lexuar shtypin, të vendit dhe atë ndërkombëtar dhe ndonjë kafe apo drekë me miqtë. Pjesa tjetër e ditës është familja, lexime, përgatitje materialesh për shkrimin e natës, dhe dëgjim muzike. Si të thuash jam bërë shkrimtare profesioniste nëpërmjet këtij romani të fundit.
Mira-Meksi-Mallkimi-i-priftereshave-te-Ilirise-KopertinaNjë roman i tillë historik, për të cilin, siç edhe e keni shpjeguar, keni bërë një punë të madhe kërkimore me dokumentet historike, por jo vetëm, me mitet, gojëdhënat dhe legjendat. Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur ?
Teknikisht, vështirësi jo të zakontë ka patur përcaktimi i regjistrit gjuhësor që duhej përdorur në roman për të krijuar klimën e duhur të botës së largët ilire: përzgjedhja e një gjuhe të pastruar( aq sa të ishte e mundur) prej huazimeve nga turqishtja, dhe e një grupi fjalësh të shqipes së vjetër, kryesisht prej atyre që përkthyesi në shqip i Iliadës së Homerit i ka përdorur me shumë sukses, apo të fjalëve të shqipes të prejardhura nga greqishtja e vjetër dhe ajo e mesme. Një tjetër vështirësi jo e vogël ka qenë përshkrim i detajuar i betejave të Agronit, dhe sidomos të atyre detare të Teutës: përcaktimi i llojit të anijeve, luftëtarëve në to, armatimeve, teknikave luftarake etj. Historiani i lashtësisë Polibi jep vetëm një tablo kryesore të tyre, gjithçka tjetër duhej rikrijuar. Dhe gjithçka duhet të qe besnike e asaj kohe në elementët që përmenda më sipër.
Një pyetje konkrete. Thoni që personazhet kryesore, kronologjia e ngjarjeve, betejat, por edhe ngjarjet janë historike, pra të vërteta. A është historik Demetër Farosi, i dashuri i mbretëreshës Teutë?
Po, Demetër Farosi ishte navarku, komandanti i flotës ilire. Është personazh historik. Ai njihet si i tillë edhe pas luftës së parë iliro-romake, edhe pas daljes nga skena të Teutës. Sa për marrëdhënien e tij me Teutën, aludohet nga historianët e lashtësisë, por edhe nga ata modernë.
A është historik simboli i gjarpërit tek Ilirët?
Pa asnjë dyshim njihet si i tillë nga historianët, të cilët e lidhin këtë simbol me legjendën e vjetër greke të Kadmit dhe Harmonisë.
Një legjende greke të jetë shpjegimi i simbolit të prejardhjes së ilirëve?
Bota helene ishte shumë e afërt me atë ilire, aq sa kufijtë e tyre në shumë elementë mistikë apo kulturorë nuk ndahen lehtësisht. Është koha kur kombet nuk ekzistojnë, kemi vetëm etni, apo përzierje etnish.
Po sa i përket kritikës letrare që bëhet mbi librat tuaj? A ju intereson opinioni i kritikëve letrarë?
Ndonëse kritika letrare nuk është fort e lulëzuar te ne, ka patur të paktën 4-5 kritika të rëndësishme për secilin nga librat e mi. Nuk di të them nëse jam dakord me to, sepse shpesh kanë thënë apo “zbuluar” gjëra në veprën time, të cilat as që më kanë shkuar në mendje; ose janë përpjekur që t’i njohin apo t’i veshin veprës mesazhe të dhëna. Të them të drejtën në fillim kam qenë vërtet shumë e interesuar për opinionin e kritikëve letrarë, sidomos për një lloj bindjeje se mund të më ndihnin për veprat pasardhëse. Tani mendoj se nëse kanë vlerë, ato mund t’i vlejnë lexuesit, jo mua.
 Cili është mesazhi që transmetoni në “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë? A jepni mesazhe në librat tuaj?
Nuk mendoj se jap mesazhe nëpërmjet librave të mi. As me romanin mbi Teutën e Ilirisë nuk i kam dhënë ndonjë mesazh lexuesit.
Personazhet kryesore të romaneve tuaja janë femra. Dy prej tyre, Frosina e Janinës dhe Teuta e Ilirisë janë personazhe historike me peshë dhe rëndësi të ndryshme. Si shpjegohet diçka e tillë? A duhet parë si një qasje feministe e juaja?
