2017-04-16

Kaosi i miliardave

Brikenda Rexhepi

Brikenda  F. Rexhepi

Shumë para janë dhënë për sektorin që do të duhej të mbante nën tension qytetarët. T’i bënte ata aktivë e kërkues. Ta bënte pushtetin frikacak karshi tyre. Sot një protestë kundër korrupsionit nuk t’i mbledhë as 20 veta në një vend. Raportimet e mediave për hajni, dallavere, keqpërdorim, gënjeshtra të njerëzve që na udhëheqin... e irritojnë qytetarin. “Edhe ju mediat veç zi po shkruni”, kjo është fjala që më së shumti e dëgjoj prej tyre, dhe mendoj me vete në çfarë monstrumi jemi shndërruar kështu. Disa madje thonë: “As s’po lexoj gazeta, as s’po dëgjoj lajme... kryt rahat”. Këta janë qytetarët. Kjo është shoqëria e Kosovës së 10 mijë organizatave të shoqërisë civile

Sektori i qytetarëve është po aq, në mos më shumë kaotik se pushteti. Miliardat kanë kaluar nëpër duart e organizatave joqeveritare, të huaja e vendore, që nga paslufta në njëfarë rendi që reflekton kahun nga ka ecur Kosova. Para të mëdha janë dhënë për rehabilitim e rindërtim emergjent në vitet e para, kur organizatat e huaja patën vërshuar vendin. Një periudhë kur humanizmi dhe keqpërdormi i tij kanë ecur dorë për dore. Nuk ka pasur atëherë dhe nuk ka as tash një mekanizëm që do të hetonte gjithë ato muhabete që njerëzit i tregojnë sot më shlirshëm për dallaveret që janë bërë mbi kurrizin e të pastrehëve e të uriturve. Njerëzit, të cilëve asokohe mund t’u ketë kushtuar me jetë po të tentonin t’i drejtonin punët. Ata që kanë punuar për të marrë rroga të mira nga organizatat humanitare që dikur kanë qenë në Kosovë e sot anembanë botës.

Derisa po rehabilitohej e rindërtohej Kosova, nisi edhe themelimi i OJQ-ve vendore. Lista e atyre që janë regjistruar sot e kalon numrin 10 mijë. A funksionojnë të gjitha apo jo, s’ka lidhje. Me rëndësi është se ato kanë ekzistuar në një periudhë, për aq sa kanë gjetur një burim të parave. Dhe kështu nisi faza e dytë, ajo e fondeve për paqe e pajtim. Fushata artificiale, aktivitete për qielli, projekte utopike pa kurrfarë ndikimi në gjendjen reale në terren, ku askush nuk mërzitej as për t’i numëruar viktimat e luftës, as për t’ua shëruar shpirtin grave, vajzave e djemve të dhunuar, për të kërkuar të zhdukurit, për të përllogaritur dëmet. Punohej në pajtim pa as më të voglën përpjekje të institucioneve për t’i kërkuar e çuar para drejtësisë kriminelët që i kishin bërë ato. Me gojën plot pajtim sot e asaj dite udhëheqësit politikë u janë laritur ndërkombëtarëve, OJQ-të kanë marrë pare, e populli ka kërkuar drejtësi – kushti i parë që do t’ua qetësonte zemrat e do t’i bënte të gatshëm për të dëgjuar një gjuhë tjetër pa drojën se atë po e flet një kriminel.

Pa e përmbushur ende asnjë detyrë, në mos jo institucionale, bile morale, karshi atyre që kanë pësuar në luftë, presidenti i Kosovës ka rikthyer sërish pajtimin në agjendë, edhe pse si temë i ka takuar fillimit të 2000-tave. Ndërkohë, gjatë këtyre 15 vjetëve OJQ-të kanë kaluar në fazën e aktiviteteve për demokratizimin, sundimin e ligjit, transparencën, luftimin e korrupsionit... kap njërën mëshoji tjetrës. Sot Kosova vuan për sundim të ligjit e për transparencë. Demokracia ka marrë një formë të çoroditur të cilën as themeluesit e saj nuk do të dinin t’i binin në fije, e për korrupsion Kosova është betonuar në top-listat në mos botërore, evropiane po se po. Nuk bën fare pa u përmendur gratë – të drejtat e tyre, etj. Një fushë shumë e dashur për donatorët dhe rrjedhimisht për OJQ-të. “Kanagjeqe”, kurse për frizere a për qëndisje, shëtitje poshtë e nalt, numërim grash në atë apo këtë institucion, konferenca e seminare, raporte qindrafaqeshe... derisa strehimoret për viktimat e dhunës mbahen sot për nesër në mungesë të një qasjeje dinjitoze institucionale ndaj tyre; derisa gratë poshtërohen në spitalin ku jetët e reja i sjellin në jetë; derisa vetë partitë politike i shpërfillin ato; derisa mentaliteti mbetet po ai që e kemi njohur përherë.

