2016-01-20

Lahuta e Malcis/ figurat stilistike brenda saj



Merita Bajtraktari Januzi

Lahuta e Malcis/ figurat stilistike brenda saj

          Meqë Lahuta e Malcis është vepër epike, kuptohet se në vete ngërthen elementin dramatik me veprimet e dukshme, përshkrimet, refleksionet e theksuara emocionale që paraqesin ndjesitë e folësit, vetë autorit, e cili bën lutje, lavdon, himnizon, uron, mallkon, shan, fyen, varësisht nga situatat që i paraqet, ndaj të cilave shpaloset bota e brendshme shpirtërore dhe emocionale e krijuesit me ideale të larta kombëtare. Menjëherë duke i analizuar vargjet do ta vëmë re edhe prezencën e figurave stilistike. Në vargjet vijuese, autori sajon thirrjen  (eksklamacionin) dhe më tej vazhdon me  figurën e  obsekracionit ( lutjes), të gërshetuar diku me anaforë dhe asonancë, ku   shprehen  lutjet dhe urimet e mëdha për njerëzit që u flijuan në luftë për çlirimin e trojeve shqiptare: 

O  ata t`lumt, qi dhanë jeten,
O ata t`lumt, qi shkrine veten
......
Letë u kjoftë mbi vorr lendina
Butë u kjoshin moti e stina
........
E der t`kndoje n`mal ndo i zanë
E der t`ket n`det ujë e ranë
Der sa t`shndrisin diell e hanë
Ata kurrë mos u harrofshin
.....
e njaj gjak, qi ka dikue
Ban, o Zot, qi t`jesë tue vlue
   Per m`ia xe zemrën Shqyptarit
       Per kah vendi e gjuha e t`Parit [1]
                                                                                    
                                                                                   (  Deka)

Dhe siç shihet na del koloriti i figurave stilistike: asonanca, anafora, obsekracioni, me shprehjet popullore dhe elemententin mitologjik. Ideja e admirimit ndaj njerëzve që u flijuan për atdhe përshkon veprat e tij në pjesët e caktuara varësisht nga episodi, ngjarja që  e trajton ai. Ngjashëm vjen në shprehje edhe ekskrekacioni apo nama, mallkimi drejtuar atyre që bijnë ndesh me vullnetin e popullit, me vullnetin e autorit që me mish e shpirt i këndon atdheut:

                                               Ah kadalë, Nikollë të vraftë Zoti
                                               Pse k`tu i thonë Oso baroti
                                               Se s`ke pa shqyptar me sy
                                               Se djegë veten edhe ty! [2]   
                                                            
                                                                   ( Deka)

E pastaj natyrshëm vjen ideja e flijimit që nuk ka si mos të duket kur bëhet fjalë për ngjarje të lavdishme apo heronj të lavdishëm. Këto vargje, si të tilla, përjetohen thellë nga lexuesi, te i cili autori gjithsesi e arrin qëllimin që: Mrendë dashtnin m`u a ndezë shqyptarve/ Per kah gjuha e vendi i t`parve [3] ( Vranina )
            Duke perceptuar idenë e veprës, duke e ndjerë zjarrin që i ka vluar në zemër autorit, lexuesi komunikon natyrshëm me autorin dhe veprën e kjo e ka rëndësinë e madhe për atë që ne e quajmë interkomunikim: autor-vepër-lexues.
           Idetë kombëtare, siç shihet nga lart, janë ato që u paraprijnë figurave të ndryshme në suazat e artikulimit artistik të temave dhe motiveve të ndryshme. Figuracioni poetik është pra elementi kryesor që harmonizon rrjedhën ritmike të shprehjes artistike me formën dhe përmbajtjen e veprës. Në këtë rrafsh vërejmë se hiperbola është më e shprehura në eposit fishtjan, e cila merr përmasat fantastike të të zmadhuerit, por herë edhe ruan tiparet realiste të paraqitjes së situatave konkrete.

                                             ” Oso Kuka, i burrë Shkodran,
                                               Shoq në Shkodër, thonë, s`ka lanë
                                               Për kah besa e kah trimnija,
                                               Qi zanat i ka Shqypnia
                                               Kaleshan e sy-përgjakun,
                                               Mje m`sylah e ka mustakun
                                               Ushton mali, thonë kur t`flase,
                                               Dridhet fusha kah t`vikase;
                                               E kah t`dredhë të rrebtë taga`n
                                               Thue se rrfeja shkrepë per anë:
                                               Kaq vringëllim aj shkon tuë i dhanë!” [4]   ( Vranina) 
                                                 
Krahasimi, metafora, personifikimi etj. dalin si figura mjaft të bukura, herë individuale, herë konvencionale, të ndërlidhura me shprehjet nga folklori. Edhe ashtu në veprën e tij zotëron tetërrokëshi popullor që bashkë me larushinë figurative shënon një muzikalitet të fortë aq sa këngët e Lahutës së Malcis vërtetë mund të këndohen dhe u kënduan me lahutë.
                                   
