RECENSION
LIBËR QË PASQYRON NDËRKOMBËTARIZIMIN DHE SENSIBILIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NGA MËRGATA SHQIPTARE NË AMERIKË
(Dr. Riza Sadiku: Mërgata shqiptaro – amerikane për Kosovën, Prishtinë 2011).
Mikel GOJANI
Historiani
dhe studiuesi i mirënjohur , dr. Riza Sadiku, autor i shumë veprave
studimore historike, po ashtu edhe i shumë publikimeve shkencore, këto
ditë ka botuar librin mjaft voluminoz të titulluar, “Mërgata
shqiptaro-amerikane për Kosovën”.
Thelbi
kryesor që përvijohet në librin e studiuesit Sadiku është pikërisht
lidhja shpirtërore e mërgatës sonë të cilët jetojnë dhe veprojnë në
Amerikë, me atdheun/kombin e tyre, e cila lidhje që më tepër që një
shekull pa u ndalë veproi si një trung i vetëm dhe gjithnjë duke i
dalë zot atdheut/vendit të të parëve.
Libri
është i shkruar në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Librit i paraprin
një parathënie e autorit, i cili jep disa të dhëna rreth rrugëtimit
historik të shqiptarëve, përkatësisht mërgimit të këtij komuniteti
nëpër dallgët e kohërave për në “tokën e ëndërrimeve të mëdha”.
Autori
Sadiku, po ashtu në libër ngërthen veprimtaritë dhe angazhimet e kësaj
“dege të ndarë nga trungu amë”, tejoqeanit. Duke gjurmuar të kaluarën
shqiptare në Amerikë që nga thellësitë e dekadave të veprimit të tyre,
gjejmë kontributin e shumë misionarëve të shquar, qysh në kohërat e
hershme dhe deri në ditët tona. Po ashtu, në libër gjejmë edhe rolin
dhe kontributin e çmueshëm që kanë dhënë në ruajtjen e identitetit dhe
të përhapjes së dijes dhe kulturës shoqatat dhe gazetat e kohës, që
nga “Vatra”, “Besa Besën, “Dielli” etj. edhe sot këto shoqata dhe
gazeta luajnë një rol tejet të rëndësishëm në jetën kulturore,
politike dhe shoqërore në Amerikë. Një argument i rëndësishëm të cilin
nuk duhet harruar për asnjë çast këtij komuniteti është edhe kontributi
dhe angazhimi i tyre në ndërkombëtarizimin dhe sensibilizimin e
çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare në përgjithësi tek qarqet me
relevante politike në Amerikë, por edhe në vendet të tjera të botës
demokratike, deri më çlirimin e tokës së Kosovës, në qershorin e vitit
1999.
Në vijim autori prezanton
edhe emrat (me biografi të shkurtra), të të gjithë kryetarëve të
Amerikës, që nga Xhorxh Uashingtoni (kryetar i parë i SHBA-ve) dhe deri
të Barak Obama, president i fundit, i cili gjendet edhe aktualisht në
krye të Shtetit Amerikan.
Cilitdo
lexues që lexon këtë libër monografik, në fillim të tij i bie në sy,
po ashtu edhe mesazhi i mikut dhe ish-kryetarit të SHBA-ve, T. Ruzvelt,
për popullin shqiptar, dhënë Nolit më 25 korrik 1918, gjatë një
interviste, të cilën më 26 korrik 1918 e boton gazeta “Dielli”. Në të,
veç tjerash thuhet: “Shqiptarët i dua dhe i admiroj, se janë një racë e
vjetër dhe trime, që meriton të shpëtohet dhe të vetëqeveriset. Di që
në shumë raste turqit, grekët dhe serbët bashkoheshin dhe lidheshin me
tyre për t’u bënin ballë shqiptarëve. Di pastaj se shqiptarët janë
besnikë dhe të ndershëm dhe kur japin fjalën e mbajnë si burrat...” Në
vazhdim të intervistës, kryetari i atëhershëm, T. Ruzvelt, shqiptarëve
po ashtu u jep këtë porosi: “Thuaju shqiptarëve që dëshiroj ta shoh
Shqipërinë intependente, dhe që independenca e tyre duhet të sigurohet
nën mbrojtjen dhe garancinë e Fuqive Aleate, të Amerikës, Inglizit dhe
Francës. Nga ana ime do të bëj ç’të më vijë dorës për të drejtat e
racës shqiptare”, thuhet në mesazhin e kryetarit Ruzvelt.
