Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/12/31

INTERVISTE: PETRIT YMERI


Zoti Ymeri, meqenëse jeni pjesëmarrës aktiv prej shumë vitesh në Panairin e Librit të Frankfurtit, a mund të na përmendi disa prirje, disa risi që kanë lidhje edhe me botën tonë të librit në Shqipëri?

Do të doja të përmendja që së pari, vendi mik i panairit këtë vit ishte Indonezia, një vend që deri dje quhej vend i botës së tretë, por që ka pasur një zhvillim të madh edhe në kulturë, në botime, por edhe në industrinë e shtypshkrimit dhe që u prezantua në Frankfurt në mënyrë krejt origjinale. Ose mund të përmend shprehjen e famshme të shkrimtarit Salman Rushdie, që gjatë fjalës në ceremoninë e hapjes së panairit tha: “Sot liria e fjalës është në rrezik”. Një gjë që na bën të mendojmë edhe për situatën në Shqipëri, ku liria e fjalës apo pavarësia e shtypit është më e kontrolluar se 10 apo 15 vjet më parë. Këtë vit, në këtë edicion të 67-të të Panairit të Librit të Frankfurtit merrnin pjesë 100 vende dhe 7300 ekspozues. Mund të përmend gjithashtu që ishin të pranishëm nëntëmijë gazetarë ndërkombëtarë, madje 17 % më shumë se në vitin 2014. Në stendën e AIE (Shoqata e Botuesve Italianë) të thoshin që editoria italiane gjatë vitit 2015 ka një përmirësim të dukshëm në krahasim me një vit më parë. Ose se, Qendra italiane e librit kishte një buxhet prej 34 milionë euro. Madje më shumë pra se Qendra Kombëtare e Librit Francez (CNL) me 33 milionë euro. Sigurisht, këto janë gjëra shumë të bukura për t’u përmendur dhe, në qoftë se do kujtonim mungesën e vëmendjes dhe të investimeve për kulturën e librit në Shqipëri, do detyroheshim të vinim duart në kokë.

Sot flitet gjithnjë e më shumë për botimet dixhitale, a ishin të pranishme në Frankfurt?

Tashmë, botimet dixhitale janë pjesë e pandarë e punës botuese. Kur shitet apo blihet e drejta e botimit të librit, bashkë me të apo veçmas tij, është edhe varianti dixhital i librit. Dhe, natyrisht, ky libër është bërë tashmë objekt i anketimeve dhe studimeve të specialistëve të librit. Kështu p.sh., në disa anketa që u bënë publike në Panairin e Frankfurtit, u tha që 26 për qind e përdoruesve të telefonave në Britaninë e Madhe lexojnë libra në telefon; 53 për qind e amerikanëve thonë që lexojnë në telefon më shumë se një herë në javë; 65 për qind e të pyeturve në Britaninë e Madhe thonë se shpenzojnë afërsisht 30 minuta për çdo lexim në telefon; gjysma e amerikanëve të pyetur thonë se shpenzojnë më shumë se 30 minuta në çdo seancë leximi në telefon; kurse në Britaninë e Madhe, 41 për qind e lexuesve të moshës 18-24 vjeç përdorin kindle, dhe 39 për qind përdorin leximet iBook. Pra, përmenda një risi që u evidentua në Panairin e Librit të Frankfurtit, por një risi që në asnjë mënyrë nuk kishte ulur shitjet e librave gjatë këtij viti, por ishte shoqëruar edhe me ekspansionin e librit letër. Për shembull, mund të përmend që grupi gjigant Harper & Collins ka hapur filiale botimi në shumë vende, si në Itali, Spanjë etj., pra me botime në gjuhët e vendeve, dukuri kjo që dëshmon se kemi një treg global të librit, e pse jo një kulturë globale leximi.

Nisur nga Panairi i Frankfurtit, që sapo u mbyll, ku Shqipëria u përfaqësua shumë modestisht me tri shtëpi botuese; pse nuk ka ende një përfaqësim të Shqipërisë në këtë panair?

Unë nuk di që Shqipëria të jetë përfaqësuar në Panairin e Librit në Frankfurt. Madje, kjo ka shumë e shumë vite që nuk ka ndodhur, ndofta më shumë se 10 vite. Nuk më duket se përbën ndonjë shqetësim për ne kjo gjë. Jam i sigurt që këtë vit kanë qenë shumë botues nga Tirana (ndofta 8 ose 10), gjithashtu ka pasur edhe dy stenda modeste shqiptare. Frankfurt Book Fair është vendtakimi më i rëndësishëm për shkëmbimin e të drejtave botuese dhe fakti që është me interes edhe për botuesit shqiptarë, është shenjë e mirë për librin dhe për lexuesit tanë. Nuk mendoj se e kemi të domosdoshme të paraqitemi patjetër “në mënyrë kombëtare” në Frankfurt, sidomos kur dimë që kemi shumë e shumë mungesa të tjera të mëdha në investimet për librin. Një paraqitje shumë të mirë në Frankfurt bën prej disa vitesh Shoqata e Botuesve të Kosovës, ku pa dyshim, dallohet Buzuku për gjithë organizimin dhe përkushtimin, që për fat të keq nuk ndiqet e nuk përqafohet nga kolegët e tjerë.

A ka përpjekje nga ju si shoqatë botuesish për t’u përfaqësuar? A varet kjo nga Ministria e Kulturës dhe çfarë po bën ky institucion në lidhje me përfaqësimin e letërsisë shqipe në sferën ndërkombëtare dhe në evente të rëndësishme si Panairi në fjalë?

Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe në qoftë se do kishim një përfaqësim të organizuar, siç e kanë edhe mjaft prej vende fqinje. Përmenda Kosovën me një stendë të plotë e shumë të bukur grafikisht. Por më ra në sy edhe stenda elegante e Shoqatës së Botuesve maqedonas, që sigurisht mbështetet nga Ministria e Kulturës e Shkupit, po kështu Serbia, Sllovenia, Kroacia, me paraqitjet e tyre me stendat e hijshme e dinamike. Nuk më duket se është rasti për të qortuar askënd, as veten pse nuk shtyhemi të kërkojmë mbështetje për këto përfaqësime kombëtare apo ndërkombëtare, as edhe Ministrinë që nuk mbështet një gjë që (me sa di unë) nuk e kërkon askush. Nuk mendoj se jemi ne botuesit që duhet të shqetësohemi për letërsinë shqipe, me këtë duhet të merren institucionet e niveleve të tjera, madje përtej Ministrisë së Kulturës, nëse duan. Këto kërkojnë politika afatgjata e të menduara mirë, jo vendime administrative të thjeshta. Për ne botuesit është e rëndësishme t’u japim lexuesve tanë vepra sa më të mira e cilësore në gjuhën shqipe. Pavarësisht nëse këto janë të përkthyera apo vepra origjinale.

Në cilat panaire jashtë vendit marrin pjesë botuesit shqiptarë aktualisht?

Jetojmë në një botë në lëvizje dhe botuesit shqiptarë janë pjesë e saj, janë pjesë e tregjeve të librit, pra janë në shumë aktivitete, në shumë panaire. Folëm për Frankfurtin, në nëntor pak ditë pas Panairit tonë të 18-të, Shoqata e Botuesve Shqiptarë është e ftuar të marrë pjesë në Panairin e Librit në Podgoricë, jemi të ftuar të jemi në një aktivitet me AIE në Palermo e Leçe. Pra kemi shumë veprimtari, por nuk mundemi të jemi gjithnjë edhe për arsye kohe, edhe për arsye fondesh. Prej viti 2009, Shoqata jonë ka organizuar pjesëmarrjen në Panairin e Librit në Leipzig, ku kemi çuar deri tani mbi 30 autorë shqiptarë, studiues, artistë, muzikantë etj. Këto pjesëmarrje e organizime duan pasion, energji e kohë, kërkojnë mirëkuptim, zemërgjerësi e jo mendjengushtësi apo hilera për të marrë fonde. Por ky organizim i Panairit të Leipzigut nga viti në vit është bërë një stres më vete, si një mundim, e ndofta ka ardhur koha ta lëmë, që ta marrin ca të tjerë që do dinë ta mjelin me përfitim.

Po cilat janë problemet që ju shqetësojnë ju, botuesve shqiptarë sot, parë edhe me syrin e Panairit të Librit të Frankfurtit?

Problemi kryesor që na shqetëson ne, jo sot, por sot e shumë vite, është që në Shqipëri nuk është prioritet leximi, nuk është prioritet libri! Kjo është çështja. Duke e parë me syrin e Frankfurtit, siç më pyet, mendoj se hendeku mes nesh e botës tjetër, që dukej se po ngushtohej, tani po bëhet gjithnjë e më i thellë. E kam fjalën në seriozitetin e punës me librin, të mbështetjes së punës me librin, të fondeve dhe të legjislacionit. Këto janë probleme. Ka vite që në Shqipëri nuk bëhen pasurime të bibliotekave. Flitet për një fond që nuk dimë më në është apo jo, apo i është shkurtuar Ministrisë së Kulturës. Kujtoj një projekt konkret shumë të mirë që bëri Ministria e Arsimit disa vite me radhë me furnizimin e bibliotekave shkollore, furnizime të cilat shpeshherë (për fat të keq) ishin të orientuara nga parapëlqime politike të botuesve dhe jo në radhë të parë nga vlera e librave, por sidoqoftë, në një mënyrë ose në një tjetër, bibliotekat shkollore për disa vite me radhë u pasuruan. Ka disa vite, 3 ose 4, që nuk janë bërë më pasurime e furnizime të bibliotekave shkollore. Mendoj se është e domosdoshme që bibliotekat publike, shkollore, të bashkive apo jo, të marrin botimet më të mira dhe me vlerë, të autorëve të rëndësishëm, të kulturave më të mira dhe të letërsive më të mira. E them këtë dhe e kuptoj që kjo nuk është fort e lehtë që të realizohet, edhe prej kritereve jashtëlibrore. Kemi kaq vite që flasim për librari, por gjatë 2015-s janë mbyllur shumë librari apo pika shitjeje të librit. A shqetësohet kush për këtë? Përse nuk bëjnë investime bashkitë, që nga Tirana, Fieri, Gjirokastra, Vlora apo edhe qytete të tjerë të vegjël ku nuk ka librari? I kanë të gjitha mundësitë në qoftë se duan ta bëjnë këtë. Këto janë investime për kulturën, librin, që janë shumë të rëndësishëm për një popull si yni, i cili ka nevojë për dije, lexim dhe kulturë.

