Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/25

Na mungon qendra e vendosjes kombëtare

Fakte mbi të kaluarën tonë
Na mungon qendra e vendosjes kombëtare
Shkruan: Fahri XHARRA
Mashtrimi turk, por edhe papjekuria shqiptare, na ka kushtuar shumë gjatë historisë. Neve gjithmonë na ka munguar qendra e vendosjes kombëtare dhe na mungon edhe sot. “Ka popuj në kufijtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjerësisht, bazuar në fatet, bëmat dhe cilësitë që shfaqin. Tek këta popuj bëjnë pjesë edhe popuj të tillë si shqiptarët”, por vë në dukje nga ana tjetër se Shqipëria, s’ishte prekur thuajse fare nga studiuesit e huaj, nëse e krahason me provincat e tjera të Turqisë evropiane, d.m.th. të Ballkanit. (“Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, f. 1).). Po pse?
A flitej për ne dhe në çfarë raportesh?
“Edhe pse në pakon e Londrës shqiptarët u përjashtuan nga parimi i të drejtës së autonomisë se ende nuk ishin pranuar si kombi veçantë, meqë Perandoria Osmane ende i trajtonte si millet-osman,..”(Jusuf Buxhovi; Kongresi i Berlinit, 2008). Kronisti gjerman, Peter Bertler ( Koelnische Zeitung, 1878, konstaton se ,,shqiptarët jo vetëm që nuk u thirrën ne Kongresin e Berlinit , ku vendosej edhe për fatet e tyre, por ata nuk patën as ndonjë mbrojtës te tyre, i cili sadopak do te fliste për ta”, që do të thotë se përfaqësuesit e Portës në Kongresin e Berlinit kishin mandatin që të flisnin për mbrojtjen e vilajeteve shqiptare e që hapësira e tyre sa më pak t’u jepej të tjerëve, dhe këtë e bënin duke e theksuar edhe fjalën Shqipëri si tërësi etnike, por assesi që asaj nga aty t’i paracaktohej çfarëdo statusi autonom. (J. Buxhovi). Po vallë pse? pse na ”donte” aq shumë sa që nuk e ”lejonte” shkëputjen nga ne. Përpjeka e parë shqiptare për të arritur "standardet" e Evropës Perëndimore i takon vitit 1462. Sipas dokumentit ka qenë ditë e hëne data 8 nëntor e atij viti kur Pal Engjëlli organizoi ne kishën e Trinisë se Shenjtë, në Mat, një mbledhje ku morën pjesë gjithë prelatët e kishës katolike në Shqipëri. Në atë mbledhje u fol, ndër tjerash për problemin qe u ngrit, ishte edhe ai i mospagëzimit të fëmijëve për shkak të vdekshmërisë së lartë të foshnjave. Shumë fëmijë vdisnin pa u pagëzuar. Ndaj u vendos që të përdorej një formulë e ngutshme në gjuhën shqipe, e cila t'ju thuhej fëmijëve në djep, pa pasur nevojë që të pritej ceremonia e mirëfilltë e pagëzimit, me qokat e shumta që e shoqëronin atë. Formula ishte: "Unë të pagëzoj në emër te Atit, Birit dhe Shpirtit te Shenjtë". Kjo është e famshmja Formula e Pagëzimit që njihet si dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Por ajo vërteton se populli e fliste gjuhën shqipe, madje fliste vetëm atë. Ndryshe nuk kishte pse të dilte nevoja për një formulë pagëzimi në shqip.
Është logjike që të ketë pasur edhe tekste të shkruara në shqip para kësaj formule, sepse asgjë nuk lind nga hiçi. ("Kryqtari i Fundit" Virgjil Kule).
Çka shkruante Abedin Pasha?
Në kohën e Lidhjes së Prizrenit u mbajt edhe Kongresi i Berlinit, por mashtrimet turke ishin shumë ”joshëse” për ne sulltani e emëroi Abedin Pashën (shqiptar ) si ministër të Punëve të Jashtme. Ai ishte mashtrues dhe ja çka shkruan në letrën e tij: ”Me emër dhe me dëshirë të të madhit zot shpresoj se do ti kryej dhe do ti plotësoj obligimet e mia. Ashtu si vëllezërit tanë, edhe unë ia kam venë vetës për detyrë që terë jetën të punoj dhe të përpiqem për të mirën dhe fatin e atdheut tonë Shqipërisë. (Cila ishte Shqipëria e asaj kohe? a mendonte në katër vilajetet shqiptare të cilat edhe ashtu ishin cunguar më herët? fxh) Ju mund t’i merrni me mend ndjenjat e mia të tanishme dhe duhet t’u besoni atyre, tash në këtë pozitë që jam. Unë po uroj që t’i dëgjoni këshillat e mia, sepse ekzistojnë disa, të cilat qeverinë atërore të madhërisë së tij Sulltanit, dëshirojnë ta komprometojnë. Ai juve dëshiron t’ju mbrojë. (mashtrim, mashtrim fxh).
Në Berlin ka ditë që po kuvendon një Konferencë për të zgjidhur si duhet çështjen greke. (Pse jo atë shqiptare? fxh) Në saje të angazhimit të qeverisë sonë, e cila ka marrë masa paraprake, jam shumë i bindur se rezultatet e kësaj mbledhjeje nuk do të shkojnë në dëm të shqiptarëve, sepse synimet e fuqive të mëdha që Shqipërinë ta lënë të madhe, ju do t’i shfrytëzoni. (Pra fuqitë e mëdha e paskan dashur një Shqipëri etnike ,të madhe ...por jo turku fxh)... Dëshirë kryesore e Madhërisë së tij , sulltanit , kur me emëroi ministër të Punëve të Jashtme, ishte që të tregonte se zemra e tij e madhe gjithnjë rrah për Shqipërinë dhe se ajo është e lidhur në mënyrë vitale me interesat e përgjithshme të shtetit. (J. Buxhovi, Kongresi Berlinit 1878 f. 78,79)” E shihni hipokrizinë dhe mashtrimin nga turqit? Ne nuk kishim se kush të na mbrojë.
Të vazhdojmë.“Në Marsin e vitit 1998 tensionet në mes të shqiptarëve dhe serbëve u rritën shumë, deri në nivelin ushtarak). Paraqitja e UÇK-së i tmerroi autoritetet serbe... Masakrat mbi shqiptarët u rritën gjatë gjithë vitit 1998. Komuniteti ndërkombëtar u mundua pa sukses të ndërmjetësojë. Më në fund anëtarët e NATO-s, të brengosur që autoritetet serbe organizonin apo ishin edhe duke organizuar një spastrim etnik, e filluan bombardimin mbi Jugosllavinë Federale (mars-qershor 1999). Gjatë gjithë konfliktit liderët turk nuk ndërmorën asnjë nismë në arenën diplomatike ndërkombëtare. Ata bile gjatë fazës së parë të bombardimeve frenoheshin nga çdo komentim. Pas vendosjes së NATO-s për ndërhyrje ushtarake, edhe kësaj radhe liderët politikë dhe ata ushtarakë turq e preferonin mos përzierjen. Liderët turq nuk e kundërshtuan intervenimin ( të njëjtë si Greqia dhe Rusia), por e shprehën dëshirën të mbesin anash.(//balkanologie.revues.org/517)
“Ka popuj në kufijtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjerësisht, bazuar në fatet, të bëmat dhe cilësitë që shfaqin.

