2015-03-29

Demë Ali Pozhari(15.4.1905 - 26.4.1975)


Me dekretin Nr. 7685, të datës 16.7.2012, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr. Bamir Topi e ka dekoruar Demë Ali Pozharin (Pas Vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacion: “Atdhetarit të shquar, luftëtarit të paepur, që bëri kauzë të jetës çështjen për fitoren e pavarësisë së Kosovës dhe të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, kudo që jetojnë, në trojet e tyre”

Demë Ali Pozhari 15.4.1905 - 26.4.1975 (i shënuar në dokumentet zyrtare si Adem Ali Pozhari), u lind më 15 prill të vitit 1905, në fshatin Pozhar, komuna e Deçanit, në një familje të njohur atdhetare, e cila në të gjitha periudhat kohore për disa breza me radhë që nga shekulli XIX shquhet për kontribut dhe aktivitet të dendur në lëvizjet përparimtare të vendit në mbarë trojet shqiptare. Në aspektin më të hershëm të rregullimit shoqëror ishin të parët e fisit të Berishës por edhe “odabash” në Bajrakun e Junikut.



Kulla e kësaj familje në Pozhar të Deçanit ishte pikë takimi, ku lidhej besa e merreshin vendime të mëdha për çështjen kombëtare. Aty takoheshin paria e gjithë vendit, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Sadik Ramë Gjyrgjeviku, Hasan Feri etj.

Në këtë kullë u mbajtën disa mbledhje dhe kuvende të rëndësishme kombëtare. Për shkak të aktivitetit atdhetar kulla e kësaj familje gjatë shekullit XX është djegur katër herë nga pushtuesit serbo-malazezë:

- Herën e parë u dogj që me pushtimin serb të Kosovës, në fund të vitit 1912, nga njësitë e ushtrisë serbo-malazeze, të udhëhequra nga Stefan Dragoviqi dhe Kostë Peçanci.

- Herën e dytë u dogj më 1918, sërish nga ushtria serbe.

- Herën e tretë u dogj në nëntor të vitit 1944 nga njësitë partizane-çetnike.

- Herën e katërt u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit, në shtator të vitit 1998.

Gjatë viteve 1915-1918, me nismën e Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e patriotëve të tjerë shqiptarë, në fshatrat Pozhar, Irzniq, Junik, Strellc e Drenoc të komunës së Deçanit u hapën shkollat e para shqipe me alfabet latin. Për tri vjet me radhë shkolla e parë shqipe në Pozhar ishte e vendosur në kullën e Ali Mehmetit dhe në mejtepin e fshatit përballë kullës. Aty kanë dhënë mësim mësuesit e njohur gjakovarë Ibrahim Fehmiu dhe Latif Shaqa, të cilët gjatë kësaj kohe kanë qëndruar dhe banuar në këtë familje.

Prandaj, edhe djali i Ali Mehmetit të Pozharit, Dema u rrit në rrethana dhe ambient ku atdhetaria dhe çështja kombëtare ishin mësimi i parë. I ati i Demës, Ali Mehmeti, e vazhdoi veprimtarinë kombëtare aty ku e kishin lënë të parët e tij, të cilët u vranë në beteja për çlirimin kombëtar.

Kjo familje gjatë dy shekujve vazhdimisht ka dhënë dëshmorë në luftë për mbrojtjen e atdheut dhe për çlirim nga pushtuesit e huaj.

Kështu, stërgjyshi i Demë Alisë, Ali Rexha, u vra te Kalaja e Nishit më 1876, duke i mbrojtur trojet shqiptare të Sanxhakut të Nishit nga asimilimi, dëbimi masiv dhe gjenocidi i paparë serb. Atje, Ali Rexha, në cilësinë e njërit ndër prijësit e luftës mbrojtëse, ra heroikisht bashkë me të vëllanë Bekë Rexhën dhe bashkëfshatarë të tjerë nga Pozhari.

Ndërkaq, gjyshi i Demës, Mehmet Alia i Pozharit, një nga prijësit e njohur të kohës, organizoi rezistencë për mbrojtjen e Plavës e Gucisë nga sulmet serbo-malazeze në korrik të vitit 1878, ku iu vranë shumë bashkëluftëtarë në vendin që i thonë “Llogore” afër Plavës. Aty u vra heroikisht luftëtari i dalluar Isuf Hajdari i Pozharit. Për këtë qëndresë heroike në shenjë kujtimi, populli thuri këngë, që janë ndër hartimet më të bukura të folklorit tonë kombëtar. Mehmet Alia, kryetari i fisit të Berishës, u vra pas dy muajsh, më 6 shtator 1878, në Gjakovë, në Luftën e Sarajt, kur u vra Mehmet Ali Pashë Maxharri, i cili e kishte përfaqësuar Portën e Lartë në Kongresin e Berlinit (1878). Mehmet Alia i Pozharit ishte njëri ndër organizatorët kryesorë të këtij rrethimi, sepse Maxharr Pasha kishte ardhur për të bërë pazare me trojet shqiptare.

Në maj të vitit 1912, në kullën e Ali Mehmetit në Pozhar u lidh besa për mobilizimin e popullatës së kësaj ane për kryengritje mbarëshqiptare kundër osmanëve. Besëlidhja e Ali Mehmetit me Hasan Prishtinën e Sadik Ramë Gjyrgjevikun u zbatua me përpikëri.

Rrugën atdhetare të të parëve do t’i vazhdojnë edhe djemtë e nipërit e Alisë: Metë Alia, Rexhë Alia, Isuf Rama, Rizë Rama e më vonë edhe Demë Ali Pozhari, të cilët kurdoherë me udhëzimet e Hasan Prishtinës e të Sadik Ramës, do t’i mobilizojnë çetat kaçake të këtyre anëve për rezistencë të armatosur kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze.

Ali Mehmeti me të vëllanë Sylë Mehmetin, kanë vdekur në vitin 1913 në Malësi të Gjakovës, të përndjekur nga ushtria malazeze. Sylë Mehmeti ishte pjesëmarrës në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912; vëllai i Demës, Metë Alia, u vra nga organizata famëkeqe serbe “Crna Ruka”, në vitin 1920; djali i mixhës së Demës, Rizë Rama i Pozharit, mori plagë vdekjeprurëse në një betejë që u zhvillua në vitin 1923, në Krumë, kundër forcave të Prend Jakut, të cilat ishin të manipuluara dhe të financuara nga qarqet serbe të kohës. Pak ditë më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra në shtëpinë e Ali Ibër Nezës, ku ishte strehuar sepse e kishte mik shtëpie; vëllai tjetër i Demës, Rexhë Ali Pozhari, një ndër prijësit e njohur të çetave kaçake në Kosovë, u likuidua nga organizata serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”), në vitin 1928.

Vlen të ceket se Metë Alia, Rexhë Alia, Rizë Rama ishin prijës të dalluar dhe organizatorë të çetave kaçake, të dalluar si luftëtarë të denjë për çështjen kombëtare. Përfaqësues të kësaj familje morën pjesë aktive dhe kishin ndikim të veçantë gjatë kohës së Kuvendit të Junikut, Junikut Neutral, etj.

Demë Ali Pozhari ishte njëri ndër përgjegjësit kryesorë për organizimin e Luftës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë (1941-1944) për rajonet e Rrafshit të Dukagjinit. Në ato beteja mori pjesë aktive katër vjet rresht në vijën e parë të frontit, në krye të vullnetarëve të tij që ishin kryesisht nga rrethinat e Gjakovës. Gjatë kësaj periudhe mbrojti me sukses nga sulmet çetnike e partizane popullatën e Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Pazarit të Ri (Novi Pazarit) e të Rugovës.

Demë Ali Pozhari ishte gjithëpërfshirës në luftërat për çlirim kombëtar. Ishte njëra ndër figurat qendrore, që luftoi kundër ideve të komunizmit jugosllav dhe njëri ndër ata që punoi pareshtur me përkushtim gjatë tërë jetës së tij për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, të mbetura padrejtësisht jashtë trungut amë. Koha tregoi se kishte një qasje shumëdimensionale dhe një strategji të pashoqe, duke ndërtuar bashkë me shokë një doktrinë luftarake, rregullat e të cilës u bënë të pathyeshme nga radhët e armikut.

Demë Alia kishte marrë pjesë në ndriçimin e Masakrës së Bihorit, për çka ishte angazhuar nëpërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve Botore në Qeverinë Shqiptare, Iljaz Agushit, i cili formoi një komision për mbledhjen e të dhënave për këtë masakër. Më 6 janar 1943, ishte bërë masakrimi i më se 3.741 burrave, grave dhe fëmijëve, plagosja e 634 të tjerëve, grabitja e bagëtisë dhe djegia e fshatrave të tërë në krahinën e Bihorit nga njësitë çetnike serbo-malazeze, që numëronin rreth 4 000 ushtarë e oficerë, të cilët sulmuan befas, pa asnjë shkas, popullsinë shqiptare-boshnjake të Sanxhakut. Ata u detyruan të tërhiqeshin nga viset e shkretuara të Bihorit vetëm pas kundërvënies së 800 burrave të Tutinit e të komunave Delimegjë e Suhodoll. Masakra e Bihorit tronditi Kosovën dhe mbarë trojet shqiptare. Komisionin për mbledhjen e të dhënave për këtë masakër, e drejtonte Emrush Myftari nga Peja, Demë Ali Pozhari, atëherë nënprefekt i Rozhajës dhe Bajram Gashi i Istogut. Ky komision i mblodhi katër arka me sy, koka e gjymtyrë njerëzish dhe gjinj të prerë të femrave shqiptare. Këto arka u ekspozuan në Rozhajë e Pejë dhe në Tiranë.

Në periudhën 1941-1944, Demë Ali Pozhari ishte njëri ndër drejtuesit e Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve (“Islihatit”) për rajonin e Dukagjinit.


Gjatë vitit 1944, Demë Ali Pozhari ishte kryetar i komunës së Plavës.

Demë Alia ishte prezent në të gjitha tubimet dhe mbledhjet që kishin karakter kombëtar. Me nismën e Komitetit Ekzekutiv të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryesuar nga Bedri Pejani, më 16 e 17 mars 1944, në Rogovë të Hasit, u mbajt një konferencë, e cila njihet me emrin “Konferenca e Rogovës”, për organizimin e vullnetarëve për mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe viseve tjera të rrezikuara. Në këtë konferencë që kryesohej nga Bedri Pejani, merrnin pjesë 80 përfaqësues të komiteteve, në mesin e të cilëve Demë Ali Pozhari, Qazim Komoni, Ali Bajraktari i Junikut, Ejup Binaku nga Gjakova, Sherif Voca nga Mitrovica, Asllan Boletini, Adem Deva, Haki Taha e Selmon Riza që e përfaqësonin Lëvizjen Nacional Demokratike dhe përfaqësues të tjerë edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Malësia e Madhe etj.

Në veprimtarinë luftarake të Demë Ali Pozharit, pos luftërave për mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe viseve tjera shqiptare në Mal të Zi, është e njohur edhe Lufta e Junikut apo siç njihet në popull, “Ngujimi i Junikut”, që është njëra ndër epopetë më të mëdha të Rrafshit të Dukagjinit. Qëndresa e organizuar në Junik e Batushë kundër depërtimit të forcave partizano-çetnike serbe në Kosovë, të cilat ishin përzier tashmë edhe me ato të Shqipërisë, zgjati më se tri javë. Që nga 21 tetori deri më 17 nëntor 1944, Juniku dhe Batusha ishin bërë bastion i pakalueshëm. Ngujimi i Junikut, në Rrafshin e Dukagjinit njihet si bastioni më i fortë i ngritur kundër terrorit serbo-çetnik. Pas një rezistence më se tri javëshe, forcat e mbrojtjes kombëtare, nën udhëheqjen e Demë Alisë, të cilat njëherësh ishin edhe shprehje e mospajtimit me politikën hegjemoniste serbe, detyrohen të tërhiqen, mirëpo vetëm pasi erdhën brigadat partizane të Shqipërisë nën udhëheqjen e Shefqet Peçit, për të mos luftuar shqiptarët kundër shqiptarëve.

Që nga kjo periudhë Demë Ali Pozhari me një grup bashkëluftëtarësh del në mal, për ta vazhduar edhe më tutje luftën kundër njësive partizano-çetnike. Pas kësaj organizatat dhe Komitetet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit formuan celulat dhe komitetet e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH). Ata do të jenë bartës të të gjitha aktiviteteve të NDSH-së. Në këto lëvizje Demë Ali Pozhari përfaqësonte “Ballin Kombëtar”.

Demë Alia që nga viti 1945 deri më 1948 mbante kontakte të vazhdueshme me Shaban Bashën, themelues i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Pejë, i cili njëherësh ishte ndër figurat bosht të Pejës me rrethinë, që ndihmoi organizimin e mbrojtjes së kufijve etnikë. Në këtë kohë Dema mbante lidhje edhe me Avdi Smajlin e Martinajve, Sadri Çakën, Mehmet Agën e Rashkocit, Ukë Sadikun, Ymer Berishën etj.

Forcat e rezistencës kombëtare po përgatiteshin për fillimin e një kryengritje të përgjithshme popullore në pranverë të vitit 1945. Për këtë qëllim në fillim të marsit u mbajt një tubim me forcat e Ballit Kombëtar ku morën pjesë mbi 1 200 vetë. Këtu u bisedua rreth ngujimit në fshatin Strellc i Epërm, komuna e Deçanit. Për këtë qëllim, më 12-13 mars 1945, Demë Ali Pozhari e thirri një takim me krerët e organizatave antikomuniste që vepronin në Pejë, Deçan e Rugovë, por kishte përfaqësues edhe nga Plava dhe Gucia. Mbledhja u mbajt në shtëpinë e Bajram Qerimit të Strellcit. Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin: Rrustë Koleniqi, ish prefekt i Plavës, Mehmet Aga i Rashkocit, Mehmet Agë Berisha, Ahmet Jusaj e Lush Fetahu nga Strellci, Adem Shabani, Bajram Selimi, Bik (Pazari) Boshnjaku, Demush Sadiku. Përfaqësues nga Rugova ishin Mon Belegu e Zhuk Haxhia. Mbledhja ka zgjatur dy ditë. Nga kjo mbledhje kanë dalë vendime të prera kundër partizanëve dhe partisë komuniste jugosllave.


Demë Alia jepte instruksione dhe mbante lidhje me Ymer Berishën, drejtues i organizatës “Besa Kombëtare”.

Në vitin 1946, Demë Alia bashkë me disa shokë ka qëndruar në rajonin e Bellesë, Bjeshkës së Belegut, në Roshkodol e Pllaçicë të Vokshit. Gjatë kësaj kohe, Dema pati organizuar një tubim të forcave ilegale tek “Gllija e Madhe”, ku merrnin pjesë përfaqësues të shumë çetave dhe grupeve që vepronin në ato anë.

Demë Ali Pozhari ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Dobërdolit. Kuvendi u mbajt më 3 e 4 gusht 1945, në Llugë të Dan Pjetrit në fshatin Dobërdol të Klinës, ku u mblodhën 2 000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të rajoneve të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjendeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të përbashkët.

Kuvendi i Dobërdolit, u mbajt me iniciativën e Ymer Berishës. Në kuvend morën pjesë 158 anëtarë dhe udhëheqës të 19 grupeve të rezistencës si dhe 62 mysafirë të shquar gati nga të gjitha trevat e Kosovës, si Ukë Sadiku me të vëllanë Shabanin, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gji Doda, Zeqë Sokoli, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Alush Smajli, Mehmet Agë Rashkoci, A. Shala, N. Alishani, Zhuk Haxhia, Islam Tabaku, Prekë Shyti, B. Bihori, mulla Iljaz Broja-Spahija, R. Gjeli, S. Lutani, Ferat Kotorri, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit - Kruma e Luma, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari me 800 luftëtarë, Mulla Iljaz Broja, Bajram Çukovci, Rexhep Gjeli nga Drenica, Aziz Zhilivoda nga Artakolli i Vushtrrisë, krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri etj. Aty Ymer Berisha u zgjodh udhëheqës politik i të gjitha grupeve të rezistencës shqiptare në Rrafshin e Dukagjinit, kurse Ukë Sadiku u caktuar komandant ushtarak. Po ashtu u zgjodhën komisarët e çetave kryengritëse, sipas territoreve dhe e tërë Kosova u nda në 12 sektorë luftarakë dhe për këtë arsye u quajtën “Dymbëdhjetë Këshillat”. U zgjodh edhe kryesia e organizatës “Besa Kombëtare” prej 12 vetash dhe ndërlidhësit për trevat e ndryshme shqiptare. Me këtë detyrë u ngarkuan respektivisht Demë Ali Pozhari për Rrafshin e Dukagjinit, Feriz Bojaj dhe Adem Shala, për Istog, Tutin, Rozhajë dhe Pazarin e Ri, Sadik Lutani për Drenicë, Shemsi Ferri për Plavë e Guci, Shahin Gërdovci për Llap, Bislim Bajgora për Mitrovicë e Shalë, Osman Bunjaku për Vushtrri, kurse Ymer Berisha mbante lidhjet e Kosovës me Shqipërinë e Veriut. Kuvendi aprovoi thirrjen e Shtabit të Adem Gllavicës për mbajtjen e Kongresit të parë të LNDSH.

