SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ
Nëse ambasadori i Konferencës së Paqes, Geert Ahrens, në librin e tij " Diplomacia mbi tehun e thikës" botuar Uashington D.C. 2010, shkruan për aktivitetin tim diplomatik në superlativ, si nuk paskam të drejtë ta pyes atdheun tim qysh nuk e paska një letër ku shkruan " mirënjohje"?! Pse unë, që për herë të parë në histori bëra që zyrtarisht Kosova konkurron për çmimin 'Nobel', nuk paskam asnjë të drejtë ta pyes atdheun për një vend pune, kurse Daut Haradinaj me krejt privilegjet ende e pyet atdheun për vete dhe familje?!
Në Kosovë është krijuar një traditë, një ligj i pashkruar e i pathënë, që shkrimet, debatet, bisedat për personalitete politike, e veçmas atyre të luftës që të shkruhet, e të flitet vetëm në superlativ mbi luftën, trimëritë, guximin e filan komandantit apo filan gjeneralit, në të kundërtën do të shantazhoheni, kërcënoheni, bllokoheni dhe jeni të fyer, të sharë e ndoshta edhe të vrarë. E keqja më e madhe qëndron se të shkruash për një rast, për një ngjarje të luftës objektivisht, të akuzojnë se je kundër luftës dhe zhvlerësimit të saj. Të shkruash për gabimet, tradhtinë, dëmet e një apo disa liderëve të akuzojnë se je kundër tërë partisë e kështu me radhë. Duhet të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë se vetëm me kritika objektive, me demistifikimin e disa figurave të rrejshme, Kosova mund të përparojë, e jo të përpiqemi që më forcë t'i ndalojmë dhe ngulfatim të gjithë ata që nuk mendojnë si ne, e për ne. Ngritja e zërit të intelektualëve kundër fenomeneve negative të shkaktuara nga klasa politike, ishte detyrë kombëtare që nga koha antike dhe u aktualizua edhe më shumë nga Emil Zola me letrën e tij të famshme "Unë akuzoj", me Viktor Hygo e shumë pasardhës të tyre deri në ditët e sotme, pa llogaritur pasojat. Mbajtja në Francë e Ramush Haradinajt, i ka shqetësuar më se shumti familjarët e ngushtë, mbase edhe qytetarë tanë të shumtë, si dhe disa nga pozita e opozita e ndonjë anëtar të kryesisë së AAK-së . Mbajtja në Francë e liderit të AAK-së ka prodhuar deklarata e prononcime nga disa personalitete politike dhe publike nga të cilat shpesh ishin tendencioze, megalomane, kërcënuese, të karakterit servil, joprofesionale, e pak prej tyre objektive.
Me deklarata stereotipe nuk i shpejtohet liria Ramushit Me ndalimin e Ramushit nga autoritetet franceze në Francë, shpërthyen me deklarata personalitetet politike vendore, duke filluar nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Ceku, Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, Zafir Berisha e shumë të tjerë, përmbajtja e të cilave ishte identike: "Arrestimi i Ramush Haradinajt me urdhërarrest të Serbisë është i papranueshëm". Të gjitha këto deklarata ishin për t'i hedhur pluhur syve opinionit tonë, se ndalesa e Ramushit i paska pikëlluar thellë dhe se këta do bëjnë çmos për lirimin e tij sa më të shpejtë, e në fakt mezi presin që Ramushin ta ekstradojnë për në Serbi. Pas këtyre deklaratave u aprovua nga Kuvendi Rezoluta absurde ku Francës i kërkohet:"Lirimi i pakusht i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj të ndodh sa më shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore"thuhet në mes tjerash në këtë rezolutë. Sikur ekspertët tanë po të thelloheshin më shumë mbi raste të tilla do të vërtetonin se Franca,Gjermania, Belgjika, Anglia e të tjera i respektojnë ligjet dhe rregullat ndërkombëtare të lëshuara nga Interpoli dhe agjencione të tjera simotra për ndalimin e atyre që gjenden në lista të tilla. Janë ndaluar dhe arrestuar shefa të shteteve të ndryshme nga aktakuza jo nga Interpoli, por edhe nga padi private të një grupi familjarësh të persekutuar gjatë sundimit të mbretit apo kryetarit të shtetit te tyre. Andaj çështja e ndalimit të Ramushit nuk është rast unik, dhe për lirimin e tij duhet të argumentohet me fakte pafajësia e tij e jo me deklarata boshe, sepse gjyqet e botës së civilizuar nuk punojnë me fjalë boshe, me folklorizëm, por me dokumente. Kuvendi i Kosovës është dashur urgjentisht të paguante ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë për përpilimin e dosjes së mbrojtjes së Ramushit e jo të shesin patriotizëm të përzier me folklorizëm e akuza pa vend.