POEZI NGA TINI QERRAGJIJA -OLIMPET DIELLORE!

Foto

Jetës

Jeta,
një rrjedhë e trashëguar formash,
lutet në ato gravitete
devocionesh,
mes dhimbjeve të lëçitura,
në banketet e shpëtimit,

Ku alternativat varen në kordonet
e tejdukshme të iluzioneve,

Ku fajet u shesin mirazheve
pasqyrimin e vërtetësisë,

Ku uria ngop bordelet,
duke kafshuar simetritë e shpirtit;

Ku gijotinat ngecin,
mbi idetë e zbathura të përparimit,

Ku perëndorët çiftëzohen
me politikën e arnuar pushtetesh,

Ku meritat mbarsen,
në mbështjella vemjesh,

Ku dashuritë binjakëzohen
me degëzimet siamesë të çudive,

Ku faljet internojnë të pafetë,
në ato brigje monoteiste…

Aty, ku
hapat e rritur shkallëzimesh,
ndalojnë pragjesh,
duke mundur metamorfozat
abstrakte të frikës…





Sonate feshferimash
Një ditë
Mbi ato dualizma fëshferimash
Do të përqafojë lotet e virgjëra të ajrit
Qe te pa prekura nga eliziret e mëkatit
Derdhen ne rrahjet e rrezatimit
Aty do të shpërngulem
mes viganeve
Qe te trullosur nga lajkat e kohës
Arratisen ne guacat gjugje te
Vetëvetës
Me ty do të jam aty
Miku im
Si një tingull qe ngacmon
kufijt e përgjumur
Nga bëlbëzimet universale
Përtej ajzbergëve
Pa skaj
Te dëshirave qumështore

Unë dhe vjeshta
Ne at sinfoni qukitjesh
Kur mërgojn cicërimat e shpirtrave
Përtej harqeve rinore
Plot petale fotosintezash
Aty ku dielli ikën mes meridianesh
Duke përplasur
Krahet ngjyrë ari
Unë dhe vjeshta
Një dimension i zverdhur gjelozie
Trazojmë këmbanat qe me rrallë
jehojnë serenatat  
Me plotë  thërrime lutjesh
Qe piqen në zjarrët bubulake
Ku gjarpërushem ato  shuhën
Ne largesitë plot lëvozhga ngricash
Aty ku dimri rilind përseri

Olimpet diellore të mëngjeseve
Mengjeset derdhin vesen mbi petale
Vjollcë
ËmbËlsisht,,,,
Duke bekuar dritËn qe lutet përtej
Flatrave te tejdukshme
Te atij shikimi
Që pushton  Olimpet diellore
Ku paradokset
Perendi me spektra dyshimesh
Luajn me këndet plot psheretima
amanetesh
Mes urave të thepisura nga dëshirat
E zhvarrosura përtej kulteve
Të kujtesës
Mengjeset derdhin vesen mbi petale
Vjollcë
Përtej bestytnive të fjetura në gërmadhat
E të vërtetes

Titina Kalej (titina595@gmail.com)
Tini Qerragjija ,ka lindur në Shkodër  më 1 shtator 1974  , ka të kryer universitetin "Luigj Gurakuqi"Në Shkodër  ...


Aktualisht ajo punon dhe vepron në Itali .Qe e vogël  ajo ka pasur pasjon poezinë.Bota e sajë është ndryshe nga moshataret e sajë.Për atë parësore ishin librat dhe autorëtklasik si Viktor Hygo,Kamy,Kafka,Gibran etj.,ndërsa prej atyre shqiptar Ismail Kadare,Dritero Agolli,Mimoza   Ahmeti, e shumë të tjerë... 

Dreqi i huaj s'bëhet melaqja jote!


