Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/04/20

Fati i Kosovës nuk duhet të varet nga zgjedhjet në vendet e tjera


Augustin Palokaj

Shkruan Augustin Palokaj


Sikur në këta nëntë vjet pavarësi Kosova të ishte forcuar vërtet si shtet, me subjektivitet ndërkombëtar dhe me funksionalitet të shtetit brenda, zgjedhjet që zhvillohen në shtetet e tjera nuk do të ishin aq me ndikim në Kosovë. Do të ishte lehtë të thuhet se për Kosovën nuk ka fare rëndësi se kush do të fitojë në zgjedhjet në Francë, cila do të jetë politika e re amerikane ndaj Evropës, nga do të shkojë Turqia me raportet e saj me Perëndimin dhe cili do të jetë fati i BE-së dhe NATO-s

Të dielën e ardhshme, me 23 prill, do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Francë. Edhe pse do të jetë vetëm raundi i parë, rezultati i tyre do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për tërë Evropën. Në raundin e parë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të dihet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës, por do të dihet se kush nuk do të jetë.

Janë së paku 5 kandidatë të cilët mund të plasohen në raundin e dytë dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë mund të ndodhë që presidenti të mos jetë nga radhët e njërës prej dy partive të qendrës, qoftë socialistëve të majtë apo republikaneve të djathtë. Ekziston dhe rreziku që të fitojë kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen apo kandidati i Partisë së majtë, në fakt komunist, Jan-Luc Melenchon. Fitoren e cilitdo prej tyre do të mundë ta festonte edhe Rusia, sepse edhe Le Pen edhe Melanchon jo vetëm se janë kundër sanksioneve ndaj Rusisë, por duan edhe largimin e Francës nga NATO-ja. Por ata dy nuk janë të vetmit kandidatë me qëndrime proruse. Edhe kandidati i partisë së qendrës së djathtë, Francouis Fillon, i cili, për shkak të skandalit të punësimit fiktivë të bashkëshortes, ka zvogëluar në minimum gjasat që të plasohet në raundin e dytë.

Me një dallim të vogël mes tyre, sipas anketave, gjasat për të shkuar në raundin e dytë e kanë ekstremistja Marine le Pen, e cila e do shkatërrimin e BE-së dhe lidhjet e forta me Rusinë dhe i pavaruri Emanuel Macron, i cili do të siguronte që Franca të vazhdonte ta luante rolin kryesor në zhvillimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.

të fundi gjasat janë rritur edhe për komunistin Melenchon, ndërsa kandidati socialist Benoit Hamon ka si handikap jo popullaritetin e partisë së tij që është rritur në periudhën e presidentit Hollande, ndoshta presidentit me rejtingun më të ulët në histori të Francës moderne.

Mediat serbe janë nxituar të vlerësojnë se Franca pas zgjedhjeve presidenciale do të mundë të tërhiqte njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Një konstatim i tillë duket më shumë si dëshirë sesa një vlerësim real. Megjithatë, për Kosovën nuk do të ishte t e parëndësishme se kush do të jetë në krye të Francës. Ky shtet ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të ndërhyrjes së NATO-s e më vonë edhe të Pavarësisë së Kosovës. Ka bërë edhe lobim në shumë shtete të botës për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Ka mbështetur Kosovën edhe në BE dhe si pjesë e Quintit vazhdon të ketë rol vendimtar edhe në zhvillimet e brendshme të Kosovës.

Edhe pse Kosova nuk është ndonjë temë e rëndësishme në Francë ajo është përmendur aty këtu gjatë fushatës. E ka përmendur Le Penin, e cila nuk ka fshehur urrejtjen që ka ndaj të huajve, pra edhe ndaj kosovarëve në Francë. E ka përmendur edhe kandidati i qendrës së djathtë Fillon, duke e përdorur që të arsyetojë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë. Fillon, thonë politikanët që kanë punuar për së afërmi me të, ka qëndrime jashtëzakonisht pozitive ndaj Rusisë dhe presidentit Putin. Ai ka përmendur Kosovën dhe njohjen nga Franca si ilustrim se si “edhe ne kemi bërë rivizatimin e kufijve në rastin e Kosovës”. Por ai nuk ka thënë se në rast se zgjidhet president do të tërhiqte njohjen e Kosovës. Kjo njohje nga Franca kishte ndodhur pikërisht në kohën kur Fillon, gjatë mandatit të presidentit Nikola Sarkozy, ishte kryeministër i Francës.

Ka shumë argumente kundër krahasimit të Kosovës me Krimenë. Kryesori është se asnjë shtet nuk e ka okupuar Kosovën për t’ia bashkuar territorit të vet. Por pavarësia është arritur përmes një procesi politik, me negociata të gjata, dhe me përfshirjen e shumë shteteve në atë proces. Fillon e di këtë, por ai kërkon argumente për të afruar Francën me Rusinë. Prandaj edhe në Bruksel, edhe bashkëpartiakët e tij në grupin e Partive Popullore Evropiane, druajnë nga fitorja e tij dhe ndikimi që do të kishte ajo në raportet e ardhshme mes BE-së dhe Rusisë dhe për rolin e Francës në NATO. Sepse, për shkak të qëndrimeve proruse, Fillon mund të tërheqë mbështetjen e Francës për zgjerimin e NATO-s.

në Francë, pas referendumit të Britani për largimin nga BE-ja dhe pas zgjedhjeve në Holandë janë edhe një palë zgjedhje nga rezultati i të cilave do ta varet e ardhmja e Bashkimit Evropian. Prandaj për BE-në dhe NATO-n, e kjo do të duhej të vlente edhe për Kosovën, do të ishte më e dëshirueshme që të fitonte kandidati i pavarur i qendrës Emanuel Macron. Ai është proevropian, pro-NATO dhe për bashkëpunim me miqtë tradicionalë të Francës brenda BE-së dhe NATO-s.

Sikur në këta nëntë vjet pavarësi Kosova të ishte forcuar vërtet si shtet, me subjektivitet ndërkombëtar dhe funksionalitet të shtetit brenda, zgjedhjet që zhvillohen në shtetet e tjera nuk do të ishin aq me ndikim në Kosovë. Do të ishte lehtë të thuhej se për Kosovën nuk ka fare rëndësi se kush do të fitojë në zgjedhjet në Francë, cila do të jetë politika e re amerikane ndaj Evropës, kah do të shkojë Turqia me raportet e veta me Perëndimin dhe cili do të jetë fati i BE-së dhe i NATO-s.

Kosova do të përmendet aty-këtu në lojërat e mëdha ndërkombëtare, gjeostrategjike. Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe do të vazhdojë ta përmendë atë duke drejtuar gishtin ndaj Perëndimit, sidomos kur në Kosovë gjërat të mos shkojnë si duhet. Ata politikanë perëndimorë që nuk e dinë, apo nuk duan ta dinë se si erdhi deri te ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe si kjo ndërhyrje rezultoi me Shpalljen e Pavarësisë në vitin 2008, nuk do t’u kundërvihen shumë qëndrimeve të Rusisë. Por të gjitha këtu nuk janë arsyetime për dështimet në Kosovë në nivel lokal.

