Natë dimri trup i pambuluar
Natë dimri trup i pambuluar,
Të pranoj ashtu siç ishe,
Pa e kuptuar zhgënjimin e zemrës sime,
Ritmi i rinisë nisi të mplakej,
Tani kur zgjodha një tjetër kraharor,
Ironia e jetës më bëri për vete,
Zemra dritaret nuk i hap më dot,
Mbete i mbyllur i mbuluar me lot.
Më gënje tani që
nuk jam zgjuar,
Përtej botrave, përtej zotrave më
hedh,
Pagan fajtorëve për botën e mirazheve,
Më prek se shpirti nuk më fle,
Në kockat e mbështjella me damarë plot afsh,
Malli i fjetur dënesë.
Nga kënaqësia i thashë vetes, vdis,
E pambuluar isha deri në mëngjes!
Të admiroj për botën e pamëshirë
Zemra nuk di të mësoj, ajo ndjen
I pambuluar i tëri trup, i shkrirë si ndëshkim.
Zëri e trupi im ka mbuluar vetminë time,
E magjepsur nga dhembja pres agonin e të vdekurve,
Në botë të
urrejtjes e së keqes gjeta dashurinë,
Vitet janë bërë me mijëra orë,
Rri e zgjuar
Pres hënën të fshihet, dhe bashkë me
të
Piramidë ngre trupin.
Kur vret bukuria sërish trup i pambuluar
Mall i shfrenuar i djajve u bëra
E kurrë përjetësim i dashurisë..!
Idhulli im
Digjen mendimet,
Fjalët, ëndrrat.
Idhulli im,
Shenjtor i përjetshëm.
E vërteta,
Frikë për të çmendurit.
Fëmijët lindin
Diell dite.
Ç’dhembshuri të ka zemra?
Të varrosa me të kaluarën
Mbështjell në mister
Rrugës së jetës
Kam gdhendur nëpër lis
Një emër që nuk e thirra.
Pluhuri rënë fytyrës,
Deti e mori në gji.
E preka.
As fund as gjurmë.
A lind tjetër Njeri?!
Simfoni e trishtuar
As për ADN – në s’ka më gjak,
Digjen fjalët, mendimet, ëndrrat,
Simfoni e fundit se duron mjerimin.
Idhulli im, shenjtor i dhembjeve.
Të zbresin meteorët, e vërteta,
Trupi në dhe të huaj, frikë na ka mendja.
Për të gdhendur një emër
Në lisin e vjetër, kurrë nuk është vonë.
Fëmijët lindin diell dite.
Sytë plot mall për simfoninë
Me tinguj paqe
Të lënë përgjysmë.
Në ritualin e fundit
Varrosën të kaluarën
Dhe një emër që nuk e thirra.
Sytë e qiellit deti i mori në gji.
Të mos i verbojë qetësia
Eshtrat vijnë e fshihen yjeve
Që t’i presin agimet
Rrugëve të jetës
Mbi varr
Një grusht dhe
Këngë e fundit
Simfoni e thënë për ta,
Me gjuhë dielli.