“Varroseni trupin tim dhe mos ndërtoni asnjë monument për mua. M’i lini duart jashtë varrit, që njerëzit të kuptojnë, se, ai që fitoi botën, vdiq duarthatë!” (Aleksandri i Madh)

(Thëngjilli, edhe kur s’është gacë, prapë nxin)

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Fshehtësia e fatkeqësive tona është, sepse ne humbim bukur shumë kohë të lirë për të mësuar:
A jemi të pasur apo nuk jemi të pasur? A jemi miliarderë, a nuk jemi miliarderë? Nëse jemi miliarderë si të mbrohemi nga falimentimi (humbja). Nëse nuk jemi miliarderë, pa tjetër duhet me gjetë metoda e mjete për të arritur këtë “meritë”. Po de po: Ne humbim shumë kohë dhe djegim mjete materiale për të ditur: Nëse nuk jemi te fuqishëm duhet shqyrtuar gjendjen: Pse nuk jemi, dhe nëse duhet të jemi, kur do të jemi? Atëherë njeriu i kapërthyer me halle e telashe e skamje e papunësi, sikur bën një vepër për lakmi, një vepër që ka peshën e gjykimit të drejtë dhe proteston dhe pyet: O ligje, o drejtësi: Kot u shpallni luftë njerëzve të këqij, po s’e luftoni shkakun që i bën njerëzit të këqij. Nëse do ta kuptosh karakterin (moralin) e dikujt, shikoja sjelljet e tija me personat që nuk i nevojiten me.” Natyrisht: “Mos i jep njeriut çdo ditë peshk për të ngrënë, por mësoje ai vetë të zërë peshk“
Kush luan me zjarr, digjet vetë!
Në vend të dashurisë, në vend të pasurisë, në vend të famës prej perandori, mbreti o sheiku, ma jepni të vërtetën! Mik, mos harro: Hija jote nuk vritet pas teje, duke u përplasur nëpër shkallë. Lëre hijen tënde të bjerë, ajo nuk vdes pa vdekur edhe ti, ajo nuk laget pa u lagur edhe ti, ajo nuk digjet pa u djegur edhe ti, mos e çaj kokën, dhe vetë qëndro në jetë gjithmonë pip e me dinjitet, në daç të te përngjajë ty hija jote! Jeni lajthitur, o mik, kur përpiqeni dhe harxhoni çastet më të mira të jetës me u matë jo me hijen tënde, por me u matë me njerëzit e tjerë, që populli, Evropa, bota perëndimore njeh vlerat e tij paqësore, intelektuale, ia njohin mundësitë, aftësitë politike, demokratike. Mos i lakmo vetëm hijes tënde, sepse: Të tjerët, duke parë hijen tënde krejt ndryshe të shohin brendapërbrenda dhe jashtë teje, ata mund të kenë për ty opinione krejt të kundërta me ato që ke ti për veten tënde. Nëse ke halle, skamje, mos ke mërzi, ato kalojnë, ikin si ujët nën urë, vijnë çaste më të mira, por nëse ke telashe me vetveten, të lëpiu maçorri: S’ke kujt t’i ankohesh! Kot e ke! Nëse ke telashe me vetveten, ilaçin kërkoje vetëm brenda vetvetes. Ka ilaç, ka, të pranosh se je një torollak, i dështuar, mëkatar je edhe ti si ata që i fajëson...Do të bindesh, ani, ti vazhdo të mos i besosh askujt që nuk flet e nuk mendon e nuk kërkon sikur ju, por, njerëzore është së paku të pranosh përvojën e hidhur të popullit: “Vetëm soji i maces i ha këlyshët e vet!”.
Miqtë jobesnikë janë si orët e diellit
Unë që s'të vrava kam pjesën tënde të vdekur,
kurse ti që më vrave mua, ke pjesën time të gjallë....
Ta kesh në kujtesën tënde, pse jo, të bën mirë, të ndihmon të dish: Lakmia, mburrja, janë si thëngjilli, që, edhe kur nuk është gacë, prapë nxin. Mos u fsheh pas Zotit! Mos u bë tebdil para popullit. Zoti vonon, por s’harron. Populli fal, por s’harron. Ata që përpiqen me u fshehë pas Zotit, me u bërë tebdil dhe shpëtimtar para popullit, i ngjasojnë asaj popullores: Miqtë jobesnikë janë si orët e diellit: Të japin dritë vetëm për sa kohë ka diell! Prandaj, o miku im, mendtari u ka dhuruar brezave të njerëzimit porosinë: “Të lindesh njeri është ligj, të jetosh njeri është art, të vdesësh njeri është pavdekësi!”. Populli bën me dije: “Një palë njerëzish e fitojnë lumturinë me luftë, disa me dije dhe sakrificë, kur disave vetë u bie në dorë ajo!”
“Gozhdët i hoqe, budallakun e poqe!”
Ni babë kish pasun veç ni djalë. Trupin e kish sa plepi, zemrën prej lepri. Punë të mbara s’bante kurrë, sepse, thoshte: Po tutna po m’hanë kallukanxhat! Krejt çka prekte dora e tij, e prishte. Krejt çka fliste goja e tij, e fëlliqte. E, budalla marre s’ka! Baba i tij kish ra n’hall. Ni djalë firifiq, edhe atë ma mirë hiç. E gjeti nji ngushëllim: Për secilin budallak që e bante biri i tij, mbi ni dërrasë ngulte nga ni gozhdë. Djali ish zotue ka me i hequn me punë të mbara krejt këto gozhda. Edhe, për habi, ashtu ndodhi. Qe, bre babë, tash djalin e ki t’meçum...Gozhdat e budallakut i hoqa. Po, bir, gozhdat i hoqe, budallakun e poqe! Medet, për jetë e mot s’do të mbyllen birat e budallakut tonë!

"E vetmja e vërtetë është ajo që ATA e lejojnë!"


