2017-04-16

Topi i rrumbullakët, Allahu në qiell, xhamia në vend

Nga Enver Robeli 


Enver Robelli


Mbi keqpërdorimin e futbollit për propagandë fetare


Kushtetuta e Kosovës e garanton lirinë e besimit. Secili njeri mund t’i besojë Krishtit, Muhamedit, makaronave fluturuese (ose shpagetave), Budës, Burdushit. Njerëzit kanë të drejtë edhe të mos besojnë në asgjë, të jenë ateistë. Kjo nuk i bën ata më pak të ndershëm, më pak të mirë se ata që falen pesë herë në ditë ose ata që çdo të diel shkojnë në kishë. Ndërsa disa futbollistë ndiejnë nevojë të bëjnë kryqin në fushën e blertë, duke shpresuar se një fuqi hyjnore do t’u ndihmojë të japin gola, askush nuk ka të drejtë t’i stigmatizojë ata lojtarë që i falen ndonjë idhulli tjetër dhe këtë e demonstrojnë publikisht.

Problemet fillojnë të shfaqen dhe të bëhen publike kur lojtarët e keqpërdorin fenë për propagandë, për të dëshmuar një lloj epërsie ndaj feve të tjera, kur nuk e dallojnë rolin e tyre privat dhe publik, kur e ngatërrojnë besimin me mision. Askush nuk i ka atakuar futbollistët shqiptarë (të Shqipërisë dhe të Kosovës) përse i besojnë këtij apo atij Zoti. Por me disa sjellje absurde, provokuese disa prej lojtarëve kanë braktisur detyrën e tyre dhe më shumë po prodhojnë tituj me gjeste fetare se sa me gola.

Para ndeshjes së fundit kundër Islandës, Milot Rashica, lojtari i ekipit apo kombëtares së Kosovës (quajeni si të doni), e pa të udhës të postojë në mediat sociale një fotografi, ku shihej një grumbull vrapuesish pas topit të ulur mbi qilimin e një xhamie në Shkodër. Është e drejtë e futbollistëve që gjatë kohës së lirë të shkojnë ku të duan (për aq sa i lejon trajneri dhe për aq sa kjo është çështje e tyre private).

Por si përfaqësues të një ekipi shtetëror (dhe Kosova është shtet, nëse këtë nuk e ka të qartë Rashica apo ndonjë shok i tij), futbollistët janë të obliguar të respektojnë disa rregulla: së pari Kosova është republikë laike, neutrale ndaj çdo feje, së dyti simbolet shtetërore, me të cilat stolisen Rashica dhe shokët e tij, nuk janë stema private, rrjedhimisht ato s’mund të (keq)përdoren për ushtrimin e aktiviteteve fetare, së treti nuk janë të gjithë shqiptarët myslimanë, andaj theksimi agresiv i një feje automatikisht u sugjeron bashkëkombësve të tjerë se vendi i tyre është diku në periferi. Para Kampionatit Evropian të Futbollit në Francë futbollisti i ekipit nacional të Shqipërisë, Mërgim Mavraj, refuzoi të vishej me fanellën me një reklamë të një birre të njohur kosovare. Federata Shqiptare e Futbollit lëshoi pe dhe kështu krijoi një rast precedent. Nesër një lojtar katolik apo ortodoks mund të refuzojë një fanellë me ngjyrë jeshile me arsyetimin se simbolizon «ngjyrat e islamit», «Perandorinë Osmane», «pushtuesit barbarë turq», «hordhitë orientale».

E udhës do të ishte që të dyja federatat e futbollit (e Kosovës dhe e Shqipërisë) t’ua bëjnë të qartë lojtarëve se bindjet e tyre fetare respektohen maksimalisht, por nuk do të tolerohet asnjë propagandë fetare siç është pozimi nëpër xhami, ndezja e polemikave mbi birrën, tallja me fe të tjera etj. Të njëjtët futbollistë që në Kosovë dhe në Shqipëri sillen si gjoja myslimanë të devotshëm, në ekipet e tyre në Evropë nuk bëzajnë fare kur bartin fanella me reklama të birrës apo mishit të derrit. Janë të njëjtët që pastaj tallen me fe të tjera, ndërsa mbrojnë ngjyrat e një kombi me tri fe.

Rashica dhe shokët e tij kanë mundur të vizitojnë në Shkodër Muzeun e Marubit, ku gjendet fondi më i rëndësishëm i fotografive të historisë së Shqipërisë dhe Kosovës; kanë mundur të kujtojnë Komitetin e Kosovës, i cili nga Shkodra përpiqej të organizonte rezistencën kundër pushtuesve serbë; pas vizitës në xhami kanë mundur lojtarët e Kosovës të vizitojnë edhe Katedralen e Shkodrës, simbol jo vetëm i besimit në Zot, por edhe qendër e veprimtarisë së shquar atdhetare. Rashica me shokë, ndërkaq, preferojnë të bëjnë një selfie në xhami për t’i sugjeruar publikut mysliman se topi është i rrumbullakët, Allahu në qiell, faltorja në vend.

U mbetet futbollistëve të Kosovës dhe të Shqipërisë vetëm të mësohen të luajnë futboll. Pasi në fushën e blertë po tregohen amatorë, ata kanë gjetur rrugë të tjera për të treguar zellin e tyre: demonstrimin e ndjenjave të tyre fetare si kompensim të shkathtësisë futbollistike. Kjo mund t’u sjellë pak vëmendje jo vetëm në mediat sociale, por njëkohësisht tregon se jo pak lojtarë, sidomos ata që luajnë në Perëndim, nuk arrijnë as të integrohen në shoqëritë mikpritëse, as të krijojnë një bazament vlerash përtej atyre fetare, as të bëhen personalitete shembulldhënëse për shoqërinë. Të besosh në Zot është e drejtë individuale, por kjo s’të bën automatikisht njeri më të vlefshëm për shoqërinë.

Rashica dhe rrogëtarët e tjerë që vrapojnë pas topit do të duhej ta kuptonin se paradat fetare nuk i zëvendësojnë ato sportive; se individët nuk e përbëjnë ekipin; se fuqia e supozuar hyjnore nuk e zëvendëson fuqinë e këmbëve; se ende nuk është zbuluar asnjë hoxhë, prift apo dervish që me shkop magjik mbyll portën vendore dhe hap atë të kundërshtarit. Kështu ka qenë prej se njerëzit kanë filluar të luajnë futboll. Kështu do të jetë edhe në ndeshjen e radhës, kur të luajnë Kosova, Shqipëria, Franca, Anglia, Andorra, San Marino, por edhe Islanda e mallkuar dhe Kroacia e tmerrshme.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...