Shumë para janë dhënë për sektorin që do të duhej të mbante nën tension qytetarët. T’i bënte ata aktivë e kërkues. Ta bënte pushtetin frikacak karshi tyre. Sot një protestë kundër korrupsionit nuk t’i mbledhë as 20 veta në një vend. Raportimet e mediave për hajni, dallavere, keqpërdorim, gënjeshtra të njerëzve që na udhëheqin... e irritojnë qytetarin. “Edhe ju mediat veç zi po shkruni”, kjo është fjala që më së shumti e dëgjoj prej tyre, dhe mendoj me vete në çfarë monstrumi jemi shndërruar kështu. Disa madje thonë: “As s’po lexoj gazeta, as s’po dëgjoj lajme... kryt rahat”. Këta janë qytetarët. Kjo është shoqëria e Kosovës së 10 mijë organizatave të shoqërisë civile.

Se sa para të huaja janë derdhur në Kosovë nuk dihet e as që do të dihet ndonjëherë. Donatorët as sot nuk kanë një mekanizëm koordinues mes vete. Disa sektorë marrin më shumë e disa më pak, disa projekte dyfishohen e disa nuk përkrahen, disa OJQ janë mbresëlënëse e disa bëjnë dëm. Ato më të mirat funksionojnë në Prishtinë dhe në ndonjë qytet tjetër. Sa më larg qyteteve, aq më shumë zvarriten. Masa – ata, fjala e të cilëve bën ndryshimin, mbetet e paarritshme. Fjala e tyre është vota e qytetarit.

Derisa paratë e taksapaguesve të shteteve mike për sektorin bien gradualisht, e ato të taksapaguesve kosovarë shtohen, del në pah një kaos i llojit të vet. 28 milionë të buxhetit të shtetit në dy vjetët e fundit u kanë shkuar organizatave joqeveritare pa një sistem, pa kritere e procedura, pa bazë të dhënash. Vetë fakti që Qeveria ka refuzuar me vite të tëra t’u përgjigjet thirrjeve të OJQ-ve që merren me këtë sektor për të evidentuar e publikuar të dhënat për financimin e organizatave, tregon që kaosi ka qenë i qëllimshëm. Kjo deri diku e sqaron edhe 10-mijëshin e OJQ-ve dhe vërteton raportimet për lidhjet mes njerëzve të pushtetit dhe “OJQ”-ve të caktuara. Grantet, shërbimet e subvencionet në të njëjtin thes të Qeverisë, të cilin shkaku i presionit të BE-së u detyrua ta hapë vetëm këtë muaj. Sa milionë ka në thesin e viteve paraprake një zot e di. Publikimin e raportit për financimin e OJQ-ve dhe pranimin e faktit që nuk ka pasur sistem për shpërndarjen e parave, Qeveria sot e prezanton si një hap të sajin drejt transparencës. Një hap që për qejfin e vet kurrë nuk do ta kishte bërë.

Kështu duke kaluar nga faza në fazë, zyrtarët e BE-së që merren me këtë sektor ka kohë që kanë nisur të flasin për një periudhë të re. Atë të transformimit të shoqërisë civile në rrugë drejt BE-së. Meqë Kosova u rehabilitua e u rindërtua dhe derisa po pajtohet e po demokratizohet, donatorëve të huaj po u humb interesimi. Tashti duhet ndërruar mendësia për shoqërinë civile të donacioneve e ndihmave. OJQ-të duhet të nisin të ofrojnë shërbime dhe të garojnë në një konkurrencë të barabartë me shërbimet publike e private. Një model i shtrembëruar i kësaj ideje mund të gjendet në ndonjë rast te raporti i Qeverisë për financimin e OJQ-ve, ku shihet se miliona janë dhënë për shërbime paralele me ato publike pa kritere, pa konkurrencë, paushall.

Ajo që kemi mësuar më së miri deri tash në këtë vend ku po jetojmë është se kur diçka nis mbrapsht, vazhdon edhe më mbrapsht. Mbetet vetëm për t’u shpresuar që OJQ-të do t’ia dalin ta shpëtojnë sektorin e vet në rrugën drejt BE-së; që mendësia e re e shërbimeve të shoqërisë civile të mos vihet në shërbim të kaosit institucional.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...