Vërtet Kosova ishte dhe vazhdon të jetë një lloj projekti ndërkombëtar. Por me kalimin e kohës po zvogëlohen edhe interesi, edhe gatishmëria për t’u marrë me çështjet e Kosovës, duke përfshirë edhe ato të cilat pritet që vetë Kosova t’i kryejë. Kur ata që marrin votën e popullit për të qeverisur, dhe të cilët thirren në atë votë, të kryejnë me ndërgjegje dhe përgjegjësi punën e tyre atëherë do të jetë vërtet për kosovarët më pak e rëndësishme se si do të votojnë holandezët, francezët apo turqit.

Xhudistët me nam botëror , Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian

Thaçi uron Kelmendin, s’përmend suksesin e Gjakovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi uron  Majlinda Kelmendin, e haroon dhe  nuk e cekë suksesin e  Nora Gjakovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar xhudisten Majlinda Kelmendin për triumfin në Kampionatin Evropian të xhudos.

Xhudistja Majlinda Kelmendi sot fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë për të fituar për herë të tretë Kampionatin Evropian. Sukses të madh tregoi edhe xhudistja tjetër Nora Gjakova që mori të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë, por kjo siç duket nuk mjaftoi që të përmendet nga Thaçi.

“Majlinda Kelmendi dhe xhudistet tona po vazhdojnë t'i sjellin Kosovës lajme të mira, gëzime të mëdha dhe momente krenarie. Me medaljen e sotme të artë, ajo shënoi hat-trick në Kampionatin Evropian të Xhudos”, ka shkruar ai në Facebook.


Kuka i lumtur për medaljet, uron për lirimin e Haradinajt

Mjeshtri i xhudos Driton Kuka nga Peja  i lumtur për medaljet, uron për lirimin e  Ramush Haradinajt

Driton Kuka përmes një postimi në Facebook ka shprehur gëzimin e tij për suksesin e sotëm të xhudisteve të tij në Evropian, ndërsa ka uruar që të lirohet edhe Ramush Haradinaj.

Majlinda Kelmendi sot u kurorëzua me medalje të artë në Evropianin që po mbahet në Poloni, kurse Nora Gjakova rrëmbeu medaljen e bronztë, transmeton Koha.net.

“Majlinda e Nora përsëri me medalje nga Kampionati Evropian. Distria e pafat ishte sot, por megjithatë, një e artë një e bronztë dhe një vend i 7 i Distrias. Nesër Akili e Loriana. Për momentin qet foto. Do Zoti i madh që sot një javë të jetë ditë e gëzueshme si sot e të na kthehet Heroi ynë në Kosovë”, është shprehur Toni Kuka.



Mustafa: Kelmendi e Gjakova rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian

Xhudistja më e mira  në Botë dhe Evropë : Majlinda Kelmendi 


Xhudistja pejane Majlinda Kelmendi   sot  në Poloni fitoi medalien e artë, kurse  Nora Gjakova rrëmbeu  medalien e bronzt në Evropianin e xhudos që po mbahet në Poloni.

Mbretëresha e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova i sollën vendit edhe dy trofe. Medalja e Artë e Majlindës dhe Medalja e Bronztë e fituar nga Nora në Kampionatin Evropian në Poloni e rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian.


 Nora Gjakova rrëmbeu  medalien e bronzt në Evropianin e xhudos që po mbahet në Poloni.


Kryeministri i Kosovës Akademik Isa Mustafa ka shtuar : “Qeveria e Kosovës tashmë i ka siguruar buxhetin dhe projektin për ndërtimin e Palestrës Nacionale të Xhudos në Pejë, e cila do të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti, ku do të stërviten kampionet tona aktuale si dhe brezat e rinj të xhudistëve të Kosovës. Ju lumtë Majlindë, Norë, trajnerë dhe i gjithë ekipi ynë në Poloni!”.

Veseli uron xhudistet kosovare
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli uron xhudistet kosovare

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar xhudistet Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova për suksesin e treguar në Poloni.

Kelmendi fitoi të artën në Kampionatin Evropian në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Gjakova të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë. Veseli ka uruar edhe Distria Krasniqin.

“Xhudistet tona po shkëlqejnë edhe në Poloni! Urime të përzemërta Majlindës për medaljen e artë, Norës për të bronztën, por edhe Distrias për paraqitjen. Suksese Lorianës dhe Akilit në përballjet e nesërme”, ka shkruar ai në Facebook.






Për këtë sukses ka uruar edhe sekretari i Nismës, Bilall Sherifi, i cili në Facebook ka postuar dy foto, ndërsa ka shtuar se, “Kur veprat e jashtëzakonshme bëhen të zakonshme! Urime!”.

Letër publike zyrtarēve të qeverisë


LETËR PUBLIKE MINISTRIT TË POLICISË ZT.SKENDER HYSENI DHE DREJTORIT TË POLICISË ZT.SHPEND MAXHUNI
Kohë mº pare shkrova artikullin : MBAJË DINJITETIN TËND!

"Nëse një qen të kafshon, mos kafsho ti qenin"