                                                Përse i huej, kushdo qi kjoftë   
                                                 Ai gjithmonë a augur i zi
                                                Për të mjeren moj Shqypni,
                                                 Si njaj korbi që ndiell zi.[5]
  
 Këtu edhe metafora augur i zi, po edhe krahasimi  Si njaj korbi që ndiell zi na dalin si figura konvencionale të ndërlidhura me oralitetin, si ndodh me shumicën e figurave te vargjet e Fishtës. Ndërkaq në vargjet:

                                               Pushka e babës, ltinë mizore
                                               Q`i der sot mue s`m`k`a koritun
                                               Pse edhe m`turk ajo asht vaditun...[6]

kemi figurën e personifikimit, të ndërlidhur me metaforën ltinë mizore. Këtu pushkës i jepen tiparet e njeriut  kur thuhet Q`i der sot mue s`m`k`a koritun, thuajse është pushka ajo që vepron vet dhe ka vepruar edhe më parë, pasi ajo si pushkë me emër dhe pushkë e babait nënkupton përpjekjet brez pas brezi për çlirimin nga pushtuesit e juaj. Kështu figura lidhet me idenë dhe mesazhin që e jep autori brenda veprës dhe kështu në komentimin e secilës figurë e shohim funksionin e saj brenda përmbajtjes së tekstit.
          Gjergj Fishta duke qenë prift françeskan, shihet se në stilin e tij, pothuaj se  në të gjitha veprat letrare,  vjen në shprehje ndërthurja e kodit fetar me kodet e tjera  si: kodin historik, kodin mitologjik, kodin ligjërimor përshkrues, etj., P.sh. Lahuta e Malcis nis me vargjet që mund  t`i rangojmë si obsekracion/lutje:

                                                Ndihmo, Zot  si m`ke ndihmue.

Për të vazhduar me kodin historik, ku shihet qartë enumeracioni pasi autori bën përshkrim të detajuar të rrjedhave historike :

                                               Pesqind vjet kishin kalue
                                               Se të bukuren ket Shqypni
                                               Turku e mbate në robni.
                                               Krejt tue e la t`mjeren në gjak
                                               Frymem tue i zanun njak,
                                               E as tue e lanë, jo, dritë  me pa:
                                               Kurr të keqen pa i a da:
                                               Rrihe, e mos e len me kja:[7]
            
                                                                   (Cubat)

Kështu ndërthurje kodesh kemi varg në këngët e kësaj vepre:

                                               Avdi Pashë tha , ma kadal!
                                              Mos e thuej dy herë atë fjalë
                                              Se për dinë e për Ima`n
                                              T`baj qi t`kjaj e zeza nanë
                                              T`baj qi t`kjaj pa exhel ty nana
                                             Pse n`Shqypni ka djem si zana
                                              Qi për mbret e troje t`veta
                                              nuk u dhimbet gja as jeta.[8]

                                                                     ( Oso Kuka)

 Dhe ja Zana del si krahasim me të cilin autori don ta nxjerri në pah trimërinë, guximin e djemve shqiptarë. Figurat mitologjike si: zanat, shtojzovallet, orët, dragonjtë, shtrigat etj, vijnë si fryt i fantazisë krijuese të autorit  për të ofruar te lexuesi idetë e tij, porositë e tij karshi përshkrimit të ngjarjeve historike dhe të figurave të heronjve të shquar të historisë e të kulturës sonë. Kështu vërehet fryma realiste-fantastike e  poemës me  personazhe historike nga njëra anë dhe personazhe fantastike apo mitologjike në anën tjetër. Dhe siç thashë më lart, figurat mitologjike Fishta i vë në shërbim të paraqitjes së ngjarjeve, rrethanave, duke u dhënë role e pozicione të ndryshme disave në radhët e heronjve tanë - pro Shqipërisë e disave në radhët e armikut- kundër Shqipërisë.  Në këtë ndërtim artistik personazhet e të dyja grupeve mishërohen krejt  natyrshëm  në mes veti. Ora e Shqipërisë e përkrah Ali Pashën e Gucisë kur është çasti që luhet me fatin e kombit. Zana e madhe është vetë muza e poetit, e cila i jep trimëri, i jep shpirt për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve dhe bashkë me autorin  uron, mallkon, lutet, gëzohet e hidhërohet. Po kështu, zana shqiptare shihet të jetë në konflikt me zanat që përkrahin armiqtë e Shqipërisë, p.sh. Zana e Vizitorit, zanë shqiptare, është në konflikt me Zanën e Durmitorit, zanën malazeze, e cila e nxitë Mark Milanin kundër shqiptarëve.
         
                                               Hider, bre! Ti me i ndihmue
                                               Mark Milanit t`birit t`shkines,
                                   Qi Shqypnin aj rreth m`e shtrue
                                              Per  nen kamë t`Knjazit t`Cetinës...
                                              Po a kujton, mori gabele,
                                              Se shqyptarët kan daun fare,
                                              Qi me ardhë Knjazi, me `i kal zhele.
                                              Per t`sunduem mbi tokë shqiptare?
  
 Fjalët hider dhe gabele janë në funksion të epiteteve fyrëse, nëpërmjet të cilave autori shprehet me nënçmim ndaj përkrahëses së armikut ( Zanës së durmitorit), ndërkaq edhe pyetja retorike  nxjerr në pah nënvlerësimin e fuqisë së Knjazit për t`i pushtuar trojet shqiptare.
              Si vepër epike, Lahuta e malcis e ka të shprehur shumë enumeracionin si figurë, ku autori bën përshkrime të gjata të situatave, ngjarjeve, dhe neve na duket sikur i kemi parasysh ato pamje, ato tablo. Si edhe shembullin më lartë, po i jap edhe këto vargje për të argumentuar mendimin e shfaqur:

                                                     Sa rrin Osja tue mendue
                                                     Bukë djelmnija kan marue
                                                     Çuene tryezat e i pështetën,
                                                     Rrokull odes mandej zateten,
                                                     Kush tue dhenë, kush tue kuvendë,
                                                     Kush  ue luejtë cic-mic e hane,
                                                     Kush tue lye ndoi çark breshane:
                                                     Nji taga`n m`unuer e mrefë,
                                                     Fushekët tjetri nvezme i njefë[9]  ( Deka)
                                              
Ose
                                                  Nja  mbas nja`i po i bien Pazarit,
                                                  Si ajo re qi prej Tivarit
                                                 Njitet zi terthoreve t`ona,
                                                 Per me shkrepë ndokahë t`e vona,
                                                 Edhe kapen m`at breg Buene,
                                                 Ku n`nji lunder u rreshtuene.
                                                                ...
                                          