Kam përshtypjen se është rastësore, dhe nëse nuk është e tillë, vjen nga fakti që botën femërore njoh më mirë. Jam për barazinë gjinore të individëve në shoqëri, por mbi të gjitha jam kundër “maskilizmit”; dhe për fat të keq, kjo shoqëria jonë njerëzore shfaq shenja alarmante të një maskilizmi të theksuar, e ca më tepër vendi ynë.

Irena Toçi: Te TOENA e ka fituar garën letërsia shqipe


irena tociLibrat e spikatur të “Toenës” në këtë Panair: Mira Meksi “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” – roman që i kushtohet mbretëreshës Teuta të Ilirisë; përmbledhja me ese e shkrimtarit Besnik Mustafaj, “Bishti i kometës”; Zija Çela me romanin e ri “Arkipelagu spiritus”; Paskal Milo me “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Nga përkthimet e rëndësishme kemi sjellë “Për Kinën”, e Henry Kissinger; “Me sytë ulur” të Tahar Ben Jelloun; “Në kafenenë e rinisë së humbur” të nobelistit të këtij viti, Patrick Modiano, “Nekropol” – kryeveprën e letërsisë sllovene nga Boris Pahor, “Druri pa emër” nga Drago Jancar e plot të tjerë.
- A ka TOENA politikat e veta të botimit, në kuptimin e prirjeve për këtë apo atë lloj literature, dhe cilat janë ato?
Toena respekton me konsekuencë të gjitha etapat që bëjnë të realizueshëm, në çdo ndërmarrje të vetën, objektivin apo moton kryesore të punës së saj “Vlerësojmë traditën, promovojmë risitë”.
Në katalogun tonë do të gjesh të botuar autorë klasikë shqiptarë dhe të huaj, autorë të rinj të zbuluar rishtazi, kolana kushtuar visareve të letërsisë shqipe, tregimit të zgjedhur shqiptar, poezisë së zgjedhur shqipe, letërsisë së zgjedhur për fëmijë, librave utilitarë në fushën e historisë, gjuhësisë, studimit letrar, mendimit estetik, filozofik etj. Jemi të vëmendshëm ndaj kërkesave të lexuesve të shumtë, informacion që e mbledhim në mënyra dhe rrugë të ndryshme. Por më duhet të pranoj se, falë specifikës që ka puna që ne kryejmë, një ndërthurje mes synimeve kulturore dhe atyre ekonomike, ndryshe nga biznese të tjera, ne mundohemi t’i rezistojmë zërit të “sirenave”. Kërkesat e lexuesve shumë shpesh mund të të çojnë drejt zgjedhjeve të gabuara nga pikëpamja e vlerave që mbartin edhe pse mund të të sjellin fitimin e shpejtë ekonomik. Dhe kjo është një ndërmarrje me risk të madh në rastin kur ke ambicien për të qenë gjatë dhe me dinjitet në fushën e botimeve. Lojë sfiduese por që të fal një mijë e një kënaqësi, parë në këndvështrimin tim.
A ka një treg të librit në Shqipëri dhe sa i deformuar është ai?
Në Shqipëri ka botues seriozë. Janë të paktë, në fakt, në raport me numrin e madh të të licencuarve që kryejnë këtë punë. Ata, me idealizmin dhe dashurinë e tyre për profesionin që ushtrojnë, kanë krijuar një traditë të bukur dhe serioze në botimet shqiptare. Janë ata që sjellin vit pas viti botimet më të rëndësishme nga autorë të ndryshëm. Sa i përket tregut të shitjes, ai është shumë i çorientuar dhe konfuz, i pasigurt dhe i brishtë, i paparashikueshëm dhe me risk shumë të madh për investimet e botuesve që qarkullojnë e rivlerësohen nëpërmjet tij. Ky treg, thuajse informal, është handikapi më i madh që pengon zhvillimin në fushën e botimeve të librit fizik. Sa i përket tregut të shitjes online – ai është ende në fazën e vet empirike. Gati i pandjeshëm për financat tona.
Cili është libri më i suksesshëm që ka botuar TOENA?