http://floripress.blogspot.com/…/mbaje-dinjitetin-tend-nese…
Ndërsa sot poe shkruaj këtë letër publike:
Padrejtësitë më të mëdha në kohë të fundit janë duke u bërë në Policinë e Republikës së Kosovës.
Shkaktarët për këto padrejtësi janë nga Menagjmenti i pa aftë në Drejtorinë e Policisë së Kosovës gjegjsisht në Shtabin Qendror të Politikave kadrovike të këtij institucioni të lartë shtetërorë.
Shumë kuadro të mirëfillta në disa dikastere të Policisë së Kosovës janë duke e hjektë të zijtë e ullirit nga disa individë pa kurrizorë që vrojnë e kthjellin në këtë institucion.
Fjala vije këto ditë pësuan në këtë institucion(Dretorinë e Menagjimit të Objektevo Policore) edhe dy menaxherë me të vyer të Policisë së Kosovës!
Hë për hë një grua dhe një burrë inzhinier i diplomuari ndërtimtarisë(Rabije Meleqi) dhe inzhinier i elektroteknikës
(Agim Binaku) ju ndrrua vendi i punës nga menaxhmenti i DMO-së në Radiokomunikues në Alfa kontrollë të Regjionit t Prishtinës ,pa kurrfarë baze.
Lidhur më rastin janë njoftuar të gjitha strukturat Politike të Presidencës,Premierit,Ministrisë së Punëve të Brendshme ,Inspektoatit Policor të Kosovës etj.
Çka është me keq menagjerët në fjalë nuk kanë të drejtë më një vendim antiligjor që është i lëshuar kohë më pare nga Struktuart e Resurseve Humane në Policinë e Kosovës.
Në Policinë e Kosovës ka kuadro të vyera,që jua kanë lakmi Policitë e rajonit,por ka edhe disa funksionarë në këto struktura që nuk e dijnë të menagjojnë familjen e vet e lë më Policinë e Kosovës.
Do të ishte e udhës që sa më pare që këto dy kuadro profesionale(Rabije Meleqi dhe Agim Binaku) të këthehë në vendin e tyre të punës .
Dhashtë zoti që çeshtjët e tilla të mos përseritën në Policinë e Kosovës!!!
INSPEKTORATI POLICOR REKOMANDON SUSPENDIMIN E 24 ZYRTARËVE POLICORË
Në vitin 2016 IPK ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1362 ankesa dhe informata.
Nga 671 raste që ka trajtuar IPK-ja, 165 prej tyre janë cilësuar si raste me elemente të veprës penale dhe në total 241 punonjës të PK-së kanë qenë subjekt i hetimit nga IPK-ja(ose vetëm 2.7 % e punonjësve të PK-së), e jo 671 zyrtarë policorë siç është publikuar në disa portale.
Nga 165 raste me elemente të veprës penale, 111 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamentet e Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 37 raste. Në total ishin 241 punonjës të PK-së si subjekt i hetimit nga IPK-ja.
Gjatë vitit 2016, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:
– 69 arrestime,
– 99 rekomandime për suspendime dhe
– 6 rekomandime për transfere.
Këtë vit IPK-ja ka hetuar 55 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare
Një ndër funksionet bazë të Inspektoratit Policor të Kosovës është edhe zhvillimi i inspektimeve ndaj Policisë së Kosovës. Këto inspektime realizohen në mënyrë që përmes tyre të bëhet identifikimi dhe parandalimi i çfarëdo devijimi nga aktet ligjore dhe procedurat me të cilat funksionon Policia e Kosovës.
IPK ka realizuar gjithsej nëntë projekte inspektimi; pesë inspektime të rregullta dhe katër të jashtëzakonshme.
Pas autorizimit nga Prokurorët, hetuesit e IPK-së kanë zhvilluar hetime duke zbatuar masa të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit. Nga zbatimi i këtyre masave ka rezultuar me grumbullimin e provave materiale (audio dhe video incizime) të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar, se një numër i madh i zyrtarëve policor nga këto njësi janë të involvuar në veprime kriminale, që ndërlidhen me veprat penale Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe Marrje e ryshfetit.
Në përmbyllje të këtij hetimi, sot nga Inspektorati Policor i Kosovës është zhvilluar një operacion i gjerë ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarit 59 zyrtar policor të cilët pas intervistave me vendim të Prokurorisë u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe janë dërguar në qendrat e ndalimit. Njëkohësisht për këta zyrtarë policorë është kërkuar suspendimi nga detyra.
Gjithsej zyrtarë policorë të ndaluar janë 59, prej tyre:
20 zyrtar policor janë të Njësitit për Kontroll të Autostradave
20 zyrtar policor nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Veriut
15 zyrtar policor nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Jugut
4 zyrtar policor nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Prizrenit
Nacionaliteti
35 zyrtar policor të ndaluar janë shqiptar
23 zyrtar policor të ndaluar janë serb dhe
1 zyrtar policor i nacionaliteti boshnjak.
Inspektorati Policor i Kosovës do të paraqes në Prokuroritë kompetente kallëzime penale ndaj 59 zyrtarëve policorë për veprën penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 Kodit Penale të Republikës së Kosovës dhe Marrje e ryshfetit nga neni 428 si dhe Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 388.
Gjithashtu IPK do të paraqet kallëzim penal ndaj 30 qytetarëve për veprën penale Dhënie e ryshfetit nga neni 429 i Kodit Penal.
Që nga fillimi i këtij viti një numër i zyrtarëve policorë kanë qenë nën llupën e hetuesisë së Inspektoratit Policor. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë 109 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, apo 1,2 për qind e policisë janë hetuar për kryerjen e veprave penale.
Inspektorati Policor rekomandon suspendimin e 24 zyrtarëve policorë
Nga ky numër i të hetuarve si rezultat i gjetjeve nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor, ky institucion ka rekomanduar suspendimin e 24 prej tyre.