Pas Kuvendit të Dobërdolit u bënë shumë takime me popullatën e vendit për organizimin dhe mobilizimin rreth organizatës “Besa Kombëtare”. Ukë Sadiku caktoi njerëzit që do që duhej të shkonim në Kuvendin e Mirditës bashkë me Muharrem Bajraktarin. Në atë grup ishin: Ukë Sadiku me të birin Skënderin, Demë Ali Pozhari, Bajram Çukovci, Qazim Bajraktari, Halil Sadria, Ndue Përlleshi, Mehmet Aga i Rashkocit, dhe 16 luftëtarë të tjerë që duhej ta përcillnin këtë delegacion për në Kuvendin e Mirditës.

Në shtator të vitit 1945 u bë një mbledhje e përgjithshme e nacionalistëve në Malin e Zepës (Mirditë), ku morën pjesë: Mark Gjomarkaj, Muharrem Bajraktari, Bilall Kola etj. Në këtë mbledhje u trajtua çështja e organizimit të të gjitha forcave kombëtare dhe e mundësisë së një revolucioni të ardhshëm. U vendos që të bëhej edhe një mbledhje tjetër në muajin tetor, në Çam të Pukës. Në mbledhjen e tetorit, të organizuar nga Muharrem Bajraktari mori pjesë edhe Demë Ali Pozhari (i shënuar në dokumente si Adem Ali Pozhari) me parinë e Gjakovës, paria e Hasit të Thatë, kapiten Mark Malaj, Kolë Mirakaj, etj. Edhe kjo mbledhje pati për qëllim shqyrtimin e mundësive të një kryengritjeje të përgjithshme.


Demë Ali Pozhari mori pjesë edhe në Kuvendin e Plavës.

Nënprefekti i Plavës e i Gucisë, Shemsi Ferri, e dha kushtrimin tek të gjithë burrat e fiseve të Malësisë së Madhe, Dukagjinit e Malësisë së Gjakovës, që të mblidheshin në një kuvend të madh, për të rrokur armët në mbrojtje të tokave shqiptare. Thirrjes së nënprefektit iu përgjigjën më se 42 bajraktarë, me më shumë se 10 mijë burra të armatosur. Në kuvendin që u mbajt në Plavë, folën përfaqësuesit më në zë të bajrakëve të parë të Veriut, siç ishin: Dedë Shabani për Malësinë e Madhe, Shemsi Ferri për Plavën e Gucinë, Demë Ali Pozhari për Malësinë e Gjakovës e rrethet e Pejës dhe Mark Sadiku për Dukagjinin. Në këtë Kuvend u vendos që të falen gjaqet e të pajtohen ngatërresat e vjetra, sepse prej asaj dite Malësisë dhe gjithë Shqipërisë i kërcënohej një armik i madh e i përbashkët që ishin serbo-malazezët, të cilët nën maskën e komunizmit kërkonin të siguronin rishtas tokat shqiptare të shkelura padrejtësisht gjatë Luftës së Parë Botërore.

Njëri ndër luftëtarët e dalluar të çështjes kombëtare, Demë Ali Pozhari, ka hyrë në analet e historisë moderne si njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të regjimit komunist dhe si njëri ndër luftëtarët më të devotshëm dhe ndër organizatorët e ideologët e lëvizjes kombëtare të kohës, i cili deri në vdekje luftoi për t’ia sjellë lirinë vendit të vet. Demë Ali Pozhari me grupin e tij do ta vazhdojë rezistencën në Kosovë deri në vitin 1948. Është kjo kohë kur maleve kishin mbetur rreth 40 luftëtarë të armatosur e që përfaqësoheshin nga Demë Ali Pozhari, Aziz Zhilivoda, Ndue Përlleshi, Hasan Remniku, Metë Hasani etj. Në këtë kohë organet e UDB-së, OZN-ës në bashkëpunim me pushtetin lokal bënë presion të madh për ta zënë Demë Alinë. Brigadat partizane dhe regjimi komunist u hakmor rëndë kundër familjes së tij. Kështu, Demë Alisë ia vranë dhe likuiduan të tre djemtë që i kishte. Djalin e madh, Miftar Demën, 22-vjeçar, e vrau Organizata e Rinisë Komuniste (SKOJ-istët), ditën e votimeve, më 1 nëntor 1946. Në vitin 1947, OZN-a ia likuidoi edhe dy djemtë e tjerë, Brahimin, 14-vjeçar dhe Afrimin, 12-vjeçar, të cilin e helmuan.

Këso kohe pos që ia dogjën kullën dhe ia konfiskuan tërë pasurinë, gjatë viteve (1946-1948) e tërë familja e Demë Ali Pozharit (20-anëtarëshe) arrestohet dhe tri vjet mbahen të burgosur në burgun e improvizuar në Gjakovë, që ishte i vendosur në “Rrugën e Shkijeve”. Në burg vazhdimisht torturohen nga organet shtetërore. Nga mundimet në burg vdes gruaja e Demë Alisë, Hatmonja. Një vajzë e Ali Metës, foshnje tri-javëshe, vdes nga uria. Ndërsa vajza e Demë Alisë, Zylyhaja 16-vjeçare sëmuret rëndë psiqikisht në burg. Pasojat e kësaj sëmundjeje i vuajti gjatë tërë jetës.

Përkundër pasojave të rënda, populli e mbështeti Demë Alinë dhe bashkëveprimtarët e tij deri në fund. Edhe përkundër torturave, lëçitjeve, burgosjeve, vrasjeve e izolimeve Demë Alinë e mbajtën dhe e strehuan pa hezitim.

Në mars të vitit 1948, Demë Ali Pozhari me një grup nacionalistësh tjerë u arratis nga Kosova dhe doli në Greqi e prej andej në Turqi, ku e kaloi pjesën tjetër të jetës.

I rritur dhe i edukuar në traditën e pastër të kombit, identitet i të cilit është besa, nderi e bujaria, Demë Ali Pozhari paraqet një fizionomi të veçantë e tejet të rrallë të luftëtarit me orë. Ky burrë që kishte mençuri të rrallë natyrore, u rrit dhe veproi në një rreth shoqëror që pat gjithmonë militantë të Lëvizjes Kombëtare, prej nga Dema u pajis me ideale të larta kombëtare për realizimin e të cilave punoi, pa hile, tërë jetën. Kishte një intuitë shumë aktive, një vëmendje e gjykim shumë të mprehtë dhe një aftësi të rrallë organizative e mobilizuese. Imazhi i tij paraqet tiparet dalluese të një burri të përsosur të racës shqiptare, prandaj e donin dhe e respektonin deri në fund popullata e këtyre anëve.

Gjatë gjithë kohës sa qëndroi në emigracion punoi dhe veproi për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, e veçanërisht çështjes së Kosovës. Gjatë viteve të pesëdhjeta Demë Ali Pozhari nuk kishte pranuar propozimet e aleatëve anglo-amerikanë që të vihet në krye të aksioneve të ndërmarra për rrëzimin e Qeverisë Shqiptare. Kërkesave të tilla ai iu kishte përgjigjur se në Shqipëri nuk mund ta bëj një gjë të tillë, sepse ajo megjithatë është qeveri shqiptare, por nëse është nevoja për ta bërë një gjë të tillë në Jugosllavi jam i gatshëm dhe atë menjëherë.

Gjatë viteve ‘60-të, si dhe gjithnjë deri atëherë, Demë Ali Pozhari ishte ndër punëtorët më aktivë që vepronte për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke e paraqitur gjithnjë Kosovën në arenën ndërkombëtare si pjesë integrale të Shqipërisë. Ky njeri i guximshëm, duke ndjekur format e rezistencës aktive paqësore, kontribuoi si për krijimin e rrethanave të përshtatshme për arritjen e unitetit të kombëtar, gjithnjë me përcaktimin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Ai njihte mirë faktorin e jashtëm, të cilit i jepte rëndësi të duhur, por mbështetej tërësisht në faktorin e brendshëm, në popullin shqiptar, mentalitetin dhe identitetin e të cilit e njihte shumanshëm.

Demë Ali Pozhari me shokë me të gjitha mjetet bën përpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi. Kështu, në Osato të Italisë, prej 16 deri më 18 maj të vitit 1963, ishte mbajtur Kongresi i XIII i Bashkimit Federal të Komiteteve Etnike. Në këtë kongres Lidhja Kosovare arriti ta artikulojë në nivel çështjen e Kosovës si problemi më i ndërlikuar evropian. Lidhur me këtë problem Lidhja Kosovare nuk iu drejtua vetëm kongresit, por edhe ministrave të punëve të jashtme të shteteve të botës perëndimore dhe lindore, të cilëve u dërgoi telegrame. Për të mbështetur çështjen e drejtë të Kosovës, telegrame nga Stambolli kishin dërguar Demë Ali Pozhari, Isa Gjini, Sadik Vokshi (Sadik Elezi) si dhe Hamdi Gashi. Në Osato këtë çështje e kishte përkrahur edhe Abaz Ermenji, në emër të Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipëria e Lirë”, si dhe Hafiz Isuf Azemi, përfaqësues i Lidhjes Shqiptare. Në këtë kongres, Lidhja Kosovare e kishte lëvizur çështjen shqiptare në nivel ndërkombëtar si çështje komplekse, sepse shqiptarë nuk kishte vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore, në Mal të Zi, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si pjesë të ashtuquajtura Serbi Jugore. Këtë vit (1963) për herë të parë internacionalizimi i çështjes kosovare do të fitojë dimensionin e plotë. Në anën tjetër diplomacia jugosllave do të mundohet ta amortizojë tërë atë presion me hapjen e shkollave të larta dhe fakulteteve në Prishtinë, kuptohet në gjuhën shqipe.

Në janar të vitit 1968, me rastin e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, 90-të vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me rastin e 73-vjetorit të lindjes së Shotë Galicës, Demë Ali Pozhari së bashku me nacionalistë tjerë të dëgjuar, për herë të parë ftohen në Shqipëri, pas vitit 1948 kur Shqipëria i kishte dënuar me vdekje në mungesë. Kësaj radhe në Shqipëri kishin ardhur edhe mjaft struktura dhe intelektualë të tjerë nga Kosova dhe viset shqiptare, të cilëve iu bë një pritje madhështore nga ana qeveritare dhe vet Enver Hoxha. Ardhja e tyre në Shqipërinë komuniste, edhe pse ishin kundërshtarë ideologjikë, përkundër të gjitha atyre ngjarjeve të pakëndshme që kishin ndodhur më parë, u bë me qëllim që Shteti Shqiptar ta fillojë një punë intensive rreth përkrahjes së Kosovës dhe bashkimit kombëtar, duke i mbështetur fuqimisht kërkesat e kosovarëve në arenën ndërkombëtare, por edhe me mbështetje tjera si shtet amë.

Demë Alia është ndër personat e parë që më 1968 në emër të disa organizatave të nacionalistëve shqiptarë të emigrantëve, kërkoi nga Enver Hoxha që Shqipëria t’i hapte dyert ndaj Kosovës dhe të bënte gjithçka ishte e mundur që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Apeloi gjithnjë pranë Presidencës Shqiptare që të ndërmerren veprime konkrete për aktualizimin e çështjes së Kosovës.

Herën e parë që Demë Alia erdhi në Shqipëri (janar 1968) qëndroi një muaj. Ai erdhi sërish në nëntor të atij viti. Duhet theksuar se pas vizitës së parë në Shqipëri dhe marrëveshjeve që arriti emigracioni shqiptar me Qeverinë Shqiptare, në koordinim me grupet ilegale që vepronin brenda në Kosovë, në nëntor të vitit 1968 filloi vala e demonstratave gjithëpopullore, të cilat rezultuan me lejimin e flamurit kombëtar, me një autonomi më të gjerë, me hapjen e Universitetit të Prishtinës, me hapjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me avancimin e të drejtave kushtetuese (1974) etj.

Për shkak të aktivitetit të tij të vazhdueshëm antijugosllav, sigurimi shtetëror serb – UDB, disa herë organizoi vrasjen e tij, disa herë dërgoi atentatorë në Turqi për ta likuiduar Demë Alinë, por pa sukses.

Demë Ali Pozhari, gjatë vizitave që i bëri në Shqipëri, kishte vendosur që djalin e tij të vetëm, Ibrahimin, që i kishte lindur pas arratisjes në Turqi, ta sjellë në Shqipëri. Ashtu edhe bëri. Sot Ibrahim Demë Pozhari jeton e vepron në Tiranë.

Familja e Demë Ali Pozharit mori pjesë aktivisht edhe në luftën e fundit në Kosovë, të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1998-1999). Gjatë kësaj lufte nga kjo familje kanë rënë dëshmorë luftëtarët e UÇK-së Kadri Muhamet Berisha dhe Shkëlzen Gani Berisha nga Pozhari si dhe nipi i Demë Alisë, Armend Tafil Kukleci nga Isniqi.

Demë Ali Pozhari ndërroi jetë më 26 prill 1975, në Stamboll, ku edhe është i varrosur.



Pjesëmarrja e ushtrisë jugosllave (serbe) në luftë në Kosovë

Fetnete Ramosaj

Pjesë nga vëllimi i dytë i librit “KRIMET SERBE NË KOSOVË – PA APOLOGJI – ME FAKTE KUNDËR SHPIFJEVE”, botoi “Anatema”, Prishtinë, 2008.