Toena ka botuar në 22 vjet mbi 2500 tituj të rinj që u përkasin gjinive të ndryshme. Janë mbi 2000, autorët që kemi botuar, shqiptarë apo të huaj. Shumë prej tyre kanë prekur suksesin në momente të ndryshme e me vepra të ndryshme. Shumë të tjerë janë qëndrueshëm e në mënyrë konstante të tërhequr dhe të lexuar prej shumë vitesh. E kam fjalën këtu për prurjet nga letërsia. Midis tyre do të veçoja nga letërsia shqipe, si një nga arritjet tona më të mëdha, botimin e çdo romani të ri të shkrimtarit Fatos Kongoli, që pa dyshimin më të vogël është autori më i botuar dhe më i suksesshëm që ne kemi në katalogun tonë; Diana Çuli dhe romani i saj “Engjëj të armatosur”; Ben Blushi dhe romani i tij “Të jetosh në ishull”; Paulo Coelho me çdo roman të tij të botuar nga ne, “Alkimisti”, “Zahiri”, “11 minuta”, “Djalli dhe zonjusha Prym” etj.; Paulina Simons dhe romani i saj “Kalorësi i bronztë” e shumë e shumë të tjerë. Suksesi në punën tonë lidhet pazgjidhshmërisht me suksesin e secilit prej tyre.
Cili është libri për të cilin jeni penduar që e keni botuar?
Për shumë shumë pak zgjedhje në jetë jam penduar dhe asnjëra prej tyre, ju siguroj, s’ka pasur të bëjë me punën që kryej.
Cili është ai libër që nuk mund të rrini pa e botuar, jeni matur, por për një mijë arsye (ndoshta financiare) nuk e keni bërë ende?
Nuk ka ndodhur që deri më sot të kem pëlqyer një libër dhe të mos kem gjetur herët a vonë mënyrën për ta botuar.
Gara letërsi e huaj/letërsi shqipe duket se është fituar nga e para. Pse shqiptarët vazhdojnë të parapëlqejnë autorët e huaj? Apo autorët shqiptarë janë një peizazh i cunguar?
Te Toena prej 22 vjetësh, garën letërsi e huaj/letërsi shqipe e ka fituar letërsia shqipe. Mbi 60 % të botimeve tona e përbëjnë autorët shqiptarë. Ka qenë një linjë editoriale që e kemi ruajtur me fanatizëm dhe me devotshmëri në shërbim të kulturës sonë kombëtare.
Dhe kemi qenë po aq të suksesshëm, në shumicën e rasteve me bilance vjetore më pozitive se shumë prej kolegëve tanë. Dhe ky fakt është përforcuar me kalimin e viteve, edhe sepse gjithmonë e më shumë shqiptarët preferojnë të lexojnë në gjuhët origjinale autorët e tyre të preferuar. Ky është konstatimi ynë.
Panairi i Librit është duke u zhvilluar. Cilët janë disa nga titujt dhe autorët me të cilët TOENA po mundohet të lërë gjurmë?
Për Botimet Toena dhe mendoj për shumicën e botuesve shqiptarë, Panairi i Librit është një traditë e bukur por edhe një stacion i rëndësishëm për bilancet e punës njëvjetore me dhe për librin. Duke e vlerësuar me seriozitetin e duhur këtë ngjarje të përvitshme, ne kujdesemi që të sjellim prurje dhe arritje të reja nga autorë vendas dhe të huaj. Lista e botimeve tona nga Panairi në Panair është e gjatë dhe i kalon të 100 titujt, por unë do të desha të veçoja mes tyre ata që besoj përbëjnë dhe bërthamën e suksesit tonë të përbashkët autor-botues në këtë Panair.
Një nga librat që dua të veçoj që në krye, është romani i ri i shkrimtares Mira Meksi “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” – roman që i kushtohet mbretëreshës Teuta të Ilirisë, me bazë historike, me personazhe sa realë po aq edhe mitikë që evokohen nga shekulli III para Krishtit dhe që vijnë po aq të gjallë dhe dramatikë e plot hijeshi si në atë kohë; përmbledhja me ese e shkrimtarit Besnik Mustafaj, “Bishti i kometës” – një libër që vjen vetëm një vit pas botimit të romanit të tij “Autoportret me teleskop” dhe që vulos rikthimin e tij me kohë të plotë te krijimtaria letrare, pas rreth 15 vitesh heshtjeje; Zija Çela sjell në këtë Panair romanin e tij të ri “Arkipelagu spiritus”. Historiani Paskal Milo, librin e tij të ri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Nga përkthimet e rëndësishme kemi sjellë “Për Kinën” e Henry Kissinger. Nga letërsia e huaj “Me sytë ulur” të Tahar Ben Jelloun, “Në kafenenë e rinisë së humbur” të nobelistit të këtij viti, Patrick Modiano, “Nekropol” – kryeveprën e letërsisë sllovene nga Boris Pahor, “Druri pa emër” nga Drago Jancar e plot të tjerë.