Më duket se po afrohet edhe Panairi i 18-të i Librit i Tiranës. Cilat janë të rejat e këtij viti?

Meqenëse folëm më lart për librin dixhital, më duhet të them që tema e panairit tonë të sivjetshëm do të jetë: “E ardhmja e librit dixhital në Shqipëri”. Kemi muaj që po punojmë për këtë, së bashku me Vodafone Albania, për të shpallur leximin nëpërmjet telefonit dhe përdorimit të teknologjive të reja të leximit edhe në Shqipëri. Sigurisht, përfituesit e parë do të jenë të rinjtë, që janë gjithnjë më të prirur ndaj së resë. Jo rastësisht, anketimet që përmenda në SHBA dhe në Britaninë e Madhe ishin bërë kryesisht me të rinjtë. Shoqata e Botuesve, organizatore e Panairit, ka menduar edhe dy aktivitete për librin dixhital, një konferencë dhe një workshop praktik për prodhimin e librit apo dizajnit të librit të dixhitalizuar.

Vitin e kaluar Panairi pati edhe një homazh për figurën e Jeronim De Radës, duke dhënë çmimin me emrin e tij, për shkrimtarin tonë të shquar, Ismail Kadare. Këtë vit do të ketë një çmim të veçantë përkthimi “Fan.S.Noli”, që do të jetë figura që do të nderohet këtë vit, me rastin edhe të 50-vjetorit të vdekjes. Por, besoj do të kemi një rast tjetër për të biseduar për Panairin tonë të Tiranës.

“Largësia ideale” e poezisë së Parid Teferiçit



A mundet që copëzat e një jete të thyer t’i mbledhim si copat e një peshku të kuq prej qelqi Kavaje?! A mund t’i pështyjmë ciflat tej, pa na u gjakosur buzët? Poezia mund ta ketë një përgjigje për shpirtin.

Mes mijëra titujsh bombastikë, me seks e konspiracione, mes kopertinash joshëse me çifte, por edhe emrave të mëdhenj të letërsisë botërore, në Panairin e Librit, që u mbyll një javë më parë, në stendën e shtëpisë botuese “Ombra GVG” qëndronte gati i tërhequr, si ai djali mbi kamerdare që sheh bregun për së largëti, në sinkron me modestinë e autorit, edhe vëllimi me poezi i Parid Teferiçit. “Largësia ideale”, një libër prej as 100 faqesh, me një bukuri të përkorë estetike, me një pikturë të Orion Shimës në kopertinë, që e dallon lehtësisht mes kolanës së “bashkëkohorëve”. Shumë pak njerëz e dinin botimin e këtij libri. Vetëm miqtë e ngushtë të autorit. Parid Teferiçi as e shkoi nëpër mend që të organizonte ndonjë promovim në kuadër të panairit. Fundja, kush lexon sot poezi?!

E aq më pak t’i kishte shkuar nëpër mend se do të shpallej pikërisht ai “Autori i vitit”. Ndërsa qarkullonin emra të tjerë, që shitën mijëra kopje, madje mund të vije edhe bast për këtë gjë, juria kishte renditur ndër pretendentët edhe dy poetë, Ilirjan Zhupën, që kthehej pas kaq vitesh me një vëllim poetik, dhe Parid Teferiçin me “Largësia ideale”. Kur zgjodhi të shkruante poezi moderne, ose më saktë, kur kjo e fundit e zgjodhi atë, Teferiçi bëri pakt edhe me vetminë.

“Jo rrallë ndihem dinozaur”, shkruan ai në një prej poezive. E duket se kjo vetmi poetike ka “tronditur” jurinë e këtij edicioni, që do ta shpallte Teferiçin si autorin e vitit, duke i shtuar një tjetër natë pa gjumë, me dilemën nëse vërtet e meritonte. “Për prurje të qenësishme të një ligjërimi modern, me një strukturë dinamike e poetike, me pikëprerje origjinale edhe në artet e tjera”. Ky ishte motivacioni nga ana e jurisë. Në të njëjtën ditë poeti do të vlerësohej edhe nga Qendra PEN Albania. Po kësaj here si përkthyes.

“Largësia ideale” është përmbledhja e 60 poezive dhe prozave poetike. Një gërmim në shpirtin e kohës, honin e së cilës më pas është e vështirë ta mbyllin gjithë fjalët e botës, fëmijëria që lë shenjë përjetë- sisht, antipoetikja dhe antiromantikja e ditëve që jetojmë, vijat paralele që nuk bëhen asnjëherë trekëndësh, një muze kombëtar, ku fshihen të gjitha “kodet” e një kombi…

Nis me “Peshkun e kuq”, simbolika e një të shkuare të pasuksesshme, i një pluskimi në boshllëk, i ëndrrave të brishta, te të cilat besoje e më pas je i detyruar t’i mbledhësh me fshesë, te të gjitha kundërshtitë dhe absurditetet e jetës, heshtja e vdekjes që thyen më shumë se çdo zhurmë tjetër, deri te shpresa që “na lë e fundit, sepse është e të njëjtit brumë me fundin”. Por të gjitha thyerjet, brishtësitë, trishtimin Teferiçi i vesh me një tis ironie, me të cilën godet të parin veten, duke “e shpëtuar” poezinë e tij nga zymtë- sia dhe fataliteti.