Synimet serbomëdha për shfarosjen e shqiptarëve janë të hershme. Ato synime janë të paraqitura qartë në programet shoviniste serbe që prej vitit 1844 e këndej. Në harkun kohor të 164 vjetëve, deri më tani janë të njohura 24 programe serbe (me shumë pak ndryshime e modifikime nga njëra-tjetra), të cilat parashohin në mënyrë të detalizuar shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Në bazë të këtyre planprogrameve shfarosëse, qeveritë serbe kanë vepruar në mënyrë sistematike në relacion me shqiptarët. Në një masë kanë pasur suksese në gllabërimin e territoreve shqiptare dhe në dëbimin e spastrimin etnik, veçanërisht të mbi 700 fshatrave etnike shqiptare të Sanxhakut të Nishit, të Toplicës e Kosaonicës (1876-1878). Programe të tilla hartuan edhe Akademia Serbe e Shkencave, edhe Kisha Ortodokse Serbe... Mjafton të kujtohet “Naçertania” (1844) e Ilija Garashaninit, projektet e Jovan Cvijiqit (midis viteve 1912 dhe 1921), elaboratet e Vasa Çubrilloviqit (1937, 1944), projektet e Ivo Andriqit (1939) e të Stevan Moleviqit (1941) e deri te “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (1986) dhe projekti i Millosheviqit “Të gjithë serbët në një shtet të vetëm” (1990), i cili shkaktoi luftëra të përgjakshme, spastrime etnike dhe ndërmarrje tjera gjenocidiale në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Në vazhdën e kësaj, përgatitjet e Serbisë për luftë kundër shqiptarëve në Kosovë, ishin të hershme dhe të parapara në detaje. Pothuajse secila parti serbe kishte nga një program “nacional”. Ato garonin me njëra-tjetrën se cila do ta zgjidhte “më mirë” një herë e përgjithmonë çështjen e Kosovës. Në mes tjerash, në vitin 1993/1994 në hapësirën ajrore të Maqedonisë pati dy rrëzime aeroplanësh, ku shumica e udhëtarëve ishin shqiptarë nga Kosova. Rrëzimin e tyre e pati marrë përsipër e ashtuquajtura “Lëvizje e Ripërtëritjes Serbe”, por, si në të gjitha rastet tjera kur viktimat janë shqiptarë, këto raste u lanë në harresë.
Platformat antishqiptare i pasqyron qartë edhe programi i Partisë Radikale Serbe (SRS), “Si do ta zgjidhin serbët problemin e Kosovës,” të cilin, Serbia, zyrtarisht, me çdo kusht e me të gjitha mjetet, tentoi ta vë në zbatim në Kosovë. Synimet serbomëdha nuk u arritën falë luftës mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve të NATO-s në krye me SHBA-të, të cilët ndërhynë ushtarakisht për ndërprerjen e gjenocidit e të spastrimit etnik në Kosovë.
Kur Sllobodan Millosheviqi u zmbraps nga Kroacia dhe Bosnja, e më pas i humbi edhe zgjedhjet në Beograd (1996), ai vendosi që të tregojë forcën e tij në Kosovë. “Fushata e “spastrimit etnik” kundër shqiptarëve në Kosovë, të cilën Millosheviqi e planifikoi pas humbjeve të tij ushtarake, e bëri fushatën e mëparshme në Bosnjë të dukej si një provë fustani për ngjarjen kryesore të barbarizmit.”
Të drejtën për vetëmbrojtje nga fushata terrorizuese e gjenocidiale e Serbisë, me të drejtë e përligji Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK, që ishte e vetmja forcë vetëmbrojtëse në Kosovë. Që prej shfaqjes së UÇK-së e deri te tërheqja e forcave ushtarako-policore serbe nga Kosova, në qershor të vitit 1999, angazhimi i ushtrisë jugosllave ka përshkallëzuar brenda tri viteve, prej goditjeve taktike më 1996, deri te operacionet e nivelit strategjik më 1998/1999. Fillimisht angazhimi i ushtrisë jugosllave thuhej se ishte i kufizuar vetëm në vijën e kufirit ndërshqiptar (Kosovë-Shqipëri), meqë Beogradi kishte hedhur në luftë brenda territorit të Kosovës forca të mëdha të MUP-it, të motivuara, të pajisura mirë e me përvojë lufte, dhe s’kishte interes të shkaktonte përshkallëzim diplomatik të situatës. Po ashtu, ushtria kishte vënë në dispozicion të MUP-it të gjitha mjetet e nevojshme dhe infrastrukturën e vet, sikurse edhe Njësitë Speciale Antiterroriste - SAJ. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për ta shtypur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gradualisht, ushtria jugosllave (serbe) u angazhua kundër UÇK-së gjithnjë e më tepër edhe në brendi të territorit të Kosovës, me artileri të rëndë dhe me njësitë tankiste, fillimisht në ofensivën e prill-majit 1998, derisa u hodh në sulm me gjithçka që kishte, në periudhën shkurt - qershor 1999.
Për Serbinë, “fronti i Kosovës”, tradicionalisht ka qenë detyra absolutisht më e besueshme. Në prag të fillimit të luftës në Kosovë, Shtatmadhoria e Armatës së “Jugosllavisë” siguroi armatimin më modern (të prodhimit gjerman, italian, izraelit dhe amerikan) si dhe pajisjet e gjeneratës së fundit për njësitet për aksione speciale, me të cilat ishin “më të shpejtë, më precizë dhe më vrastarë”. Armata e “Jugosllavisë” ka pasur njësite elite të stërvitura dhe ekipe të tjera, për aktivitetet e të cilave është ditur shumë pak. Më të njohurit ishin Njësiti i 63-të i Parashutistëve, Njësiti i 72-të i Specialëve, Hulumtuesit nga Pançeva dhe Antiterroristët (“Kobrat”). Si zakonisht, “Kobrat” stërviteshin në rrethin e Kazermës së Korpusit të Forcave Speciale. Të gjitha këto njësi zbarkuan në Kosovë.
Gjatë vitit 1998, në luftë në Kosovë u angazhua aktivisht Armata e Tretë si dhe Korpusi i Forcave Speciale. Ndërkaq, gjatë vitit 1999, u angazhuan edhe njësitë e Armatës së Parë dhe të Armatës së Dytë të UJ-së. Këtë e vërtetojnë edhe shumë dokumente të ushtrisë jugosllave (serbe). Armata e Tretë, Fronti Jugor e Juglindor, përbëhej nga Korpusi i Nishit, Korpusi i Leskovcit dhe Korpusi i Prishtinës. Vetëm Korpusi i Prishtinës kishte në përbërjen e tij Brigadën 15 të mekanizuar, Brigadën 52 të artilerisë mikse, Brigadën e lehtë 58 të mekanizuar, Brigadën e mekanizuar 102 antiblind, Brigadën 243 të blinduar, Brigadën 549 të motorizuar, si dhe Brigadën raketore kundërajrore, njësi këto të stacionuara anembanë Kosovës. Korpusi kishte gjithsejtë 10 000 (dhjetë mijë) trupa profesionalë të kontraktuar me rroga mujore, të cilët pas mobilizimit të përgjithshëm e mbërritën numrin në 25 000 (njëzet e pesë mijë). Ndërsa, Korpusi i Forcave Speciale përbëhej nga një brigadë e motorizuar, një brigadë e mekanizuar, nga Brigada 63 parashutiste në Nish si dhe nga Brigada 72 e sabotazhit (komandose) nga Pançeva. Armata e Tretë mbështetej nga dy njësi të zgjedhura: nga Policia Ushtarake si dhe nga Korpusi i Forcave Speciale, ose të ashtuquajturat “Beretat e Kuqe” (të ushtrisë). Policia Ushtarake komandohej direkt nga Drejtorati i Sigurimit pranë Shtatmadhorisë së UJ-së, si një ndër njësitë më të përgatitura për luftë në ushtrinë serbe.



“KOBRAT” DHE “SOKOLAT”, ME UNIFORMA TË UÇK-së, KRYENIN AKSIONE DIVERSIVE


Ajka e ushtarëve të Policisë Ushtarake dhe të “Beretave të Kuqe” (të ushtrisë serbe) trajnoheshin bashkërisht në dy njësi të posaçme për operacione sekrete: “Sokolat” dhe “Kobrat”, të cilët ishin të stërvitur në përdorim të armëve të heshtura, armëve paralizuese, pajisjeve optike për pamje natën, etj; P.sh.: “Kobrat” që përbëheshin nga dy aradha me gjithsejtë 60 pjesëtarë, ishin të stërvitur edhe në përdorimin e armëve jokonven-cionale. Këto njësi që nga fillimi i luftës në Kosovë janë përdorur për infiltrim dhe sulm ndaj disa caqeve të zgjedhura të UÇK-së. Disa herë “Kobrat” dhe “Sokolat” u veshën në uniforma të UÇK-së dhe kryen aksione diversive, përfshirë edhe disa vrasje të bëra në prapavijë të UÇK-së, në Alpet Shqiptare, si dhe brenda kufirit administrativ të Shqipërisë.
Përmendim këtu një rast të ditëve të para të fillimit të luftës në Kosovë (27 prill 1998), kur Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, zyrtarisht e akuzoi Serbinë për shkak se një njësi e komandosëve serbë e kishte kaluar kufirin dhe kishte hyrë në fshatin Pogaj, duke u prezantuar si luftëtarë të UÇK-së. Komandosi serb që fliste shqip, me një aksent tjetër nga ai i shqiptarëve etnikë të Kosovës, kërkoi t’i tregoheshin shtigjet që shfrytëzonte UÇK-ja për të kaluar në Kosovë. Ai po ashtu pyeti kryefamiljarin se sa ushtarë ka Shqipëria në kufi. Komandosë të tjerë me armë automatike gjermane po e pritnin jashtë. Duke dyshuar për shkak të aksentit, familja alarmoi fqinjët dhe forcat speciale të policisë shqiptare. Pas kësaj komandosët serbë u larguan duke shtënë në ajër për në postën kufitare në Gorozhup.
Në rajonin mbi fshatrat Gjocaj e Jasiq, gjatë muajve qershor-korrik 1998, pjesëtarë të Njësisë Speciale të UJ-së disa herë janë parë të uniformuar e me emblema të UÇK-së, të cilët kanë bërë disa vrasje në brezin kufitar, duke pasur parasysh se ky rajon është përdorur si kanal furnizimi me armë dhe kalim të popullsisë civile në drejtim të Shqipërisë. Një rast i tillë është rasti i vrasjes së ushtarit të UÇK-së, Avni (Osman) Avdimetaj (1968), nga Strellci i Epërm i Deçanit, më 5 korrik 1998, derisa bashkë me disa bashkëfshatarë po kthehej me armatim nga Shqipëria. Avniu, kishte mbetur të ruante armët derisa shokët e tij kishin shkuar në fshat për të kërkuar një mjet transporti. Në ndërkohë, në saje të maskimit, atij i ishte afruar një njësit i Njësisë Speciale të UJ-së, të maskuar me uniforma e emblema të UÇK-së, të cilët me krye të traktorit kishin dalë aty përmes rrugës malore nga baza e tyre në Koshare, përmes Zhares së Jasiqit.
Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, “ushtria jugosllave” e ktheu tërë Kosovën në fushëbetejë. Në vazhdën e operacionit sekret “Patkoi”, forcat ushtarake serbe, në bashkëpunim me MUP-in dhe vullnetarët lokalë serbë, i përsëritën krimet më të neveritshme të luftës nga vitet ’90-të. Sipas kreut politik e ushtarak serb dhe aleatëve të tyre në rajonin e Ballkanit, me spastrimet etnike nëpërmjet operacionit “Patkoi” në Kosovë duhej të mbeteshin 400 000 – 500 000 shqiptarë dhe me kolonizimin e ri serb në Kosovë të krijohej një përqindje proporcionale e popullatës 50 me 50 për qind dhe të arsyetohej para botës. Për jetësimin e këtij operacioni është angazhuar Korpusi i Prishtinës, i përbërë nga shtatë brigada të këmbësorisë të motorizuara, regjimenti kundërblindues, regjimenti raketor-kundërajror, regjimenti artilerik dhe tri brigada blinduese; Korpusit të Prishtinës i erdhën në mbështetje forca të reja nga Serbia dhe Mali i Zi, si: Korpusi 21 i Nishit, i përbërë nga Brigada 211 e Blinduar (Nish), Brigada e Dytë e Këmbësorisë (Nish), Njësia 85 e Logjistikës (Nish), Brigada 175 e Këmbësorisë e Motorizuar (Leskovc), Brigada 150 dhe ajo 78 e Këmbësorisë e Motorizuar (Vranjë), Brigada e IV e Motorizuar (Pirot), Njësia e Inxhinierisë (Prokuple); Korpusi 37 i Uzhicës me Brigadën e Këmbësorisë të Motorizuar të Rashkës dhe Brigadën 19 të Pozhegës; Korpusi 24 i Kragujevcit me Brigadën 80 të Këmbësorisë; Korpusi 12 i Novi Sadit; Armata e Parë e Beogradit: Brigada 252 e Blinduar nga Kraleva, Brigada e Parë e Blinduar, Njësitë Parashutiste 72 dhe 63; Korpusi i Dytë i Podgoricës: Brigada e Pestë e Këmbësorisë e Motorizuar, Brigada Alpiniste e Kollashinit dhe Brigada e IV e Policisë Ushtarake të Podgoricës. Krahas këtyre, në këtë operacion në Kosovë, janë angazhuar edhe forcat e MUP-it serb nën udhëheqjen e gjeneral majorit Sreten Lukiq. Në këto njësi kanë marrë pjesë: Njësitë për Operacione Speciale, “Shkorpionët” e Arkanit, “Shqiponjat e Bardha” (Beli Orlovi) të Sheshelit, Njësitë vullnetare nga Republika serbe e Bosnjës, shumë mercenarë të ardhur nga Rusia dhe shtetet tjera sovjetike, përfshirë edhe vullnetarët vendorë serbë e malazezë.
Për realizimin e këtij operacioni, Shtatmadhoria e UJ-së në mbështetje dhe në ndihmë Komandës së Korpusit të Prishtinës i kishte dërguar “Grupin Taktik” nga Beogradi, i formuar posaçërisht për këtë operacion dhe përbëhej nga oficerë të lartë të të gjitha gjinive. “Grupi Taktik” ishte vendosur në katin e pestë të ndërtesës së Komandës Ushtarake në Prishtinë (tash ndërtesa ku është i vendosur UNMIK-u).
Dritën e gjelbër për Operacionin “Patkoi” e dha i ashtuquajturi “Këshilli i Sigurisë”, konkretisht Sllobodan Millosheviqi dhe Jovica Stanishiqi. Mbikëqyrja strategjike ishte detyrë e “Këshillit Suprem Ushtarak”, që ishte i vendosur në bunkerin komandues në Beograd, ndërsa komandant operacional ishte vet Shefi i Shtatmadhorisë Serbe, gjenerali Dushan Samarxhiq. Operacioni “Patkoi” u zhvillua nën komandën e “Ushtrisë Jugosllave”, por në bashkëpunim të ngushtë mes ushtrisë, MUP-it dhe kriminelëve lokalë serbë e malazezë. Operacioni u pasurua me forma jokonvencionale, të panjohura nga luftërat në Bosnjë e Kroaci. Një numër i njësive policore e ushtarake kishin urdhër të prerë t’i hiqnin uniformat çdo dhjetë ditë e të visheshin me rroba civile, për ta shtuar konfuzionin te UÇK-ja dhe për t’i mbuluar gjurmët e krimeve në rast të disfatës (meqë rezultati i luftës në Kosovë nuk dihej, për dallim nga lufta në Bosnjë, rezultati i të cilës ishte i ditur që nga fillimi).
Në Kosovë, gjatë vitit 1999, Serbia ka zbatuar edhe planin e njohur me emrin “Leopardi”. Përmes këtij plani zbatohej një metodë e sinkronizuar nga ushtria, policia dhe paramilitarët: “Frikëso dhe sulmo, fut nëpër bodrume njerëz të pambrojtur, një fshat ose një lagje të qytetit, në mënyrë që të lëvizë pastaj nga frika e tërë popullsia”. Në atë lëvizje pasonte gjahu i vërtetë i masakrimeve. Gjatë gjithë luftës, për t’i ngopur epshet e veta satanike ndaj shqiptarëve në përgjithësi, Serbia veproi si gjithherë mbi parimet se:
- Në Kosovë flaka e tokës së djegur duhet t’i përfshijë të gjitha anët e saj;
- Tymi i vatrave shqiptare duhet të dëshmojë se ato vise janë fikur përgjithmonë;
- Hiri i kufomave të karbonizuara dhe shtëpive të bëra shkrumb duhet të shkaktojë trishtimin vdekjeprurës;
- Në botë duhet të japim lajme: “Po i vrasim, se po na detyrojnë”.



SA PJESËTARË TË USHTRISË JUGOSLLAVE U VRANË GJATË LUFTËS NË KOSOVË (1998-1999)?