Gjatë kësaj periudhe kohore IPK-ja ka pranuar plot 628 ankesa, ku në 390 ka pasur mungesë të elementeve të veprave penale dhe ato janë dërguar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë si shkelje disiplinore.
Sipas zëdhënësit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, gjatë gjashtë muajve të fundit Inspektorati Policor si rezultat i ankesave ka hetuar 88 raste me elemente të veprës penale.
“…Si subjekt i hetimeve kanë qenë 109 punonjës të Policisë së Kosovës ose kthyer në përqindje 1,2% të punonjësve të Policisë së Kosovës. Si pjesë e procedurave administrative, për shkak të mospengimit të procedurës hetimore, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin për 24 punonjës të Policisë së Kosovës”, ka thënë Beka.
Janë edhe disa zyrtar policor nga Drejtoria e Prokurimit dhe Drejtoria e DMO-së që kanë qenë të hetuar nga IPK dhe se lëndet e tyre janë në hetuesi të Gjykatës Speciale.
Megjithatë në bazë të raportit vjetor të Inspektoratit Policor të Kosovës shihet se gjatë vitit 2013 janë evidentuar 8458 punonjës të PK-së. Në total 328 punonjës kanë qenë subjekt i hetimit të inspektoratit. Te paraqitur në formë përqindjeje kjo i bie që 4 për qind i tërë punonjësve të PK-së ishin nën hetim...
Disa policë të inkriminuar në krim
Deri më tani janë gjetur fajtorë disa policë të njësisë speciale që kanë marrë pjesë në atë që ishte quajtur “Rasti Sekiraqa” ku nga shpërthimi i një eksplozivi kanë humbur jetën dy qytetarë dhe disa të tjerë janë plagosur.
Lidhur me shpërthimin në fjalë, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Eksplozivi kishte shpërthyer më 27 shtator 2007 në lokalin “Sekiraqa”, që ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, nga i cili ishin plagosur edhe njëmbëdhjetë vetë, si Xhelal Sinani, Vigan Zeneli, Liridon Nishevci, Gëzim Syla, Esat Nishevci, Naim Hyseni, Fadil Berisha, Luan Kadriu, Shkëlqim Syla, Milot Kadriu dhe Teuta Kadriu.
Rasti ishte konsideruar si hakmarrje e zyrtarëve policorë për kolegun e tyre, Triumf Riza, që besohet që është vrarë nga njerëz të Enver Sekiraqës.
Mirëpo, gjashtë vjet pas shpërthimit të eksplozivit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka deponuar aktakuzën e dytë që i akuzon tetë veta për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e njëmbëdhjetë të tjerëve.
Dyshimet për kryerjen e veprave të njëjta penale rëndojnë edhe mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), ish policët Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975). Të gjithë këta pjesëtarë të ish njësive speciale.
Shtetasit amerikanë, Jonay dhe Olga Jonay kanë menduar se kanë rënë pre e dy kriminelëve të armatosur.
Por, njerëzit që po u drejtonin armët ishin pjesëtarë të njësisë së mbrojtjes së afërt, të Policisë së Kosovës.
Ramadan Krasniqi dhe Bajram Gashi aso kohe kishin nën mbrojtje kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Kjo ngjarje që duket si në filma aksion është e incizuar me celular. Ka ndodhur një vit e gjysmë më parë në hyrje të Fushë-Kosovës. Shkas ishte bërë drejtimi i revoles nga polici, Bajram Gashi, veturës civile në të cilën ndodheshin pos amerikanëve, edhe Blerim Ramosaj dhe Besnik Tahirukaj.
Insajderi ka një kopje të incizimit.
Në hyrje të autostradës në Gjurgjicë, civilët po udhëtonin në shiritin e shpejtë. Prapa tyre vjen me shpejtësi të madhe vetura civile Toyota. Prej xhamit të saj, polici Bajram Gashi nxjerr revolen dhe ia drejton veturës duke paralajmëruar shoferin që ta lirojë shiritin e shpejtë.
Kur udhëtarët shohin se dikush po u drejton revolen, thërrasin Policinë dhe i vihen pas veturës civile me të cilën udhëtonin dy policët.
Nisin të xhirojnë ngjarjen dhe komunikimin me stacionin policor në Fushë-Kosovë.
Mirëpo, në hyrje të Fushë-Kosovës në kryqëzimin e autostradës që çon për në Shkup, policët u bllokojnë rrugën udhëtarëve. Të dy të veshur me rroba civile, nxjerrin armët duke kërkuar nga ta të dalin nga vetura.
Hasin në rezistencë. Atyre nuk u hapet dera e as dritarja derisa të vije patrulla e uniformuar policore nga Stacioni policor i Fushë-Kosovës.
Katër udhëtarët përfshirë shtetasit amerikanë shoqërohen në Stacionin policor në Qendër si të dyshuar. Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Basri Morina kishte dashur që t’u caktonte ndalim policor prej 48 orësh.
Pasi ishte njoftuar Ambasada Amerikane për incidentin, në stacion të Policisë kishte shkuar kryeprokurori, Imer Beka.
“Lirojini njerëzit se nuk ka vepër penale këtu”, kishte thënë ai pasi kishte shqyrtuar rastin.
Në rast ishte implikuar Inspektorati Policor i Kosovës për të kryer hetime penale kundër policëve. IPK kishte mbyllur rastin “në mungesë të veprës penale nga ana e policëve”.
Pasi ishte vendosur që të “dyshuarit të liroheshin”, Policia kishte kërkuar të fshihej incizimi. Ishte bërë presion mbi ta për ta fshirë atë. Personi që kishte incizuar kishte gënjyer se e ka fshirë incizimin. Pas kësaj ishin lënë të lirë.
Në Inspektoratin Policor kanë thënë se hetime nuk janë kryer për shkak se nuk ka pasur elemente të veprës penale. Kanë thënë se me këtë çështje është marrë Standardet Profesionale në Polici.
Por, Policia për më shumë se një javë nuk ka kthyer përgjigje nëse ka kryer hetime disiplinore apo jo ndaj policëve.
Për këtë incident nuk është përgjigjur as Ambasada Amerikane në Kosovë.
https://www.youtube.com/watch?v=wdoX8WEE-oY