POEZI ME SILENCIATOR

Profili i një poeti të tërhequr, të interesuar veçse për lexuesin e vërtetë, në kërkim të letërsisë së mirë 
Çdo herë që nis Panairi i Librit ende është ruajtur në kujtesë zhurmnaja e një viti më parë, duke shpresuar që kësaj radhe të mos ndodhë ashtu. Nuk është fjala vetëm për radhët e gjata dhe kaotike të atyre që hyjnë e dalin në Pallatin e Kongreseve, por edhe për atë zhurmën tjetër që ka të bëjë me promovimet e librave, megjithëse dihen prej kohësh marrëdhëniet mes njerëzve të letrave që gjallojnë këtyre anëve, të kapur më së shumti pas interesash të vogla, me logjikën – nëse  mund të quhet e tillë kjo – : “Më përmend që të të përmend; shkruaj për mua që të shkruaj edhe unë për ty; më lavdëro që të të lavdëroj”, gjithmonë në dëm të lexuesit që ende do të gjejë ca letërsi të mirë. Po të shtohet këtu edhe bombardimi me informacion, i cili imponohet thuajse me dhunë prej ekranit, udha e orientimit të lexuesve drejt autorëve të mirë bëhet edhe më e gjatë. E, sa për këta të fundit, kush është jashtë këtij qerthulli, qoftë edhe fizikisht, harrohet apo nuk përmendet.
Kështu duket se ka ngjarë me Arb Elon, i larguar nga Shqipëria në vitet nëntëdhjetë, i cili jeton në Gjermani qysh atëherë. S’duhet harruar që rrugëtimi nuk ka qenë më i thjeshtë edhe për shumë të përdëllyer, që thuajse po na errësojnë shikimin për muaj me radhë, duke u shfaqur pareshtur ndër ekrane, madje gjithnjë e më shumë ngjan gati e vërtetuar se ata janë edhe nga më të bezdisshmit e banorëve të studiove televizive. Parë kështu, lexuesit do të duhej t’i rekomandoheshin e të orientohej edhe kah të papërmendurit, të pareklamuarit, të fshehurit, si të thuash, të nëndheshmit, vepra e të cilëve nuk bërtet: “më bli, më bli!”, botuesit e të cilëve nuk i lodhin ekranet e aq më pak autorët vetë, që ndoshta jetojnë gjëkundi në botë, larg, e të cilëve u intereson vetëm lexuesi, ai lexues që i gjen e i blen fare rastësisht në librari, pa rekomandime dhe pa porosi.
Gjithmonë e më pak e hasim këtë lloj profili të përunjur autori pra anëve tona, kur dihet se ç’ndodh përpara e përgjatë një promovimi të bujshëm libri, kur më të shumtët e pjesëmarrësve të tregojnë nën zë se po shkojnë për të bërë qokën e radhës, po ku sidoqoftë marrin pjesë, venë e venë të njëjtët sërish; në një kohë kur nuk lihet gjë pa thënë për librin nëpër ekrane, gazeta apo blogje qofshin e në kanalet e tjera shoqërore të komunikimit, duke shuar kështu po atë që po mëtohet të ndizet e që quhet rëndom kureshtje e leximit. Kështu i humbet funksioni informues apo kritik medias, integriteti autorit dhe çfarë arrihet, në fund të fundit? Më së shumti, një vrimë në ujë.
Kjo nuk ka ndodhur e nuk ndodh me vëllimet me poezi të Elos: “Mirazh” (2010), “Zero 3D” (2011), “Xixa të zeza” (2013) dhe “End(j)e” (2014), të cilët gjenden në Amazon, porse edhe, me shumë fat, të fshehur në ndonjë raft të librarive të Tiranës, ndërsa në Panairin e Librit gjendej vetëm vëllimi “Mirazh”.
Heroi Lirik  
Arb Elo nuk është parë të flasë për veprën apo veten e tij nëpër ekranet shqiptare, vetëm apo bashkë me botuesin, të japë intervista kudo, kurdo dhe kujtdo e kjo nuk është rastësi, pasi të dalurit në ekran a nëpër gazeta është diçka që bëhet fort thjesht në anët tona; pothuajse të tërë e kanë bërë. Ndoshta pikërisht për këtë protagonizëm të munguar nga njëra anë, aq të vërtetë nga ana tjetër, duhet admiruar së pari njeriu i tërhequr pas poetit, i cili të ngjall mallin e atyre njerëzve të dikurshëm të letrave që po i gjejmë gjithmonë e më pak mes nesh. Nuk i lipset dukja, për ta lënë kështu poezinë e tij ta gjejë vetë udhën e saj drejt lexuesit. Poezia e tij është edhe ajo sqimatare, kërkon një lexues të lëçitur e të kulturuar, i cili do të ishte në gjendje të rrokte deri edhe kuptimet e simbolikën shpesh të thella, të cilat nuk i jepen menjëherë gjithkujt. Është njohës i shqipes së qëruar, di fare mirë ta përdorë dhe të zotërojë atë. Gjuha e tij mpin kur do, ngazëllen, fshikullon, qesëndis, ther, porse edhe zbutet e përkëdhelet e zbukuron shpirt e mendje. Tematika që ai rrok në poezitë e tij është e gjerë; po aq sa i qaset metafizikes, të pandërgjegjshmes dhe errësirës së psikës njerëzore, po aq, me të njëjtin ritëm, di të kthehet te lokalja, te njeriu që gjendet diku në botë, që ikën prej një vendi dhe nuk dihet nëse i ka ikur vetë atij së pari kohë më parë, i cili është robëruar nga materialja, robotizuar nga rutina, është bombarduar pa mëshirë nga media dhe vështirë se e gjen rrugën për te vetja, që përherë e më shumë i duket e huaj. Ja çfarë ngelet pas një “Vizitë imagjinare në çmendinën e Elbasanit” (titulli i poezisë):“…
Të marrët e vërtetë luajnë jashtë me armë,/ para e pushtet, drama pa spektatorë, me role / për të tërë, drama që s’mbarojnë për së gjalli,/ ia marrin dhe ia japin jetën kujt nuk mbrohet dot, / e shesin dhe e blejnë të varfrin, deri Zotin vetë…”(nga vëllimi „End(j)e“).
Sa më tepër të mund të futesh aty dhe të bluash vargjet për jetën në dhé të huaj, ambasadat, punën në të zezë e të përpiqesh të krijosh një profil të tijin, po aq kupton se Elo, uni i tij poetik nuk është një, nuk është një njeri i vetëm, i cili do të mund të konturohej qartë. Uni i tij lirik është i pakohë dhe i huaj në këtë botë.; heroi i tij poetik i ka rrënjët të shkulura dhe, kjo të bëhet e qartë qysh në krye të herës, kjo lloj poezie nuk mund të ishte përpos bashkëkohore, veçse e ditëve tona. Shtëpia e heroit të tij lirik është sa burgu i vetes, aq edhe qela e çmendinës, porse edhe liria e paskaj e qiejve. Uni poetik i shprehur te poezia : “Po të…“ citoj: “…Ti bën ç’je, por s’je ç’bën, / thua ç’je, por nuk je ç’thua, / do çka ç’je, por s’je çka do, / fundja të jesh, veç të jesh, / pa bërë, pa folur e dashur / kjo, po, do t’qe poezia vetë, / vjersha q’është e pashkruar, / se në fillim s’qe fjala or mik, / gjithçka nisi o mik nga falja…” (nga vëllimi „End(j)e”). Ky un poetik zbërthehet më së miri edhe te vëllimi “Zero 3D”.
Kujtesa  
Te vëllimi i parë i autorit “Mirazh”, para se poeti me kohë të bëhet edhe më hermetik e të shtjellojë kryesisht tema metafizike, gjen më tepër se një poezi për emigracionin, dheun e munguar, jetën në tokën e re, e cila që do të ishte larg asaj së premtuarës, së paku asaj së përfytyruarës. “Negativë hijesh”, ndoshta poezia më e mirë e vëllimit të parë me poezi, është një film i shkurtër për kujtesën e errët të para ’90-ës dhe, pasi mbarohet së lexuari, bën që të mos lindë më pyetja: A mund të jetohet vallë në një vend si ky? E çfarë na ofron bota tjetër? “…Liria vesh / këtu tela me gjëmba dhe liria quhet mbase vërtet ashtu, se ferri është lirik, / ku s’është çudi të gjesh autostradave / shqiptare që shesin puthje ala Marylin, / duke u fryrë flluskave që nuk u binden, / mollartave, si njeriu zjarrit, me durim…” (nga “Negativë hijesh”) ose “…Mirësevjen o shqiptar në Perëndim, / botën me drita dhe ujë të ngrohtë rubineti, / gaz kaloriferësh a kampesh përqendrimi, / vajza suflere në recepsione mjekësh, / këtu vendas nuk do të bëhesh dot kurrë…“ (nga poezia „Mirazh“, prej vëllimit me të njëjtin titull). I njëjti motiv gjendet edhe te poezitë: “Shtëpi e rrënuar…”, “Ngushtë”, „Stacion“, etj.
Jo se nuk është shkruar edhe nga të tjerë mbi atë çka ka ndodhur me shqiptarët pas rënies së regjimit, porse kjo gjuhë e hidhur, që ther gjer në palcë, i drejtohet  vërtetësisht kujtesës historike dhe të krijohet përshtypja se vetëm kështu, me një ironi të arrirë e humor të zi, mund të hidhet pas krahëve, të përtypet ajo ç(na)ka ngjarë. Poezia duket në pamje të parë pesimiste, pasi ajo buron pikërisht nga ky realitet, realitet që nuk frymëzon shumë, dhe të krijon bindjen se është po aq e vërtetë. Padyshim, kjo është bindja që të krijohet, Elo i qaset poezisë si një mënyre jetese, si një filozofie më vete, si të gjithë ata që i thonë e i thanë shumë botës me veprën e tyre në gjallje apo të ikur. A të jetë vallë kjo filozofia e tij, me rrënjët thellë diku tjetër, jashtë nesh, përtej nesh, tek e mbinatyrshmja, e përjetshmja ndoshta? “…Gjithë ato çka janë të përkohshme, / kohë, njerëz apo vende, / do të kalojnë të tëra, ashtu siç po kalon tani kjo që po shkruaj / Edhe kjo tundje dore është e atij që po largohet përgjithmonë, / Veçse në kërkim të asaj që nuk zhbëhet po humbas mendjen, / Sa më tepër plakem, aq më tepër bëhem në këtë botë i huaj, /  Ata që do të humbasin jetën, ata do ta fitojnë përsëri thuhet, / Kjo është asgjëja që mendoj, për t’iu përgjigjur pyetjes tënde…” (nga poezia “Asgjë”, vëllimi „Mirazh“).
Erotika  
Një tjetër temë që ndjell është ajo erotike. Mbesin në mendje gra si Maria Z. dhe Lee, që të enden pastaj në kujtesë bukur, dëshirueshëm, epshëm, sikur të vinin nga një realitet tjetër apo që i paskëshin ikur të këtushmit. Në poezitë e dashurisë mund të gjendet pikërisht ajo prehje, jetë, dritë (erotika e vdekjes) që ngjan sikur buron prej tjetërkundit. “Të duash është si të vdesësh“ – do të thoshte, shkruan Arb. Te “Rreshta për Lee” (nga vëllimi “Mirazh”) gjejmë: “…Kërkoj atëherë  / një kraharor të butë ku të vë kokën, mbyll sytë, dëgjoj / rrahjen e një zemre tjetër, që njëlloj si imja tundet, pi, / që u epsh n’degë derisa skuqi lëngun që thithi kokrra, / idenë a shpirtin, kur u deh buza me gjak herën e parë, / E pimë atë dolli me fund, etëm dashje pa shter, pimë / kur boshi na ngërtheu ligsht gjuhën. Nuk e di se pse, / fjala ndoshta, afshi i shuar i kohës që ngrin gurë llave, më mbiu lule. Po kujt tia dhuroj atë? Se ti lule je vetë…”
Ca vite më vonë do të shkruhej për Marien tek “Xixa të Zeza”: “…Mëtoja dyfish kur e dëgjoja: për çka më fliste / e se si do të kish qenë po të ishim vetëm të dy / në një odë të mugët gjumi me shtratin në mes, / me çarçafë të bardhë e në mes atë, të zeshkët / siç e kishte lëkurën dhe flokët e zinj kaçurrelë, / në mes t’asaj bore si pemë e shkulur me fletët e/  lagura e unë zog nëpër të, i vogël, i shkretë; / të dënesja mbytyr këngë përsërie, psherëtima, / të putheshim butë symbyllur e gjatë e prapë, / të lëshohesha krahëve të saj të çarë si heshtja / që pasonte fjalëfundin, që na rëndonte pafajin…”. Për ta mbyllur me shënimet e kursyera rreth erotikës (poezia flet sidoqoftë vetë), nuk po mund të lemë jashtë pesë vargje nga “Fjalë kurmi“ : “Gjuhë të re do të shpik atëherë vetëm për ty, / me fjalë të reja, të virgjëra, të pathëna mot,/ Muzikë me tinguj fëshfëritës, / qerthullima, zukatje, pëshpëshe, / klithma, guduli e afshe, / që t’mos thuash dot as “Mos!”, por veç “O Zot!…“ (nga “Mirazh”).
Nuk po duam ndikojmë më tej lexuesin, të bëjmë vetë gabimin që kritikuam në krye të këtij shkrimi e aq më pak po duam të zgjatemi pa nevojë, përpos për dy mesazhe dashamirëse në mbyllje, një për lexuesin e tjetri për autorin: „Arb Elo nuk do e rëndonte bibliotekën tuaj“; ndërsa për poetin: „Vijo të shkruash Arb, shkruaj për ne që nuk po duam t’i humbim kontaktet me poezinë e mirë, për ne që po duam t’i japim ca ngjyrë jetës”.
Në vend të një Post-Scriptum-i:  
Një koment në Amazon për vëllimin “End(j)e”
Libër që lexohet me “End(j)e” e që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha si “i arrirë, brilant, libri më i mirë i autorit filan“… megjithatë çka doja të ndaja është përftimi që më la, si një lloj “filozofie në vargje“; poezia e Arb Elos… unikale… e ngjeshur me fjalë e ide, me metafora të fuqishme që përthyhen në mijëra figuracione/ figurina brenda prizmit të Un-it, „…njëshit që është pafund herë shumë zerosh…“, siç shkruan autori, … Uni-versit të secilit, ku pasqyrohet kokëposhtë e shkrihet Un-iversi i Madh… un-iteti Yin-Yang, Yang-Yin, Xhan-Xhin, dyzim në çdo fjalë, në çdo varg, besimi alla Elo… në një Zot … që e(G)kziston dhe është po aq Ati sa edhe Krijesa jonë… po aq “me” sa edhe “pa” formë… kjo masë e riciklueshme… bëhemi-zhbëhemi, thurim-shthurim, mendime, fjalë, ide… i mbajmë mbyllur brenda në kafkë a i lëshojmë si frymën në erë… a ndonjë i hedh në vargje si Arbi, me një gjuhë aq të zhdërvjellët, sa s’të besohet që është shqipja gjuha jote (amtare) kaq e begatë… ndërsa pyetjet konstante që na lëvrojnë në kokë „…Ç’të pruri këtu e ku vete vallë?…“, si edhe binomet fund-fillim, dëshirë-dashuri, vdekje e gjumë, shtjelluar kaq gjerë e gjatë… paqësisht e humbasin kuptimin si një mantra gjatë meditimit… e që ai e bën me zë, për të gjithë ne… aq sa kur lexon të duket sikur ke marre një tyrjelë e po shpon qiejt dhe gati sa s’e prek thelbin e gjësë, së vërtetës që s’është veçse dritëhije… njëherësh e kupton që me duart e tua mund të prekësh „…veç kokën që të rëndon…“, e që „…vjen e t’a thumbon dritëzeza…“…“…do vdesim e kjo është shpresa…“… përveç formës, ritmit, që rrjedh me një kaskadë fjalësh, si lumë, e si rrallëherë “jo shumë e për lumë“…
Dhe pse në dukje cinik, ndien një lloj besimi që triumfon, diçka të mirë, që ekziston, këtej a matanë… kjo s’ka fare rëndësi. Ndaj lexojeni!
Jorida Pasku