“Corriere della sera” shkruan për romanin e Visar Zhitit

Në gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera” u botua dje një shkrim nga gazetari i njohur Sebastiano Grasso, për romanin e Visar Zhitit “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, i sapobotuar në Itali.
Libri gjendet në Panair në stendat e Omsca-1 dhe italisht në stendën e Institutit Italian të Kulturës me titullin “Il visionario alato e la donna proibita”…
Një roman që shijohet si vera e mirë
Nga: Sebastiano Grassovisar zhitiNuk “lexohet me një frymë” Perëndia mbrapsht dhe e dashura i Visar Zhitit, i porsapërkthyer në Itali nga Elio Miracco (Rubbettino, fq 562, 10 euro). Duhet një javë e mirë. Është një roman që shijohet si vera e mirë. Bën që të mendohesh, të përfshin deri në mallëngjim. Është Kafka dhe është Xhojsi, është modernizmi letrar dhe realizmi magjik, trillimi dhe realiteti. Por është dhe një libër i vështirë, i thellë dhe errët, në shumë rreshta dhe i tmerrshëm, i pazakonshëm, marramendës. I jashtëzakonshëm. Çdo kapitull një tregim më vete, një lloj preludi i një tragjedie të pandërprerë në vendin e shqiponjave. Filluar në Vjenë, dorëshkrimi i mbaruar në Tiranë. Dy personazhet kryesorë: Fotografi diletant Feliks Kondi dhe Ema Marku, e reja gjimnaziste arrestuar sepse mban në qafë një varëse me kryq dhe lexon Biblën dhe libra të tjerë të ndaluar nga regjimi shqiptar i Enver Hoxhës. E liruar, gruaja çohet përsëri në internim, ndërkaq kur nisin gazetat e opozitës, denoncon dhunën dhe torturat e pësuara në burg dhe “shndërrimet” në demokraci të xhelatëve politikë e burokratë.                                                                                                            Feliksi, që do të jetë i pranishëm në gjyqin farsë, mrekullohet nga logjika dhe bukuria e gruas dhe dashurohet. Por policia sekrete vendos ta vrasë. Feliksi luan mendsh, rrëmben arkëmortin e vendos mbi shpinë. Një delir. Në sfond, diktatura. Në realitet kemi të bëjmë me një libër të kujtesës. Pas personazhit të Feliksit është Visari, shtatë vitet e burgut e të punës së detyruar ngaqë kishte shkruar një libër me poezi hermetike “kundër kanoneve të realizmit socialist”. Përshkrimi i burgut të Emës nuk është prodhim i fantazisë, Visar Zhiti e di se për çfarë flet duke e jetuar ashtu si i ati i tij, Hekurani, poet dhe komediograf, të cilit i ishte ndaluar botimi përgjithmonë, ndërsa sot është bërë i njohur si autor.
*   *   *
Feliksi vendos të vijë në Itali. Ndalesa e parë Bari, ku harron valixhen e vjetër për të shëtitur në qytet, që ta krahasojë me Durrësin dhe Tiranën. Pastaj shkon në Romë, në shtëpinë e një miku shqiptar, i arratisur. Në krah të tij fantazma e Emës, me të cilën flet, bën dashuri, viziton vendet që i kishin parë në televizionet italiane. Shpesh nuk kujtohet se ku është: ëndërron të jetë në Francë, në Greqi, në vendet nordike, në Kosovë. Në Bolonjë hyn në një bar, por përplas dhunshëm kokën tek dera e xhamtë. I thotë kamerierit: “Vij nga një vend pis, pse i keni larë kaq mirë xhamat? S’kuptohet porta fare”.
Shqipëria kërkon Europën, por Europa është e pamëshirshme. Nga Roma në Vjenë, Feliksi njeh një librashitëse që i ngjan Emës, por ajo nuk pranon të bëjë dublanten e Emës dhe kështu ai e lë.
