Shtetasi i Kosovës, Ardit Ferizi, e ka pranuar sot fajësinë për depërtim në të dhënat personale të qindra ushtarëve dhe zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, për t’i ndihmuar militantët e Shtetit Islamik (ISIS).
Në dëgjimin e sotëm në një gjykatë federale në Aleksandria të Virxhinias, Ardit Ferizi, deklaroi se ishte fajtor për dhënie të mbështetjes materiale për grupin ekstremist, Shteti Islamik, dhe për qasje të paautorizuar në kompjuter, ka njoftuar Departamenti amerikan i drejtësisë.
Prokurorët thanë se Ferizi, 20 vjeçar, kishte depërtuar në të dhënat e një kompanie private, e pastaj militantëve të IS-it, vitin e kaluar, u kishte dërguar fjalëkalime të emailave dhe numra të telefonave të më tepër se 1,300 pjesëtarëve dhe të punësuarve federalë amerikanë.
Më vonë, IS-i i kishte publikuar të dhënat në rrjetin Twitter dhe kishte tërhequr vërejtjen se do të “sulmonte në qafën tuaj në tokën tuaj”.
Ardit Ferizi ishte arrestuar në Malajzi në muajin tetor të vitit të kaluar dhe ishte sjellur në Shtetet e Bashkuara në muajin janar të këtij viti.
Ai mund të dënohet deri në 25 vjet burg.
Ardit Ferizi iku me dosje nga Kosova
Ardit Ferizi, hakeri 19-vjeçar nga Gjakova, që u arrestua në Kuala Lampur të Malejzisë, ishte shndërruar në makth edhe për Qeverinë e Kosovës dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, ai me shumë komoditet ka arritur të dalë nga Kosova.
Burime në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se ndaj Ferizit kanë ushtruar shtatë kallëzime penale nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të paautorizuar ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike të institucioneve të ndryshme, organizatave, bizneseve e individëve.
Të gjitha kallëzimet penale ndaj tij kishin shkuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës. Pavarësisht hetimeve që po i zhvillonte Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ardit Ferizi ishte lejuar që ta lëshonte Kosovën.
Sipas të dhënave që i posedon Policia e Kosovës, Ferizi ishte larguar nga Kosova më 18 gusht të vitit 2014. Pa kaluar as dy muaj nga largimi i tij, saktësisht më datën 9 tetor të të njëjtit vit, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte lëshuar urdhërarrest për Ferizin.
Në anën tjetër, autoritetet malejziane më 15 shtator të këtij vitit kanë arrestuar Ferizin nën dyshimin se ka bashkëpunuar me grupe terroriste të “Shtetit Islamik” dhe të njëjtëve iu ka ofruar informacione për 1351 pjesëtarë të personelit të ushtrisë dhe qeverisë amerikane.
Fletarresti, dy muaj pas largimit
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija, ka treguar se institucioni që ajo drejton ka pasur në duar vetëm pesë raste, ku i dyshuar për ndërhyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike ka qenë Ardit Ferizi.
Një rast ndaj Ferizit, sipas prokurores Bakija, ka përfunduar në vitin 2011. Asokohe, siç ka thënë Bakija, Ferizi ka qenë i mitur dhe ndaj tij Gjykata Themelore në Gjakovë kishte shqiptuar masë të diversitetit. Masa të tilla, sipas Bakisë, shqiptohen në rastet kur të dyshuarit janë të mitur dhe shqiptohen me qëllim të vetëdijesimit të kryesve të veprave penale.
Megjithatë, Ferizi nuk ishte vetëdijesuar dhe sipas të dhënave i njëjti ka vazhduar me kryerjen e veprës penale edhe në 2012-ën, 2013-ën dhe 2014-ën.
“Tashmë në Prokurori janë katër raste për Ardit Ferizin. Prokuroria i ka përfunduar hetimet dhe rastin e ka dërguar në Gjykatë, por për shkak se i njëjti nuk është gjetur në adresën e tij të banimit, rastet ndaj tij janë pezulluar”, ka thënë Bakija.
Gjykata duke mos e gjetur Ferizin në adresën e tij, ndaj të njëjtit kishte lëshuar urdhërarrest.
