Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/17

Mamuzëri djaloshare

Image result for xheladin Çitaku
NGA: XHELADIN ÇITAKU 

Recension : "Trëndafili yt" i autorit Ismet TAHIRAJ


- Hapi i radhës, i hedhur në shtigjet e poetikës nga Ismet Tahiraj, gjurmëron në llojin e poezisë, e cila përmbledhë reagimet e shkaktuara nga “mamuzërimi” i folesë ndjesore të intimitetit njerëzor, vërshuar si emocione të adresuara nga guva e erotizmit të poetit. Ndërtimi i përmbledhjes poetike “Trëndafili Yt” bëhet, pikërisht, nga materia që ka prejardhje nga thellësia e ndijimit, që pastaj, të strukturohet si përjetim, si kuptimësi dhe si formësim i vargëzuar.
Lirika erotike (në përgjithësi) kap përjetimet shpirtërore dhe rrjedh si refleksion i tyre në mënyra përshkuese të caktuara; racionale apo si shpërthim i emotivitetit të lartë, duke prezentuar motivimin, si prushërim a si flakë përcëlluese, varësisht nga temperamenti shpërfaqës; duke trajtuar ndjenjën si ngrohtësi entuziazmuese, si ofshamë therëse, a si shigjetim përvëlues.
Ismet Tahiraj i qaset realisht ndërthurjes së përkushtimit, përjetimit, ndijimit e pikturimit të tyre në vargun e tij, i qaset erotizmit real, të dukshëm e të kapshëm, të qëndrueshëm si preokupim jetësor individual a i përgjithshëm (universal). Themi real, sepse poezia e Ismetit vjen si përshkrim besnik i vrragëlënies në shpirt, thellësisë e gjerësisë reale të kësaj vrrage, duke shmangur skajshmëritë e ngazëllimit, të cilat, shpeshherë, vet natyra njerëzore s`i frenon dot. Ismeti e kanalizon konstruktimin brenda projektit të tij, brenda erotizmit apo dashurisë së pastër, dlirësisë si kuptim poetik e si rrjedhim përjetues:

“Përherë je diçka e paarritshme
por për mua bëhu frut i vjelë
mos shko fshehtas pas erës
mos ik me stinën e pranverës
lauresha ndër grunaja të pret
dhe një tubë bar, që shtrohet dyshek…”

- Ngjyrimi i portretizimit i shpërfaqet auditorit me ngjyra shkëlqyese, të theksuara në nyancimet e konkretizimit të figurëzuar, duke aplikuar, kështu, koloritin e simbolikës, mjaft suksesshëm në piketimin e krahasimit të subjektit, për ta pahëzuar sa më qartë, sa më denjësisht, sa më poetikisht:
“…Duart e tua janë jetë
bukë e mbrëmjes, pas lodhjes
dyshek i shtuar në shtrat
mbëltim lulesh n`saksi…”

- Në tabloizimin e elementeve që e karakterizojnë këtë lloj poezie (poezinë erotike), autori gërsheton, brenda strukturës, edhe copëza ambienti në shërbim të kontekstit, duke përplotësuar, kështu, relievin në të cilin shtrihet konstrukti. Ambientalizimi i tillë në bukuritë e natyrës si, fluturat e pranverës, “kroi ujë argjendi”, lëndina, apo njëjtësimi i vrullit ndjenjor në vullkanin shpërthyes a “brufullimet” e zjarrit, aspirojnë të arrijnë efekte të forta në percepcionet e lexuesit, duke i ofruar atij modelin e autorit, përplitjet e tij, përhumbjen brenda erosit, deri ekstazën e tij, në prezentimin e vetvetes:

“Fjollë tymi të del, e padukshme si vet vesa para diellit
……………………………………………………………..
……………………………………………………………..
Prush të djeg nëpër palcë, pa fare dhimbje,
qoftë bekuar secila dhimbje nga ti e bime…”

Duket se muza lozonjare ka mbërthyer autorin për t`i shkundur nga skutat e shpirtit gjithë stivosjet e akumuluara nëpër kohë. Apo, vet Prekazi, natyra e tij, lëndinat, pranverat e tij, a gurgullimat e ujit e dehin poetin, i cili shpalosë, pastaj faqen tjetër të këtij vendi, fytyrën e bukurisë e të dashurisë ( përveç asaj të trimërisë e vetmohimit).

“Trëndafili Yt” konsumon aspektet letrare-artistike të shtjellimit; kompozitat adapte për poezinë erotike, stilin, figuracionin, shprehjen e veçuar poetike. Ligjërimi i tillë krijon relatat e duhura mes konfigurimeve spirituale dhe mjeteve intonative, të cilat harmonizohen në rrjedhën melodioze të poezisë së Ismet Tahirajt. Nën këtë ritëm spikatë lëvrimi dhe kultivimi i fjalës, ekspozimi i specifikave të vendit (Drenicës) dhe letrarishtes, poashtu.
-Traseja nëpër të cilën shtrihet vargënimi i Ismet Tahirajt është dizajnuar me veçoritë dalluese të një idividualiteti krijues, që përfaqëson origjinalitetin e poetit në raport me tradicionalen dhe me zhvillimet aktuale në poetikën e sotme, është konturuar si produkt i imagjinatës a i përvojës jetësore të tij. Duke u zhvendosur jashtë konvencës, autori i këtij vëllimi adopton elementet e metrikës në konformitet me kontinuitetin kuptimor e ritmik, që mundëson sendërtimin e elaborimit të motivit në shpërfaqje të formësuar, kornizimin e frymëzimit në një derivat poetik të zhanrit të poezisë erotike, si synim final i poetit.

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...