2017/04/18

Këngë për Nermin Vlora Falaschin, humanisten dritërore, shkrimtaren fisnike (18. 04. 1921 -28. 11. 2004), emrin e së cilës mban Biblioteka Qendrore e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë



I BUKUR SI SY NERMINI

Nga ALBERT HABAZAJ



Sonte do të flas me hënën,
Të kujtoj babën e nënën.

Këtu në Vlorën e këngës,
Këtu në ëndrrën e zëmrës…

Mbushur perla Labërie,
Ngrohur me zjarr Shqipërie,

Ku për paqe lind ulliri,
I bukur si sy Nermini.

Nermin Vlora në Kaninë -
Sorkadhe mbi trëndelinë...

Mëngjesbukurin mban vesa,
Kujtimin fisnik në shpresa...

Mbushur aromë Shqipërie,
Nermin Vlora drit’ lirie!

14. 04. 2017


THANI NAQO : TË SHPËRFYTYRUARIT

U darkuan me peshk, sallatë e djathë kaçkavall. Me shpresë se alkoli do përndizte kujtimet rinore, Gjergj Kodra piu nxitimthi një dopio raki, po aq dhe Eliza. Ndërsa tymosnin cigare, heshtja e psherëtimat lanë përshtypjen se nata e parë do ish përshpirtje për të vdekurit e jo shmallje me dashurinë. Mirëpo, Eliza, sa piu gotën e dytë me raki, u dha befas flokëve mbrapa, me të dyja pëllëmbët, sikur donte të shkundëte dëborën e njëzet e pesë dimrave. Gjergj Kodra u hutua kur ajo përveshi fustanin dhe iu shalua mbi gjunjë. Ajo ia mbërrtheu kokën me të dyja pëllëmbët dhe i ngjiti aq rrëmbimthi buzët e saj me të tijat, sa atij i lëvizën protezat dhe iu lënduan mishrat e dhëmbëve. Eliza i llokovitet mbi gjunjë syperënduar, Gjergj Kodra u bind se mallimi dhe epshi e mbajnë gjallë dashurinë femërore. Përfytyron Elizën e dikurshme, gjimnazisten, dhe instinktivisht i mbyll sytë që të mos shikojë gryerjet e shpëlarjet që shkakton koha e largësia. Përhumbi në retrospektivën e largët, çerek shekulli u tret si firomë e kur hapi sytë e u kthye në realitet. Aroma e athët e pudrës, në gropëzën e fishkur e të rrudhur midis gjinjëve, i ndërmendi resat e shelgjeve lotues të Parkut Rinia. Të dyve u pëlqente të thurrnin kurora me resat dhe t’ia varnin njëri-tjetrit në qafë.
Ledhaton me dhimbje e mall kofshët e pulpat e Elizës; mollëzat e gishtave iu shpuan nga majat e qimeve të rrojtura një a dy ditë më parë e atëherë Gjergj Kodra u kujtua se atij nuk i vinte mirë që moshatarët e fusnin Elizën në listën e gjimnazisteve leshatore. Porse, edhe në vitet e liberalizmit 1) vajzat nuk e bënë modë të shkulnin e rruanin qimet e këmbëve e as të pastronin pushin e fytyrës që mbinte kur ftohej moti; pushi dilte zakonisht pas brymës së parë.
Eliza vazhdon llokovitjen, ende symbyllur. Buzët e saj të holla e me cipëza nga plasaritjet, që pak më parë ishin të thata e të vyshkura, si oshafe kumbulle gjatore, befas u lëngëzuan. Gjergj Kodrës iu fanit koreania Cheng.
“Buzët, janë si lulet, - thoshte Cheng. - Puthjet i shpëtojnë nga tharja e vyshkja.”
Pas dhjetë viteve ndarje, Chengin e kishte takuar rastësisht në Molin 2) e San Françiskos, ku ai kishte shkur të blinte dhurata për Elizën dhe rroba për vete.
“Kjo është Çhengi,” - kishte thënë me vete e ishte tronditur kur e njohu prej së largu nga kurrora e flokëve e stili i shpejtë e hapshkurtër. Shumica e koeraneve ngjisnin si binjake, kishin edhe shije të njëjtë për veshjen; ndryshe nga kinezet, ato pëlqenin fustanet me lule, ose bluza e minifunde me kombinime shumëngjyrëshe. Ai e kishte ndjekur nga pas, i bindur se, silueta që ecte para tij ishte e Chengit, gropëzat e pasme të gjunjëve ishin më magjiket në kurmin e saj.
“Ti e unë jemi dy plagë që mëkojnë njëra-tjetrën.”
Këtë shprehje ajo ia rikujtoi edhe ditën kur ai prenotoi biletën ajrore Çikago-Frankfurt-Tiranë. Pas çerek shekull heshtje, përhumbje, e dyzimi, kishte telefonuar dhe centralistja shqiptare e qytetit të tij të lindjes, tha:
“Elizën e njoh. Do t’i jap lajmin se Gjergj Kodra është gjallë.”
Pas dy orësh ai kishte telefonuar sërish e ajo ish përgjigjur me zë tej ngazëllyes e të kthjellët:
“Eliza qau nga gëzimi, hoqi fustanin e zi dhe veshi një me lule."
Paralelizmi i dashurive të braktisura Gjergj Kodrën e kishte terrorizuar tërë jetën në mërgim e qe ndjerë vërtet fajtor kur Chengi e ftoi të bashkëjetonte sërish me të.
“Që kur ti u arratise prej meje, - i tha Chengi, - nuk jam përlyer me mashkull tjetër,” - por ai besoi edhe Elizën kur ajo pohoi të njëjtën shprehje, sa u takuan në aeroportin e Tiranës.
Kujton këto dhe i vjen t’ia shkrepë të qarit, por s’ka se si; Eliza ndërpreu llokovitjen mbi gjunjët e tij, i hapi sytë, ia mbërrtheu tavanit e pëshpëriti sikur qe kthyer nga një udhëtim i largët, mistik:
-Më duket sikur jam në ëndërr, Gjergj.
“Më duket sikur jam në ëndërr, Xhorxh,” - kishte thënë edhe koreania Cheng pas dhjetë viteve.
-Ikja, përmes plumbave, është herroizëm, - tha Eliza dhe e pa drejt në sy.
“Arratisja është heroizëm,- kishte thënë edhe Çheng për veten e saj.
-Ti erdhe në një kohë që lufta civile mund të fillojë nga çasti në çast, - tha Eliza.
“Lajmet thonë se në vendin tënd do shpërrthejë lufta civile, - i kishte thënë Cheng. - Po qe se ti do mungosh për së dyti, unë do bëj harikiri.”
-Jam nga ata që nuk më ze plumbi, - u përgjigj Gjergj Kodra dhe Eliza qeshi.
E qeshura ia tezari asaj lëkurën e fytyrës dhe rrudhat përqark syve iu zhdukën.
Të njëjtën përgjigje i kishte dhënë një javë më parë edhe koreanes Cheng, por Chengu, ndryshe nga Eliza, nuk qeshi. Pasi kishin bërë seks, ai kishte këqyrur me mall fytyrën simpatike, pa rrudha. Ndërkohë që pati menduar se koreanet dhe tailandezet janë nga soji i atyre që nuk plaken, Chengu befas ishte kthyer përmbys në shtrat dhe u ngashërye duke rënkuar sikur po jepte shpirt.
Atij i qe dashur ta ngushëllonte se edhe ai, njëlloj si ajo, ishte viktimë e egoizmit rinor, egoizëm që në diktaturat komuniste shkakton viktima në të afërmit. Pastaj, për ta qetuar, e sqaroi Chengun se ai do shkonte përkohësisht në atdheun e tij për t’u ndezur nga një qiri prindërve e motrës, por nuk i tregoi për kompesimet financiare të internimit të tyre e as se do shiste shtëpinë e disa prona.
“Do kthehem shpejt, - i tha Chengut. - Vitet që na kanë mbetur, - i premtoi ai, - do t’i kalojmë së bashku.”
Mirëpo, përveshja e buzëve, kur Eliza qeshi, ia zbuloi krejt sistemin dhëmbor dhe atëherë Gjergj Kodra dalloi se goja e saj ishte më e madhe se e Chengut, por që të dyjave, në anën e djathtë, u mungonin dy dhëmballa.
-Jam i lodhur nga rruga e më vjen për gjumë, - tha ai dhe bëri përpjetë shkallëve duke mbajtur ekuilibrin pas parmakëve. Njëherë ktheu kokën e pa Elizën që shtrinte fustanin, me të dyja pëllëmbët, për të mbuluar vithet e kofshët. U ndje sërish fajtor për fatin e saj të zi, por ndjeu keqardhje edhe për trupin e saj të shpërfytyruar nga punët e rënda në kampin e internimit. I buzëqeshi e dëshiroi t’i thoshte me humor se bryma e njëzet e pesë vjeshtave në mërgim, e kishte përzhitur edhe atë. Zverku i kishte marë formën e kanistrës dhe këmbët e krahët i qenë holluar, si të rakitikëve, por edhe këtë nuk pati guxim t’ia thoshte.
“Akulli i dashurisë më mirë të shkrijë pak e nga pak, se sa që natën e parë,” - i kishte thënë koreanes Cheng.
Këtë shprehje dëshiroi t’ia thoshte edhe Elizës, porse nuk guxoi; e dinte se Eliza, ndryshe nga Chengu, ishte e ashpër e tejshpotitëse, njëlloj si i ati. Edhe pas njëzet e pesë viteve, ajo me siguri do përgjigjej:
“Je i turpshëm e qullash.”
Edhe se kishte ende në mendje Chengun, përgjoi lëvizjet e Elizës, por edhe zhurmat e zërat e pasmesnatës që vinin nga sheshi i qytetit. Përfytyroi Elizën duke mbledhur pjatat e gotat, edhe kur hyri në banjë e pastaj, trokitjen e sapllakes që u përplas pas kovës prej llamarine, ku mbahej uji rezervë. E përfytyroi Elizën duke larë pubisin, fytyrën e llërët. Dëgjoi kërcitjen e shulit të derës së tremës dhe numëroi dymbëdhjetë hapa; aq ishin shkallinat që të çonin në katin sipër.
Buzëqeshja e pafajme e Elizës iu fiksua në çastin kur ajo fiku llambën e dhomës, mirëpo, drita e kaltëryer e neonit të shtyllës së rrugës thërmohej në rrjetat e kortinave dhe larushiti siluetën e saj. Penisi iu gjallërua kur Eliza hoqi nxitimthi fustanin, sytjenat e mbathjet. Në çast u pendua që nuk bleu viagra, edhe se e dinte që epshi i tij natyral nuk mbante më shumë se dhjetë minuta. Edhe ai nxitoi të hiqte mbathjet, mirëpo, kur llastika i preku gjunjët, befas, penisi iu tkurr; i qe fanitur e motra, kthyer përmbys, e mavijosur dhe e buhavitur, duke pluskuar në ujin e turbullt të një kanali.
-Të lutem, jo sonte, - tha ai me zë të tjetërsuar.
-E mjera unë, - ofshau Eliza.
E pa kur ajo u përkul e mblodhi shuk fustanin, mbathjet e sytjenat. I ngjeshi nën sqetull dhe, ashtu, lakuriq, ende e pikëluar nga mijëra dritëza të kaltëryera, doli nga dhoma e gjumit duke përplasur derën fort.
-Ti e unë jemi të vdekur të pa mbuluar, - gjëmoi klithma e saj egërshane.
Ajo klithmë u pasua nga kërcitjet e shkallinave të drunjta e me të shkrehurat e largëta të armëve.