Deklarata për destabilizim të Kosovës është çmenduri! Në mesin e deklaratave infantile të personaliteteve politike, kishte edhe deklarata kërcënuese, ofenduese dhe thirrje për destabilizim të Kosovës dhe thirrje për luftë. Disa mendonin se duke e kërcënuar Francën, do të lirohej Ramushi. Në mesin e këtyre deklaratave kërcënuese, kishte edhe autoritete serbe, të cilët shkruanin se nëse Ramushi ekstradohet, shqiptarët e shpërndarë në shumë shtete të botës do të fillonin të bënin atentate kundër interesave franceze, e nuk thoshin kundër interesave të Serbisë. Pas deklaratave të autoriteteve serbe, dolën disa "ish-komandantë" e shkruanin në faqet e tyre të FB se do të hakmerreshin kundër Francës e jo kundër Serbisë. Asnjë shtet i perëndimit dhe asnjë qytetar i rritur në ato shtete nuk i pranojnë dhe nuk u frikësohen kërcënimeve dhe shantazheve, por ligjeve. Jemi dëshmitarë të kërcënimeve nga ISIS ku shpërthejnë bomba në Bruksel, Paris, Londër, Stokholm e gjetiu, e shteti dhe qytetarët dalin në kafene e teatër për t'i treguar se nuk frikësohen. Dikush tjetër deklaroi se nëse nuk lirohet Ramushi do ta destabilizonte Kosovën. Kjo ishte deklarata më idioteskte dhe më destruktive. Me mijëra vjet kemi pritur të largojmë sunduesit, e tani që jemi krijuar shtet ne do ta destabilizojmë dhe do ta sakrifikojmë për Ramushin?! Askush në botë nuk e sakrifikon shtetin për një apo mijëra individë, por mijëra e qindra mijë individë sakrifikohen për shtet. Kë do ta destabilizojnë këta individë e këto forca të errëta?! Si do ta destabilizonin Kosovën?!Duke vrarë shqiptarë pse nuk janë të një mendimi e që nuk kanë as pikën e fajit?! Do të vrasin plaka e pleq serbë, që nuk dinë çka ndodhë përtej Graçanicës?! Pse nuk u treguan kaq trima gjatë kohës së luftës, por vetë e kemi lënë Mitrovicën nën kontrollin serb?! Kujt i shërben destabilizimi i shtetit tonë, edhe pse me pozitë dhe opozitë të korruptuar?! Destabilizimi i Kosovës u shërben vetëm interesave të Serbisë dhe Rusisë, e cila po kërkon të koncentrojë prezencën e saj në Ballkan. Shteti ndërtohet e nuk sakrifikohet për një njeri kushdo qoftë ai. Daut Haradinaj po ashtu me deklaratën e tij u kërcënua se nëse Ramushi ekstradohet në Serbi do të kemi një Kosovë etnikisht të pastër. Mendoj se Dauti është dashur të deklarohej kështu edhe kur u ekstraduan bashkëluftëtarët e tij për në Serbi, e ai rastet e tyre i ka heshtur. Daut Haradinaj është dashur ta bënte këtë thirrje, kur Anton Lekaj që u ekstradua në burgun e Serbisë, e jo tani për vëllanë e tij. Thirrja e Daut Haradinajt do të tingëllonte thirrje private dhe tepër personale, po sikur ta kishte ngritur zërin edhe për ishluftëtarët e tjerë do konsiderohej kombëtare. Rrezikun nga armiku duhet pritur nga larg e jo kur të futet në shtëpi. Historikisht ne shqiptarët kemi luftuar kur na është rrezikuar shtëpia jonë. Një gjë të tillë e bëri edhe Azem Galica, ku në marrëveshje, Serbia ia garantoi pavarësinë e dy-tri fshatrave. Azem Galica e ndërtoi kullën e tij trekatëshe, duke menduar se lufta kishte përfunduar