Rrymat radikale të islamizmit

"E vetmja e vërtetë është ajo që ATA e lejojnë!" (George Orwell)

“Ne jetojmë në një shekull, kur fshehja e së vërtetës të mbron më mirë sesa ligjet dhe të siguron më shumë se pafajësia" – RIVAROL

Shkruan: Fahri XHARRA

Ne shqiptarët myslimanë kemi praktikuar ato pak rite të mbetura nga okupimi shumëshekullor turko-islamik dhe jemi ballafaquar me problemet e vërteta të jetës, qoftë për një mbijetesë apo një jetë më të mirë. Vlerësimi i të huajve ishte se jemi “myslimanë të lehtë”. Por, çfarë u mendua kur na quajtën “myslimanë të lehtë”? Apo ishte thjeshtë një arsyetim për përkrahje? A duhet të përmend disa nga faktet që neve na bëjnë “myslimanë të lehtë” e të njihemi dhe të pranohemi si evropianë të civilizuar? Jo. Bota e qytetëruar me sinqeritetin e saj i di të gjitha.
Por ç’po ndodh me ne, në tokat mbarëshqiptare? Jemi të ballafaquar me nivel të lartë të papunësisë, kemi mbetur fukarenj, nuk kemi stabilitet politik; kudo që shkel në tokat tona jemi të mjerë. E vërtetë apo jo? A i dinë fqinjët tanë këto? A i dinë edhe miqtë tanë në Evropë? OH SA MIRË TË JESH SHQIPTAR. Por, pse ne të përkrahim rrymat më radikale të islamizmit? Pse te jemi uahabi ( wahhabi)? Kush janë uahabitë? Si lindi kjo rrymë e skajshmërisë islame? Kush e përkrah atë? A na duhet neve si myslimanë të moderuar që jemi dhe si të tillë na pranon edhe civilizimi Evropian, të ngërthehemi me rrymat më të papëlqyera myslimane në botë?
Si lindi Wahhabizmi?
Shkrimi e ka për qëllim njohjen me një rrymë Islame të krijuar në Arabinë Saudite, e që daton bukur moti, rrymë e cila nuk shikohet me sy të mirë nga një numër i madh i shteteve islamike. Si lindi Wahhabizmi? Muhammad ibn Abd al-Wahhab (v. 1792) ishte i pari ekstremist dhe fundamentalist islamik. (De Long –Bas, J.Natana, Islami Wahhabist Oxford 2004) Abdel al-Wahhabi e krahasonte veten me Profetin Muhamed (?). A.Wahhabi, pika qendrore e lëvizjes së tij dhe e reformës ishte parimi që çdo ide e shtuar në Islam pas shekullit të tretë të kohës së myslimanëve (rreth 950 p.s.k”) ishte i rremë dhe duhet të eliminohen. Myslimanët, që të jenë myslimanë të vërtetë, duhet t'i përmbahen vetëm dhe vetëm në mënyrë rigoroze besimit origjinal. Arsyeja për këtë qëndrim ekstremist, dhe përpjekjet e Wahhabit dhe reformës së tij, ishin një numër i praktikave të njohura të kohës, të cilat ai besonte se ishin para-islamike si: lutja e shenjtorëve të ndryshëm, pelegrinazhet në varre dhe në xhamitë e veçanta dhe flijimet e ndryshme. Besimtarët e rinj shekullarë janë shumë të anatemuar nga trashëgimtarët e Wahhabit. Përkrahësit e Wahhabizmit janë kundër modernizmit, shekullarizimit dhe të gjitha përparimeve, të cilat e kundërmojnë wahhabizmin. Me ardhjen e Wahhabizmit si doktrinë u krijua indiferenca për gjendjen e të vejave dhe jetimëve, dënimi i tradhtisë bashkëshortore në mënyra të vrazhda dhe dështimi për ta ndarë hisen e trashëgimisë në mënyrë të drejtë për gratë. Wahhabët e karakterizojnë gjithë këtë si xhahili, një term në Islam, i cili i referohet barbarizmit dhe gjendjes e injorancës që ekzistonte para ardhjes së Islamit.
Rryma e tij është edhe sot “asmuwahhidun” ose “unitare”. Çdo gjë tjetër ata e denoncojnë si risi heretike, apo”bidat”. Wahhabitë tronditet më tej në butësinë e përhapur në zbatimin e ligjeve tradicionale islame. “Vetëm ata që e ndjekin mësimin Wahhabi janë myslimanë të vërtetë dhe vetëm ata janë në rrugën e Allahut” (Martin, Richard C., ed., Encyclopedia of Islam and the Muslim World, Macmillan, 2004.) Muhammad ibn Abd al-Wahhab lindi në vitin 1702 në qytetin e al-Ujaniah, në regjionin Nagjd të gadishullit Arabik, tani veriu i Arabisë Saudite. Familja e tij që nga gjyshërit ishte një familje gjyqtarësh për çështje të fesë, në shkollën kryesore për mendimin legal të Islamit Sunii.
Cilat janë besimet kryesore sipas Myslimanëve Wahhabi?
Kurani dhe hadithet duhen të lexohen ashtu si janë, pa kurrfarë ndryshimi. Gruaja i nënshtrohet burrit dhe ajo e ka vetëm lirinë të jetojë, e të jetojë për të lindur fëmijë. “Gruas nuk i besohet”. Gjykatat muslime duhen të udhëhiqen vetëm nga Imamët.
Në Arabinë Saudite gjykatat janë të udhëhequra nga Wahhabitë e më i fuqishmi është stër-stërnipi i tij Abdyl Wahhabi. Sa na japin neve shqiptarëve krenari fetare, nëse ne valavohem me të gjitha rrymat fetare në botën arabe? Wahhabitë e (meshkujt) e kanë edhe veshjen e tyre, e cila i bënë që besimtarët të dallohen nga jo vetëm besimtarët e krishterë, por edhe nga ata myslimanë.
Për femra mos të flasim, se ato duhen t`i nënshtrohen një regjimi tejet nënçmues, e që për botëkuptimet tona shqiptare–evropiane janë të tejkaluara.