Sipas
autorit Sadiku, me rritjen e numrit të mërgimtarëve shqiptarë, në
fillim të shekullit XX në Amerikë filluan të themeloheshin shoqëritë
kulturore, po ashtu edhe botimi i gazetave. Në këtë drejtim, në këtë
kohë në themelimin e këtyre shoqërive dhe hapjen e këtyre gazetave
kontributin më të madh kanë dhënë intelektualët dhe personalitetet të
kohës, si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kristo Floqi, Paskal
Aleksi e shumë të tjerë. Në fokus të këtij angazhimi dhe aktiviteti
autori pasqyron Federatën Panshqiptare “Vatra”, e cila prej themelimit
më 1912, e deri më sot ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në
kultivimin e traditave kombëtare dhe ndërgjegjësimin kombëtar. Edhe
gazeta “Dielli”, organ i kësaj shoqate gjatë gjitha periudhave ka
luajtur një rol shumë të rëndësishëm në fushën e informimit dhe të
publicistikës.
Libri i
studiuesit Sadiku, është i konceptuar në disa kapituj, që janë renditur
kronologjikisht, pra kapituj këta, që paraqesin një kontinuitet të
rrugëtimit historik të këtij komuniteti dhe të veprimtarive të tij
gjatë këtij rrugëtimi.
Në
kapitullin “Shpërngulja e shqiptarëve në SHBA pas mbarimit të Luftës së
Dytë Botërore dhe veprimtaria e tyre kombëtare”, autori pasqyron
migrimin e shqiptarëve në Amerikë gjatë kësaj periudhe, po ashtu edhe
kontributin dhe angazhimin e tyre në të mirë të çështjes kombëtare. Në
këtë kapitull autori vë në pah themelimin dhe organizimin e disa
shoqatave dhe komiteteve shqiptare të cilat funksionin e tyre e kanë
zhvilluar krejt në shërbim të kauzës. Këtu potencohet roli dhe
kontributi i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, në krye të Mid’hat
Frashërit më 1948, që ishte themeluar më 1948, mirëpo ky Komitet kishte
paraparë që selinë ta ketë në Nju Jork, mirëpo për shkak të vdekjes së
hershme të kryetarit të këtij komiteti, Mid’hat Frashëri, ajo mbetet në
Paris.
Në vijim të kapitullit
“Lidhja kosovare”, autori trajton themelimin dhe kontributin politik
të “Lidhjes kosovare”, që lindi si kërkesë e kohës më 1949, për t’i
përfaqësuar drejtpërdrejt, në mënyrë legjitime dhe institucionale
interesat e popullit shqiptar të Kosovës, prej Manastirit deri në Tivar,
në organizatën e bashkimit Federal të Grupeve Etnike të Evropës, në
administratën amerikane dhe tek organizatat të tjera ndërkombëtare. Në
themelimin dhe veprimin e kësaj lidhjeje kontribut të veçantë kanë
dhënë Mid’hat Frashëri, i cili njëherësh ishte edhe ideator i këtij
komiteti, pastaj, personalitetet e kohës, si Ing. Nexhat Mitrovica,
Prof. Luan Gashi, Hafëz Jusuf Azemi, Ing. Adem Gllavica, prof. Ibrahim
Kelmendi, Prof. Hysni Hoxha, Ing. Ejup Binaku dhe Avdyl Henci. Kurse, si
organ i kësaj Lidhjeje ka qenë gazeta “Përpjekja kosovare”, kontributi i
secilës është e jashtëzakonshme.
Kapitujt
në vijim, “Shënimi i javës së Kombeve të Robëruara në SHBA dhe
rëndësia politike në afirmimin e çështjes kombëtare – Kosovës”, po
ashtu edhe “Rëndësia politike e shënimit të Ditës së Flamurit Kombëtar
në SHBA”, paraqesin ngjarje të rëndësishme të aktivitetit dhe angazhimit
të komunitetin shqiptar në Amerikë.