Prill, 2017

Një mjek që "shëron" dhe me penë


Libri me tregime"Të vërtetat e ëndrrës" të MYZAFER BERBERIT
(ese)


Nga Përparim Hysi


Nuk është herë e parë që shkruaj për Myzafer Berberin. Dhe, nëse përsëri qëndroj tek shkrimet e tij (këtë radhë për librin me tregime), kjo ndodh se autori flet për ca"ëndrra" që janë zhgjëndrra dhe, tek i sjell para lexuesit, i jep lexuessit jo vetëm kënaqësi, por dhe, veç kënaqësisë, edhe formim. Formim intelektual dhe moral. Mjafton ta lexosh dhe tregim pas tregimi, zë e relaksohesh dhe të vjen mirë që has në personazhe që ti gati i ke njohur apo i ke patur karshi dhe nuk i paske parë se si janë në të vërtetë.
Myzafer Berberi,me profesion është mjek radiollog,dhe jo vetëm kaq: por me gradë shkencore në fushën e radiomikrobiologjisë,por as që bie në sy; as kapërdiset, por frymon aty me ty si një i barabartë midis të barabartëve dhe kurrë nuk të imponohet me dijet e tij. Është i ditur në shumë se sa duhet dhe, kur e fton për ndonjë takim (si jashtëradhe), ta vë kufirin tek thana:- Jam i zënë me punë! Dhe, "kjo zënie me punë e tij",nuk është aspak punë shtetërore apo private, por mbyllet si ai Demosteni në " vozën mitike" dhe zhytet në studime. Është Frojdist i thekur dhe të skuq kur u futet diksutimeve në këtë fushë. Mua më "hanë brirët për luftë" dhe, për t'i thënë se ,gjasme,edhe unë e njoh atë"babanë e analizës" ku merr ai "avdes", i them:- Por mjaft, or mik, se dhe ai "mitiku"yt (e kam fjalën për SIGMUND FREUD), ka dalë me "ftomë" në biografi.
-Po ç'ne?- gati të më hidhet në kokë.
-Ore,- i them më gjen të vogël mua dhe po më"kërcënon". Nuk kam faj unë, por e kanë ato fletoret e regjistrimit në një hotel të Zvicrrës, ku ai"babloku"yt ka fjetur me motrën e gruas!!!
Shpotitës siç është nga natyra, ma pret:- Ama për këtë më hap luftë! Do kohë që të shpalos,qoftë dhe përciptas,se ku fillon dhe ku mbaron "mëkati" dhe, kur është ai i falshëm.
Natyrisht, në këtë "betejë kaq miqësore", ne nuk e prishim dasmën për një qepë, por , në e solla këtë pasazh nga një mori bisedash tona, dua që t' i them lexuesit,se MYZAFER BERBERI është nga ata lloj shkrimtarësh që matet shtatë herë dhe pret njëherë. Pse është i një "mizure" të tillë, ndaj kam thënë: që "shëron" dhe me penë. Pra, nuk është një. penë që shkruan revan.
* * *
Sa për të patur një ide për autorin si shkrimtar, po "vjedh" një informacion që ka dhënë shkrimtarja dhe përkthyesja,MERI LALAJ,për të: 4 romane; dy vëllime me tregime; rreth njëzet studime monografike; mbi tetëdhjetë artikuj kritikë për artin e kulturën; mbi njëqind e tridhjetë tregime e novela që janë botuar në organe të ndryshme të shtypit shqiptar. Dhe me të drejtë, MERI LALAJ, vë në dukje një fakt shumë domethënës:" Dijet e Dr,MYZAFER BERBERIT janë aq skrupuloze, sa ai njeh mirë kulturën e përbotshme dhe, kjo njohje, vjen e bëhet aq e prekshme në krijimtarin e tij, sa lexuesi befasohet". Demisionet e kësaj njohjeje janë të një shkalle të epërme që nuk e gjen tek asnjë autor tjeter: personazhe në tregimet e tij,"lëvizin"nga Evropa, në Azi,Amerikë, Kanada dhe deri në Afrikë. Dhe, tek i lexon tregimet e tij, të duket se është gjallur"Felias Fogu" i Zhyl Vernit që po i bie përqark botës për 80-ditë! Autori, sado që nuk ka shkelur aty ku zhvillohen ngjarjet (pra "ëndrrat" të kthyer në zgjëndërra), prapë se prapë, bëhet i besueshëm. Se, mirëfilli, ai është i ndërgjegjshëm se letërsia, në fund të fundit, është një trillim apo sajim në kokën e autorit.
Dostojevski e ka përcaktuar edhe më mirë rolin e letërsisë, kur thotë:" Letërsia është një gënjeshtër që flet të vërtetën, më shumë se e vërteta".
Për të qenë edhe më i përafërt, tek flas për tregimet që janë përfshirë tek vëllimi" Të vërtetat e ëndrrës", nuk kam se si mos i referohem një MENDJEJE nga më të Ndriturat të ditëve tona, të Madhit, MOIKOM ZEQO, që thotë: "Krijimi është një sinergji apo veprimtari mendore që nuk ndodhet në natyrë, por në mendjen e krijuesit."
Dhe po nga MOIKOM ZEQO po sjell dhe një thënie që ia vlen: " Shkrimtari që nuk njeh pikturën, muzikën dhe filozofinë, është i mangët".
Duke i marrë, en bloc, këto thënie të të mënçmit,MOIKOM ZEQO, them sikur i ka thënë dhe për MYZAFERIN. Ndaj,- them unë,- miku im m'i është përveshur foilozofisë dhe është në gjendje të të mbajë me orë të tëra leksione.Veç janë leksione me bukë.

