2017-04-20

Fati i Kosovës nuk duhet të varet nga zgjedhjet në vendet e tjera


Augustin Palokaj

Shkruan Augustin Palokaj


Sikur në këta nëntë vjet pavarësi Kosova të ishte forcuar vërtet si shtet, me subjektivitet ndërkombëtar dhe me funksionalitet të shtetit brenda, zgjedhjet që zhvillohen në shtetet e tjera nuk do të ishin aq me ndikim në Kosovë. Do të ishte lehtë të thuhet se për Kosovën nuk ka fare rëndësi se kush do të fitojë në zgjedhjet në Francë, cila do të jetë politika e re amerikane ndaj Evropës, nga do të shkojë Turqia me raportet e saj me Perëndimin dhe cili do të jetë fati i BE-së dhe NATO-s

Të dielën e ardhshme, me 23 prill, do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Francë. Edhe pse do të jetë vetëm raundi i parë, rezultati i tyre do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për tërë Evropën. Në raundin e parë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të dihet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës, por do të dihet se kush nuk do të jetë.

Janë së paku 5 kandidatë të cilët mund të plasohen në raundin e dytë dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë mund të ndodhë që presidenti të mos jetë nga radhët e njërës prej dy partive të qendrës, qoftë socialistëve të majtë apo republikaneve të djathtë. Ekziston dhe rreziku që të fitojë kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen apo kandidati i Partisë së majtë, në fakt komunist, Jan-Luc Melenchon. Fitoren e cilitdo prej tyre do të mundë ta festonte edhe Rusia, sepse edhe Le Pen edhe Melanchon jo vetëm se janë kundër sanksioneve ndaj Rusisë, por duan edhe largimin e Francës nga NATO-ja. Por ata dy nuk janë të vetmit kandidatë me qëndrime proruse. Edhe kandidati i partisë së qendrës së djathtë, Francouis Fillon, i cili, për shkak të skandalit të punësimit fiktivë të bashkëshortes, ka zvogëluar në minimum gjasat që të plasohet në raundin e dytë.

Me një dallim të vogël mes tyre, sipas anketave, gjasat për të shkuar në raundin e dytë e kanë ekstremistja Marine le Pen, e cila e do shkatërrimin e BE-së dhe lidhjet e forta me Rusinë dhe i pavaruri Emanuel Macron, i cili do të siguronte që Franca të vazhdonte ta luante rolin kryesor në zhvillimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.

të fundi gjasat janë rritur edhe për komunistin Melenchon, ndërsa kandidati socialist Benoit Hamon ka si handikap jo popullaritetin e partisë së tij që është rritur në periudhën e presidentit Hollande, ndoshta presidentit me rejtingun më të ulët në histori të Francës moderne.

Mediat serbe janë nxituar të vlerësojnë se Franca pas zgjedhjeve presidenciale do të mundë të tërhiqte njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Një konstatim i tillë duket më shumë si dëshirë sesa një vlerësim real. Megjithatë, për Kosovën nuk do të ishte t e parëndësishme se kush do të jetë në krye të Francës. Ky shtet ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të ndërhyrjes së NATO-s e më vonë edhe të Pavarësisë së Kosovës. Ka bërë edhe lobim në shumë shtete të botës për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Ka mbështetur Kosovën edhe në BE dhe si pjesë e Quintit vazhdon të ketë rol vendimtar edhe në zhvillimet e brendshme të Kosovës.

