2016-06-13

Rrëfime për Demë Ali Pozharin

BELLEJA

·
Sylë Alia i lindur ne vitin 1907 i cili gjat jetes se tij strehoi ne Belle shom kaqak si Ram Binakin e Dashinocit, Dem Ali Pozharin,Shaban Bashen, Sadri Qaken e shum te tjer. Babai i tij Ali Imeri u pushaktua ne masakren e vitit 1913 ne Bellen e Mesme. ky pra esht Syl Ali Elezaj 1907-1994 nga Belleja e Poshtme .

Shkruan: Mr. Bajram Mehmetaj - Pozhar

Fejtoni “Rrëfime për Demë Ali Pozharin” që u botua në shtypin tonë në Kosovë, u prit me interesim të madh nga opinioni i gjerë i komunës së Deçanit dhe i tërë Rrafshit të Dukagjinit. Është kjo një temë interesante e historisë kombëtare të anatemuar gjatë sistemit monist. Tema e tillë është sa e rëndësishme, aq edhe delikate. Temat e tilla historike, ku përmenden personalitete të shquara të ngjarjeve të mëdha, kërkojnë përgatitje të lartë profesionale, talent e durim gjatë tubimit të lëndës dhe shtjellimit të saj. Fejtoni në shqyrtim është një anakronizëm, një vendosje e gabuar e ngjarjeve dhe dukurive të kohës në një kohë tjetër. Janë dhënë gabim disa data, nuk janë përmendur njerëzit që e kanë mbajtur Demë Alinë dhe që kanë sakrifikuar për të jetën e vet dhe të familjes së tyre; nuk janë shënuar as emrat e të gjithë familjarëve të Demë Alisë që kanë qenë në burgun e Gjakovës në “Rrugën e Shkijeve”, por vetëm disa prej tyre. Në këtë fejton nuk është dalluar e veçanta dhe e përveçmja nga e përgjithshmja përkitazi me likuidimin e djemve të Demë Ali Pozharit. Ata që i kanë likuiduar djemtë e Demë Alisë kanë emra dhe mbiemra, këtë e ka ditur mirë edhe porositësi i fejtonit, i cili nëpërmjet Demë Alisë e ka shfrytëzuar rastin t’i bën apologji vetvetes më shumë se Demë Alisë dhe familjes së tij.

Shkrimi “Rrëfime për Demë Ali Pozharin”, i botuar siç u cek në “Kosova Sot”, i autorit Shefqet Dibrani, me gjithë gëzimin e madh që u prit në fillim, përfundoi në fund i çoroditur dhe jo i bazuar në të vërteta historike, duke mos i bërë nder Demë Alisë, familjes as opinionit të gjerë.

Në fejtonin e Shefqet Dibranit “Rrëfime për Demë Ali Pozharin”, janë bërë dallime e diferencime në mes familjarëve të shtëpisë së Demës dhe të vëllazërisë së tij, gjë që nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë, në asnjë moment.

Së këndejmi u detyruam të reagojmë pa dëshirën tonë, me qëllim që ta informojmë lexuesin e nderuar me emrat e atyre personave, që kanë sakrifikuar vetveten dhe familjet e tyre për ta ndihmuar Demë Ali Pozharin në çastet më të vështira të jetës së tij gjatë viteve 1941-1944 dhe 1944-1948.
Merita të veçanta për ndihmën që i kanë dhënë Demë Ali Pozharit në çaste të vështira dhe nuk janë cekur në fejton janë këta persona: Isuf Rama, Ali Meta e Rrustem Syla, të bijtë e mixhës me Demën, Nurie Alia - Kuklecaj (e motra e Demë Alisë), Musë Hajdini i Bellesë me të birin Pajazitin e kanë mbajtur Demë Alinë në momentin më kritik të jetës së tij; Hajdar Meta - i Mushkolajve bashkë me të birin, Sadri Hajdari nga Irzniqi, Zymer Feta i Haxhisalihëve të Irzniqit bashkë me të vëllanë Veselin dhe me vëllazërinë e tyre të Haxhisalihëve të Skivjanit; Imer Zeka i Zekë Hajdinëve të fshatit Kodrali bashkë me të vëllanë e tij Metën, Nezir Sadiku i Sadik Zymerit të Gjonajve nga Kodralia, Metë Bajrami nga Baballoçi, Curr Hajdini dhe Binakët e Belegut, Hazir Laha e Sylë Alia me të gjithë burrat e Bellesë, Shtëpia e Tahirsylëve, Zymer Tahiri e Qelë Shabani Isniq, Ali Zymeri i Balajve - Isniq, Povatajt e Strellcit - Rexhë Bardhoshi, Ukë Rrustemi i Povatajve, Bajram Qerimi i Strellcit e shumë strellcjanë të tjerë. Ndihmesë të madhe materiale dhe morale i kanë dhënë Demë Alisë Belegët e Pejës si dhe Haxhi Duçi i Malëramëve të Turjakës me të gjithë vëllazërinë e tij dhe Sylërexhët e Vranocit. Popullata e këtyre anëve e ka nderuar shumë Demë Alinë, prandaj mund të ketë edhe shumë njerëz të tjerë që kanë sakrifikuar për të por për të mos u zgjeruar shumë, emrat e tyre do të përmenden në shkrimet tjera për Demë Alinë.