Bazuar në burimet serbe, lidhur me të vrarët gjatë luftës në Kosovë, të publikuara në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë së Serbisë në publikimin “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji” (Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë), në Kapitullin e Parë, përkatësisht nënkapitullin 1.1.4 Pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë (1.1.4 Pripadnici Vojske Jugoslavije), të këtij libri, jepet edhe lista e pjesëtarëve të Ushtrisë Jugosllave -UJ, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Që në fillim të kapitullit (1.1.4) botuesit sqarojnë se “në këtë listë nuk janë të përfshirë pjesëtarët e UJ-së të cilët kanë humbur jetën nga bombardimet e NATO-s, por vetëm ata që janë vrarë në luftime me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Në këtë listë përfshihen emrat e treqind e pesëdhjetë e një (351) ushtarëve e oficerëve të Ushtrisë Jugosllave (UJ) të vrarë gjatë luftës në mbarë territorin e Kosovës. Njëqind e shtatëmbëdhjetë (117) prej tyre janë vrarë në luftimet e zhvilluara në rajonin e Zonës Operative të Dukagjinit. Tridhjetë e gjashtë (36) oficerë, shtatëdhjetë e nëntë (79) ushtarë dhe dy (2) mercenarë nga Rusia (Vitalija Gleboviq, oficer vullnetar në Ushtrinë Jugosllave nga Habarovska e Rusisë dhe Shulga Fjodor, oficer vullnetar nga Moska).
Gjatë trajtimit të kësaj “liste”, krijohet përshtypja, se përpilimi i saj më shumë është bërë në bazë të rasteve të paraqitura pranë Qeverisë së Serbisë nga familjarët e të vrarëve, se sa që është një evidencim i saktë zyrtar shtetëror serb. Prandaj, si të tilla, mund të konsiderohen të dhëna jo të plota, aq më tepër kur është lënë hapësirë manipulimi me numrin e të vrarëve, për vetë faktin se që në fillim është sqaruar se në “listë” nuk janë përfshirë “pjesëtarët e UJ-së që kanë humbur jetën nga bombardimet e NATO-s”.
Sado që humbjet në radhët e Ushtrisë Jugosllave, të paraqitura për herë të parë në këtë publikim, mund të konsiderohen të minimizuara, megjithatë është me rëndësi se paraqiten emra të ushtarëve dhe oficerëve të UJ-së, të vrarë në operacione ndëshkimore në rajonet e ndryshme të Kosovës, në rastin konkret në rajonin e Dukagjinit, edhe pse zyrtarisht Serbia edhe më tutje vazhdon të mohojë pjesëmarrjen e UJ-së në ato operacione luftarake, veçanërisht gjatë pranverës dhe verës së vitit 1998. Përderisa të gjitha datat e vrasjeve të pjesëtarëve të UJ-së, të paraqitura në këtë publikim, përputhen me ofensivat masive të ndërmarra nga ana e forcave serbe kundër rajoneve përkatëse shqiptare, në anën tjetër sikurse edhe në publikimet e mëhershme serbe, pjesëtarët e UJ-së paraqiten se janë vrarë si pasojë e sulmeve të “terroristëve shqiptarë” (!!!).
Ndonëse, Serbia, duke tentuar të mohon pjesëmarrjen e ushtrisë serbo-jugosllave në luftë në Kosovë, në publikimet zyrtare të saj, zyrtarisht pranon vrasjen e ushtarëve të saj vetëm prej datës 5 maj 1998 e tutje, të dhëna të shumta nga terreni (burime vendore dhe të huaja), dëshmojnë për implikimin e ushtrisë jugosllave në operacionet kundër shqiptarëve në Kosovë shumë më herët, dhe atë jo vetëm në “brezin kufitar”. Kështu, dhjetëra ushtarë të “UJ”-së kanë mbetur të vrarë në luftimet e zhvilluara te Suka e Cermjanit, që filluan më 21 prill 1998, ku ushtria jugosllave me forcat tjera serbe sulmoi me forca të shumta këmbësorie dhe me artileri të rëndë. Kufomat e këtyre ushtarëve mbetën disa ditë pa u tërhequr.
Këtu, sa për ilustrim, duhet përmendur edhe një rast tjetër. Në pikën strategjike, në fshatin Hulaj, në karaullën “Gjeneral Iliq” të UJ-së, në mbrëmjen e 25 prillit u vendosën forca ushtarake shtesë, të përbëra nga 30 tanke dhe 40 kamionë me ushtarë. Dy ditë më vonë, kur ushtria “jugosllave” në pritën që kishte zënë më 27 prill 1998, kundër pjesëtarëve të UÇK-së në vendin e quajtur “Sergun” në afërsi të fshatit Voksh, sipas burimeve të konfirmuara, janë vrarë katër ushtarë serbë dhe shtatë të tjerë janë plagosur, dy prej të cilëve janë plagosur rëndë. Dragan Millojkoviq dhe Zllatko Gjorgjeviq, ishin në rrezik jete dhe ishin dërguar urgjentisht në spitalin ushtarak të Nishit. Sipas konfirmimit të një mjeku malazez, i punësuar në qendrën shëndetësore “Isa Grezda” në Gjakovë, në mbrëmje, “në kazermën e Gjakovës, aterroi një helikopter ushtarak, i cili mori me vete katër viktima nga përleshja e Hulajt. Të vrarët, ishin ushtarë serbë, të vrarë në kazermën ushtarake në afërsi të fshatit Voksh”.
Të dhënat e mëposhtme që do të paraqiten lidhur me pjesëtarët e UJ-së, të vrarë gjatë luftës në rajonin e Dukagjinit, janë marrë nga publikimi zyrtar i Qeverisë së Serbisë, edituar në ueb-sajtin www.media.srbija.sr.gov.yu/medsrp/dokumenti/ ubijeni_0198-0699.pdf, Kapitulli I, Nënkapitulli 1.1.4 Pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave (Pripadnici Vojske Jugoslavije), f. 65-104, të publikimit “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji”.



PJESËTARË TË USHTRISË JUGOSLLAVE TË VRARË GJATË LUFTËS NË KOSOVË NË VITIN 1998


Ushtari Dorin Gjula (1978), nga Pançeva, thuhet se është vrarë më 7.5.1998 në rajonin e Karaullës “Bogiqe” në përleshje me grupin e “terroristëve shqiptarë”.
Gjatë luftimeve të zhvilluara në Smolicë të Gjakovës, si pasojë e hapjes zjarr nga minahedhësit prej fshatit Smolicë, më 29.5.1998, sipas burimeve zyrtare serbe, kanë mbetur të vrarë ushtarët e Ushtrisë Jugosllave: Dragan Ignjatoviq (1972), nga Leskovci, Vojkan Matiq (1977) nga fshati Trnjane, komuna e Aleksinacit, Marko Matiq (1978), nga Çaçaku dhe Dushan Tasiq (1977), nga Pozharevci. Për këtë të fundit thuhet se është vrarë në fshatin Smolicë, në rajonin e Karaullës “Morina”, komuna e Gjakovës, me rastin e sulmeve të “terroristëve shqiptarë”, duke hapur zjarr nga minahedhësit prej fshatit Smolicë, vdiq në helikopter para transportimit në VMA; Dragan Ristiq (1970), nga Knjazhevci, tetar, është vrarë më 30.7.1998, në afërsi të fshatit Smolicë, me rastin e sulmit të “terroristëve shqiptarë” në kolonën e automjeteve ushtarake (jugosllave); Vlladimir Ratkoviq (1976), nga Beogradi, ushtar, thuhet se është vrarë më 8.6.1998, në fshatin Popoc të Gjakovës, kur “terroristët shqiptarë” nga pusia, me dy mina kumulative sulmuan kolonën e automjeteve luftarake (jugosllave).
Ndërkaq, më 28 korrik 1998, në luftime me njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas burimeve serbe, janë vrarë katër pjesëtarë të UJ-së: Dragan Dushaniq (1950), nga Dobreva e Epërme, komuna e Prishtinës, kapter i Klasit të Parë, thuhet se është vrarë në rajonin e Karaullës “Koshare”, komuna e Gjakovës, në përleshje me “terroristët shqiptarë”; Goran Ostojiq (1962), nga Nishi, major, thuhet se “është vrarë me rastin e sulmeve të “terroristëve shqiptarë” nga pusia”. Srgjan Stançeviq (1974), nga Beogradi (i lindur në Nish), kapter i Klasit të Parë, është vrarë “me rastin e shpërthimit të rrethimit”; Radosh Ceroviq (1978), nga Leskovci, ushtar, është vrarë po më 28.7.1998, në rajonin e Karaullës “Koshare”, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”;
Nemanja Liviq (1979), nga Beogradi, ushtar, thuhet se është vrarë më 2.8.1998 në rajonin e Sukës së Cermjanit me rastin e sulmeve të “terroristëve shqiptarë” në pozicionet e njësive ushtarake (jugosllave); Aleksandar Njagul (1974), nga Pançeva, tetar, është vrarë më 2.8.1998 në rajonin Radenice, komuna e Deçanit, nga shpërthimi i minës kundër-këmbësorike; Dalibor Dimov (1976), nga fshati Obrenovac, komuna e Pirotit, tetar, është plagosur më 4.8.1998 në rajonin e Karaullës “Koshare”, vdiq po atë ditë në VMA në Beograd; Vitomir Kuzmanoviq (1969), nga Kamenica e Sremit, kapter i Klasit të Parë, është vrarë më 7.8.1998 në fshatin Jasiq, komuna e Deçanit, gjatë përleshjeve me “terroristët shqiptarë” pas urdhrit të njësisë së tij ushtarake (“po rasporedo jedinice”).
Më 11 gusht 1998 janë vrarë: Bratisllav Iliq (1972), nga Prokupla, rreshter, është vrarë në rajonin e gjerë të fshatit Dubravë, komuna e Deçanit, në përleshje me “terroristët shqiptarë”; Zoran Iliq (1977), nga fshati Bukovik, komuna e Arangjellovacit, ushtar, është vrarë në rajonin e Karaullës “Mitar Vojinoviq”, komuna e Gjakovës, pasi kishte shkelur në minë dhe Zhelko (Antun) Martinoviq (1967), nga Vukovari, Kroaci, kapiten i UJ-së, është vrarë në rajonin e fshatit Gllogjan, komuna e Deçanit, kur tanku në të cilin gjendej, u godit dhe u shkatërrua nga “terroristët shqiptarë”.
Nikolla Vujiçiq (1970), nga Zrenjanini, toger, është vrarë më 15.8.1998, në Voksh të komunës së Deçanit, në përleshje me “terroristët shqiptarë”. Misho Uboja (1978), nga Ruma, ushtar, është plagosur më 15.8.1998 në përleshje me “terroristët shqiptarë” në fshatin Drenoc, komuna e Deçanit. Vdiq duke e transportuar në VMA; Bozho Xhuver (1976), nga Podgorica, ushtar, është vrarë më 8.9.1998, në rajonin e fshatit Jabllanicë, komuna e Gjakovës, në luftë me “terroristët shqiptarë”; Millan Bundallo (1950), nga Vranja (i lindur në fshatin Zhegar, komuna e Obrovacit), aspirant i Klasit të Parë, është vrarë më 30.9.1998, në udhëtim nga karaulla “Maja e Çobanit” kah Karaulla “Morina”, në çastin kur makina e blinduar në të cilën gjendej ai, ra në minën antitank. Ndërkaq, Milladin Gobeliq (1978), nga Sjenica, ushtar nga Posta Ushtarake (VP) 1410 - Nish, Mirosllav Jociq (1968), nga fshati Donja Reçica (Reçicë e Poshtme), komuna e Prokuples, kapter i ri me kontratë (mlagji vodnik po ugovoru), Posta Ushtarake (VP) 1410/3 - Nish, Ilija Pavloviq (1979), nga Beogradi, ushtar nga Posta Ushtarake (VP- Vojna Poshta) 1410 - Nish, Millosh Pavlloviq (1970), nga Nishi, Posta Ushtarake (VP) 1410/3 - Nish, kapter i ri me kontratë dhe Vlladimir Radojçiq (1979), nga Beogradi, ushtar nga Posta Ushtarake - VP 1410 Nish, janë vrarë më 30.9.1998, në afërsi të Karaullës “Koshare” në kufirin Kosovë-Shqipëri, siç thuhet në raportet serbe nga ana e “grupeve të terroristëve shqiptarë”; Aleksandar Drazheta (1974), nga Prishtina, nëntoger i UJ-së, është vrarë në rajonin e Karaullës “Gjeravica”, më 25.10.1998; Dejan Arizanoviq (1978), nga Surdulica, rreshter i ushtrisë jugosllave, është vrarë më 13.11.1998, në Dushnje në rrugën Gjakovë – Punashec, me ç’rast janë plagosur edhe gjashtë ushtarë të tjerë që gjendeshin me të në kamion.



PJESËTARË TË UJ-së TË VRARË GJATË LUFTËS NË KOSOVË NË VITIN 1999

Sa pjesëtarë të UJ-së u vranë vetëm në frontin e Koshares?