Babai i Ardit Ferizit, Naim Ferizi,, thotë se për djalin e tij ekzistojnë dy akuza dhe se Policia kishte qenë disa herë në shtëpinë e tyre, madje edhe në kohën sa Arditi ka qenë në Kosovë.
“Ne si familje jemi në dijeni për dy raste ndaj djalit tonë. Nuk dimë për raste të tjera”, thotë babai i Arditit, Naim Ferizi.
Babai thotë se djali ishte në shkollim
Për rastet me të cilat ngarkohet Arditi, babai i tij thotë se e ka ditur edhe vetë djali i tij.
Naim Ferizi thotë se pikërisht për t’u ballafaquar me këto raste dhe për shërim si rezultat i disa problemeve mendore, më 15 shtator të këtij viti Arditi kishte marrë rrugën për Kosovë. Babai thotë se djalin i tij e kanë arrestuar teksa i njëjti kishte qenë duke e dorëzuar bagazhin në rrugën e sipër për në Kosovë.
“Djalin e kanë arrestuar qe 33 ditë. Atë e kanë arrestuar se kinse ka qenë në Siri. Ai kurrë nuk ka qenë në Siri”.
Ai shton se ka kërkuar nga autoritetet e atjeshme që të shkojë dhe ta vizitojë djalin. Në bisedën e fundit me të birin, babai thotë se Arditi i kishte thënë që Hetuesia e ka vërtetuar që ai nuk ka qenë në Siri dhe tashmë rasti nuk do të kalojë në Gjykatë, por ai do të kthehet në Kosovë.
Për shkak se Kosova nuk ka ambasadë të hapur në Malajzi, Naim Ferizi thotë se autoritetet malajziane djalin e tij e kanë dorëzuar tek Policia e INTERPOL-it.
“Ne nuk kemi ditur asgjë se çfarë ka ndodhur me djalin tonë. Kam kërkuar ndihmën e institucioneve tona, por asgjë. Vetëm para tri-katër dite kur i pamë lajmet dhe tashmë ndaj djalit tim janë dyshime krejtësisht tjera”, thotë Naimi, i cili shton se vetë e ka financuar shkollimin e djalit në Kuala Lumpur dhe në këtë qytet së bashku me bashkëshorten në qershorin e këtij viti kishte qëndruar dy javë në vizitë tek djali.
Mediet ndërkombëtare kanë raportuar të enjten se Ardit Ferizi dyshohet për sulme kibernetike ndaj institucioneve amerikane. Ai dyshohet se ka ndërhyrë në sistemet amerikane të sigurisë dhe ka arritur që t’i sigurojë të dhënat personale për 1351 pjesëtarë të ushtrisë dhe Qeverisë amerikane. Për këto të dhëna, sipas Departamentit Amerikan për Drejtësi, Ferizi si njëri nga liderët e “Security Hacker Kosovo” dyshohet se ka bashkëpunuar me Junaid Hussain nga “Shteti Islamik”.
Këto të dhëna, Ferizi dyshohet se ia ka ofruar “Shtetit Islamik” në mes të prillit dhe gushtit të këtij viti. Më 11 gusht, Hussain në një postim në rrjetin social kishte shkruar se “Ushtria dhe Qeveria amerikane janë sulmuar nga Divizioni i Hakerëve të ‘Shtetit Islamik’”, ndërsa në postim e kishte bashkangjitur një dokument 30 faqesh, në të cilin mes të tjerash shkruante: Ne jemi në e-mailet dhe sistemin tuaj kompjuterik, duke iu shikuar dhe incizuar në çdo lëvizje. Ne i kemi emrat dhe adresat tuaja”.
Në dokument ishte potencuar se këto informacione do të barten tek sulmuesit e “Shtetit Islamik”, të cilët “së shpejti me lejen e Allahut do t’ua prenë qafën në tokat tuaja”.
“Ky është rasti i parë i këtij lloji dhe me këto akuza ne kërkojmë ta mbajmë përgjegjës Ferizin për vjedhjen e këtij informacioni dhe rolin e tij në ‘Shtetin Islamik’, ku ka atakuar punonjësit e Qeverisë amerikane”, ka thënë përmes një deklarate ndihmësi i prokurorit gjeneral amerikan, John Carlin.