Edhe pse Kosova nuk është ndonjë temë e rëndësishme në Francë ajo është përmendur aty këtu gjatë fushatës. E ka përmendur Le Penin, e cila nuk ka fshehur urrejtjen që ka ndaj të huajve, pra edhe ndaj kosovarëve në Francë. E ka përmendur edhe kandidati i qendrës së djathtë Fillon, duke e përdorur që të arsyetojë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë. Fillon, thonë politikanët që kanë punuar për së afërmi me të, ka qëndrime jashtëzakonisht pozitive ndaj Rusisë dhe presidentit Putin. Ai ka përmendur Kosovën dhe njohjen nga Franca si ilustrim se si “edhe ne kemi bërë rivizatimin e kufijve në rastin e Kosovës”. Por ai nuk ka thënë se në rast se zgjidhet president do të tërhiqte njohjen e Kosovës. Kjo njohje nga Franca kishte ndodhur pikërisht në kohën kur Fillon, gjatë mandatit të presidentit Nikola Sarkozy, ishte kryeministër i Francës.

Ka shumë argumente kundër krahasimit të Kosovës me Krimenë. Kryesori është se asnjë shtet nuk e ka okupuar Kosovën për t’ia bashkuar territorit të vet. Por pavarësia është arritur përmes një procesi politik, me negociata të gjata, dhe me përfshirjen e shumë shteteve në atë proces. Fillon e di këtë, por ai kërkon argumente për të afruar Francën me Rusinë. Prandaj edhe në Bruksel, edhe bashkëpartiakët e tij në grupin e Partive Popullore Evropiane, druajnë nga fitorja e tij dhe ndikimi që do të kishte ajo në raportet e ardhshme mes BE-së dhe Rusisë dhe për rolin e Francës në NATO. Sepse, për shkak të qëndrimeve proruse, Fillon mund të tërheqë mbështetjen e Francës për zgjerimin e NATO-s.

në Francë, pas referendumit të Britani për largimin nga BE-ja dhe pas zgjedhjeve në Holandë janë edhe një palë zgjedhje nga rezultati i të cilave do ta varet e ardhmja e Bashkimit Evropian. Prandaj për BE-në dhe NATO-n, e kjo do të duhej të vlente edhe për Kosovën, do të ishte më e dëshirueshme që të fitonte kandidati i pavarur i qendrës Emanuel Macron. Ai është proevropian, pro-NATO dhe për bashkëpunim me miqtë tradicionalë të Francës brenda BE-së dhe NATO-s.

Sikur në këta nëntë vjet pavarësi Kosova të ishte forcuar vërtet si shtet, me subjektivitet ndërkombëtar dhe funksionalitet të shtetit brenda, zgjedhjet që zhvillohen në shtetet e tjera nuk do të ishin aq me ndikim në Kosovë. Do të ishte lehtë të thuhej se për Kosovën nuk ka fare rëndësi se kush do të fitojë në zgjedhjet në Francë, cila do të jetë politika e re amerikane ndaj Evropës, kah do të shkojë Turqia me raportet e veta me Perëndimin dhe cili do të jetë fati i BE-së dhe i NATO-s.

Kosova do të përmendet aty-këtu në lojërat e mëdha ndërkombëtare, gjeostrategjike. Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe do të vazhdojë ta përmendë atë duke drejtuar gishtin ndaj Perëndimit, sidomos kur në Kosovë gjërat të mos shkojnë si duhet. Ata politikanë perëndimorë që nuk e dinë, apo nuk duan ta dinë se si erdhi deri te ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe si kjo ndërhyrje rezultoi me Shpalljen e Pavarësisë në vitin 2008, nuk do t’u kundërvihen shumë qëndrimeve të Rusisë. Por të gjitha këtu nuk janë arsyetime për dështimet në Kosovë në nivel lokal.

Vërtet Kosova ishte dhe vazhdon të jetë një lloj projekti ndërkombëtar. Por me kalimin e kohës po zvogëlohen edhe interesi, edhe gatishmëria për t’u marrë me çështjet e Kosovës, duke përfshirë edhe ato të cilat pritet që vetë Kosova t’i kryejë. Kur ata që marrin votën e popullit për të qeverisur, dhe të cilët thirren në atë votë, të kryejnë me ndërgjegje dhe përgjegjësi punën e tyre atëherë do të jetë vërtet për kosovarët më pak e rëndësishme se si do të votojnë holandezët, francezët apo turqit.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...