Çka na bënë neve shqiptarëve myslimanë të dallohemi nga myslimanët e tjerë të botës: Martesa ndërkushërinjsh: Është një fenomen i përhapur në botën islamike, diku i shprehur më shumë e diku më pak. Një zakon ky shumë i rrezikshëm për trashëgimi gjenetike, që praktikohet edhe në ditët e sotme. Martesa ndërkushërinjsh qëndron në atë se nëse vajza e vëllait të babës do të martohet me dikë tjetër jashtë familjes, duhet të marrë leje nga djali i axhës, nëse ai është për martesë. Ajo duhet të marrë bint` amnu-n (djalin e vëllait të babës) ose në rrugën tjetër të marrë ibën khal-in (djalin e vëllait të nënës).
E gjithë Lindja e Mesme është e lidhur me këtë veti të keqe të kushtit të martesës.
Në Siri, martesat mes kushërinjsh e mbërrin shkallën 70%, ndërsa, në Egjipt, 80% e martesave është me kushërinj. Kurse, kryeqyteti Kajro është më shumë i modernizuar në këtë aspekt. Në Palestinën tradicionale, nëse vajza nuk ka ibn-amnu (djali i vëllait të babës) atëherë duhet të gjejë martesë me ibn-khal (djali i vëllait të nënës).
Martesa me shumë gra (poligamia): Ligjet islamike në shumë shtete e lejojnë martesën ligjore deri me 4 gra. Shqiptarët myslimanë këtë rregull e kanë praktikuar vetëm kur gruaja e parë nuk ka lindur fëmijë. Edhe me këtë rast janë ndjekur parimet tona. Mbytja e gruas, publikisht me gurë. Jo në të gjitha vendet myslimane, por në ato ku sundon sheriati, praktikohet kjo mizori e sipërshënuar për gratë moralisht të “pandershme”. Sipas këtij ligji, mjafton vetëm fjala e burrit që po e mashtron gruaja dhe këshilli islamik i qarkut e merr vendimin “kapital”. Ai s`ka nevojë për fakte e as për dëshmitarë, gruaja e merr dënimin e “merituar”. Shqiptarët myslimanë e kanë zgjidhur ndryshe nga ata këtë problem: thjesht shkurorëzohen.
Gjymtimi gjenital i femrave: Në botën islame të Afrikës, Lindjes së Mesme, në disa vende të Azisë, gjymtimi gjenital i femrave është krucial në ritualin që tregon, sipas besimit popullor, për kontrollimin e seksualitetit të femrës. Mosha e vajzave para aktit të gjymtimit luhatet varësisht nga regjionet. Llojet e gjymtimit janë: Excisioni ose “sunna”, Excisioni ose Klitorideiktania, Infibulacioni dhe Intracisioni. Excisioni është një praktikë rituale që praktikohet në regjionet myslimane të Afrikës sahariane, subsahariane si dhe në Egjipt (95% të femrave), infibulacioni në Sudan, etj. Kjo praktikë nuk ka kurrfarë baze kuranore, por disa mundohen ta shpjegojnë ndryshe. Në një nga hadithet thuhet synetia është “sunna” (obligim) për meshkuj e “makrumah” për femra (nder ose një gjest i lartë i nderit). Përndryshe, praktikimi i tillë në sferën arabo-myslimane është kontestuar në nëntor 2006 nga Universiteti Al-Azhar i Kajros. Vend referimi shumë i rëndësishëm fetar në botën islame Universiteti Al Az-har) ka lansuar një fatwa (urdhër) që është kundër gjymtimit gjenital të femrave, të kualifikuar si krim i rëndë kundër njerëzimit dhe një sulm në vlerat e larta islamike. “Operimet” e gjymtimit kryhen nga njerëzit e pakualifikuar dhe në kushte higjieno-sanitare të tmerrshme. Çdo vit, 3 milionë femra të reja presin për aktin e shëmtimit. Pra, edhe këtë shëmtim shqiptarët myslimanë nuk e kanë përvetësuar. "E vetmja e vërtetë është ajo që ATA e lejojnë!".. (George Orwell.)
Stigmatizimi i femrës myslimane
A duhet te jemi krenarë me të parët tanë së paku me atë që kur e morën islamin nuk iu nënshtruan komplet diktatit “myslimanë” duke mos i jetësuar ato që u përmenden më lart. Stigmatizimi i femrës myslimane në Kosovë është një fenomen i ri i shfaqur pas luftës së fundit dhe debati lidhur me shaminë islamike i ka dhënë shoqërisë një dimension të ri. Pse duhet kaq shumë zhurmë gjëja se për mbrojtjen e nderit të femrës sonë, kur ato në mundësi të shprehjes së lirë kishin jo vetëm të kundërshtonin, por edhe t’iu thyejnë kokat atyre që mundohen me çdo kusht t`i kthejnë ato me shekuj prapa. Zonja Wassilia Toukali, presidente e Forumit Mesdhetar të Grave, Alzher. thoshte: “Të luftosh kundër shamisë nuk është të sulmosh fenë. Ta mbrosh atë është të vesh në pikëpyetje barazinë e femrës dhe të mashkullit. “Shkurt , shqiptarët paraqiten si popull i kundërt nga të gjitha kombësitë e tjera të sulltanit .. Kur të shohësh ndonjë që paraqitet me ndonjë pamje fizike të shkëlqyer, gjithnjë do të gjesh se e ke parë shqiptarin. Përveç kësaj, nga të gjithë popujt e Ballkanit vetëm shqiptari është artist. Posaçërisht e personalitetit tij të patundshëm gjithnjë e çon përpara në mënyrë të dallueshme ..” (Edith Durham , Brenga e Ballkanit,1909)

A(morali) i disa personave po zgjat edhe më tej


Nga ditari im i pasluftës...