PSE NUK KEMI KRITIKE?

Ali Aliu: Vlerat e vërteta në fushën e letërsisë janë zëvendësuar me interesa klanesh, ja pse nuk kemi kritikë
Ali Aliu është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Akademik i njohur dhe i vlerësuar, Ali Aliu gjithmonë me praninë e tij në çdo event apo aktivitet në fushën e letërsisë në fjalët e tij thekson vlerat. Këto ditë në Tiranë ai shprehet se Panairin e Librit e shikon si një ngjarje të parë kulturore. Por akademiku i njohur shprehet se kur flasim për probleme në fushën e letërsisë, një atmosferë e ngarkuar për të mos thënë e sëmurë është ekzistimi i klaneve. Në intervistën dhënë për gazetën, akademik Ali Aliu shprehet se kur vjen puna e ndarjes së çmimeve në fushën e letërsisë, e vlerësimeve në konkurse të ndryshme, sikur janë thyer parimet e vlerave të vërteta. Problem për akademikun e njohur mbetet dhe komunikimi i vlerave, sipas tij mungojnë botimet e autorëve shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia në Shqipëri.
Këto ditë ndodheni në Tiranë, nuk mungoni dhe në Panairin e Librit, që erdhi në edicionin e tij të 18. Për ju si po zhvillohet ky panair, atmosfera që ka këtë vit?
Panairi i Librit është manifestimi më i rëndësishëm kulturor i vitit për hapësirën shqiptare, dhe e përjetoj gjithnjë si të tillë, si një ngjarje të parë kulturore. Vij të shoh edhe prurjet e vitit tek botuesit, por edhe të takohem me krijues dhe miq të mi, që kam shumë në Tiranë. Ky është motivi i parë që vij sa herë që është panairi, dhe ndjehem si në një shtëpi të njohurish me miq dhe shumë ngjarje brenda ditës në vargun e përurimit të librave të shumtë. Gjithnjë ke autorë dhe vepra që pret ti shohësh, ti prekësh me dorë, vepra që i ke dëgjuar muaj më parë. Me kënaqësi udhëtoja, duke ditur që sapo të mbërrij në panair do të marr librin me poezi të Ilirian Zhupës, që vjen pas 20 viteve si poet, po kështu dhe me romanet e Mehmet Krajës te “Onufri”, romani i Kim Mehmetit tek stenda e botimeve “Saras”, si dhe kam pasur në vëmendje dhe libra të tjerë. Por kur flasim për probleme në fushën e letërsisë, një atmosferë e ngarkuar për të mos thënë e sëmurë është ekzistimi i klaneve.
Një atmosferë e ngarkuar dhe ekzistimi i klaneve në fushën e letërsisë?
Mendoj se kur vjen puna e ndarjes së çmimeve në fushën e letërsisë, e vlerësimeve në konkurse të ndryshme, e prononcimeve publike, sikur janë thyer parimet e vlerave të vërteta. Në vend të vlerave ka më shumë interesa rrethesh, klanesh. Në konkurse shikojmë, që janë juri të përhershme që kam përshtypjen nganjëherë shkojnë deri në një paturpësi të tillë, sa me fuqinë e votave nxjerrin të parin kë të duan ata, që është për të ardhur keq kjo që ndodh, sepse e sëmur atmosferën kulturore. Kjo ndodh në qendër, në Tiranë, por mund të ndodhi në periferi dhe nuk i vëren shumë. Kjo nuk ndodh vetëm në çmimet, që janë nga institucionet, por ndodh dhe në çmime të tjera që ndahen ku është dhe letërsia pjesë. Po kështu dhe në Ministrinë e Kulturës kanë ndodhur vendime të kësaj natyre, që nuk bindin askënd, vendime që nuk janë në përputhje me vlerat që kemi. Kjo nuk i shqetëson as anëtarët e jurisë, aq ata që japin çmimin. Si në çmimet, që ndajnë institucionet apo dhe ata privatë, duhet që të vlerësohen vlerat, dhe jo t’ia japin kujt duan. Është një fenomen që e dëmton kulturën në përgjithësi, sidomos në fushën e letërsisë krijon animozitete mes krijuesve. Kjo nuk duhet të ndodhë. Një raport tjetër, që e kam përmendur disa herë dhe gati nuk ndërmerret asgjë në përmirësimin e saj, komunikimi i vlerave shpirtërore në Shqipëri dhe me shqiptarët jashtë nuk është në rregull.
Pse ka probleme ky komunikim vlerash sipas jush?
Nuk komunikon vetë libri, vlerat nuk komunikojnë. Nuk i shikoj nëpër librari të Shqipërisë botime të autorëve Kosovës, Maqedonisë. Kjo ndodh shumë rrallë, vetëm nëse botohen këtu. Pra vetëm ndonjë autor që e ka botuesin në Shqipëri mund të botohet këtu. Nuk i shoh jo vetëm fizikisht, por as si frymë vlerësimi, as si botime që merren konsideratë kur ndahen çmime. E them këtë, sepse ne kemi vetëm një letërsi shqipe. Përshembull në Kosovë çmimet letrare që janë, qoftë ai i Ministrisë së Kulturës, qoftë ata që janë çmime që jepen nga të tjerë që nuk kanë lidhje me shtetin, duhet të vlerësohet produksioni në gjuhën shqipe, jo vetëm autorët e Kosovës. Kjo nuk ndodh as këtu. Shpesh shihni që vlerësohet ose merr një çmim të madh një vepër, që përballë një vepre tjetër në Prishtinë është minore. Kemi një kufi sikur e vëmë vetë në letërsi. Ka krijues të gjeneratës sime këtu që thonë, edhe në kohën e diktaturës megjithatë ne i shkëmbenim botimet brenda vitit, tani nuk ndodh asgjë. Kjo është për ardhur keq.
Ju e përmendët Ministrinë e Kulturës, pra për ju roli i saj për shkëmbimin e vlerave, vlerësimet në fushën e letërsisë, etj, nuk kanë qenë si duhet në vëmendje? 
E gjithë ajo që unë përmenda deri tani, qoftë komunikimi i vlerave shpirtërore, i librit dhe i autorëve, qoftë mënyra e vlerësimit të autorëve, qoftë mënyra e veprave të vlerësuara që janë çmimet letrare, të gjitha duhet të jenë në vëmendje të Ministrisë së Kulturës në Tiranë, por deri tani nuk ka qenë sa duhet vëmendja. Kjo atmosferë e ngarkuar për të mos thënë jo e sëmurë kulturore për mirë apo për keq i faturohet Ministrisë së Kulturës. Të paktën dy Ministritë e Kulturës në Tiranë dhe Prishtinë duhet të kenë një vizion të përbashkët, si të kemi një kulturë të përbashkët, një letërsi, një gjuhë që ne e ruajmë standardin. Të gjitha këto janë sfera, që ministria e Kulturës nuk mund ta shmangë kujdesin e saj.
Nga akademikët është pohuar për projektin e hartimit “Bibliografia e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj”. Ju ishit i pranishëm në këtë takim, që u bë para disa ditësh në Akademinë e Shkencave. Për ju sa e rëndësishme është kjo?
Në kuadër të temës të konferencës, që ishte “Letërsia shqipe dhe gjuhët e tjera të letërsisë shqiptare” pata disa prononcime dhe u ngrit kjo çështje, që ju pyetët për të bërë një bibliografi shteruese për autorët dhe veprat e tyre të përkthyera në botë. Ky problem u shtrua edhe nga kënde të tjera. Kam parasysh Arian Lekën që doli me një tezë shumë të qëlluar, që depërtimi i letërsisë sonë jashtë të mos bëhet në mënyrë incidentale, as në mënyrë rrethesh apo kontaktesh personale, por njëherë ti nënshtrohet një vlerësimi brenda vendit. Ai foli për institucionin e quajtur Kritikë që ne s’e kemi, dhe do të ishte një mbështetje për veprat dhe autorët që ne duhet t’i përkrahim për të na prezantuar jashtë.
Përmendët kritikën letrare që në letërsinë shqipe ajo profesioniste pothuajse mungon?
Fatkeqësisht mungon një kritikë letrare e sistemuar. Për arsye se në radhë të parë mediat nuk kanë interes të kenë njerëz të specializuar për këtë fushë. Kjo fushë nuk është qendra e botës as në Shqipëri, dhe e dimë tashmë çfarë shikojmë në faqet e gazetave. Është një problem i madh, që vështirë zgjidhet. Me të drejtë gazetat e shmangin, sepse ata bëjnë gara për të qenë të pranishëm në treg, dhe tregu është i egër nuk pyet.
Ju jeni akademik i njohur, por në panair u pohua për krizë botimesh të reja, por dhe krizë leximi?
Kriza e botimit është krizë leximi. Ka pak lexues dhe botuesit detyrohen që të rrudhin numrin e botimeve të autorëve sidomos të vendit, dhe shkojnë më shumë tek të huajt, tek Nobelistët, bestseller, që tregu i pranon më shumë.
Jeni një nga emrat më të vlerësuar në fushën e studimeve të letërsisë. Por gjatë kësaj kohe me çfarë po merreni?
Unë lexoj aq sa mundem të lexoj. Kam problemin e leximit të ngadalshëm shumë dhe e kam rrudhur rrethin e atyre që detyrohem t’i ndjek, por megjithatë janë disa autorë që nuk mund të rri pa i lexuar.
Julia Vrapi