                                                  Edhe nisë asht porsi re
                                                 Tuj ça valen për liqe:
                                                 Tuj ça valen kah Vranina,
                                                 Ku po bate nam Cetina.[10] ( Oso Kuka)

Përveç enumeracionit, kemi edhe krahasimet (Si ajo re qi prej Tivarit/ Njitet zi terthoreve t`ona, porsi re) dhe anaforat, ku shohin përsëritjen e fjalëve në fillim të disa vargjeve. Rimat e puthitura, gjegjësisht zanoret e njëjta ndërmjet bashkëtingëlloreve të ndryshme  e shtojnë rrjedhën ritmike dhe muzikalitetin e vargjeve. 
Është karakteristike se krahasimet e Fishtës në shumicën e rasteve janë krahasime të gjata, si shembulli që dhamë, apo edhe të tjerë si:  Burrë, si burrat që kjenë motit; E,  si kau nën thikë të kandarit;  Porsi njaj tallazi i detit; Porsi shuhet krypa n`ujë; Si ajo hana neper pyllë, etj. Kjo vjen si rezultat i  gjuhës dialektore, thjesht popullore  dhe ndikimeve të mëdha nga thesari i pasur i folklorit, prej nga shihen referencat e vazhdueshme.  Është e padiskutueshme që figurat poetike të Fishtes janë të ndërlidhura fort me frazeologjizma, urti e mençuri popullore dhe  me elementet mitologjike.
     Si edhe shumë autorë që marrin forma shprehjesh të gatshme nga strukturat frazeologjike të  gjuhës sonë, ashtu edhe Fishta i përdor ato në funksion të artikulimit artistik të ideve të tij. Vargjet: Shtatin div e syt` si zgjeta; E vraftë buka si a tue vra!; Porsi shuhet krypa n`ujë; Diç po vlon atje në Berlin; Per pa u ba gjaku der m`gjuPse asht der pushke gjet me gjet;  Me iu dhimtë gurit e drunitMe i pasë pre... gjak s`kishin ba; Kado shkojshin e kado vijshin/ dy gur njitë kund nuk i lishin; Si njaj kau i mbajtun n`grazh/ kur t`i mrrije thika n`asht; Nuk perdihet, jo, shqyptari/ me sa gaca ndezun zhari; Nuk e la me çue kurr krye/ se dritë me pa me sy;  e ndonjë njësi tjetër frazeologjike na dalin si shprehje figurative, qoftë si krahasim, personifikim,  metaforë, hiperbollë, kontrast, etj. që reflektojnë rrethanat e kohës, nuancat e jetës shpirtërore dhe kulturore të vendit tonë dhe lidhjen semantike në suazat e konteksit që i përdorë poeti.
              Edhe fjalët e urta janë të shpeshta  në eposin fishtjan dhe meqë vepra e tij bart idenë për ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve, pa dyshim se elementet e tilla janë pjesë e diskursit poetik të këtij autori. Në vazhdim po i japim tre-katër shembuj:
         I:                                      Por i urti kurr nuk ngutet
     Prej burrnis e jo prej tutet[11]
                                                                         ( Oso Kuka)

        II:                                       T`huj`n me fjalë mos ta poshtnoni
  Me i besue mos i besoni! [12]

        III:                                    Ujit turbullt mos me i ra
Mos me dalun n`va t`pa va
                                                 Me iu ruejtun rrases së lmueme
                                                 Me iu ruejtun shakës t`terbueme
                                                 Me iu ruejt, po, grues  së lëshueme. [13]
                                ( Marash Uci)

     IV:                                        Per dhe të vet kush dekë ka ra
                                                  Aj s`ka dekun, por ka le.[14]
                                                                           ( Pater Gjoni)

Te shembulli i parë e kemi  një lloj antiteze  Prej burrnis e jo prej tutet, te shembulli i dytë e kemi asonancën, ndërkaq te shembulli i tretë e kemi anaforën në tri vargjet e fundit dhe te e dyta e kemi edhe asonancën: n`va t`pa va, ndërkaq te shembulli i katërt e kemi aliteracionin në shkronjën k, të gërshetuar me një lloj antiteze: Aj s`ka dekun, por ka le, nëpërmjet të cilës urtia e rithekson faktin e pavdekësisë së dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit të vet.

Gjergj Fishta përdor një gjuhë të pasur shqipe me një fjalor dialektor,  pjesa më e madhe e të cilit nuk është përdorur më parë në veprat letrare aq më pak në poezi. Fishta i përdor në masë të madhe përsëritjet në fillim, në mes ose në fund të vargut, refrenet, përsëritjet e teksteve të plota, dialogjet, sentencat filozofike, përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, të cilat vijnë natyrshëm varësisht nga situatat që i paraqet ai.  Siç pamë nga shembujt e dhënë figuracioni poetik ka rol të fuqishëm në artikulimin e shprehjes ekspresive, shpalosjen e mendimeve dhe ndjenjave që barten aq lehtë dhe me efektshmëri edhe te lexuesi. Hiperbola është figura kryesore e eposit fishtjan, por një hiperbolë sa fantastike aq edhe realiste. Fantastike për përmasat zmadhuese të tiparit ose efektit të tiparit, realiste për konkretësinë e tyre. Siç e kemi më lart krahasimi është  i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime e të tjera dhe kjo ndosh po thuajse te të gjitha këngët e tij. Gjithashtu, metafora përdoret me origjinalitet me nëntekste të shumfishta të folklorit. Epiteti ka gjithnjë ngarkesa metaforike dhe kryesisht ndërlidhet me Krahasime ose me hiperbola. Figurat mitologjike lidhen me larushinë e figuracionin poetik, në funksion të ndërtimit të imazhit poetik, artikulimit ideor dhe artistik të veprës së këtij autori.