Gjatë luftimeve të zhvilluara në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, në rajonin e Koshares, ku ka operuar me sukses Brigada 138 “Agim Ramadani” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Dukagjinit, duke filluar nga 9 prilli i vitit 1999 deri në përfundim të luftës, ndonëse çdo ditë janë zhvilluar luftime të përgjakshme, sipas burimeve serbe zyrtarisht thuhet se janë vrarë vetëm pesëdhjetë e pesë (55) pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave (!) dhe një mercenar rus.
Kështu, ushtari Mirosllav Stojanoviq (1978), nga Leskovci, thuhet se është vrarë më 9.4.1999, me rastin e sulmeve nga drejtimi i Shqipërisë ndaj Karaullës “Koshare” dhe se sulmi zgjati prej orës 4:15 deri në orën 15:00. Të njëjtën ditë është vrarë edhe Nikolla Popoviq (1979), nga Novi Pazari, ushtar i UJ-së, i cili është vrarë në fshatin Koshare, kur automjeti, në të cilin gjendej, u përplas në minën antitank, të vënë nga “terroristët shqiptarë” në rrugën e fshatit Batushë – Karaulla “Koshare”, komuna e Gjakovës.
Pikërisht në ditën e parë të sulmit për thyerjen e kufirit të dhunshëm ndërshqiptar, më 9.4.1999, në luftime të rrepta të zhvilluara gjatë sulmit të ndërmarrë kundër pozicioneve të armikut në vendin e quajtur Te Vrojtoret në Koshare, kanë rënë dëshmorë vërtet heroikisht në vijën e parë të frontit komandanti i togut Bashkim (Ramadan) Jasiqi (1977), nga fshati Jasiq, komuna e Deçanit, me bashkëluftëtarët Abush (Liman) Loku (1978) nga fshati Kotlinë, komuna e Kaçanikut, Rifat (Sokol) Çelaj (1980), nga fshati Leçinë, komuna e Skënderajt dhe Ramiz (Binak) Krasniqi (1974), nga fshati Dejë, komuna e Rahovecit, të cilët njëherit janë edhe dëshmorët e parë të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkaq, më 11.4.1999, “duke luftuar kundër terroristëve shqiptarë” në rajonin e Karaullës “Koshare” janë vrarë ushtarët serbë: Darko Bjellobrk (1979), nga Baça, Predrag Bogosavleviq (1979), nga fshati Bogunovac, komuna e Medvegjës, Milenko Bozhiq (1979), nga fshati Llaqarak, komuna e Mitrovicës së Sremit, Radisha (Millan) Iliq (1975), nga fshati Gunjevac, komuna Ub dhe Ivan Vasojeviq (1975), nga Sjenica, kapter i UJ-së dhe Dragan Komarica (1969), nga Smedereva, kapter i Klasit të Parë të Ushtrisë Jugosllave. Ushtari Simo Popoviq (1977), nga Novog Crkviçkog Pola, komuna Crkviçko Pole, është vrarë po më 11.4.1999 te Karaulla “Morina”, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”.
Nga ana e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këto luftime tejet të rrepta e të pabarabarta, më 11.4.1999, kanë rënë vërtet heroikisht në vijën e parë të frontit në Koshare, Komandanti i Brigadës 138, Agim (Hysni) Ramadani (1963), nga fshati Zhegër e Gjilanit, i cili kishte ardhur nga Zvicra për të luftuar në Kosovë; luftëtarët Harun (Nebih) Beka (1951), nga fshati Gushafc, komuna e Mitrovicës, (i cili vullnetarisht erdhi nga Gjermania për të luftuar për lirinë e Kosovës), Rrahman (Jetullah) Tafa (1962) nga fshati Carralevë, komuna e Shtimes, Arben (Skënder) Isufi (1976), nga fshati Cërnicë, komuna e Gjilanit, Emri (Pajazit) Curri (1971), nga Hani i Elezit, i sistemuar në Batalionin e Parë të Këmbësorisë të Brigadës 138. Pastaj, policët ushtarakë Driton (Gani) Veliu (1971), nga fshati Polac, komuna e Skënderajt (i cili erdhi nga Zvicra për të luftuar për çlirimin e Kosovës) dhe Sylejman (Adem) Shala (1970), nga fshati Vidishiq, komuna e Mitrovicës (i cili erdhi në luftë nga Gjermania), të cilët ranë heroikisht në vijën e parë të frontit në Shkozë të Molliqit. Për shkak të luftimeve të rrepta, trupat e këtyre dy policëve ushtarakë mbetën të patërhequr. Pas luftës në përpjekje për t’i tërhequr trupat e tyre u vranë nga shpërthimi i minave Bylbyl Breçani e Ali Fejzullahu.
Ndonëse në regjistrat serbë nuk figuron ndonjë pjesëtar i vrarë i UJ-së, në anën tjetër, më 13.4.1999, nga ana e UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Ali (Daut) Ivaja (1968), nga fshati Cërnillë, komuna e Ferizajt, (kishte ardhur nga Gjermania për të luftuar në Kosovë) i cili ka rënë heroikisht te Rrasa e Koshares; Xhafer (Rexhë) Thaçi (1964), nga Gjakova dhe Genc (Mustafë) Bytyçi (1971), nga Gjakova (erdhi nga Gjermania për të marrë pjesë në luftë), të sistemuar në Batalionin e Tretë të Brigadës 138, kanë rënë heroikisht në kufi, në vendin e quajtur Te Vrojtoret, në një luftë të rreptë që zhvillohej edhe në 20 metra afërsi, gjatë tërë kohës të sulmuar nga toka e nga ajri (me artileri të rëndë dhe bombardime aeroplanësh).
Më 14.4.1999 në rajonin e Karaullës “Koshare”, përkatësisht në fshatin Koshare, gjatë luftimeve me njësitë e UÇK-së janë vrarë ushtarët e UJ-së Danillo Vojvodiq (1977), nga Peja, Branisllav Negiq (1978), nga Banja e Kovilaçës, Stojadin Tomasheviq, nga fshati Suho Gërllë, komuna e Istogut, togeri Ivica Petkoviq (1968), nga Krushevci (i lindur në Prokuple) dhe kapiteni i Klasit të Parë Krunosllav Ivankoviq (1964), nga Shidi, për të cilin thuhet se është vrarë në luftë kundër “terroristëve shqiptarë” me rastin e tërheqjes së ushtarit të vrarë Negiq.
Më 14.4.1999 nga ana e UÇK-së kanë rënë dëshmorë në vijën e parë të frontit Kasim (Ibish) Uka (1970), nga fshati Ponoshec, komuna e Gjakovës, komandant togu në Njësitin Komando “Delta” të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, i cili ka rënë heroikisht në pikën kufitare Te Vrojtoret. Fisnik (Bajram) Salihu (1978), nga fshati Morinë, komuna e Gjakovës, mori plagë vdekjeprurëse në luftime të rrepta të zhvilluara në afërsi të Shkozës së Molliqit. Bashkim (Mustafë) Idrizi (1967), nga Gjakova, dhe Korab (Masar) Binxhia (1967), nga Gjakova, kanë rënë dëshmorë në luftime të rrepta me forcat serbe dhe mercenarët rusë te Rrasa e Koshares; Xhevat (Qaush) Nitaj (1978), nga fshati Voksh, komuna e Deçanit, ka rënë në krye të detyrës gjatë vëzhgimit të terrenit në Koshare.
Përderisa në shënimet e lartpërmendura serbe nuk paraqitet ndonjë pjesëtar i UJ-së, që është vrarë në frontin e Koshares më 15.4.1999, në anën tjetër, nga ana e UÇK-së, në luftime të ashpra të zhvilluara në afërsi, në Koshare ka rënë heroikisht Afrim (Bislim) Selmanaj (1973), nga fshati Savrovë, komuna e Shtimes (u kthye nga Italia në luftë), i sistemuar në Batalionin e Parë të Këmbësorisë.
Më 16.4.1999 janë vrarë pjesëtarët e UJ-së: Lubisha Bozhillov (1978), nga Surdulica, (i lindur në Dobrin të Austrisë), ushtar, i cili është vrarë në rajonin e fshatit Koshare. Ivica Ivanoviq (1955), nga Banja e Kovilaçes (i lindur në fshatin Baçki Brag, komuna e Somborit), ushtar, është vrarë në Maje të Gllav’s (“Maja Glave”) - në rajonin e Karaullës “Koshare”. Millan Jokiq (1968), nga Kragujevci (i lindur në Deçan), ushtar, është vrarë në rajonin e Majës së Gllav’s, në Koshare. Nenad Golluboviq (1976), nga Batajnica, ushtar, është vrarë në rajonin e fshatit Koshare. Stojan Popoviq (1969), nga fshati Vrbiq, komuna Krupanj, ushtar, dhe Josip Siç (1953), nga Subotica, ushtar, janë vrarë në rajonin e Majës së Gllav’s, në afërsi të fshatit Koshare, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”. Edhe Gjuro Gredeleviq (1935), vullnetar nga Beogradi (i lindur në fshatin Korita tek Lipika - Kroaci), është vrarë në rajonin e Majës së Gllav’s, komuna e Deçanit, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”. Zhelko Mihajloviq (1979), nga Zemuni, ushtar, është vrarë në fshatin Morinë e Poshtme, komuna e Gjakovës.
Më 16.4.1999, nga ana e UÇK-së kanë rënë në frontin e luftës në Koshare: Gëzim (Haxhi) Morina (1976), nga fshati Gjergjicë, komuna e Gllogocit, (erdhi nga Gjermania në luftë), i sistemuar në Batalionin e Parë të Këmbësorisë “Bashkim Jasiqi”, dhe Halil (Mehmet) Bajraktari (1969), nga Gllogoci (erdhi nga Gjermania për të luftuar), komandues togu i këmbësorisë, ranë heroikisht gjatë një beteje të rreptë të zhvilluar në Shkozë të Molliqit; Zeki (Xhevat) Shulemaja (1974), nga Prishtina, me banim në Këln të Gjermanisë, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ra heroikisht gjatë luftimeve të rrepta, të zhvilluara në vendin e quajtur “Pishat” te Rrasat e Koshares; Fadil (Halil) Maloku (1978), nga fshati Gjocaj, komuna e Deçanit, komandues i Njësisë Diversante Vëzhguese “Kobra” të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ka rënë heroikisht gjatë sulmit të ndërmarrë kundër forcave serbe te Rrasa e Koshares; Zekri (Musa) Dardhishta (1970), nga Çairi i Shkupit (i shpërngulur nga fshati Korbaliq i Kaçanikut), ra heroikisht te Rrasa e Koshares; Ismet (Esat) Mustafa (1970), nga fshati Çerkez i Kumanovës, ra heroikisht në vijën e parë të frontit gjatë luftimeve, i goditur nga një predhë në Koshare dhe, Mujdin (Qerim) Aliu (1974), nga fshati Poroj i Tetovës, i cili ra heroikisht në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares.
Më 17.4.1999, janë vrarë ushtarët e UJ-së: Denis Gjuriq (1971), nga Prokupla (i lindur në Metkoviq, Republika e Kroacisë), i cili është vrarë te Karaulla “7 Korriku” në rajonin e fshatit Morinë e Poshtme, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë” dhe Sllavisha Miciq (1978), nga fshati Kovaçeve Bare, komuna e Leskovcit, i cili duke e tërhequr ushtarin e plagosur ra në minën antitank në fshatin Morinë. Ndonëse, po më 17. 4. 1999, gjatë një aksioni diversiv të ndërmarrë nga një njësit i UÇK-së, i prirë nga Shefqet Mustafaj, te Rrasa e Koshares, është eliminuar një njësit prej 18 ushtarëve serbo-jugosllavë, të cilëve u është marrë edhe armatimi që e posedonin, sikurse edhe në raste të tjera, nuk figurojnë fare në regjistrat serbë të të vrarëve.
Më 18.4.1999, Zllatko Axhiq (1979), nga Smederevska Pallanka, ushtar, është zhdukur bashkë me kapterin Dejan Mitiq, në rajonin e Majës së Gllav’s (“Maja Glave”) në afërsi të Morinës së Epërme, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”. Me vendim gjyqi është shpallur i vdekur. Ndërsa Srgjan Koshanin (1968), nga Beogradi i Ri (i lindur në fshatin Ushqe, komuna e Kralevës), kapiten i Klasit të Parë të UJ-së, është vrarë të njëjtën ditë, te Karaulla “Koshare”; ushtari Naser Vuçel (1977), nga fshati Shutelovac, komuna e Novi Pazarit dhe Ivan Mihajloviq (1977), nga Leskovci, rreshter, janë vrarë më 19.4.1999, në rajonin e Karaullës “Koshare”, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”.
Më 18.4.1999, nga ana e UÇK-së, është vrarë Gëzim (Sahit) Sahiti (1974), nga fshati Pojatishtë, komuna e Ferizajt (u kthye nga Italia për të luftuar për lirinë e Kosovës), pjesëtar i Njësitit të Kundërajrorëve, i cili ka rënë heroikisht gjatë një beteje të zhvilluar në Koshare.
Më 19.4.1999, në frontin e Koshares është zhvilluar një ndër betejat më të ashpra edhe në afërsi, me ç’rast në anën e forcave serbe ka pasur humbje të konsiderueshme në njerëz. Megjithatë, në regjistrin zyrtar serb të pjesëtarëve të UJ-së, çuditërisht, nuk figuron asnjë i vrarë në këto luftime. Përderisa nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këto luftime tejet të rrepta, kanë rënë dëshmorë: Sali (Beqir) Çekaj (1956), nga fshati Broliq, komuna e Deçanit (erdhi nga Perëndimi për të luftuar në Kosovë), Komandant Operativ i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ka rënë heroikisht në vijën e parë të frontit te Rrasa e Koshares; Shefqet (Fazli) Mustafaj (1969), nga fshati Gllogjan, komuna e Deçanit (erdhi nga Gjermania në luftë), komandant kompanie i Brigadës 138, është vrarë në një përleshje të rreptë te Rrasa e Koshares, gjatë një aksioni të ndërmarrë kundër forcave të armikut; Mejdi (Abdullah) Korrani (1977) nga fshati Pozharan, komuna e Gjilanit, ka rënë në krye të detyrës në luftime të rrepta në Koshare; Hysni (Sylë) Temaj (1976), nga fshati Kushnin, komuna e Prizrenit, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, u vra te Rrasa e Koshares; Ilir (Ahmet) Hoxha (1979), nga fshati Dushanovë, komuna e Prizrenit, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ka rënë heroikisht në vijën e parë të frontit, i goditur me snajper te Rrasa e Koshares; Aziz (Bajram) Gashi (1975) nga fshati Balincë, komuna e Malishevës (erdhi nga Gjermania për të luftuar në Kosovë), i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ra në krye në detyrës, gjatë luftimeve të rrepta të zhvilluara te Rrasa e Koshares; Izet (Islam) Morina (1961), nga fshati Astrazub, komuna e Malishevës (erdhi nga Gjermania për të luftuar në Kosovë), ra heroikisht në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares; Afrim (Ahmet) Stojaku (1981), nga fshati Dushanovë, komuna e Prizrenit, Fatos (Shefqet) Limani (1978), nga Prishtina, Fisnik (Aledin) Ibrahimi (1978), nga Dragashi, me banim në Beograd dhe Leonard (Dedë) Palucaj (1978), nga Klina, kanë rënë dëshmorë gjatë luftimeve në një betejë të përgjakshme të zhvilluar kundër forcave serbe në Koshare; Luan (Ruzhdi) Gashi (1977), nga fshati Hoçë e Vogël, komuna e Rahovecit (erdhi nga Gjermania për të luftuar), i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ra heroikisht te Rrasa e Koshares dhe, Bejtë (Azem) Kajdomçaj (1963), nga fshati Dedaj i Hasit, komuna e Prizrenit, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ra në vijën e parë të frontit te Rrasa e Koshares.
Më 20.4.1999, në rajonin e Karaullës “Koshare” në përleshje kundër “terroristëve shqiptarë” janë vrarë: ushtari Stanoje Jovanoviq (1978), nga fshati Dobra, komuna e Gollubacit; rreshteri i UJ-së Tomisllav Kostiq (1962), nga Beogradi; kapteri i Klasit të Parë Miroslav Marinkov (1971), nga Sivca, komuna e Kullës; kapteri i Klasit të Parë Zoran Milojeviq (1970), nga fshati Velika Ivança, komuna e Mlladenovacit; kapteri i Klasit të Parë Zoran Filipoviq (1971), nga Pançeva (i lindur në fshatin Dojlloviq, komuna e Novi Pazarit) dhe ushtari Tibor Cerna (1978), nga Beogradi. Ndërsa Jovan Tepavac (1957), nga Zharkova e Beogradit (i lindur në fshatin Markoviqevo, komuna Plandishte), kapter i vjetër i Klasit të Parë, është vrarë po më 20.4.1999, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë” në rajonin e Karaullës “Boro Vukmiroviq”; rreshteri Bojan Bogojeviq (1978), nga fshati Rgotinë, komuna e Zajeçarit, është vrarë më 21.4.1999 në rajonin e Karaullës “Koshare”.
Më 21.4.1999, nga ana e UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Hamëz (Ali) Thaçi (1963), nga fshati Xërxë, komuna e Rahovecit, i sistemuar në Batalionin e Parë të Këmbësorisë, dhe Nazim (Mon) Lushaj (1976), nga fshati Dushanovë, komuna e Prizrenit, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë; kanë rënë gjatë luftimeve në një betejë të përgjakshme të zhvilluar kundër forcave serbe në Koshare.
Më 25.4.1999, luftëtari i UÇK-së Dukagjin (Ruzhdi) Vula (1978), nga Gjakova, nga plagët vdekjeprurëse të marra gjatë luftimeve të rrepta në frontin e Koshares, ndërroi jetë në Spitalin e Tiranës.
Më 27.4.1999, nga ana e UÇK-së kanë rënë dëshmorë në vijën e parë të frontit te Rrasa e Koshares, Fetah (Sylejman) Sylejmani (1968), nga fshati Shajne, komuna e Dragashit, komandant skuadre në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë dhe Bekim (Lutfi) Thaçi (1968), nga fshati Dushanovë, komuna e Prizrenit, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë.
Më 28.4.1999, në rajonin e fshatit Koshare në përleshje me UÇK-në janë vrarë ushtarët Vlladimir Nestoroviq (1977), nga Beogradi, Dragan Petkoviq (1953), nga Bavanishta, komuna e Kovinit, Zoran Stajiq (1964), nga Beogradi dhe ushtari Radovan Periq (1950), nga Bella Cerka, i cili ka vdekur më 28.4.1999, për shkak të plagëve të marra më 25.4.1999, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”, në rajonin e Karaullës “Koshare”.
Ndërkaq, më 28.4.1999 nga ana e UÇK-së në frontin e luftës në Koshare kanë rënë dëshmorë: Milazim (Sadri) Mavraj (1966), nga fshati Saradran, komuna e Istogut (erdhi nga Gjermania për të luftuar në Kosovë), komandant togu, ra heroikisht në vijën e parë të frontit në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares; Shaban (Fetah) Hajzeraj (1979), nga fshati Veriq, komuna e Istogut, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ra në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares; Shpëtim (Idriz) Bojku (1979), nga Peja, i sistemuar në Njësitin Komando “Delta”, ra dëshmor në mbrojtje të pozicioneve te Rrasa e Zogut; Hasan Latifi, nga Kumanova, ra heroikisht në luftimet e zhvilluara në Koshare; Jusuf (Ibush) Hoxha (1967), nga Komorani, komuna e Gllogocit (erdhi nga Gjermania për të luftuar në Kosovë), i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ra heroikisht te Rrasa e Koshares.
Në regjistrat zyrtarë serbë për periudhën 29 prill deri më 4 maj 1999, nuk figuron asnjë pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave që të jetë vrarë gjatë luftimeve në frontin e Koshares, edhe pse gjatë kësaj kohe çdo ditë janë zhvilluar luftime të përgjakshme. Nga ana tjetër, nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë në ballë të luftës:
Më 29.4.1999, kanë rënë dëshmorë luftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, Sinan (Sahit) Thaçi (1962), nga fshati Zojz, komuna e Prizrenit, komandant togu këmbësorie, i cili u godit nga një predhë minahedhësi e forcave serbe te Rrasa e Koshares dhe Selver (Bajram) Kryeziu (1969), nga fshati Rogaçicë, komuna e Kamenicës (erdhi nga Zvicra për të luftuar në Kosovë), i cili po ashtu ra heroikisht te Rrasa e Koshares.