kundër armikut. Pas tri viteve serbët pushtuan pjesët e tjera derisa Azemi po bisedonte me shokët në odë, u kthyen ushtria serbe dhe ia rrafshuan kullën dhe vrarë ushtarët. Andaj, Dauti dhe tjerët duhet ta dëgjojnë këngën e Ahmet Delisë, që të kuptojnë se pa e mbrojtur cepin më të largët të atdheut nuk mbrohet Prizreni, Deçani, Gjakova e as Prishtina. Në anën tjetër, sa për ilustrim po ia rikujtoj Dautit, dhe të tjerëve se kishat i kanë ruajtur familjet klanore të forta shqiptare, jo për ndonjë humanizëm, por se kanë qenë të paguar dhe të privilegjuar nga serbët dhe ishin familjet më besnike dhe më të respektuara nga Serbia. Nuk i kursyem kultet fetare ortodokse e myslimane se ato ishin me arkitekturë ilire, por u ruajtën me fanatizëm nga familje të forta proserbe dhe proturke. Në anën tjetër Burim Ramadani për një medie tha:"Vendimi i mundshëm i Gjykatës së Colmarit për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi është skenar i pastër për të kthyer konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe në rajon". Një deklaratë e tillë është e ngutshme që në diplomaci fjalët e fundit nuk thuhen të parat dhe si shumë lehtë analistët dhe specialistët tanë zgjidhjen e problemit e gjejnë në konflikt respektivisht në luftë. Sa ishim të gatshëm për luftë më se miri na ilustron sa pjesëmarrës kishte në luftën e fundit, por jo sa janë të pranuar nga Komisioni. Në bazë të shënimeve dhe burimeve të NATO-s, Kosova kishte 17 mijë ushtarë përfshirë këtu edhe logjistikën, dhe NATO e njeh vetëm një gjeneral Agim Çekun. Numri më i madh i prononcimeve dhe deklaratave janë për të treguar vetën se janë patriotë, dhe kur Ramushi të kthehet t'i mburrën duke i treguar se e paskan mbrojtur. Shumë liderë botërorë janë mashtruar nga njerëzit servilë, këshilltarë servilë, dhe i kanë larguar apo vrarë, ata që kanë kritikuar në dobi të interesave kombëtare. Çuditërisht në Tribunalin e Hagës luftëtarët tanë u treguan të dobët, duke deklaruar se ishin të pafajshëm, se nuk kishin pasur poste komanduese, nuk kishin pasur ushtri. të organizuar me një komandë e më një qëllim, por sipas tyre ishte mbrojtje stihike. Poqë se në Tribunalin e Hagës do të kishim vërtetuar, argumentuar dhe dokumentuar se UÇK ishte një ushtri e rregullt, ne sot nuk do të bënim përpjekje për krijimin e ushtrisë, sepse ajo do të ishte vazhdimësi pa procedura të ndryshimit të Kushtetutës. Po të kishim argumentuar se ka ekzistuar ushtria e rregullt do të ishin dënuar dhe sakrifikuar disa individë, të cilët edhe ashtu po maltretohen që 17 vite po mbahen peng e ligjeve ndërkombëtare të luftës. Sa më herët që të kryhet fruthi është më mirë, thotë populli. Merrni shembull të kriminelët serbë sesa me dinjitet e prisnin dënimin në Gjyqin e Hagës, kurse luftëtarët tanë gati sa nuk qanin¨, duke u betuar se nuk kishin qenë komandantë dhe nuk kishte pasur zinxhir komandues, e në Kosovë për opinionin tonë thoshin dhe ende thonë të kundërtën. Cili është realiteti?! Cili ka guxim të shkruajë objektivisht e pa asnjë tendencë negative. Askush!