[1] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1997, f. 56.
[2] Po aty, f. 57.
[3]Po aty, f. 42.
[4] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1997, f. 34.
[5] Po aty, f.120.
[6] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1997, f. 37.
[7] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1997, f. 3.
[8] Po aty, f. 17.
[9] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1997, faqe 44.
[10]  Po aty, f. 21.
[11] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1997, f.17.
[12] Po aty, f. 136.
[13] Po aty, f.136.
[14] Po aty, f. 246.

(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

Ligjërimi poetik i Ali Podrimjes


Merita Bajraktari Januzi, Studiuese e letërsisë


Ligjërimi poetik i Ali Podrimjes


                      Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe konsiderohet si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare. Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë: si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe  Harakiri (1999).
 Duke qenë poet bashkëkohor, Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga kornizat  konvencionale, duke i dhënë shprehje të lirë vargut, shprehje metaforike, shprehje ironike që vënë në pahë idetë dhe mesazhet e tij artistike.

 Brenda punimit do të provojmë analizën e teksteve të Podrimjes në aspektin semiotik, duke vlerësuar si shenjojnë dhe komunikojnë elementet që i përdor autori brenda teksteve të veta. Duke vlerësuar gjuhën e përdorur dhe figuracionin poetik në kontekst të ideve dhe motiveve që trajton autori do të shohim shenjat referente konceptuale brenda rrafshit të përmbajtjeve,  do të shohim shenjat dhe të shenjuarit brenda disa teksteve/veprave. Më konkretisht do të shohim rrafshin e shprehjeve dhe rrafshin e përmbajtjeve, relacionet ndërmjet tyre, si dhe konotacionet tjera të ligjërimit poetik.
          
Përmbledhja poetike "Torzo"

Kjo përmbledhje konsoderohet si kulmi artistik i Ali Podrimjes, uni lirik gradualisht tërhiqet, intimizohet, zhvishet nga patosi kolektiv dhe  personalizohet. Ndonëse lirika është patriotike, ajo gërshetohet me nuancat intime të jetës së përditshme të autorit. Ciklet poetike "Mbi lumin", nis të mos  i kushtojnë vëmendje domosdoshmërisht  artikulimit rtistik, nëpërmjet figurave poetike, ndonëse ka një sistem solid figurativ me theks në metaforë dhe simbol. Më tutje ai e vë në pah ironinë poetike, të cilën  e gjejmë  të artikuluar me mjeshtri e fuqi shprehëse brenda përmbledhjes Torzo dhe aty do t`i veçoj poezitë: Torzo dhe  Baladë për njerinë.  Te e para, semantika e fjalës torzo tregon figurën e njeriut të gjymtuar, të dëmtuar, të deformua:

Gjithkund kaloj  e kurrkund s`jam
në ndonjë kohë po më takuat ndonjëherë
ju lutem mos më lerëni pa emër”[1]


“ Ideja qendrore e torzos materializohet nga torzioni i botës dhe njeriut të dhënë përmes një gjuhe të fortë, kundërvënëse, e jo drejtpërdrejt që do të jepte ekzaltimin. Përkundrazi këtu ndeshemi me brengën, e cila për t`u realizuar, përdor të vetmën mundësi të artit, ironinë e skajshme të ngritur nga revolti i njeriut të revoltuar, i cili ndien neveri të pakufishme ndaj botës së torzionuar. Ky negativum poetik është afirmim i tërthortë i pozitivumit të njeriut dhe botës.”[2]. Më tej poeti jep një ndër figurat më të thelluara ironike e tragjike dhe shenjon figurën e njeriut të gjorë, të cilit i mungon gjithçka  dhe duket gjysmak siç është bota rreth tij:

“Njoh një njeri
i cili shetit lakuriq nëpër botë
në vend të kravatës
gjarprin lidh në qafë
në vend të këmishës
lëkurën e ujkut vesh
njoh një njeri
i cili tërë kohën e lume
zhvishet e zhvishet
në një vend publik
askush s`e këqyr me sy
e ai shetit lakuriq nëpër botë
si në kohën e egërsisë
njoh një njeri
i cili ka humbur gjithçka
ndjenja
sy”[3]

Ironi e sarkazëm bashkë kemi te vargjet e poshtëshënuara:

Të shpëlarër të krekosurit të hekurosurit vini
rend-rend
...
Rrahnin ujë në tavan prej mëngjesi në mbrëmje
prej mbrëmje në mëngjes
Simpoziume kokteje ekstrakokteje pleh deri në
                                                                 gju
Teori të gjora mbi vargje mbi romane të gjorë
psikanalizë e rëndë

Duke qëndisur duke bërë ojna duke bërë
                                                            sehire
mplakeshin gjenitë
në bisht të Evropës.”[4]
 ose 
                                                                                                                                  
E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë

Si dele nuk i dilet në Pazar
Nëpër fjalë sec dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë”[5]

ku ironia është e gërshetuar me paradoksin dhe  krahasimin. Litari rreth qafe shenjon gjendjen e kundërt me të qenurit e lirë dhe e pavarur dhe krahasimi me delen që ka simbolikën e të urtës dhe frikacakes del shumë kontradiktore me  vendin e kullave e të qëndresës. Siç shihet në situatat kur autorin e kaplon dhembja e madhe për fatin e vendit, nuk don ta lavdërojë atë, por ta kritikojë. 