A(morali) i disa personave po zgjat edhe më tej

Në të gjitha vendet më me përgjegjësi dhe të paguara më së miri, kudo mund t’i hasësh sërish ata: “enciklopedistët” dhe “universalistët” e mi të mëparshëm. Vërtet edhe sot ata janë kudo dhe në çdo vend - në strukturat e shumë degëve të partive politike, deputetë, udhëheqës të firmave më rentabile tender-përfituese

Shkruan: Adnan ABRASHI

E dija se Prizreni është qytet historik pranë Lumbardhit gjarpëror, si dhe bukuroshja e gjithë Arbërisë. Po ashtu, e dija se Prizrenin si qytet e identifikojnë edhe shumë karakteristika të tjera specifike, që e dallojnë nga vendet e tjera të Kosovës, si bie fjala: maniret e sjelljes aristokrate, traditat e shumta të shënimit të ceremonive të ndryshme, esnafia, nga pak edhe koprracia, shqiptarët që mendojnë turqisht e flasin shqip...etj. Gjersa isha në vitet e para të gjimnazit, të them sinqerisht, i lakmoja, por edhe i smiroja disa persona të qytetit tim, të cilët ishin përplot “talent” dhe elan të pashoq, për të qenë të përfaqësuar në çdo vend. Ata, me prezencën e tyre, imponoheshin kudo dhe ishin përherë në qendër të vëmendjes. Unë i quajta “enciklopedistë” apo “universalistë”. Hapej një shkollë, një klub letrar, manifestim sportiv, apo organizohej ndonjë veprimtari tjetër kulturore-artistike, dhe ata ishin gjithnjë aty. Propozoheshin mes vete dhe zgjidheshin kryetar, sekretar, anëtarë të kryesisë, shpalleshin poetë më të mirë, gazetarë më të shquar...etj.
“S’ke se çfarë të bësh”- i jepja unë gajret vetes - “Ata publikisht ishin promovuar si talente dhe bartës të të gjitha aktiviteteve të qytetit tim”. E, unë, me dyshimet e mia në vetvete dhe i mbushur përplot komplekse, nuk më mbetej gjë tjetër, veçse ta mallkoja veten pse nuk kam qëlluar aty afër, kur Zoti u ka ndarë njerëzve talentet!
Të ndodhur në çdo vend
E tëra kjo, aspak s’do të ishte interesante, sikur “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi nuk i hasa edhe në një veprimtari pak sa më serioze dhe më të komplikuar për nivelin e tyre intelektual - POLITIK. Ata, atëbotë, edhe në këtë sferë ishin kudo! Në LKJ-të, LSPP-të, LRS-të, LS-të, e sa e sa “lidhjeve” tjera të asaj kohe. Ishin prezent kudo dhe dukej sikurse qyteti i Prizrenit nuk kishte njerëz dhe kuadro të tjera të afta!
Vitet kalonin. Çdo gjë ndryshonte me të shpejtë. Armiku ynë i përbetuar më në fund hoqi maskat dhe tregoi fytyrën e vet të vërtetë. Populli im, nga një pushtim i heshtur aktiv, ra në një robëri mesjetare. Diskriminimet dhe segregacioni dukeshin në çdo pore të jetës.
Inteligjenca jonë kudo poshtërohej. Mijëra e mijëra njerëz të mbetur pa punë. Shpirti i këtij populli - universiteti dhe arsimi, u goditën ashpër deri në zhdukje. Errësirë totale për një populli të lashtë dhe madhështor. Vetë momenti impononte se duhet të fillojë një epokë e re e mobilizimit të masave për një rezistencë popullore.
Eureka! Brohorita!
Më në fund i erdhi fundi “enciklopedistëve” dhe “universalistëve” të mi.
Mendova:” Gjatë këtyre sfidave të shumta që na prisnin në të ardhmen, do të na nevojiten njerëz të sinqertë, të mençur, të urtë dhe të aftë për profesionin e tyre, e jo si dikur, me ata “enciklopedistë” dhe “universalistë” që mendojnë se dinë çdo gjë”.
Merreni me mend se sa isha zhgënjyer?!
Përsëri, edhe në kohën e rezistencës sonë të”famshme paqësore”, sërish, të gjitha aktiviteteve u prinin “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi të njohur. Ata, përsëri ishin kudo në aktivitetet e institucioneve të pushtetit të krijuar paralel. Bile, i kishin edhe lokalet e veta ku takoheshin. Madje, ishte bërë shprehi që secili që e konsideronte veten nga pak intelektual, preferohej që të duket në këto lokale dhe të shihej ndonjëherë në shoqëri të tyre. Vaj hallin për cilindo individ, që me vetiniciativë dhe pa dijen e këtyre “daive”, tentonte të ndërmerrte diçka. E priste dënimi i ditur dhe i pashmangshëm: diskreditimi total përmes metodës tanimë të dëshmuar praktike - asaj të “THASHETHEMEVE”.
Në anën tjetër, situata politike në vend, dita-ditës tensionohej. Filluan protestat e mëdha popullore, në skenë doli UÇK-ja, e cila, e vetmja filloi të na ngjallte shpresën e një çlirimi të afërt që veç kishte filluar të na duket nga pak në horizont.
Më pas, si rrjedhojë e vazhdimësisë së kohës, erdhën bombardimet, NATO-ja, dhe më në fund kapitullimi i armikes sonë të përbetuar.
“Enciklopedistët” dhe “universalistët” e ditëve të sotme

