NGA ENVER ROBELI
Autokrati serb Aleksandër Vuçiq ka pritur se të gjithë serbët do ta pranojnë në heshtje fitoren e tij “të bindshme” në zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë në Serbi po ndodh ajo që nuk e prisnin Vuçiq dhe mbështetësit e tij: po rebelohet gjenerata pa ardhmëri, ajo që është lindur pas vitit 1999.
Para një çerekshekulli zgjedhjet presidenciale serbe i fitonte Slobodan Milosheviqi – në raundin e parë. Në vitin 2017 këtë e arriti edhe Aleksandar Vuçiqi, kryeministër i Serbisë që nga viti 2014. Meqë shumica e mediave në Serbi kontrollohen nga e ashtuquajtura Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit, në fushatën zgjedhore kishte vetëm një “hero”: Aleksandër Vuçiqi. Gazetat bulevardeske të Beogradit si “Informer”, “Kurir”, televizioni “Pink”, e përditshmja përherë lojale ndaj pushtetit “Politika” i dhanë hapësirë të jashtëzakonshme raportimeve për Vuçiqin. Për kundërkandidatët raportohej kryesisht në kontekst negativ. Ndërsa mediat proqeveritare i njollosnin kundërkandidatët me akuza se janë “përfaqësues të NATO-s” apo të paguar nga qarqe të panjohura nga Gjiri Persik, një eksponent i partitë së Vuçiqit e akuzoi gruan e Vuk Jeremiqit, njërit nga kandidatët opozitarë, se merrej me drogë.
Këtë fushatë të ndyrë Vuçiqi dhe mbështetësit e tij ia lejuan vetes, sepse pushteti në Serbi është i koncentruar si kurrë më parë në duart e një njeriu – Vuçiqit. Asnjë politikan serb që nga rënia e Milosheviqit nga pushteti nuk ka pasur kaq shumë pushtet sa ish-ultranacionalisti Vuçiq. Që nga ardhja në pushtet e SNS-së në vitin 2012 Vuçiq fillimisht si zëvendëskryeministër dhe pastaj si kryeministër u ka shpallur luftë oligarkëve, të cilët, sipas tij, janë pasuruar nën qeveritë e “demokratëve properëndimorë”. Kjo është e vërtetë, por lufta e Vuçiqit kundër oligarkëve është mjaft selektive. Ai po lufton një kastë dhe po e zëvendëson atë me kapitenë të ekonomisë, të cilët i janë nënshtruar plotësisht vullnetit të SNS-së dhe liderit të saj. Pakkush në Serbi beson se ishte rastësi që disa javë paera zgjedhjeve në Beograd u kthye nga Rusia Bogolub Kariqi, një oligark me origjinë nga Peja, i cili u pasurua në vitet ’90 nën regjimin e Milosheviqit, por ishte aq i mençur, saqë të financojë edhe opozitën e atëhershme. Kur erdhi në pushtet Opozita Demokratike Serbe (DOS), Kariq vazhdoi të pasurohej si më parë – deri më 2006 kur u gjend në shënjestër të drejtësisë dhe iku në Rusi. Ndërkohë drejtësia serbe i ka parashkruar veprat për të cilat e ndiqte Kariqin dhe ai, pas kthimit në Serbi, ka qëndruar përkrah Vuçiqit orë e çast.
Para këtyre zhvillimeve liderët kryesorë evropianë mbyllin sytë. Vuçiq është i dobishëm për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Politikanët e tillë po quhen “stabilokratë” të Ballkanit. Në prag të zgjedhjeve Vuçiq u prit edhe nga Angela Merkel, e cila lavdëroi reformat e kryeministrit serb, pa prekur thelbin e problemit – provokimet e vazhdueshme të Beogradit ndaj Kosovës dhe Bosnjës, kërcënimet ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë. Vuçiq në të vërtetë ka arritur disa suksese në planin e brendshëm – papunësia është ulur nga rreth 25 për qind në 13 për qind, korrupsioni në sektorin e shëndetësisë është reduktuar dukshëm, reformat ekonomike po tregojnë sukseset e para, përpjekja e tij për ta etabluar Serbinë si shtet që përfiton nga BE-ja, nga Rusia dhe nga Kina ka qenë e frytshme. Nuk është e rastësishme që Vuçiq tani po e shikon Josip Broz Titon si model dhe Serbinë si një lloj Jugosllavie postjugosllave.
Në këto rrethana të pushtetit të pakufishëm Vuçiq mbase ka pritur se të gjithë serbët do ta pranojnë në heshtje fitoren e tij “të bindshme” në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit. Ndërkohë në Serbi po ndodh ajo që nuk e prisnin Vuçiq dhe mbështetësit e tij: po rebelohet gjenerata pa ardhmëri, ajo që është lindur pas vitit 1999 dhe nuk ka as punë, as perspektivë në vendin e vet. Që nga 3 prilli në shumë qytete të Serbisë (para së gjithash në Beograd dhe Novi Sad) mijëra të rinj, kryesisht studentë dhe gjimnazistë, po protestojnë “kundër sistemit”, “kundër diktaturës”, “kundër korrupsionit”, me një fjalë kundër Vuçiqit dhe stilit të tij të qeverisjes. Ende nuk dihet se kush janë organizatorët e kësaj lëvizjeje protestuese. Të rinjtë po organizohen përmes rrjeteve sociale dhe çd0 mbrëmje po vërshojnë rrugët e Beogradit, duke sharë e brohoritur në mënyrë mjaft kreative Radio Televizionin e Serbisë (RTS), qeverinë, nevojtoret mediale të Vuçiqit. Protestat duket se po zgjerohen dhe mund të jenë të pakëndshme për Vuçiqin, i cili e luan përherë rolin e kukuvajkës: janë të tjerët që gjoja e sulmojnë, janë të tjerët që e pengojnë, janë të tjerët që i prishin planet e tij të mrekullueshme për përparimin e Serbisë. Në këtë vajtim të përhershëm Vuçiq ia arrin t’i shfrytëzojë me efikasitet edhe takimet apo bisedimet me liderë europiane apo euroatalantikë. Gjatë fushatës elektorale për postin e presidentit ai tha se gati i kishin rrjedhë lotët kur e kishte marrë në telefon sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe i kishte shprehur mirënjohje për angazhimin e tij për stabilitetin e rajonit. Në një paraqitje televizive në kanalin “Pink” në prapavijë u shfaqën fotografitë e Vuçiqit, Merkelit dhe Vladimir Putinit. Një gazetar serb tha se kjo pamje të kujtonte posterët e Marxit, Engelsit dhe Leninit, që vendoseshin në zyra drejtorësh të ndërmarrjeve vetëqeverisëse në Jugosllavi.
Protestat kundër Vuçiqit janë edhe një mesazh kundër Angela Merkelit dhe liderëve të tjerë europianë, të cilët me tolerancën e tyre kanë mundësuar që në Ballkan të konsolidojnë pushtetin autokratë si Vuçiqi, homologu i tij i dikurshëm maqedonas Nikola Gruevski dhe udhëheqës të tjerë. Protestat në Serbi janë sinjal se sa i rrejshëm është ky stabilitet në rajon.