Po
ashtu, interes të veçantë në këtë libër paraqet edhe kapitulli
“Kontributi i mërgatës shqiptare në ndërkombëtarizimin e çështjes së
Kosovës përmes demonstratave në SHBA”, ku autori pasqyron rolin e
mërgatës shqiptare në Amerikë gjatë gjitha periudhave të veçanta
historike, që përmes organizimit të protestave dhe demonstratave të
bëjë afirmimin dhe sensibilizimin e çështjes shqiptare. Sipas autorit
organizimi i këtyre demonstratave dhe protestave të shqiptarëve nëpër të
gjitha vendet të Amerikës janë zhvilluar gjatë zhvilluar gjatë gjitha
periudhave kohore, mirëpo, ato intensifikohen në vitin 1968, dhe
sidomos pas vitit 1981, për shkak të masave represive, vrasjeve dhe
dënimeve drakonike që kanë ushtruar pushtetmbajtësit e regjimit
serbollav ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve shqiptarë të
demonstratave në Prishtinë dhe në Tetovë, dhe të atyre në tërë Kosovën
më 1981. Kulmin e demonstratave mërgata shqiptare në Amerikë e arrin
gjatë viteve 1989-1999, kur regjimi shovinist i Milosheviqit e ndryshon
me dhunë Kushtetutën e Kosovës dhe e shkallëzon edhe më shumë shtypjen e
popullit shqiptar, nga e cila dhunë shpërtheu lufta e armatosur
ndërmjet regjimit serb të Beogradit dhe UÇK-së. Kjo mërgatë përmes
demonstratave, jo vetëm që sensibilizoi opinionin amerikan dhe botëror,
për dhunën që ushtronte regjimi komunist i Serbisë ndaj populli
shqiptar, në veçanti ndaj atij të Kosovës, pro përmes peticioneve dhe
memorandumeve të ndryshme arriti ta aktualizonte çështjen shqiptare te
organizatat ndërkombëtare, në administratën amerikane dhe te
përfaqësuesit e shteteve të ndryshme demokratike. “Demonstratat e
mërgatës shqiptare në Amerikë, shprehet autori, ndikuan edhe në
ndërgjegjësimin e një pjese të mërgimtarëve dhe të shqiptarëve të
vendeve të ndryshme të trojeve etnike, të cilat patën ndikim në
kontributin e përgjithshëm që dha populli shqiptar si në aspektin
humanitar, ashtu edhe në atë financiar gjatë kohës së segregacionit të
regjimit gjenocidial të Beogradit kundër popullit shqiptar të Kosovës,
si dhe gjatë periudhës së luftërave çlirimtare, të cilat shpërthyen në
territoret shqiptare të ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1999-2001”,
shprehet autori Sadiku dhe sqaron se demonstrata të tilla janë mbajtur
në shumë shtete dhe qytete të Amerikës, si në Uashington, Nju Jork,
Detroit, Bonston etj.
Kapitull, i
cili në vete ngërthen shumë çështje të rëndësishme për mërgatën
shqiptare në Amerikë, paraqet shënimi i jubileve kombëtare në funksion
të afirmimit të çështjes shqiptare, me ç’rast, në këtë aspektin rol
dhe kontributin e vet shumë të çmuar e ka luajtur Lëvizja kombëtare
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Mërgim”, e cila funksionin e vet me
mjaft sukses për shumë dekada e ka luajtur dhe akoma e luan në Amerikë,
përkatësisht në Nju Jork, me kryetarin e saj, Ismet Berisha dhe
sekretarin e përgjithshëm, studiuesin Tomë Mirjaj. Kjo lëvizje
nacionaliste dhe kombëtare, gjatë rrugëtimit të vet historik, në
vazhdën e shumë aktiviteteve ka zhvilluar shumë veprimtari politike,
kulturore dhe kombëtare, krejt me qëllim të sensibilizimit dhe
internacionalizimit të çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare në
përgjithësi. Në veprimtaritë që ka zhvilluar kjo Lidhje kanë marrë
pjesë personalitete shumë të çmuara të jetës politike, shkencore dhe
kulturore, të mërgatës shqiptare, mirëpo edhe personalitete të tjera nga
këto fusha edhe të jetës politike, shkencore dhe kulturore amerikane.