* * *
Në tregimet e Myzafer Berberit gjen aktualitetin e ditëve tona; gjen edhe pasazhe nga e kaluara në regjimin që u përmbys; gjen pasazhe të një altruizmi të vërtetë; gjen edhe intringën apo zili ndaj kolegut; gjen përversitete dhe"proçka" të njerëzve të sigurimit; gjen... jetën tonë,ashtu lara-lara, me zigazket e saj dhe autori nuk bën asgjë tjetër, por herë e "zhvesh vesin lakuriq"; herë shpotit deri në apogje tentativat për të gjetur"armiq"; gjen naracione alla-Dekameron dhe, pa tjetër, edhe tregime me karakter filozofik apo psikologjik. Sonda e tij vëzhguese, sikur futet në lëkurën e personazheve dhe ai, autori, nuk vëzhgon vetëm, por na sjell modele të tillë personazhesh që duhen "klonuar". Në vizionin tim, për t'u "klonuar" dhe për t'u propanganduar nga kritika jonë , sado e vdekur, është tregimi"Eilethia". Ky tregim që flet për një mjeke altruiste, është leksioni që duhet mbajtur para studentëve të mjekësisë dhe, sa për mua, është më antologjiku!
Tek tregimet "Grumka"," Gomari i Pilos","Shenja" vihen në lojë njerëzit e sigurimit që shpiknin lloj-lloj proçkash se, gjasme, rrezikoheshim nga armiq hipotetikë/.
Tek tregimi "Të vërtetat e ëndrrës" ( autori e quan më përfaqësuesin, duke e përdorur dhe si titull të ilbrit), ka tri personazhe të moshës së tretë që, tek ligërojnë në intimitete të tyre, futen në një "zonë paksa delikate", sipas meje, natyrisht, dhe, siç ndodh me"Dekameronin" e Bokaçios, zënë e tregojnë "intimitete" dhe, veç tyre, zënë e filozofojnë për gratë apo për"mëkate". Këtu dora e autorit është pak dominuese: tek e ndjek në rrëfimin e tij, ai mezi ka pritur të logorisë për dijet e tij. E fillon nga lashtësia duke cituar autorë,aktorë, mëkatarë e puritanë dhe, siç vë re (unë them që kam të drejtë), ai mend i "vret" personazhet e tij. Mundohet që t'u injektojë dijet e tij. Për mendimi tim, kështu personazhet (sidomos këta "veqot" e moshës sime), humbasin në sytë e lexuesit dhe bëhen të pakapshëm. I "vret" ai me dorën e tij.
Meqë jemi në tregimet made in Dekameron, të tillë do quaja dhe tregimin "Gjaku". Është sinjifikativ dhe ka një naracion që të kënaqë. Një temë pak"delikate", por ky njohës i geneve njerëzore, nuk mund të rrijë pa ekspozuar pak si me të qeshur e me të ngjeshur se ç'është trashgimia e gjakut. Ata "borokoçët bythëzinj",sado që ta çojnë buzën vesh më vesh, flasin për një adutler apo "mëkat". Tek e lexon, përfton atë ndjesinë e një "mëkati" të bukur që kaloka si një"stafetë" nga njëri brez tek tjetri.
Shpotitës dhe pak hiporbilizues është tregimi "Femrat e arkës xy". Tek ky tregim, autori sikur ka gjetur atë fushën e tij: ka rënë në"kthetrat e NIÇES, mikut të "nunit" të autorit,Frojdit dhe "harron" apo bën sikur "harron" realitetin. Atij sikur i ka ardhur" gjahu" tek dera dhe, në vend që ta vras, zë e noton në"detin e tij të dijeve". Mjafton të ndalesh në sentencën e Niçes " E vërteta është një antetat që bëhet kundër turpit të grave" dhe poshtëshënimin që vë autori për"Sadomasochizëm", kupton se kemi të bëjmë me një"diadok"(pasues) të këtyre filozofëve.
Edhe "DANAIDA", për mua, është sinjifikativ. Në dinamikën e saj, pak nga pak, sa zë e rritet si personazh,aq dhe humbet. Autori i jep Danaidës ca tipare që zor t'i arrijë. Natyrisht, qejfet dhe ndërrimi i partnerëve, janë brenda caqeve, por deri në vrasje të qëllimshme, janë pak si shumë për një personazh që vjen nga hiçi. Kur pyes veten si lexues, pse ka ndodhur kështu me Danaidën, vihen pak në vështirësi dhe, tak tek lexoj atë shënimin nga ky autor erudit, bindem se autori ka arritur atje ku do ai. Danaida e sotme është vazhduesja hipotetike e atyre të lashtësisë greke: 50-vajzat e mbretit Danailis i vranë burrat e tyre, më përjashtim të njërës.
* * *
Por, në fund të fundit, kur flas për këtë vëllim me tregime të MYZAFER BERBERIT, më kujtohet një thënie e të Madhit JOHANN WOLFNGANG GOETHE që thotë:" Karakter, në gjëra të mëdha apo të vogla, do të thotë ato gjëra që ndjehesh i Zoti që t'i bësh". Dhe MYZAFER BEBERI ia ka dalë që t'i bëjë. Ndaj kam thënë që të"shëron" dhe me penë se si mjek as që diskutohet.

Tiranë, 18 prill 2017

AUTOPSIA E ENVERIT NGA “DOKTOR” DERRI I KOLKOZEVE

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e XIII.