INTERVISTE: ORNELA VORPSI

Ornela Vorpsi është një artiste dhe shkrimtare e lindur në Tiranë më 1968, e cila jeton dhe vepron në Paris.

Librat e Vorpsit janë përkthyer në tetëmbëdhjetë gjuhë dhe janë vlerësuar me shumë çmime të vyer: “Grinzane Cavour”, “Elio Vittorini”, “Premio Rappallo”, “Premio Viareggio”, “Premio Luco Mastronardi”, “Premio città di Tropea”, “Prix méditeranéen des lycéen”, etj.

Ornela ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për të kaluar më 1991 në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, në Milano të Italisë. Më 1997, Vorpsi migroi në Paris për t’i përfunduar studimet e saj në Universitetin e Parisit VIII.

Ajo është po ashtu fotografe e piktore. Ornela Vorpsi ka qenë vlerësuar si njëra prej 35 shkrimtarëve më të mirë evropianë, sipas antologjisë “Best European Fiction”, botuar nga Aleksandar Hemon në vitin 2010.

Në mbrëmjen e së mërkurës, Ornela Vorpsi ishte e ftuara e Galerisë Kombëtare të Kosovës, me ç’rast mbajti një ligjëratë para publikut prishtinas.

Ne shfrytëzuam rastin e vizitës së parë të Vorpsit në Prishtinë dhe realizuam një intervistë ekskluzive për “Zërin” me këtë artiste të shquar.

Zëri: Cili ka qenë qëllimi i ligjëratës suaj në GKK dhe tema të cilën e keni trajtuar?

Vorpsi: Isha e ftuar në Galeri me ftesë të drejtorit, Erzen Shkololli. Ai kishte shumë dëshirë që unë t’ju flisja studentëve dhe publikut të Kosovës rreth temës se si një artist mund të punojë në gjini të ndryshme të artit – pikturë, fotografi, instalacione, letërsi. Ky ishte thelbi i ligjëratës sime: që ta dëshmoja që një artist nuk është i limituar në një gjini dhe se për një artist nuk ka kufij mes gjinive artistike.

Zëri: Si e vlerësoni interesimin e publikut prishtinas për ligjëratën tuaj?

Vorpsi: Unë jam shumë e kënaqur për vetë faktin sepse salla ishte e mbushur plot. Publiku ishin kryesisht të rinj. Jam shumë e kënaqur sepse ishte jashtë mase vapë dhe do të ishte shumë më e kollajshme për këta të rinj që të ishin duke u freskuar në ndonjë kafene, por ata kishin ardhur në Galeri dhe po më dëgjonin me shumë kërshëri. D.m.th. takimi im i parë me publikun e Kosovës ishte vërtet një takim dashurie. U ndava shume e emocionuar sepse i ndjeve që publiku ishte me shpirt aty dhe tejet i interesuar për atë çfarë folëm.

Zëri: Nëse keni qenë në rrjedha më parë, cili është mendimi juaj për nivelin e artit në Kosovë?

Vorpsi: Kjo është vizita ime e parë dhe ky ishte një gëzim i madh për mua. Unë, aq sa kam pasur mundësi që ta përcjellë, e çmoj artin që bëhet këtu. Kam pasur gjithmonë konsideratë për artin, për letërsinë, për kulturën që bëhet dhe që është bërë më parë në Kosovë dhe ky takim që pata vetëm sa e riforcoi më tepër këtë vlerësim timin.

Zëri: Mund ta kujtoni ndonjë shkrimtar kosovar që ju ka lënë mbresa?

Vorpsi: Shkrimtar kosovar që më ka lënë mbresë është Shkëlzen Maliqi, ndonëse ai me shkrimet e tij më shumë mund të llogaritet tek shkrimet filozofike sesa tek ato puro letrare. Ndonëse ka edhe disa të tjerë.

Zëri: Ju shkruani në frëngjisht dhe në italisht. Në cilën gjuhë e ndjeni veten më të plotësuar dhe shpreheni më lirshëm teksa shkruani?

Vorspi: Unë e kam përshtypjen se ndjehem më mirë kur shkruaj në gjuhën italishte, mirëpo gjatë tërë këtyre viteve të jetesës në Francë po e ndjej që italishtja ime është duke më rrëshqitur. Kësisoj, njëfarë mënyre jam e detyruar të shkruaj në frëngjisht, ndonëse italishtja është disi më e lehtë, në dallim nga frëngjishtja që është më e vështirë për t’u përdorur.

Zëri: Keni planifikuar të shkruani në gjuhën shqipe në të ardhmen?

Vorpsi: Nëse kthehem të jetoj në Shqipëri dhe nëse jetoj e lëvroj në gjuhën shqipe, patjetër që po. Të shkruash në një gjuhë do të thotë që atë gjuhë ta flasësh për çdo ditë në rrethin tënd. Unë kam 24 vjet që nuk jetoj në Shqipëri, kështu që tani për tani do të ishte e vështirë që të shkruaja letërsi në gjuhën shqipe.

Zëri: Keni menduar tashmë për ndonjë bashkëpunim të radhës me GKK-në apo institucionet e tjera kulturore të Kosovës?

Vorpsi: Momentalisht nuk kam planifikuar, por do të isha shumë e lumtur nëse do të na jepej sërish rasti. Zemra ime është e hapur për bashkëpunim me popullin e Kosovës. Sidomos me Galerinë Kombëtare do të ishte kënaqësi që të bashkëpunoja sërish, duke marrë parasysh punën e madhe që po bën aty Erzen Shkololli dhe duke marrë parasysh mikpritjen që ma rezervuan gjatë këtyre tri ditëve që kam qenë këtu.