Më 30.4.1999, kanë rënë dëshmorë luftëtarët e UÇK-së: Lutfi (Avdush) Musiqi (1968), magjistër i shkencave të elektroteknikës nga Vushtrria (erdhi nga Londra për të luftuar për çlirimin e Kosovës), komandant togu në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, i cili ra në krye të detyrës i goditur nga një granatë e forcave serbe, gjatë luftimeve të zhvilluara te Rrasa e Koshares dhe, Rifat (Xhelil) Kastrati (1968), nga fshati Polluzhë, komuna e Gllogocit (erdhi nga Belgjika për të luftuar), i sistemuar në njësinë e këmbësorisë, ra po në luftimet që u zhvilluan te Rrasa e Koshares.
Më 2.5.1999, në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares ka rënë dëshmor luftëtari i UÇK-së Besim (Saqip) Rexhepi (1974), nga Ferizaji (erdhi nga Gjermania për të luftuar), i sistemuar në njësitin e artilerisë; më 3.5.1999, luftëtari i UÇK-së Rifat (Xhafer) Goxhufi (1969), nga fshati Koliq, komuna e Prishtinës (erdhi nga Gjermania për të luftuar për çlirimin e Kosovës), ka rënë heroikisht në luftimet e zhvilluara në vendin e quajtur Maja e Gllav’s (“Maja Glave”) në Shkozë.
Ushtari serb Nikolla Josiq (1956), nga Kostrolci, është vrarë më 4.5.1999 në rajonin e Karaullës “Koshare”; ushtarët Darko Millosheviq (1978), nga Liga, dhe Dejan Misirliq (1976), nga fshati Jarçujak, komuna e Kralevës (i lindur në fshatin Bërkovc të Klinës) janë vrarë më 5.5.1999 në rajonin e Karaullës “Koshare”, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”; ushtari Slavko Kruniq (1978), nga fshati Kamenicë, komuna e Gornji Millanovacit (i lindur në Çaçak), është vrarë më 6.5.1999 në rajonin e Karaullës “Koshare”.
Ndërkaq, nga ana e UÇK-së, më 5.5.1999, kanë rënë dëshmorë, luftëtarët: Januz (Qazim) Zejnullahu (1975), nga fshati Gjylekar, komuna e Vitisë, komandant skuadre në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, i cili në ditën e rënies heroike, shtrëngon bombat në duar, përshëndetet me bashkëluftëtarët, niset drejt armikut dhe arrin të hyjë drejt në bunkerin e ushtrisë serbe (jugosllave), duke hedhur në ajër shumë ushtarë serbë. Në këtë aksion edhe vet merr plagë vdekjeprurëse. “Mic Sokoli i Dytë” e quajtën bashkëluftëtarët; Ramush (Ilaz) Shatrolli (1963), nga fshati Pleshinë, komuna e Ferizajt (erdhi nga Gjermania për të luftuar për lirinë e Kosovës, ra në një përleshje të rreptë me forcat serbe në Koshare; Shabi (Faik) Kajolli (1961), nga Shkupi, ra heroikisht në luftime të rrepta me forcat serbe të zhvilluara te Rrasa e Koshares; Murad (Muhamed) Ali (1969), nga Algjeria, ushtarak profesionist, ra në pikën më të nxehtë të frontit te Rrasa e Koshares. Trupi i tij mbeti i pa tërhequr deri pas luftës; Behxhet (Ajet) Shabani (1965), nga fshati Baks, komuna e Skënderajt (erdhi nga Gjermania në luftë), ra heroikisht në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares; Florim (Baki) Maliqi (1977), nga fshati Sadovinë, komuna e Ferizajt (erdhi nga Gjermania në luftë), ushtar këmbësorie, ra në një betejë të rreptë të zhvilluar kundër forcave serbe te Rrasa e Koshares; Abedin (Hysen) Murtezi (1975), nga fshati Mollopolc, komuna e Shtimes, i sistemuar në Batalionin e Parë të Këmbësorisë, mori plagë vdekjeprurëse nga një granatë minahedhësi, gjatë luftimeve të rrepta te Rrasa e Koshares (trupi i tij është zhdukur).
Më 6.5.1999, kanë rënë dëshmorë luftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, Afrim (Mehmet) Krasniqi (1968), nga fshati Tërpezë, komuna e Malishevës (erdhi nga Suedia për të luftuar për çlirimin e Kosovës), zëvendës-komandant togu, ra heroikisht te Rrasa e Koshares, në një betejë të rreptë, në të cilën luftimet zhvilloheshin edhe në afërsi prej njëzet metrash; Liman (Aziz) Rekaj (1973), nga fshati Prelez i Muhaxherëve, komuna e Ferizajt (erdhi nga Anglia në luftë), komandant togu në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ka rënë heroikisht te Rrasa e Koshares; Njazi (Ramiz) Rexhepi (1967), nga fshati Sllatinë, komuna e Vitisë (erdhi nga Italia për të luftuar për çlirimin e Kosovës), i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ra heroikisht në luftimet e zhvilluara në Koshare; Safet (Qemajl) Rexhepi (1980), nga fshati Zhiti, komuna e Vitisë (erdhi nga Gjermania në luftë), ra heroikisht në luftimet e rrepta të zhvilluara te Rrasa e Zogut; Tafil (Veli) Osmani (1971), nga fshati Shipol, komuna e Mitrovicës (erdhi nga Italia në luftë), ka rënë heroikisht në Koshare, gjatë një kundërsulmi të forcave serbe, i goditur me RBG.
Më 7.5.1999, gjatë luftimeve të zhvilluara në frontin e luftës në Koshare kanë rënë dëshmorë vullnetarët që kishin ardhur për të ndihmuar luftën e drejtë të popullit shqiptar, Paillard (Arnaud) Pierre (1971), nga Sen Remiti, Francë, i cili është vrarë në luftimet e zhvilluara me forcat serbe “Te Vrojtoret” dhe Françesko (Giuseppe) Bider (1961), nga Biella, Itali, ushtarak profesionist, i sistemuar në Batalionin e Dytë, i cili ra heroikisht në një betejë të rreptë të zhvilluar te Rrasa e Koshares.
Më 11.5.1999, kanë rënë dëshmorë luftëtarët e UÇK-së, Ali (Miftar) Hasi (1951), nga fshati Cërmjan, komuna e Gjakovës, përgjegjës i Logjistikës të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Naim (Shefket) Arllati (1979), nga fshati Brestovc, komuna e Rahovecit, Emin (Ruzhdi) Kryeziu (1975), nga fshati Ragoçicë, komuna e Kamenicës (erdhi nga Zvicra për të luftuar), Fatos (Muhamet) Ademaj (1980), nga Katundi i Ri, komuna e Pejës, polic ushtarak, Kreshnik (Avdi) Ademaj (1982), nga Katundi i Ri, komuna e Pejës, Nikollë (Mhill) Dodaj (1966), nga fshati Dujakë, komuna e Gjakovës, të cilët janë vrarë në Padesh nga bombardimet e aeroplanëve serbë (MIG) që bombarduan malet e Koshares; Urim (Gani) Mehmeti (1975), nga fshati Cërnicë, komuna e Gjilanit, pjesëtar i Policisë Ushtarake, ka rënë dëshmor “Te Vrojtoret”, i goditur nga një predhë e artilerisë serbe; Besim (Ismajl) Nuka (1972), nga Mitrovica, ka rënë dëshmor gjatë luftimeve të rrepta që zhvilloheshin edhe në një metër afërsi te Rrasa e Koshares, ku pozicionet e UÇK-së sulmoheshin nga toka e nga ajri dhe me helme kimike; Izet (Ali) Beqiraj (1977), nga fshati Baballoç, komuna e Deçanit, komandant skuadre, është vrarë te Rrasa e Koshares dhe Xhevdet (Rrustem) Loshaj (1970), nga fshati Carrabreg i Epërm, komuna e Deçanit, ka rënë heroikisht në sulm kundër forcave serbe në Koshare.
Burimet serbe që i kemi në trajtim edhe në periudhën 6 -14 maj 1999, nuk paraqesin humbje në radhët e veta. Ndonëse burimet shqiptare të kohës, vazhdimisht kanë bërë të ditur për dëmet e shkaktuara në radhët e armikut. Kështu, më 14.5. 1999, nga terreni raportohej se gjatë luftimeve të zhvilluara në mes të njësiteve të UÇK-së dhe forcave serbe janë vrarë 3 ushtarakë serbë. Me atë rast është zënë sasi e madhe e armatimit dhe municionit. Sipas burimeve serbe, më 15.5.1999, në rajonet e Karaullës “Koshare” është vrarë ushtari Dragan Miliqeviq (1978), nga fshati Mihajllovac, komuna e Trestenikut.
Në anën tjetër, më 15.5.1999, janë vrarë luftëtarët e UÇK-së: Muharrem (Fadil) Mehmeti (1981), nga fshati Pakashticë, komuna e Podujevës (erdhi nga Gjermania për të luftuar për çlirimin e Kosovës). Ra heroikisht gjatë luftimeve të zhvilluara në vendin e quajtur “Te Pishat” – në Rrasën e Koshares; Ilmi (Smajl) Bahtiari (1965), nga fshati Blaç, komuna e Dragashit (erdhi nga Perëndimi për të luftuar), është vrarë gjatë luftimeve të zhvilluara te Rrasa e Koshares; Lulzim (Nail) Veselaj (1976), nga fshati Reçan, komuna e Suharekës, komandues skuadre në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, mori plagë vdekjeprurëse nga bombardimet e aviacionit luftarak serb te Rrasa e Koshares. Ndërroi jetë më 18 maj 1999 në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Më 16.5.1999, kanë rënë në ballë të frontit pjesëtarët e UÇK-së: Abaz (Isuf) Thaçi (1964), nga fshati Osdrim, komuna e Skënderajt (erdhi nga Gjermania për të luftuar për çlirimin e Kosovës), komandant kompanie, i cili ra heroikisht në njërën prej zonave më të rrepta të luftimeve te Rrasa e Koshares. Atë ditë u zhvillua njëra ndër betejat më të rrepta të luftës në këtë front; Hasan (Sali) Çerkini (1975), nga fshati Zaskok, komuna e Ferizajt (erdhi nga Gjermania për të luftuar për çlirimin e Kosovës), ra heroikisht në një betejë të rreptë të zhvilluar te Maja e Gllav’s (“Maja Glave”) në Shkozë të Koshares, gjatë tentimit të forcave serbe për të marrë këtë pikë strategjike. Palës serbe në këtë vendluftim u mbetën dhjetëra të vrarë si dhe teknikë e shkatërruar luftarake, pa mundur ta thyejnë qëndresën e luftëtarëve të UÇK-së.
Më 18.5.1999, janë vrarë luftëtarët e UÇK-së: Fitush (Rrustem) Kukaj (1982), dhe Burim (Ajet) Grajçevci (1980), të dy nga Prishtina (nip e dajë), të cilët janë vrarë në vijën e parë të frontit, në vendin e quajtur “Te Vrojtoret” të goditur nga një predhë gjatë bombardimeve të MIG-ëve serbë ndaj pozicioneve mbrojtëse të UÇK-së, të cilat gjatë tërë kohës falë luftës vetëmohuese të luftëtarëve të lirisë ishin treguar të pathyeshme. Në këtë vend ra dëshmor edhe Safet (Imer) Gjinovci (1968), nga fshati Makërmal, komuna e Skënderajt (erdhi nga Zvicra për të luftuar për lirinë e Kosovës), komandant togu në Batalionin e Tretë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Derisa po ua jepte ndihmën bashkëluftëtarëve të plagosur, Fitush Kukaj e Burim Grajçevci, u godit nga një predhë e artilerisë serbe, e cila i shkaktoi plagë vdekjeprurëse.
Vitalija Gleboviq, oficer rus, mercenar në Ushtrinë Jugosllave, nga Habarovska e Rusisë, me banim në rrugën Krasnodarskaja, i lindur më 2.1.1965, në qarkun e Habarovskit (Rusi), nga babai Bullah, është vrarë më 19.5.1999 në rajonin e fshatit Koshare, komuna e Gjakovës, në luftë me “terroristët shqiptarë”. Gjithashtu më 19.5.1999, janë vrarë edhe ushtarët e UJ-së: Zoran Veseliq (1972), nga Mitrovica e Sremit, i cili është vrarë në rajonin e Karaullës “Koshare”, Vlladan Gobeliq (1965), nga Kraleva, dhe Srgjan Llakiqeviq (1959), nga Vrnjaçka Banja (i lindur në Andrijevicë, komuna e Beranës), janë vrarë në rajonin e fshatit Molliq, komuna e Gjakovës; ushtari Dragi Laliq (1965), nga Majdanpeku, është vrarë në rajonin e fshatit Koshare; ushtari Sllavisha Gjukoviq (1976), nga fshati Dobravë ose fshati Soçanicë, komuna e Leposaviqit, thuhet se është vrarë më 19.5.1999 në fshatin Dërvar, komuna e Vushtrrisë, ose në fshatin Molliq, komuna e Gjakovës, me rastin e kalimit nëpër pusinë e “terroristëve shqiptarë”.
Në anën tjetër, më 19.5.1999, pjesëtarët e UÇK-së, Afrim (Xhafer) Gashi (1969), nga fshati Hajvali, komuna e Prishtinës (erdhi nga Belgjika për të luftuar për lirinë e Kosovës), pjesëtar i Batalionit të Katërt të Këmbësorisë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Xhafer (Haxhi) Lipoveci (1974), nga Gjakova, kanë rënë dëshmorë gjatë luftimeve të rrepta të zhvilluara me një njësit të forcave ruso-serbe. Këta dy luftëtarë janë vrarë gjatë luftimeve të zhvilluara në pritën që ua kishte zënë oficeri rus Vitalija Gleboviq me njësinë e tij. Më pas në këtë përleshje, sipas dëshmitarëve okularë janë vrarë katërmbëdhjetë (14) pjesëtarë të forcave të armikut (rusë e serbë), përfshirë edhe oficerin rus Vitalija Gleboviq, vrasjen e të cilit organet zyrtare serbe e pranojnë zyrtarisht.
Më 20.5.1999, në publikimet serbe thuhet se ushtari Radisha (Zhivorad) Iliq (1978), nga Kragujevci, është vrarë në rajonin e Karaullës “Koshare”, duke kryer detyrën ushtarake.
Më 21.5.1999, nga ana e UÇK-së kanë rënë dëshmorë në krye të detyrës në Koshare, Xhemshir (Haziz) Islami (1973), nga fshati Mikushnicë, komuna e Skënderajt (erdhi nga Gjermania për të luftuar), i sistemuar në Batalionin e Katërt të Këmbësorisë; Faik (Beqir) Çabrati (1982), nga fshati Planejë, komuna e Prizrenit, i sistemuar në Batalionin e Tretë; Mentor (Isa) Humolli (1976), nga fshati Lupç, komuna e Podujevës, i sistemuar në njësitin e këmbësorisë; Nazim (Misin) Buduri (1973), nga fshati Hoçë e Qytetit, komuna e Prizrenit, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë dhe, Jonuz (Mehmet) Krasniqi (1971), nga fshati Dushanovë, komuna e Prizrenit; më 24.5.1999, luftëtari i UÇK-së, Hamdi (Brahim) Sheremeti (1976), nga fshati Shipol, komuna e Mitrovicës (i lindur dhe i rritur në Heilbron të Gjermanisë, erdhi nga Gjermania për të luftuar), i sistemuar në Njësitin e Snajperistëve të Batalionit të Parë të Këmbësorisë, ka rënë dëshmor në vijën e frontit “Te Vrojtoret”, i goditur nga një predhë artilerie, gjatë bombardimeve të pozicioneve të UÇK-së nga forcat serbe.
Më 28.5.1999, luftëtari i UÇK-së, Imer (Isak) Kryeziu (1955), nga fshati Pagarushë, komuna e Malishevës, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, ka rënë heroikisht në vijën e parë të frontit gjatë luftimeve të rrepta, të zhvilluara te Rrasa e Koshares.
Në publikimet serbe thuhet se rreshteri i UJ-së Branko Petrikiq (1971), nga Negotini, është vrarë më 29.5.1999, në rajonin e Karaullës “Koshare”, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”.
Më 29.5.1999, në Koshare, ka rënë dëshmor luftëtari i UÇK-së, Gëzim (Rasim) Berisha (1978), nga Gllogoci; më 30.5.1999, luftëtari i UÇK-së Ramadan (Gani) Salihu (1976), nga fshati Zaskok, komuna e Ferizajt (i rritur e i shkolluar në Gjermani, prej nga erdhi për të luftuar për lirinë e Kosovës), i sistemuar në Batalionin e Parë të Këmbësorisë, ka rënë dëshmor në vijën e frontit te Rrasa e Koshares.
Më 31.5.1999, në publikimet serbe thuhet se ushtari Srgjan Llazareviq (1973), nga fshati Uglar, komuna e Zubin Potokut, është vrarë te Karaulla “Morinë”, komuna e Gjakovës. Për ushtarin Vlladisllav Bullatoviq (1974), nga Peja, i plagosur në fshatin Koshare, thuhet se vdiq më 14.6.1999.
Në anën tjetër, më 31.5.1999, kanë rënë dëshmorë luftëtarët e UÇK-së, Xhemajl (Metë) Fetahaj (1964), nga fshati Raushiq, komuna e Pejës (erdhi nga Gjermania për të luftuar për çlirimin e Kosovës), përgjegjës për Zbulim-Kundërzbulim dhe zëvendëskomandat i Njësisë Komando „Delta“ dhe bashkëluftëtari i tij Milazim (Qazim) Shala (1965), nga fshati Baballoç, komuna e Deçanit, komandant togu në Njësinë Komando “Delta”, të cilët ranë heroikisht në një betejë tejet të rreptë me forcat serbe, që u zhvillua te Rrasa e Zogut, pikërisht në majën më të lartë, në vendin e quajtur “Maja e Zezë” (te Piramida C-1). Në anën e forcave të armikut, aty mbetën të vrarë katër pjesëtarë të njësive elite jugosllave.
Nga ana e UÇK-së, më 2.6.1999, luftëtari Ernes (Nazmi) Zariqi (1972), nga Prishtina, i sistemuar në Batalionin e Tretë të Këmbësorisë, ka rënë në vijën e parë të frontit gjatë luftimeve të zhvilluara në Shkozë të Molliqit.
Më 5.6.1999, luftëtari i UÇK-së, Gazmend (Zenel) Berisha (1968), nga Peja, ka rënë dëshmor në krye të detyrës në Koshare, kur gjatë vëzhgimit ra në një minë kundërkëmbësorie të vënë nga forcat serbe.
Më 10.6.1999, kanë rënë dëshmorë luftëtarët: Fatmir (Haki) Kërçeli (1969), nga fshati Softaj, komuna e Ferizajt (erdhi nga Gjermania për të luftuar për çlirimin e Kosovës), i cili ra në luftimet e rrepta kundër forcave serbe te Rrasa e Koshares; Haziz (Rasim) Tolaj (1965), nga fshati Potoçan, komuna e Rahovecit, ushtar i Batalionit të Parë të Këmbësorisë, u vra nga një predhë rakete tokë-tokë, e cila goditi në oborrin e Komandës së Brigadës 138 në Padesh; Remzi (Danush) Xhaferi (1963), nga Haraçina e Shkupit, i sistemuar në njësitin e mbrojtjes kundërajrore, u godit nga një predhë tanku gjatë luftimeve të përgjakshme, te Bunkerët në Koshare.
Më 13.6.1999, luftëtari i UÇK-së Arsim (Rexhep) Rexhepi (1975), nga fshati Sazli, komuna e Ferizajt (erdhi nga Gjermania për të luftuar), ushtar i Batalionit të Parë të Këmbësorisë, ra heroikisht gjatë luftimeve të zhvilluara Te Vrojtoret në Koshare.
Ndërkaq, në ditët e para të përfundimit të luftës, më 19.6.1999, në Koshare, ka rënë dëshmor luftëtari i UÇK-së Adem (Bajram) Selmani (1967), nga Tropoja (Shqipëri); më 25.6.1999, në krye të detyrës kanë rënë luftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Bylbyl (Hazir) Breçani (1974), nga fshati Markaj, komuna e Bujanit dhe Ali (Sadik) Fejzullahu (1972), nga fshati Bajgorë, komuna e Mitrovicës, kanë rënë dëshmorë në Shkozë të Molliqit, nga shpërthimi i minave, gjatë tentimit për të nxjerrë trupat e dy bashkëluftëtarëve të vrarë gjatë luftës. Po këtë ditë si pasojë e rënies në mina antitank, në Zhare të Koshares, kanë rënë dëshmorë edhe vëllezërit Besnik (Sali) Jasiqi (1981), komandant i Njësitit të Artilerisë, dhe Bujar (Sali) Jasiqi (1979), nga fshati Jasiq, komuna e Deçanit, pjesëtar i Njësitit Diversant “Kobra” të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Pjesëtarët e UJ-së që u përmendën më lartë, Serbia zyrtarisht pranon se janë vrarë gjatë luftës në rajonin e Koshares, ndonëse bazuar në burimet shqiptare ky numër është shumëfish më i madh. Në këtë vijë të frontit, ndonëse u përdorën njësitë elite serbo-jugosllave, njësitë speciale të ushtrisë jugosllave “Kobrat” por edhe ato ruse, armatimi i rëndë, bombardimet e vazhdueshme nga toka dhe nga ajri, duke pasur parasysh edhe përdorimin e vazhdueshëm të helmeve kimike e biologjike, megjithatë forcat serbe, në këtë vijë fronti u thyen keq dhe pësuan humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikë lufte. Edhe nga ana e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së kanë rënë dëshmorë 113 luftëtarë të saj dhe janë plagosur mbi 200 të tjerë. Në mesin e të rënëve janë edhe eprorët e lartë Agim Ramadani, Sali Çeku, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahaj, Shefqet Mustafaj e shumë të tjerë, të cilët me luftën dhe qëndresën e jashtëzakonshme bënë që kjo vijë e frontit të mos thyhet asnjëherë.