Udhëtimi vazhdon. Feliksi ka gjithnjë me vete një dosje me dëshmitë dhe provat e krimeve të diktaturës, përfshirë dhe vrasjen e Emës, që t’ i çojë në gjyqin e Hagës. E fsheh poshtë xhaketës, poshtë nënkresës ku fle, por nuk ia del ta dorëzojë. I dëshpëruar mendon që është nonsens të kërkojë të gjithë atdheun e vet. Kthehet në Vjenë në fundvit, qyteti është në festë dhe pret ardhjen e vitit 2000. Dita, borë, të dehur. Feliksit, të lodhur dhe të ligështuar, i duket se i shpërthejnë flatrat dhe e di veten gjysmë-perëndi, nis të vrapojë nëpër rrugë, në të kundërt me turmat. Makinat rendin. Mbi trotuare pengohet, përplaset me vitrinat, plagoset, përgjaket dhe shqyhet gazit e ia jep vrapit.
Kur ndeshet me një urë të Danubit, vendos të takojë Emën. “Kush i di flatrat e mia?”, pyet përpara se të hidhet në ujërat e ngrirë.
*Përktheu: Eda Agaj

Besnik Mustafaj: Vendosa ta lë politikën për letërsinë


U rikthye në vëmendjen e lexuesit me “Bishti i Kometës”. Vepra e promovuar dje është një përmbledhje esesh, si një udhëtim në kërkim të lirisë së shkrimtarit. Mustafaj u shpreh se egoja e shkrimtarit ka qenë më e forta se ambiciet politike, duke fituar letërsia
Besnik Mustafaj Bishti i kometesNë një ceremoni të vogël në këndin e promovimeve  të stendës “Toena” ku u mblodhën miq, kolegë dhe lexues, u prezantua libri më i ri i Besnik Mustafajt, “Bishti i kometës”.   Një libër me ese, që përfshin kujtime dhe shënime të kohëve të ndryshme, nga fëmijëria, udhëtimet e para jashtë vendit, deri te rënia e komunizmit, parë nga sytë e një prej aktivistëve, i cili ka rastisur të ketë mallkimin e bukur të të qenit shkrimtar. Kështu e cilësoi deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i pranishëm në ceremoninë ku nuk mungonin edhe emra të tjerë të rëndësishëm të Partisë Demokratike, si Ridvan Bode, Fatbardh Kadilli, Fatmir Mediu, Majlinda Bregu etj. Si lexues i parë i këtij libri, Boçi  theksoi se Mustafaj dallohet për të shkruarin e sinqertë. “Ajo që ndrin është sinqeriteti i tij, saqë nuk kursen as ndjesitë e brendshme. Sinqeriteti për Mustafajn duket si një dorëzim dehës. Ai shkruan pa harruar amanetin e gjyshit, i cili i ka thënë që historitë duhet të jenë të vërteta. Në librin e tij kërkon vëmendje edhe Shqipëria postkomuniste. Ai rikthen përjetimet e tij personale, që për shkak të tematikës kanë vlerë përtej personales”, – tha Boçi. Si mik e lexues, ai shtoi se shqetësimi i Mustafajt është letërsia dhe dëmi që
politikani i bën shkrimtarit tek ai.
Më tej, fjalën e mori Mimoza Hysa. Duke i bërë një analizë të shkurtër veprës, ajo tha se e sheh këtë libër të Mustafajt si një udhëtim në kërkim të lirisë së shkrimtarit.
“I ngjan një kërkimi të lirisë nga censura dhe autocensura, nga identiteti kombëtar. Ai e kthen gishtin nga vetja dhe na zbërthehet. Nuk e di nëse si gjini përfshihet tek esetë”, – tha Hysa, duke shënuar se dilemat e dyzimet e veta shkrimtari i gjen tek përkthimi. Këtu ajo përmendi përkthimin e poezive të Omar Khajam dhe Nazim Hikmet. Mandej, Hysa vërejti se Mustafaj e ka përdorur eksperiencën si politikan si një lëndë për shkrimtarin, e nëse gjërat si politikan janë të qarta, kur vjen puna te shkrimtari, ai futet në skutat më të errëta të dyshimit. Vetë autori në fjalën e shkurtër që mbajti u shpreh se ka lënë pa
përgjigje shumëçka në libër. “Kur nuk arrita të zgjidh problemin e kohës mes shkrimtarit e politikanit, ishte shumë problem. Megjithatë, vendosa ta lë politikën për letërsinë. Kuptova që gjatë gjithë kohës, brenda meje egoja e shkrimtarit ka qenë më e fortë, dhe fitoi letërsia. Ai shtoi se tek eseja “Shtrati i Prokustit”, e lindur si ide pas Luftës së Kosovës, ka dashur të zgjidhë marrëdhënien me urrejtjen. Një nga esetë më intriguese në libër është edhe ajo mbi rënien e komunizmit, Strategjia Gorbaçovqë i erdhi Ramiz Alisë dhe ndërhyrja e CIA-s.