Figurat që shenjojnë  identitetin kombëtar

            Guri,  muri, kulla, Rozafa te Ali Podrimja dalin si simbole të qëndresës dhe identitetit të popullit tonë të lashtë dhe shenjojnë lidhjet e poetit me origjinën, me prejardhjen e tij në vështrim individual dhe kolektiv:

Merreni këtë gur e hidheni
ku të doni
Fortësia e tij na përjetëson[6]

Dhe

Deri te kulla ime
Udha e panjohur më çon
Hap derën mbyll peisazhin
Leshoj grilat ngjyrë gri rreth meje[7]

Kështu si edhe studiues të tjerë edhe Rexhep Qosja vlerëson se ” kulla, në poezinë e shumë poetëve të sotëm të Kosovës, do shikuar si pjesë e simbolizmit tradicional, të heroizmit kombëtar, izolacionizmit dhe provincializmit kulturor”.[8]:

Deri te Kulla ime
Udha e pa-njohur më çon

Hap derën mbyll peisazhin
                                              Lëshoj grilat ngjyrë gri rreth meje[9]                      
    
Kulla dhe Rozafati janë objekte kulte të poetit, për to janë sakrifikuar breza e breza ndër shekuj:

“Secili i falëm nga diçka
kush emrin
kush eshtrat i la”[10]

Fuqia e ndërtimit artistik të shprehjeve, vargjeve dhe poezive shihet nga poezia në poezi. Ai me mjeshtri mjaft interesante u këndon vlerave më sublime të popullit tonë ku secila prej tyre ka peshën e gurit, fortësinë, cilësinë dhe vjetërsinë e vet:
“ç'gurron guri në gurinë
gur guri ndër gurë më i guri
gur i gurëzuar pranë gurit
gurth i nguruar rreth gurit
gurron guri në gurë gurësh
guro guroje gurin në gurinë
ç'guri pranë gurit gur guri
vrimë e parë e fyellit tim.”

(Vrima e Parë e Fyellit Tim, poezi nga cikli Guri )[11]

          Këtu guri na del si metaforë e lashtësisë, e vendit, durimit, qëndresës dhe bashkë me figurat e përsëritjes, asonancën dhe aliteracionin rrit efektet artistike të poezisë për të bartur idenë e tij për qëndresën e vendit të tij nëpër kohë. Edhe te poezitë Epika,  Unë biri yt, Hija e tokës dhe Rënkimi  kemi larushi figurative ku shohim metaforën, krahasimin, anaforën, gradacionin, retiçencën, pyetjen retorike, të cilat lidhen bukur me struktura shprehjesh popullore ( kam hëngër veten, gjithë natën e lume) duke ia shtuar edhe më tej bukurinë  dhe fuqinë vargjeve të tij, po edhe gjithsesi edhe ëndjen lexuesit për t`i lexuar dhe rilexuar ato. Siç shihet shprehjet: guri, muri, kulla rozafa janë shenja dhe i shenjuari është kombi brenda rrafshit tematik, përmbajtësor.
Kështu,  fati i  kombit  ka primatin e diskursit tematik dominant në poezinë e Podrimjes. Ky diskurs tematik me nuancat stilistike dhe me formën e lartë të shprehjes letrare e arrin kulmin artistik  të transmetimit të ideve letrare.  Te Epika shekujt flasin për epoka historike, për përpjekje të parreshtura e sakrifica dhe madhështia e saj figurative e fuqia shprehëse vjen me vargun: “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet”  


“Me shekuj kam shitur gjakun
E jam rritur me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër veten
E ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!”
                                                                     ( Epika)[12]

Si figurë që artikulohet mbi parimin e ngjashmërisë, duke e fshehur lidhëzën si, metafora bën identifikimin e një sendi me një send tjetër. Një shkrirje të atdheut me gjakun e bën këtu dhe vargu Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!   është varg monumental, një emblemë e çmuar e ndërtuar mbi një strukturë arketipore që lidhet ngushtë me trashëgimin dhe lidhjen e fortë shpirtërore që e ka populli ynë me vendin, aq sa vendin e vet e barazon me gjakun pa të cilin nuk ka jetë. Poeti i njeh dhe i ndjen dhembjet, vuajtjet, dëshirat e vendit të vet, siç i njeh edhe shprehet  nëpërmjet vargjeve të bukura ku vihet re metafora, gradacioni, polisindeti dhe  krahasimi:

“Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.”[13]

              Pylli i Ali Podrimjes del simbol i bashkësisë së botës shqiptare të pushtuar dhe të shkelur nga armiku ( dhembi i ujkut) dhe lumi mund t`ia shuaj etjen tokës së shkretuar, por deri te lumi rrugën duhet t`ua ndriçojë ylli që simbolizon idealin për liri.
Poezia "Dëftore" siç shpreh titulli i saj tregon ardhjen dhe ikjen e pushtuesve gjatë shekujve si: mbretër, sulltanë, kralë, etj. dhe poeti me fyellin e tij (si rilindasit) fton zgjimin e shqiptarëve për liri e pavarësi. Ngjashëm thërret edhe te poezia Zgjohu Kosovë!:

“ Zgjohu Kosovë! Zgjohu nëna ime e dashur
balli dhe emri im i shkelur-
zgjohu oj! A  po e ndien vajin tim?
a po e sheh ngulur sytë,

mu në zemër mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar, unë- ashti yt?
Zgjohu Kosovë!
Prej degëve të mia të thyera kush po mbahet
Këtë vatër kush po e le?
Ç`janë këto  gjurma gjaku që po shtohen
nëpër  fytyrën tënde.
Këto varre e murana që sillen rreth shtëpisë sime...?
Zgjohu Kosovë! Zgjohu nëna ime e dashur...
Bota në ty le të kallet!”[14]


Simbolet e së keqes dhe të shëmtuarës.