“VEZHBET” E UJ-së LANË PAS VETES DJEGIE E SHKATËRRIME NË MASË, VRASJE E MASAKRIME TË BANORËVE SHQIPTARË


Për ushtarin e UJ-së Rasho Dunjiq (1979), nga Beogradi, në publikimet zyrtare serbe thuhet se është vrarë më 29.3.1999 në rajonin e fshatit Pozhar, komuna e Deçanit, kur “terroristët shqiptarë” e goditën tankun ku gjendej ai; ushtari Velko Petroviq (1978), nga fshati Petrovac–Zhiça, Matarushka Banja (i lindur në Viti të Kosovës), është vrarë më 30.3.1999, në paralagjen Kapeshnicë të Pejës, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”.
Liljana Zhikiq - Karagjorgjeviq (1957) nga Kragujevci, pjesëtare e UJ-së, thuhet të jetë vrarë më 1.4.1999 në rajonin e fshatit Lybeniq, komuna e Pejës, me rastin e kryerjes së detyrës luftarake.
Duhet kujtuar se më 1 prill 1999 nuk ka pasur luftime në rajonin e fshatit Lybeniq, nuk ka pasur as incidentin më të vogël, në mes UÇK-së dhe forcave serbe. Megjithatë, këtë ditë në fshatin Lybeniq të Pejës, mu rrëzë bjeshkës, nga ushtria jugosllave, policia dhe paramilitarët serbë u plaçkitën, u ekzekutuan e masakruan mizorisht, e më pas ua dogjën kufomat mbi 80 civilëve shqiptarë. Edhe në ditët që vijuan në bjeshkët mbi fshatrat Lybeniq dhe Strellc, ushtria jugosllave, përkatësisht njësitë speciale të UJ-së, masakruan dhjetëra civilë shqiptarë nga Lybeniqi, Buçani etj., përfshirë edhe gra shtatzëna e fëmijë 2-vjeçarë. Në bazën ushtarake në Zagermë (ngjitur me fshatin Lybeniq) në këtë kohë ishin të përqendruara njësitë e Armatës së Tretë Jugosllave, të ardhura nga Nishi.
Ushtari Dragolub Gjorgjeviq, nga fshati Lebane, thuhet të jetë vrarë më 2.4.1999, në rajonin e fshatit Ponoshec, komuna e Gjakovës, duke kryer detyrën luftarake; ushtari Millovan Topliçanin (1949), nga fshati Maçkovac, komuna e Krushevcit, është vrarë më 8.4.1999, në rajonin e fshatit Lubizhdë, komuna e Istogut, siç thuhet, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”, kur po transportonte ushqimin për në njësinë e tij ushtarake; ushtarët Miodrag Miladinoviq (1962), nga Istogu, dhe Momçillo Miniq (1961), nga Istogu, janë vrarë më 11.4.1999 në fshatin Tomoc, komuna e Istogut, nga pusia e “terroristëve shqiptarë”; ushtarët Jovica Milenkoviq (1975), nga Kragujevci dhe Branko Çuturilo (1957) nga fshati Klenak, komuna e Gospiqit, Kroaci, janë vrarë më 11.4.1999, në fshatin Strellc i Poshtëm, komuna e Deçanit, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”; ushtari Aleksandar Kisin (1972) nga Gajdobra, komuna e Baçka Pallankës, thuhet se është vrarë më 20.4.1999 në Pejë, i qëlluar me snajper nga “terroristët shqiptarë”;
Togeri Aleksandar Majstoroviq (1968), nga Çaçaku (i lindur në Mostar), është vrarë më 1.5.1999, në rrugën Mrasor – Klinë, duke rënë në pusinë e “terroristëve shqiptarë”; kapteri i Klasit të Parë Goran Trifunoviq (1973), nga fshati Prevest, komuna e Rekovacit (i lindur në Jagodinë), është vrarë më 6.5.1999, në rajonin e Karaullës “Boro Vukmiroviq”, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”; Aleksandar Gjuroviq, toger nga Priboji, i lindur në vitin 1974 në Prijepole, është vrarë në natën ndërmjet 6 dhe 7.5.1999 në rajonin e Karaullës “Boro Vukmiroviq” në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”; ushtari Milovan Ivoviq (1973), nga Peja, është vrarë më 9.5.1999 në fshatin Carrabreg, komuna e Deçanit, (në magjistralen Deçan-Gjakovë, te Ura e Bajramhasanëve – v. j.) kur “terroristët shqiptarë” goditën kamionin e tij me minahedhës; ushtari Radomir Mikiq (1977), nga Peja, është vrarë më 9.5.1999 në Pejë, nga “terroristët shqiptarë”; ushtari Zoran Shiliq (1963), nga fshati Zhabar, komuna Topolla (i lindur në Pançevë), është vrarë më 11.5.1999, në fshatin Irzniq, komuna e Deçanit, kur automjeti në të cilin gjendej, shkeli në minën antitank, të vënë nga ana e “terroristëve shqiptarë”; ushtari Nenad Ristiq (1975), nga fshati Lubizhdë, komuna e Istogut, është vrarë më 19.5.1999, në rajonin e fshatit Prigodë, komuna e Istogut, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”; ushtari Borisha Stuplanin (1969), nga fshati Velika Drenova, komuna e Trestenikut, është vrarë më 19.5.1999, në rajonin e Deçanit nga “terroristët shqiptarë”; kapteri Zhivan Periq (1958), nga fshati Plloçicë, komuna e Kovinit, është vrarë në vijën e frontit më 20.5.1999, në rajonin e Gjakovës; ushtarët Dragiq Gjorgjeviq (1977), nga fshati Vodicë, komuna e Prokuples, Dejan Ivkoviq (1973), nga fshati Megjë ose Bojnik (i lindur në fshatin Drenoc i Poshtëm), komuna e Zhitoragjës, Dragan Kuzmanoviq (1961) nga Kurshumlia, Millan Miletiq (1976), nga Prokupla, Goran Millosheviq (1970), nga fshati Orlane, komuna e Dolevacit (i lindur në fshatin Samarinovac, komuna e Zhitoragjës), janë vrarë më 24.5.1999 në fshatin Kralan, komuna Gjakovës, nga shpërthimi i minës kundërkëmbësorike që e kishin vënë “terroristët shqiptarë”; ushtari Dejan Miletiq (1978), nga fshati Baçinë, komuna e Varvarinit (i lindur në Krushevc), është vrarë më 28.5.1999, në fshatin Lumbardh, komuna e Deçanit; Shulga Fjodor, vullnetar nga Moska, me banim në rrugën “Klenovi Bulvar” nr.8/3, i lindur më 21.1.1963 në Sibir, Rusi, nga baba Fjodoroviqi, thuhet se është vrarë më 31.5.1999, në rajonin Mrçaja (?) të komunës së Deçanit apo të Gjakovës, me rastin e sulmeve të “terroristëve shqiptarë”. Po ashtu edhe ushtarët Zhelko Boshkoviq (1978), nga fshati Grançarevo, komuna e Bello Poles dhe Darko Bujosheviq (1979), nga Zajeçari, thuhet se janë vrarë më 31.5.1999 në rajonin e fshatit Mrçaja (?), gjatë sulmit të “terroristëve shqiptarë”; tetari Nebojsha Zdravkoviq (1978), nga fshati Parallovë, komuna e Gjilanit, është vrarë më 5.6. 1999 në rajonin e fshatit Mrçajë (?), komuna e Gjakovës, në luftë kundër “terroristëve shqiptarë”; ushtari Gjoko Dela (1962), nga Knini (Kroaci), është vrarë më 10.6.1999, në rajonin Guri i Gatë (në Bjeshkë të Belegut) komuna e Deçanit, duke kryer detyrën ushtarake; ushtari Safet Liqina (1956), nga Berana, thuhet se është vrarë në krye të detyrës luftarake, më 12.6.1999, në Pejë.
Ndonëse duke pasur në posedim armatimin më modern, artilerinë e rëndë dhe mjetet më të sofistikuara luftarake, njëkohësisht duke pasur parasysh dallimet jashtëzakonisht të mëdha në numër të forcave ushtarako-policore serbe në krahasim me UÇK-në, megjithatë, dëmet në radhët e forcave serbe gjatë luftimeve me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin shumë të mëdha, ndonëse Serbia gjithnjë i ka mohuar e në rastet tjera i ka minimizuar humbjet në radhët e forcave të veta. Këtë e dëshmon edhe një dokument tre-faqesh, i shkëputur nga Libri i Protokollit në Qendrën Spitalore Rajonale të Pejës. Në bazë të këtij protokolli del se në Spitalin e Pejës, vetëm në periudhën gjashtëditore (31 maj – 5 qershor 1999), janë shtruar për mjekim 49 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave, të plagosur rëndë në luftime. Duhet kujtuar se në këtë periudhë kohore, siç është raportuar nga terreni gjatë luftës, në frontin e Dashinocit e të Lumbardhit, luftëtarët e UÇK-së janë ndeshur madje edhe trup më trup me këmbësorinë e ushtrisë jugosllave - serbe, ku shumë prej tyre kishin mbetur të vrarë e të plagosur, por pa mundur të thyejnë pozicionet e UÇK-së.
Më poshtë do të paraqesim regjistrin e pjesëtarëve të plagosur të UJ-së, të shtruar në Spitalin Regjional të Pejës në periudhën (31 maj – 5 qershor 1999):

1. Miodrag Nikoliq (1960), nga Leskovci, rezervist, V.P. 8365/46,
2. Nenad Lesheviq (1967), nga Kraleva, V.P. 8365/74,
3. Zoran Gjorgjeviq (1951), nga Lebane, rezervist,
4. Radosav Toskiq (1954), nga Vrnjaçka Banja, V.P. 3753/85,
5. Zvonko Stojkoviq (1959), nga Mitrovica e Kosovës, V.P. 8365/15,
6. Sllavomir Rangjeloviq (1960), nga Dolevaci, V.P. 3341/7,
7. Sllagjan Timotijeviq (1973), nga Leposaviqi, V.P. 8365/7,
8. Millorad Zhivaleviq (1960), nga Peja, V.P. 8365/20,
9. Predrag Vojinoviq (1966), nga Peja, rezervist,
10. Desimir Grulanoviq (1966), nga Peja, rezervist,
11. Radovan Kovaçiq (1968), nga Bugojna, V.P. 8365/82,
12. Ivan Mlladenov (1970), nga Mitrovica e Kosovës, V.P. 8365/4,
13. Radisha Tanasijeviq (1963), nga Kraleva, rezervist,
14. Miodrag Orloviq (1955), nga Mitrovica e Kosovës, rezervist, V.P. 8365/62,
15. Goran Mitiq (1962), nga Nishi, rezervist,
16. Miodrag Milkoviq (1969), nga Leskovci, rezervist,
17. Zoran Petroviq (1970), nga Tresteniku, V.P. 4356/83,
18. Voja Mojoviq (1956), nga Kraleva, V. P. 8365/83,
19. Svetisllav Prashçeviq (1968), nga Peja, V.P. 4386/2,
20. Zhivorad Bakiq (1959), nga Peja, rezervist,
21. Mirolub Arsiq (1952), nga Prishtina, rezervist,
22. Dejan Triçkoviq (1978), nga Knjezhevci, ushtar, V.P. 8070/7,
23. Nebojsha Velikoviq (1972), nga Mitrovica e Kosovës, V.P. 3341/3,
24. Stanisha Stojanoviq (1960), nga Leskovci, V.P. 3441/10,
25. Dragan Millosheviq (1970), nga Beogradi, V.P. 4544,
26. Zoran Portiq (1970), nga Peja, V.P. 6191/18,
27. Srgjan Arsiq (1977), nga Smedereva, V.P. 8365/21,
28. Goran Stoilkoviq (1968), nga Leskovci, V.P. 8365/53,
29. Millorad Stanisavleviq (1949), nga Peja, V.P. 6141/17,
30. Novica Shapiq (1979), nga Kraleva, ushtar, V.P. 8365/18,
31. Sasha Millosheviq (1975), nga Prokupla, V.P. 8365/82,
32. Srgjan Dakiq (1974), nga Peja, V.P. 8365/19,
33. Bojan Joksimoviq (1979), nga Prishtina, V.P. 8365/63,
34. Miodrag Periq (1961), nga Mitrovica e Kosovës, V.P. 8365/83,
35. Filiq Qiriq (1979), nga Piroti, ushtar, V.P. 8365,
36. Grado Milosavleviq (1960), nga Mitrovica, V.P. 8365/46,
37. Vlladan Jaqimoviq (1965), nga Leposaviqi, V.P. 8365/61,
38. Srgjan Shlivançanin (1978), nga Zhabla, V.P. 8365/64,
39. Jovica Jonjiq (1962), nga Mitrovica e Kosovës, V.P. 8365/60,
40. Srgjan Timotijeviq (1973), nga Leposaviqi, V.P. 8365/7,
41. Miodrag Mirkoviq (1957), nga Kraleva, V.P. 4356/30,
42. Milomir Vukanoviq (1974), nga Leposaviqi, rezervist,
43. Millosh Panteliq (1977), nga Arangjelovaci, ushtar,
44. Danillo Marjanoviq (1979), nga Gjakova, V.P. 8238/3,
45. Nebojsha Stevanoviq (1968), nga Kraleva, V.P. 9356/29,
46. Dalibor Popoviq (1979), nga Zajeçari, V.P. 7238/5,
47. Emil Bahtjaroviq (1977), nga Prizreni, V.P. 8365/72,
48. Igor Milidragoviq (1974), nga Mitrovica e Kosovës, V.P. 8365/4,
49. Nebojsha Velkoviq.