Fillimet e Preç Zogajt/ Mbaron tirazhi i parë në Panair, gati botimi i dytë


Libri ka qenë shumë i kërkuar në Panairin e 17 të Librit në stendën e UET-Press, ku tirazhi i parë ka mbaruar që prej ditës së shtunë. Janë shitur më shumë se 1500 kopje në panair dhe 500 nëpër libraritë e të gjithë vendit. Megjithatë, drejtuesit e Shtëpisë botuese UET Press shprehen se kanë gati botimin e dytë të librit “Fillimet”.
prec zogajDuket se bestsellers në këtë Panair të Librit kanë qenë librat me në qendër të pathënat e personazheve historikë. Jo vetëm ata që vijnë nga një epokë tjetër, si ajo e monarkisë shqiptare me Ahmet Zogun, presidentin që u bë Mbret i shqiptarëve, por edhe ata të një historie më të re, që nis atëherë kur ndihej të frynte një erë e fillimeve pluraliste. Libri “Fillimet” i Preç Zogajt, një libër ku trajtohen të gjitha ngjarjet që sollën ndërrimin e sistemeve në Shqipëri nga viti 1990 e deri më 1992 dhe me protagonistët e ngjarjeve, përfshirë këtu edhe vetë autorin, që i sjell të para me një largësi kohore.
Libri ka qenë shumë i kërkuar në Panairin e 17 të Librit në stendën e UET-Press, ku tirazhi i parë ka mbaruar që prej ditës së shtunë. E me keqardhje është dashur të përcillet lexuesi i interesuar. Janë shitur më shumë se 1500 kopje në panair dhe 500 nëpër libraritë e të gjithë vendit. Megjithatë, drejtuesit e Shtëpisë botuese UET Press shprehen se kanë gati botimin e dytë të librit “Fillimet”.
Duket se lexuesit- të interesuar thuhet të kenë qenë të të gjitha moshave- kanë kërshërinë për të parë edhe një tjetër version të ngjarjeve të atyre ditëve nga gjithë sa është shkruar në 24 vjet dhe për të parë edhe pozicionimin e një prej protagonistëve të lëvizjes që sollën ndryshimin në vend. Për të parë nëse ky libër voluminoz është rrëfim i rrëmbyer nga pasioni i asaj kohe i dikujt që luftonte si shumë të tjerë për ëndrrën e madhe të lirisë dhe demokracisë, apo një analizë e ftohtë e ngjarjeve që nuk e fshehin as frymën kritike?
Nuk janë ngjarje të panjohura për lexuesin shqiptar. Në libër vijnë të trajtuara ngjarje si demonstrata e 14 janarit 1990 në Shkodër, demonstrata në Kavajë, eksodi i ambasadave më 2 korrik të vitit 1990, takimi i presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia, me intelektualët e vendit dhe me studentët fill pas shpërthimit të lëvizjes studentore në Qytetin Studenti më 8 dhjetor, dhe shpallja e pluralizmit po aty në sheshin e Qytetit Studenti. Krijimi i Partisë Semokratike deri te zgjedhjet e para pluraliste më 22 mars 1992, dorëheqja e Ramiz Alisë dhe zgjedhja e Sali Berishës si President i Shqipërisë.
Por nga ato që shkruan, duket se pasioni ia ka lënë vendin një kritike të thellë të asaj çka solli pas lëvizja e viteve të para ’90.
Një frymë dorëzimi apo pesimizmi shfaqet edhe në librin e tij eseistik. Ai flet se tradita e klaneve që ka ekzistuar para dhe pas komunizmit e dominon ende shoqërinë shqiptare dhe kjo e mund lirinë. Atë lirinë që Zogaj e shenjtëron që në hyrje të librit të tij, me thënien e famshme të Papa Gjon Palit II: “Lirinë gjithmonë duhet ta fitosh, nuk mundet vetëm ta zotërosh. Vjen si dhuratë, por mbahet me përpjekje”, duket se e pret ende. Si fillimet e një epoke tjetër, që do sjellë vërtet atë liri që ëndërrohej në fillimvitet ’90…

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...