Me flamurin kombëtar në ballë, formacionet legjendare ushtarake të UÇK-së, veç ishin në Prizren. Në Prizrenin tim të çliruar. I kapluar nga gëzimi dhe entuziazmi i papërshkruar i këtij çasti historik, kot kërkoja në mesin e këtyre të rinjve trima dhe krenarë, ndonjë nga “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi! Nuk e pashë asnjërin. Nuk i pashë, sepse ata nuk ishin aty. Ende nuk ishin kthyer nga Shqipëria...!”
Kjo storie e prezantuar e kohës sikur aspak nuk ndryshon edhe sot. Në të gjitha vendet më me përgjegjësi dhe të paguara më së miri, kudo mund t’i hasësh sërish ata: “enciklopedistët” dhe “universalistët” e mi të mëparshëm. Vërtet edhe sot ata janë kudo dhe në çdo vend: në strukturat e shumë degëve të partive politike, deputetë, udhëheqës të firmave më rentabile tender-përfituese, kuptohet nëse jo vetë si aq të eksponuar, padukshëm janë të përfaqësuar përmes fëmijëve, grave, dhe familjarëve të tyre që i kanë të punësuar veçanërisht nëpër vende pune të paguara më së miri, sikurse janë, ta zëmë, bankat komerciale, fondacionet e ndryshme ndërkombëtare, si anëtar në ndonjë bord të ndërmarrjeve publike etj.
“Dynja, hee... dynja” – thotë populli.
“O tempora, o mores” – thonë latinët e vjetër.
Nuk e di edhe sa do të zgjatë ky (a)moral por, ju garantoj se jo gjithmonë?!

“Java e Albanologjisë”

Nesër nis “Java e Albanologjisë”

Në kuadër të edicionit të katërt të konferencës shkencore që do të mbahet në Prishtinë pritet të marrin pjesë rreth 150 studiues dhe albanologë vendës e ndërkombëtarë.
Nesër në Prishtinë do të fillojë konferenca shkencore ndërkombëtare “Java e Albanologjisë”. Ky aktivitet organizohet për herë të katërt nga nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ka për qëllim prezantimin e rezultateve një vjeçare të albanologëve nga vendi dhe bota.
Drejtori i Institutit, Hysen Matoshi, deklaroi për KultPlus, se për këtë edicion e kanë konfirmuar pjesëmarrjen rreth 150 studiues dhe albanologë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Turqia dhe Jordania.Ata do të paraqiten me kumtesat e tyre në 5 sesione, të cilat do të mbahen në degën e Gjuhësisë, Folklorit, Letërsisë , Etnologjisë dhe Historisë.Matoshi bëri të ditur se në kuadër të kësaj konference shkencore do të marrin pjesë studiuesit e njohur si Dalibor Jovanovski nga Universiteti i Shkupit, Igor Despot, studiues kroat, Mehmet Allkan nga Universiteti i Stambollt si dhe Muhamet Mufaku nga Jordania.
Ceremonia e hapjes së Javës së Albanologjisë do të fillojë në orën 10:00 në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë ndërsa me një fjalë rasti do të paraqitet vetë drejtori i këtij instituti, Hysen Matoshi ndërsa konferencën do ta përshëndesin Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë , Ramë Buja si dhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, Valter Memisha.
Në ditën e parë do të mbahen nga dy seanca në degën e Gjuhësisë dhe atë të Folklorit.Në kuadër të fushës së gjuhësisë do të trajtohet tema “Shqipja dhe rrethanat e sotme sociolinguistike dhe sociopolitike” ndërsa në atë të folklorit “Mendimi teorik në folkloristikën shqiptare”.
Ndërkaq studiuesit e letërsisë, në ditën e dytë të konferencës, do të paraqiten me kumtesat e tyre në temën ”Letërsia shqipe mes dy luftërave botërore” ndërsa në fushën e etnologjisë do të trajtohet “Përditshmëria , tradita dhe moderniteti”. Në ditën e fundit studiuesit e fushës së historisë do ti shpalosin rezultatet e punës shkencore në kuadër të temës “Shqiptarët, fqinjët dhe fuqitë e mëdha në rrjedhat e historisë”.
Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi tha se në fund të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë” , të gjitha kumtesat do të botohen dhe do të jenë në dispozicion për opinionin e gjerë.