Në një situatë   poeti  ndjen  se  fatin e keq  dikush ia ka ndjellur vendit të tij dhe jo rastësisht Podrimja i artikulon vargjet e ngitura mbi gjurmët e një miti të vjetër për macen e zenë, e cila ndjell fatin e keq:
                         

“ Në udhëtimin tim
Një mace e zezë më ndjek

E shpirti më thotë
Në gjysmë rruge kë për të mbetur
...
Një mace e zezë më ndjek
Në udhëtimin tim


Orët e fatit ajo dikton”[15]

        
 Dhe siç shihet macja simbolizon përcaktuesen e  fatit të tij dhe të vendit dhe gjithsesi dhembja që përshkon poezitë e Podrimjes, nuk është vetëm një dhembje  personale shpirtërore,  por definitivisht ajo dhembje merr përmasat e një dhembjeje së përgjithshme, pasi lidhet me gjakimin për  liri,  me dallgët e jetës, me vdekjen e shëmtuar  etj. që janë njerëzore dhe të ndjeshme për çdo kënd dhe  në gjithë globin.
Autori krahas vargjeve kushtuar kullave, urave, kalave etj., atyre që i ngre në simbole të së madhërishmes dhe sublimes, ai vë në pah edhe simbolet e së keqes dhe të shëmtuarës që lidhen me dukuritë negative: tradhtinë, degjenerimin, dyfytyrësinë, dinakërinë etj., prandaj edhe brenda veprës së tij defilojnë figurat e tilla si: macja e zezë, Kali i trojës, njeriu lakuriq, maskat etj.:

“Kush je ti që flet
e fytyrën s`ta pamë

sa të doni maska
rreth meje dhe botës”[16]

Sikurse Lasgushi edhe Podrimja  e poetë të tjerë  e kanë përdorë detin në funksion të shprehjes simbolike, me të cilën  simbolizohet sfida, vuajtjet, dallgët e jetës dhe e keqja përballë jetës.   Te Podrimja kryesisht deti simbolizon të keqen kundër qenies kombëtare, siç mund të shihet te poezia : “ Koha që s`ekziston për ne”:
                                                          
                                                        “n`udhëtimin e vet
                                                         deti ka shembull brigjet tona
                                                          prej nesh të lirohet
                                                         prej nesh të vërshojë botën
                                                         e dhëmbët i ka harruar  atëherë
                                                          në lëkurën tonë
                                                         një kohë që s`ka ekzistuar për ne”[17]

dhe siç shihet deti na simbolizon armikun, të cilin populli ynë vazhdimisht ka bërë përpjekje për të sfiduar, gjë që e reflekton poezia tjetër gjithashtu me simbolikën e detit “ Si e kemi zbuluar detin”:
“ me qindra e mijëra kilometra kemi udhëtuar
kemi udhëtuar e këmbët plot therra i kemi pasur
e kurtha të panumërta janë ngrehur
në udhetimin tonë të gjatë sa jeta jonë
e tërë jetën kemi udhëtuar nëpër njëfarë uji...
deti është gur i rëndë në zemrat e varfëra”[18]

Te vargu i fundit simboli transformohet në metaforë kur deti quhet gur i rëndë në zemrat e varfëra.   Ngashëm me dimensionet  shkatërruese na e paraqet detin edhe te poezia “ Një arap i zi pa emër dhe histori” e cila është  në raporte intertekstualiteti me legjendën për Gjergj Elez Alinë.
Në vëllimin "Lum lumi", të botuar në vitin 1982 shihet një ngarkesë emocionale që bart dhembja e madhe për  sëmundjen e pashërueshme të të birit, por edhe njëkohësisht është e pranishme edhe fryma e krenarisë dhe e qëndresës së kombit në luftërat nëpër shekuj.
Kështu me të drejtë mund të themi se këtu kemi lirika të pikëllimit me tone të theksuara elegjiake, shih vargjet për të birin, tashmë të vdekur:

“Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë”
(Me jetue, Tim bir, Lumit)

apo



Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
...
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë
...”[19]
                            
Kjo poezi që ishte krijuar në vitin 1979 sa ishte gjallë biri i poetit, bart me tërësinë e saj peshën e dëshirës për ta sfiduar vdekjen, të cilën poeti as që don ta mendoj fare, ndonëse e din që nuk ka shpëtim për Lumin e tij.  Siç shihet nuk ka aspak vaj, kuje e as mallkim brenda poezisë, por vetëm porosi të karakterit prindëror, porosi  plot e përplot mençuri  të bazuara në përvojat shekullore, porosi këto të artikuluara fuqishëm si në planin artistik, ashtu edhe në atë etik dhe kombëtar.
Janë të njohura vargjet e tij të poezisë  Pikëllimë , të shkruara në vitin 1981, kur thotë se:

Unë nuk qaj
Shi bie vogëlushi im
Shkundet plepi i  shtëpisë

Unë nuk luaj vendit
Muret lëvizin sendet vogëlushi im
Vjeshtë e keqe mori

Re e zezë shtëpinë tonë mbështolli”[20],

brenda të cilave ndërlidh pikëllimin, dhembjen për të birin me pikëllimin dhe dhembjen për popullin e tij që hiqte të zitë e ullirin dhe përpëlitej në përpjekjet për liri.  Këtu poeti sajon një paralelizëm figurativ  kur  vajin e vë paralel me shiun, moslëvizjen e tij me lëvizjen e murit, sendeve dhe vjeshta e keqe del në funksion të metaforës që nënkupton motin e keq, ngjarjet e rënda dhe në vargun e fundit  “ re e zezë”  simbolizon të keqen që e kaploi  si shtëpinë e tij edhe vendin.
           