JA SI PUTHEN “BURRAT” E SHTETIT

10 MAJI 1959: ORA 5.00 PUSHKATOHET BRIJ LIQENIT DON DEDË MALAJ

Shqipnia pergatitet me pritë në Tiranë Nikita S. Hrushovin. Të gjitha parashikimet e Don Dedë MALAJ në gjyqin e zhvilluem në kinema “Republika” dolën të sakta.
25 MAJI 1959: UDHËHEQËSI I BASHKIMIT SOVJETIK ARRIJTI NË TIRANË
■Porsa vuni kamben në Aeroportin e Rinasit tha: “Nuk po e hjeku kapelen, se ju jeni një popull musliman dhe mund të flas me kapelë në kokë..!” Plasi e qeshuna...
Në një darkë në Kremlin, kur po kërcenin shumë vite perpara Stalini i tha Hrushovit: “Heee, a po kërcen edhe ti ‘derri i kolkozeve t’Ukrahinës?!” Edhe atje plasi e qeshuna...
Hrushovi vizitoi shumë qytete e zona të Shqipnisë tue fillue nga Tirana, Shkodra e deri poshtë në Butrintin e bukur, e edhe atje kur foli per grekët... Edhe atje plasi e qeshuna.
■Kur ishte në Shkoder, Enveri e pyeti per portretin e tij të vendosun perballë tribunës ku po zhvillohej mitingu i madh, dhe ai u pergjegjë: “Nuk më kishte shkue kurrë mendja se do ta shoh veten të varun në një minare xhamije!..” Edhe aty plasi e qeshuna...
1961: U zhvillue në Moskë mbledhja e 81 Partive Komuniste e Puntore të Botës, ku foli edhe Enver Hoxha. Ishte mbledhja e shkunorzimit me sovjetikët. Asnjëherë nuk kemi pasë rasen me e lexue të saktë dhe të plotë atë fjalim, as në vepren e tij të 19, dhe as nga shkrimtarët që e kanë botue me lejen e tij. Dihet i saktë vetem komenti i bamë aty nga tribuna e asaj konference nga Dolores Ibaruri: “Si asht e mundun? Diskutimi i Hoxhës, ngjanë me qenin, të cilit i japin bukë, kurse ai kafshon doren e atij që e ushqen!..”
Ata që ishin aty kanë tregue se: Edhe aty plasi e qeshuna...
■Kujtimet e Nikita S. Hrushovit në Shqipni kanë ardhë vonë ashtusi të gjitha tjerat...
Aty flet per Titon, Enverin dhe vazhdon me shpjegimet e ngjarjeve të kohës, ku shpjegon me detaje qellimet e tyne në lidhje me idenë e Stalinit per Federaten Ballkanike, dhe se “tek ajo Federatë, ku Shqipëria perfshihej nga përberja e Jugosllavisë, nuk binte në kundershtim me idenë e Stalinit... Kur u prishën mardhenjet idea u varros. Enver Hoxha nevrikosej... kur flet per gjera që s’i pelqejnë i lëvizë terë fëtyra dhe i kercasin dhëmbët... ■Tito më ka thenë se në Jugosllavi ka Shqiptarë më shumë se në vetë Shqipërinë. Ishte formuar NATO, kurse Shqipëria kishte një pozitë të mirë strategjike në Detin Mesdhe dhe ne e shikonim si bazë të vendeve socialiste në atë detë. Ne derguam tanke, artileri e armë të tjera moderne. Nuk flas per ushqime e veshmbathje. Derguam 12 nendetëse.
Unë vizitova Shqipërinë. Gjatë vizitës nuk u atakua Jugosllavia. Ne nuk kishim ndonjë pretendim konkret. Shqipëria ishte shumë e varfër dhe s’ kishte asgjë që mund të na interesonte si resurs. Mardhenjet ekonomike ishin ndertuar në interesin e Shqipërisë.

■I dhame traktorë. Donim të ngrinim ekonominë shqiptare në nivelet bashkëkohore, t’a benim Shqipërinë një perlë, e cila do të terhiqte drejtë komunizmit vendet muslimane, sidomos ato të Lindjes së Afert e të Afrikës, këto ishin synimet tona politike...
Shqipëria është një vend i vogel, por populli jeton në një pozitë të tillë gjeografike ku nderthuren kundershtitë e Europës dhe armiqtë i ka të shumtë. Kufiri nuk ishte ai që donin. Shumë, shumë të varfer dukeshin fshatarët. Varfëria e primitivizmi mbretronin atje kudo. Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku e quanin veten me një autoritet të palëkundur. Unë them se janë njerëz jo largpamës e të kufizuar. Ngatrruan politiken me aritmetiken. Ata menduan se Kina është qender e Botës. Në Kongresin e XX të PK të BRSS, aty ata e kuptuan se çdo të thonte gjykim i kultit të individit, gjykim i pushtetit personal, gjykim i normave antidemokratike të jetës së partisë dhe të popullit.
Kjo i kishte friksuar lidert shqiptarë sëpse binte në kundershtim me aktivitetin praktik të tyre. Thonë që Shehu ka vrarë Koçi Xoxen. Kjo ngjante me sistemin që përdorte Stalini. Kështu vepronte me anën e Berias e të tjerëve. Enver Hoxha shau më shumë se kinezët.
■Lidert shqiptarë me metodat e tyre të vrasjeve të fshehta e të hapura formuan një parti e cila mbahet grusht rreth tyre vetëm nga frika. Populli është i detyruar t’i durojë.
■S’ ke ç’ bënë, pikërisht kështu ka qenë tek ne në kohën e Stalinit. Ai zhdukte të gjithë kuadrot e hershme e populli thërriste: “Rroftë Stalini, Stalini është miku dhe babai i Popullit..!!” Lidert e këtyre vendeve nisën nga idea se Populli është turmë...
Ai duhet mbajtë në frikë, duke e nënshtruar me kercënime...
■Kështu vepron edhe Mao Ce Duni...”
***
Dhe, me të vertetë një grup terroristësh që nuk lëshojnë kolltukët i gjetne në Pekin...
■E vagabondët vrapuen tek Kina tek Mao Ce Duni e Lin Biao... kur po laheshin në lum!
Tibeti e Mongolia ishin mbasderet. Modelet e kthimit qyteteve në fshatra ishin kudo! Kishte nga ata koka që Himalaja i dukej si Dajti... Enver Hoxha kur fliste per Murin e Kinës shpesh ngatrrohej me Murin e Berlinit... “Mur hesapi”... thonte me humor!! Por, në fakt as nuk e dinte ku bjen njeni as tjetri, veç bante me dorë nga Hotel Dajti...
Jo, të nderuem lexues, “këtu nuk plasi e qeshuna!..”
■Këtu, asht pikrisht vendi ku duhet të plasin vaji.., ishim mbushë me hetuesi, tortura, burgje, kampe shfarosje, gropa sekrete ekzekutimesh e Kisha të rrenueme...
Frika, mashtrimi dhe “Rilindja”, vazhdojnë edhe sot me idenë se “Populli asht turmë”!..
Po, deri kur kështu, vrapo në Turqi, në Jugosllavi, në Greqi, Itali..?! Per shka?!
■E, tue u puthë e, tue mendue: Si me ia hjekë kaptinen njenitjetrit.., me mbushë xhepat.
As nuk e kanë idenë e Fjalëve: Besë, Atdhe, Flamur dhe Popull i Lirë apo mirqenje!
            Pjesa e XIV.
            Melbourne, Prill 2017...













Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...