Hyqmet ZANE-Kujtesë për akademikun Hasan Tahsini

Kujtesë për akademikun Hasan Tahsini
“O kombe, ruani të mëdhenjtë se përmes tyre do t'ju njohë e ardhmja”, është sentenca që më ka pëlqyer më shumë dhe që kam dëshirë ta përmend shpesh, si një thënie e një latini të mençur. Kështu do ta nisja këtë shkrim, për të sinkronizuar këtë mendim me atë që kam për Hoxha Hasan Tahsinin e madh, “Nderi i Kombit” shqiptar.
Prania në një takim ku 91-vjeçari i nderuar Ibrahim Daut Hoxha, kryetari i Shoqatës shqiptaro-turke “Hasan Tahsini” organizoi me inisiativën e tij në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar për promovimin e librit që përmbledh 20 vitet e funksionimit të kësaj shoqate.
Ishte një organizim modest dhe pa pompozitet, i thjeshtë dhe kuptimplotë, megjithëse me mungesa të mëdha të pjesëmarrëve nga sektori akademik që mbajnë veten ata, të ashtuquajturit të Akademisë së Shkencave, si dhe të institucioneve të qeverisë që kanë detyrim që të ishin në këtë promovim edhe pse të ftuar për pjesëmarrjen. Duket se prishjet e ndërtimeve pa dhe me leje, si dhe sherret me opozitën, shkarkimet nga puna, janë më të domosdoshme se prania në një aktivitet të tillë të një rilindasi të madh, njeriut që hodhi bazat e Rilindjes sonë Kombëtare. Është ky shkaku që më kujton të madhin rilindas, Sami Frashëri, kur thoshte se, "Gjithsecili është i detyruar t’i shërbejë atdheut të tij pa shpërblim, nuk është për t’u qortuar edhe ai që i shërben atdheut të tij dhe shpërblehet; por s’ka poshtërsi më të madhe se të vesh atdheun në rrezik për interesa personale".
Janë fjalë sa të vërteta, aq edhe të spikatura, sa filozofike, aq edhe edukative, sa sinkronizuese aq edhe të përshtatshme për të portretizuar klasën akademike dhe atë qeverisëse të sotme, që ende nuk di se “mësuesi i mësuesve të rilindasve është Hasan Tahsini, akademiku dhe kryeakademiku, eruditi dhe enciklopedisti, fizikanti dhe matematikanti, astrologu dhe atdhetari, botanisti dhe botuesi i shumë studimeve shkencore, rektori dhe i rekuri deri në fund për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Para së gjithash do të doja të sillja në vëmendje faktin se, referimet e organizatorit mbështetës të këtij aktiviteti, nëndrejtorit të Institutit Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Alban Kodra, që në një formë e në një tjetër i dha fizionominë akademike këtij promocioni promovues të librit që brenda tij mbledh një aktivitet 20-vjeçar që studiuesi dhe i përndritshmi Ibrahim D. Hoxha e ka mbajtur me thonj, e ka mbjellë si në bahçe dhe e ka potisur me ujin e kristaltë të dashurisë për figurën potente dhe makro gjithësuese të enciklopedistit nga Ninanti, Hoxha Hasan Tahsinit.
Më pas, fjala e Profesorit studiues Bedri Telegrafi i dha ngjyrat realiste në bërjen e portretit gjithpërfshirës dhe universal të akademikut Hasan Tahsini, kujtesa e të cilit u bë pa vëmendjen dhe pa respektin e akademikëve të varfër të Shqipërisë. Nëse deputeti Tahir Muhedini, Presidenti i PDIU i dha këtij aktiviteti edhe mbështetjen politike të një partie që ka në themel frymëzimet kombëtare, argumentat që solli Bedri Telergafi, ishin një mozaik vlerësimi për njeriun që më së shumti jetoi në varfëri, por që mabjti të pasur në kohë dhe në hapësirë shkencat, duke i implementuar ato në Shqipëri si pjesë të Europës dhe si deduksion i mendimit se shqitparët janë pjesë e Europës. Kjo duket se ka frymëzuar rilindasit për të programuar Rilindjen Kombëtare sipas mësimeve të mësuesit, Hasan Tahsinit, siç e ka cilësuar filozofi Sami Frashëri dhe vëllai i tij Abdyli, për të cilat do të ishte Mit’hat Frashëri që do të shkruante i pari në vitet e Mbretërisë.
E veçanta në këtë aktivitet ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Shoqatës “Çamëria” Ardian Tana, ishte fakti se fjala e studiuesit të përkushtuar Enver Kushi, i dha dimensionet reale veprës së Tahsinit, por edhe veprës së Ibrahimit. Ai i dha vendin e duhur akademikut të parë në historinë e Akademisë shqiptare të Shkencave, po aq sa edhe vlerësoi enciklopedistin e figurës së tij, të nderuarin Ibrahim D. Hoxha që me 17 veprat e shkruara të tij ka lënë një emër të shquar në altarin e studimeve për Çamërinë dhe JugShqipërinë siç dëshiron ta quaj ai. Por, ajo që më shumë dha në vëmendje të auditorit Enver Kushi me atë vëzhgimin e tij të kujdesshëm ishte fakti se mungesa e akademikëve, po aq sa edhe vëmendja e qeverive të njëpasnjëshme për të mbajtur potencialisht të ngritur kujtimin, veprën, muzeun dhe shtëpinë e Hasan Tahsinit, po aq sa edhe mungesa e një shtatoreje në kryeqytet në radhën e atyre që njohën si atdhetarë, kur Hoxha Tahsini ishte kryeatdhetari dhe mësuesi i tyre, janë një e keqe që ka hyrë mes shoqërisë shkencore që të bëjnë dallimet mes atyre që nuk i bënë këto dallime.
Përshëndetja e Agron Fiqo nga SHBA, si dhe prania e kryetarit të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Simon Miraka, ishin epilogu i një aktiviteti që deputeti Tahir Muhedini do t’u vinte vulën shqetësimit se, dëmi që i ka sjellë politika çështjes çame dhe moshistorizimi i historisë së Çamërisë, janë me pasoja që lënë gjurmë ndër breza. Botimet e historisë realiste të shqiptarëve në të gjitha trojet, ku një vend të veçantë të zë edhe historia e patrajtuar e Çamërisë, u bë një lajtmotiv i duartrokitjeve dhe besimit tek përfaqësuesit e komunitetit çam në Parlamentin shqiptar me 5 deputetë.
Realisht, Hasan Tahsini në shekullin e 19-të dhe shoqata me emrin e tij të drejtuar nga Ibrahim Daut Hoxha në shekullin e 20 dhe 21-të, janë dy lapidare që ngrihen fisnikërisht në pjedestalin e kujtesës shqiptare për të cilën Akademia e Shkenca mungon me dashje dhe me koshiencë të plotë. Për këtë do t’i drejtohesha teologut Reinhold Niebuh, që sjell në vëmendje shprehjen se “O Zot, më jep qetësinë për të pranuar gjërat që nuk mund t’i ndryshoj, kurajë të ndryshoj gjërat që mundem dhe mençuri për të kuptuar ndryshimin", ndoshta Shenjtërimi i Nënë Terezës i dha më shumë vlerë këtij aktiviteti se sa edhe sikur të ishin akademikë e pushtetarë në këtë ceremoni akademike për një kryeakademik shqiptar, “Nderi i Kombit”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...