Në këto organizime, me qëllim të propagandimit, të sensibilizimit dhe të
mbajtjes gjallë të jetës politike, shkencore, kulturore dhe
kombëtare, veprimtarët të kësaj organizate nacionaliste pjesëmarrësve
dhe mjeteve të informimit publik u kanë shpërndarë materiale të
ndryshme propagandistike, botime të veçanta ekskluzive, broshura,
buletine informative, harta të Shqipërisë etnike, rezoluta dhe dokumente
të tjera të miratuara nga organizatat të ndryshme ndërkombëtare.
Janë të shumta veprimtaritë kulturore, politike dhe shkencore që gjatë
viteve të funksionimit të saj që ka zhvilluar kjo Lidhje. Me angazhimin
e kësaj Lidhjeje janë shënuar shumë veprimtari kombëtare, si shënimi i
datave dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, shënimi i jubileve të
personaliteteve të shquara të jetës historike, kulturore e kombëtare të
kombit tonë, si përvjetorët e kryeheroit të kombit tonë, Gjergj
Kastriotit- Skënderbeut, të Lidhjes Shqiptare, etj. Janë të shumta
faksimilet e këtyre aktiviteteve që figurojnë nëpër gazetat e shtypin e
kohës, të organizuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Mërgim”, që
pa një aktivitet të këtillë propaganda jonë në mërgim, përkatësisht në
Amerikë, do të kishte qenë e varfër. Janë të shumta edhe fotografitë që
janë prezantuar në këtë brendi të këtij kapitulli, që dëshmojnë
aktivitetin dhe veprimtaritë të kësaj Lidhjeje. Kjo Lidhje po ashtu ka
ndihmuar shumë edhe lëvizjen e fundit të UÇK-së, që është sublimim i
lëvizjeve të mëparshme ushtarake dhe kombëtare.
Me
qëllim të pasyqrimit të këtyre aktiviteteve dhe veprimtarive të
mërgantës në Amerikë, nën organizimin e Muzeut të Kosovës, përkatësisht
të organizatorit të saj, prof. dr. Riza Sadikut, që është mbajtur në
vitin 2009 në Prishtinë, e cila ekspozitë ka zgjuar interesim të
jashtëzakonshëm në Kosovë. Kjo ekspozitë ka qenë e hapur edhe në
Tiranë. Kjo ekspozitë, duke filluar nga fundi i nëntorit pritet të
hapet edhe në disa qytete të Amerikës, si Washington,Yonkers New York,
Detroit e Chikago. Edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit në mërgim, edhe
sot, me mjaft sukses e zhvillon veprimtarinë e saj kulturore, shkencore
dhe kombëtare, krejt në interes të kombit dhe të kauzës sonë në
përgjithësi. Platforma politike dhe filozofike e kësaj Lëvizjeje ka për
synim bashkimin e trojeve etnike.
Në
këtë aspekt, në vazhdim të librit rëndësi të veçantë paraqet kapitulli
“Roli i mërgatës shqiptare në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në
administratën amerikane”, me ç’rast autori përmes faksimileve të
gazetave dhe revistave të kohës argumenton kontributin e mërgatës
shqiptare në Amerikë për punën dhe angazhimin e tyre që kanë zhvilluar
në sensibilizimin e çështjes së Kosovës tek administratat amerikane,
krejt me qëllim të njohjes së kësaj administrate me të vërtetën e
Kosovës dhe të popullit të saj nën okupimin serb. Janë të shumta letra,
mesazhe dhe kërkesa legjitime të kësaj mërgate që i drejtohen kësaj
administrate me qëllim të kërkimit të ndihmës këtij populli të robëruar
dhe të nëpërkëmbur, me mungesë të lirisë dhe demokracisë. Pastaj, në
vazhdim kemi kapitullin tjetër tejet të rëndësishëm, “Liga qytetare
shqiptaro – amerikane, e udhëhequr nga kryetari i saj veprimtari i
palodhshëm i çështjes kombëtare, Jozef DioGuardi, ligë kjo e cila
gjatë kësaj periudhe ka luajtur rol të rëndësishëm në përforcimin e
lobit shqiptar dhe në sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes
mbarëkombëtare, në veçanti të Kosovës, si në administratën e Kosovës,
ashtu edhe në organizatat tjera ndërkombëtare.