Pos të tjerash në këtë fejton është lëshuar edhe një gabim i pafalshëm lidhur me Rrustem Sylën, i cili sipas autorit e paska ndërruar mbiemrin dhe paska deklaruar se nuk është i afërm i Demës dhe se pas këtij deklarimi gjëja se e paskan lëshuar nga burgu. Gazetari Dibrani sigurisht se ka rënë në lajthitje të personit prej të cilit i ka marrë shënimet. Ngase ky është gabim i qëllimtë sepse për Rrustem Sylën e Sylë Mehmetit të Pozharit kurrë nuk është folur një gjë e tillë në të kaluarën as sot. Autori Dibrani të dhënat për fejtonin e Demë Alisë duket se i ka marrë në dyqan të keq. Rrustem Syla kurrë nuk e ka ndërruar mbiemrin as kurrë nuk e ka mohuar që e ka djalë axhe Demë Alinë. Një fakt të tillë duhet ta dëshmojë autori i këtij fejtoni sepse ka bërë mëkat te Zoti me Rrustem Sylën, sepse Rrustemi është ndër njerëzit që ka hequr të zitë e ullirit për Demë Ali Pozharin, është njeriu që i ka qëndruar besnik vijës së Demë Alisë deri në vdekje. Rrustem Syla nuk e ka ndërruar mbiemrin kurrë por atë mbiemër e ka pasur gjithmonë, atë mbiemër e kemi edhe ne pasardhësit e Rrustem Sylës. Mbiemri familjar Mehmetaj është Llagapi i vërtetë i kësaj vëllazërie ngase Mehmet Alia i Pozharit ka qenë kreu i fisit të Berishës i cili është vrarë në Gjakovë, më 6 shtator 1878, në Luftën e Sarajit, duke mbrojtur vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Familjarët e Demë Alisë u arrestuan në fillim të qershorit të vitit 1946 dhe kanë qëndruar në burgun e Gjakovës deri në fund të muajit prill të vitit 1948. Kanë qenë të burgosur këta familjarë të Demë Alisë: Rrustem Syla, Selim Syla, Ali Meta, Ajmone Povataj nëna e Demë Alisë, Keçe Kuklecaj nëna e Ali Metës, Hatmone Balaj e shoqja e Rexhë Alisë, Xhejlane Uka e shoqja e Ali Metës, Time Morina e shoqja e Rrustem Sylës, Havë Alaj e shoqja e Selim Sylës, Ajshja e Zylihaja të bijat e Demë Alisë, Bajrami i Rrustemit alias Bajram Mehmetaj, Brahimi e Afrimi të bijtë e Demë Alisë, Maxhuni i biri i Selim Sylës, Ahmeti i biri i Rrustem Sylës alias Ahmet Pozhari, Tusha e bija e Selim Sylës, Shqipja e bija e Ali Metës. Hatmoni e Shqipja kanë vdekur në burgun e Gjakovës në “Rrugën e Shkijeve” në fund të vitit 1946. Familjarët e Demë Ali Pozharit, Rrustemi, Selimi e Alia dhe bijtë e bijat e tyre që kanë jetuar në një shtëpi, në një kulm e nën kujdesin e një të Zotit të Shtëpisë, ç’prej vitit 1916 e deri në ditët e sotme kurrë nuk kanë pasur ngatërresa mes veti as kurrë nuk janë diferencuar nga njëri-tjetri.

Që kur Demë Alia dhe grupet tjera i shpallën luftë sistemit komunist në Jugosllavi, familja e Demë Alisë ka pasur vuajtje, mundime, djegie, bastisje, vrasje të familjarëve të kësaj familje por kjo familje kurrë nuk është luhatur para pushtetit komunist dhe organeve të OZN-ës. Qëndresa e kësaj familje njihet në popull si shembull për stoicizëm.

Edhe pas largimit të Demë Alisë nga Kosova më 1948, familjarët e Demë Alisë i mundonin dhe i privonin nga të gjitha të drejtat. Kjo familje disa herë ka qenë e leqitur - përjashtuar. Edhe gjatë aksionit të armëve pjesëtarët e kësaj familje Ali Meta, Rrustem Syla dhe Selim Syla u munduan dhe u torturuan gjatë këtij aksioni. Unë si i biri i Rrustem Sylës u largova nga procesi mësimor në vitin 1981 nga fushata diferencuese që e kishte marrë pushteti aktual i kohës kundër të gjitha familjeve që i përkrahën demonstratat e vitit 1981 apo që u solidarizuan me to. Për të njëjtat shkaqe është larguar edhe vëllai im Ahmet Pozhari nga procesi mësimor. Në atë kohë është larguar edhe biri im nga shkolla pa të drejtë shkollimi në ndonjë shkollë tjetër. Pjesëtarët e kësaj familje janë dënuar në Gjykatën ushtarake në Lubjanë me 13 vite burg. Po ashtu edhe në luftën e fundit pjesëtarët e kësaj familje kanë dhënë kontribut të pakursyer duke marrë pjesë masovikisht në këtë luftë e cila i dëboi përfundimisht forcat serbe dhe pushtetin serb nga Kosova. Me këtë edhe u plotësua amaneti i Demë Ali Pozharit.

Për të gjitha këto të dhëna që i paraqitëm në këtë shkrim, kemi dëshmi, fakte e dokumente të bollshme që e dëshmojnë të vërtetën për secilin pjesëtar të familjes së Demë Alisë. Tendencat e autorit te fejtonit për ta zbehur një pjesë të familjes së Demë Alisë e kanë gjenezën më herët, dhe autori me dijen apo pa dijen e tij është bërë pjesë e atyre makinacioneve nëpërmjet të cilave ia ka bërë një argat të keq kësaj familjeje.



http://www.kosova-sot.info/opinione/disa-gabime-te-renda-ne-fejtonin-rrefime-per-deme-ali-pozharin-te-autorit-shefqet-dibrani

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...