Zëri: Në rrethet ku ju jetoni dhe veproni, cili është mendimi për shqiptarët dhe veçanërisht për kulturën shqiptare?

Vorpsi: Unë nuk jam natyrë që dal dhe frekuentoj shumë ambiente. Jam natyrë e vetmuar, siç janë në përgjithësi shkrimtarët. Nuk mund të flas për ambiente mondane, qarqe letrare apo rrethe artistësh, për sa kohë që nuk i frekuentoj ato. Por, ndër njerëz që unë njoh e takoj atje, mund të them se përgjithësisht ekziston një mendim i mirë për artin shqiptar. Janë disa individë nga lëmi të ndryshme që ia kanë dalë t’i japin emër artit shqiptar në botë. Balerini dhe koreografi i famshëm, Angjelin Preljocaj, violinisti Tedi Papavrami, artisti vizual Anri Sala apo shkrimtari i përmasave botërore, Ismail Kadareja, si dhe shumë të tjerë, me punën e tyre goxha të madhe janë bërë të njohur edhe në Francë, por edhe më gjerë.

Fitim Salihu

Libra ‘të harruar’ nga Gentian Çoçoli




Imazhi i Montagut që rend përgjatë brigjeve të zymta të një lumi pa emër nëpër perden e rënë e të stërgjatë të një muzgu pavetor, ndjekur nga disa qenë – robotë, me Homerin – Iliadën – që e shtrëngon fort në gjoks, duket se është për Ray Bradbury-in bibliofili i fundit në një botë tashmë të huaj për njeriun, të begatë për jo-njeriun, që shelbohet duke kaptuar hapësirën eterore. Libri i shkruar më 1947, është vendosur në një të ardhme të afërt dhe menjëherë u ‘vulos ‘ prej kritikëve si fantashkencë – ‘babushit’ Bradbery siç e thirrnin me dashamirësi miliona lexues në mbarë Amerikën dhe në botë, e mërziste shumë ky term dhe vetë ankohej, përse nuk na qenka njëlloj të shkruash për të ardhmen ashtu sikundër edhe për të shkuarën. Mos kritika, kjo mbretëreshë e nënqeshjes, vënëse nofkash, kjo gjyqtare e shkallës së parë, por jo të fundit, po nuhaste me aq intuitë të vetën e me një lloj gëzimi të fshehtë, që e ardhmja i takonte teknologjisë dhe jo njeriut, heshtjes dhe jo gumëzhimit njerëzor, programimit dhe jo ‘lirisë’ libreske?

Këto mbresa vijnë nga leximi i librit të Ray Bradbery-it ’453 gradë Fahrenhajt, ose Vitet e Feniksit’ diku rreth vitit 1991 (libri qe botuar më 1983 në Shqipëri!!!) dhe në të vërtet qe tepër pështjellues. Në një intervistë më vonë lexova se për Bradbery-in ky libër qe një sonatë e trishtë që ai ia kishte dedikuar bibliotekës së vet apo cilado biblioteke tjetër kudo në botë, thjesht ‘nga frika e zhdukjes së tyre të papritur’. Por edhe mund të ‘shfarohen disi’, mund t’u dhjetohen radhët pasi beteja e njeriut me teknologjinë është tashmë në vlug të vet, ndonëse sondazhet e bëra nga gazeta ‘New York Times’ para disa javësh lidhur me rivalitetin ‘book versus ebook’ tregonin qartas se libri pas një disfate të lehtë kishte marrë terren njëlloj si më parë. Dhe ky është lajm i mirë për çdo lexues që do ta prekë atë që lexon, por lajm i mirë sidomos për bibliofilin.

Po bibliofili shqiptar, ç’po bën në këto ditë mugu të librit? A e pa dot ai se si një të ngjashmi të vet, diku mbi Tregun e Ri të Tiranës, po i ndodhte pikërisht si me personazhin e Bradbery-it, ku qindra libra të tij, kryesisht libra të rrallë, ia morën para syve dhe ia hodhën në kazanët më të afërt portokalli të mbeturinave dhe po aq afër tabelës elektronike që varej nën diellin e fundtetorit e ku shkruhej “Luftë zhulit’? Qe Brikena Çabej që ma tregoi e tronditur në telefon pamjen fatale. Disa tatimorë ’të programuar’ pasi gjetën te ky bibliofil ‘i fandaksur’ shkelje, pasi u lebetitën nga pasioni i tij mbinatyror për librin (kjo krijon reaksion të fortë tek tjetri, është e kuptueshme), vendosën që ta ndëshkojnë aty ku ‘kësaj specie’ i dhemb më tepër – fshirja e librave nga raftet, nga pamja, nga dyqani, nëse qe dyqan. E meqë historia e bibliofilëve shqiptarë është në përgjithësisht tragjike, e kjo shpjegon shumë gjëra, pasi historia ishte njerkë për ne me shekuj, më erdhën vetiu të tjera imazhe bibliofilësh me fytyrat triste: Petraqi, ish-drejtori i Bibliotekës së qytetit të Gjirokastrës, që në mars të 1997 shpëtoi 100 000 syresh nga bastisja dhe djegia që qe planifikuar nga mësymësit. Dhe imazhi tjetër që më vjen – Liqeni i Ohrit përplot më libra të flakur e të qullur që notojnë me ditë të tëra brigjeve të Pogradecit derikur rëndesa i merr përfundimisht në fund të liqenit, dhe si në një imazh huazuar nga Bradbery ose Ashbery, ‘librat i shfletojnë tashmë peshqit.’

Por ‘Lavdi i librit’ i Krenar Zejnos, i këtij poeti, shkrimtari, përkthyesi, botuesi dhe bibliofili famoz në Tiranë, m’i kthen sa hap e mbyll sytë ato fletë gri ku më kishte ngecur mendimi dhe përpara kam një pamje krejt tjetër. I shkruar fillimisht si hyrje për një ekspozitën vetjake të një miku të vet – bibliofil frankofon, Krenar Zejno e rimori atë libërth për ta rishkruar e na dhënë një himn, apo ‘lavd’ të mrekullueshëm për librin si të tillë (sebdin më të çuditshëm në këtë botë – Borges), kulturën komplekse që ai përfaqëson për njeriun prej fillimeve më të largëta e deri sot, për rëndësinë dhe ‘kotësinë’ e tij dhe po ashtu për atë që i bie pas hijes së librit, që e vesh si mantel hijen e tij, bibliofilin. Librin e përpinë për shkak se është shkruar, siç di Krenari, ‘me plor’ dhe mund ta kuptoni sadopak se ç’mundim gjuhësor është; për shkak të një erudicioni zotëruar me kaq mund e dhënë kaq këndshëm; për aurën që i vesh librit, a qoftë lloj saturni, pse ai i vesh më tepër unaza të ndritshme; për bibliofilin ‘me profil’ të trishtë që ai ia shpall vetes nëpër muret e galerisë ‘Zenit’ spërkatur me imazhe, natë dhe vite. Një libër që do duhej botuar me mijëra kopje, që zbret bukur si në përfytyrimin e fëmijëve, ashtu edhe të të rriturve, me atë shpërfaqje misteri të karakterit të pakohë të bibliofilit, që rri mirë edhe përfund një peme a strofke, po aq edhe në rafte me dru ahu të lëmuar. Po ç’është ky tip që nuk e shqetëson as balli i rreptë i Harold Bloom-it as bërrylat e një adoleshenti që rrudhosin fletën, as era e mykut, as letra artificiale e librave, me letër druri ku ma gjen!, që kujton me nostalgji epokën e germave të plumbit tek rrëshqet mollëzat që nuk ngecin nëpër fletë plot germa dixhitale, që as qiriu as drita ‘led’ nuk përbën ndonjë problem për të, që mërzitet nga faqosja dhe fundarët e cekët të librave, pa humbur kërshëritë dhe imagjinatën letrare, këtij misteriozi që si mëndeshë e vjetër, kujdeset për jetën pas leximit të librit, që veç ai e di vetminë e Garamondit apo Granjonit, apo bashkëbisedimet e heshtura mes rreshtave, gjumin e librave . . . Dhe gjithë përhumbja shkundet nga ankthi mos një troshitje dheu (a mos qoftë zemërim i të tjerë librave) dhe mijëra kilogramë shkronja befas të ndërpresin frymëmarrjen.

Ndaj dhe Krenar lexuesi nxiton të dalë nga galeria e vetes në kohë dhe ja, bëhet Libër.

Gentian Çoçoli

KUR LETERSIA TRAZON UJRAT E FESE


Nga kritikat e iluministit Volter për Kishën katolike në esenë e tij “Traktat mbi tolerancën”, te deklaratat provokuese të një tjetër francezi, Michel Houllebecq, i cili e ka quajtur islamin fenë më budallaqe të botë, tek autori shqiptar Ben Blushi, që parashikon rritjen e ekstremizmit fetar ndër myslimanët e Shqipërisë. Si i trazon letërsia ekuilibrat historikisht delikatë të besimeve fetare? A do të shtohen zërat kritikues të religjioneve apo të ashtuquajturit islamofobë si Houllebecq, pas ngjarjeve që kanë terrorizuar të gjithë Europën?