Humbjet e mësipërme të forcave serbe sado që realisht me të drejtë mund të konsiderohen shifra të zvogëluara të pranimit të humbjeve në radhët e UJ-së, megjithatë edhe si të tilla janë të mjaftueshme, në mos për asgjë tjetër, për të dëshmuar pjesëmarrjen e ushtrisë jugosllave në operacione luftarake në rajonet e lartcekura. Sepse pa qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në operacione luftarake pjesëtarët e UJ-së nuk kanë mundur të vriten në Kosovë.
Sado që dikush përpiqet t’i ikën përgjegjësisë, megjithatë është fakt i pamohueshëm se Ushtria Jugosllave gjatë luftës në Kosovë, me theks të veçantë në gjithë rajonin e Dukagjinit, ishte pjesëmarrëse në operacionet kundër UÇK-së, pjesëmarrëse në krime kundër popullsisë civile dhe rajoneve shqiptare përgjithësisht. Për këtë ka qindra dëshmi madje edhe të vet ushtrisë jugosllave-serbe. Operacionet luftarake ndëshkuese kundër popullit shqiptar në Kosovë e që në dokumentet e UJ-së paraqiten si “vezhbe” (stërvitje), lanë pas vetes djegie e shkatërrime në masë, vrasje e masakrime të panumërta të banorëve shqiptarë.


“USHTRIA JUGOSLLAVE” PËRGJEGJËSE PËR VRASJEN E TË PAKTËN 800 FËMIJËVE GJATË LUFTËS NË KOSOVË


Fushata e spastrimit etnik, e vrasjeve dhe e masakrave të forcave pushtuese serbe mbi popullatën shqiptare, synohej të paraqitej si luftë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por, faktet dëshmojnë se në shënjestër të kësaj fushate, ishin jo vetëm pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre, por të gjithë shqiptarët pa dallim, madje në sa e sa raste edhe ata që konsideroheshin si qytetarë lojalë ndaj pushtuesve serbë. Këtë e dëshmojnë edhe vetë pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë serbe, të cilët morën pjesë në fushatën e terrorit dhe të gjenocidit kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Forcat policore-ushtarake serbe vepronin së bashku nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Taktikat gjithnjë ishin të njëllojta dhe kasaphana kundër civilëve i vuri shumicën e shqiptarëve të tmerruar në ikje. Shumë shpejt forcave serbe u mjaftonte të ekspozonin vetëm një apo dy kufoma për të boshatisur një fshat të tërë.
Një “raport i brendshëm”, i cilësuar “tepër sekret”, i hartuar nga shërbimet sekrete të “Ushtrisë Jugosllave”, në janar/shkurt të vitit 2000, jep një pamje të përmasave të krimeve të tmerrshme që kryen forcat ushtarake serbo-jugosllave gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë. Veçanërisht tronditëse ishin dëshmitë për vrasjen e fëmijëve. “Dëshmitë e përbashkëta të oficerëve në terren, tregojnë se njësitë e Ushtrisë Jugosllave kanë qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 800 fëmijëve shqiptarë nën moshën pesë vjeç.”
Raporti ishte publikuar nga gazetari Miroslav Filipoviq nga Kraleva. Në artikullin e tij për IWPR-në, “Oficerë serbë tregojnë krimet”, i botuar më 4 prill 2000, Filipoviq ka cituar këtë raport tepër sekret mbi krimet e luftës në Kosovë, të cilin ushtria jugosllave e nxori në pranverë të vitit 2000, në përpjekje për të ndaluar Sllobodan Millosheviqin që të mos shkaktonte një konflikt të ri në Mal të Zi. Me këtë raport janë njoftuar personalisht gjeneralkoloneli Nebojsha Pavkoviq, atëherë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së, dhe Sllobodan Millosheviqi, kryetar i RFJ-së. Dokumenti tepër sekret paraqet një pamje shumë të errët të oficerëve të “Ushtrisë Jugosllave”, të cilët kanë treguar për krimet e tmerrshme të kryera nga “Ushtria Jugosllave” në Kosovë gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.
Siç del nga ky dokument, për shumë nga oficerët, propaganda që bën Beogradi është e pavërtetë dhe e pabesueshme. Komandanti i një njësie tankiste ka hedhur poshtë pretendimet e pavërteta serbe se fushata e Kosovës kishte për synim shtypjen e “separatistëve” shqiptarë, duke thënë:

Gjatë gjithë kohës sa kam qenë në Kosovë nuk kam parë asnjë ushtar armik dhe njësia ime nuk është përfshirë asnjëherë në luftime apo nuk ka hapur zjarr ndaj objektivave ushtarake. Tanket moderne janë dërguar kundër fshatrave të pambrojtura shqiptare. Tanket, që kushtojnë 2.5 milionë dollarë amerikanë secili, janë përdorur për të masakruar fëmijë shqiptarë, ka thënë ky oficer, për të përfunduar se për gjithë këtë “më vjen turp”.

Një oficer tjetër, i quajtur Drazhen, i cili ka marrë pjesë në luftë në Kosovë, kujton:

Kam parë me sytë e mi se si një rezervist rreshtoi para një muri rreth 30 gra dhe fëmijë shqiptarë. Mendova se ai donte vetëm t’i frikësonte ata, por pastaj shkoi pas një mitralozi të rëndë kundërajror dhe tërhoqi këmbëzën. Plumbat 12 milimetërsh i këputnin në mes trupat e tyre. Më dukej si një skenë e ndonjë filmi aksion, por në fakt ajo ndodhi me të vërtetë. Drazheni përfundon: Nuk e di se si do të jetoj me këto kujtime, se si mund t’i rris fëmijët e mi. Unë dëshiroj t’i shoh ata që kanë kryer këto krime përpara gjykatës.

Ndërkaq, një oficer zbulues i një brigade xheniere, i quajtur Vladimir, ka thënë se rezervistët e “Ushtrisë Jugosllave” në Kosovë ishin krejtësisht të pakontrolluar dhe komandantët e tyre nuk kanë bërë shumë për të ndërhyrë:

Gjatë një operacioni të spastrimit etnik në një fshat në Kosovën Juglindore, ne u dhamë fshatarëve gjysmë ore kohë për t’u larguar nga shtëpitë. Ata qëndronin në një rresht të gjatë, përgjatë rrugës që të çonte jashtë fshatit. Një rezervist i mbiquajtur “Crni” iu afrua një plaku, i cili mbante në dorë një fëmijë rreth tre ose katër vjeç. Ia mori fëmijën nga duart dhe kërkoi nga plaku një pagesë prej 20 000 markash gjermane. Shqiptari kishte vetëm 5 000 marka. “Crni” e mori fëmijën për flokësh, nxori një thikë nga brezi dhe i preu kokën. - “5 000 marka janë të mjaftueshme vetëm për trupin!”, tha “Crni” dhe eci përpara fshatarëve të tjerë, duke mbajtur kokën e fëmijës nga flokët.
E gjithë kjo ka ndodhur në sytë e dhjetëra njerëzve, vazhdon Vladimiri. Ne ishim të gjithë në një gjendje shoku: disa ushtarë vollën, ndërsa nëntogeri ynë i ri në moshë humbi ndjenjat para një pamjeje të tillë makabre të trupit pa kokë në tokë. “Crni” më pas u deklarua si i papërgjegjshëm mendërisht, u shkarkua dhe u dërgua në shtëpi. Por ai është akoma i lirë, megjithëse ka kryer këtë krim të tmerrshëm.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, “Ushtria Jugosllave” kishte nisur një hetim për sjelljen dhe veprimet e rreth 245 ushtarëve të saj. Ndaj 183 prej tyre janë ngritur akuza për krime të kryera në periudhën 1 mars 1998 - 26 qershor 1999. Asnjë prej këtyre akuzave nuk lidhet me ato që kanë ndodhur në minierën e Trepçës apo me kamionin frigoriferik nga Peja. Asnjë hollësi nuk dihet rreth këtyre akuzave, madje nuk dihet as identiteti i personave të akuzuar dhe është fare e dyshimtë nëse ata do të dalin ndonjëherë para drejtësisë.
Përkundrazi, vetëm sa janë graduar dhe ngritur në pozita. Vlen të përmendet rasti i kolonelit të KOS-it ushtarak serb, Momir Stojanoviq, i cili jo vetëm që nuk është përgjigjur për krimet dhe masakrat e bëra gjatë luftës në Kosovë, por, përkundrazi, në mars të vitit 2003, u emërua shef i Shërbimeve Sekrete të Ushtrisë serbe – VBA.
Momir Stojanoviq, ka qenë anëtar i Komandës së Përbashkët ushtarako-policore serbe në Kosovë, e krijuar në vitin 1998, me qendër në Gjakovë, e cila ishte formuar për koordinimin e operacioneve ndëshkuese luftarake, të cilën e drejtonin Dushan Matkoviq, Milomir Miniq, Zoran Angjelkoviq, Sreten Lukiq, Nebojsha Pavkoviq, David Gajiq, etj.
Dëshmi të pakontestueshme tregojnë se Miomir Stojanoviq ka qenë njëri ndër përgjegjësit për planifikimin dhe zbatimin e ekzekutimit më të madh në masë gjatë luftës në Kosovë. Stojanoviq, i cili kishte marrëdhënie të ngushta me Nebojsha Pavkoviqin, ka urdhëruar vrasjen dhe masakrimin e qindra civilëve shqiptarë në Mejë e Korenicë të Gjakovës, më 27 prill 1999.
Vendimi për kryerjen e kësaj masakre është marrë në prill të vitit 1999, në një shtëpi private afër kazermave të “ushtrisë jugosllave” në Gjakovë, ku është mbajtur një takim jozyrtar, në të cilin kanë marrë pjesë shumë zyrtarë të policisë dhe të ushtrisë, ka dëshmuar ish-oficeri aktiv i ushtrisë jugosllave, Nikë Peraj, në gjykimin kundër Millosheviqit në Hagë, në maj të vitit 2002. Personalisht Peraj ishte i pranishëm në atë takim. Gjithashtu, më pak se një javë pas kryerjes së kësaj masakre, Peraj ka thënë se e ka dëgjuar Stojanoviqin duke i siguruar oficerët e tjerë se ai do t’i mbronte ndaj çdo hakmarrjeje të mundshme. Për më tepër, ai ka përmendur miqësinë e tij të ngushtë me gjeneralin Nebojsha Pavkoviq. Peraj ka thënë se ai ka qenë gjithashtu në Shtabin e Përgjithshëm të UJ-së në Gjakovë, më 28 prill 1999, kur majori Zdravko Vinter ka përgatitur një raport për komandën e Armatës së Tretë në Nish, një ditë pas masakrës në Mejë dhe Korenicë. “Zdravko Vinter ka theksuar në raportin e tij se 74 terroristë janë vrarë në Korenicë dhe 68 në Mejë,” ka thënë Peraj.
Faktikisht, në Mejë e Korenicë, më 27 prill, nuk është ekzekutuar asnjë “terrorist”, por janë ekzekutuar 377 civilë shqiptarë, të nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe nga kolona e të dëbuarve për në Shqipëri, në mesin e tyre djem të rinj 13-14-vjeçarë e pleq... Mbetjet e eshtrave të mbi 340 prej tyre janë gjetur në varrezat masive në afërsi të Beogradit, në Batajnicë.
Xhemajl Avdullahun nga Popoci i Gjakovës, të cilit në luftë iu vranë tre djem dhe dy të tjerë i vuajtën burgjeve të Serbisë, edhe sot e mbulojnë djersë të ftohta dhe rrëqethet kur kujton 27 prillin e vitit 1999. Atë ditë me familje gjendej në fshatin Sheremetaj, kur ishin dëgjuar britmat “Po vjen ushtria serbe!”, “Po vijnë njësitë e Arkanit!”. Popullatën e tmerruar po e grumbullonin dhe dëbonin në drejtim të Gjakovës. Derisa me qerre me kalë po udhëtonte bashkë me familjen në kolonën e të dëbuarve, afër Mejës, i ndaluan forcat ushtarako-policore serbe. Një ushtarak, me fytyrë të ngjyrosur, ua rrëmbeu nga duart mbesën 4-vjeçare, Edonën. E kapi për flokësh, e ngriti lartë dhe ia vuri thikën në fyt, duke kërkuar para në këmbim të saj. Edonën e lëshoi pasi Xhemajli ua dha paratë (marka gjermane) aq sa kërkuan. Sapo e lëshuan Edonën, ia rrëmbyen djalin 15-vjeçar, Imerin. “O babë, pashë Zotin mos më le!”, bërtiste me sa zë që kishte duke iu ngjitur për gjoksi për të mos u shkëputur nga babai. Xhemajli tenton t’u japë sërish para, por paratë nuk bëjnë punë më. “Merrmëni mua në vend të tij, e lëreni këtë se është fëmijë”, u thotë. Por jo. “Me ty kemi krye punë”, ia kishte kthyer njëri prej tyre, me uniformë kamuflazhi e maskë në fytyrë, që dukej se e njihte mirë. Djalin ia mënjanoi te grupi i të ndaluarve, që më pas u ekzekutuan, të tjerët i urdhëruan të vazhdojnë rrugën... “O babë, mos më le, pashë Zotin mos më le…”, edhe sot i tingëllon thekshëm zëri i të birit që i vinte nga prapa. Dy vjet më parë, mbetje eshtrash të Imer Avdullahut (15) janë sjellë nga varrezat masive të Serbisë dhe janë varrosur në Mejë.
Xhemajli më vonë e kishte marrë vesh se ditën e 27 prillit, në pushkët e para që u dëgjuan në Sheremetaj, në përleshje me forcat serbe, ishte vrarë njëri prej djemve të tij, Mustafë Avdullahu (1969) së bashku me Xhavit Fetahajn (1958), arsimtar nga Skivjani i Gjakovës, Rexhep Hajdarajn (1962), mjek nga fshati Shaptej i Deçanit dhe Hasan Metajn (1957) nga Skivjani i Gjakovës. Më pas, forcat serbe kishin tentuar t’ua digjnin kufomat. Kufomat e tyre ashtu gjysmë të djegura i shpëtuan disa fshatarë, të cilët i varrosën fshehurazi në mal, para se të mbërrinte njësia serbe e “spastrimit të terrenit”.