Serbia me dosje, shqiptarët me deklarata mashtruese Serbia në çdo takim me shqiptarët dhe ndërkombëtarët, kurrë nuk ka shkuar e pa përgatitur. Nuk është më rëndësi se dosjet e tyre kanë qenë apo tani në rastin e Ramushit janë të fabrikuara, por ka rëndësi se ata angazhojnë ekspertë për takime të tilla, e ne shqiptarët gjithnjë e në çdo takim kemi shkuar duarthatë. Gjatë një prononcimi Pal Lekaj ankohet më datën 9 mars 2017, duke thënë: "Serbia ka material 500-600 faqe, kurse ne nuk kemi asgjë që t'i kundërvihemi"."Ministria e Drejtësisë është dashtë të caktojë njerëz profesionistë, për të dërguar material kundër atyre të Serbisë" tha Lekaj. Pasi është kështu, kush ia ka ndaluar zotit Pal Lekajt që të angazhonte specialistë të kësaj fushe për të përgatitur dosje të forta, që t'i mbronin të gjithë ata që i kërkon Serbia. Pal Lekaj i ka pasur kushtet materiale sa ishte kryetar në Gjakovë, i ka kushtet sa është deputet i Kuvendit, andaj pse nuk e bëri këtë? Pse Pal Lekaj apo tjerët janë deputetë të Kuvendit kur nuk janë në gjendje të bëjnë një dosje profesionale? Pse jeni zgjedhur deputetë kur nuk jeni në gjendje ta kryeni një punë në favor të Kosovës? Pse keni hyrë në partinë e Ramushit, kur nuk jeni në gjendje t'i ndihmoni kryetarit tuaj?! Dosjet nuk bëhen vetë, ato duhet me i shkrue dikush. Lehtë është t'i akuzosh tjerët e kur të kthehet Ramushi të krenohesh para tij se ke folur diçka, që në fakt nuk ke thënë asgjë, sepse nuk ke vepruar asgjë. Për përgatitjen e dosjeve a e ka fajin Serbia apo ti me pozitë e opozitë? Shteti nuk krijohet vetëm duke vjedhur, por edhe duke punuar për të mirën e popullit e jo veç për vet.
Çfarë bëri Ramushi dhe tjerët për bashkëluftëtarët që sot ta meritojnë përkrahjen? Që nga paslufta e këtej, Ramushi, Thaçi, Kadri Veseli e të tjerët i kanë privilegjuar vetëm bashkëluftëtarët, me të cilët kanë pasur afërsi familjare, ndërsa një numër të madh të luftëtarëve i kanë injoruar deri në zhgënjim total duke mos i përfillur deri në skajshmëri. Në anën tjetër, që mospërfillja të thellohet deri në humnerë, në listën e veteranëve kanë futur jo vetëm motrat e nënat e tyre dhe fëmijë që luftën nuk e kishin përjetuar, por edhe spiunët dhe bijtë të spiunëve të Serbisë. Për këtë ka shumë shembuj, por po e përmendi një, ku njëri ish-oficer e ka futur nënën dhe motrën e tij si veterane me pretekstin se ato u paskan përgatitur ushqim luftëtarëve, po motra ime e cila shtëpinë saj në Budakovë e kishte shndërruar në shtab dhe kishte përgatitur ushqim për qindra luftëtarë nuk figuron në listën e veteranëve e as që ka aplikuar. Që moskënaqësia të arrinte kulminacionin qëndron në faktin se të gjithë liderët tanë të luftës që në ditët e para të pasluftës i morën nën mbrojtje ish -spiunët, kriminelët dhe biznesmenët shqiptarë, të cilët gjatë kohës së sundimit u pasuruan me ndihmën e Serbisë dhe nga gjaku i popullit. E keqja më e madhe se jo vetëm që i morën në mbrojtje, por edhe i dekoruan siç është rasti i njërit prej shefave të UDB-së Vesel Krasniqi (baballaku i Behar Selimit), duke emëruar shkollë në emër të tij. Po mbushën 17 vjet, e në Kosovë institucionet tona u japin mirënjohje për veprimtari dhe kontribut kombëtar më shumë spiunëve sesa