Është viti 2022 dhe Franca jeton në frikë. Vendi është turbulluar nga trazira misterioze. Episode të rregullta dhune urbane fshihen qëllimshëm nga media. Gjithçka është mbuluar, publiku është në terr…dhe në pak muaj, lideri i të sapokrijuarës Parti Myslimane do të zgjidhet president. Në mbrëmjen e 5 qershorit, në zgjedhjet e dyta të përgjithshme –pasi të parat janë anuluar nga përhapja e mashtrimit të votuesve –Mohammed Ben Abbes mund Marine Le Pen-in me mbështetjen si të socialistëve ashtu edhe të djathtëve.

Të nesërmen, gratë braktisin veshjet perëndimore. Shumica nis të veshë robëdëshambrë të gjatë pambuku mbi pantallona; të inkurajuara nga subvencionet qeveritare, ato e braktisin vendin e punës në turma. Papunësia mashkullore bie brenda natës. Në ish-lagjet e trazuara krimi zhduket. Universitetet bëhen islamike. Mësuesit jomyslimanë detyrohen të dalin në pensionet herët, nëse nuk konvertohen dhe i nënshtrohen regjimit të ri…

Kjo është bota e imagjinuar nga Michel Houellebecq në romanin e tij të gjashtë “Nënshtrimi”, sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”.

Pas daljes së romanit “Platforma” në vitin 2001, Houellebecq u shpreh se Islami është ‘feja më budallaqe në botë’. Për këtë arsye, myslimanët e denoncuan dhe ai u detyrua t’i nënshtrohej një procesi gjyqësor, të cilin e fitoi, por duke i kushtuar atij largimin nga Franca.

I cilësuar si ‘Profeti Ogurzi’ i letërsisë franceze, cilësime që nisën qysh me botimin e romanit “Platforma”, Houllebecq vazhdon ende të provokojë.

Çfarë e shtyu Houellebecq –un të shkruajë një libër që krijoi skandal në Francë, qysh përpara botimit të tij?

Më 7 Janar të këtij viti –dita kur romani shumë i debatuar u botua –tmerri goditi Francën. Më 8 e 20 të mëngjesit Houellebecq –u ishte në radio duke dhënë të parën intervistë të gjatë rreth librit, i cili qysh para botimit ishte përballur me akuzat se ishte një provokim islamofob. I pyetur për deklaratën e tij të vitit 2002, që nxiti urrejtje racore pasi tha se Islami ishte “ feja më budallaqe”, ai ka thënë se ka ndryshuar mendje pasi ka lexuar Kuranin dhe ka ndjerë se Islami është diçka me të cilën mund të negociohet. “Kur më gjykuan për racizëm një dekadë më parë, prokurori theksoi, drejt, se feja myslimane nuk ishte një tipar racial. Është bërë më e dukshme sot. E kemi shtrirë sundimin e “racizmit” duke shpikur krimin e islamofobisë. Islamofobia nuk është një lloj racizmi”, – do të shprehej Houllebecq kur e pyetën nëse ishte racist.

…Disa orë më vonë, dy vëllezër francezë shkuan në zyrat e së përjavshmes satirike Charlie Hebdo, e cila kishte botuar karikatura të profetit Muhamed dhe vranë 12 njerëz, përshirë disa prej karikaturistë më të mirë të Francës, e më vonë vranë një polic mysliman i cili u ndesh me ta në rrugë. Houellebecq –u qe në kopertinën e parë të Charlie Hebdo-s atë mëngjes i pikturuar si Nostradamus i drobitur teksa përgatitej për kremtimin e Ramazanit. Ishte një rastësi që sulmet ndodhën atë ditë kur libri i tij u botua por kjo e tërhoqi atë pa ndalim nëpër ngjarje. Ditën tjetër, kryeministri socialist Manuel Valls, duke kërkuar të bashkojë kombin kundër asaj çka ai e dënoi si tregim gishti me urrejtje për myslimanët e zakonshëm tha: “Franca nuk është Michel Houellebecq… nuk është mungesë tolerance, urrejtje dhe frikë”.

Për të, frika te “Nënshtrimi” vjen në dhunën e errët në fillim të romanit, përpara se partia e moderuar myslimane të vijë në pushtet. A ishte ai duke luajtur qartazi me një gjendje frike në Francë? “Po, shpallem fajtor”, ka thënë. Për Houellebecq –un, puna e një romancieri është mbi të gjitha të mbajë një pasqyrë lart ndaj shoqërisë bashkëkohore.

Ai thotë se lumi i librave dhe kopertinave të revistave që luajnë me frikën ndaj Islamit “ është bërë efektivisht obsesive” A është libri i tij pjesë e kësaj? Sigurisht, sigurisht, thotë ai. “Por nuk ndihem në mënyrë të veçantë për të kërkuar ndjesë. Është e pamundur të rrisësh përpjesëtimin të dhënë tashmë Islamit nga lajmet. Jemi pranë 100 përqindëshit”, – thotë Houllebecq.

Houellebecq –u këmbëngul se “Nënshtrimi nuk është një roman islamofob, në mënyrë absolute.

Por pas sulmeve të Charlie Hebdo-së në termat e lirisë së shprehjes, ai ka argumentuar se kushdo duhet të ketë të drejtën të shkruajë një roman islamofob, nëse zgjedh ta shkruajë.

“Dëshpërimi vjen duke i thënë lamtumirë qytetërimit, sado i lashtë. Por në fund të fundit Kurani del se është shumë më mirë se e kisha menduar, tani që e kam rilexuar- ose më saktë, lexuar. Konkluzioni më i dukshëm është se xhihadistët janë myslimanë të këqij. Padyshim si me të gjitha tekstet fetare, ka hapësirë për interpretim por një lexim i ndershëm do të bëjë të dalësh në përfundim se një luftë e shenjtë agresioni nuk është e sanksionuar në përgjithësi, vetëm lutja është e vlefshme. Kështu mund të thoni se kam ndryshuar mendim”, thotë autori, duke shtuar se objektivisht ka pak mundësi që një mysliman të lexojë Kuranin aq sa edhe një i krishterë të lexojë Biblën. “Ajo që ka vërtet rëndësi është kush është kleriku, ndërmjetësuesi apo interpreti. Dhe në rastin e Islamit, kjo është shumë e hapur”.

Një Kasandra apo një profet i ditës së fundit? Vetë autori nuk e quan parashikim pesimist romanin e tij. Sepse, sipas tij, në fund të ditës gjërat nuk shkojnë edhe aq keq.

Një libër i shkruar duke mos pasur ndërmend provokimin?!

“Unë e përshpejtoj historinë, por jo, nuk mund ta them se ky libër është provokim – nëse kjo do të thotë të thuash gjëra që i konsideroj në thelb të pavërteta vetëm për t’iu ngritur njerëzve nervat. Unë kondensoj një evolucion që në opinionin tim është realist”.

A është ai islamofob? “Po, me gjasa. Dikush mund të ketë frikë” –përgjigjet ai –“Mund të jem islamofob, por fjala fobi ka kuptimin e frikës dhe jo të urrejtjes”.

Nga se ka frikë ai? “Gjithçka po shkon keq në Perëndim; mund të thuash që tashmë gjithçka ka shkuar keq”. E ka fjalën për terrorizmin? Ai tund kryet. Ndoshta vetëm pak njerëz kanë një efekt të fortë. Shpesh janë minoritetet ata që bëjnë historinë…