Në
vijim të librit autori Sadiku flet edhe për themelimin dhe rolin
politik të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku sipas tij ky
këshill është organizata më e re politike e themeluar në mërgim më
1996 me seli në Uashington. Në kuadër të këtij këshilli, shpjegon
autori, vepronin edhe disa kongresistë dhe senatorë dhe personalitete të
shquara të jetës politike dhe publike amerikane. Sipas autorit, ky
këshill është organizata më aktive në mërgatën shqiptare, e cila ka
luajtur rol tejet të rëndësishëm, jo vetëm në afirmimin dhe
ndërkombëtarizimin e çështjes mbarëkombëtare, gjatë periudhave të
krizave më të thella për popullin shqiptar, po ashtu rol të rëndësishëm
është duke luajtur edhe sot , si në pranimin e pavarësisë së Kosovës,
po ashtu edhe në respektimin e marrëveshjes politike, të arritura
përmes faktorit ndërkombëtar.
Hapësirë
e rëndësishme brenda kopertinave të këtij libri zë kapitulli shumë i
rëndësishëm “Batalioni i Atlantikut”, që është sublimin i lëvizjeve
të mëparshme të formuara në diasporë, përkatësisht në Amerikë. I madh
është numri i ushtarëve vullnetarë që në kuadër të këtij batalioni iu
bashkëngjitën radhëve të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Sipas autorit,
ky batalion pati jehonë të madhe jo vetëm në mesin e ushtarëve të
UÇK-së, mirëpo njëherësh edhe tek i gjithë populli shqiptar. Është
rasti i parë, nënvizon autori, që në historinë e mërgatës, kur
mërgimtarët e një populli organizohen, uniformohen, armatosen dhe nga
një shtet tjetër vijnë dhe marrin pjesë në çlirimin e bashkëvendësve
të tyre. “Me këtë rast mundet të mburret vetëm populli shqiptar në
mërgim”, shprehet autori Sadiku. Disa nga këta çlirimtarë të luftës së
fundit edhe ranë për lirinë e vendlindjes/atdheut të tyre, për lirinë e
Kosovës.
Përveç këtyre
veprimtarëve dhe atdhetarëve të shquar të kombit tonë që jetojnë dhe
veprojnë në Amerikë dhe që u angazhuan në çlirimin e Kosovës, si
kontribuues më të çmueshëm për mbërritjen e lirisë së këtij populli,
padyshim është edhe presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Bill Klinton, i
cili pas përfundimit të luftës vizitoi shtetin e Kosovës dhe u
mirëprit me admirim nga kjo popullatë. Për kontributin e këtij
personaliteti të dhënë për lirinë e Kosovës, nga populli i Kosovës
Klinton mori shumë falënderime dhe mirënjohje. Me këtë rast, Klinton
nga Universiteti i Kosovës u shpall Doktor Nderi i këtij Universiteti.
Në përfundim autori Sadiku flet edhe për disa takime me personalitete
të dalluara të mërgatës shqiptare dhe të administratës amerikane, të
cilët dhanë kontribute të veçanta gjatë hulumtimeve të autorit në SHBA.
Fakti
çfarë e bën edhe më të kompletuar dhe më përmbajtjesor këtë libër
monografik të autorit Sadiku, është edhe përfshirja e shumë fotografive
ekskluzive, po ashtu edhe i shumë faksimileve dhe publikimeve të
këtyre aktiviteteve nëpër shumë mediume shqipe dhe ato të jashtme,
kryesisht atyre amerikane. Po ashtu, çështje më rëndësi për librin
paraqet edhe literatura e shfrytëzuar, shtypi, dokumentet etj.
Kështu,
në përfundim mund të konstatojmë se libri monografik i autorit dr. Riza
Sadiku, “Mërgata shqiptaro-amerikane për Kosovën”, është një libër
tejet i rëndësishëm që e pasuron fondin e librave që dëshmojnë fakte
historike të periudhave të caktuara të angazhimit dhe veprimit të
mërgatës sonë në diasporë, përkatësisht në Amerikë. Puna dhe veprimtaria
e mërgatës sonë në Amerikë është e shumëfishtë dhe shumëdimensionale,
andaj çdo gjurmë që lihet në këtë drejtim është i një rëndësie të
veçantë.