Përfundim:

 Nga e gjitha që u tha,  pamë deri diku funksonin semiotik të tekstit, si fjalët dhe  shprehjet gjuhësore si janë të lidhura ngushtë me komunikimin e autorit të shtyrë nga motivet e caktuara për ta ndërtuar tekstin. Meqë poezia e Podrimjes është kryesisht patriotike i nxorëm në pah shprehjet, shenjat që identifikojnë elementet kombëtare, nëpërmjet të cilave shtrihet rrafshi tematik dhe ideor, qoftë kur motivohet nga qëndresa e popullit ( shenjat/ simbolet: gur, kala, Rozafa, etj.) apo kur frigohet nga armiku dhe dëmet që sjell ai ( deti, gjarpëri, macja e zezë, Kali i Trojës, maskat etj.).  Interpretimin e domethënies së këtyre shenjave e bëmë duke i deshifruar dhe komentuar figurat poetike që ishin mjaft të qarta dhe të dallueshme brenda tekstit. Kjo puna e interpretimit, mund të zgjerohet edhe më tej me aspektet strukturore, linguistike, tingullore etj., ngase semiotika mund të shikohet nga perspektiva shumëdimensionale. Shih për këtë tema mbetet gjithnjë e hapur për plotësime me punime tjera.





[1] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.53.
[2] Ibrahim Rugova, Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 83.
[3] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.41.
[4] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f. 76,78.
[5] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f. 128.
[6] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f.40
[7] Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, 1976, f.37
[8]  Rexhep Qosja, Poetika e romantizimit, Koha në unazë, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 28
[9] Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, 1976, f. 37.
[10] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.11.
[11] Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, 1976, f.29.
[12] www. http://poezishqiptare.blogspot.com/
[13]  Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, f.53.
[14] www. http://poezishqiptare.blogspot.com/
[15] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.7.
[16] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.43
[17] Ali Podrimja, Sambo, Rilindja, Prishtinë, 1969, f.63.
[18] Po aty, f.63.
[19] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tinanë, 2007, faqe 60
[20] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f. 104.

(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

Vera Istrefaj :Vesë shpirti(Cikël poetik )

Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës.Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë. Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.

Ka botuar librat :

"Shiu i fundit", "Nënqeshja e ëmbël", "Në akuj digjem", “U jepem udhëve" dhe “Qielli I shpirtit tim” .
Eshtë juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje experience 20 vjecare.

Eshte koordinatore e rrjetit “ Barazi ne vendimmarje” per Qarkun Kukes.

Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.

Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku eshte kryetare e “Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise” –Dega Kukes








DIMRI

Dimri
përqafoi fuqishëm
brishtësinë e supeve

Peshë e bardhësisë
rëndueshëm
ngrin vështrimet

Pas hapave nëpër qytet
mbetet heshtja,
heshtje që klith
ngricave të shpirtit

Tutje në horizont
ngrirë shpresa

Degëve të blirëve
hallet nxijnë


SHPRESË

Buzëqeshjes
mos ia mbyll derën

Lëre të dritojë
nëpër shpresë

Mbi trishtim lëre,
si lule me vesë


VJESHTË NË SHPIRT

I kanë ikur gjethet
pemës së shpresës

Lulja zhuritur
mungesës së vesës

Nisur në udhëtim
vjeshta e vonë,
shpirtit të trazuar




FLATRA NË FJALË


Le t’i nisin fjalët
pranga për to s’kam

Po më rimon shpirti
si ky shi mbi xham

Vargu flutron
petal më petal


Me rrezet e shpirtit
ngrohur e kam
e udhëtimin e tij
asgjë s’e ndal


KRISTAL NË SY

Më mbetën sytë
drejt derës

Pres të më vish
si syth i pranverës

Mureve të zemrës
përplaset etja për ty

E portreti yt,
kristal në sy,
imazh



IMAZH NË IKJE


Pendë të argjendta
zogjtë e shpirtit

Edhe kalimin dembel
nga teli në tel

Gjalica rëndon
nën të bardhin mantel

Dimri po rrëshqet
duke mbretëruar
nën këmbë tona




ACAR


Kjo vjeshtë
la gjurmë në shpirtin tim

Etjen
nuk ma shoi
shija frutore

E tani,
etjen ma ngriu në buzë
një flokëz dëbore

Një putje e acartë
ngriu qiellit,
puthje e kristaltë


KRAHASIM

Stinën e mjergullës
të gjatë e pati ky vit,
mjaft të gjatë

E ftohtësinë
lak në fyt.

Tymnajë
në kokat e njerëzve,
tymnajë.

Ç`ti japim qiellit
në këtë etje shekulli?

Përpëlitet etja
në funde oqeanore,
e tymnaja jonë
na tërheq për dore.
Biseda ka përfunduar

*************

foto e Gëzim Ajgeraj


Nga Gëzim Ajgeraj


(Fjala e redaktorit - Zvicër, janar, 2016)

POEZIA E VERA ISTREFAJT - SI PIKËLIM I BRENDSHËM I SHPIRTIT POETIK



***
Poezia e autores Vera Istrefaj, nuk vuan nga e kaluara e errët, nga izolimi, diktaturat e sistemet të cilat njëherë e përgjithmonë kanë përfunduar mallkimit të kohë-shkuarës. Por as vargun nuk e vë për asnjë çast në shërbim të sistemeve apo politikave ditore, të cilat një ditë do të përfundojnë si ajo e shkuara, ndërsa vargjet dhe poezia mbeten të përjetshme. Zëri i brendshëm i saj, që shkrihet si pikëllim shpirtëror dhe pikëlon vargjeve, është burimi i muzës për fjalën, e cila pasqyron individualitetin krijues të saj dhe botën prej nga ajo gjithmonë niset me fjalën, për ta shkrirë në poezi. Vargun e trajton si një dritë në vizion, që buron nga një ndjenjë e brendshme shpirtërore, e cila rrjedh pandalshëm dhe merr trajtat e komunikimit me publikun e gjerë, si një rreze që përhap dritë.
Falë këtij individualiteti, ajo tashmë në poezinë e saj ka ngritur stilin dhe botën krijuese, e cila e bën të dallueshëm me individualitetin e saj krijues.