Blushi: Interpretuesit e fesë duhet të reformohen

Me daljen e librit eseistik “Hëna e Shqipërisë”- botuar nga “UET Press” -nuk munguan shkrimet në median e shkruar apo atë elektronike që e shihnin veprën si anti-islame, po aq sa edhe autorin e saj, Ben Blushin. Kishte nga ata që bënin thirrje për ta refuzuar këtë libër, të cilin Blushi bën një parashikim thuajse profetik mbi ngjarjet dhe zhvillimet që do të përfshijnë Shqipërinë, Kosovën, por edhe Europën në 100 vitet e fundit. Një profeci pesimiste e cila parashikon më shumë pabarazi ekonomike, më shumë radikalizëm politik, më shumë ekstremizëm fetar (të krishterë dhe myslimanë) më shumë nacionalizëm dhe më pak rëndësi e peshë ndërkombëtare. Blushi ka provokuar duke gërvishtur besimet fetare. Shumë mund të thonë se pjesërisht parashikimet e Blushit u bënë të vërteta ndërsa libri ndodhej në botim. Shqiptarë që luftojnë për shtet islamik në Siri nën flamuj organizatash terroriste apo të tjerë shqiptarë që “mbysin” me fjalë urrejtje njëri -tjetrin në rrjete sociale apo gazeta për shkak të besimit fetar. Mes tyre ai gjen edhe të kundërtën, pjesën tolerante që sipas tij duhet të përkrahet. “Unë nuk them se fetë janë të padobishme, por them që nuk mund të jenë busull për të orientuar jetën e shumicës së botës. Dhe në qoftë se kjo ndodh, bien pre shoqëritë që janë më të varfra, varfëria na çon në këtë drejtim besoj”, është shprehur Blushi. Në libër Blushi flet për deislamizim të vendit, siç është dekristianizuar Europa. Madje, kritikon edhe vetë kishën për favorizimin ndaj meshkujve, luftën që i shpallte shkencës, e jo vetëm. Blushi është i mendimit se interpretuesit e fesë kanë arsye sot të reformohen. “Bota nuk pret sot që të reformohet feja islame dhe të ndryshojë Kurani apo të ndryshojë Muhamedi, se janë gjëra që nuk ndryshojnë dhe nuk kanë mundësi të ndryshojnë, por ata që e interpretojnë, ata kanë arsye të reformohen. Pra interpretuesit dhe lexuesit e dogmës dhe normës fetare kanë arsye të reformohen. Nuk presim që Kurani te rishkruhet- nuk ka pse- apo që Muhamedi të ndryshojë-që është në thelb të këtij debati-, ai është një gjurmë e historisë dhe është atje nuk mund të ndryshojë. Por ata që e lexojnë atë, kanë arsye të ndryshojnë- dhe është e domosdoshme. Kështu ka ndodhur me të gjitha fetë. Ka qenë shumë më fanatike Evropa e krishterë. Ka qenë dhe Evropa dikur në këtë fazë por njerëzimi ndryshon. Ndryshon koncepti që ke për fenë…Pas Charlie Hebdo-së, nëse ka një fe që është goditur më shumë, ajo është feja Islame. Ka marrë një damkë shumë të madhe në sytë e botës. E gjithë bota po pret që ajo të ndryshojë dhe të mos i krijojë botës kaq shumë tension dhe kaq shumë konflikte të panevojshme” – është shprehur Blushi në një intervistë televizive para disa kohësh. Duke iu referuar Francës, Blushi është i mendimit se jo të gjithë myslimanët atje janë terroristë. “Franca ka 5-6 milionë myslimanë. Të jeni të bindur që më pak se 1% e tyre mund të jenë radikal dhe më pak se 0.001% e tyre kanë nevojë për të vrarë, pra të moderuarit janë gjithmonë më shumë. Dhe në Shqipëri, por ata nuk bien në sy, se shkrihen me masën tjetër”. Me frikën e terrorizmit që nuk vjen nga vendet myslimane, por që rritet në Europë, Blushi ngre një skenar sesi do të kishte qenë gjendja nëse Europa do të ishte kontinent i mbyllur. “Jemi mësuar që dikush që e lexon në mënyrë të deformuar fenë e vet, në këtë rast Islamin, jeton në Pakistan apo Afganistan apo Palestinë dhe bëhet kamikaz. Deri diku është e kuptueshme pasi në këtë pjesë të botës ka më pak kanale lirie, ka më pak informacion, më shumë homogjenizëm dhe një trysni dogmatike fetare dhe mediatike të caktuar. Ndoshta është më e lehtë të kthehesh në një kamikaz po them, s’po them terrorist në çdo rast. Në Francë, Angli dhe Belgjikë, rezulton që nuk është kështu. Këta ekstremistë nuk janë mbartur, kanë lindur aty. Kanë lindur aty se gjyshërit apo prindërit e tyre kanë emigruar para 30 a 50 vjetësh dhe këta fëmijë me origjinë algjeriane, marokene, siriane apo iraniane kanë lindur dhe janë me nënshtetësi franceze. Për shkak të këtyre lirive ai është aty, se nëse Europa do të kishte qenë një kontinent i mbyllur s’do kishin mundësi prindërit e këtyre dy vëllezërve të jetonin në Francë. Nëse Franca do i përjashtonte të huajit, atëherë ata nuk do kishin mundësi të jetonin në Paris. Pra ata janë përfitues të parë të asaj lirie që kanë sulmuar para 2-3 ditësh. Se çfarë kanë bërë? Duke sulmuar i kanë dhënë mundësi gjithë francezëve dhe europianëve të bëjnë një pyete: a duhet ti hapim dyert për ekstra komunitarët? Dhe dua të them që ky lloj Islami- pavarësisht se ky është një deformuar- ky lloj Islami është një devijim i ushqyer nga dy drejtime them, e para nga vendet e tyre të origjinës dhe e dyta nga kriza në Europë. Se këta përveçse ishin besimtarë në llojin e vet- për mua nuk ishin- ishin pjesë e margjinalizuar e shoqërisë franceze, që nuk u integruan dot.”Në librin e tij “Hëna e Shqipërisë” Blushi paralajmëronte rrezikun e ekstremizmit fetar, ndërsa bashkëjetesën mes feve e ka parë si një vlerë në rrezik. “Ka një humbje të besimit dhe shumë njerëz e gjejnë besimin tek fetë. Duke qenë se jemi një vend me shumicë islame, feja myslimane rrok më shumë njerëz dhe shpirtra. Në këtë kuptim, kam thënë, në një të ardhme nuk përjashtohet fakti që të kemi organizime me karakter fetar, si në Kosovë. Në Kosovë janë dy parti, të regjistruara në zgjedhje me nuance totalisht fetare. Në Turqi e kemi në pushtet prej gati 10 vitesh, në Evropë po bëhet ky debat masivisht por nuk ka gjasa të ndodhë. Por ne si vend me predominancë fetare me këtë humbje besimi ndaj shtetit nuk e përjashtoj që mund të ketë parti me nuance fetare dhe që pastaj do futet në tregun normal të partive, duke bërë aleancë me njërën apo me tjetrën”. Çfarë do të jetë Shqipëria në njëqind vitet e ardhshme? Autori Ben Blushi duket se i fton shqiptarët të reflektojnë për të ardhmen.

A i zbut toleranca e Volterit masakrat në Francë ?

Toleranca nuk ka shkaktuar një luftë civile, intoleranca e ka mbuluar tokën në masakra”…Librarët as nuk do e kishin imagjinuar, por pas sulmeve të Charlie Hebdo-s libri “Traktat mbi tolerancën” ngjalli edhe njëherë interesin e lexuesit. Fluturoi nga raftet me shpejtësi marramendëse në të gjithë Francën. Libri u kthye në një bestseller edhe në Amazon, duke u renditur i 17 –ti, duke iu afruar Nënshtrimi” të Michel Houellebecq –ut. I shkruar 250 vjet më parë, një nga librat më të debatuar në të gjitha kohërat, eseja e Volterit ka ardhur këtë vit në shqip nga botimet “Saras”.Botuesit nxituan të ribotonin “Traktatin e Tolerancës” së Volterit, shkruar më 1763-shin, i cili nisi të shiste kopje në javën pas vdekjeve të 12 njerëzve në sulmin e zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”. I shkruar pas ekzekutimit për vrasje të tregtarit protestant Zhan Kalas, i trajtuar nga Volteri si një viktimë, i dënuar gabimisht nga persekucioni katolik. 250 vjet pas fushatës së Volterit që rezultoi me shpalljen të pafajshëm pas vdekjes së Kalasit, emri dhe imazhi i ndryshueshëm i autorit ishte i vështirë të shmangej në vazhdën e vrasjeve të “Charlie Hebdo”. Ishte pikërisht në bulevardin parisian “Volter” që masa të panumërta njerëzit marshuan dhe një portret i Volterit u shfaq në Pallatin e Versajës në homazh të viktimave të xhihadistëve. Një poster që tregonte bustin e Volterit me një flamur të shkruar ‘Je suis Charlie’, ilustroi artikuj dhe u shfaq në mediat sociale. Një thirrje kundër fanatizmit fetar, dhe një ese e mrekullueshme filozofike mbi raportin që shoqëria duhet të mbajë me besimin. Volteri ishte i bindur se ndasitë fetare janë shkaku i luftërave të ndryshme në botë. Në libër ai është shpesh kritik ndaj fesë, pikërisht në momentet kur ajo del nga terreni i saj.Vepra është një tekst i rëndësishëm dhe karakteristik i “Përndritjes” dhe sjell bashkë tri aspekte të Volterit: shkrimtarin, veprimtarin dhe filozofin. I lindur nga fushata e Volterit për të nxjerrë të pafajshëm Zhan Kalasin, kjo vepër sjell një polemikë brilante shoqëruar nga deizmi dhe humanizmi i tij dhe nga vlerat dhe idealet e Përndritjes. Çështjet që ngrihen me pyetjet mbi tolerancën dhe dinjitetin njerëzor janë ende shumë të rëndësishme edhe për kohët tona. Volteri ka qenë avokati më elokuent dhe i palodhur i lëvizjeve antidogmatike të njohura si “Përndritje”. Ai argumentonte të favor të “deizmit”, një zëvendësues i vagullt për fenë tradicionale që bënte me dije një krijues dhe një lloj drejtësie hyjnore, por refuzonte pjesën më të madhe të kredove themelore të Krishterimit. Në vend të kësaj ai predikoi se të gjithë janë të detyruar të tolerojnë njëri-tjetrin. Ai i sheh besimet fetare si të dobishme, por jo domosdoshmërisht të vërteta. Duhet përmendur që ateizmi në kohën e Volterit ishte i paligjshëm, dhe ai është burgosur shpesh dhe më në fund u dënua me mërgim për shkak se sfidoi fenë tradicionale.

Houllebecq
A jam islamofob? Me shumë gjasa, po. Dikush mund të ketë frikë. Mund të jem islamofob, por fjala fobi ka kuptimin e frikës dhe jo të urrejtjes.

Volter
Në vend të kësaj, ai predikoi se të gjithë janë të detyruar të tolerojnë njëri-tjetrin. Ai i sheh besimet fetare si të dobishme, por jo domosdoshmërisht të vërteta. Duhet përmendur që ateizmi në kohën e Volterit ishte i paligjshëm, dhe ai është burgosur shpesh dhe më në fund u dënua me mërgim për shkak se sfidoi fenë tradicionale.

Blushi
Unë nuk them se fetë janë të padobishme, por them që nuk mund të jenë busull për të orientuar jetën e shumicës së botës. Dhe në qoftë se kjo ndodh, bien pre shoqëritë që janë më të varfra, varfëria na çon në këtë drejtim, besoj.



Suadela Balliu

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...