patriotëve. Anton Lekaj alias "Pinqo" si u ekstradua nga Mali i Zi në Serbi, ku u dënua 13 vjet, dhe kurrë askush nuk e foli një fjalë për padrejtësitë që iu bënë njërit nga ushtarëve më të shkathtë të Ramushit?! Si u bë që Ramushi të mos e ngrit zërin për këtë bashkëluftëtar?! Si u bë që askush të mos shkruante e mos ta ngriste zërin për këtë luftëtar?! Anton Lekaj paska forcë fizike më shumë se Ramushi t'i përballojë torturave në burgjet serbe?! Anton Lekajn nuk paska kush ta vajtojë? Pse askush nuk e vizituan nënën e Anton Lekajt?! Si është e mundur që AAK e të tjerët ta heshtin rastin e këtij luftëtari?! Të ishte ngritur zëri për ekstradimin e Anton Lekajt, sot nuk do të kishte ndodhur ndalesa e Ramushit në Francë. A ekziston mundësia që nga torturat e papërballueshme Anton Lekaj të dekonspiron bashkëluftëtarët? A ekziston mundësia që pikërisht milionerët e që u pasuruan me Braqa Kariç, Fazlliq, Mishkoviq, Stanishq, sot të jenë dëshmitarë në dosjet e Serbisë kundër Ramushit e të tjerëve?! Këto ditë Daut Haradinaj në faqen e tij të FB shkruan mos pyetni çka bën atdheu për ju, por ju çka bëni për atdheun! Kjo thënie është një demagogji e që më së miri e ka shkoqitur Rexhep Qosja më 23 shtator 2016, ku e citon Dante Aligerin. Nëse atdheu nuk i shpërblen luftëtarët, veprimtarët e devotshëm ai nuk mund të ekzistojë. Ia shtroj pyetjen: Pse unë Reshat Sahitaj nuk paskam të drejtë të ta pyes atdheun çka bëri për mua, e Daut Haradinaj më tërë ato privilegje ende i kërkon atdheut?! Nëse Daut Haradinaj, Hashim Thaçi e komandantë të tjerë, paskan vrarë dhjetëra ushtarë serbë, unë më punën time në Parlamentin Evropian, NATO, qeveri të ndryshme kam vrarë më mijëra! Nëse Daut Haradianj apo Hashim Thaçi e komandantë të tjerë kanë luftuar gjashtë muaj apo dy vjet, unë kam luftuar me dekada të tëra për çlirimin e Kosovës dhe nuk paskam asnjë të drejt ta pyes atdheun çka bëri për mua?! Nëse ambasadori i Konferencës së Paqes Geert Ahrens, në librin e tij " Diplomacia mbi tehun e thikës" botuar Uashington D.C. 2010, shkruan për aktivitetin tim diplomatik në superlativ, si nuk paskam të drejt ta pyes atdheun tim qysh nuk e paska një letër ku shkruan " mirënjohje"?! Pse unë, që për herë të parë në histori zyrtarisht Kosova konkurron për çmimin 'Nobel', nuk paskam asnjë të drejt ta pyes atdheun për një vend pune, kurse Daut Haradinaj me krejt privilegjet ende e pyet atdheun për vete dhe familje. Nëse dikush e shpall vetën për së gjalli legjendë, pa asnjë dyshim se në fushën diplomatike për internacionalizimin e Kosovës jam legjendë ende e gjallë. Kemi vërejtur se në manifestimet në përkrahje të Ramushit dhe në fjalimet moto kryesore ishte: Ramushi është Kosova!" Nëse Kosova identifikohet në një individ, ky është gabim, sepse asnjë shtet në botë nuk identifikohet më një personalitet sado që ai të ketë kontribuar. Franca nuk shkruan askund Napoleoni apo De Goli është Franca e as amerikanët nuk identifikojnë shtetin në një individ. Individët shkojnë e vinë, disa mbetën në histori e Kosova mbetët për gjithnjë. Nëse Ramushi qenka Kosovë, e ne tjerët ku po mbetemi? Të gjithë jemi Kosovë i nderuar Daut Haradinaj, e ju të tjerë që mendoni ndryshe nga ne, por qëllimin e kemi të njëjtë.