Vera Istrefaj: VESË SHPIRTI, botoi: Metafora, Prizren, 2016

Vera Istrefaj, tashmë autore e disa librave me poezi, në vazhdimësi po shpalos vlera të artit letrar dhe të fjalës së bukur artistike, në poezi. Poezia, si shprehje dhe art i shpalosjes së ndjenjave të brendshme të botës njerëzore, në raport me jetën dhe kohën që jeton, autores i është bërë udhërrëfim kronik, brenda së cilës ajo paraqet ndjenjat dhe përceptimin e saj për jetën.

Nëpërmjet vargut të saj, ajo gjithnjë e më shumë, shpalos metafora të bukura, të cilat si tërësi në varg, japin peisazhe, shprehje, forma të prezantimit të gjërave, të cilat për kah akceptimi letrar, janë shumë të bukura: ... / Dridhet zemra / si gjethe vjeshte / furtunave të shpirtit/... /Po fundosen ëndrrat/... IMAZH.

Stili i metaforave, të cilat kjo poete i sjell, i takojnë metaforës brenda vargjeve, duke përdorur në vazhdimësi fjalorin e përditshmërisë së fjalëve.

Një formë shumë e pëlqyer dhe e aplikuar në poezinë e sotme moderne. Pra, autorja nuk vrapon pas fjalëve, por brenda vargjeve, ajo fsheh një botë të thellë metaforike, që vargut vibrojnë lehtazi metaforat e muzës së një mendimi po aq të thellë, por me akcent të lehtë të kapjes së tyre, nga lexuesi: ... / Tutje darë e mendimit,/ librin e ëndërrave / mos ma shfleto! / S’po i gjej dot një varr / Trishtimit / .../ ABSTRAKSION/

Edhe libri “Vesë shpirti” që po vjen përpara lexuesit, vjen ndjeshëm, me ato vlerësime që u thanë më lart, por tani më me një profesionalizëm që brenda një finese të hollë të mendimit, shkrihet në vargje, një botë e tërë e poeteshës Vera Istrefaj.

Poezia si shprehje e mirëfilltë e mendimit

... / Në skërmitje dhëmbësh / akulli i kohës /

më mundon, / e zjarri i zemrës, bubulak / shkrumbon / Sa pak kërkoj nga jeta, / sa pak! / ... / E s`më ofron / Asgjë /.../ AKULLI I KOHËS/

Dihet mirëfilli se tani më kjo autore, ka disa libra me poezi, dhe me individualitetin e vet krijues dhe poezisë që e prezanton, ka hyrë në radhët e krijuesve të cilët gjithnjë e më shumë po dëshmojnë e po lënë emër në letrat shqipe.

Kjo dëshmi, është fakti se ajo në vazhdimësi po krijon dhe prezanton përpara lexuesit, botën shpirtërore të saj, përmes vargjeve të bukura e artistike.

Stuhisë së shpirtit tim
veç vargu në rrëfim

Dhe ky sukses i saj, e radhit atë në vlera të mirëfillta të vargut të krijuesve, që nuk i shkëputen artit, por jetojnë me të, pranë tij dhe e prezantojnë atë në vazhdimësi.

Poezia e Vera Istrefajt, si tërësi shpalos botën e njeriut tonë, të njësuar brenda artit të vargut, që si tërësi njësohet brenda metaforave të mendimit nga botëkuptimi i brendëshëm poetik.

Brenda këtij njësimi, e gjejmë kohën, krijuesin dhe hapësirën e saj dhe raportin me kohën. Dhe nga një botë individuale, vargu vjen e shndërrohet si mendim artistik, i kapshëm për realitetin shoqëror, të cilit i dedikohet. Megjithatë, përgjithësisht, poetja vargun e saj e nis nga brendia e vetë, si një shpalosje e brendshme individuale, pa ndonjë synim dhe personifikim të jashtëm.

Le t`i nisin fjalët / pranga për to s`kam / Po më rimon shpirti / si ky shi mbi xham / Vargu fluturon / Petal më petal / Me rrezet e shpirtit / ngrohur e kam / e udhëtimin e tij / asgjë s`e ndal /. (FLATRA NË FJALË).

Pjesa më e madhe e poezive të kësaj poeteje, shpalosin dromca mendimesh të çastit, të cilat në përpunimin artistik të shplosjes së tyre, marrin trajtat e vargut, duke shhpalosur me to, refrenin e ndjesisë individuale të përjetimeve të çastit dhe frymëzimit, që vjen si një burim i brendëshëm dhe i pashterrshëm tani më tek kjo poeteshë.

Kjo për faktin, se ajo tani më po vjen me librin e gjashtë të saj, dhe në vazhdimësi po dëshmon stilin dhe veçantinë e saj krijuese, brenda finesave në varg, duke dëshmuar ndjeshmëri të hollë për mjeshtrinë e artit të bërjes së poezisë.

Duke i lënë hapësirë lexuesit, për një imazh personal për vargun që do të lexojë në vazhdim, do të shkëpusim edhe disa vargje, për ta plotësuar atë që thamë më lart: / Këngë e pakënduar / valë e zemrës sime / Në pentagram / dridhjet e shpirtit / Kujtimet / valëzojnë trazirave / Nostalgjia / ra mbi zbrazëtinë / e etjes sime /. (ZBRAZËTIRË).


Le t’i urojmë suksese dhe ngritje të vazhdueshme, vargut të poeteshës Vera Istrefaj, ashtu siç do t’i dëshironim edhe sukseseve të saj në artin e poezisë.



I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...