Reagim i Kryesisë së ASHAK-ut ndaj akuzave të Rexhep Qosjes për Akademinë
Kryesia
e ASHAK-ut në mbledhjen e saj të datës 23. 11. 2011, vendosi që ndaj
akuzave drejtuar Akademisë nga Rexhep Qosja ta informojë opinionin për
sa vijon:
I. Të pavërtetat:
1. Ai thotë se në Akademi bashkë me të janë vetëm edhe dy a tre akademikë, që nuk janë anëtarë të LDK-së.
E
vërteta është se në tërë Akademinë vetëm dy akademikë janë anëtarë të
LDK-së, të cilët në asnjë rast nuk ushtrojnë ndikim partiak.
2. Ai thotë se zgjedhja e Isa Mustafës, duke qenë kryetar i Komunës së Prishtinës ishte antiligjore.
E
vërteta është se Ligji për Akademinë, që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës
më 2004, me asnjë nen nuk e ndalon zgjedhjen e ndonjë funksionari
anëtar të Akademisë, kështu që zgjedhja e tij nuk ishte në kundërshtim
me Ligjin. Zoti Mustafa është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë
si shkencëtar, ekonomist, në bazë të propozimeve përkatëse, sipas
ligjit. Akademia nuk ka pasur kurrfarë interesi që ta zgjedhë kryetarin e
komunës. Akademia e ka trajtuar Isa Mustafën si anëtarët e tjerë
korrespondentë dhe ai është sjellë vetëm si i tillë në kryerjen e punëve
që ia ka caktuar Seksioni i Shkencave Shoqërore, pa as më të voglin
gjest të sjelljes si autoritet politik.
3. I
pavërtetë e tendencioz është vlerësimi i Qosjes se Akademia është
politizuar skajshmërisht e se është bërë “shtëpi partiake e Lidhjes
Demokratike të Kosovës”.
E vërteta është se
deri tash asnjë parti nuk ka shfaqur shenja për ta dirigjuar punët e
këtij institucioni të lartë të shkencës e të artit, asnjë synim për ta
cenuar pavarësinë dhe autonominë e tij. Me këtë shpifje, paturpësia e
tij do që ta bëjë të nevojshëm ndëshkimin e dëshiruar prej tij dhe prej
mbështetësve të tij ndaj Akademisë. Nga ana tjetër, Qosja çdo herë është
në listën e kandidatëve për zgjedhje në të gjitha funksionet e
Akademisë, por nuk ka marrë votë.
4. Pa fije
turpi ai thotë se akademikët e Seksionit të Gjuhësisë e të Letërsisë “S’
kanë bërë punë as shkencore, as artistike, as arsimore, as kulturore…
E
vërteta është se të gjithë këta akademikë, pa asnjë përjashtim janë
vijimisht shumë aktivë në punën e tyre shkencore e artistike. Por, është
e sigurt se asnjëri nuk e lakmon nivelin e veprës letrare e shkencore
të Qosjes.
5. Gënjen që disa akademikë “bëjnë luftë kundër gjuhës standarde”.
E
vërteta është se gjuhëtarët e Akademisë sonë janë anëtarë të Këshillit
Ndërakademik për Gjuhën Standarde, të iniciuar nga Akademia e Shkencave e
Shqipërisë në bazë të vendimit të Konferencës gjuhësore “Shqipja
standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, të mbajtur më 2002. Ky Këshill
nuk është krijuar për ta luftuar gjuhën standarde, por për ta begatuar
aftësinë shprehëse të saj e të funksionalizimit shoqëror.
6. Ai thotë se Akademia është e përkushtuar ndaj institucioneve politike dhe vijon atë traditë të servilizmit intelektual.
E
vërteta është se në kohën e pushtetit të LKJ-së ka pasur servilizëm
intelektual në të cilin ka qëndruar edhe Rexhep Qosja, si në rastin e
pranimit anëtar të Akademisë të Sinan Hasanit, që ishte funksionar i
lartë i partisë në Kosovë dhe në Jugosllavi. Rexhep Qosja është edhe
tash i vetmi akademik servil i pushtetit.
II. Morali:
1.
Ai e shan dhe e denigron Akademinë dhe vijon të qëndrojë anëtar i kësaj
Akademie me etikë të lënduar, pa pasur kurajë të japë dorëheqje nga
ajo.
2. Po bëhen dhjetë vjet që nuk ka ardhur
në Akademi e që nuk i kryen kështu obligimet që ka secili akademik,
ndërsa e merr rregullisht shpërblimin.
3. Si askush në Kosovë, në kundërshtim me ligjin, Qosja qe bërë drejtor i Institutit Albanologjik në mandat të tretë.
III. Denoncues policor:
1. Ai thotë se gjendja në Akademi është “as e lejueshme, as e pranueshme, as e mundshme dhe e dëmshme për Kosovën”.
Kështu në stilin e vjetër të një polici, ai ua zbulon organeve përkatëse Akademinë si subjekt që duhet dënuar apo asgjësuar.
2.
Kërkon që akademikët të dënohen, duke mos ua dhënë pagesën që është në
shumë prej 400 eurove e që ai e quan “rrogë kombëtare” për të lënë
përshtypjen se është e madhe.
IV. Logjika:
1.
Thotë se “para gjuhëtarëve Akademinë do të duhej ta udhëhiqnin
akademikë të profesioneve të tjera…”, sepse “për mendjen e tyre më së
shumti ka nevojë Kosova, sepse kemi nevojë për një zhvillim të
përgjithshëm e jo të na drejtojnë vetëm gjuhëtarët ku do e vëmë ë-në pa
zë e ku do e heqim”.
Për udhëheqësit e Akademisë Ligji i përcakton detyrat dhe përgjegjësitë. Ato
janë
mbi profesionet e tyre. Suksesi i punëve të Akademisë nuk varet nga
profesioni i udhëheqësit, por nga aftësia e tij organizative dhe vizioni
për zhvillimin e Akademisë dhe nga bashkëpunimi e angazhimi i anëtarëve
të Akademisë.
2. Pasi thotë se “Monografia për
Kosovën” (botim i ASHAK-ut) është një përmbledhje e 60-70 autorëve”,
konkludon se si e tillë ajo “është një libër njësoj sikur i kohës së
Stalinit, Çausheskut e Titos”. Logjikë kjo “e denjë për lartësinë e tij
intelektuale”!
V. Në fund:
Me
logjikën e bajraktarit dhe me inate nuk vlerësohet krijimtaria dhe as
funksionimi normal i institucioneve shkencore dhe artistike. Me derset e
pareshtura ai hiqet si bashkues i kombit, ndërkaq shumë prej veprimeve
të tij janë vetëm veprime të përçarjes. Me të tilla qëndrime Qosja
tregon se është mbërthyer e izoluar në egocentrizmin e tij, në
megalomaninë dhe në qëndrimin e një mësuesi pa kredibilitet. Do të
dëshironim që të zbresë në tokë si njeri me masë reale të vlerësimit të
punës së vet e me dashuri njerëzore ndaj kolegëve e ndaj të gjithëve.
Për Kryesinë e ASHAK-ut
Akademik Besim Bokshi, d.v.